Nga Julia Vrapi
Premiera e filmit të restauruar “Liri a vdekje” prodhim kinematografik i vitit 1978 do të jetë këtë shtator në “Tirana International Film Festival”. Filmi “Liri a vdekje” është realizuar nga regjisorët Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, skenari i tij është shkruar nga Vath Koreshi, ndërsa muzika nga kompozitori Kujtim Laro. Në role e tij janë aktorë të njohur të kinemasë sonë, mes tyre dhe Nikolla Llambro. “Liri a vdekje” është një tjetër film shqiptar i shpëtuar falë restaurimit, por aktori Nikolla Llambro thotë se ai ka rëndësi të veçantë historike dhe realizimi artistik. “Një tjetër sukses i Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit është restaurimi i filmit historik,”Liri a vdekje”. Filmi artistik “Liri a vdekje” me dy seri, xhiruar në vitin 1978 me skenar të shkrimtarit Vath Koreshi dhe regji të dy regjisorëve të rinj të talentuar, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro ishte një realizim i arrirë artistikisht me një kast aktorësh të përzgjedhur e të goditur në personazhet që ju besuan dhe i mëshiruan cilësisht bukur! Si nga pikëpamja historike edhe nga pikëpamja artistike filmi “Liri a vdekje ” ka rëndësi të veçantë qoftë historike, qoftë dhe realizimi artistik nga regjisorët dhe nga grupi i aktorëve ”, shprehet aktori Nikolla Llambro. Në aktivitetin e tij artistik Nikolla Llambro ka realizuar një galeri të pasur rolesh në teatër dhe kinematografi. Nikolla Llambro është mjaft i njohur për artdashësit edhe me interpretimin e rolit të patriotit Zeman Mashkullora në filmin “Liri a vdekje”. Ai thotë se ky film ka një rëndësi të veçantë se trajton një aspekt të luftës së çetave patriotike kundër pushtimit turk. “Skenari është mbështetur dhe e ka realizuar artistikisht bukur historinë e shkruar nga luftëtari e shkrimtari Mihal Grameno, pjesëmarrës në tërë luftën e çetës së komandant Çerçiz Topullit në luftë kundër pushtuesve osman”, thotë aktori Nikolla Llambro. Restaurimi i filmit u bë me dije më parë, ndërsa Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Tirana Film Institute organizojnë premierën e filmit të restauruar “Liri a vdekje” (1978) me regji nga Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, si shfaqje e filmit përmbyllës të edicionit të 23-të të “Tirana International Film Festival 2025”.
Restaurimi i filmit nga projekti Sezoni i Filmave Klasikë
Filmi “Liri a vdekje” i vitit 1978 është prodhuar nga “Kinostudio “Shqipëria e re”. Restaurimi digjital i filmit “Liri a vdekje” u mundësua nga projekti Sezoni i Filmave Klasikë – nismë e Shoqatës së Kinematekave Europiane (ACE), me mbështetjen e programit Europa Krijuese MEDIA të Komisionit Europian. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit bën me dije se filmi “Liri a vdekje” u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35mm. Skanimi i negativit në 4K u krye në studion e AQSHF-së në Tiranë dhe restaurimi në laboratorin e Augustus Color në Romë, Itali.
Ngjarjet në film dhe aktorët në role
Aktorë në role janë: Timo Flloko, Gjergj Lala, Kadri Roshi, Nikolla Llambro, Sotiraq Bratko, Kastriot Çaushi, Fane Bita, Bujar Asqeriu, Edmond Tare, Reshat Arbana, Liza Laska, Pandi Raidhi, Viktor Çaro, Jorgaq Tushe, Elvira Diamanti, Teuta Keçi, Adem Gjyzeli, Ilia Shyti, Kastriot Çollaku, Irakli Lefteri, Tomor Bendo, Marta Burda, Aristotel Stefani, Adrian Lazëri, Birçe Hasko. Drejtor fotografie Petraq Lubonja, piktor filmi Arben Basha. Komitët e udhëhequr nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe Hajredin Tremishti kthehen në fshat, tek njerëzit e tyre, përpara se të ekzekutojnë oficerin turk të Gjirokastrës. Pas kësaj, ushtria osmane ndërmerr një fushatë kundër krahinës së Mashkullorës, e cila shndërrohet në një simbol të rezistencës dhe luftës për pavarësi të shqiptarëve. Mësuesi Hysen, i cili u mëson fshehurazi gjuhën shqipe fëmijëve, vritet, gjithashtu, brutalisht. Çerçiz Topulli, personazhi i vërtetë i këtij filmi, ishte një revolucionar dhe luftëtar guerilas shqiptar i përfshirë në lëvizjen kombëtare shqiptare që vepronte në zonat malore të Shqipërisë së jugut. Ai dhe vëllai i tij, Bajo Topulli, ishin të njohur për luftën kundër osmanëve përpara se Shqipëria të shpallte pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane në vitin 1912.
Tag: llambro
-

Restaurimi i “Liri a vdekje” i vitit 1978, Nikolla Llambro:Filmi ka rëndësi të veçantë historike dhe realizimi artistik