Dëshmitë e 4 mjekëve në seancën e dhjetë të procesit gjyqësor për vdekjen e “Pibe de Oro”, ndodhur më 25 nëntor 2020, përbëjnë një akt të ashpër akuze ndaj neurokirurgut Leopoldo Luque, i cili më 3 nëntor 2020 vendosi ta operonte në kokë Diego Armando Maradonën. Të gjithë pohuan se ajo ndërhyrje për një hematomë subdurale nuk ishte aspak e nevojshme. Këtë e raporton gazeta argjentinase “La Nación”.
“Nuk kishte urgjencë për heqjen e hematomës”, – deklaroi përpara gjykatësve neurokirurgu Guillermo Burry, drejtor i repartit të neurologjisë në spitalin Ipensa të La Plata-s, ku Diego ishte shtruar më 2 nëntor 2020, duke shpjeguar se bëhej fjalë për “një pacient me sëmundje të tjera shoqëruese dhe unë sugjeroja që të trajtoheshin më parë këto probleme shëndetësore, pasi një menaxhim i keq pas operacionit do të komplikonte shëndetin e pacientit”.
Sipas Burry, mjeku personal i legjendës argjentinase të futbollit, Luque, pretendonte se bëhej fjalë për një hematomë të madhe dhe se duhej operuar, edhe pse “i thosha se nuk ishte e përshtatshme.”
Këtë version e konfirmoi edhe mjeku traumatolog Flavio Tunessi, i cili përveçse punon në Ipensa, është edhe një nga mjekët e klubit Gimnasia y Esgrima de La Plata, skuadra që drejtohej nga Diego në atë kohë.
Tunessi kujtoi se hematoma subdurale nuk ishte faktori që shkaktonte gjendjen klinike të tij dhe se kur mbërriti Luque, i thanë që nuk do ta mundnin ta operonin në Ipensa, pasi specialistët ishin kundër ndërhyrjes. “Rri i qetë dhe faleminderit për mbështetjen. Do ta çoj në Buenos Aires”, – u përgjigj Luque, sipas Tunessi.
Luque, sot një nga 7 të pandehurit për vrasje nga pakujdesia, vendosi ta transferonte në Klinikën Olivos të Vicente López, në provincën e Buenos Airesit. Sipas mjekut klinik Marcos Correa, vendimin për ta transferuar Diegon nga Ipensa “e mori Luque, nuk kishte familjarë.
Pacienti (Maradona) kishte besim te çfarë i thoshte ai dhe Luque i foli Maradonës duke i thënë që duhej të operohej”. Edhe sipas mjekut të katërt, Martín Cesarini, specialist në neurologji në Ipensa, Diego “klinikisht nuk shfaqte asnjë deficit që të justifikonte një ndërhyrje të tillë në kokë”.
Tag: luque
-

Vazhdon gjyqi për ndarjen nga jeta të Maradonës, mjekët ekspertë: Nuk duhej të operohej në kokë
-

Ish-partnerja e legjendës përlotet në sallën e gjyqit, teksa dëshmonte: E lanë Maradonën të vdiste i braktisur
San Isidro, Argjentinë… Me zërin që i dridhej dhe sytë e mbushur me lot, Verónica Ojeda, ish-partnerja e Diego Armando Maradonës dhe nëna e djalit të tij më të vogël, Dieguito Fernando, dëshmoi në seancën e nëntë të gjyqit penal për vdekjen e legjendës së futbollit. Në një dëshmi tronditëse, ajo ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj ekipit mjekësor që kishte në dorë shëndetin e Maradonës ditët e fundit të jetës së tij.
“Të gjithëve na thoshin se ishte më mirë ta shtronim në një shtëpi, pra të ndiqej në kushte shtëpie, – tregoi Ojeda para trupit gjykues. – Na thanë se do të kishte infermierë, se do të ishte sikur i shtruar në spital. Gjithçka që do të kishte në një spital, do të ishte edhe në shtëpi. Luque dhe Cosachov na thanë kështu…”
Por realiteti ishte krejt ndryshe nga premtimet. Verónica e përshkroi shtëpinë ku u vendos Maradona në Tigre si të papërshtatshme dhe të padenjë për një njeri në gjendjen e tij shëndetësore: “Shtëpia në Tigre nuk ishte e pajisur me aparatura mjekësore, ishte e ndotur. Pra, nuk ishte e përshtatshme për ta ndjekur nga ana shëndetësore aty. Nuk kishte as një banjë të denjë”.
Më tej, Ojeda vuri në shënjestër edhe rrethin e afërt të Maradonës, duke sugjeruar se shumë prej tyre nuk donin të mirën e tij. “Ata donin ta shihnin Diegon keq, nuk donin ta shihnin mirë. Nuk donin që ai të ishte i vetëdijshëm dhe i aftë për ta shijuar jetën”, – u shpreh ajo me trishtim.
Një moment veçanërisht prekës ishte përshkrimi i vizitës së saj të fundit te Diego, vetëm dy ditë para vdekjes së tij, më 23 nëntor 2020. “Mbërrita rreth orës 5 të pasdites, – kujtoi ajo. – Diego ishte vetëm, me Corian dhe një infermiere bionde, që rrinte ulur në dhomën e ndenjjes duke lexuar një revistë. Kur hyra, i thashë: Diego, çfarë të ka ndodhur? Ishte i fryrë, i shformuar, barku, duart… të gjitha të fryra”.
Në dëshminë e saj, Ojeda tha gjithashtu se ishin mashtruar nga mjekët që kujdeseshin për Maradonën. Ajo akuzoi neurokirurgun Leopoldo Luque dhe psikiatren Agustina Cosachov për mungesë transparence gjatë një operacioni vendimtar: “Luque na tha se e kishte operuar ai vetë, por më pas mësuam që e kishte operuar një tjetër mjek. Është çmenduri, por kështu ka qenë. Na gënjyen në sy të gjithëve. Na qeshën në fytyrë”.
Në këtë proces gjyqësor, ku janë të pandehur 7 persona, përfshirë Luque dhe Cosachov, dëshmia e Ojeda pritet të luajë një rol kyç në zbardhjen e përgjegjësive për vdekjen tragjike të një prej figurave më të dashura të futbollit botëror. -

Dy motrat tregojnë çfarë iu tha Maradona para vdekjes, e pamundur të mos prekesh thellë…
Në Buenos Aires vazhdon procesi gjyqësor për vdekjen e Diego Armando Maradonës. Kjo po ndodh në Gjykatën Penale të San Isidros, ku 7 të akuzuar (mjekë dhe infermierë) rrezikojnë dënime nga 8 deri në 25 vite burg.
Në seancën e fundit kanë dëshmuar motrat e kampionit argjentinas, i cili vdiq në mënyrë tragjike në moshën 60-vjeçare, më 25 nëntor 2020: Ana dhe Claudia. Ishte e pamundur të mos prekej kushdo i pranishëm në sallë, kur Ana (74 vjeçe) tregoi fjalët e fundit që Diego i tha disa ditë para se të ndërronte jetë: “Herën e fundit që e pashë vëllain tim ndodhej në klinikën ku ishte operuar në kokë. Ishte pas operacionit dhe dukej mirë. Pastaj filloi të ankohej dhe e pyeta nëse kishte dhimbje. Po, më dhemb shpirti, – më tha”.
Ana dhe Claudia e përshkruan Maradonën si një vëlla “i pranishëm dhe i dashur”, që gjithmonë iu kishte thënë se donte t’i shihte mirë.
Të dyja motrat e morën lajmin për vdekjen e Diegos në të njëjtin moment: “Na telefonuan dhe na thanë se ishte alivanosur. Shkuam menjëherë me motrat. Vajzat e tij dhe nëna e tyre (Claudia Villafañe) ishin tashmë aty. Kur arritëm, mësuam se kishte vdekur. Vajzat na e thanë”, – rrëfeu Ana, më e madhja nga 8 vëllezërit dhe motrat “Maradona”.
Në dëshminë e tyre, Ana dhe Claudia përmendën edhe takimin ku u vendos që Diego të dilte nga klinika për të vazhduar rehabilitimin në një shtëpi private, në rezidencën San Andres, ku më pas do të ndërronte jetë në kushte të mjerueshme dhe pa përkujdesje.
Ato thanë se nuk kishin dhënë mendimin e tyre, por kishin dëgjuar vetëm opsionet që kishin propozuar vajzat e Diegos, pas një konsultimi me mjekët: qëndrimi në klinikë ose kujdesi në shtëpi.
“Qëndrimi në spital do të kishte qenë shumë i vështirë për shkak të karakterit të vëllait tim, ndaj të gjithë sugjeruan që të qëndronte në shtëpi. Nuk e mbaj mend saktësisht kush e propozoi, por të gjithë ishin dakord”, – tha Claudia.
Të dyja motrat theksuan se Diego ishte një pacient që “bënte çfarë donte” dhe “i refuzonte shpesh trajtimet”.
Megjithatë, në lidhje me Leopoldo Luque, neurokirurgu i akuzuar si përgjegjësi kryesor për vdekjen e tij, Ana tha:
“Luque shkoi ta kontrollonte dhe vëllai im e lejonte të kujdesej për të”.
Ndërsa Claudia shtoi: “Luque ishte mjeku i besuar i Diegos. Ai e zëvendësoi Cahe, që ishte mjeku i tij më i ri. Luque u kujdes për shëndetin e tij”.
Një histori e dhimbshme dhe njerëzore, që nxjerr në dritë anën më të brishtë të një legjende futbolli, që la pas një trashëgimi të pavdekshme.