Tag: malazeze

  • VIDEO/ Atentati ndaj bosit të mafias në Budva, mediat malazeze publikojnë pamjet e rënda

    VIDEO/ Atentati ndaj bosit të mafias në Budva, mediat malazeze publikojnë pamjet e rënda

    Shefi i një bande mafioze në Budvë të Malit të Zi është plagosur të enjten në një atentat ndaj tij në pishinën brenda një kompleksi hotelier në qytetin e Budvës.

    Cak i atentatit është Marko Ljubisha, i njohur me nofkën ‘Kan’. Ljubisha, një shtetas malazez, është kreu i bandës së Budvës, i afërt me klanin famëkeq ‘Shkalar’.

    Gazeta malazeze ‘Vijesti.me’ i ka publikuar pamjet e atentatit.

    Një burrë i veshur me rroba të lehta, pantollona të shkurtra dhe me një çantë mbi shpatull, zbret nga shkallët e hotelit dhe i afrohet ‘Kanit’ dhe e qëllon me pistoletë, tregojnë pamjet filmike të publikuara nga Vijesti.

    Videoja e shfaq sulmuesin duke zbritur tinëz shkallët, duke qëlluar bosin e bandës dhe duke ikur nga vendi i ngjarjes.

    Marko Ljubisha u plagos, por jeta e tij nuk është në rrezik, sipas informatave fillestare nga policia malazeze.

    ‘Kan’ është etiketuar si një person me interes për sigurinë, emri i të cilit ka qenë i pranishëm në raportet e aktiviteteve kriminale në bregdetin malazez për vite me radhë.

    Ai konsiderohet i afërt me klanin kriminal ‘Shkaljar’ dhe ndaj tij ishin organizuar tashmë tri atentate më parë nga klani rival i ‘Kavaçve’ në Mal të Zi.

    Më poshtë ju sjellim pamjet e publikuara nga Vijesti:

  • Si u ngrit kurthi francez për vrasjen e legjendës shqiptare, Isa Boletini në Podgoricë?

    Si u ngrit kurthi francez për vrasjen e legjendës shqiptare, Isa Boletini në Podgoricë?

    Ai që bëmat e tij trimërore do ta kthenin në legjendë, ai që priu përfaqësinë kosovare në mëvetësimin e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, ai që refuzoi një post ministror në qeverinë e Ismail Qemalit, ai që s’u çarmatos në Londër u pre në besë në Podgoricë dhe diti të vdiste siç vdesin trimat. Ai ishte Isa Boletini. Tash më shumë se 100-vite më parë në një kurth të francezëve me përfaqësi në Shkodër, të cilëve ai u ishte drejtuar për ndihmë, atij i zihet pritë në mes të rrugës ku masakrohen të gjithë.

    Isa Boletini mbamendet në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve si një emblemë e kryengritjes, qëndresës dhe trimërisë. Ndër atdhetarët ai ishte më i shquari. Në kujtesën e kësaj figure të përballjes shqiptare me armiqt e lirisë ai figuron një strateg popullor, organizator e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar ku bashkë me Idriz Seferin përbënin një kombinim që u shndërrua në mit ndër bjeshkët e Kosovës.

    Mekanizmi i një dredhie vdekatare

    Çmimi për kokën e Isa Boletinit, krahut të djathtë të atit të pavarësisë së shqiptarëve kishte hyrë në analet ndërkombëtare. Vrasësit e kësaj legjende popullore ishin xhandarët malazezë. Ata që e prenë në besë ishin disa diplomatë francezë. Ishte janar i vitit 1916, pikërisht koha kur trupat austriake pushtonin Malin e Zi, pothuaj pa hasur në asnjë rezistencë. Qeveritarët e Malit të Zi, pa u turpëruar nga ky pushtim, pa u turpëruar prej faktit se nuk rezistuan deri në fund, u kujdesën gjithsesi të hiqnin qafe armikun e hershëm, shqiptarin e tmerrshëm, Isa Boletinin, të cilin e mbanin prej disa kohësh të izoluar. Sipas rrëfimeve të një të afërmi të Isa Boletinit, të pasqyruara në librin e Skënder Luarasit “Isa Boletini”, botim i vitit 1971, kthesa përfundimtare e jetës së shqiptarit të madh nis me përfshirjen e Kosovës nën Jugosllavinë, sipas vendimeve të fuqive më të mëdha të Evropës në takimin e Londrës më 1913. Në vitin 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën dhe legjendës së rezistencës për bashkim kombëtar i mbetet të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve. Francezët afrohen dhe konsulli i tyre në Shkodër, Bikok, i thotë Isa Boletinit dhe njerëzve të tij që të shkojnë në Ambasadën Franceze në Cetinë, asokohe kryeqytet i Malit të Zi, nga ku do të merrnin vizë për të shkuar në ndonjë vend neutral. Pikërisht këtu nis edhe plani për ekzekutimin e shqiptarit të madh. Njerëz të Boletinit kishin vënë re një lidhje të çuditshme të diplomatëve francezë me ata malazezë në Shkodër, por kjo do u vinte në mendje më pas. Gjithsesi Isa Boletini dhe shpura e tij mbërrijnë në Cetinë dhe më tej bëjnë një vizitë në ambasadën franceze, ku u tregohet një telegram i paraqitur si urdhër i ministrit të Jashtëm francez për t’i nxjerrë në një vend neutral. Ndërkohë, anglezët, më bujarë, e ftojnë Boletinin ta marrin nën mbrojtje, por nisur nga ligjet e maleve, ai preferon “mikun që i hapi derën i pari”. Pak orë më pas, në mëngjes, Isa Boletini sheh se shtëpia ku bujte ishte rrethuar me xhandarë malazezë. Shqiptarët merren dhe dërgohen në Nikshiq, duke u mbajtur gjatë gjithë kohës nën survejim.

    Ndodhia e një vrasje të bujshme

    Thyerja e frontit malazez nga austriakët në të njëjtën periudhë kohe dënon me vdekje përfundimisht Isa Boletinin. Ushtarët malazezë e shoqërojnë atë bashkë me njerëzit më të afërt në Danilograd dhe më pas në Podgoricë. Më 23 janar 1916, në ditën kur malazezët po u dorëzonin kryeqytetin pa luftë austriakëve, urdhri për vrasjen e Boletinit dhe njerëzve të tij nuk mund të shtyhej më tej. Ekzekutimi i besohet një njësie ushtarake që kishte për qëllim mbajtjen e rregullit në qytet, deri në dorëzimin e tij trupave austriake. Ja rrëfimi i Tafilit, nipit të Isa Boletinit, që i mbijetoi ngjarjes, sipas librit të Skënder Luarasit: “Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin: Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje. “Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as Krajlit, as Mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolverë në duar. Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”, rrëfen i mbijetuari.

    Farsa e pabesisë

    Të marrë në pyetje nga autoritetet austriake, ministrat malazezë u justifikuan se kishin pasur informata se Isa Boletini do të provokonte ngjarje për të djegur dhe plaçkitur qytetin. Sipas tyre, ai ishte vrarë duke sulmuar prefekturën në përpjekje me patrullat e ushtrisë. Organizatorë të drejtpërdrejtë të vrasjes ishin ministri i Luftës, gjenerali Veshoviq, i kunati i Krajl Nikollës, komandanti i Përgjithshëm, gjeneral Janko Vukotiqi, ministri i Punëve të Brendshme, Plamenac, prefekti i Podgoricës, Ramadanoviçi e të tjerë. Trupat e Isa Boletinit dhe njerëzve të tij u vendosën fillimisht në një dhomë të prefekturës, ku u bë edhe identifikimi. Varrimi u bë në Podgoricë dy ditë më pas me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve banorë të zonës. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti një fjalim para se arkivoli i Boletinit të futej nën dhe. Gjithsesi askush nuk besonte për vrasjen e Boletinit, pasi nuk ishte hera e parë që lajmet e bënin të vrarë. Po kështu nuk u besua dhe një komunikatë zyrtare e ushtrisë austriake, që jepte lajmin e vrasjes së tij “gjatë një përpjekjeje me malazezët”.

    Eshtrat e tij u transportuan në Boletin me 25 shtator 2004

    Si e përshkruan Millovan Gjillas masakrën në urën Ribnicës, Podgoricë

    Nuk ka ndodhur shpesh që sllavët të shkruajnë me respekt për shqiptarët, aq më pak ata të jugut. Por duket madhështia e Isa Boletinit i ka kaluar caqet. Millovan Gjillas, shkrimtari i njohur disident, në veprën e tij “Toka pa Drejtësi”, botuar në versionin anglisht në Nju Jork, në vitin 1958, shkruan me respekt për shqiptarin në këtë vepër të tijën, që shumë e kanë krahasuar të barasvlershme me “Donin e Qetë” të Shollohovit. Ja si e sjell ai momentin e vrasjes së Boletinit: “Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë. Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr. Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt. Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur. Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të! Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.

    Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar e përfaqsues i Ushtrisë Shqiptare, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Historiani Edëin Jacques tregon një anekdotë që trajton sa vijon: “Sa hyri në godinën e Ministrisë së jashtme britanike që të mbronte çështjen e kombit të tij, polici i sigurisë i kërkoj të hiqte revolen nga brezi dhe t’a linte në vendin e posaçëm ngaqë duhet të hynte i paarmatosur. Ai e dorzoi pa u ankuar. Gjatë takimit, ministri i jashtëm, Sir Edward Grey, e shoqëroi Boletinin drejt vendit për të rimarrë revolen e tij. Ku ministri qeshi, ‘Gjeneral, gazetat mund të shkruajnë nesër se Isa Boletini, që as Mahmut Shefqet Pasha s’mund t’a çarmatoste, sapo u çarmatos në Londër.’ Boletini ia ktheu me një përqeshje të butë, ‘Jo, jo, as në Londër!,’ dhe nxori nga prapa një revole të dytë.”

  • Rrethimi i kullës së Oso Kukës

    Rrethimi i kullës së Oso Kukës

    Rrethimi i kullës së Oso Kukës (qershor 1862)

    Oso Kuka, i lindur në vitet 1812 ose 1820 në Shkodër, ishte i biri i Bejtullah agë Kukës i njohur si flamurtari i pashait shqiptar të Shkodrës, Mustafa Pashës, pjesëtar i familjes së fuqishme të Bushatllinjëve. Në vitin 1859, nën propozimin e komandantit shqiptar Hodë Sokolit, Oso Kuka u zgjodh kapiten i rojeve të kufirit malazezo-shqiptar në Vraninë, në veri të liqenit të Shkodrës.

    Gjatë asaj periudhe, Oso Kuka formoi një çetë të vogël shqiptare prej 24 burrash, e cila vepronte në zonat shqiptare rreth Vraninës. Në qershor të vitit 1862, një ushtri malazeze prej 8,000 ushtarësh rrethoi kullën e Vraninës ku ishte i pozicionuar Oso Kuka bashkë me 24 luftëtarët e tij.

    Në luftimet e përgjakura që u zhvilluan, forcat e shumta malazeze, nën humbje të mëdha, arritën që të rrethonin gjithë kullën e Oso Kukës. Me të parë që fati i betejës ishte vulosur, Oso Kuka bashkë me luftëtarët e tij u tërhoqën në depon e armëve të kullës dhe vendosën të prisnin forcat malazeze të afroheshin më afër kullës. Me afrimin e forcave sulmuese malazeze, Oso Kuka bashkë me luftëtarët e tij, në vend që të dorëzoheshin, vendosën eksploziv dhe hodhën në erë kullën e rrethuar. Oso Kuka bashkë me 24 luftëtarët e tij u sakrifikuan heroikisht. Në shpërthimin e madh që ndodhi u vranë dhe rreth 100 pushtues malazez.

    Lufta e tij heroike bëri të mundur që Vranina të vazhdonte të ishte nën kontrollin e shqiptarëve deri në vitin 1879, kur Kongresi i Berlinit ia dha Malit të Zi edhe pas protestave të shumta të Lidhjes shqiptare të Prizrenit (1878-1881), ndërsa trimëria e tij la gjurmë të mëdha në historinë shqiptare. Ndër portretizimet më të rëndësishme të tij është bërë nga At Gjergj Fishta në “Lahutën e Malcis” (“cikli i Oso Kukës”) me 5 këngë.

    📸 Vizatim që paraqet Rrethimin e kullës së Oso Kukës në Gazetën “Albania” të Faik Konicës (qershor 1901) /old.albanian.history

  • ADIL FETAHU: RRETHIMI DHE DORËZIMI I SHKODRËS (1912-1913)

    ADIL FETAHU: RRETHIMI DHE DORËZIMI I SHKODRËS (1912-1913)

    Fillimi i Luftës së Parë Ballkanike

    Duke vërejtur dobësimin e Perandorisë Osmane, shtetet e Ballkanit: Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali Zi, të nxitura nga Rusia, lidhën aleancë për ta sulmuar Turqinë e ndarë tokat që do t’i pushtonin. Mali Zi, edhepse i fundit iu bashkua aleancës, ishte i pari që i shpalli luftë dhe sulmoi Turqinë, duke filluar kështu Luftën e Parë Ballkanike.. 

    Sipas kronikës së At Justin Rrotës, botuar në librin e tij: Ditët e fundit të Turqisë në Shkodër, ase rrethimi i qytetit 1912-1913, Lufta e Parë Ballkanike ka filluar më 8 tetor 1912,  kur Mali Zi i shpalli luftë Turqisë dhe menjëherë, të nesërmen  sulmoi Tuzin dhe dogji  fshatrat shqiptare rreth kufirit, por mësymjen më të madhe e ndërmori më 11 tetor, duke u përpjekur të marrin majën e Taraboshit, si pikë strategjike për ta sulmuar pastaj qytetin e Shkodrës. Forcat e ushtrisë turke ishin përgatitur e barrikaduar mirë për rezistencë, ashtu që nuk e lejuan ushtrinë malazeze të depërtojë. Sipas të dhënave zyrtare turke, thuhet se në atë betejën e parë u vranë 800 ushtarë malazezë, ndërsa nga forcat turke u vranë 27 veta, turqë e shqiptarë, ndër të cilët edhe majori Sadedin Beu, i cili komandonte forcat e regjimentit në atë sektor të mbrojtjes. 

    Në kronikat serbe  e malazeze jepen data tjera për shpalljen dhe fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Oficeri i ushtrisë malazeze, Radule Simov Brajaçiq, i cili ka qenë komandant i një njësia të ushtrisë malazeze, në Memoaret e tij, thotë se krajli i Malit të Zi i shpalli luftë Turqisë më 25 shtator 1912, ndërsa mësymjen e parë e ka ndërmarrë më 1 tetor, në një sulm të përgjithshëm në Vraninë, Shipçani e Tuz. 

    Operacionet ushtarake për ta pushtuar Shkodrën zhvilloheshin herë pas herë, në fronte të ndryshme, ashtu që rrethimi i qytetit ka zgjatur më shumë se gjashtë muaj. Gjatë atij rrethimi, qyteti goditej me topa e mitraloza, digjeshin e rrënoheshin objektet dhe vriteshin njerëz. Ka pasur bombardime të qytetit edhe nga aviacioni i Serbisë, që thuhet se kishte angazhuar katër avionë për pushtimin e Shqipërisë.

    Për pushtimin e Shkodrës Mali Zi kishte angazhuar 25000 luftëtarë për rrethimin dhe sulmin e Shkodrës, nga tri anë,  ndërsa forcat mbrojtëse numëronin 5000 ushtarë të rregullt dhe 10.000 shqiptarë vullnetarë e të mobilizuar, nën komandën e Hasan Riza Beut, i cili kishte ardhur në Shkodër në vitin 1911, si vali dhe kryekomandant i ushtrisë.. 

     Forcave malazeze iu ndihmonin edhe 30.000 ushtarë serbë, të cilët kishin depërtuar në jug të Shkodrës, deri në Shëngjin e Tiranë. 

    Me qenë se forcat e Aleancës sllave kishin korrë fitore në frontet tjera kundër ushtrisë turke, më 3 dhjetor 1912 ishte nënshkruar armëpushimi midis tyre dhe Turqisë, por Mali Zi, edhepse ishte pjesë e aleancës,  nuk e përfilli armëpushimin, veçse vazhdoi rrethimin dhe bombardimet e kohëpaskohshme, me qëllim që ta merrte Shkodrën me rrethinë. 

    Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Konferenca e Fuqive të Mëdha në Londër, më 17 dhjetor vendosi të formohet Shqipëria autonome, në të cilën përfshihej edhe Shkodra. Por Mali Zi nuk përfillte as vendimin e Fuqive të Mëdha dhe vazhdonte ta mbajë të rrethuar dhe herë pas herë ta bombardojë qytetin dhe të mësyjë depërtimin e mbrojtjes.

    Esat Pashë Toptani, që kishte ardhur nga Durrësi me 25 000 redifë të tij, jo dhe aqë të disiplinuar e të vendosur për luftë,  ishte emëruar zëvendës-komandanti i Hasan Riza Pashës, gjatë kohës së armëpushimit kishte zhvilluar bisedime të fshehta me malazezët, për t’ua dorëzuar Shkodrën, me kusht që ta ndihmojnë ta merr qeverisjen e Shqipërisë. 

    Më 30 janar 1913, vritet në një atentat kryekomandanti i forcave të mbrojtjes së Shkodrës, Hasan Riza Pasha.

    Kush ishte dhe i u vra Hasan Riza Pasha

    Hasan Riza Pasha ishte lindur në Bagdad (më 1871), kur i ati i tij kishte qenë vali i Bagdatit. Hasani kishte kryer shkollat ushtarake në Stamboll dhe specializimet në Berlin (Gjermani). Ishte ndër oficerët më në zë të ushtrisë turke, prandaj që në moshën 28 vjeçare kishte arritur gradën kolonel. Sulltani Abdylhamidi e çmonte zotësinë e Hasan Rizait dhe e kishte emëruar pashë dhe gjeneral ushtrie.  Pas Hyrjetit, qeveria e xhonturqve e degradoi nga grada e gjeneralit në gradën e kolonelit, por kjo nuk e dëshproi oficerin trim. Në vitin 1911 ishte dërguar në Shkodër komandant i një divizioni të ushtrisë, ndërsa në mars të vitit 1912 ishte emërur vali dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Vilajetit të Shkodrës.

     Elementi katolik e konsideronte Turqinë armikun kryesor, shekullor, fetar, kombëtar e kulturor, prandaj nuk e përkrahte ushtrinë turke në mbrojtjen e Shkodrës. Bile, një pjesë e mirë ishin radhitur në anën e malazezëve, sidomos asi që ishin arratisur në Mal të Zi  nga ekspeditat e Turgut Shefqet Pashës. Hasan Riza Pasha bëri përpjekje dhe deri diku arriti përkrahjen e këtij elementi për ta ndihmuar mbrojtjen e Shkodrës. Ishte në marrëdhënie të mira miqësore me At Gjergj Fishtën, përmes të cilit kërkonte përkrahjen e klerit katolik. Elementi katolik ishte kundër zëvendësimit të një pushtuesi (turk) me një pushtues tjetër (sllav), prandaj pranonte ta ndihmonte luftën për mbrojtjen e Shkodrës, me kusht që ajo luftë të ishte për pavarësinë e Shqipërisë, me Shkodrën kryeqytet,  dhe që Flamuri shqiptar të ngritej në Kalanë e qytetit. Pashai pranoi dhe premtoi se ‘’që nesër Flamuri shqiptar do të valvitej në Kala’’, por kjo nuk ndodhi, sepse duhej pritur pëlqimin nga Stambolli.

     Fishta e quante kryekomandantin: ‘’Fatosi turk i Luftës Ballkanike’’, ndërsa një nga krerët katolik thoshte: ‘’Sikur ta lejonte qeveria turke Hasan Riza Pashën të jetë princ i Shqipërisë’.

    Me propozimin e Hasan Riza Pashës, Sulltani e kishte dekorua At Gjergj Fishtën me një medalje  të vlefshme. Aq shumë ishin miqësuar mes vete Hasan Riza Pasha me At Gjergj Fishtën, sa që komandanti turk kishte kërkuar nga Fishta të shkruante vargjet (shqip) të marshit që do ta këndonin  ushtarët shqiptarë në parakalimet e tyre, gjë që Fishta edhe e bëri duke shkruar këto vargje:

    Prej kah lenë e merr hana Të parët tanë burra çelikut

    M’u çue shekulli kundër nesh, Bota mbarë sot i nderon,

    Djelmë kreshnikë na bani nana Ata i binin anmikut

    Vetëm na u dalim ndesh. Si rrufeja kur veton.

    Më 30 janar 1913, Esat Pashai  dhe At Gjergj Fishta ishin takuar në shtëpinë e Esadit, për të diskutuar për situatën dhe planet e luftës si çështje më aktuale. Dërgojnë agjutantin e Esadit, ta ftojnë Hasan R.Pashën në ato bisedime. Duke u këthye natën nëpër terr nga shtëpia e Esadit, tre veta bëjnë atentat mbi kryekomandantin, dhe pas 5 orëve vdiq në shtëpinë e vet. Detaje të shumta shkruan At Justin Rrota në librin e tij …Rrethimi i qytetit, për vrasjen, amanetet dhe vorrosjen. Në vorrimin e Hasan Riza Pashës morën pjesë mijëra shkodranë, në mesin e të cilëve edhe shumë prelatë katolikë. At Gjergj Fishta kishte mbajtur një fjalim prekës për të ndjerin.

    Në kronikat serbe dhe ato malazeze, thuhet se pashai u vra më 13, diku më 14 dhe diku më 17 janar, por e vërteta është se ai u vra më 30 janar, datë të cilën e saktëson At Justin Rrota, dhe po atë datë e vërtetojnë dy  gjeneralë të ushtrisë turke, në librin e tyre të botuar në vitin 1933. Ata dy gjeneralë turqë kishin qenë në shtabin e Hasan Riza Pashës, me gradë kapiten të klasit të I-rë, gjatë tërë kohës së rrethimit të Shkodrës.

    Pas vrasjes së Hasan Riza Pashës, komandën mbi ushtrinë turke e shqiptare në Shkodër  e mori vet Esad Pasha, i cili ishte zëvendës i komandantit të vrarë.

    *

    Rrethimi, bombardimi shkatërrimi i Shkodrës nga forcat malazeze e serbe, dhe vuajtjet e varfërimi i popullsisë me krizën (zinë) e bukës, me të vrarë e të plagosur të shumtë, mungesë të kushteve për kujdesin ndaj të plagosurve, mungesën e druve a qymyrit për furrat e bukës vazhdoi edhe tre muaj. 

    Për vuatjet e popullit gjatë atij rrethimi e bombardimi më se 6 muaj, kanë shkruar edhe gazetarë e misionarë të huaj, ndër të cilët edhe Edit Durham. Por, kronikën më të plotë e më të saktë për rrethimin e Shkodrës, luftimet e zhvilluara, viktimat e luftës dhe krizën e bukës, e ka dhënë At Justin Rrota në librin e tij: ‘’Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër, ase Rrethimi i qytetit 1912-1913, Botime Françeskane, Shkodër, 2020.

    ***

    Më  22-23 prill 1913, në Doganën e Shkodrës, pas bisedës së përfaqësuesve të pushtetit turk, në mesin e të cilëve ishte edhe Esad Pasha, si komandant i ushtrisë, nga njëra anë, dhe palës malazeze të prirë na princi Danillo, kryekomandant i ushtrisë malazeze, e gjenerali Vukotiq dhe ministri Pllamenac, nga ana tjetër, u arrit marrëveshja e dorëzimit të Shkodrës forcave malazeze.  Kushtet e dorëzimit të Shkodrës i diktori princi Danillo, të formuluara si marrëveshje. Teksti i marrëveshjes së dorëzimit të Kështjellës dhe qytetit së Shkodrës, ka këtë përmbajtje:

    Të gjithë ushtarët, në daç nizamë në kjofshin, në daç redifë, kështu edhe çdo klasë rezervistash, janë të lirë me e lanë qytetin, tue marrë me vete armët e veta, si edhe ushqimet e municionet.

    Ashtu edhe ata prej popullit, pjesëtarë të këtij qyteti, të cilët dëshirojnë, edhe ata munden me shkue mbrapa ushtarëve, tue bartë me veti armët e teshat e veta e gjithçka që duan. 

    Nuk ka për t’ju ba kush farë damit, as nuk kanë për t’u shkelë  tagret personale atyne myslimanëve, që gjinden mbrenda ledhave të qytetit. As nuk ka për të prekë kush kurrnjenin asish që morën pjesë në luftë kundra nesh; mbasiqë ata me këtë punë nuk kanë ba tjetër veçse kanë krye detyrën e vet, tue i dalë zot atdheut. Në një mënyrë të posaçme mund të jenë të sigurt, si populli mysliman, si edhe ai i krishterë, se nuk ka për t’i prekë kush në fe, ashtu edhe në punë nderi a të zakoneve të veta kombëtare. 

    Repartet e ushtrisë në të nisun kanë për të mujtë me marrë me vete, pos petkash të shtatit, të gjitha plaçkat, çadrat, shrojet, kazanat etj,; me nji fjalë, gjithçka t’u duhet atyne për rrugë; shkurt, mund të marrin me vete secili gjithçka mund të ngarkojë,  kërkush s’u thotë gja. Për ma tepër, po deshën, na mund t’u japim atyne, për me i përcjellë teshat, në paçin nevojë edhe qerre, kuaj e çka t’u duhet, për me bartë.

    Të gjithë zyrtarët, civilë e ushtarakë, si b.f. xhandarët e policët, të cilëve u ka anda me iu vue mbrapa ushtarëve, munden gjithsa duen; s’u pret kush rrugën.

    Ushtria, kur të bajë me u nisë e me e lanë Shkodrën, ka për të kenë e përcjellun prej nji gjenerali e prej disa oficerash të Malit të Zi.

    Robët e luftës, serbët, kanë për t’iu dorëze kryekomandantit të ushtrisë malazeze. 

    Në dash nënshtetasve të zanë rob, në dash edhe të varruemvet të vendit, u sigurohet, me dorëzani, se kemi për t’i ra mbrapa shërimit të tyne. Prandej, u japim lejen të rrijnë në Shkodër të gjithë ata që të jenë të nevojshëm, si mjekë e sanitarë turqë, edhe me u ndalë, deri sa ta shohin të rrugës. Me të mbaruemën punë si mjekët si të mjekuemit, të gjithë edhe këta kanë për të kenë përcjellë deri në kufi, me shpenzimet e shtetit malazias.

    Të gjitha aktet e dokumentat ushtarake autoritetet turke janë të lira t’i marrin me vete. Pos këtyne, komanda ka për të marrë me vete edhe të tana njato akte zyrtare, me të gjitha dosjet, që t’i duken të nevojshme kryekomandantit të ushtrisë turke.

    Prap, edhe të gjitha pushkët  automatike (mitralozat), si edhe topat e shpejtë, bashkë me ata të fushës, me të gjitha municionet përkatëse, këto të tana ushtria otomane ka tagër t’i marrë me vete.

    Të gjitha shkresoritë e artikujt e korrespondencës ushtria turke mund t’i ngarkojë e mund t’i barti me vete.

    U jepet një amnisti e falje e përgjithtë atyne që gjatë luftës u munduen në çdo mënyrë me iu gjete qeverisë otomane, me spiunazhe a ndryshe.

    Gjithashtu janë të falun edhe ata nënshtetas malazezë, të cilët, a pse t’ikun prej vendit të vet, ase për çdo arsye tjetër ndodheshin mbrenda në Shkodër, dhe morën armët e luftuen krahpërkrah me ushtrinë otomane kundra nesh.

    Po kje se kanë nevojë ndonji gja për rrugë ushtria, Mali Zi për deri ku të mundet, ka me u ardhë në ndihmë për çka u nevojitet.

    Kryekomandanti i ushtrisë së Shkodrës, ka për t’ia lëshue ushtrisë së Malit të Zi Kështjellën e qytetit, ponjashtu të paprekun, sikurse edhe nuk ka për t’i prishë e çue dam njato mjete komunikacionit e marrëdhanjesh, të cilat u vleftën atyne në kohën e rrethimit. 

     Më 23 prill 1913, ora 8 paradite kanë për të fillua me u dyndë ushtria turke, tue lirue Taraboshin, Bardhanjorët dhe llogoret e Fushës së Shtojit. Sa për kodrat e Tepes, këto kanë për t’u marrë në dorëzim nesër paradite, njandej kah ora 11. Fushën e Shtojit, këtë ka për ta marrë në dorëzim Mali Zi në orën 3 mbas mjesditet.

    Shkodër, 9-10 prill 1329

        22-23 prill 1913

    Zavendës valiut e komandant Kryekomandanti i ushtrisë së

    i armatës së Shkodrës, gjeneral Malit të Zi, Princi trashëgimtar

    shtrie, nënshkrue, ESAD nënshkrue, DANIL

    ***

    Siç shihet nga përmbajtja e Marrëveshjes për dorëzimin e Shkodrës, kushtet e shtruara nuk ishin shumë të ashpra ose armiqësore, por të shtrueme  me korrektësi,  me bujari e burrëri (shih pikat: 3, 7, 8, 9, 11 e 12), gjë që rritë dyshimin  se ishin rezultat i tradhtisë. 

    Më 25 prill, princi Danillo në ballë të rreshtit të ushtarëve, hyni zyrtarisht në Kështjellë, ku e nguli flamurin e vet, duke thënë: ’’Flamur i dashur, ti që na kushtove aq shtrejtë, ti që kje la me gjakun e sa bijvet tu, rrnofsh e kjofsh. Ty unë tash po të nguli, e këtu ke për të mbetë përgjithmonë…’’.

    Por, gëzimi i malazezëve, as flamuri i tyre në Rozafat nuk zgjati as dy javë të plota, pasiqë Fuqitë e Mëdha i detyruan ta lëshojnë Shkodrën, ku u vendosën forca ndërkombëtare, të cilat do ta qeverisën qytetin deri në mars të vitit 1914, kur bashkësia ndërkombëtare e dërgoi princ Vidin për ta qeverisur Shqipërinë, i cili poashtu nuk e pati gjatë qeverisjen, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. 

    Duke ditur se do të detyrohen ta lëshojnë Shkodrën, ushtria malazeze nuk la gjë pa plaçkitur, rrënuar e djegur, sidomos në pjesën myslimane të popullsisë së qytetit dhe të fshatrave. E dogji edhe Pazarin e Shkodrës, që ishte pazari më i mirë në Evropën lindore. 

    Kështu përfundoi rrethimi i Shkodrës, me viktima të shumta nga të dy palët, por derisa viktimat e turko-shqiptare ishin në mbrojtje të vendit, viktimat serbo-malazeze shkuan huq. Malazezët edhe sot konsiderojnë se Serbia i tradhtoi, i la vetëm pasi u tërhoq nga fronti sipas kërkesës së fuqive të mëdha.

  • Si u bombardua Shkodra në 1912-ën! Flet historiani ushtarak!

    Si u bombardua Shkodra në 1912-ën! Flet historiani ushtarak!

    Studiuesi ushtarak Përparim Rexhepaj i ftuar në emisionin “Shqip nga Dritan Hila” në DritareTv foli për rrethimin e Shkodrës në Luftën e Parë Ballkanike, nga ushtria malazeze. Zoti Rexhepaj tregon tentativat dhe dështimet e ushtrisë malazeze për të marrë rrethinat e Shkodrës dhe më pas bombardimin e qytetit. Pavarësisht se ishte një luftë shkatërruese, shkodranët nuk u dorëzuan përballë malazezëve. Pastaj më 18 nëntor 1912 Shkodra u rrethua në jug të saj nga ushtria serbe, e cila pasi pushtoi Lezhën, kërkonte të pushtonte edhe Durrësin, për të pasur dalje në det.

    “Synimi i Malit të Zi ishte të pushtonte Shkodrën, të merrte fushat pjellore mbi qytet. Donte të pushtonte Shkodrën, Lezhën dhe Lumin Mat deri në Portin e Shëngjinit. Por ishte një vend i vogël. Megjithatë ishte i pari që sulmoi Turqinë. Mbreti Nikolla i Malit të Zi mblodhi disa njerëz të tjerë dhe me një top qëlloi në drejtim të Shkodrës. Një nga gjeneralët më të zotë malazezë tha se për 10 ditë do ta merrnin Shkodrën. Ushtria malazeze ishte tip milicie, nuk kishte ushtarë aktivë. Nuk kishte ushtri të përhershme, edhe armatimet i kishte të vjetra. Mali i Zi mendonte se do ta merrte shpejt Shkodrën, sepse kishte mbështetjen e Italisë. Ndërsa ushtria shqiptare me ne krye fillimisht Hasan Riza Pashpën dhe më pas Esat Pashë Toptanin, ishin rreth 24 mijë vetë në ushtri, 4-5 mijë ishin turq dhe pjesa tjetër shqiptarë. Pra kemi të bëjmë me një mbrojtje që shqiptarët i bëjnë Shkodrës. Komanda e lartë malazeze vendosi që goditjen kryesore ta jepte në drejtim të Shkodrës dhe pjesa tjetër të shkonte në drejtimin lindor, të pushtonte Plavën, Gucinë, Pejën, Gjakovë dhe Prizrenin. Malazezët pushtuan fillimisht Tuzin. Për tre ditë u sulmua Tuzi dhe garnizoni kapitulloi. Ushtarët malazezë silleshin në mënyrë shtazarake me robërit e luftës. Pasi morën Tuzin. Nga veriu u bë rrethimi i Shkodrës, sepse në jug vinin ndihma. Beteja më e madhe u bë në Shtojë. Në Shkodër shkuan batalione me rezervistë të Tiranës, të Shijakut dhe të Dibrës. Ishin 300 vetë vullnetarë nga Shkodra, nga Martaneshi 100 vetë, nga Postriba, 77 vetë. Komandant ishte Sadik Tirana. Vetëm Shijaku çoi 500 vetë në Luftën e Shkodrës dhe 95 u vranë.

    Në Shtojë malazezët pësuan humbje shumë të rënda sepse nuk ishin mësuar me luftën moderne, dinin vetëm luftën me pritë. E kishin për turp ushtarët malazezë të shtriheshin përtokë. Atje u vranë shumë malazezë. Dështoi mësymja. U dha goditja pastaj nga Taraboshi. Edhe Taraboshin nuk e morën dot dhe menduan që goditjen kryesore ta jepnin në Bardhaj, por edhe këtu dështuan. Atëherë mbreti Nikolla dha urdhër të bombardohej qyteti i Shkodrës. Kështu nisi bombardimi me artileri ruse ditën dhe natën. Fillimisht lagjja e myslimanëve, mirëpo nuk dha efekt sepse familjet myslimane shkonin te familjet katolike që i pranonin në shtëpitë e tyre. Atëherë nisi bombardimi i gjithë qytetit, madje edhe i konsullatave të huaja. Pati shumë dëmtime, por nuk pati shenja dorëzimi. Taraboshi ishte rajoni më i fuqishëm i mbrojtjes. Dhe gjeneralët thoshin kush ka Taraboshin, ka Shkodrën. Dhe mbrojtja e Shkodrës u ndërtua mbi këto rajone; kryesori ishte Taraboshi, pastaj Bërdica, pastaj Tepja, Bardhaj i Madh dhe Bardhaj i Vogël dhe në fund Shtoji. Ishte dhe një formacion rezervë që mbahej ne Tepe. Malazezët dështuan nuk e morën dot vetëm Shkodrën. Pastaj në 18 nëntor hynë në Lezhë, dy divizione serbe. Pasi morën Lezhën, serbët u nisën në drejtim të Krujës, Tiranës dhe Durrësit. Objektivi kryesor që Durrësit. Kur u pushtua Durrësi, Austro-Hungaria reagoi menjëherë dhe i tha t’i tërhiqte trupat nga Durrësit sepse nuk donte që Serbia të kishte dalje në det.

    Pra u rrethua plotësisht garnizoni i Shkodrës, në veri ishin malazezët, në jug serbët. Nuk e kam të qartë se çfarë qëndrimi mbajti komanda e lartë turke ndaj Janinës dhe Shkodrës. T’i dorëzonin apo jo. Me gjithë tentativat e ushtrisë serbo-malazeze për të marrë Shkodrën nuk ia dolën. Gjenerali serb u tregua i matur, deri sa i erdhi urdhri nga Serbia që të tërhiqte trupat. Më 23 mars 1913 Serbia urdhëroi tërheqjen e trupave nga Shkodra sepse Konferenca e Paqes në Londër vendosi që Shkodra të ishte pjesë e Shqipërisë. Në prill trupat serbe nga Shëngjini shkuan sërish në Selanik, bashkë me trupat greke.”, u shpreh zoti Përparim Rexhepaj, i cili është nënkolonel në pension, historian ushtarak dhe për shpjegimin që bën i referohet arkivave serbe, malazeze, greke, otomane, shqiptare dhe botimeve amerikane e angleze./K.C/dritare.net

  • Tenderi për aeroportet! Përplasje në qeverinë e Malit të Zi: Kërkohet të favorizohet Rinas-i

    Tenderi për aeroportet! Përplasje në qeverinë e Malit të Zi: Kërkohet të favorizohet Rinas-i

    FOTO ILUSTRUESE

    MALI I ZI-Tenderi për të dhënë me koncesion aeroportet e Podgoricës dhe Tivatit ka shkaktuar një debat të thellë në qeverinë malazeze, ku shkak janë bërë planet e kompanive, pjesë e të cilave përmendet edhe ai i Rinas-it. Sipas raportimeve nga mediat malazeze, qeveria e Malit të Zi është ndarë në dy kampe. Nga njëra anë qëndron kryeministri Milojko Spajiç me njerëzit e tij dhe nga ana tjetër zëvendëskryeministri shqiptar Nik Gjeloshaj dhe ministrja e Transportit, Maja Vukićević.
    Kryeministri Milojko Spajiç dhe zëvendësi i tij, Nik Gjeljosaj, kanë kundërshtuar publikisht njëri-tjetrin në rrjetet sociale. Spajiç beson se oferta e koreanëve u skualifikua padrejtësisht, ndërsa Gjeloshaj është kundërpërgjigjur ashpër duke akuzuar dhe IFC-në si konsulente e tenderit, për korrupsion. Përlasja ka arritur deri në pikën e paranojës, teksa zyra e kryeministrit malazez akuzon për komplot shqiptar me qëllim dështimin e koncesionit për të favorizuar aeroportin e Rinasit.
    Konkretisht kompania luksemburgo-amerikane planifikon të fillojë punën në mars të vitit 2026, ndërsa kompania koreane në janar të vitit 2027. Por një ditë më parë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i drejtuar nga zëvendëskryeministri shqiptar, Nik Gjeloshaj, skualifikoi ofertën e kompanisë koreane Incheon, duke shpallur kështu fitues kompaninë tjetër të mbetur në garë Corporation America Airports SA.
    Kompania e shpallur fiuese, CAAP synon të krijojë një bazë ajrore të destinuar për kompanitë me kosto të ulët në të dy aeroportet (tre aeroplanë Wizz Air në Podgoricë dhe dy aeroplanë EasyJet në Tivat), i pari do të jetë gati për përdorim në vitin 2029 dhe i dyti në vitin 2034.
    Ndërkohë, sipas Vijesti, kompania koreano-jugore nuk planifikon të krijojë baza të tilla, por do t’i inkurajonte kompanitë me kosto të ulët të zvogëlojnë ose të tërheqin shërbimet e tyre nga aeroportet malazeze, domethënë të ridrejtohen në aeroportet fqinje, si Dubrovniku dhe Tirana, ku janë në fuqi programe më tërheqëse nxitëse.
    Dokumenti thotë se “IIAC duket se po injoron kërkesën e mundshme për avionë të bazuar nga transportuesit me kosto të ulët në aeroportet malazeze”.
    “Propozimi për të rritur numrin e itinerareve të operuara nga transportuesit me shërbim të plotë (FSC) nuk mbështetet nga supozime të qarta ose studime tregu që tregojnë kërkesë të mjaftueshme për shërbime të tilla. Duke parë trendet rajonale në vende si Kroacia, Serbia dhe Shqipëria, ka pasur një rritje të konsiderueshme të trafikut të pasagjerëve, kryesisht falë linjave ajrore me kosto të ulët, me një pjesë në rënie të transportuesve tradicionalë. Ky trend është kryesisht për shkak të natyrës së turizmit në Ballkan, i cili tenton të tërheqë udhëtarë me buxhet të kufizuar,”-thuhet në raport.
    Kryeministri Milojko Spajiç ka reaguar gjithashtu shumë ashpër ndaj skualifikimit të koreaneve duke urdhëruar tërheqjen e njerëzve të tij nga komisioni i tenderit si dhe duke paralajmëruar kallëzim në prokurori. Një burim pranë kampit të Spajiçit tha se tre përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë nuk do të nënshkruajnë procesverbalin e komisionit të tenderit, pasi dyshojnë për paligjshmërinë e procesit të pikëzimit.
    DEBATI:
    Kampi i kryeministrit Spajiç dyshon se Gjeloshaj dhe ministrja e Transporteve Maja Vukiçeviç, e cila është edhe anëtare e komisionit, synojnë sabotimin e tenderit, sepse pa investime të mëdha, aeroportet malazeze nuk do të ishin në gjendje të konkurronin aeroportin e Tiranës dhe duke mbetur në pronësi të shtetit, do të ishin ende në subjektin e punësimit të Partisë Popullore Demokratike.
    “Do të thërrasin policinë dhe prokurorinë për të hetuar gjithçka”, tha burimi, i pyetur se kush duhet të përcaktojë paligjshmërinë e pretenduar të procedurës.
    Gjeloshaj: Ne nuk kemi besim te konsulenti
    Gjeloshaj iu përgjigj ashpër letrës së IFC-së dhe qëndrimit të Spajiç, duke thënë se “shumica dërrmuese” e komisionit nuk besonte në shumicën e veprimeve të IFC-së. Ai tha se nuk do të pranonte kurrë poshtërimin e qeverisë dhe shtetit, duke paraqitur një raport tek “konsulentët që ne paguajmë, por e kundërta, që ata të japin llogari për veprimet e tyre”.
    “IFC-ja ka gjykuar gabimisht nëse beson se anëtarët e Komisionit të Tenderit duhet të jenë vetëm figura dhe shtesa, për të konfirmuar çdo dëshirë të IFC-së, ose më mirë për të miratuar çdo urdhër që përcjell partneri i Incheon-it, Bodin Bulatović (shefi i IFC për Ballkanin),” deklaroi Gjeloshaj.
    Afati brenda të cilit komisioni i tenderit duhej të përfundonte të gjithë punën dhe të paraqiste një raport në Ministrinë e Transportit mbi vlerësimin e ofertave skadon nesër. Ministria e Transportit duhet më pas, brenda 30 ditëve, t’i propozojë Qeverisë përfundime për miratim, domethënë një listë renditjeje që tregon se cila është oferta më e mirë në tender. Qeveria mund t’i miratojë këto përfundime, por gjithashtu të vendosë që oferta më e mirë nuk i plotëson nevojat e Malit të Zi dhe ta anulojë tenderin.
    Një nga opsionet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, e cila kërcënon të destabilizojë Qeverinë dhe shumicën qeverisëse, është zgjatja e afatit për komisionin e tenderit për të paraqitur një raport në Ministrinë e Transportit me vendim të Qeverisë.

  • Mali i Zi do të prodhojë dronë me ndihmën e Amerikës

    Mali i Zi do të prodhojë dronë me ndihmën e Amerikës

    Rajoni E Mërkurë, 4 Qershor 2025 17:44
    Autoritetet malazeze planifikojnë të fillojnë prodhimin e dronëve pa pilot, në bashkëpunim me një kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe seria e parë do t’i dhurohet Ukrainës, shkruan në një dokument të Qeverisë së Malit të Zi. Kjo qeveri thekson se kjo nismë është në përputhje me orientimin strategjik të Malit të Zi dhe se, mes tjerash, ajo do të forcojë industrinë vendase të mbrojtjes.
    “Do t’i përmirësojë kapacitetet e Ushtrisë në raport me NATO-n, do t’i mbështesë nevojat mbrojtëse të Ukrainës, si dhe do ta pozicionojë Malin e Zi si një furnizues të besueshëm të pajisjeve më moderne të mbrojtjes në tregun global”, sipas Qeverisë malazeze. Se kur do të fillojë prodhimi, nuk dihet, e as sa para do t’i ndajnë autoritetet malazeze për këtë qëllim. Në dokument thuhet se marrëveshja me vlerë deri në 15 milionë dollarë, do të mbështetet nga administrata amerikane e udhëhequr nga presidenti Donald Trump. Përndryshe, këto janë paratë që SHBA-ja i ka ndarë për Ushtrinë e Malit të Zi.

    Çka parasheh letër-qëllimi?
    Në seancën e mbajtur më 29 maj, Qeveria e Malit të Zi miratoi një “letër-qëllim” për të investuar në prodhimin e sistemeve të avionëve pa pilot (UAS) dhe zhvillimin e eksporteve nga aeroportet malazeze. Kjo letër do të nënshkruhet së shpejti nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, dhe drejtori i kompanisë By Light professional IT services LLC., Robert J. Donahue. Ajo do të jetë një hyrje në kontratën që do të duhet të nënshkruhet në shtator. Ministria e Gjeloshajt nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se ku do të ndërtohet fabrika, kur duhet të fillojë prodhimin dhe sa njerëz do të punësohen. Mali i Zi, gjithashtu, konfirmon me dokumente se do të sigurojë një kornizë legjislative për prodhimin dhe eksportin e komponentëve ushtarakë dhe të materialeve të rrezikshme. Qeveria është duke punuar në një projektligj për prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, i cili duhet të jetë gati deri në fund të vitit. Në këtë iniciativë marrin pjesë tetë ministri, Agjencia për Aviacion Civil dhe Aeroporti i Podgoricës.
    Bashkëpunimi me kompanitë malazeze
    Qeveria e Malit të Zi do të ndajë gjithashtu fonde për krijimin e një kapaciteti prodhues për sisteme ajrore pa pilot, në bashkëpunim me kompaninë By Light dhe partnerin e saj 4WINDS LLC, të cilët do të themelojnë një kompani në Mal të Zi për nevojat e këtij projekti. Marrëveshja parashikon shfrytëzimin e kompanive nga Mali i Zi dhe rajoni për testimin e teknologjive ajrore dhe nënujore të sistemeve pa pilot. Në mënyrë të veçantë përmenden dy kompani nga veriu i Malit të Zi, të cilat merren me prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe eksplozivëve – Tara Aerospace nga Mojkovci dhe Poliex nga Beranja. Më herët, ato kanë qenë pjesërisht ose plotësisht në pronësi të shtetit, por, ndërkohë, janë privatizuar. Qeveria i ka ruajtur 12.5 për qind të aksioneve në Tara, e cila është e specializuar për sistemet e sigurisë ajrore dhe vitin e kaluar e ka mbyllur me mbi 8.6 milionë euro fitim. Poliex në Berane, që prodhon eksplozivë, ka operuar gjithashtu me mbi 4.2 milionë euro fitim.
    Deri në dhjetë orë fluturim
    Në ueb-faqen e kompanisë amerikane By Light mund të gjenden katër lloje dronësh. Aty thuhet se këto mjete fluturuese kanë “kohë të gjatë qëndrimi në fluturim dhe zhurmë të ulët, ndërsa njëkohësisht ofrojnë kapacitete të shumëfishta operacionale si në ajër, ashtu edhe në ujë”. Më moderni mes tyre është HALO-6 VTOL, ngarkesa maksimale e të cilit është 27.2 kilogramë dhe mund të qëndrojë në ajër deri në dhjetë orë. Kjo kompani ofron gjithashtu trajnime për pilotë dronësh. Ajo dhe degët e saj kanë fituar kontrata të vlefshme me institucionet amerikane.
    Vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën
    Qeveria e Malit të Zi zotohet se do t’i dhurojë Ukrainës serinë e parë të prodhimit të hershëm të sistemeve pa pilot dhe të pajisjeve mbrojtëse shoqëruese. “Konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë nënvizon nevojën urgjente për sisteme UAS dhe transportin e sigurt të materialeve të rrezikshme”, thuhet në dokument. Dronët përdoren shpesh në konfliktin mes forcave ruse dhe ukrainase, i cili mori hov pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.
    Mali i Zi – anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – i ka ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake prej 11.3 milionë eurosh që nga fillimi i pushtimit, ka strehuar qytetarë ukrainas dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
    Së voni, Mali i Zi dhe Ukraina kanë rënë dakord për tekstin e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare të bashkëpunimit, e cila i referohet mbështetjes në rast të një sulmi të armatosur, investimeve në industrinë e mbrojtjes, bashkëpunimit të inteligjencës dhe rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta. Marrëveshja nuk është nënshkruar ende. Një marrëveshje e ngjashme me Ukrainën është nënshkruar deri më tani nga tridhjetë vende – kryesisht anëtare të NATO-s. REL

  • Policia malazeze arreston një shqiptar në kufirin Sukobin, kërkohej nga Interpol për vjedhje

    Policia malazeze arreston një shqiptar në kufirin Sukobin, kërkohej nga Interpol për vjedhje

    Punonjësit e policisë malazeze në pikën kufitare Sukobin (Murriqan) arrestuan shtetasin shqiptar F. B, 25 vjeç, nga Shkodra, i cili ishte në kërkim me fletëarrest ndërkombëtar të lëshuar nga NCB Interpol Wiesbaden nga Gjermania.
    Urdhri ndërkombëtar është lëshuar me urdhër të gjykatës në Leipzig, me qëllim sigurimin e shtetasit F. B, në procedurë penale, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë me thyerje të banesës, për të cilën Kodi Penal Gjerman parashikon dënim me burg deri në dhjetë vjet.
    F.B, siç shtohet, është urdhëruar nga gjyqtari hetues i Gjykatës së Lartë në Podgoricë që të ekstradohet. “Për këtë rast do të ketë komunikim të mëtejshëm ndërmjet interpoleve të Podgoricës dhe Wiesbadenit”, thuhet në njoftimin e policisë.