Tag: manastirit

  • Sot Dita e Alfabetit/ 117 vite më parë, në Kongresin e Manastirit u vendos unifikimi i gjuhës shqipe me atë latin

    Sot Dita e Alfabetit/ 117 vite më parë, në Kongresin e Manastirit u vendos unifikimi i gjuhës shqipe me atë latin

    117 vite më parë, Kongresi i Manastirit mori vendimin për të unifikuar gjuhën shqipe duke miratuar alfabetin latin, të përshtatur me disa shkronja të posaçme për ta përfaqësuar gjuhën tonë.

    Sot, kjo datë festohet për herë të parë zyrtarisht, pasi vitin e kaluar, Këshilli i Ministrave e përfshiu Ditën e Alfabetit në kalendarin e festave kombëtare.
    Me pjesëmarrjen e 50 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, Kongresi i Manastirit, që u drejtua nga Mid’hat Frashëri, zhvilloi punimet nga data 14 deri në 22 nëntor 1908, ku ngriti një komision prej 11 delegatësh, në krye të të cilit u vendos Gjergj Fishta.
    Delegatët trajtuan një sërë çështjesh të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, ndërsa qëllimi kryesor ishte zgjidhja e çështjes së unifikimit të alfabetit, që ishte pengesë për zhvillimin e gjuhës dhe bashkimin e shqiptarëve. Në fund, komisioni ia doli të krijojë një alfabet të ri, të mbështetur në alfabetin latin, që gradualisht në vitet në vijim u bë alfabeti i përbashkët i të gjithë shqiptarëve, që e mbrojtën me gjakun e tyre nga pushtuesit.
    Sot, Dita e Alfabetit është një festë por dhe kujtesë për të ruajtur pastërtinë dhe pasurinë e gjuhës shqipe, si element i rëndësishëm identitetit tonë kombëtar.

    Top Channel

  • Begaj në Shkodër: Kongresi i Manastirit bashkoi shqiptarët përmes gjuhës

    Begaj në Shkodër: Kongresi i Manastirit bashkoi shqiptarët përmes gjuhës

    22 nëntori shënon Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u njësua në Kongresin e Manastiri. Lidhur me këtë, Presidenti Bajram Begaj ka publikuar disa nga momentet e vizitës së tij në Shkodër, duke specifikuar se kjo ngjarje arriti të bashkojë shqiptarët nëpërmjet gjuhës.

    “Në Shkodër, në zemrën e kulturës shqiptare, festuam sot Ditën e Alfabetit.

    Përkujtuam Kongresin e Manastirit – ngjarjen që bashkoi shqiptarët përmes gjuhës.

    Pa gjuhë nuk ka komb! Pa gjuhë nuk ka shqiptari!

    Një gjuhë, një shqiptari, një amanet”, shkruan Begaj.

    Kjo datë specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar nga data 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908. Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimin për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare.

  • Ben Blushi: Si lindi Shqipëria nga shkronjat dhe Kongresi i Manastirit

    Ben Blushi: Si lindi Shqipëria nga shkronjat dhe Kongresi i Manastirit

    Nga Ben Blushi-
    Sot është dita e Kongresit të Manastirit i cili në nëntor të vitit 1908 vendosi që gjuha shqipe të shkruhej me një alfabet të vetëm.

    Historia e atyre ditëve të Kongresit të Manastirit është një sintezë e historisë së Shqipërisë. Në tavolinën e delegatëve që vendosën se me çfarë alfabeti do shkruhej gjuha shqipe ishin tre mundësi.

    Një alfabet me shkronja latine, një alfabet me shkronja greke dhe një alfabet me shkronja arabe.

    Për këtë arsye Kongresi i Manastirit nuk ishte një takim gjuhëtarësh, por një parlament.
    Ai parlament vendosi që Shqipëria të shkonte me Perëndimin.
    Në atë kohë nuk kishte Europë, nuk kishte BE dhe as institucione.
    Shqipëria nuk ishte shtet i pavarur dhe i vetmi isntitucion që përcaktonte përkatësinë në një bashkësi politike ishte gjuha.
    Prandaj vendimi i Kongresit të Manastirit është akti i parë pro evropian që ka marrë elita shqiptare që nga vdekja e Skënderbeut.
    Që të kuptohet sa i guximshëm ishte ky vendim duhet kujtuar se vetë Turqia, vendi që na kishte pushtuar për 500 vjet e ndryshoi alfabetin e vet nga arab në latin në vitin 1928, 20 vjet më vonë se Shqipëria.
    Në një kuptim provinca udhëhoqi edhe Perandorinë e saj. Siç ndodh edhe sot dhe siç nuk mund të mos ndodhte, në Kongresin e Manastirit kishte një pakicë që kërkonte që shqipja të shkruhej me alfabet arab.
    Këta ishin islamikët shqiptarë, mbeturina të të cilëve ka ende sot nëpër Shqipëri.
    Për fat të mirë aty u ndanë myslimanët dhe islamikët.
    Shumë hoxhallarë të ndritur dhe patriotë myslimanë u bashkuan me Gjergj Fishtën, Mit’hat Frashërin, Luigj Gurakuqin dhe Ndre Mjedën për të votuar pro shkronjave latine.
    Myslimanët zgjodhën Shqipërinë, islamikët zgjodhën Islamin.
    Të parët zgjodhën Perëndimin, të dytët Lindjen.
    Imagjinoni për një çast sikur islamikët të kishin fituar.
    Ndoshta Shqipëri nuk do kishte, gjuha shqipe do ishte një variant arab dhe gjithë kultura jonë do ishte primitive e deformuar dhe shumë e varfër.
    Mund të mos kishim fare letërsi, art dhe filma.
    Në vend të shqiponjës, në flamur do kishim një syre nga Kurani, siç vërtet ka pasur shumë islamikë që e kanë kërkuar me zell të madh.
    Kongresi i Manastirit e ndau Shqipërinë nga Perandoria Osmane që është fatkeqësia më e madhe e historisë sonë.
    Të gjithë ata që thonë se Perandoria Osmane na shpëtoi nga asimilimi sepse nuk u bëmë grekë apo serbë janë islamikë të mjerë.
    Kjo është një tezë e shëmtuar që justifikon pushtimin dhe ata që janë me pushtimin janë edhe më të kqëqinj se vetë pushtuesit.
    E kundërta është e vërtetë.
    Shqipëria u copëtua padrejtësisht nga fqinjët serbë dhe grekë sepse u konsiderua një Turqi e vogël e cila e humbi luftën bashkë me Perandorinë Osmane.
    Kur rrëzohen, Perandoritë thyhen si copa pasqyrash të mëdha, duke marrë me vete dhe vazot e vogla përreth.
    Ky është rasti jonë.
    Ne ramë bashkë me vetratën dhe u thërmuam.
    Nëse nuk do kishte ndodhur kështu, sot Kosova do ishte Shqipëri bashkë me gjysmën e Maqedonisë, Janinën, dhe një pjesë të Malit të Zi.
    I humbëm këto territore si bashkëpuntorë të një Perandorie humbëse dhe primitive e cila e shkretoi Shqipërinë në mënyrën barbare.
    Evropa e pranoi dhe e certifikoi ndarjen tonë duke na paragjykuar padrejtësisht si osmanë.
    Kjo është e vërteta e hidhur e historisë sonë.
    Stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi ishte njëri nga 50 delegatët e Kongresit të Manastirit.
    Kur mendoj se ai ishte një djalë 25 vjecar që votoi kundër Perandorisë Osmane mbushem me krenari.
    Një vit më vonë turqit ia morrën hakun dhe e sakatuan në Elbasan, kur zbuluan se ai ishte pjesë e një shoqërije sekrete që po organizohej për të marrë armët kundër tyre.
    Duke rikujtuar të parët e mi më vjen mirë të them se gjithmonë kemi zgjedhur të jemi në anën e duhur të historisë.
    Kemi qenë gjithmonë kundër pushtuesve.
    Kjo është dhe dita për t’i kërkuar shtetit shqiptar të bëjë ç’mos për ta marrë në administrim godinën e Kongresit të Manastirit që ndodhet e rrënuar në Bitola të Maqedonisë.
    Ajo godinë na takon. Aty është historia jonë. Aty është muzeu i qëndresës sonë.
    Aty do punoja si ciceron për t’i mësuar të rinjve se si Shqipëria lindi nga shkronjat.

  • Manastiri dhe Vlora, dy shtyllat e bashkimit kulturor e kombëtar të shqiptarëve

    Manastiri dhe Vlora, dy shtyllat e bashkimit kulturor e kombëtar të shqiptarëve

    Kongresi i Manastirit u shndërrua në themelin e parë të arkitekturës kombëtare. Ai krijoi kodin e komunikimit, simbolin e bashkimit dhe shenjtërinë e shkronjës. Ndërsa Pavarësia e Vlorës ngriti mbi këtë themel godinën e shtetit shqiptar, duke e bërë realitet politik ëndrrën që Manastiri e kishte artikuluar shpirtërisht.

    Nga Prof.dr Skender ASANI

    Në historinë e kombeve ka ngjarje që ndalojnë kohën dhe i japin drejtim fatit të një populli. Për shqiptarët, Kongresi i Manastirit i vitit 1908 është një nga ato ngjarje që e tejkalon përkohshmërinë e vet dhe bëhet dritare e shpirtit kombëtar. Ai nuk ishte vetëm mbledhje e dijetarëve e patriotëve, por një akt i madh i vetëdijes historike, një përpjekje për ta përkthyer identitetin e shpirtit në formë të shkronjës, për ta shndërruar fjalën në themel të shtetësisë. Në atë tryezë të Manastirit, shqiptarët u bashkuan rreth një ideje që i parapriu pavarësisë politike: bashkimi shpirtëror e kulturor nëpërmjet një gjuhe të përbashkët.

    Në thelb, alfabeti i miratuar në Manastir ishte më shumë se një instrument shkrimi; ai ishte një akt besimi në qytetërim dhe përkatësi. Duke zgjedhur bazën latine, shqiptarët zgjodhën një drejtim të qartë orientimin drejt Perëndimit, drejt dritës së dijes dhe lirisë. Ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme për të hyrë në familjen e kombeve të qytetëruara, për të ruajtur frymën e hapur të një populli që, ndonëse i ndarë në fe e krahina, ka ditur të qëndrojë një në shpirt e në gjuhë. Kjo është arsyeja pse Kongresi i Manastirit nuk mund të lexohet vetëm si akt kulturor, por edhe si manifestim i një harmonie të thellë shpirtërore, që buron nga vetë natyra e qenies shqiptare.

    Ishte fjala e fuqishme dhe argumentuese e Gjergj Fishtës para delegatëve të Kongresit të Manastirit ajo që krijoi një situatë tejet emocuonuese në sallë. Fjalimin e tij ai përfundoi me këto fjalë:“‘Nuk kam ardhë këtu ta mbrojë ndonjë alfabet të veçantë, por kam ardhë që të bashkohem me ju dhe ta pranoj alfabetin të cilin do ta zgjedhë Kongresi e që do të jetë më i dobishmi për ta zgjuar popullin’. Ai gjithashtu tha: ‘Armiqtë që e rrethojnë Shqipërinë janë të shumtë dhe të gjithë provojnë të na i marrin tokat, por nëse ne nuk mundemi ta mbrojmë atdheun tonë me fuqinë tonë morale, do ta mbrojmë me armë dhe nuk do t’i lejojmë armiqtë e Shqipërisë që ta marrin asnjë pëllëmbë të territorit tonë.’”

    Pas këtyre fjalëve, të gjithë të pranishmit, myslimanë dhe të krishterë, u ngritën në këmbë dhe me lot në sy i duratrokitën Gjergj Fishtës, dhe kur po zbriste nga podiumi, hoxhë Hafiz Ibrahim efendiu, i cili e përfaqësonte klubin e shqiptarëve të Shkupit, i doli shpejt përpara, e përqafoi dhe e puthi duke i rrjedhur lotët nëpër faqe. Kjo skenë, sa emocionuese, po aq edhe dramatike për nga kuptimi i saj, sipas dëshmive të historiografisë shqiptare dhe të huaj, i dha kahje vendimtare rrjedhës së Kongresit të Manastirit, sepse një hoxhë po e përqafonte një prift në shenjë miratimi të vendimeve përfundimtare që shpien në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Jo rastësisht po e veçojmë këtë rast, sepse kishte tendenca nga qarqe të ndryshme të shteteve fqinje që iu pengonte suksesi i shqiptarëve në arritjen e alfabetit të përbashkët dhe një propagandë e tillë mundohej madje të mbillte defetizëm dhe përçarje te shqiptarët, duke i nxitur ata, sidomos muslimanët, që ta kundërshtojnë një alfabet latin, i cili sipas tyre ishte i krishterëve.

    Ky akt i madh shpirtëror dhe intelektual shënoi pikënisjen e një procesi që do të përfundonte katër vjet më vonë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Midis Manastirit dhe Vlorës kalon një urë e ndërtuar nga dijetarë, mësues, klerikë e patriotë, të cilët e kuptuan se pavarësia politike duhej të paraprihej nga pavarësia shpirtërore dhe kulturore. Alfabeti i Manastirit i dha kombit mjetin për të shkruar veten, për të përkthyer unitetin në fjalë dhe për ta bërë atë të prekshëm në çdo cep të trojeve shqiptare. Pa atë alfabet, nuk do të kishte qenë e mundur as përhapja e arsimit shqip, as krijimi i shtypit kombëtar, as organizimi i lëvizjeve që çuan drejt pavarësisë.

    Nga Normalja e Elbasanit (1909), e cila u themelua vetëm një vit pas Kongresit, e deri te organizatat e diasporës shqiptare në Bukuresht, Sofje, Kajro e Stamboll, të gjitha u ushqyen me frymën e Manastirit. Mësuesit dhe intelektualët që dolën prej saj u bënë bartësit e gjuhës së re të kombit, të një vetëdije që nuk njihte më ndarje. Pikërisht këta njerëz, të formuar në dritën e shkronjës shqipe, do të ishin ndër firmëtarët e Akteve të Pavarësisë në Vlorë. Ashtu si alfabeti kishte bashkuar fjalën, pavarësia bashkoi vullnetin dhe kështu fjala u bë shtet.

    Në këtë vazhdimësi, Kongresi i Manastirit u shndërrua në themelin e parë të arkitekturës kombëtare. Ai krijoi kodin e komunikimit, simbolin e bashkimit dhe shenjtërinë e shkronjës. Ndërsa Pavarësia e Vlorës ngriti mbi këtë themel godinën e shtetit shqiptar, duke e bërë realitet politik ëndrrën që Manastiri e kishte artikuluar shpirtërisht. Nuk është rastësi që ndër delegatët e Vlorës gjendeshin shumë prej atyre që kishin qenë pjesë e Lëvizjes së Alfabetit dhe e shkollës së gjuhës shqipe. Manastiri dhe Vlora janë, kësisoj, dy kapituj të të njëjtit libër libri i identitetit shqiptar, që fillon me fjalën dhe përmbyllet me flamurin.

    Në shekujt që pasuan, shqiptarët ruajtën me dinjitet këtë trashëgimi të dyfishtë të dritës dhe të besimit. Në çdo kohë të trazuar, kur interesat e huaja përpiqeshin të përçanin, ishte pikërisht kjo frymë që i mbante bashkë: shkronja që mëson, dhe feja që fal. Kështu, kultura shqiptare u bë mishërim i një humanizmi unik ballkanik, ku shqiptari mysliman, katolik apo ortodoks e shihte tjetrin si pjesë të vetes. Ky është triumfi më i lartë i qytetërimit shqiptar harmonia si vlerë morale dhe kombëtare.

    Sot, në kohën e globalizimit dhe të identiteteve të lëngshme, Kongresi i Manastirit mbetet busull që na rikujton se identiteti fillon me shkronjën, ndërsa bashkimi fillon me shpirtin. Alfabeti që unifikoi fjalën shqipe është i njëjti që sot duhet të unifikojë vullnetin për dije, për kulturë dhe për bashkëjetesë. Një komb që ruan gjuhën e vet, por edhe harmoninë e vet shpirtërore, nuk ka pse të frikësohet nga e ardhmja sepse ai e ka gjetur prej kohësh mënyrën për të qëndruar i lirë në mendje dhe në zemër.

    Në këtë dritë, përvjetorët e Kongresit të Manastirit nuk janë thjesht kujtesë historike, por janë akte vetëdijësimi kombëtar. Ata janë thirrje për të ruajtur atë që na bashkon gjuhën dhe shpirtin dhe për ta shndërruar në vlera diplomatike e kulturore të shekullit të ri. Sepse alfabeti i dritës që u ngrit në Manastir dhe feja e bashkimit që u rrit në zemrën e popullit janë dy shtyllat e përjetshme të identitetit shqiptar një identitet që bashkon tokën me qiellin, historinë me shpresën, fjalën me shpirtin.

    Osjek, 15 nëntor 2025

    (Fjalë e lexuar në akademinë kushtuar festave të nëntorit, organizuar nga komuniteti shqiptar në Osjek)

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    MID’HAT FRASHËRI: Ç’FITUAM NGA KONGRESI I MANASTIRIT?

  • Shpëtimi i  monumenteve në Gjirokastër, hartim i një strategjie që synon restaurimin dhe rijetëzimin e disave prej tyre

    Shpëtimi i monumenteve në Gjirokastër, hartim i një strategjie që synon restaurimin dhe rijetëzimin e disave prej tyre

    Nga Julia Vrapi
    Mbrojtja dhe restaurimi i monumenteve të kulturës në zonën e Gjirokastrës ka qenë herë pas here në qendër të diskutimeve mes specialistëve e më gjerë. Problemet në fushën e trashëgimisë kulturore në vend janë bërë me dije edhe më parë, duke u sjellë në vëmendje edhe projektet  për ndërhyrje në objektet monumente kulture. Ministri Blendi Gonxhja një ditë më parë u shpreh për bashkëpunimin mes institucioneve për punën në restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në këtë zonë. Sipas tij është fuqizuar puna për mbrojtjen dhe restaurimin. “Në bashkëpunim me Bashkinë Dropull, MTKS, IKTK e ekipit të DRTK Gjirokastër, si dhe me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe komunitetin, kemi fuqizuar punën për mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore e historike të zonës”, shprehet ministri i Turizmit, Sportit dhe Kulturës.
    Aplikim i përbashkët IPA ka sjellë dhe koordinimin për hartimin e një strategjie për monumentet e kulturës. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja shprehet ndër të tjera në një reagim në rrjete sociale se janë përfshirë edhe projektet e  dy manastireve. “Në kuadër të përgatitjes së një aplikimi të përbashkët IPA, koordinuam hartimin e një strategjie të integruar që synon shpëtimin, restaurimin dhe rijetëzimin e disa monumenteve, përfshirë projektet e Manastirit të Ungjillizimit në Vanistër, Manastirit të Fjetjes së Hyjlindëses në Raven dhe monumente të tjera me vlera të veçanta në Goranxi”, vijon më tej Gonxhja.

    Pasurimi i listës me objekte monument kulture
    Për këtë zonë pasurimi i listës me objekte monument kulture gjithashtu është pjesë e punës. Ndër të tjera ministri Blendi Gonxhja shprehet dhe për Kishën e Manastirit të Kryeengjëjve, që do të përfshihet në vijim të restaurimit. “Njëherazi, do të zgjerohet lista e pasurive kulturore përmes shpalljes së interesit kulturor për objekte që ruajnë traditat dhe teknikat karakteristike të zonës, si Kisha e Manastirit të Kryeengjëjve mbi fshatin Derviçan, e cila do të përfshihet në vijim në procesin e restaurimit”, vijon më tej ministri Blendi Gonxhja. Në vijim në reagimin e tij ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja shprehet edhe për punën, që është bërë në fushën e trashëgimisë kulturore në këtë zonë gjatë viteve 2024-2025, ku ndalet dhe te inventari e pasuria e jashtëzakonshme e saj.
    “Gjatë periudhës 2024-2025 kemi nisur dhe kryer ndërhyrje pastrimi, mirëmbajtje e restaurimi, në numër e vlerë investimi si kurrë më parë, por inventari e pasuria e jashtëzakonshme e zonës, si dhe urgjenca e nevojës për më shumë fonde e projekte kërkon sinergji e financime alternative të rëndësishme”, vijon ministri Gonxhja. Kisha e Manastirit të Kryeengjëjve mbi fshatin Derviçan është një tjetër objekt i trashëgimisë kulturore, që do jetë në restaurim. Manastiri i Kryeengjëjve ngrihet në pllajën e Malit të Gjerë mbi fshatin Derviçan. Është një ndërtim më i ri në krahasim me komplekset e tjera të manastireve të kësaj lugine.
    Megjithatë ka vlera, sepse dëshmon për ecurinë e zhvillimit dhe larminë tipologjike të ndërtimeve manastirore të arkitekturës pasbizantine. Kompleksi i manastirit përbëhet nga kisha dhe konakët, që e rrethojnë atë, kryesisht nga ana lindore dhe perëndimore. Procesi i restaurimit në Kishën e Manastirit të Kryeengjëjve është në vijim dhe të tjerë projekteve restauruese  që është bërë më parë me dije në objekte të ndryshme monument kulture nga Instituti Kombëtar i Monumenteve të Kulturës në vendin tonë. Por edhe pse nga institucionet flitet për projekte, herë pas here për specialistë dhe studiues të ndryshëm kanë shprehur se duhet bërë më shumë për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në vendin tonë.
     

  • Pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit u vranë e iu zhdukën varret

    Pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit u vranë e iu zhdukën varret

    Intelektualët shqiptarë që organizuan kongresin e Manastirit, hartuan alfabetin shqip si dhe hapen shkollat në gjuhën shqipe u vranë, si dhe ua humbën varret.

    Gjergj Fishta, kryetar i komisionit të Kongresit të Manastirit, teolog, diplomat e shkrimtar i shquar , i cili do të mbajë dhe fjalën hyrëse e kryesore në këtë kongres, gjatë sistemit komunist ia zhdukin varrin dhe eshtrat.

    Me urdhër të strukturave të shtetit komunist të Shqipërisë eshtrat e Fishtës zhvarrosen nga Kisha Françeskane e Gjuhadolit. 

    Ekzistojnë dy versione të zhdukjes së eshtrave të tij ai se u mblodhën në një thes çimentoje dhe qëndrojnë për tri ditë në një nga zyrat e ndërmarrjeve të ndërtimit.

    Sipas burimeve të ndryshme, thesi është hedhur pas tri ditësh në rrjedhën e lumit Drin në Shkodër, apo versioni tjetër i dhënë se eshtrat janë hipur në një karro për t’u transportuar.

    Në Kongresin e Manastirit u vendos që të themelohet “Shkolla Normale në Elbasan” një shkollë gjashtëvjeçare për përgatitjen e mësuesve të rinj.

    Drejtori i parë i Normales ishte, Luigj Gurakuqi, nënkryetari i kongresit.

    Por, edhe Gurakuqi, më 2 mars të vitit 1925 vritet në Bari të Italisë.

    Intelektualët shqiptar që përhapnin alfabetin shqip, arrestoheshin, internoheshin e vriteshin.

    Ata ishin të ekspozuar ndaj sulmeve të qeverisë turke, greke si dhe atyre të vendeve sllave.

    Prifti ortodoks kapedan Stathi Melani përhapi në Shqipërinë e jugut shkollën shqipe.

    Veprimtaria e Atë Stath Melanit ra në sy të autoriteteve turke.

    Tri herë ia dogjën shtëpinë dhe librat shqip. Ndërsa më 24 Dhjetor 1917,  u vra në një prit duke ia prerë kokën.

    Më 1909, qeveria turke mbylli të gjitha shkollat shqipe dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjitha librat, dokumentet dhe letërsia shqipe.

    Gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre shkollor, atdhetarët shqiptarë u ndeshën me tri probleme të mëdha, pengesa nga autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të shkolluar.

    Në Vlorë atdhetarët arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlorës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria, nga frika e vrasjes.

    Ndërsa në Gjirokastër një nga përhapësit e arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit.

    Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik nga turqit.

    Në prill 1904, intelektuali Petro Nini Luarasi arratiset nga burgu ku ishte mbyllur nga qeveria turke dhe u strehua në SHBA, si emigranti i parë politik shqiptar.

    Më 1908 u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e farefis. Mori pjesë në Kongresin e Dytë të Manastirit.

    Kurse vdiq në gusht të vitit 1911, dyshohet se u helmua.

    Në Shkodër, një grup myslimanësh u bënë gati të organizonin një manifestim në përkrahje të shkronjave arabe.

    Mirëpo ndërruan mëndje kur mijëra katolikë dhe myslimanë shqiptarë, nga Malësia e Madhe, organizuan ditë më parë një manifestim madhështor në përkrahje të shkronjave latine.

    Në mars të 1910 u thirr Kongresi i dytë i Manastirit.

    Aty u vendos që të vazhdojë përdorimi i alfabetit kombëtar me shkronja latine dhe të vazhdojnë protestat kundër vendimit të padrejtë të Qeverisë Turke.

    Pas fillimit të luftës filloi Lufta Ballkanike dhe Manastiri e Shkupi, dy qytete historikisht të banuara nga shumica popullsi shqiptare, u pushtuan nga sllavët, dhe këto dy qytete shqiptare mbetën nën Maqedoni.

    Siç dëshmohet nga të dhënat historike të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e atdhetarëve shqiptar u vranë nga serbët, disa u burgosën.

    Familjet ortodokse shqiptare që mbetën aty (Manastir), me kalimin e viteve dhe me dhunë u nënshtruan duke humbur identitetin dhe dinjitetin e tyre shqiptar./voal.ch

  • Zbulohet manastiri i krishterë në Emiratet e Bashkuara Arabe, daton para përhapjes së islamit

    Zbulohet manastiri i krishterë në Emiratet e Bashkuara Arabe, daton para përhapjes së islamit

    Një manastir i lashtë i krishterë që ndoshta daton që nga vitet para se Islami të përhapej në të gjithë Gadishullin Arabik është zbuluar në një ishull pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

    Manastiri në ishullin Siniyah, pjesë e dunave me rëre të Umm al-Quëain, hedh dritë të re mbi historinë e krishterimit të hershëm përgjatë brigjeve të Gjirit Persik. Ai shënon manastirin e dytë të tillë që gjendet në Emiratet, i cili daton rreth 1400 vjet më parë.

    Dy manastiret humbën përgjatë kohës të mbuluara nga rëra e shkretëtirës, por studiuesit besojnë se të krishterët ngadalë u konvertuan në Islam, pasi ky besim u bë më i përhapur në rajon.

    Sot, të krishterët mbeten një pakicë në të gjithë Lindjen e Mesme më të gjerë. Për Timothy Poëer, një profesor i asociuar i arkeologjisë në Universitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili ndihmoi në zbulimin e manastirit, Emiratet e Bashkuara Arabe sot janë një “tenxhere shkrirëse e kombeve”.

    “Fakti që diçka e ngjashme po ndodhte këtu 1000 vjet më parë është vërtet i jashtëzakonshëm dhe kjo është një histori që meriton të tregohet,” tha ai.

    Manastiri ndodhet në ishullin Siniyah, rreth 50 kilometra në verilindje të Dubait përgjatë bregut të Gjirit Persik. Ekzaminimi i mostrave të gjetura në themelet e manastirit daton midis viteve 534 dhe 656. Profeti i Islamit Muhamed lindi rreth vitit 570 dhe vdiq në vitin 632.

    Dhomat brenda manastirit mbajnë një vatër pagëzimi, si dhe një furrë për pjekjen e bukës për ritet e kungimit. Pranë manastirit ndodhet një ndërtesë e dytë me katër dhoma, me gjasë rreth një oborri, ndoshta shtëpia e një abati apo edhe një peshkopi në kishën e hershme.

  • Sulltan Abdulhamid i dhuroi 400.000 dollarë nga xhepi i tij, për Kongresin e Manastirit

    Sulltan Abdulhamid i dhuroi 400.000 dollarë nga xhepi i tij, për Kongresin e Manastirit

    Sakrifica e Sulltanit për Klubin shqiptar që organizoi Kongresin e Manastirit

    “Me të formuar në Manastir, Klubi i Shqiptarëve “Bashkimi”, ata e informuan me telegram Sulltanin e Perandorisë Osmane. Ata kërkonin ndihmë financiare për realizimin e qëllimeve të tyre. Mirëpo për shkak të hyrjes në fuqi të kushtetutës, kompetencat absolute të Sulltanit i takonin së kaluarës. Buxheti i shtetit tani aprovohej nga parlamenti, i cili parlament po ashtu e zgjidhte edhe qeverinë. Prandaj Sulltani për ta ndihmuar financiarisht këtë klub, në një kohë sa më të shkurtër, kishte vetëm një mundësi legale. Ajo mundësi ishte financimi i klubit shqiptar nga pasuria e tij personale. Me këtë rast Sulltani i dërgoi klubit të Manastirit 100 lira nga pasuria e tij personale. ”

    Sqarim:

    – 100 lirat në llogari të klubit të Manastirit u dërguan më 18 gusht 1908. Në përllogaritje me kalendarin e sotëm kjo datë i bie diku më 1 shtator 1908.

    – Shuma prej 100 lirash në përllogaritje të sotme ka vlerë 400.000 dollarë.

    Burimi: “Diturija”, Lumo Skendo (M.Frashëri), 1 Janar, 1909.

  • Reparte të armatosura arbërore në Hilandar dhe Kastriotët?!

    Reparte të armatosura arbërore në Hilandar dhe Kastriotët?!

    Për çëshjten që jemi duke diskutuar janë me rëndësi dy akt-dhurime (diploma), që mbajnë nr. 82 dhe 105. Sot ruhen brenda fondeve të dokumenteve cirilike të Arkivit të Manastirit të Hilandarit. Akti parë është një akt-dhurim i përpiluar në vitin 6934 (sipas kalendarit bizantin i përgjigjet datës prej 1/IX/1425 – 31/VIII/1426), në zyrën e princit arbër, Gjon Kastrioti dhe i kushtohet manastirit të Hilandarit. Ndërkaq, akti dytë doli nga zyra e manastirit të Hilandarit, dhe është pa datë (datën e saktë të këtij akti duhet kërkuar brenda viteve 1426-1431), dhe i kushtohet Gjon Kastriotit. Që të dy këto akt-dhurime apo diploma janë botuar më se njëherë dhe deri me sot kanë qenë objekt i studimit. Është për tu thënë se, rezultatet e studiuesve serioz të mbështetura në dokumente të përmendura më sipër, nuk shfaqin ndonjë dyshim për origjinën arbërore të princërve Kastrioti. Aq më tepër akt-dhurimet sfërcojnë pjesëmarrjen e Kastriotëve në jetën kulurore-fetare, shoqërore-ekonomike të botës bizantine-ortodokse.

    Çështja e analizës së veçorive të jashtme të aktit nr. 82, nuk ka qenë objekt i ndonjë studimi ndër ne. Në këtë aspekt, vërehet se akti nr. 82 është shkruar në alfabetin cirilik, sipas tahigrafisë kançelarike, me ngjyrë të zezë, i sistemuar në 25 rreshta duke e llogaritur këtu edhe nënshkrimin. Materiali i shkrimit është pergamena me një sipërfaqe 25,8 gjerësi, dhe 34,2 gjatësi. Akti është i pajisur edhe me vulën e Gjon Kastriotit. Aty ruhen gjurmët e vulës së dyllit në formë të rrubullakët me një madhësi prej 5 cm. Në anën e pasme (verso) të aktit ruhet mbishkrimi cirilik: “+ Knigа Каstriotova zа sеlа” (shkrim i transkribuar). Më lartë prej këtij mbishkrimi, ruhet shkronja latine N (numero), dhe nën këtë nr. 35, edhe më poshtë është i shënuar viti 6934. Në aktin e këthyer për 1800 ruhet një mbishkrim cirilik i murgut Nikandër me siguri nga decenia e katërtë e shek. XIV, i cili në përkthim të lirë ka këtë përmbajtje: “Kjo krisobulë është e kryzotëriut arbëror Joan Kastrioti “[…] gospodara Joanna Kastriota albanskago […]”, i cili shkruan se i dhuron manastirit (të Hilandarit) dy fshatra në Arbëri […dve sela vo Albanji…]. Përshkruesi besnik i aktit nga shek. XV, murgu Nikandër ka bërë edhe nënshkrimin sipas mendimit të tij: “Milostio Boziego Joanni Kastriot gospodar albanskii […]”.

    Ajo që tërheqë më tepër vëmendjën këtu është Pirgu (Kulla) Arbërore, që gjendet jashtë mureve të manastirit të Hilandarit, që sipas akt-dhurimit të dytë, igumeni i manastirit, jeromonaku Athanas, në emër të këshillit të mugjëve të Hilandarit, i shet Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij pirgun e Shën-Gjergjit së bashku me disa prona të këtij pirgu.

    Të gjithë studiuesit që u morën më çështjen e këtyre dy akt-dhurimeve kanë potencuar se, në akt-dhurimin e dytë nuk zihet ngojë emri i Stanishit. Disa mendojnë se Stanishi kishte përqafuar islamin menjëherë pas vitit 1426, ndoshta në vitin 1428. Janë shfaqur edhe mendime se, Stanishi “ka humbur”. Mirëpo, sipas burimeve që zotërojmë, Stanishi nuk ka humbur, meqë si i biri i Gjon Kastriotit përmendet në një dokument nga zyra venedikase (12/II/1445).

    Nga akt-dhurimi dytë në Hilandar kanë mbetur vetëm gërmadha të Pirgut Arbëror në kodrën mbi manastirin e Hilandarit dhe varri i Reposhit brenda në katedralën e Hilandarit. Mbi varrin e tij është afreska me subjekte kishtare. Mbishkrimi i datës 6936 (1/IX/1430-31/VIII/1431) mbi varrin e Reposhit provon se ishte fjala për një princ (dukë) ilir, përkatësisht princ arbëror “dux illyricus”.

    Pirgu Arbëror i rretheve të manasitirt të Hilandarit gjatë shek. XVI gjeti përkrahës edhe te sunduesit e Vllahisë, si, te vojvodët, Negou Besarab dhe Radul. Janë rujtur disa njoftime për përkujsedjen dhe kërkesat e tyre që të ndihmohet pirgu në fjalë. Këtej, N. Besarabi me 1512 caktoi një shumë vjetore prej 1000 aspra për nevoja furnizuese, dhe 100 aspra për shpënzime të murgjëve. Ndërkaq, vojvoda Radul caktoi në vitin 1525 shumën prej 1200 aspra për pirgun, dhe 1200 aspra për igumenin Makari. Po në këtë vit, pirgu në fjalë përmendet me kulte të zgjeruara. Është për të vënë re se, deri në atë vit, sipas burimeve të shkruara, Pirgu Arbëror qe kushtuar Shën Gjergjit, ndërkaq më pastaj edhe Shën Nikollës, (nga viti 1528). Historiografia rumune ka ofruar edhe njoftime interesante për jetën tipografike arbërore në Hilandar, çështje kjo që na jep në dorë një element tjetër për zgjerimin e studimeve tona në lëmin e tipografisë së moçme.

    Burimet e shkruara që i përmendën më sipër, shoqërohen edhe me burime të tjera, të cilat ofrojnë njoftime primare për pamjën visuele të Pirgut Arbëror. Në aspektin kronologjik gravura më e vjetër e ruajtur daton nga viti 1533, të cilën e kishte punuar frëngu, Pierre Belon du Mans. Në vitin 1650 ndeshim një gravurë tjetër të punuar nga një Anonim i Venedikut. Mirëpo, gravura e vitit 1757 e punuar nga një autor tjetër Anonim, që sot ruhet sot në Moskë, i ka kushtuar hapësirë dhe dukshëmri më të madhe Pirgut Arbëror. Kjo gravurë konsiderohet për të vetmën ku parqitet Hilandari me të gjitha objektet rreth tij, duke filluar prej bregdetit deri në brendi, në Athos. Gravura në fjalë përveç njoftimeve për pirgun e kastriotëve, në pjesën e poshtme të saj, ndërmjet legjendës dhe inskripsionit, ruan kartuçin e stilit barok, në të cilin ndeshim edhe stemën e Ilirisë (Arbërisë). Tërheqë vëmendjen këtu edhe legjenda dhe inskripsioni, ku radhitën ndërtimet në manastirin e Hilandarit dhe ndërtimet jashtë tij. Vargun e ndërtimeve jashtë manastirit të Hilandarit e nisë Pirgu Arbëror (Arbanaški Pirg). Gravurat të tjera ku parqitët Pirgu Arbëror është ajo e Vjenës nga viti 1764 me një autori Anonim.Në gravurat e vitit 1757, 1764 dhe 1779, Pirgu Arbëror është i vendosur mbë një kodër jashtë manastirit të Hilandarit i shoqëruar me kishën e quajtur Shën Trinia, si dhe me një objekt sakral jo monumental. Pirgu sipas njoftimeve është gjendur gjysmë ore larg manastirit të Hilandarit dhe është ngritur në një lartësi sa që nga ky objekt është parë edhe rruga detare dhe skela e Hilandarit. Pirgu, sot është një gërmadhë ku mund të shihën vetëm murët në një lartësi prej 4 deri në 5 m. Murët në fjalë janë lënë terësisht pas dore duke u shoqëruar me një vegjetacion të ngjeshur. Ky objekt është ndërtuar sikur edhe pirgjet të tjera të kohës. Mirëpo, për nga madhësia është ca më i vogël. Shihet se ka pasur trajtën e një kulle katërkëndëshe me mure të mëdha prej 6, 00 X 7, 30 m. Në çdo anë të ndërtimit kanë qenë nga dy pilastra të prera 0, 65 X 0, 32 m. Nga ana veriore e pirgut është rindërtuar një godinë ca më e vogël, nga e cila sot ka mbetur vetëm bodrumi. Pirgu ka qenë i rrethuar me mure të larta dhe ka të ngjarë se, ka zotëruar edhe me ndërtime të tjera. Nga materiali i gjetur mund të konstatohet se pirgu është ngritur me material guri të latuar pa përdorimin e tullave.

    Nga gjithë ajo që u tha më sipër është e qartë se për rolin e Pirgut Arbëror në Hilandar në shkencat tona pothuajse është heshtur. Ndeshim vetëm në dromca që ndërlidhën me familjën Kastrioti. Së këtejmi, këto njoftime, që u prezentuan këtu, dhe supozimi, se në Pirgun Arbëror kanë banuar për disa kohë reparte të armatosura arbërore, shpresojmë se do të jenë një mesazh për kërkime të mëtejme për këtë çështje të studiuesve tanë, historianë të arteve e arkeologë.

    Burimi: Akte dhe monumente të Hilandarit!

  • Serb dhe maqedonas pronarë të Muzeut të Alfabetit Shqip, si u tjetërsua pronësia?

    Serb dhe maqedonas pronarë të Muzeut të Alfabetit Shqip, si u tjetërsua pronësia?

    Muzeu i Alfabetit në Maqedoninë e Veriut nuk ka ende të zgjidhur çështjen e pronësisë.

    Në katin përdhe janë ende të dukshme reklamat e bizneseve. Kjo pasi kati përdhe dhe një pjesë e oborrit është në pronësi private.

    Ndonëse shtëpia ka qenë në pronësi të atdhetarit Fehim Zavalani, në kadastrën e Manastirit emri i tij nuk rezulton asgjëkundi. Regjistrimi i parë i kësaj prone në kadastër është bërë në vitin 1932. Çuditërisht shtëpia me sipërfaqe 266 m2 dhe 500 m2 oborr rezulton në pronësi të Jovanovic Kirkova Hrisulla, nga Manastiri.

    Më 1964, me vendim trashëgimie në kadastrën e Manastirit shkruhet se Kirkova mban gjysmën e kësaj pasurie, ndërsa gjysmën ua kalon dy djemve: Kirkova Jovanov Mirosllav dhe Kirkova Jovanov Darko.

    Në 1972 bëhet një ndarje e re dhe Darko pjesën e tij ia dhuron vëllait, Mirosllav.

    Më 1981 përsëri me vendim nga komuna dhe nga gjyqi themelor shkruhet se Kirkovic Jovan Mirosllav, i cili rezulton pronar i kësaj prone, jeton në Beograd. Pra një serb bëhet pronar i shtëpisë së Alfabetit të gjuhës shqipe.

    Më 1982 me kontrate për shit blerje nga gjyqi themelor Manastir, shënohen se Kirkovic Jovanov Mirosllav është pronar me 1/4 dhe komuna e Manastirit pronare me 3/4 e oborrit.

    Më 1986 nëpërmjet gjyqit themelor të Beogradit shënohet pronar Ziziç Jovan. Në vitin 2003 me vendim për transformim te tokes si pronar rezulton Zizic Jovan me 1/4 të oborrit dhe komuna e Manastirit me ¾.

    “Inside Story” ka mundur të sigurojë dokumentin nga Kadastra e Manastirit që tregon se edhe sot e kësaj dite pronar i oborrit, është Ziziç Jovan.

    Më 2009, kur edhe kjo shtëpi u kthye në muze, me matjen e re me hapësire 988 m2, katin përdhe e merr Millovshski Zllatko. Si pasojë e çështjes së pronësisë së pazgjidhur, muzeu i ka duart e lidhura.

    “Një e katërta e oborrit është pronë private, ndërsa tre të katërtat i përket komunës së Manastirit. Kam bërë kërkesë që të na e hedhin në pronë dhe ta kemi ne si institucion.Kati përdhe, dy dyqanet, nuk janë në pronë të muzeut por janë në shfrytëzim të muzeut, ministria e kulturës na jep një fond prej 1500 euro në muaj që i paguan si qira”, u shpreh Zait Aliu, Drejtor i Muzeu të Alfabetit.

    Problemet e shumta por edhe përmbajtja e vakët kanë bërë që muzeu të mos ketë vizitorë, përveçse ditën e alfabetit.

    “Jo vetëm për 22 nëntor, ne kemi nevojë për gjatë gjithë vitit të kemi vizitorë, se një muze pa vizitorë është si një muze i vdekur. Muzeun e mbajnë të gjallë vizitorë”, u shpreh Zait Aliu.