Tag: lindjes

  • Drejtësia, fitoi Fronti i Lindjes, financoi Fronti i Perëndimit

    Drejtësia, fitoi Fronti i Lindjes, financoi Fronti i Perëndimit

    Nga Basir Çollaku

    Nëse hetohet, brenda sistemit të drejtësisë del një organizatë e cila mund dhe duhet të dënohet. Gjithnjë nëse. Ku? Në prokurori, gjyqësor, polici, Këshillin e Prokurorisë, gjyqësor, Gjykatën e Lartë, atë Kushtetuese dhe të rangjeve të tjera më të ulëta.

    Pas mbylljes së USAID, hetimeve të fondeve të përdorura me dedikim për subjekte të caktuara, kaluar nëpërmjet fondacionit “Soros”, kontrollori i drejtësisë gjoja të reformuar, raporti i Departamentit të Shtetit për vitin 2024 sjell gjetje për mungesë suksesi e shërbim dukshëm të cunguar të drejtësisë në vendin tonë — si nga procedura, afatet, lidhja e akuzës me provat. Nën këtë vëzhgim konkludues, shihet qartë se të drejtat e njeriut në Shqipëri kanë bërë gjithnjë e më pas, e jo përpara.

    DASH e di mjaft mirë nga DEA, FBI dhe CIA se kartelet e drogës qeverisin bashkë me qeverinë. Kjo mjafton për të “vaksinuar” drejtësinë. Në 2016, në mesnatën e 21-22 korrikut, duartrokitjet në Kuvend e puthjet Lu-Vlahutin, shoqëruar me 140 vota të detyruara nga mesazhet e këshillimet sanksionuese nga ambasadat, mundësuan një të quajtur “Reformë në Drejtësi”. Procesi ishte i njënashëm në shërbim të Edi Ramës, porositësi i kësaj fasonerie. Opozita rezistoi vakët, deri në një tërheqje të pavend të ngjashme me atë të mandateve të deputetëve si dhe të zgjedhjeve bashkiake më pas, në 2019-tën.

    Më pas, “kirurgjia” e kapjes së institucioneve ishte ajo çka është sajuar nga çfarë kemi sot: një masë amorfe me kokë nga ambasadat, sipas reshjeve diplomatike. E nisëm me një kampion antikorrupsioni, Ardian Dvorani, duke i varur “mëlçitë” e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilit, në fazat e rivlerësimit, në të dy shkallët, thjesht nuk i kujtoheshin burimet e justifikimit të nja 100 milionë lekëve. Kusur xhepi.

    Teatër ishte edhe dosja e Prokurorit të Përgjithshëm, ku rezultonin fitime të shëndetshme nga shit-blerjet e banesave brenda familjes, me prindërit. Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese u selektuan dhe u heshtën verifikimet. U bë kujdes marrja e kupolës së sistemit nga besnikë të sistemit të vjetër të sigurimit të shtetit dhe lidhjes organike me sektin e bllokut komunist të diktaturës. Gjithçka erdhi me etiketë të re, por ishte e vjetër nga Fronti i Lindjes; ndryshonin vetëm financimet, të ardhura nga Fronti i Perëndimit SHBA-BE. Ish-njerëzit e drejtësisë së diktaturës u përfshinë masivisht tek e reja. Ata ndërruan vetëm kostumet, por jo karriget.

    Kontrolli iu la në dorë një kompanie austriake kanalizimesh e ujësjellësish, me përvojë tenderash në botën e tretë, duke mos harruar të marrë tender kanalesh edhe në Tiranë. Një “Theo” portugez bënte hatanë duke ulëritur si shefi i kontrollit, derisa i fikej zëri me mjete “demokratike” nga hyqymeti. Ndonëse ai dhe kolegë të tjerë të huaj vinin nga një histori dështimi dhe hetimi nga Kosova, ku gjyqtarë të EULEX-it i kishin akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Pati edhe nga ata të cilët, në mungesë të masave mbrojtëse, u bënë baballarë në Tiranë.

    U hoqën në masën dërrmuese mbi 90 për qind prokurorë e gjyqtarë nga krahinat e veriut dhe kryesisht të njohur si të djathtë. Komisionerët, ekipi i zgjedhur me aq vëmendje ndërkombëtare, në shumicën e tyre nuk plotësonin kriteret kushtetuese. Thuajse gjysma ishin me notë mesatare ku thërret qameti, ndonëse do të matnin punën e magjistratëve ekselentë. Të tjerë u paditën për dokumente të falsifikuara, fshehje pronash e pasurish. “Soros” mbikëqyrte çdo detaj, duke u kthyer në një zyrë burimesh njerëzore për “reformën”, bash siç e lypte Rama.

    Siç denoncoi Arben Ahmetaj në një nga intervistat e tij, ishim aty, ne e dinim si bëhej vettingu me sms. Tani shohim se Këshilli i Prokurorisë, gjyqësori, ILD, Struktura e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit presin të rrëshqasin këmbët ndërkombëtarisht Ramës, për të shkundur pafundësinë e dosjeve ku akuzohen ministra qeveritarë, bashkiakë, zyrtarë drejtësie. Ata punojnë ende me “prosoi” partie.

    Deri atëherë, rrofshin partnerët që na sjellin ndonjë dosje e plotësojmë statistikat. Fronti i Lindjes në drejtësi pret gjithë ankth se mos lëviz ndryshe e ndërron shishen Fronti i Perëndimit. Si në politikë, edhe këtu, kurrë mos thuaj kurrë.

  • 111 vjetori i lindjes së Sterjo Spasses, kujtimi i një prej mjeshtrave të prozës shqiptare

    111 vjetori i lindjes së Sterjo Spasses, kujtimi i një prej mjeshtrave të prozës shqiptare

    Më 14 gusht 1914, në fshatin Gollomboc të Prespës, lindi Sterjo Spasse,shkrimtar, publicist dhe intelektual që do të linte një gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe. Sot, në përvjetorin e lindjes së tij, ai kujtohet jo vetëm si autor i romaneve që u bënë pjesë e leximit të detyrueshëm për breza të tërë, por edhe si një nga themeluesit e prozës moderne shqiptare.

    Nga Prespa në botën e letrave

    Sterjo Spasse kreu shkollën fillore në vendlindje, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i vazhdoi në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj, duke përfshirë edhe Beogradin, ku u njoh me zhvillimet letrare dhe kulturore të kohës. Që herët, ai tregoi një interes të madh për letërsinë dhe gazetarinë, duke botuar tregime e artikuj që shfaqnin qartësinë e mendimit dhe shqetësimin e tij për realitetin shoqëror.

    Vepra që lanë gjurmë

    Romani i tij i parë, Pse? (1935), është një ndër veprat e para të realizmit kritik shqiptar, ku autori trajton dramën e individit përballë padrejtësive dhe vështirësive ekonomike. Më pas, me romanet Afërdita (1944) dhe Afërdita përsëri në fshat (1958), Spasse solli portretizime të ndjera të jetës në fshat, marrëdhënieve mes njerëzve dhe përplasjes mes traditës e ndryshimit.

    Proza e tij shquhet për thjeshtësinë dhe rrjedhshmërinë, por edhe për aftësinë për të paraqitur një tablo të gjallë të realitetit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX. Personazhet e Spasses janë të ndërtuar me kujdes dhe me një vërtetësi të tillë, saqë lexuesi arrin t’i ndjejë si njerëz të gjallë, me dilema, ëndrra dhe plagë shpirtërore.

    Një figurë që i mbijetoi kohës

    Sterjo Spasse nuk ishte thjesht një shkrimtar; ai ishte një mësues i përkushtuar, një gazetar me penë të mprehtë dhe një zë që ngrinte pyetje të guximshme për kohën e tij. Gjatë jetës, ai përjetoi ndryshime të mëdha politike e shoqërore, por arriti të ruante një qëndrim krijues që e bën të vlefshëm edhe sot.

    Trashëgimia

    Sterjo Spasse ndërroi jetë më 12 shtator 1989, duke lënë pas një trashëgimi letrare që vijon të lexohet, studiohet dhe të frymëzojë. Sot, në përvjetorin e lindjes, ai kujtohet si një penë që nuk iu tremb realitetit, por e vështroi me sy kritik dhe e shndërroi në art.

    Në një kohë kur letërsia shpesh harrohet përballë ritmit të shpejtë të jetës moderne, veprat e tij mbeten një dëshmi e fuqisë së fjalës së shkruar dhe e rëndësisë së rrëfimit të historisë sonë./KultPlus.com

  • Mjeshtri i skenës shqiptare – Në kujtim të lindjes së aktorit Naim Frashëri

    Mjeshtri i skenës shqiptare – Në kujtim të lindjes së aktorit Naim Frashëri

    Më 12 gusht 1923, lindi Naim Frashëri, një emër që, ndonëse i përbashkët me poetin rilindas, do të shkëlqente në një tjetër fushë: atë të artit skenik dhe kinematografisë shqiptare. Nuk është rastësi që ai mbante një emër me peshë historike, sepse vetë jeta dhe karriera e tij artistike do të merrnin dimensionin e një përfaqësuesi të denjë të shpirtit krijues shqiptar.

    Naim Frashëri u ngjit për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar në vitin 1945, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Më herët kishte dhënë kontributin e tij si pjesëmarrës në teatrin partizan, ku ndërthurte rolin e luftëtarit me atë të aktorit. Ky dualitet i rrallë e shoqëroi gjatë gjithë jetës së tij artistike, duke sjellë në skenë një aktor me ndjeshmëri të lartë dhe përkushtim të rrallë, transmeton KultPlus.

    Karriera e tij është një galeri e pasur rolesh, që sot përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë së teatrit shqiptar. Ai solli në skenë figura të paharrueshme si Valeri në “Tartufi”, Gjoni në “Trimi i mirë me shokë shumë”, Gjenerali në “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, Leka në “Përkolgjinajt”, apo edhe Hamleti i famshëm në një ndër interpretimet më të guximshme të klasikëve në teatrin tonë.

    Roli i tij i fundit, Jonuz Bruga në dramën “Familja e Peshkatarit”, ishte i 80-ti në karrierën e tij, një shifër që flet vetë për intensitetin dhe përkushtimin që kishte ndaj artit skenik.

    Naim Frashëri shkëlqeu edhe në ekranin e madh, ku interpretoi në disa nga filmat më të njohur të kinematografisë shqiptare. Roli i tij në “Skënderbeu” më 1953 dhe më pas në “Tana” (1958) janë ende sot pjesë e kujtesës kolektive të publikut shqiptar.

    Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Naim Frashëri u nderua me disa nga çmimet më të larta shtetërore: titullin “Artist i Popullit”, urdhrin “Hero i Punës Socialiste” dhe Çmimin e Republikës të shkallës së dytë, akorduar më 29 prill 1959.

    Sot, në përvjetorin e lindjes së tij, kujtojmë jo vetëm një aktor të madh, por një njeri që i dha teatrit shqiptar një dimension të ri, më të thellë, më të sinqertë dhe më të njerëzor./KultPlus.com

  • 160-vjetori i lindjes së poetit arbëresh Zef Skiroi

    160-vjetori i lindjes së poetit arbëresh Zef Skiroi

    Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot në 160-vjetorin e lindjes poetin, etnografin dhe publicistin e shquar arbëresh, Zef Skiroi.

    Zef Skiroi (Hora e Arbëreshëvet, 10 gusht 1865 – Napoli, 17 shkurt 1927) ishte poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, gazetar dhe publicist i shquar arbëresh. Krijimtaria e tij dhe e bashkëkohësve Gavril Dara dhe Jeronim De Rada, përbëjnë triptikun e poemave arbëreshe në letërsinë romantike shqiptare.

    Në moshën 9-vjeçare, ai shkroi një vjershë kushtuar Skënderbeut, duke hapur kështu sfondin e veprave të veta të mëvonshme. Studimet i kreu në Seminarin Shqiptar të Palermos, ku u formua me traditën e kulturës shqiptare, si dhe të asaj klasike (Dante, Servantesi, Gëte, Shileri etj.).

    Më 1887, së bashku me Françesk Petën, themeluan në Palermo revistën “Arbëri i ri”, si dhe botoi përmbledhjen e parë me vjersha.Skiroi mbaroi studimet për drejtësi më 1890 dhe po këtë vit u emërua “docent” i letërsisë antike në liceun “Garibaldi” të Palermos.

    Në qendër të veprës së tij, Skiroi kishte çështjen kombëtare. Periodiku “Arbri i ri”, që pa dritën e botimit në sajë të përpjekjeve të tij, do të shërbente si një busull identitare për arbëreshët dhe si një tribunë e krijimtarisë së autorëve të këtij komuniteti.Në moshën 35-vjeçare arriti të merrte vendin e titullarit të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, të hapur pranë Institutit Mbretëror Oriental të Napolit.

    Vepra e tij kryesore ishte “Te dheu i huaj”, e cila, siç do të shprehej edhe Eqrem Çabej, do të ishte njëfarë himni kombëtar i shqiptarëve të Italisë.Më pas, ai vazhdoi veprimtarinë albanologjike në Napoli me botime, leksione dhe pjesëmarrje në kongrese. Veprat kryesore të tij janë: “Mili e Hajdhia”, “Te dheu i huaj” dhe “Mino”.

    Zef Skiroi vdiq në Napoli, në vitin 1927./atsh/KultPlus.com

  • Ekspozita e paharrueshme për Mbretëreshën Elisabet II: Stili dhe eleganca në 100 vjetorin e lindjes

    Ekspozita e paharrueshme për Mbretëreshën Elisabet II: Stili dhe eleganca në 100 vjetorin e lindjes

    Në vitin 2026, në Galerinë e Mbretit në Londër, do të hapet ekspozita më e madhe që i është kushtuar stilit të Mbretëreshës Elisabet II, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Ekspozita, titulluar “Queen Elizabeth II: Her Life in Style”, do të shfaqë mbi 200 veshje ikonike të Mbretëreshës, shumë prej të cilave nuk janë parë kurrë më parë nga publiku.
    Një nga elementet më të spikatura të ekspozitës do të jetë fustani i famshëm i vitit 1956, krijuar nga Sir Norman Hartnell, një nga stilistët më të njohur të kohës. Ky fustan i artë, i zbukuruar me qëndisje dhe perla, do të ekspozohet së bashku me veshje të tjera mbretërore që pasqyrojnë shijen dhe elegancën e Mbretëreshës gjatë viteve.
    Ekspozita do të hapë dyert në pranverën e vitit 2026, me datat dhe mundësinë e blerjes së biletave që do të njoftohen në nëntor të vitit 2025. Ky është një mundësi unike për të udhëtuar nëpër historinë e modës dhe stilit të një prej figurave më të njohura të shekullit të 20-të.

  • 111 vite nga lindja e komedianit francez Louis de Funès 

    111 vite nga lindja e komedianit francez Louis de Funès 

    Sot, më 31 korrik shënohet përvjetori i lindjes së Louis de Funès, një nga aktorët më të dashur dhe më të njohur të kinemasë franceze dhe botërore. Me mbi 150 role filmike në karrierën e tij, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e filmit, duke u bërë sinonim i humorit francez dhe komedisë klasike.

    I lindur më 1914 në Courbevoie, Francë, Louis de Funès u dallua për energjinë e jashtëzakonshme në skenë, mimikën e veçantë dhe talentin e tij për të interpretuar personazhe të ndryshme, shpeshherë me një dozë të madhe nervozizmi komik dhe ironie. Qoftë si komandanti Ludovic Cruchot në serinë “Le Gendarme”, apo si Monsieur Hulot në filma të tjerë të njohur, de Funès arriti të krijojë personazhe që janë ende të dashur nga publiku i të gjitha moshave, transmeton KultPlus.

    Karriera e tij u shënua nga një përkushtim i jashtëzakonshëm ndaj artit dhe një aftësi e rrallë për të transmetuar emocione përmes komedisë fizike dhe dialogut. Filmat si “La Grande Vadrouille”, “Le Corniaud” dhe “L’Aile ou la Cuisse” mbeten kryevepra të humorit që vazhdojnë të inspirojnë breza të rinj aktorësh.

    Por Louis de Funès nuk ishte vetëm një aktor me humor të mprehtë, ai ishte edhe një mjeshtër i artit të tij, që përmes veprave të tij na kujton se qeshja dhe humori janë pjesë thelbësore e jetës.

    Sot, në përvjetorin e lindjes së tij Louis Funes vazhdon të jetë një frymëzim për artistë dhe dashamirë të filmit në mbarë botën./KultPlus.com

  • Hailey Bieber: Martesa me Justin është një çmenduri

    Hailey Bieber: Martesa me Justin është një çmenduri

    Në një intervistë për Vogue Italia, themeluesja e Rhode, Hailey Bieber, foli për mënyrën se si u përball me thashethemet rreth martesës së saj me Justin Bieber gjatë periudhës pas lindjes.
    Hailey, e cila lindi djalin e saj dhe Justin, Jack Blues, në gusht 2024, pranoi se koha pas lindjes ishte “periudha më delikate që kam kaluar ndonjëherë në jetën time” dhe se “të mësoja të jetoja me një version të ri” të vetes ishte “shumë e vështirë”.
    “Dhe të detyrohesh t’i bësh të gjitha këto ndërsa lexon vazhdimisht gënjeshtra në internet si ‘Ata po divorcohen’ ose ‘Ata nuk janë më të lumtur bashkë’ është diçka që të çmend vërtet. Nuk jam as e sigurt nëse mund ta shpjegoj. Është një jetë e çmendur“, tha ajo.
    Megjithatë, shumica e asaj që shkruhet për të në internet “nuk është e vërtetë” dhe në fakt ajo “ka një jetë të vërtetë. Është ajo që ndaj me familjen time të mrekullueshme, me miqtë e mi, me njerëzit që më njohin dhe më duan”.
    Hailey mbrojti me forcë marrëdhënien e saj me Justin, duke reflektuar mbi urrejtjen që priste të zhdukej pas shtatzënisë.
    «Epo, mendova se do të kishte ndodhur tashmë pas shtatë vitesh, dhe nuk ka ndodhur», u përgjigj ajo kur u pyet nëse mendonte se bisedat në internet do të shuheshin përfundimisht. «Do të mendoje se pasi të kesh një fëmijë, njerëzit ndoshta do të vazhdonin jetën, do të qetësoheshin pak, por jo», tha ajo.

  • Përvjetori i lindjes së Daniel Radcliffe dhe suksesi i tij në “Harry Potter”

    Përvjetori i lindjes së Daniel Radcliffe dhe suksesi i tij në “Harry Potter”

    Më 23 Korrik 1989, lindi një nga aktorët më të njohur të brezit të tij, Daniel Radcliffe, i cili u bë një ikonë globale falë rolit të tij të paharrueshëm si Harry Potter.

    Në këtë përvjetor të lindjes së tij, është e pamundur të mos kujtojmë rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm dhe ndikimin që ka pasur në industrinë e kinemasë, veçanërisht përmes serisë së famshme “Harry Potter.”

    Daniel Radcliffe bëri debutimin e tij në “Harry Potter and the Philosopher’s Stone” (2001), kur ishte vetëm 11 vjeç. Si një djalë i ri që shpesh ishte përballë kamerës, ai arriti të përcjellë kompleksitetin dhe pasurinë emocionale të personazhit të Harry Potter, një djalë jetim që zbulon se është magjistar dhe që duhet të përballet me forca të errëta. Ky rol ishte i vështirë, por për Radcliffe, ishte një mundësi që do t’ia ndryshonte jetën përfundimisht, përcjellë KultPlus.

    Përveç sfidave që vinte me një angazhim të tillë afatgjatë filmimi për 10 vite rresht për një sagë që përfundoi në vitin 2011, Danieli gjithashtu u bë pjesë e një fenomeni kulturor. “Harry Potter” u shndërrua në një nga seritë më të suksesshme dhe të dashura të të gjitha kohërave, duke mbledhur mbi 7 miliardë dollarë në shitje biletash dhe duke sjellë gjithashtu një pasuri të madhe për aktorët që ishin pjesë e saj.

    Për më shumë se dy dekada, Daniel Radcliffe ka qenë një emër që lidhet ngushtësisht me Harry Potter. Por, ndërkohë që seritë kanë mbyllur faqen e tyre, ndikimi i tij në industrinë e kinemasë është ende i fuqishëm. Ai është një aktor që ka pasur mundësinë të rritet me audiencën e tij, duke bërë që fansat të shohin atë si një simbol të mundësisë për të tejkaluar kufijtë dhe për të transformuar identitetin personal dhe profesional./KultPlus.com

  • Statujë për Sofia Vergarën në qytetin e saj të lindjes? Po fansat thonë: Kjo s’është ajo!

    Statujë për Sofia Vergarën në qytetin e saj të lindjes? Po fansat thonë: Kjo s’është ajo!

    Sofia Vergara festoi ditëlindjen e saj të 53-të më 1 korrik dhe qyteti i saj i lindjes, Barranquilla në Kolumbi, vendosi ta nderojë me një statujë gjigante 7.5 metra të lartë.
    Por në vend të një ovacioni, përurimi i saj ndezi një stuhi memes dhe komentesh tallëse në rrjet.
    Skulptura, e punuar për 7 muaj nga artisti Yino Marquez me ndihmën e gjashtë studentëve të artit, u vendos buzë lumit në qytet, duke peshuar plot 5.5 ton.
    Ajo synonte të ishte një homazh për suksesin e Sofias si një nga figurat më të famshme të Hollivudit me origjinë kolumbiane.
    Por… realiteti nuk përputhej me pritshmëritë.
    Në rrjetet sociale, përdoruesit e përshkruan statujën si “një përzierje mes Jessica Rabbit dhe një personazhi të rastësishëm në cosplay”, ndërsa të tjerë thjesht shkruanin: “Kjo s’mund të jetë ajo”.
    Një koment u bë viral: “Ai që e ka bërë, ndoshta ka ndjekur të njëjtën shkollë arti si ai që bëri statujën famëkeqe të Ronaldos!”

  • E vërteta e dhimbshme e jetës së hienës femër

    E vërteta e dhimbshme e jetës së hienës femër

    Në natyrë, dhimbja është pjesë e jetës — por asnjë nënë nuk vuan aq sa hienat femra me pika.

    Këto grabitqare të fuqishme, të njohura për nofullat që thyejnë kockat dhe shoqërinë matriarkale që udhëheqin, kalojnë atë që shkencëtarët e quajnë lindja më e dhimbshme në mbretërinë e kafshëve.

    Pse? Sepse hienat femra kanë një anatomi tepër të rrallë dhe të ndërlikuar: ato lindin përmes një pseudo-penisi, teknikisht një klitoris i zmadhuar që shërben edhe si kanal lindjeje. Nuk kanë një hapje vaginale të jashtme.

    Evolucioni u dha atyre dominim, por me një çmim të dhimbshëm.

    Gjatë lindjes, këlyshi duhet të kalojë nëpër një kanal të ngushtë, rreth 18 cm të gjatë — dhe rruga e vetme për të dalë është po ky organ. Për këlyshin, udhëtimi është i gjatë, ngulfatës dhe shpesh fatal.

    Për nënën, procesi është brutal — pseudo-penisi i saj shpesh çahet gjatë lindjes, duke rrezikuar lëndime të rënda apo edhe vdekjen.

    Fatkeqësisht, 60% e këlyshëve të parë vdesin gjatë lindjes, dhe edhe vetë nëna mund të humbasë jetën në këtë proces.

    Megjithë këtë realitet të ashpër, hienat vazhdojnë të lulëzojnë nëpër Afrikë. Dhimbja e tyre, qëndrueshmëria dhe mbijetesa janë një dëshmi e eksperimenteve më ekstreme që ka bërë natyra në rrugën e evolucionit.

    Fuqia e natyrës ka një çmim. Dhe për hienën femër, ai çmim shkruhet me gjak dhe mbijetesë.