Në një operacion të koduar “Interruption”, janë sekuestruar armë, municione dhe lëndë narkotike, ndërkohë që tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Hetimi, i realizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, u fokusua në aktivitetin kriminal të disa individëve në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Në banesat e dy prej të arrestuarve, Ç. B., 57 vjeç, dhe djali i tij 14-vjeçar, në lagjen “Zinxhira” të Gjirokastrës, u gjetën një sasi e konsiderueshme armësh: 1 kallashnikov, 1 pistoletë, dhe 1 armë gjahu, si dhe municion luftarak. Po ashtu, në banesën e një tjetër të arrestuari, A. S., 21 vjeç, në fshatin Bënçë, u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municione luftarak.
Gjatë këtij operacioni, janë gjetur gjithashtu 300 fara kanabisi, një sasi heroine dhe një shumë parash (10,000 euro dhe 100,000 lekë), që dyshohet të jenë të fituara nga aktiviteti i paligjshëm. Në kërkim janë shpallur E. B., 19 vjeç, dhe A. B., 25 vjeç, dy persona të lidhur me këtë aktivitet kriminal.
Po vijon puna për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, ndërkohë që materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
DVP Gjirokastër/Sekuestrohen 3 armë zjarri, 1 armë gjahu, 1 armë e ftohtë bajonetë, municion luftarak, një sasi heroine, 300 fara kanabisi dhe një shumë parash(euro e lekë).
Finalizohet si rezultat i një hetimi disajavor, me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Interruption”.
Arrestohen 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, të cilët posedonin sendet e kundërligjshme, në 3 banesa në lagjen “Zinxhira” dhe në fshatin Bënçë.
Njëri prej të arrestuarve, me precedent për trafikim të lëndëve narkotike.
Si rezultat i një hetimi që u ndoq për disa javë, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për të dokumentuar veprimtaritë kriminale të disa shtetasve, në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional, me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, finalizuan opëracionin “Interruption”.
Në kuadër të këtij operacioni:
U arrestua shtetasi Ç. B., 57 vjeç (me precedent për trafikim të lëndëve narkotike), u arrestua djali i tij 14 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali tjetër i tij, shtetasi E. B., 19 vjeç, pasi në banesën e tyre, në lagjen “Zinxhira”, u gjetën: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu dhe municion luftarak;
U shpall në kërkim shtetasi A. B., 25 vjeç (djali i vëllait të 57-vjeçarit), pasi në banesën e tij, në lagjen “Zinxhira”, u gjetën: 1 bajonetë, 300 fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, një sasi lënde e dyshuar narkotike Heroinë, municione luftarak, 10 000 euro dhe 100 000 lekë;
U arrestua shtetasi A. S., 21 vjeç, pasi në banesën e tij, në fshatin Bënçë, u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, E. B. dhe A. B. (kushërinj).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.