Një sulm i rëndë terrorist ka tronditur sot Mançesterin, ku dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën rëndë të plagosur pas një sulmi me makinë dhe thikë në sinagogën e Kongregacionit Hebraik, në zonën e Heaton Park.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 të mëngjesit, në ditën e shenjtë të Yom Kippur, kur dhjetëra besimtarë ishin mbledhur për lutje.
Sipas policisë, autori i dyshuar ishte i pajisur me një jelek antiplumb dhe me atë që dukej si një bombë e mundshme e lidhur në trup. Oficerët e armatosur i dhanë disa paralajmërime, por ai nuk iu bind urdhrave, duke detyruar policinë të hapë zjarr. Autori vdiq në vendngjarje, ndërsa për shkak të sendeve të dyshimta që mbante, u thirr edhe njësia për çaktivizimin e bombave.
Pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë momentet e tensionuara kur policia u thërriste qytetarëve të largoheshin, duke paralajmëruar se “ai ka një bombë”. Në hyrje të sinagogës u gjet edhe një roje sigurie i plagosur rëndë, me gjurmë gjaku në trotuar.
Policia e Mançesterit e ka cilësuar ngjarjen si një sulm terrorist, duke shpallur “Platon”-in, kodin kombëtar për reagimin ndaj sulmeve të tilla.
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ndërpreu vizitën në Danimarkë dhe është kthyer menjëherë në Londër, ku do të kryesojë një takim urgjent të Komitetit Cobra. Ai ka paralajmëruar vendosjen e forcave shtesë të sigurisë në sinagogat e të gjithë vendit.
Hetimet mbi autorin dhe motivet e tij vazhdojnë, ndërsa autoritetet i bëjnë thirrje publikut të qëndrojë i qetë, por vigjilent.




