Tag: maqedoninë

  • Mbyllet procesi i votimit dhe nis numërimi në Maqedoninë e Veriut/ Ku është gara më e fortë

    Mbyllet procesi i votimit dhe nis numërimi në Maqedoninë e Veriut/ Ku është gara më e fortë

    Në orën 19:00 ka përfunduar procesi i votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka njoftuar se votimi është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe demokratike, pa incidente të raportuara.
    Sipas të dhënave paraprake të përpunuara nga KSHZ, pjesëmarrja e qytetarëve në votim ka qenë 45.71%. Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, ka nisur edhe numërimi i votave.
    Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News, gazetarja Xhumadije Ibrahimi raportoi se duke qenë se në këtë raund përfshihen më pak komuna sesa në raundin e parë, pritet që procesi i numërimit të përfundojë më shpejt.
    Vëmendja është përqendruar në disa komuna ku gara pritet të jetë veçanërisht e ngushtë.
    Ibrahimi tha se Tetova, Kërçova, Struga dhe Dibra janë ndër qytetet ku pritet një përballje e fortë mes kandidatëve. Në Tetovë, sipas të dhënave të para jozyrtare, në avantazh është kandidati i koalicionit VLEN Bilall Kasami. Por “Rezultate më të qarta priten rreth orës 21:00”.
    Në Kërçovë, gara zhvillohet mes kandidatit të VMRO-DPMNE-së Aleksander Jovanovski dhe atij shqiptar të AKI-së Fatmir Dehari, ndërsa në Strugë pritet një përballje mes kandidatit të pavarur të mbështetur nga VLEN Mendi Qyra dhe një tjetër përfaqësuesi të AKI-së Asim Dalipi.

  • “Dhoma gazi për shqiptarët”, thirrje anti-shqiptare në Maqedoninë e Veriut

    “Dhoma gazi për shqiptarët”, thirrje anti-shqiptare në Maqedoninë e Veriut

    Skandal me nota rraciste në kategorinë e dytë të futbollit në Maqedoninë e Veriut.
    Tifozët vendas të Pobedës të njohur me nofken “majmunët” kanë bërë thirrje të hapura antishqiptare, ndërsa në fund është sulmuar edhe dhoma e zhveshjes e skuadres shqiptare Shkëndija e Haraçinës. Kjo e fundit fitoi 1 me 0 dhe blindoi vendin e parë në renditje duke vijuar ëndrrën për tu ngjitur në mesin e më të mireve.
    “Dhoma gazi për shqiptarët”, ishte thirrja skandaloze në kor e tifozëve vendas gjatë ndeshjes. Ndërsa në fund disa tifozë shkelmuan dyert dhe dritaret e dhomave të zhveshjes së Shkëndijes, por për fat pa pasoja në shëndetin e lojtarëve./vizionplus.tv

  • “Dhoma gazi për shqiptarët”/ Skandal në Maqedoninë e Veriut, “Majmunët” thirrje raciste në stadium

    “Dhoma gazi për shqiptarët”/ Skandal në Maqedoninë e Veriut, “Majmunët” thirrje raciste në stadium

    Një tjetër skandal ka ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli në kategorinë e dytë në Maqedoninë e Veriut, ku tifozët vendas kanë bërë thirrje të hapura antishqiptare.
    Tifozët e skuadrës Pobeda kanë thërritur: “Dhoma gazi për shqiptarët”, gjatë sfidës ku ekipi i tyre u mposht 1-0 nga Shkëndija e Haraçinës.
    Ndeshja ishte e vlefshme për javën e 10-të të kategorisë së dytë, ndërsa thirrjet skandaloze u regjistruan nga tifozeria e Pobedës.

    Tifogrupi i njohur si “Majmunët”, në Prilep, u dëgjua sot duke bërtitur të njëjtat parulla raciste. Ata njihen për qëndrimet e tyre shoviniste ndaj shqiptarëve, pasi edhe në ndeshje të mëparshme, përfshirë ato të Kombëtares shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kanë bërë thirrje të ngjashme.

  • “Do të doja që Air Albania të ishte falas për tifozët e Kombëtares”! Rrëfimi i Armand Dukës, flet për gjithçka

    “Do të doja që Air Albania të ishte falas për tifozët e Kombëtares”! Rrëfimi i Armand Dukës, flet për gjithçka

    Presidenti Armand Duka, ishte i ftuar së fundmi në emisionin “Hajde Flasim” në TV 21, në Maqedoninë e Veriut. Në këtë intervistë, e para e tij në një studio televizive në Maqedoninë e Veriut, kreu i futbollit shqiptar foli gjerësisht për Kombëtaren shqiptare, për lojtarët me origjinë shqiptare që përfaqësojnë Shqipërinë, si dhe për ata që kanë zgjedhur të luajnë për Maqedoninë e Veriut apo Kosovën.
    Presidenti Duka u ndal gjithashtu te marrëdhëniet me presidencën e re të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së  Veriut, roli i tij si Zëvendëspresident i UEFA-s, organizimi i finaleve të Kampionatit Europian U-21 në bashkëpunim me Serbinë dhe shumë çështje të tjera me interes për publikun.
    Më poshtë, intervista e plotë e Presidentit Duka.
    Sa e rëndësishme është për futbollin në Shqipëri roli juaj si zëvendëspresident i UEFA-s? – Kënaqësi që jam në TV 21, që unë e ndjek vazhdimisht. Për herë të parë jam në një televizion në Maqedoninë e Veriut për një intervistë në studio. Pozicionimi apo përfaqësimi i një federate në UEFA është i rëndësishëm për çdo lloj federate. Tregon kontributin dhe vlerësimin e një federate në tërësi dhe jo të një individi që është në rastin konkret Presidenti i FSHF. Besoj se është një zhvillim pozitiv. Nuk lidhet me sa projekte fiton FSHF. Nuk je anëtar i Komitetit për të fituar projekte të padrejta por je anëtar i Komitetit për të ndërtuar politika dhe strategji për zhvillimin e futbollit europian. Pjesë e të cilit jemi edhe ne, Maqedonia e Veriut dhe Kosova dhe të gjithë të tjerat. Në nivel europian është zhvillimi i përbashkët i futbollit.
    Fitorja ndaj Serbisë e Kombëtares dhe shanset për t’u kualifikuar në Botëror? – Është një rrugëtim i vështirë botërori, është një rrugëtim akoma më i vështirë se sa kualifikueset për Kampionatin Evropian, të cilin ne e kemi e kemi prekur dy herë gjatë tetë viteve të fundit. Rezultati me Serbinë i parë në këndvështrimin sportive ishte shumë i rëndësishëm për neve,  sepse na mban në lojë për të qenë pretendent për Play-Off-in e Botërorit. Nuk jemi ende në play-off, kemi ndeshje kundër Andorrës, kemi ndeshjen kundër Anglisë, pra janë dy ndeshjet tona. Dy ndeshjet e Serbisë, për të përcaktuar padyshim që jemi pretendent serioz. Jemi një pikë, vetëm një pikë para Serbisë.
    Duhet të vlerësojmë maksimalisht Andorrën. Është një kundërshtar i cili mund të dëmtojë një kundërshtar, që në fushën e vet nuk është i lehtë për t’u mundur. Nëse mendohet para ndeshjes si ne kemi fituar, nuk do ta fitojmë atë, por unë shpresoj shumë dhe kam besim që futbollistët e kombëtares shqiptare janë aq profesionistë që të kuptojnë rëndësinë dhe vlerësimin që duhet t’i japin asaj ndeshje për ta fituar atë pastaj, se ç’bëjnë të tjerët, duhet ta shohim. Nuk ka shumë diferenca në ekipet kombëtare sot. Janë ngushtuar shumë diferencat. Është e vështirë të parashikosh rezultate. Me ndonjë përjashtim të vogël, ndonjë skuadër teke që mund ta parashikosh, të tjerat janë të paparashikueshme.
    Afrimi i futbollistëve me origjinë nga Kosova apo Maqedonia në Kombëtaren shqiptare – Ne kemi hapur dyert për ekipin kombëtar prej vitesh për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe besoj se kjo është gjëja më e mirë që kemi bërë. Jemi me fat që kemi kaq shumë tifozë jo vetëm brenda kufijve shtetërorë,  por edhe jashtë saj. Në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe jashtë saj. Strategjia jonë ka qenë që çdokush që flet shqip, që ka dëshirë, talent dhe do të kontribuojë për Kombëtaren dhe flamurin kuqezi, ne i kemi hapur dyert. Edhe në kohën kur Kosova nuk kishte skuadër, që ishte një urë për ta afruar Kosovën me FIFA-n dhe UEFA-n dhe jemi të lumtur që kemi kaq shumë talente shqiptarë. Do të respektojmë vendimet e tyre për të kontribuar për kombëtaren e Shqipërisë apo edhe nëse vendosin ndryshe.
    Zgjedhjet e lojtarëve për të përfaqësuar Shqipërinë ose Kosovën dhe marrëdhëniet me FFK? – Ne kemi raporte të shkëlqyera vëllazërore me Federatën e Kosovës. Respektojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin në të gjitha hapat e zhvillimit tonë. Kemi kontribuar maksimalisht  edhe në kohën kur Kosova nuk kishte mundësi të ishte apo nuk kishte ndeshje ndërkombëtare, nuk ishte e njohur, kishte më pak mundësi. Të njëjtën gjë bëjmë tani, ndërsa ja kam bërë qartë publikisht dhe zyrtarisht Agim Ademi dhe gjithkujt, që çdo njeri, çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë për Kombëtaren e Shqipërisë, ne do të vazhdojmë të kemi të njëjtën politikë. Padyshim që nuk mërzitemi nëse ata vendosin ndryshe. Nuk mërzitemi. Kemi dëshirë që ato të jenë më mirë vetëm me ne, por nëse vendosin ndryshe…
    Shqiptarët që luajnë në Maqedoninë e Veriut? – Shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut janë pjesë e shtetit maqedonas dhe është legjitime që të luajnë për Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut. Kjo vjen edhe natyrshëm sepse kur janë të vegjël, selektohen për ekipet e moshave dhe shkojnë deri në ekip të parë. Ne respektojmë zgjedhjet edhe kur luajnë për një kombëtare tjetër, do kishim dëshirë të luanin për Shqipërinë ata që janë shqiptarë, por është legjitime  që luajnë për Maqedoninë. Për kaq kohë sa shqiptarët luajnë në ekipin kombëtar të Maqedonisë, kanë pasur peshë, kanë qenë futbollistët më me kualitet dhe që e kanë kualifikuar në Europian. Ka futbollistë shumë të mirë Maqedonia e Veriut.
    Marrëdhënia me presidencën e re të FFM? –  Njerëzit ndryshojnë, por federatat jo. Federatat gjithmonë duhet të kenë raporte korrekte dhe të mira dhe Federata Shqiptare e Futbollit me atë të Maqedonisë së Veriut të tilla i ka pasur gjatë gjithë kohës, aq më shumë se jemi komshi, aq më shumë që kemi, le të themi halle të njëjta. Kështu që pavarësisht që është ndërruar presidenti, por jo Federata. Marrëdhëniet, po e ripërsëris që kanë qenë stabile dhe shumë të mira, padyshim që duke e folur një gjuhë me Muamet Sejdinin, mund të ishin dhe kanë qenë pak më shumë,, por edhe me presidentin e ri, me z. Masar unë kam një njohje të vjetër personale, sepse ai ka qenë anëtar i komitetit ekzekutiv të federatës që në kohën kur ishte Hari president i Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Kishte ambicie madje edhe në atë kohë që të ishte president i federatës dhe erdhi një ditë dhe u bë president, dmth është pjesë e komunitetit të futbollit, për këtë thashë që e kanë njohje të vjetër, është një ish-futbollist dhe me dëshirë për ta zhvilluar futbollin në Maqedoninë e Veriut. Jam i sigurt që do të bëjë mirë, kemi raporte shumë të mira.
    Futbollistët nga Maqedonia e Veriut që luajnë për Kombëtaren? – Ne kemi më kualitativët nga Maqedonia e Veriut. Nedim Bajrami na ka shënuar golin në Çeki në një moment të vështirë për ne, një gol që na mbajti në lojë dhe na çoi në vendin e parë në Europian. Jasir Asani ka shënuar tre gola fantastikë në kualifikuese kundër Çekisë, Moldavisë dhe Polonisë. Ata e kanë shkruar emrin me punën dhe kontributin e vet. Taulant Seferi po ashtu. Nga ana tjetër, nuk është se duhet ta thuash. Po janë çuna të shkëlqyer dhe kanë kontribute të jashtëzakonshme. Pastaj, njëherë luan apo s’luan, ky është futbolli dhe vlerësimi i trajnerit. Por në asnjë moment nuk kam lexuar te asnjëri nga ata që mos ta gëzojë fitoren njëlloj si ata që janë në fushë. Dhe kjo është e mira e ekipit tonë. Që ne jemi të gjithë bashkë pavarësisht nëse jemi në stol, tribunë apo fushë.
    Rritja e numrit të tifozëve për të parë Kombëtaren në stadium? – Me ekipin Kombëtar ne nuk kemi probleme. Shqiptarët e ndjekin ekipin Kombëtar jo vetëm në shkallët e stadiumit, por edhe në TV. Interesi është i jashtëzakonshëm. Por për kampionatin pjesëmarrja e spektatorëve nuk është e kënaqshme. Ka një lloj rritjeje, dhe unë nuk besoj se rritja do të vijë rastësisht nëse ne nuk punojmë në këtë drejtim. Ne kemi filluar një projekt bashkë me klubet, sepse detyra kryesore është e klubeve që ta promovojnë më mirë, ta organizojnë më mirë dhe të kenë më shumë pjesëmarrje. Diskutohet shpesh nga opinionistë, studio televizive, që niveli nuk është aty ku duhet. Niveli, sido që të jetë, konkurrenca është. Futbolli është i bukur; në Gjermani ndiqet edhe në kategorinë e katërt dhe të pestë. Nuk është çështje niveli. Unë mendoj që është çështje promocioni, organizimi, marrëdhënies së klubit me tifozët. Kemi nisur një projekt dhe kam shumë besim që do të përparojmë për të rritur numrin e spektatorëve.
    Në ndeshjet e Kombëtares, është problem për të gjetur biletë, si ju duken çmimet e biletave? – Unë do të dëshiroja që ta kishim dhe pa lekë stadiumin. Do të isha shumë i lumtur që njerëzit të vinin në stadium dhe të mos paguanin asgjë, por në ekonominë që ne kemi zgjedhur të jemi, ekonomi tregu, kjo që ne mendojmë që është më e mira, pa pasur të ardhura është e vështirë të ecësh përpara. Detyrimisht do të vendosim një çmim. Nëse do të flasim nga pozicioni i rregullave që ka ekonomia e tregut, përderisa ka kaq shumë kërkesë, çmimi mendoj që është i lirë.
    Federata është dënuar nga UEFA dhe FIFA për shkak të sjelljes së tifozëve, a keni një zgjidhje se si ta përmirësoni bashkëpunimin me tifozët, për të shmangur dënimet? – Është e njëjta gjë që thashë për tifozët në kampionat. Duhet të ruash marrëdhëniet, të bashkëbisedosh me ta, t’i ndërgjegjësosh ata. Por ne asnjëherë nuk duhet të mendojmë që futbolli do të bëhet teatër, dhe nuk e duam këtë gjë. Duam që futbolli të mbetet futboll. Është një lojë me kaq shumë emocion, sa është e vështirë që të zbatohen të gjitha rregullat. Padyshim që kemi punuar, kemi bërë thirrje, kemi bërë gjithçka që të kemi më pak shkelje disiplinore në shkallët e stadiumit.
    Bashkëorganizimi për Kampionatin Europian U-21 me Serbinë? – Kur kemi vendosur të aplikojmë që të jemi bashkëgarues me Federatën e Serbisë në Kampionatin Europian U-21, padyshim që i kemi menduar të gjitha. Kemi parë çfarë sjell pozitivisht ky organizim nga pikëpamja sportive, por jo vetëm. Nga pikëpamja sportive nuk mendoj që ka asnjë kundërshtim që organizimi i një Kampionati Europian për moshën U-21 është i rëndësishëm për çdo vend europian, aq më tepër për një vend si Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo Serbia. Është aktiviteti i dytë më i rëndësishëm në Europë pas Kampionatit Europian për ekipet e para.
    Benefiti sportiv është i madh, sepse promovon futbollistët tanë, marrim më shumë eksperiencë organizative, sepse spektatori shqiptar sheh më shumë ndeshje, sheh yjet e ardhshëm të futbollit europian në stadiumet e Shqipërisë. Këtu nuk kemi diskutim. Diskutimi është ai i historisë mes Shqipërisë dhe Serbisë, i ngjarjeve që kanë ndodhur, të cilat vërtet janë të rënda, dhe organizimi i një Kampionati Europian nuk e shuan historinë. Përkundrazi, tenton të ndërtojë një të ardhme sa më të mirë, dhe mendoj që futbolli është një lojë që bashkon njerëzit, krijon ura komunikimi dhe sjell zhvillime pozitive. Nuk është shumë e lehtë që ta pranosh, por ne, duke qenë të bindur që është një zhvillim pozitiv, jemi të bindur që i bën mirë të gjithëve. Unë nuk mendoj që popujt kanë faj edhe kur ndodhin gjëra negative. Fajet i kanë ata që drejtojnë popujt dhe i drejtojnë gabim.
    Klubet shqiptare në garat europiane, çfarë mund të përmirësohet? – Nuk është thjesht çështje fati. Kampionate si i Shqipërisë, apo i Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, do ta kenë të vështirë sepse pasqyrojnë ekonominë e vendit. Vetëm vitin e kaluar, nga kampionati shqiptar janë shitur mbi 15 futbollistë. Çdo futbollist me kualitet kërkon padyshim të ardhura më shumë, të cilat ekonomia jonë nuk ia ofron. Për sa kohë do të jemi në këto kushte, futbollistët do të kërkojnë që të ikin dhe do të ikin. Duan të luajnë në klube më të mira dhe kërkojnë të ardhura më të mëdha.
    Do të jetë e vështirë që klubet tona të jenë në grupet e Conference League, Europa League apo Champions League. Jam i gëzuar që Drita dhe Shkëndija janë në grupe. Nuk e konsideroj si një zhvillim normal, e konsideroj si një kualifikim sporadik. Conference League, në ato nivele jemi. Por për të shkuar më larg duhet më shumë forcë, duhet më shumë ekonomi, duhet më shumë të ardhura. Nuk e di nëse i ofrojnë këto lloj tregjesh. Padyshim duhet edhe një politikë ndryshe nga shtetet, qoftë nga Shqipëria, etj. Kosova është në rregull, ka një ligj sponsorizimesh që sjell më shumë financa për klubet dhe që mund të zhvillohet më shumë. Ne nuk e kemi, është e vështirë që të ringrihesh në një treg kaq të vogël, në një treg me një numër të limituar popullsie, për të shkuar në nivelet e grupeve të Europa League dhe Champions League.
    Deri ku mund të shkojë teknologjia në futboll, si e sheh UEFA, si mundësi apo rrezik? – Si e sheh UEFA, FIFA dhe federatat e klubet janë faktet që e kanë vendosur dhe, në një lloj mënyre, është futur teknologjia. Sistemi VAR, goal-line technology, apo të tjera. Personalisht, nuk jam shumë në favor të teknologjisë në futboll. Me një argument të thjeshtë, kjo lojë është kaq e bukur, është luajtur në histori për mbi 100 vjet, ka kaq shumë interes rreth saj, me të njëjtat rregulla, me të njëjtat përmasa fushe, me të njëjtin numër futbollistësh, pa teknologji. Nëse do të vazhdojë të jetë kaq shumë e bukur dhe do t’i hapet kaq shumë rrugë teknologjisë, mbetet për t’u parë.
    Gjithmonë i qetë në qëndrimet tuaja, edhe pse me plot angazhime si në Federatë dhe në UEFA. Si ia arrini të keni këtë ekuilibër mes jetës private? – Nuk e di. Nuk di ta them nëse vërtet jam i qetë apo jo. Nuk jam kaq shumë i qetë. Në punë jam energjik, jam ekspresiv. Dita e punës për mua është pothuajse 24 orë.
    Ju keni nisur si biznesmen lokal në Durrës dhe Shijak, sot jeni në skenën më të lartë të futbollit. Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të ngjiten në nivele drejtuese në sport, apo edhe në jetë? – Për futbollin, do të këshilloja çdo prind që ta dërgojë fëmijën të luajë futboll, qoftë vajzë apo djalë, sepse do ta edukojë nëpërmjet futbollit. Jo të gjithë do të bëhen profesionistë, jo të gjithë do të fitojnë shumë lekë si Messi apo Ronaldo, por unë besoj që do t’u shërbejë për t’u edukuar më mirë, për t’u bërë familjarë dhe qytetarë më të mirë, pjesëtarë të një shoqërie më të mirë. Në përgjithësi, për një njeri, ajo që do t’i rekomandoja është përkushtimi, dëshira, korrektësia dhe dashuria për punën që bën.

  • Të dielën raundi i dytë i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut/ Përplasje për Tetovën dhe Gostivarin

    Të dielën raundi i dytë i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut/ Përplasje për Tetovën dhe Gostivarin

    Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë edhe katër ditë kohë për të prezantuar kandidatët e tyre për kryetar komunash për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të së dielës, më 2 nëntor.
    Ndërsa dita e heshtjes zgjedhore afrohet, retorika po bëhet më e ashpër. Kandidati i AKi-së për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi ka ngritur akuza të rënda lidhur me ndërtimet në hapësirën e “Monopolit” në Tetovë, duke i quajtur ato “veprime që ofendojnë kujtesën dhe sakrificën e qytetarëve”.
    Për këtë të fundit ka patur akuza se ka shërbyer si objekt aferash korruptive. Rexhepi ftoi publikisht Bilall Kasamin që të përballet me të në një debat të hapur.
    Nga krahu tjetër, Bilall Kasami, kandidati i VLEN për Tetovën fton qytetarët ta votojnë për të vulosur atë që e kanë quajtur fitore te madhe, drejt një mandati të dytë.
    Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve 44 komuna kanë zgjedhur tashmë kryetarin e tyre, ndërsa në 33 të tjera do të mbahet raundi i dytë.
    Nga betejat më të forta politike mes shqiptarëve, VLEN siguroi në raundin e parë fitoren ne Çair, ndersa edhe Gostivari është një tjetër komunë që shkon në raundin e dytë.

  • Baton Haxhiu: Shqipëria dhe Kosova s’mund të ndihmojnë shqiptarët e RMV

    Baton Haxhiu: Shqipëria dhe Kosova s’mund të ndihmojnë shqiptarët e RMV

    Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka marrë një goditje të madhe politike, në zgjedhjet e 19 tetorit. Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në “Real Story” u shpreh se për fat të keq as Shqipëria dhe as Kosova nuk mund të ndihmojnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, dhe kjo e ka një arsye, që sipas tij është faktori ndërkombëtar. 
    “Ne nuk mund  të ndikojmë asgjë Në Maqedoninë e Veriut, për një arsye, edhe Shqipëria dhe Kosova janë peng mbi atë se çfarë raporti kanë me ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët ndikojnë në secilën pikë të politikën në Kosovë dhe Shqipëri. 
    Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Menduh më vjen keq, mos prisni ndihmë nga këto dy shtete. Jam i sigurt. Të gjitha sallat ku ka qenë Ali Ahmeti kanë qenë me flamuj shqiptarë, momentin kur janë larguar prej aty, të gjithë flamujt kanë qenë në dysheme. Kjo është simbolika se çfarë është raporti i shtetit shqiptar me një të vërtetë atje, me politikën”, tha ai. 
    Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, i cili nuk mori pjesë në zgjedhjet e 19 tetorit, u shpreh se për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ka vetëm një zë dhe një referencë nga duhet dëgjuar:Tirana zyrtare! 
    “Baton i dëshpëruan shumë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, unë kurrë nuk do heq dorë, unë dua vetëm një përmirësim. Nuk ka dy shtete, vetëm Shqipëria, vetëm Tirana”, tha ai. 
    Gjatë diskutimit në studio, analisti Skënder Minxhozi duke analizuar rezultatin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut u shpreh se në “dobësimin” e faktorit shqiptar atje ka ndikuar jo vetëm marrëdhënia e tendosur dhe e tensionuar mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe ajo mes dy kryeministrave. 
    “Dy shtete më të mëdha shqiptare punë nuk rregullojnë, por punë prishin, sepse unë kam përshtypjen se situata në Maqedoninë e Veriut është dhe një reflektim i marrëdhënieve të tendosura dhe të tensionuar, që prej vitesh mban të lidhur Tiranë dhe Prishtinës. 
    Marrëdhënia e tensionuar mes dy kryeqytetesh unë mendoj se janë ndër faktorët që janë shumë-shtresorë, janë disa probleme, është një mozaik. Edhe marrëdhënia Rama-Kurti ka prodhuar një situatë. Rama ka vijuar me romantizmin e vet, ndërsa Kurti ka filluar me atë librin e vet të llogarive kap njërin, kap tjetrin.”, tha ai. 

  • Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Berat Buzhala: Kandidati i VLEN-it fiton pa balotazh

    Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Berat Buzhala: Kandidati i VLEN-it fiton pa balotazh

    Gazetari Berat Buzhala ka komentuar zgjedhjet që u zhvilluan ditën e djeshme në Maqedoninë e Veriut, ku kandidati i VLEN-it fitoi pa balotazh. ”Ja një ilustrim perfekt në Saraj, ku kandidati i VLEN’it fiton pa balotazh me votat e maqedonëve të VMRO’së. Njëra fotografi i tregon votat për Kuvend Komunal, ku shihet që VLEN’i është parti e dytë pas koalicionit rreth BDI’së, sepse maqedonët kanë votuar për deputet të partisë së tyre. Kurse për kryetar të komunës, siç shihet nga fotoja tjetër, maqedonët kanë votuar taktikisht, duke e zgjedhur kandidatin e VLEN’it. Pra, lërini pallavrat, sepse fitorja kryesisht është me vota të maqedonëve”,-shkruan Buzhala.

     

  • Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, 33 komuna shkojnë në balotazh

    Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, 33 komuna shkojnë në balotazh

    Procesi i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut për vitin 2025 ka prodhuar këto rezultate pas raundit të parë të votimit: 33 komuna shkojnë në balotazh.
    Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), 44 komuna kanë zgjedhur tashmë kryetarin e tyre, ndërsa në 33 të tjera do të mbahet raundi i dytë. Ndërkohë, në tri komuna, Mavrovë dhe Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë, votimi i raundit të parë do të përsëritet, për shkak të pjesëmarrjes së ulët që nuk e ka kaluar pragun e nevojshëm për vlefshmërinë e zgjedhjeve.
    Komunat ku janë zgjedhur kryetarët që në raundin e parë janë: Berovë, Manastir, Bosilovë, Butel, Vasilevë, Vevçan, Veles, Gazi Babë, Gjevgjeli, Gjorçe Petrov, Gradsko, Dellçevë, Demir Hisar, Zelenikovë, Ilinden, Jegunovcë, Kevadar, Karabinci, Novo Sellë, Ohër, Petrovec, Pehçevë, Prilep, Radovish, Resnjë, Sveti Nikollë, Sopishtë, Strumicë, Shtip, Haraçinë, Zhelin, Saraj, Tearcë, Çair, Bogdanci, Kriva Pallankë, Krivogaštani, Gostivar, Likovë, Plasnicë.
    Komunat ku do të zhvillohet raundi i dytë i votimit janë: Aerodrom, Bërvenicë, Valandovë, Vinicë, Debarcë, Demir Kapi, Dojran, Zrnovci, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçani, Makedonska Kamenica, Makedonski Brod, Mogilla, Negotinë, Probishtip, Rankovce, Ceshinovo-Obleshevë, Bogovinë, Dibër, Dollneni, Tetovë, Krushevë, Lozovo, Rosoman, Qendër, Çucer Sandevë, Strugë, Shuto Orizar, Kumanovë, Studeniçan, Qyteti i Shkupit.
    Siç shkruan Alsat, për komunën e Staro Nagoriçanit, rezultati mbetet i paqartë pasi kandidati kryesor ka marrë fiks 50 për qind të votave, duke lënë të hapur mundësinë për një verifikim shtesë apo vendim të mëvonshëm nga autoritetet zgjedhore.
    Procesi zgjedhor po vijon nën vëzhgimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa faza e dytë pritet të jetë vendimtare për formimin e pushtetit vendor në pjesën tjetër të vendit.

  • Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, përfundon numërimi, kush fitoi

    Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, përfundon numërimi, kush fitoi

    foto ilustruese

    MAQEDONI E VERIUT- Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, shpalli fitore bindëse pas rundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. VMRO-DPMNE fiton 34 komuna nga gjithsej 80 komuna dhe kryeson në balotazhe me 19, ndërsa VLEN e shqiptarëve fiton 3 komuna dhe shkon në 4 balotazhe kryesore. Aleanca Kombëtare për Integrim e mbështetur nga BDI e Aliahmetit fiton 5 komuna.
    Sipas sistemit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, kandidatët sigurojnë fitoren nëse marrin mbi 50% të votave. Nëse asnjë kandidat nuk e arrin këtë rezultat, një proces i dytë votimi do të mbahet më datë 2 nëntor. Procesi i dytë zhvillohet mes dy kandidatëve me më së shumti vota nga raundi i parë.
    Procesi zgjedhor u zhvillua në 3,474 qendra votimi në të gjithë vendin, ndërsa në listën e votuesve u regjistruan 1,832,415 qytetarë me të drejtë vote. Në zgjedhje morën pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe të pavarura qytetarësh, duke përfshirë gjithsej 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista për anëtarë këshillash. 
    Këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga shpallja e pavarësisë së shtetit në vitin 1991. Qytetarët në Maqedoni të Veriut vuan për herë të dytë brenda më pak se dy vjetësh, pasi vitin e kaluar në prill dhe maj u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

  • Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut/ Ministri i Brendshëm: 11 të arrestuar për shitblerje votash

    Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut/ Ministri i Brendshëm: 11 të arrestuar për shitblerje votash

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë votuar këtë të diel në raundin e parë të zgjedhjeve lokale për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunalë në 80 komuna, plus në qytetin e Shkupit.
    Votimi filloi në orën 07:00 dhe qendrat e votimit nisën të mbyllen në orën 19:00. Numërimi nis menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve dhe rezultatet e para dalin më pas.Lexo edhe :Related Posts
    Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dalja në zgjedhje deri në orën 18:30 ishte 46.65 për qind.

    Ndërkaq ministri i Brendshëm, Pance Toshkovski deklaroi se 11 persona janë arrestuar për shitblerje votash.
    “Me krenari e them se zgjedhjet e sotme ishin më të qetat dhe më demokratiket deri më tani. Sot dëshmuam se kur instutucionet funksionojnë, demokracia është në rritje. Janë denoncuar 91 raste në gjithë Maqedoninë, shumica prej tyre kanë të bëj me blerjen e votës, fotografimin e votës, e kështu me radhë. Janë arrestuar 11 persona katër janë liruar ndërsa 7 të tjerët janë në procedurë e sipër”, tha ai.