Kalaja e Bashtovës më parë u përfshi në një projekt restaurimi, por gjatë tij u zbulua porti lumor. Me mbështetjen BE-së nëpërmjet programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS, projekti restauroi muret e shekullit XV. Në materialin e publikuar në faqen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, thuhet se në anën e djathtë të hyrjes kryesore të Kalasë së Bashtovës në Rrogozhinë, në atë që besohej të ishte një nga kullat, arkeologët kanë zbuluar portin lumor të kalasë, i cili e lidhte atë me kanalin e lumit, duke mundësuar transportin e mallrave nga kalaja në det dhe porte të tjera. Kjo është një nga gjetjet kryesore të një projekti njëvjeçar restaurimi të mbështetur nga “BE për Kulturën”. Projekti, i paraprirë nga gërmime dhe studime arkeologjike, synonte ta kuptonte më mirë kështjellën fushore prej 5.400 m², të ndërtuar diku në shekullin e 15-të.
“Kjo është shumë e rëndësishme. Le të mendojmë se si dukej ky terren 500 vjet më parë, kur u ndërtua. Lumi Shkumbin tani është relativisht afër, deti është afër dhe tani ka një fushë dhe disa pyje në mes. Gjatë gërmimeve, arkeologët tanë zbuluan se dyshemeja origjinale e kalasë shtrihet 1.7 metra nën nivelin aktual”, thotë Lejla Hadzic, Këshilltare për Trashëgiminë Kulturore në UNOPS Albania, partneri zbatues i programit “BE për Kulturën”. “Tani mund ta kuptojmë se e gjithë zona ishte pothuajse dy metra më poshtë. Kjo do të thotë që lumi do të ketë ardhur shumë më afër kalasë, gjë që, sigurisht, shpjegon faktin që kalaja ka shumë të ngjarë të ishte mbi lumë. Kjo, padyshim, e forcon arsyetimin se pse u ndërtua kjo kala fushore, me shumë gjasa për të shërbyer si një pikë e vogël mbrojtëse ku tregtarët dhe prodhuesit nga zona do të vinin për të shkëmbyer mallra”, shpjegon ajo. Parë nga kullat e kështjellës, e gjithë zona e mbrojtur mbulon një sipërfaqe prej 646.000 m². Dikur, ajo u shërbente tregtarëve që shkonin e vinin, duke lidhur njerëz, qytetërime dhe kultura, ku tregtoheshin drithëra dhe tekstile. E ndërtuar nga venedikasit dhe më vonë e pushtuar nga osmanët, të cilët ndërtuan një xhami dhe rindërtuan një pjesë në anën perëndimore, arkeologët kanë zbuluar gjithashtu, gjatë një prej studimeve të tyre jashtë njërës prej kullave, një pjesë të një shtegu që mund ta ketë lidhur kështjellën me rrugën “Egnatia”.
Programi “BE për Kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektesh (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve.
Tag: lumor
-

Zbulohet porti lumor gjatë restaurimit të Kalasë së Bashtovës