Avokati Arben Llangozi, i ftuar në studion e emisionit “Kafe Shqeto”, ka shpërthyer në akuza ndaj sistemit të drejtësisë, duke deklaruar se zvarritjet, mungesa e transparencës dhe kapja e institucioneve janë kthyer në plagë të përhershme të shtetit shqiptar.
Në një analizë për ‘Kafe Shqeto’, Llangozi u shpreh se qeveria “e ka marrë në dorë” gjyqësorin, e ka pezulluar dhe ‘përkëdhelur’ për interesa politike, ndërsa qytetarët e thjeshtë presin me vite që të marrin drejtësi.
Ai solli raste konkrete nga praktika e tij si avokat, duke treguar se ka çështje që prej 4 apo 6 vitesh nuk janë marrë në shqyrtim nga gjykatat, ndërsa gjyqtarët, sipas tij, japin vendime pa arsyetim dhe me vonesa të pajustifikuara.
Më tej, Llangozi akuzoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) për pazare me grupe të krimit të organizuar, duke thënë se prokurorë dhe gjyqtarë po emërohen me ndikime të errëta dhe patronazhistë partiakë janë futur në prokurori.
Sipas tij, reforma në drejtësi ka devijuar nga misioni fillestar, duke u kthyer në një mekanizëm kontrolli të pushtetit ndaj drejtësisë dhe në një pengesë për qytetarët që kërkojnë të drejtat e tyre.
Arben Llangozi:
“Unë e shoh më tepër se kaq, nuk e shoh thjesht si zvarritje të procesit. Zvarritja e procesit është një nga problematikat e sistemit të drejtësisë.
Kam një klient që jeton në Amerikë, shtetas amerikan. Kanë hapur një padi dhe u bënë 4 vite, nuk kanë bërë asnjë seancë.
Çfarë do presim ne? Kam sërish në Shkodër një tjetër çështje, ka 6 vite dhe as aty nuk është caktuar data e seancës. E mori kjo qeveri gjyqësorin, e përkëdheli, e pezulluan 60 muaj, dhanë arsyetime për të pezulluar vendimet, dhe ajo është shkaktarja e këtij konflikti.
Nuk është këtu vetëm problem i ligjeve… Një ligj thotë që veprimi përmbarimor duhet të gjykohet brenda 20 ditëve në Dhomën e Këshillimit, dhe kur gjykata nuk sheh një hapësirë, mund t’i thërrasë dhe palët.
E gjykon dy vite pa arsyetuar vendimin. Çfarë është kjo drejtësi?
Të presësh dy vite pa arsyetuar vendimin, 5 vite në një gjykatë tjetër — dhe unë e shoh më tepër problematike nga këta gjyqtarë.
Unë i ftoj (nëse ata vërtet kanë ndërmend ditën e sotme t’i kërkojnë llogari shtetit apo pushtetit) ta bëjnë me dyer të hapura atë mbledhje, ta marrim vesh dhe ne se çfarë po diskutohet, sepse nuk është vetëm kauzë e tyre, është dhe e jona.
Ne avokatët duhet të dimë se çfarë po diskutohet, sepse jemi edhe ne pjesë e sistemit.
Pra, nuk mundet (unë e them me plot bindje), në prokuroritë tona janë futur patronazhistë — dhe nuk mundet që një prokuror apo gjyqtar të na sigurojë drejtësi, sepse nuk ka qëllim ai të merret me qytetarin; e shikojnë si mall qytetarin këta.
Këta prokurorë që aktualisht janë në pushtet e shikojnë thjesht si produkt, është rritur vlera e tregut.
Unë e kam lexuar të gjithë dosjen ‘SKY’. E dini çfarë ka bërë krimi i organizuar? Ka vendosur prokurorë në qytetin e Vlorës dhe thotë: “I zgjodhëm vetë”. Po ku i zgjodhën këta? Në këtë KLP famëkeqe, sepse kur del një qytetar e qan hallin në media, KLP bën pazare me grupet kriminale dhe emëron prokurorë.
Në vend që të merren me këtë, merren me pse doli një qytetar e foli në media. Është e turpshme, dhe unë i kritikoj këta gjyqtarë që thonë ‘mos flisni e mos komentoni gjuhë urrejtjeje”.








