Pasi Komisioni Evropian publikoi raportin e tij vjetor të zgjerimit më 4 nëntor, duke dhënë vlerësime të detajuara për shtetet aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian – për Kosovën, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë – tani u takon 27 shteteve anëtare të bllokut që të shprehin qëndrimin e tyre duke miratuar të ashtuquajturat konkluzione të zgjerimit më 16 dhjetor.
Meqenëse ky dokument duhet të miratohet në mënyrë unanime, ai shpesh është më pak kritik sesa ai i KE-së – dhe shumë më i shkurtër.
Një draft i avancuar, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, duket se ndjek logjikën e konkluzioneve të KE-së: Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi dhe Ukraina konsiderohen si shtetet që kanë bërë më së shumti përparim dhe BE-ja po shikon të anëtarësojë të paktën edhe një shtet para fundit të dekadës.
Sinjali më i dukshëm në dokument lidhet me Malin e Zi dhe përparimin e tij drejt anëtarësimit.
Siç pritej, dy pikat kyç janë të vendosura në kllapa, që do të thotë se vendet anëtare të BE-së ende nuk janë pajtuar për to.
Njëra nga to thekson se shteti “ka avancuar më shumë në negociatat e anëtarësimit dhe se 12 kapitujt negociues tani janë mbyllur përkohësisht”. Numri 12 vazhdon të jetë në kllapa. Kjo për faktin se Podgorica deri më tani ka arritur të mbyllë shtatë nga 33 kapitujt e politikave që duhet t’i mbyllë për t’iu bashkuar bllokut. Megjithatë, në Bruksel ka ende shpresë që deri në pushimet e Krishtlindjes do të përmbyllen edhe deri pesë kapituj të tjerë, edhe pse diplomatët me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë sugjeruan se numri përfundimtar mund të jetë më i vogël.
Sinjali i dytë në dokument është se ky shtet i vogël i Ballkanit Perëndimor po afrohet gjithnjë e më shumë që të bëhet së shpejti shteti i 28-të anëtarë.
Një tjetër fjali e vendosura në kllapa thekson se “Këshilli vendos që Grupi ad hoc i Punës për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi do të themelohet më 2025”.
Këshilli, ku shtetet anëtare të BE-së mblidhen për takim në Bruksel, është i mbushur me grupe të ndryshme pune, në të cilat diplomatët trajtojnë çështje të ndryshme politike që nga fazat e hershme.
Fakti që një grup i ngarkuar me hartimin e traktatit për anëtarësim me Malin e Zi është gati të themelohet është shenjë se gjërat po bëhen serioze. Hartimi i këtyre traktateve vjen menjëherë pas mbylljes të të gjithë kapitujve negociues dhe përfaqëson aktin e fundit politik para anëtarësimit.
Por, nuk është gjithçka inkurajuese për Malin e Zi. Edhe disa “detyra shtëpie” se çfarë duhet të bëjë për të përfunduar “pjesën përmbyllëse” të rrugës drejt Brukselit ende nuk janë përcaktuar qartë.
Teksti thotë se Mali i Zi duhet të përmirësojë kapacitetin e tij administrativ dhe legjislacionin zgjedhor, veçmas sa i përket përshtatjes me standardet e BE-së për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore.
Çështja madhore, megjithatë, është korrupsioni, me dokumentin që paralajmëron se “numri i dënimeve të formës së prerë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë mbetet i ulët”. Ai po ashtu thekson “nevojën që Mali i Zi të përmirësojë rezultatet e tij në lidhje me hetimet dhe ndjekjet penale në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke siguruar dënime të formës së prerë, masa ndëshkuese, sekuestrim dhe konfiskim të pasurive”.
Nuk është befasi që lufta kundër korrupsionit është motivi kryesor për të gjitha vendet që kanë përparuar në procesin e integrimit. Në tekst nuk përmendet drejtpërdrejt skandali i fundit ukrainas që e detyroi të japë dorëheqje në fund të nëntorit Andriy Yermak, krahu i djathtë dhe shefi i stafit i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Megjithatë, puna e Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit, që ndihmoi në rrëzimin e Yermakut është përshëndetur: Këshilli vlerëson pozitivisht rezultatet e arritura nga agjencitë më 2025, përfshirë një numër të konsiderueshëm hetimesh, veçmas në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Dokumenti inkurajon fuqishëm Ukrainën që të vazhdojë përpjekjet për të “përmirësuar edhe më shumë rezultatet dhe kapacitetet në këtë fushë”.
Raporti për zgjerim po ashtu paralajmëron politikanët ukrainas që të mos tentojnë të minojnë këto dy institucione, diçka që Zelensky tentoi ta bënte gjatë verës para se të tërhiqej nga vendimi për shkak të zemërimit të publikut. Dokumenti thotë se Brukseli se “do të mbetemi vigjilent për këtë çështje dhe nënvizojmë nevojën për t’u siguruar që në të ardhmen të mos ketë asnjë ndërhyrje ligjore ose politike për të ndikuar në punën e këtyre institucioneve”.
Për Moldavinë, teksti është pozitiv për luftën kundër pastrimit të parave dhe përpjekjeve për atë që njihet si “deoligarkizëm”. Megjithatë, as Moldavia e as Ukraina nuk do të avancojnë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE gjatë këtij viti. Hungaria e ka bërë të qartë se nuk do t’i japë dritën jeshile hapjes së ndonjë kapitulli me Kievin dhe Moldavia ende po tenton që të ndahet nga Ukraina në rrugën drejt bllokut.
Në vend të kësaj, shumica e kryeqyteteve të BE-së kanë pranuar që të presin derisa të mbahen zgjedhjet parlamentare në prill në Hungari për të parë nëse do të ketë ndonjë ndryshim qëndrimi nga Budapesti. Teksti ofron pak sa i përket asaj se çfarë do të ndodhë me Kievin dhe Kishinjevin, teksa aty thuhet vetëm se Këshilli pret me padurim hapjen e kapitujve të parë për dy shtetet kandidate “sapo të plotësohen kushtet”.
Për Shqipërinë, e cila së voni arriti të hapë të gjithë 33 kapitujt brenda 13 muajsh (një kohë rekord për një shtet kandidat në BE), nuk ka asnjë indikacion se kur do të nis mbyllja e dosjeve, proces që është më i vështirë.
Teksa lufta kundër korrupsionit është po ashtu një kusht kyç për Shqipërinë, dokumenti thekson nevojën për përmirësimin e peizazhit mediatik në vend, duke rritur transparencën e pronësisë së mediave, duke siguruar dekriminalizimin e shpifjes dhe duke forcuar shoqërinë civile në përgjithësi.
Për vendet e tjera aspiruese, teksti është kryesisht i përzier, përveç Gjeorgjisë, e cila është kritikuar ashpër për “kthim prapa të demokracisë” gjatë viteve të fundit. Ndërsa nuk e quan vendin “kandidat vetëm me emër” siç bëri Komisioni Evropian në raportin e tij, Këshilli thotë se “veprimet e autoriteteve gjeorgjiane nuk përmbushin pritjet e BE-së nga një shtet kandidat” dhe se “procesi i anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE është bllokuar derisa autoritetet të tregojnë angazhim për të ndryshuar qëndrimin dhe për t’u rikthyer në rrugën e anëtarësimit në BE”./ REL
Tag: malin
-

Analiza e REL: Sinjalet që tregojnë se Mali i Zi është afër anëtarësimit në BE
-

Tragjedi në Austri, vajza ngrin për vdekje në malin më të lartë – Partneri i saj nën akuzë
Autoritetet austriake kanë identifikuar 33-vjeçaren Kerstin Gurtner si gruan që ngriu për vdekje në malin më të lartë të Austrisë , Grossglockner, dhe partneri i saj, 39-vjeçari Thomas Plamberger, tani akuzohet për vrasje të paqëllimshme.
Gurtner, e cila e përshkroi veten në internet si një adhuruese e dimrit dhe maleve, ishte një alpiniste e papërvojë.
Partneri i saj, Plamberger, një alpinist me përvojë, dyshohet se e çoi atë në një ngjitje të rrezikshme nate në një lartësi prej 3,657 metrash në temperatura nën zero, për të cilat ajo nuk ishte e përgatitur.
Trupi i saj u gjet më pak se 45 metra larg majës.Zyra e prokurorit publik të Innsbruck beson se Plamberger, si organizator i ngjitjes, ishte përgjegjës për sigurinë e saj.
“Ai e la të dashurën e tij të pambrojtur, të rraskapitur dhe të çorientuar rreth 50 metra poshtë majës së Grossglockner. Gruaja ngriu për vdekje. Meqenëse i pandehuri, ndryshe nga e dashura e tij, kishte tashmë shumë përvojë me turne alpine në lartësi të mëdha dhe e kishte planifikuar turin, ai u konsiderua si një guidë turistike përgjegjëse”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë.
Gjatë ngjitjes fatale, temperaturat ranë në rreth minus 20 gradë Celsius.Prokurorët thonë se Plamberger nuk kërkoi ndihmë edhe kur panë një helikopter policie aty pranë.
Hetuesit thonë se ai nuk bëri thirrjen e tij të parë emergjente deri në mëngjes.
Sipas aktakuzës, vetëm 30 minuta më vonë, ai e braktisi Gurtner në shpatin e akullt.Raportohet se avokati i Plamberger, Kurt Jelinek, i mohon akuzat.
Në një deklaratë, ai e quajti vdekjen e Kerstin Gurtner një “aksident tragjik dhe fatal”.
Gjyqi është planifikuar të fillojë në shkurt. Nëse dënohet për vrasje të paqëllimshme, Plamberger përballet me deri në tre vjet burg. /Telegrafi/ -

Vizita në Malin e Zi dhe Serbi/ Ministri i Jashtëm gjerman: Kapërceni tensionet etnike dhe zbatoni reformat!
Zgjerimi i BE-së në Ballkan është në interesat qendrore të bllokut, tha të hënën Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul gjatë një vizite në kryeqytetin malazez të Podgoricës.
Pas një takimi me Presidentin Jakov Milatović, Kryeministrin Milojko Spajić dhe Ministrin e Jashtëm Ervin Ibrahimović, Wadephul premtoi ndihmën gjermane për Malin e Zi në rrugën e tij të anëtarësimit në BE.
Ai gjithashtu u bëri thirrje anëtarëve aspirantë të BE-së në rajon, që të kapërcejnë tensionet etnike dhe të zbatojnë reformat e nevojshme për anëtarësim.
“Një Bashkim Evropian i fortë dhe i bashkuar jep kontributin më të mirë për sigurinë dhe prosperitetin e qytetarëve të të gjithë BE-së”, tha Wadephul.
Gjatë një kohe konvulsionesh gjeopolitike, evropianët duhej të merrnin në konsideratë “çfarë na lidh së bashku – një hapësirë ligjore me fuqi të konsiderueshme ekonomike dhe peshë politike që lehtëson lirinë, pavarësisht të gjitha sfidave”, tha ai.
Wadephul vlerësoi “progresin e madh” të bërë nga Mali i Zi në procesin e pranimit. “Nëse këto përpjekje intensifikohen dhe nëse Mali i Zi nuk e lehtëson procesin, atëherë kjo rrugë mund të jetë e suksesshme”, tha ai. Mali i Zi synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2028.
Ibrahimoviç tha se Mali i Zi ishte një partner i besueshëm dhe shtoi se vendi mirëpriste investimet gjermane. Sektori më tërheqës ishte energjia e rinovueshme, por edhe turistët gjermanë ishin të mirëpritur, tha ai.
Wadephul takon presidentin serb në Beograd
Wadephul mbërriti në Serbi të hënën në mbrëmje, ku ishte i ftuar në një darkë të shtruar nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
“Ne i kushtuam vëmendje të veçantë rrugës evropiane të Serbisë, stabilitetit rajonal dhe sfidave të shumta globale”, tha Vuçiç në Instagram.Vuçiç raportoi për një dialog të hapur dhe substancial mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike.
Ai theksoi se Serbia i kushton rëndësi të veçantë bashkëpunimit me Gjermaninë, “një nga partnerët tanë më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm”. Ata diskutuan projekte, veçanërisht në fushat e energjisë dhe infrastrukturës.
Wadephul nuk komentoi publikisht mbi bisedimet e tij në Serbi dhe pritet ta bëjë këtë të martën, kur të takohet me homologun e tij serb Marko Djuric përpara se të udhëtojë për në Kosovë.
Në Kosovë, e cila gjithashtu po përpiqet të anëtarësohet në BE, ka tensione të përsëritura midis grupeve të popullsisë shqiptare dhe serbe dhe me Serbinë fqinje. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës./ DPA News.
-

Ndihmonte emigrantët të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi, arrestohet 43-vjeçari në Shkodër
Një 43-vjeçar është arrestuar në fshatin Bukpalaj të Shkodrës pasi është kapur duke ndihmuar disa emigrantë të kalonin kufirin me Malin e Zi.
Blutë bëjnë me dije se 43-vjeçari u kap në flagrancë duke transportuar me automjet 6 emigrantë, 3 nga Siria dhe 3 nga Egjipti.
Sakaq, mësohet se ai ishte arrestuar edhe më parë për të njëjtën
veprimtari.
Njoftimi i policisë
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Borders 4”.
Vihet në pranga një 43-vjeçar që ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës 400-500 euro, për të kaluar kufijtë, në mënyrë të paligjshme.
43-vjeçari u kap në flagrancë, në fshatin Vukpalaj, duke transportuar me automjet, 6 emigrantë (3 nga Siria dhe 3 nga Egjipti), që synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.
I arrestuari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohen automjeti me të cilin ai transportonte emigrantët dhe celulari i tij.
Shërbimet e Policisë Kufitare, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufijve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borders 4”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:
-K. Ll., 43 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte duke i transportuar me automjet kundrejt pagesës 400-500 euro për person, emigrantë nga Vendet e Treta, që hynin ilegalisht në Shqipëri, nga Qafë Bota, dhe më pas synonin të kalonin në Mal të Zi.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.Top Channel
-

“Veliaj s’kthehet në bashki,ka malin e Dajtit mbi shpinë”,Gjokutaj shpërthen pas vendimit të Kushtetueses: Rama do të..
Avokati Genc Gjokutaj, ishte i ftuar në Terminal me Aurora Sulçen ku komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Erion Veliajn dhe reagimin e kryeministrit Rama për rikthimin e tij në krye të bashkisë së Tiranës.
Sipas Gjokutajt, çështja e shkarkimit të Veliajt nuk mund të ngatërrohet me çështjen penale të tij, duke shtuar se ai “ka malin e Dajtit në kurriz”.
“Kryeministri do të dalë nga autorësia, nuk mban top në këmbë. Dhe thotë që Kushtetuesja duhet ta çojë Erion Veliajn në zyrë. Nuk e çon Gjykata Kushtetuese në zyrë Erion Veliajn pasi ai ka malin e Dajtit në kurriz. Dhe çështja penale mbas të cilës është marrë masa e sigurisë përzihet sa vaji me ujin me çështjen e shkarkimit”, tha Gjokutaj -

Fonde të reja europiane për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi , KE miraton këstin e parë
Komisioni Europian ka ndarë fonde për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Pagesat bëhen në disa etapa, bazuar në reformat që këto vende kanë zbatuar për t’u përshtatur me standardet e BE-së.
Shqipëria do të marrë këstin e parë prej 99.3 milionë eurosh, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të marrin këstin e dytë, përkatësisht nga 8.1 dhe 16 milionë euro.
Që prej nisjes së planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, shumat totale të disbursuara arrijnë në 99.3 milionë euro për Shqipërinë, 18.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 25 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.
Ky plan synon të nxisë përgatitjet e partnerëve drejt anëtarësimit në BE, duke përshpejtuar përfitimet në prag të integrimit të plotë.
Gjithashtu, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, së bashku me Moldavinë, janë partnerët e parë kandidatë për BE që do të bashkohen në skemat e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Një zhvillim historik, sipas Komisionit, që do të bëjë transaksionet në euro mes këtyre katër partnerëve dhe Bashkimit Europian më të sigurta, më të shpejta dhe më të lira, me një kursim potencial deri në 500 milionë euro për qytetarët dhe bizneset.
“Sot festojmë rezultatet konkrete që përpjekjet tona të vazhdueshme për integrimin gradual të vendeve kandidate po sjellin për qytetarët dhe bizneset e tyre. Puna jonë nuk ndalet këtu,” u shpreh komisionarja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos. -

Picula: Po planifikohet për anëtarësimin e përbashkët të Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE
Përfaqësuesi në Parlamentin Evropian dhe ish-raportuesi për Malin e Zi, Tonino Picula, ka deklaruar se rruga e këtij vendi drejt Bashkimit Evropian nuk po ecën me ritmin e pritur, megjithëse ka pasur përparim.
“Më duket se afrimi i Malit të Zi me Bashkimin Evropian po ecën mirë, por jo me ritmin që ishte paralajmëruar dhe inkurajuar”, tha Picula për median Nova M.
Ai kujtoi se deri para pak kohësh, Mali i Zi konsiderohej lider i procesit të integrimit evropian në rajon.“Deri vonë, flitej vetëm për Malin e Zi si lider të politikës së zgjerimit. Por tani, po diskutohet për mundësinë e anëtarësimit të përbashkët të Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE”, u shpreh eurodeputeti kroat.
Kujtojmë se Tonino Picula është raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë që prej vitit të kaluar.
Shqipëria më parë është veçuar si një nga historitë më të suksesshme në rrugën drejt Bashkimit Evropian nga Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Gjatë fjalës së saj në Samitin për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet në Shkup, Kos theksoi progresin e Shqipërisë dhe vuri në dukje rolin aktiv të saj në procesin e reformave dhe hapjes së kapitujve të negociatave.
“Shqipëria, i dashur kryeministër Edi Rama, ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit”, u shpreh Kos, duke e cilësuar Shqipërinë si një shembull për vendet e tjera të rajonit.
Komisionerja Kos theksoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, ndryshe nga e kaluara, por paralajmëroi se “dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë”, duke u bërë thirrje vendeve të rajonit të përshpejtojnë zbatimin e reformave të domosdoshme.
“Po shohim përparim të rëndësishëm”, shtoi Kos, duke përmendur edhe Malin e Zi që ka mbyllur një kapitull të negociatave, si dhe Serbinë që ka nisur të përfitojë fondet e para nga BE-ja. Megjithatë, Shqipëria u përmend e para dhe me tonet më të qarta pozitive. -

Ishujt Faroe shkatërrojnë Malin e Zi, janë pranë ëndrrës për Botërorim
Ishujt Faroe kanë barazuar sot rekordin për fitoren më të thellë të arritur në kualifikueset për Kupën e Botës. Kombëtarja e shtetit me 56 mijë banorë ka fituar sot me shifrat e thella 4-0. Ishullorët kanë shkatërruar Malin e Zi, duke marrë vendin e 3-të në grup. Sorenseni (16′, 56′), Roganoviçi (36′ autogol) dhe Frederiksbergu (72′ penallti) janë autorët e golave për Ishujt Faroe. Një fitore e tillë është arritur edhe një vit më parë për nordikët, por ndaj një kundërshtari të lehtë në letër, si Lihtenshtajni. Tashmë Ishujt Faroe kanë shkuar në kuotën e 9 pikëve, vetëm 4 më pak se Çekia dhe Kroacia. Ëndrra për të shkuar në Botëror duket më reale se kurrë, teksa ndeshjet e radhës janë pikërisht me këta dy Çekinë dhe Kroacinë./Sport Ekspres/
-

102-vjeçari ngjit malin 3 776 metra të lartë
Alpinisti 102-vjeçar Akuzawa Kokichi në Japoni ka hyrë në Librin e Rekordeve Botërore “Guinness” si personi më i vjetër që është ngjitur në malin Fuji, i cili është 3 776 metra.
Akuzawa dhe ekipi i tij qëndruan në kamp për dy net para se të arrinin në malin më të lartë të Japonisë në 3 776 metra.
Ai përfundoi ngjitjen sfiduese me vajzën e tij 70-vjeçare, nipin dhe një ekip alpinizmi prej katër personash, ndërsa arriti të hyjë në Librin “Guinness” si personi më i vjetër që është ngjitur në malin Fuji.
Në moshën 96-vjeçare, Akuzawa u regjistrua si personi më i vjetër që është ngjitur në malin Fuji dhe gjatë gjashtë viteve të fundit, ai ka vuajtur nga një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë sëmundjet e zemrës.
Akuzawa tha se ishte gati të hiqte dorë në gjysmë të ngjitjes së tij në malin Fuji më 5 gusht, por me mbështetjen e familjes së tij, ai arriti në majë. Ai shpjegoi se u stërvit për tre muaj para se të ngjitej në malin Fuji, duke u zgjuar në orën 05:00 të mëngjesit çdo mëngjes për të bërë ushtrime ecjeje dhe ngjitjeje.
Pasi vuri në dukje se mali Fuji nuk ishte një mal i vështirë, por këtë herë ishte më i vështirë se sa kishte qenë gjashtë vjet më parë, Akuzawa tha: “Nuk jam ndier kurrë kaq i dobët. Nuk kisha dhimbje, por vazhdoja të pyesja veten pse isha kaq i ngadaltë dhe nuk kisha aspak rezistencë. Tashmë i kisha tejkaluar kufijtë e mi fizikë dhe e arrita këtë vetëm falë forcës së të gjithëve të tjerëve”.
Ai thekson se ka filluar të tregojë interes për alpinizëm për herë të parë në moshën 14-vjeçare ndërsa motivimin e tij e shpjegoi me fjalët: “Më pëlqen ngjitja. Është e lehtë të krijosh miqësi në mal”.
Një nga simbolet kombëtare të vendit, mali Fuji me lartësi prej 3.776 metrash dhe një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndodhet midis prefekturave Yamanashi dhe Shizuoka. /KultPlus.com