Gjykata jep vendimin për autorin e masakrës së Shkodrës, Ragip Gila, i cili dyshohet se vrau brenda një lokali mëngjesin e 8 Shtatorit dy persona dhe plagosi dy të tjerë.
Togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. 28-vjeçari Ragip Gila mësohet se nuk ka dhënë asnjë deklaratë gjatë seancës për masën e sigurisë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër.
Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg”, ndërsa avokati mbrojtës ishte caktuar kryesisht nga gjykata pasi i dyshuari nuk kishte përfaqësues ligjor.
Avokati ia la në dorë gjykatës vleftësimin për masën e sigurisë, ndërsa gjyqtarja Ermira Dedja vendosi masën “arrest me burg”.
Sipas hetimeve paraprake, Gila akuzohet për vrasjen e Armando Palit dhe Liridon Kraja alias Lushi, si dhe për plagosjen e rëndë të Erogen Vasos Brajoviç dhe Meri Kacerit, kamariere e lokalit, gjatë një atentati që ndodhi më 8 Shtator në qendër të qytetit të Shkodrës.
Autori i dyshuar i masakrës, Ragip Gila u vendos në pranga disa minuta pas ngjarjes së rëndë në tentativë për t’u arratisur.
28 vjeçari, banues në Shkodër, u arrestua për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Pas të shtënave, autori Ragip Gila u largua nga dera e pasme e lokalit dhe braktisi motorin, duke ecur në këmbë për disa metra.
Më pas, Gila ndaloi një qytetar dhe nën kërcënimin e armës i mori makinën BMW ngjyrë gri, me të cilën u largua me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit. Pamjet filmike tregojnë qartë momentin kur ai qarkullon me makinën e vjedhur në përpjekje për t’u arratisur. Arriti deri në lagjen Skënderbeg, por gjatë ndjekjes nga forcat e policisë, u përfshi në një aksident duke u përplasur me disa mjete të tjera. Pas përplasjes, e braktisi automjetin dhe tentoi të largohej në këmbë në drejtim të lumit Kir.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
Ju mirëpresim!









