Tag: marrëveshja

  • Hyn sot në fuqi marrëveshja për kthimin e emigrantëve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës

    Hyn sot në fuqi marrëveshja për kthimin e emigrantëve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës

    Një marrëveshje e re ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Francës, e njohur si “një brenda, një jashtë”, ka hyrë zyrtarisht në fuqi këtë të martë.

    Kjo skemë synon të frenojë emigracionin e parregullt përmes Kanalit Anglez, duke lejuar kthimin e disa migrantëve në Francë.

    Sipas marrëveshjes, migrantët që mbërrijnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla do të mund të ndalohen dhe të kthehen menjëherë në Francë, nëse nuk plotësojnë kriteret për të kërkuar azil.

    “Sot dërgojmë një mesazh të qartë – nëse vini këtu ilegalisht me një varkë të vogël, do të përballeni me kthimin në Francë,” deklaroi kryeministri Keir Starmer, pas arritjes së marrëveshjes me presidentin francez Emmanuel Macron muajin e kaluar.

     

     

    Kthimi i migrantëve: Emigrantët e parregullt që konsiderohen të papërshtatshëm për azil në Mbretërinë e Bashkuar do të kthehen në Francë.

    Shkëmbimi i barabartë: Në këmbim, Britania do të pranojë një numër të barabartë migrantësh nga Franca, të cilët do të aplikojnë për azil në mënyrë të rregullt përmes një platforme online.

    Përparësi të cenueshmëve: Prioritet do t’u jepet shtetasve nga vendet më të prekshme nga kontrabanda dhe atyre me lidhje familjare në Britani.

    Marrëveshja do të zbatohet fillimisht si një skemë pilot deri në qershor 2026, me mundësi zgjatjeje apo zgjerimi më tej, në varësi të rezultateve.

    Qeveria britanike njoftoi se autoritetet janë tashmë “të gatshme operativisht” dhe priten ndalimet e para brenda pak ditësh.

  • Marrëveshja e re e emigracionit, azilkërkuesit nga Franca do lejohen të shkojnë në Britani për 3 muaj

    Marrëveshja e re e emigracionit, azilkërkuesit nga Franca do lejohen të shkojnë në Britani për 3 muaj

    Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë arritur një marrëveshje të re për emigracionin, e cila parashikon që emigrantët në Francë të mund të aplikojnë për vizë për të hyrë ligjërisht në Britani, teksa shqyrtohet kërkesa e tyre për azil.
    Sipas dokumenteve të publikuara nga Ministria e Brendshme britanike, aplikantët që plotësojnë kriteret do të marrin leje hyrjeje për një periudhë maksimale prej tre muajsh, pasi të kenë dorëzuar aplikimin online. Gjatë kësaj kohe, atyre do t’u ndalohet puna, studimi dhe nuk do të kenë akses në fonde publike.
    Megjithatë, shumë pyetje rreth skemës mbeten ende pa përgjigje, përfshirë ajo se ku do të strehohen emigrantët gjatë qëndrimit të përkohshëm dhe çfarë do të ndodhë nëse aplikimet e tyre refuzohen më vonë. Ka shqetësime se ata mund të përfundojnë në hotele të financuara nga shteti, me kosto të lartë për taksapaguesit britanikë.
    Skema “një brenda, një jashtë”
    Marrëveshja funksionon mbi parimin “një brenda, një jashtë”, që do të thotë se numri i emigrantëve të pranuar nga Franca do të kufizohet në të njëjtin numër me ata që do të dëbohen nga Britania dhe do të rikthehen në Francë. Megjithatë, Ministria e Brendshme ende nuk ka përcaktuar një kufi të saktë numerik për këtë shkëmbim.
    Një raport paraprak sugjeron se vetëm rreth 50 emigrantë në javë do të mund të rikthehen në Francë, çka do të thotë se në total do të jenë rreth 2,350 përpara se marrëveshja të skadojë në qershor të vitit të ardhshëm. Kjo shifër është shumë më e ulët krahasuar me mbi 25,000 migrantë që kanë mbërritur në Britani me gomone që nga fillimi i këtij viti, një rritje me 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
    Kritikat dhe reagimet
    Sekretari në hije për Punët e Brendshme nga Konservatorët, Chris Philp, kritikoi marrëveshjen duke e quajtur “një derë të hapur” për emigracionin ilegal. Ai shprehu shqetësime se nuk është e qartë se si do të menaxhohen rastet kur kërkesat për azil refuzohen, apo nëse Britania do të jetë në gjendje të dëbojë emigrantët e refuzuar në Francë, për shkak të sfidave ligjore.
    Nga ana tjetër, organizatat që mbrojnë të drejtat e emigrantëve janë shprehur se marrëveshja është jo humane dhe e papranueshme. Steve Valdez-Symonds nga Amnesty International UK deklaroi se kjo skemë trajton refugjatët si “pako që transferohen” dhe paralajmëroi sfida ligjore kundër saj.
    Sakaq, Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper, në një intervistë për BBC Radio 4, tha se qeveria nuk do të publikojë shifra të sakta të atyre që do të kthehen në Francë, me arsyetimin se kjo mund të ndihmojë grupet kriminale të kontrabandës së njerëzve. Megjithatë, ajo premtoi transparencë të vazhdueshme për numrin e emigrantëve të ndaluar dhe të rikthyer.
    Cooper theksoi se emigrantët që vijnë ilegalisht me gomone mund të përzgjidhen për këtë skemë të re dhe të vendosen në qendra ndalimi, ndërkohë që kërkesa e tyre për azil shqyrtohet.
    Marrëveshja aktuale midis Britanisë dhe Francës është e vlefshme deri në fund të qershorit 2026, me mundësi rinovimi.

  • Marrëveshja për emigrantët në Shqipëri, Meloni sfidon vendimin e GJDE-së

    Marrëveshja për emigrantët në Shqipëri, Meloni sfidon vendimin e GJDE-së

    Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka kritikuar ashpër Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJDE) pas një vendimi që sfidon planin e saj për menaxhimin e emigracionit nëpërmjet qendrave të ngritura në Shqipëri. Vendimi i gjykatës kërkon më shumë transparencë dhe mundësi sfidimi ligjor në përcaktimin e vendeve “të sigurta” për emigrantët.

    Meloni e cilësoi këtë vendim si një ndërhyrje të papranueshme në politikën kombëtare të emigracionit. “Ky është një vendim që dobëson politikat për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe për të mbrojtur kufijtë tanë,” deklaroi zyra e saj, duke shtuar se “rrezikon të kufizojë më tej hapësirën tashmë të ngushtë të autonomisë së qeverisë dhe parlamentit”.
    Në vitin 2023, Italia dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje për ngritjen e dy qendrave në Shëngjin dhe Gjadër, ku do të dërgoheshin emigrantë të shpëtuar në Mesdhe për shqyrtim të përshpejtuar të kërkesave për azil. Skema ka hasur pengesa të shumta ligjore, përfshirë vendime të gjykatave italiane që vunë në dyshim legjitimitetin e përcaktimit të disa vendeve si “të sigurta”, përfshirë Bangladeshin dhe Egjiptin.

    Gjykata e BE-së vendosi se shtetet anëtare mund të shpallin një vend si të sigurt, por ky proces duhet të jetë transparent dhe i hapur ndaj shqyrtimit gjyqësor. Vendimi erdhi pas një rasti të ngritur nga dy shtetas nga Bangladeshi, të cilët u dërguan në Shqipëri dhe iu mohua e drejta për të sfiduar vendimin për kthim.
    Vendimi i GJDE-së është përshëndetur nga opozita italiane. Deputeti Matteo Orfini nga Partia Demokratike e quajti atë një “konfirmim të dështimit të modelit të Shqipërisë”, ndërsa Lëvizja Pesë Yjet e akuzoi Melonin për “padituri dhe propagandë boshe”.
    Pavarësisht reagimeve, Meloni mbetet e vendosur. Sipas agjencisë Ansa, burime nga qeveria italiane kanë deklaruar se operacionet në qendrat shqiptare nuk do të ndalohen dhe do të vazhdojnë të funksionojnë siç është planifikuar.
    Aktualisht, disa dhjetëra emigrantë që ndodhen në këto qendra janë në pritje të riatdhesimit, pasi u është refuzuar kërkesa për azil. Marrëveshja me Shqipërinë, sipas qeverisë italiane, mbetet një instrument kyç për frenimin e migracionit të parregullt në Mesdhe.
    /vizionplus.tv

  • Trump pezullon përkohësisht tarifat ndaj Meksikës

    Trump pezullon përkohësisht tarifat ndaj Meksikës

    Meksika duket se i ka shmangur tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi. Donald Trump njoftoi një pezullim të përkohshëm të masave pas një telefonate të zhvilluar me presidenten e vendit, Claudia Sheinbaum .

    Marrëveshja parashikonte që SHBA-të do të vendosnin tarifa prej 30% për të gjitha produktet meksikane nga 1 janari. Në vend të kësaj, marrëveshja e përkohshme tregtare do të zgjatet për 90 ditë të tjera, deri në fund të tetorit.
    Në një postim në “Truth Social”, Trump shkruan se negociatat për një marrëveshje të përhershme do të vazhdojnë gjatë kësaj periudhe.

    Nuk do të jetë e lehtë, shton ai: “Kompleksitetet e një marrëveshjeje me Meksikën janë disi të ndryshme nga vendet e tjera për shkak të problemeve dhe përfitimeve të kufirit”.

  • Tarifat doganore SHBA-BE, liderët të pakënaqur me Von der Leyen! Marrëveshja më e keqe në histori

    Tarifat doganore SHBA-BE, liderët të pakënaqur me Von der Leyen! Marrëveshja më e keqe në histori

    Ursula von der Leyen po shigjetohet si humbëse në negociatat tregtare për marrëveshjen me Donald Trump që u prezantua këtë fundjavë nga të dy liderët pas takimit në Skoci. Presidentja e Komisionit Evropian thotë Corriere ka dalë me një staturë më të zvogëluar politike nga kjo marrëveshjeje, dhe tani i duhet të sheshojë pakënaqësitë e disa vendeve të mëdha evropiane. Polonia, Spanja, Franca dhe së fundmi Gjermania që është parë si arkitekte e marrëveshjes kanë shprehur pakënaqësi ndaj marrëveshjes.
    Von der leyen mbajti kontakte të ngushta me kompanitë dhe organizatat e mëdha tregtare evropiane: automobilistike, farmaceutike, bujqësore e kështu me radhë, dhe në fund veproi sipas thirrjes unanime që vinte nga komuniteti i biznesit: mjaft, le t’u japim atyre atë që duan, nuk mund të fillojmë një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara.
    Presidentja e Federatës Gjermane të Automobilave, Hildegard Müller, deklaroi se “tarifat prej 15% do t’u kushtojnë prodhuesve të automjeteve miliarda”. Dakord, por të njëjtët “prodhues automjetesh” kanë qenë mallkimi i Berlinit dhe Brukselit: nxitoni, le të gjejmë një kompromis me Uashingtonin.
    Për më tepër, sektori i automobilave është i vetmi që e ka kufizuar dëmin: tarifa do të shkojë nga 27.5% në 15%. Politikanët dhe udhëheqësit e biznesit shfaqën oportunizëm në këtë rast, mbi të gjitha kancelaria gjermane që e ka shtyrë von der leyen për dialog me Trump.
    Strategjia rezultoi një dështim. Disa brenda Komisionit po reflektojnë mbi mundësinë e veprimit ndryshe në prillin e kaluar. Ideja është të mos vendoseshin kundër tarifa, por duke penalizuar, në vend që të përjashtojnë, gjigantët dixhitalë amerikanë, nga Google te Meta apo sektorin financiar amerikan, i cili korr fitime në Evropë.
    Për këtë Von Der Leyen nuk u përpoq dhe plani eci gjithnjë e më tej në rrugë të gabuar duke gjetur veten në fund të korrikut, në një pozicion shumë të vështirë negociues. Për momentin, ajo mbetet e pakërcënuar ne pozitën e saj pasi sipas të përditshmes italiane Corriere, Merz, Macron, Meloni dhe të tjerët, nuk duan t’i shtojnë një krizë institucionale traumës së shkaktuar nga ndoshta marrëveshja më e keqe në historinë e Bashkimit Evropian.

  • Marrëveshja për tarifat, BE publikon versionin e saj. Ndryshon nga ai i SHBA-ve

    Marrëveshja për tarifat, BE publikon versionin e saj. Ndryshon nga ai i SHBA-ve

    Bashkimi Evropian ka publikuar një dokument informues mbi marrëveshjen për tarifat doganore të nënshkruar të dielën në Skoci me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në tekst konfirmohen pikat dhe përqindjet që kishin dalë më herët në Bruksel gjatë mëngjesit të së martës. Megjithatë, siç shkruan Corriere della Sera, vërehen dallime krahasuar me dokumentin e publikuar mbrëmjen e kaluar nga Shtëpia e Bardhë.
    Ndër pikat që nuk përputhen mes dy dokumenteve janë tarifat mbi mikroçipat dhe produktet farmaceutike, të cilat, sipas Komisionit Evropian, nuk janë aktualisht të tatueshme. Gjithashtu, në dokumentin e BE-së nuk përmendet asnjë angazhim i Brukselit lidhur me taksën dixhitale.
    Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Tregtinë, i pyetur lidhur me deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, sipas së cilës BE-ja është angazhuar të mos vendosë taksa për kompanitë e mëdha teknologjike në kuadër të marrëveshjes, ai theksoi se për këtë vendos unioni.
    “Nuk i ndryshojmë rregullat tona dhe të drejtën tonë për të rregulluar në mënyrë të pavarur hapësirën dixhitale. Deklarata e Shtëpisë së Bardhë pohon se konfirmojmë që nuk do të miratojmë dhe as do të mbajmë tarifa për përdorimin e rrjetit, si dhe do të ruajmë zero tarifa doganore për transmetimin elektronik. Kjo është e saktë, por nuk ndërhyn në hapësirën tonë rregullatore.”
    Më tej, Bashkimi Evropian thotë se marrëveshja në fjalë juridikisht nuk është e detyrueshme.
    “Marrëveshja politike e 27 korrikut 2025 nuk është juridikisht e detyrueshme. Përveç veprimeve të menjëhershme të dakorduara, BE-ja dhe SHBA-të do të vazhdojnë negociatat, në përputhje me procedurat e tyre të brendshme, për të zbatuar plotësisht këtë marrëveshje politike,” thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.
    Sipas dokumentit, marrëveshja i shërben interesave ekonomike thelbësore të BE-së, duke synuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me SHBA-të. Në të njëjtën kohë, ajo respekton plotësisht sovranitetin ligjvënës të BE-së dhe mbron sektorët e ndjeshëm të bujqësisë evropiane, si mishi i viçit dhe shpendët.

  • Qeveria greke, e kujdesshme ndaj marrëveshjes së re tregtare BE-SHBA

    Qeveria greke, e kujdesshme ndaj marrëveshjes së re tregtare BE-SHBA

    Qeveria greke duket hezituese dhe e kujdesshme në komentet mbi marrëveshjen tregtare BE-SHBA për tarifat, e arritur midis Ursula von der Leyen dhe Donald Trump.

    Ministri grek i Financave, Kyriakos Pierrakakis, duke folur në parlament, përshkroi mendimet e qeverisë mbi këtë çështje të nxehtë. Ai vuri në dukje se kjo i jep fund muajve të pasigurisë pas zgjedhjes së Trump dhe “konfliktit” me tarifat, dhe kjo është një gjë pozitive.

    Megjithatë, ai theksoi se qeveria po e studion marrëveshjen, për të parë se si mund t’i menaxhojë më mirë problemet që do të lindin në fushat me interes tregtar të Greqisë.

    “Marrëveshja i jep fund muajve të pasigurisë në lidhje me statusin e ndoshta marrëdhënies më të rëndësishme tregtare dypalëshe në ekonominë globale. Ajo siguron unitetin transatlantik dhe parandalon një luftë tregtare me një zinxhir efektesh negative në tregtinë ndërkombëtare, dhe në zinxhirët ndërkombëtarë të shpërndarjes dhe prodhimit”, përshkroi Pierrakakis.

    “Marrëveshja gjithashtu forcon sigurinë energjetike të ekonomisë evropiane për të ardhmen e parashikueshme. Nga kjo perspektivë, zhvillimi është pozitiv.”

     “Siç e dini, në parim, Greqia mbështet tregtinë e lirë bazuar në rregulla të qëndrueshme. Marrëveshja parashikon zbatimin e tarifave prej 15% për eksportet evropiane në SHBA, me disa yje”, vazhdoi Pierrakakis.

    “Bazuar në qëndrimin parimor që ju kam përshkruar, qeveria greke do të donte një normë më të ulët tarifore, idealisht zero për të gjitha flukset tregtare transatlantike. Nga ana tjetër, norma e shpallur e tarifës është më e ulët se ajo që ishte planifikuar të zbatohej më 1 gusht.”

    “Qeveria po ndjek nga afër konsultimet përkatëse dhe, në masën që lejon korniza e marrëveshjes, do të shqyrtohen mundësitë që mund të ndihmojnë në adresimin më të mirë të çështjeve që lidhen me produktet me interes të veçantë për vendin tonë.”

    ‘Duke i dhënë fund tarifave brenda-evropiane’

    Ministri grek i financave ngriti gjithashtu një çështje tjetër, që shqetëson vetë Evropën. Ai tha se ende ka barriera brenda BE-së që veprojnë si tarifa dhe duhet të eliminohen.

    “Nëse duam vërtet një ekonomi evropiane të fortë, konkurruese dhe të vetme, duhet të shembim muret e fundit të padukshme, që ende pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve brenda Unionit”, tha Pierrakakis.

    “Nuk është e mundur që, dekada pas krijimit të Tregut të Përbashkët, të ketë ende barriera rregullatore ose administrative që në praktikë veprojnë si ‘tarifa’ brenda-evropiane.”

    “Në prodhim ka tarifa të brendshme ekuivalente prej 45% dhe në shërbime ekuivalenti është 110%. Kjo është ajo që Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka dokumentuar dhe Mario Draghi e ka përmendur në rubrikën e tij”, shpjegoi ai.

    “Pra, ajo që duhet të kapërcehet dhe të arrihet është heqja e barrierave, veçanërisht midis ekonomive evropiane. Dhe sigurisht, ne si vend duhet të jemi në gjendje të adresojmë sistematikisht gjithnjë e më shumë tregje, siç janë India dhe tregjet e Lindjes së Mesme, për eksportet tona.”

    ‘Një zhvillim përcaktues’

    Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Helenike, Yannis Bratakos, vuri në dukje se marrëveshja është një zhvillim përcaktues për tregtinë globale, pasi gjërat tani janë më të parashikueshme. Nga ana tjetër, ai theksoi se ajo krijon sfida serioze për prodhimin grek dhe evropian.

    “Marrëveshja e fundit midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, e cila përfshin një kuadër të ri tarifor, është një zhvillim vendimtar për bashkëpunimin transatlantik dhe ekonominë globale”, tha Bratakos.

    “Korniza e re tarifore që rezulton nga marrëveshja krijon kushte për parashikueshmëri më të madhe, por në të njëjtën kohë përfshin sfida për sektorë specifikë të prodhimit evropian.”

    Bratakos vazhdoi: “Përjashtimi i sektorëve strategjikë, siç janë aeronautika, ilaçet gjenerike, kimikatet dhe disa mallra bujqësore, është një zhvillim pozitiv.”

    “Megjithatë, vendosja e tarifave uniforme mbi produktet me vlerë të lartë të shtuar – duke përfshirë eksportet farmaceutike, industriale dhe agro-ushqimore – mund të dëmtojë konkurrueshmërinë e kompanive që mbështesin pjesë kritike të ekonomisë greke.”

    “Vëmendje e veçantë është e nevojshme për të mbrojtur produktet ikonike greke, të tilla si vaji i ullirit, djathi feta dhe verërat, të cilat rrezikojnë të rëndohen nga regjimi i ri. Në këtë mjedis, nevoja për monitorim të vazhdueshëm të zhvillimeve dhe pjesëmarrje efektive në formësimin e vendimeve evropiane bëhet thelbësore”, shpjegoi Bratakos.

    “Në të njëjtën kohë, forcimi i bashkëpunimit energjetik me SHBA-në, nëpërmjet rritjes së importeve të LNG-së dhe investimeve në infrastrukturë, hap mundësi të reja për Greqinë, veçanërisht në fushat e logjistikës, ndërtimit të anijeve dhe ndërlidhjes rajonale të energjisë.”

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Athinës i bën thirrje qeverisë greke që të sigurojë, brenda kuadrit të institucioneve evropiane, që zbatimi përfundimtar i marrëveshjes të mos prishë konkurrueshmërinë e eksporteve greke dhe të mos rrisë varësinë e sektorëve specifikë nga tregjet e treta.

    “Është koha që vendi ynë të investojë konkretisht dhe më aktivisht në ndërlidhjen me SHBA-në dhe në të njëjtën kohë të zgjerojë perspektivat e saj të eksportit në tregje alternative. Shoqata Helenike e Biznesit (EBEA) do të vazhdojë të mbështesë këtë përpjekje kombëtare me ndërhyrje të informuara, shërbime për anëtarët e saj dhe promovimin e vazhdueshëm të sipërmarrjes greke jashtë vendit”.

    Shpresa për një situatë të “menaxhueshme”

    Porti i Pireut është një qendër shumë e madhe tregtare, porti kryesor detar i Athinës dhe luan një rol kyç në trafikun tregtar dhe industrial të Greqisë dhe Evropës.

    “Ne duam të besojmë se marrëveshja për të vendosur tarifa në nivelin 15% është një situatë e menaxhueshme dhe shpresojmë se nuk do të krijojë humbje në tregtinë dypalëshe SHBA-BE”, tha Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Pireut, Vassilis Korkidis.

    “Në tregtinë ndërkombëtare, çdo marrëveshje është gjithmonë më e mirë se mungesa e një marrëveshjeje dhe vendosja e njëanshme e masave dhe kundërmasave. Fakti që u ra dakord të vendoset një tarifë e përgjithshme prej 15% për të gjitha produktet, përfshirë makinat, është një element që rikthen ekuilibrin në marrëdhëniet tregtare SHBA-Evropë dhe duket se i kënaq të dyja palët”, shpjegoi Korkidis.

    “Megjithatë, tarifat për çelikun dhe aluminin mbeten në 50%, dhe nuk është e qartë nëse produktet farmaceutike dhe gjysmëpërçuesit përfundimisht do t’i nënshtrohen tarifave të ndara.”

    “Marrëveshja parashikon gjithashtu që BE-ja do të blejë pajisje dhe energji ushtarake amerikane me një vlerë totale prej 750 miliardë dollarësh, ndërkohë që do të bëjë investime të konsiderueshme prej 600 miliardë dollarësh.”

    “Pala evropiane e quan atë një marrëveshje tregtare ‘gjithëpërfshirëse’ midis dy partnerëve kryesorë tregtarë që sjell stabilitet. Pavarësisht detajeve dhe përjashtimeve, është domethënëse që pas muajsh negociatash, marrëveshja u arrit më pak se një javë para afatit të 1 gushtit dhe vendosjes së tarifave më të larta që do të kishin pasur pasoja serioze”, tha ai.

    “Ne duam të besojmë se marrëveshja për të vendosur tarifa në nivelin 15% është një situatë e menaxhueshme dhe shpresojmë se nuk do të krijojë humbje në tregtinë dypalëshe SHBA-BE”, përfundoi Korkidis../ Euronews.

  • Euro bie ndjeshëm kundrejt dollarit pas marrëveshjes SHBA-BE

    Euro bie ndjeshëm kundrejt dollarit pas marrëveshjes SHBA-BE

    Përshtatur në shqip, artikull i Financial Times
    Euroja pësoi të hënën rënien më të thellë ditore kundrejt dollarit që nga muaji maj, pasi Gjermania dhe Franca shprehën shqetësimin se marrëveshja e shumëpritur tregtare mes BE-së dhe SHBA-së do të dëmtojë ekonominë evropiane.
    Monedha e përbashkët ra me mbi 1% kundrejt dollarit dhe u dobësua me 0.8% kundrejt paundit, pasi u bë e ditur të dielën se SHBA-ja do të vendosë tarifa prej 15% për shumicën e importeve nga BE-ja.
    Marrëveshja, e cilësuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si “marrëveshja më e madhe tregtare ndonjëherë” dhe që mbulon gati 44% të PBB-së globale, shmangu një luftë të mundshme tregtare transatlantike.
    Por kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi të hënën se tarifat e reja do të shkaktojnë “dëme të konsiderueshme” për ekonominë e vendit të tij, për Evropën dhe vetë SHBA-në.
    “Jo vetëm që do të ketë një nivel më të lartë inflacioni, por do të ndikohet edhe tregtia transatlantike në tërësi,” tha ai. “Ky rezultat nuk mund të na kënaqë. Por ishte rezultati më i mirë i mundshëm në kushtet e dhëna.”
    Kryeministri francez François Bayrou e cilësoi marrëveshjen tregtare si një “ditë të errët”, duke shtuar se BE-ja ishte “dorëzuar në nënshtrim”.
    Aksionet evropiane humbën fitimet e mëparshme të hënën, teksa lehtësimi fillestar që u arrit një marrëveshje u zëvendësua nga shqetësimet për ndikimin e saj në ekonominë e Eurozonës.
    Indeksi DAX i Gjermanisë u mbyll me 1.1% rënie, ndërsa CAC 40 i Francës ra me 0.4%. Aksionet e industrisë automobilistike, që janë të ndjeshme ndaj tarifave, në indeksin rajonal Stoxx Europe 600 ranë me 1.8%, pasi kishin shënuar rritje me një përqindje të ngjashme në hapje të tregut.
    Pavarësisht kësaj, euroja vazhdon të jetë 12% më e fortë kundrejt dollarit që nga fillimi i vitit, e ndihmuar nga planet e Gjermanisë për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, si dhe nga pritshmëritë më të gjera të investitorëve se politikat e Donald Trump-it “Amerika e Para” do të nxisin një valë stimujsh ekonomikë në Eurozonë.
    Marrëveshja e së dielës siguroi një normë tarife më të ulët për BE-në krahasuar me 30% që presidenti amerikan kishte kërcënuar ta vendoste nga 1 gushti.
    Megjithatë, tarifat përbëjnë gjithsesi një trefishim të normës mesatare të vendosur më parë nga SHBA ndaj bllokut, para shpalljeve të Trump-it në prill për “ditën e çlirimit”.
    Shoqata e industrisë së çelikut në BE tha se tarifa prej 15% që vendos Amerika mbi shumicën e importeve nga BE do të përbëjë një “barrë të madhe” për anëtarët e saj.
    Dhoma Amerikane e Tregtisë në BE e mirëpriti marrëveshjen, duke thënë se ajo “sjell lehtësim” për bizneset.
    Megjithatë, ajo shtoi se tarifa prej 15% “mbetet një rritje e ndjeshme e kostos së tregtisë” dhe se më shumë sektorë duhet të përfshihen në listën e marrëveshjes për tarifa zero.
    Shtëpia e Bardhë deklaroi se marrëveshja “arrin reforma strukturore historike dhe angazhime strategjike që do të përfitojnë industrinë amerikane, punëtorët dhe sigurinë kombëtare për breza me radhë.”
    Ndërsa udhëheqësit evropianë reaguan ndaj marrëveshjes, kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez tha se e mbështeste atë “por pa ndonjë entuziazëm”.
    Partitë e ekstremit të djathtë në Francë dhe Gjermani argumentuan se marrëveshja tregoi dobësinë e bllokut.
    Alice Weidel, bashkëkryetare e partisë Alternativa për Gjermaninë, shkroi në platformën X se marrëveshja ishte “jo një marrëveshje, por një shuplakë për konsumatorët dhe prodhuesit evropianë!”
    Reagimi ndaj marrëveshjes erdhi në të njëjtën kohë kur Trump dhe Starmer u takuan në fushën e golfit të presidentit amerikan në Turnberry të Skocisë për të diskutuar marrëveshjen tregtare të Mbretërisë së Bashkuar me SHBA-në, si dhe luftërat në Ukrainë dhe Gaza.
    Duke folur në Skoci të hënën, Trump tha se planifikon të vendosë një tarifë deri në 20% “për pjesën tjetër të botës”, duke iu referuar vendeve që nuk arrijnë marrëveshje tregtare specifike me SHBA.
    Ai shtoi se së shpejti do të shpallë edhe tarifa mbi produktet farmaceutike.

  • Marrëveshja e qershorit 2021 në takimin ndërinstitucional në mjediset e Akademisë së Arteve të Bukura në Leçe

    Marrëveshja e qershorit 2021 në takimin ndërinstitucional në mjediset e Akademisë së Arteve të Bukura në Leçe

    Marrëveshja e nënshkruar  në qershor të vitit 2021 ishte pjesë takimit ndërinstitucional, që u mbajt këto ditë në Lecce. Me ftesë të Presidentit të Accademia di Belle Arti Lecce, On.le Nicola Cirací më datë 25 korrik, në mjediset e Akademisë së Arteve të Bukura (ABA Lecce) u mbajt një takim ndërinstitucional mes Rektorit të Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli, Përgjegjësit të Sektorit të Projekteve të UART, Prof. Pjetër Guralumi dhe autoriteteve më të larta të qeverisjes së ABA Lecce, Presidentit të Këshillit Administrativ, On.le Nicola Cirací, drejtorit të ABA Lecce Nunzio Fiore, drejtoreshës administrative Anna Serena Cipressa, koordinatores përgjegjëse për kërkimin shkencor, Doktoratat dhe Misionin e Tretë, Prof. Patrizia Staffiero.
    UA shprehet se në këtë takim, përveç prezantimit të Rektorit Prof. Dr. Erald Bakalli me qeverisjen e ABA Lecce, u diskutua mbi nisjen e zbatimit konkret të elementëve të Marrëveshjes Kuadër të nënshkruar në Lecce me datë 24 qershor 2021, Aktit Përgatitor të nënshkruar në Tiranë në 30.01.2023 mbi ndërkombëtarizimin e studimeve të të dy institucioneve partnere të orientuar drejt didaktikës, formimit, projektimit, kërkimit dhe eksperimentimit në fushën e ofertës kulturore, të diplomimit të dyfishtë, të nisjes së shkëmbimit të mobiliteteve të studentëve të specialiteteve grafikë, pikturë, skulpturë, arte të aplikuara, skenografi, në periudha 3 mujore, si dhe shkëmbimin e profesorëve të të dy institucioneve përmes mundësimit edhe të simpoziumeve në skulpturë e qeramikë. “Më konkretisht nga pala shqiptare këto aktivitete do të nisin që me fillimin e semestrit të parë të vitit akademik 2025-2026, ndërsa pala italiane, pritet që të realizohen nga Nëntor 2025 – Mars 2026”, thuhet në njoftimin e UA-së. Më tej takimi vijoi me një vizitë në mjediset dhe atelietë e ABA Lecce të shoqëruar nga Drejtori Nunzio Fiore e Prof. Patrizia Staffiero duke evidentuar karakteristikat më të spikatura të vetë institucionit. Sipas UA-së takimet do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme me personelin akademik të ABA Lecce.

  • Marrëveshja SHBA-BE: suksesi më i madh tregtar apo një mesazh fatal për ekonominë globale?

    Marrëveshja SHBA-BE: suksesi më i madh tregtar apo një mesazh fatal për ekonominë globale?

    Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen kanë arritur një marrëveshje për një tarifë prej 15% për shumicën e produkteve të importuara nga BE-ja, duke përfshirë makinat, gjysmëpërçuesit dhe produktet farmaceutike.
    Marrëveshja, të cilën ata e njoftuan të hënën, më 28 korrik, mbart një peshë të konsiderueshme, por reagimet ndaj saj ndryshojnë në të gjithë Evropën.
    Ndërsa Presidenti Trump beson se kjo është “marrëveshja më e madhe tregtare e të gjitha kohërave”, reagimet në Gjermani janë më të rezervuara. Kancelari Friedrich Merz e përshëndeti marrëveshjen, duke thënë se kishte shmangur një konflikt tregtar, ndërsa Federata e Industrive Gjermane (BDI) tha se marrëveshja “nuk ishte mjaftueshëm e mirë” dhe po dërgonte një sinjal të keq për ekonomitë e ndërlidhura.
    Tarifat doganore për makinat, të cilat aktualisht janë të larta, janë ulur në 15%, gjë që shihet si kompromisi më i madh që mund të arrihet. Megjithatë, mbeten shqetësime se tarifat vazhdojnë të dëmtojnë ekonomitë në të dy anët e Atlantikut.
    Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, paralajmëroi gjithashtu se ndërsa arritja e një marrëveshjeje është një hap në drejtimin e duhur, tarifat më të ulëta dhe tregjet e hapura janë të nevojshme për prosperitet afatgjatë.
    Pavarësisht lëvdatave fillestare, mbetet një pyetje e hapur nëse marrëveshja do të zvogëlojë në të vërtetë tensionet tregtare globale apo, siç argumentojnë disa, do të rezultojë të jetë vetëm një lehtësim i përkohshëm.