Seanca gjyqësore ndaj Jamarbër Malltezit është shtyrë sërish. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e njërit prej avokatëve mbrojtës. Në një prononcim për mediat pas daljes nga Gjykata e Posaçme, Malltezi lëshoi akuza të forta, duke e cilësuar procesin ndaj tij si politik dhe të stisur.
Ai e krahasoi situatën e tij me persekutimin e familjes gjatë regjimit komunist, duke u shfaqur përkrah kushëririt të tij, Xhim Begeja. Sipas Malltezit, ashtu si xhaxhallarët e Begejës u pushkatuan dhe u burgosën në atë kohë sepse ishin “të pasur dhe armiq të partisë”, edhe ai sot po përballet me një proces të ngjashëm si pronar.
Malltezi drejtoi akuza direkte ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-ambasadores amerikane, Yuri Kim, duke i quajtur ata si organizatorët e këtij procesi. “Jemi të njëjtët pronarë që ballafaqohemi me procese politike të stisura nga Edi Rama dhe nga ambasadorja Yuri Kim, që siç e patë juve, vodhi 100 milionë euro me dy gjeneratorë,” deklaroi ai. Malltezi denoncoi edhe prokuroin e çështjes, Besmir Karaxha, për të cilin tha se ka lidhje politike me Partinë Socialiste.
“Për ç’arsye kemi situatën e hetuesit Besmir Karaxha me bluza të PS-së, i cili gjithashtu është me ministrin Ulsi Manja në aktivitete politike? Ky është hetuesi që kanë angazhuar prokurorët,” u shpreh ai.
Në përfundim, Jamarbër Malltezi theksoi se ka përgatitur 31 fakte për të rrëzuar akuzat dhe e cilësoi të gjithë situatën një rikthim në gjyqet politike të viteve 1945-1946.
Malltezi: Çfarë ndodhi? Atëherë, një nga avokatët ishte në çështje tjetër, kështu që nuk kishte mundësi të ishte. Kështu që u shty seanca për herën tjetër. Duam të rikonfirmojmë që jam këtu bashkë me kushuririn tim Xhimi Begeja. Xhim Begeja në mënyrë të ngjashme, po nga disa gjyqtarë dhe prokurorë të nënshtruar ndaj ambasadorit jugosllav asaj kohe, vendosën që ta pushkatonin xhaxhain e Xhimit dhe të burgosnin xhaxhain tjetër të Xhimit. Pse? Sepse ishin të pasur. S’kishin marrë asnjë lekë nga shteti, thjesht ishin të pasur dhe ishin armiq të Partisë Komuniste. Kemi Xhimin këtu që do flasë. Nga ana tjetër, në mënyrë të ngjashme ne jemi të njëjtët pronarë.
Të njëjtët pronarë që ballafaqohemi me procese politike të stisura nga Edi Rama dhe nga ambasadorja Yuri Kim, që siç e patë juve, vodhi 100 milionë euro me dy gjeneratorë. Duhet të fillonim seancën dhe kemi përgatitur 31 fakte për t’i ballafaquar me sjelljet e pretenduara dhe të pamatshme që don të thotë tani prokurorët e promovuar në SPAK nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Në mënyrë të veçantë, gjithashtu kemi një pyetje tjetër. Për ç’arsye kemi situatën e hetuesit Besmir Karaxha me bluza të PS-së, i cili gjithashtu është me ministrin Ulsi Manja, në aktivitete politike. Ky është hetuesi që kanë angazhuar prokurorët. Pra jemi njëlloj në situatën e 45-46-ës, ku gjyqet politike bëhen.