Një mjek dëshmoi të martën në gjyqin e shtatë profesionistëve shëndetësorë, të akuzuar për neglizhencë në vdekjen e Diego Maradonës. Sipas tij, legjenda argjentinase e futbollit kishte nevojë të ishte shtruar në një qendër rehabilitimi, në vend që të kthehej në shtëpi, pas operacionit në kokë, që iu nënshtrua në vitin 2020. Maradona vdiq më 25 nëntor 2020, pasi doli nga spitali, në shtëpinë e tij në periferi të Buenos Airesit.
“Duhej të shkonte në një klinikë rehabilitimi…, në një vend më të mbrojtur për të, – tha për gjykatën Mario Alejandro Schiter, i cili e ka kuruar Maradonën për dy dekada. – Duke e njohur pacientin, nuk do t’ia kisha sugjeruar shtrimin në shtëpi. Nuk ishte e lehtë për t’u menaxhuar, duke marrë parasysh njohuritë e mia të drejtpërdrejta nga momentet më të këqija të jetës së tij”, – shtoi Schiter, i cili e kishte kuruar Maradonën për varësinë nga droga.
Sipas akuzës, shtatë profesionistët e akuzuar për neglizhencë, një neurokirurg, një psikiatër, një psikolog, mjekë dhe infermierë, nuk ofruan kujdes të mjaftueshëm, gjë që mund të ketë shkaktuar vdekjen e tij. Schiter tha se ai ishte një konsulent dhe nuk kishte autoritet për të marrë vendime: “Drejtuesit e klinikës erdhën në fund dhe më thanë se kishin zgjedhur shtrimin e Diegos në shtëpi”.
Sipas disa dëshmitarëve në proces, shtëpia ku ishte dërguar Maradona nuk kishte pajisjet mjekësore të nevojshme. Schiter, i cili gjithashtu ishte prezent gjatë autopsisë së trupit të Maradonës, tha se “të gjitha provat sugjerojnë se nuk iu ofrua kujdes i përshtatshëm mjekësor, gjë që çoi në dështim të zemrës”.
Tag: maradonës
-

Vdekja e Maradonës, ish-mjeku i tij dëshmon në gjyq: Duhej shtruar në një qendër rehabilitimi
-

Vijon gjyqi i Maradonës, dalin rezultatet e autopsisë: Asnjë gjurmë dr*ge apo alkooli në trup
Nuk kishte gjurmë droge apo alkooli në gjakun e Diego Armando Maradonës në momentin e vdekjes së tij, në moshën 60-vjeçare, më 25 nëntor 2020. Këtë e kanë konfirmuar ekspertët që kryen autopsinë dhe analizat mbi trupin e legjendës argjentinase të futbollit, gjatë seancës së fundit të procesit gjyqësor, ku është i akuzuar i gjithë stafi mjekësor që ishte përgjegjës për kujdesin ndaj tij.“Asnjëra nga katër mostrat nuk ka zbuluar gjurmë të alkoolit, kokainës, marihuanës, MDMA-së, ekstazisë apo amfetaminës”, – ka deklaruar biokimisti Ezequiel Ventosi.
Eksperti tjetër, Alejandro Ezequiel Vega, ka bërë të ditur në gjykatë se zemra e Maradonës ishte e “zmadhuar” dhe peshonte rreth 503 gramë, ndërsa pesha mesatare zakonisht varion midis 250 dhe 300 gramëve. Vega shpjegoi gjithashtu se ekzaminimi i zemrës së tij tregoi se ish-kampioni vuante nga “ishemia e gjatë në kohë”, e cila kishte shkaktuar mungesë të rrjedhës së gjakut dhe oksigjenit.
Në analizat e gjakut të tij u zbuluan pesë substanca të lidhura me antidepresivë, antiepileptikë, antipsikotikë dhe ilaçe kundër të përzierave. Ndërkohë, patologia Silvana de Piero raportoi se mëlçia e Maradonës tregonte shenja ceroze, ndërsa u zbuluan gjithashtu shenja të pamjaftueshmërisë renale, kardiake dhe pulmonare.
Autopsia ka dalë në përfundimin se Maradona ndërroi jetë për shkak të një edeme pulmonare akute, e cila ishte pasojë e insuficiencës kardiake. Legjenda argjentinase e futbollit ndërroi jetë në një shtëpi në periferi të Buenos Airesit, vetëm disa ditë pasi ishte operuar për një hematomë të formuar midis kafkës dhe trurit.
Sipas prokurorisë, 7 profesionistët mjekësorë të akuzuar në këtë çështje, mes të cilëve një neurokirurg, psikiatër, psikolog, mjekë dhe infermierë, nuk i kishin ofruar kujdesin e duhur Maradonës, çka mund të ketë ndikuar në vdekjen e tij. -

Gjyqi për vdekjen e Maradonës, arrestohet ish-truproja e futbollistit
Julio Coria, ish-truproja e Diego Armando Maradonës, është arrestuar në kuadër të hetimeve për vdekjen e legjendës argjentinase të futbollit. Coria u dërgua në paraburgim pas dyshimeve se ka dhënë dëshmi të rreme gjatë gjyqit ku po hetohet roli i mjekëve në vdekjen e Maradonës.
Truproja, ishte një person shumë i afërt me futbollistin dhe ndodhej në bnanesën e tij ditën që ai ndërroi jetë. Maradona vdiq më 25 nëntor 2020 në moshën 60 vjeçare, ndërsa po trajtohej në banesë pas një operacioni në tru për mpiksje gjaku. Prokurorët po akuzojnë ekipin e tij mjekësor për një trajtim të papërshtatshëm dhe neglizhencë.
Coria, i cili kishte tentuar të ndihmonte Maradonën me reanimim gojë më gojë, u arrestua pasi mohoi në gjyq se kishte komunikuar me mjekun personal të Maradonës, Leopoldo Luque. Hetimet zbuluan mesazhe mes Coria dhe Luque, të cilat treguan se ata kishin diskutuar për shëndetin e Maradonës para dhe pas vdekjes së tij. Pas këtyre provave, prokuroria kërkoi arrestimin e Corias. Në gjyqin e Maradonës, shtatë mjekët akuzohen për “vrasje të qëllimshme”, për shkak të dyshimeve se ata ndërmorën një trajtim mjekësor pavarësisht se e dinin se mund të çonte në vdekjen e futbollistit.
Prokurorët argumentojnë se Maradona u la të vdiste në një “periudhë të zgjatur dhe të mundimshme” për shkak të mjekëve. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë deri në muajin korrik, me më shumë se 120 dëshmitarë që pritet të japin deklarimet e tyre. -

Nisja e gjyqit për ekipin mjekësor të akuzuar për vdekjen e Maradonës
Në një periferi të Buenos Aires-it u mbajt seanca e parë në procesin penal, i cili po vendos fajësinë e ekipit mjekësor që kujdesej për futbollistin legjendar argjentinas Diego Maradona, i cili vdiq pesë vjet më parë.
Prokurori Patricio Ferrari tregoi një foto të Maradonës në fillim të gjykimit në momentin e vdekjes së tij, duke theksuar se gjendja e tij e rëndë ishte evidente dhe se asnjë nga të pandehurit nuk mund të pretendonte se nuk ishin në dijeni të gjendjes në të cilën ndodhej një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave në atë kohë.
Në atë moment vajtimet dhe klithmat e familjarëve të Maradonës u përhapën në të gjithë sallën e gjyqit. Paraprakisht, në momentin e mbërritjes së personelit mjekësor në seancë, qytetarë të shumtë i kanë pritur të pandehurit me britma se janë vrasës.
Prokurori Ferrari tha se është ngritur një aktakuzë solide e bazuar në prova dhe se të gjithë të pandehurit janë përgjegjës për vdekjen e Maradonës gjatë trajtimit të tij në shtëpi, nga 11 deri më 25 nëntor 2020.
Më shumë se 1000 deklarata të dëshmitarëve
Midis shtatë të pandehurve janë neurokirurgu i atëhershëm i Maradonës, Leopoldo Luque, psikiatri Agustina Cosachov, psikologu Carlos Angel Diaz, doktoresha Nancy Edith Forlini, mjeku klinik Pablo Di Spagna dhe infermierët që po gjykohen për vrasje. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me një dënim me burg nga tetë deri në 25 vjet. E pandehura e tetë, infermierja Dahiana Madrid, do të gjykohet veçmas.
Maradona vdiq në nëntor 2020 në shtëpinë e tij nga dështimi i zemrës. Ai vdiq në moshën 60-vjeçare, teksa po shërohej nga operacioni për heqjen e një mpiksje gjaku.
Gjatë gjyqit, më shumë se 1000 deklarata të dëshmitarëve do t’i paraqiten trupit gjykues prej tre gjyqtarësh, nga anëtarët e familjes dhe mjekët deri te gazetarët dhe miqtë e ngushtë. /tesheshi.com/ -

Truproja e Diego Maradonës arrestohet në sallën e gjyqit për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit
Ish-truproja e Diego Maradonës, Julio Cesar Coria, është arrestuar nën dyshimin për dëshmi të rreme. Gjykata në Buenos Aires, e cila po gjykon 7 nga 8 të akuzuarit për vdekjen e legjendës së futbollit, urdhëroi ndalimin e tij pasi prokurori publik Patricio Ferrari e akuzoi për dëshmi të rreme.
Coria foli si dëshmitar në gjyqin që filloi më 11 mars dhe pritet të zgjasë deri në verë. Prokurori Ferrari pretendoi se ai gënjeu kur tha se nuk kishte folur me Leopoldo Luque, mjekun personal të Maradonës, para vdekjes së futbollistit, dhe se nuk ishte mik me neurokirurgun.
Si provë, prokurori paraqiti një seri mesazhesh në WhatsApp midis Coria dhe Luque, ku përfshiheshin ftesa për një ‘barbecue’ dhe biseda mbi shëndetin e Maradonës. Ferrari gjithashtu tha se Coria dha dëshmi të rreme duke mos përmendur fillimisht se psikiatrja Agustina Cosachov, një tjetër e akuzuar, kishte kryer CPR për të ringjallur Maradonën. Në dëshminë e tij në gjykatë, ai më vonë pohoi se psikiatrja vërtet kishte tentuar ta shpëtonte.
Pas një pushimi të shkurtër për diskutim, gjyqtarët miratuan kërkesën për arrestimin e Coria. Ai u pa më vonë duke u larguar nga gjykata me pranga në duar, i shoqëruar nga policia.
Coria kishte punuar si truprojë e Maradonës për 5 vite dhe kishte marrëdhënie të ngushtë me të. Ai ishte i pranishëm në shtëpinë e Maradonës më 25 nëntor 2020, ditën kur ish-ylli i Napolit dhe Barcelonës ndërroi jetë nga dështimi i zemrës, në një shtëpi në Tigre, pranë Buenos Airesit. “Dora e Zotit” kishte pranuar të trajtohej në atë shtëpi pasi doli nga spitali, pas një operacioni për mpiksje gjaku në tru. Coria u përpoq ta ringjallte duke i dhënë frymëmarrje artificiale.
Në bankën e të akuzuarve janë gjithsej 7 profesionistë mjekësorë: Leopoldo Luque (neurokirurg), Agustina Cosachov (psikiatre), Ricardo Almiron (infermier), Nancy Forlini (infermiere), Mariano Perroni (infermier), Carlos Diaz (psikolog), Pedro Di Spagno (mjek). Një infermiere tjetër, Gisella Dahiana Madrid, do të gjykohet veçmas më vonë, këtë vit.
Të gjithë ata janë të akuzuar për vrasje me dashje të mundshme, një akuzë që mund t’u sjellë dënim nga 8 deri në 25 vite burg, nëse shpallen fajtorë.
Në fillim të gjyqit, prokurori Ferrari i përshkroi ditët e fundit të Maradonës si një makth, duke e quajtur rezidencën e tij “shtëpia e tmerrit”. Gjatë fjalimit të tij të hapjes, prokurori tregoi një fotografi të Maradonës duke qëndruar në shtrat, me barkun e fryrë dhe të ekspozuar, duke akuzuar: “Kështu vdiq ai…”
Fillimisht, hetimi penal u klasifikua si rast vrasjeje nga pakujdesia, por më pas u ngrit në nivelin e vrasjes së qëllimshme, pas një raporti mjekësor që konkludoi se ekipi mjekësor i Maradonës veproi në mënyrë të pamjaftueshme, të pakujdesshme dhe të papërgjegjshme.
Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit përballen me dënime të rënda nën ligjin argjentinas, pasi ata dyshohet se e kuptuan se Maradona mund të vdiste, por nuk bënë asgjë për ta parandaluar këtë. -

Gjyqi për vdekjen e Maradonës, djali i legjendës argjentinase lëshon deklaratën e fortë: Babanë tim e vranë dhe i vodhën paratë
Diego Armando Maradona Sinagra, djali i legjendës së futbollit Diego Armando Maradona, ka bërë deklarata të forta lidhur me gjyqin që po zhvillohet në Argjentinë për vdekjen e të atit. Në një intervistë për emisionin spanjoll “El Chiringuito”, ai akuzoi drejtpërdrejt mjekët dhe infermierët që e trajtuan Maradonën, duke i fajësuar ata për vrasje.
“Po ndjek nga afër gjyqin dhe është një periudhë shumë e vështirë për familjen tonë. Na presin kohë të rënda, por jemi të përgatitur,” tha Maradona Jr., i cili aktualisht është trajner i klubit spanjoll UD Ibarra. Ai mbështeti teorinë e avokatit Fernando Burlando, duke pohuar se babai i tij u “vra në mënyrë djallëzore” në atë që ai e quajti “shtëpia e tmerrit”.
Sipas tij, mjekët nuk ndërhynë në kohë dhe nuk bënë asgjë për ta shpëtuar Maradonën.
“Nëse do ta kishin trajtuar siç duhet, ai do të ishte ende gjallë,” theksoi ai. Gjithashtu, ai ngriti dyshime se përveç neglizhencës mjekësore, ka pasur edhe keqmenaxhim të pasurisë së të atit. “Jam i bindur se jo vetëm që nuk u kujdesën për të, por edhe i vodhën paratë,” shtoi ai.
Gjyqi për vdekjen e Maradonës ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe pritet të zbulojë nëse mjekët dhe infermierët ishin përgjegjës për trajtimin e papërshtatshëm që çoi në ndarjen nga jeta të një prej ikonave më të mëdha të futbollit.