Adriatik BALLA
Trajneri i Kosovës në futboll, Franko Foda, duket i vendosur të çojë Kosovën në fazën finale të Kupës së Botës 2026. Tekniku gjerman pretendon se Kosova ka shanset e saj për kualifikim. Fushatën kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm, “Dardanët” e nisin kundër Zvicrës në Bazel. Ndeshjen ndaj Zvicrës e luajnë më 5 shtator, kurse pas tri ditësh e presin Suedinë në Prishtinë. “Grupi është shumë i vështirë. Kemi Zvicrën, Suedinë, Slloveninë, që janë ekipe shumë të mira. Kanë qenë gjithmonë në evropiane apo botërore. Por, mendoj se me rëndësi për një ekip, ekipin e trajnerëve, për një vend, është besimi se mund të kualifikohemi për një Botëror. Është pikë shumë e rëndësishme dhe vendimtare. E dyta është të kesh ëndrra. Kur nuk ke ëndrra, atëherë nuk mund t’i realizosh ato apo nuk mund ta realizosh këtë ëndërr. Është grup shumë i vështirë. Por, nëse te ne gjithë lojtarët janë në formën e mirë fizike, kur gjithë lojtarët luajnë rregullisht në klube dhe nuk kemi lëndime në shtator, atëherë gjithçka është e mundur. Kemi kualitetin që të fitojmë kundër ekipeve të tilla. Por, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Grupi është shumë, shumë i vështirë. Por, ne kemi besimin dhe ëndrrën. Besojmë në kualitetin dhe forcën tonë, që mund të arrijmë në vendin e parë apo të dytë në grup. Por, siç thash në këtë grup gjithçka është e mundur, pasi kualiteti i ekipeve është shumë i lartë”, theksoi Foda.
Sukseset e deritanishme
Në intervistën që dha për “Kohën” në Kosovë, Foda u ndal edhe tek arritjet që pati skuadra në Ligën e Kombeve, e nga aty ai dëshiron ta vgijojë këtë suskes, për të shkuar në Botëror. “Ne donim me çdo kusht të siguronim kalimin në Ligën e Kombeve. Këtë e realizuam. Në Ligën e Kombeve pjesërisht kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira. Besoj se ndeshja më e mirë ishte në Rumani. Kemi luajtur shumë, shumë mirë. Në shtëpi kundër Rumanisë, ishte fillimi dhe nuk zbatuam të gjitha gjërat në fushë që planifikuam. Por, me kohën përfaqësuesja ka përparuar. Ekipi mundohet idetë tona t’i zbatojë relativisht shpejt në fushë. Kundër Islandës më duhet të them se dy herë, nga organizimi taktik, fryma e lojës dhe disiplina në fushë, kemi luajtur shumë mirë. Për këtë me meritë jemi ngritur në Ligën B. Dhe e kemi arritur synimin e parë. Kemi dashur me çdo kusht në Ligën e Kombeve të jemi në Ligën B dhe na është realizuar ky synim. Mund t’i themi faleminderit ekipit se si është prezantuar, por edhe tifozëve. Pasi, këtu në stadium na kanë mbështetur jashtëzakonisht mirë. Kjo mund të ndihet, por edhe të gjithë besojnë se me përfaqësuesen mund të arrijmë edhe shumë”, nënvizoi ai.
Kontrata
Foda foli edhe për kontratën e tij me federatën kosovare, duke thënë se lidhja është në varësi të objektivave të ekipit. “Për mua tash është me rëndësi që kam kontratë me Federatën e Futbollit të Kosovës deri më 30 nëntor 2025. Nëse kualifikohemi në Botëror vazhdohet kontrata deri vitin e ardhshëm, 30 qershor 2026. Janë kualifikimet për Botëror para derës. Kemi mundësi të kualifikohemi në Botëror. Për këtë ka qenë me rëndësi për mua ta përmbush këtë kontratë të vlefshme”, përfundoi ai.