Tag: lezhës

  • Energjia shpesh ndërpritet në disa fshatra të Lezhës, banorët në shqetësim

    Energjia shpesh ndërpritet në disa fshatra të Lezhës, banorët në shqetësim

    Furnizimi me energji elektrike në disa fshatra të Lezhës, përfshirë Zadrimën, Fishtën, Kallmetin dhe Dajçin, është kthyer prej kohësh në një problem serioz për banorët dhe bizneset e zonës.
    Ndërprerjet e shpeshta të energjisë vijojnë të jenë pjesë e përditshmërisë, veçanërisht gjatë reshjeve të shiut ose erërave të forta, duke bërë situatën më problematike.

    Banorët shprehen se rrjeti i amortizuar dhe mungesa e investimeve janë shkaku kryesor i këtyre problemeve të vazhdueshme.

    Pavarësisht përpjekjeve të Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë për të mbajtur linjat ekzistuese në funksion, amortizimi i rrjetit bën që defektet të jenë të shpeshta dhe të pashmangshme.

    Ekspertët theksojnë se zgjidhja afatgjatë do të ishte ndërtimi i një rrjeti të ri elektrik, megjithatë ende nuk është vendosur një afat se kur mund të nisë ky investim.

  • “Kryebashkiaku i Lezhës arrogant, nuk bie…”/ Deputeti Gjoni, akuza të ashpra: Shteti është narko-diktaturë

    “Kryebashkiaku i Lezhës arrogant, nuk bie…”/ Deputeti Gjoni, akuza të ashpra: Shteti është narko-diktaturë

    Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetarit të Bashkisë së Lezhës, duke e cilësuar mënyrën e tij të komunikimit si një “batak” dhe “llum kënete”, në të cilin refuzon të përfshihet.
    Gjatë intervistës televizive, Gjoni deklaroi se nuk ka asgjë të përbashkët intelektualisht me kryebashkiakun dhe se misioni i tij nuk është të krijojë debate me drejtuesit e institucioneve, por të jetë pranë qytetarëve që e kanë zgjedhur.
    Sipas deputetit, sjellja e pretenduar arrogante dhe prepotente e kryetarit të bashkisë nuk shfaqet vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por është një model i qëndrueshëm komunikimi edhe me qytetarët, sipërmarrësit dhe vetë punonjësit e administratës së tij. “Ka një dozë të shtuar të arrogancës dhe prepotencës në raport me njerëzit,” theksoi Gjoni, duke shtuar se ai nuk do të bjerë pre e provokimeve.
    Ai listoi një sërë problematikash me të cilat përballen banorët e Lezhës dhe për të cilat ai do të jetë zëri i tyre, duke përfshirë çështjen e përmbytjeve, problemet me energjinë elektrike, infrastrukturën, diskriminimin, procesin e legalizimeve, pastrimin e parave në bregdet përmes ndërtimeve, si dhe ndërhyrjet me ndërtime pa leje apo me leje false.
    Nga përplasja lokale, deputeti Gjoni kaloi në një akuzë edhe më të rëndë në nivel kombëtar, duke komentuar një rezolutë të fundit të Internacionales Demokrate Centriste (CDI-IDC). Ai e cilësoi këtë rezolutë si “më të fortën që është dhënë ndonjëherë”, pasi, sipas tij, ajo vjen nga partitë e djathta dhe konservatore evropiane dhe e etiketon Shqipërinë si një “narko-diktaturë”.
    “Nuk ka ndodhur në asnjë raport të mëparshëm,” pohoi Gjoni, duke e lidhur këtë vlerësim të ashpër ndërkombëtar me gjetjet e raporteve të mëparshme të OSBE/ODIHR-it. Kjo deklaratë e tij e vendos konfliktin politik në një dimension ndërkombëtar, duke pretenduar se qeverisja aktuale po e dëmton imazhin e vendit në arenën botërore.

  • KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit të Lezhës, Bardhyl Shehu

    KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit të Lezhës, Bardhyl Shehu

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 19 nëntor lënien në fuqi të shkarkimit të prokurorit të Lezhës, Bardhyl Shehu. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga gjyqtarja Albana Shtylla, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtarë gjyqtarët Sokol Çomo, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit në prokurorit Shehu ndaj vendimarrjes së Komisionit. Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
    Prokurori Bardhyl Shehu u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 10 gusht 2023 për probleme në kriterin e pasurisë dhe cënim të besimit të publikut tek drejtësia.
    Bardhyl Shehu e nisi karrierën në vitin 1985 dhe punoi për gati dy dekada si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2005 dhe punoi në Prokurorinë e Kurbinit. Pas miratimit të hartës së re gjyqësore dhe deri në shkarkimin nga detyra, Shehu e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

  • Reshjet e dendura shkaktojnë probleme në Qarkun e Lezhës, dëmtohet argjinatura e kënetës në Tale/ Rrezikohet përmbytja e disa banesave

    Reshjet e dendura shkaktojnë probleme në Qarkun e Lezhës, dëmtohet argjinatura e kënetës në Tale/ Rrezikohet përmbytja e disa banesave

    Qarku i Lezhës ka kaluar sërish një natë të vështirë si pasoje e motit te keq me reshje te dendura shiu.

    Në zonën e Tales, rritja e nivelit të ujit të lagunës shkaktoi dëmtim të argjinaturës, duke bërë që uji të depërtojë drejt zonave të banuara. Gjatë gjithë natës, mjetet e tonazhit të rëndë kanë punuar për forcimin e argjinaturës me qëllim minimizimin e pasojave të mëtejshme.
    Ndërkohë, situata ka qenë problematike edhe në Mirditë, ku aksi rrugor Rrëshen–Bukmir ka pësuar shembje në disa pika, duke rrezikuar bllokimin e qarkullimit. Punëtorët dhe mjetet kanë punuar gjatë gjithë natës për të mbajtur rrugën të hapur dhe të kalueshme.
    Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, dhe Prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi, deklaruan se ky segment rrugor ka pasur prej kohësh problematika të shumta, të cilat janë përkeqësuar pas reshjeve intensive.
    Rruga Rrëshen–Bukmir është një arterie e rëndësishme, pasi i shërben qindra banorëve dhe lidh fshatrat e Njësisë Administrative Kaçinar me qendrën urbane.

    Top Channel

  • “Më e keqja nga reshjet nuk ka ardhur”, Ministri i Mbrojtjes paralajmëron: Orët në vazhdim kritike

    “Më e keqja nga reshjet nuk ka ardhur”, Ministri i Mbrojtjes paralajmëron: Orët në vazhdim kritike

    Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i shoqëruar nga prefekti i Lezhës, Tauland Malshi, kanë zhvilluar një takim me Shtabin e Emergjencave Civile në qark për të analizuar situatën e krijuar nga reshjet intensive dhe për të përcaktuar masat shtesë që do të merren në orët në vijim.
    Pas mbledhjes, ministri Vengu bëri të ditur se orët në vazhdim pritet të jenë dinamike sa i përket menaxhimit të situatës, ndërsa theksoi angazhimin maksimal të strukturave në terren. Ai njoftoi se është kërkuar mbështetje me mjete shtesë, për të cilat ka pasur reagim të menjëhershëm nga Ministria e Bujqësisë.
    Duke bërë një panoramë të situatës aktuale, Vengu theksoi se ka forca te ushtrisë qe janë dislokuar në Kurbin, si zona më e prekur nga reshjet dhe dëmet e shkaktuara deri tani, ndërsa trupa të tjera janë vendosur edhe në Lezhë për t’i paraprirë përkeqësimeve të mundshme. Sipas tij, po ndërhyhet gjithashtu në tre zona ku urat kanë pësuar dëmtime dhe paraqesin rrezik.
    Reshjet e dendura dhe prurjet nga përrenjtë malorë kanë shkaktuar probleme në Bashkinë e Lezhës, ku është dashur ndërhyrja e ekipeve të emergjencave civile. Si masë sigurie, janë evakuuar 4 familje ne Zejmen, banesat e te cilave jane nen nivelin e kanaleve kulluese e per pasoje jane permbytur, dhe keto familje janë strehuar në konviktin e shkollës profesionale në qytetin e Lezhës.

  • Reshjet në Qarkun e Lezhës/ Evakuime, ndërhyrje emergjente dhe masa shtesë sigurie, ministri Vengu: Strukturat në angazhim maksimal

    Reshjet në Qarkun e Lezhës/ Evakuime, ndërhyrje emergjente dhe masa shtesë sigurie, ministri Vengu: Strukturat në angazhim maksimal

    Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i shoqëruar nga prefekti Tauland Malshi, zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencave në Lezhë për të analizuar situatën e reshjeve dhe masat që do të merren në orët në vijim.

    Pas mbledhjes, Vengu deklaroi se situata mbetet dinamike dhe se strukturat janë në angazhim maksimal. Ai theksoi se janë kërkuar mjete shtesë, ndërsa Ministria e Bujqësisë ka reaguar menjëherë.
    Forcat e ushtrisë janë dislokuar në Kurbin, zonën më të prekur nga reshjet, si dhe në Lezhë për t’i paraprirë përkeqësimeve të mundshme. Ndërkohë, po ndërhyhet në tre ura që kanë pësuar dëmtime.
    Në Bashkinë e Lezhës janë evakuuar 4 familje, të strehuara në konviktin e shkollës profesionale.
    Në lagjen “Sake” disa banesa mbeten të rrezikuara, por ndërhyrja kërkon miratim nga Ministria, pasi zona është e mbrojtur.
    Situatë kritike paraqitet edhe në Kallmet, ku rezervuari ka arritur nivelin maksimal. Probleme raportohen edhe në Dragushë e Dajç, ku kanalet e ujërave të larta mund të shkaktojnë përmbytje nëse reshjet vazhdojnë.
    Në Kurbin është evakuuar një familje në fshatin Gjorm, ndërsa në Mirditë situata është më e qetë, me rrëshqitje dhe prani inertesh në disa rrugë rurale, ku është ndërhyrë gjatë ditës.
    Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit njoftoi se hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pa probleme.
    Ndërhyrje janë kryer në kanalet kulluese të Kurbinit dhe në ato të Zadrimës për të shmangur përkeqësimin e situatës.
    OSHEE raportoi ndërprerje të energjisë mëngjesin e sotëm, por furnizimi është rikthyer pas ndërhyrjeve teknike.
    Ndërkohë, Policia e Lezhës ka shtuar patrullat në akset me rrezik për të kufizuar qarkullimin dhe për të siguruar mbarëvajtjen e lëvizjes.
    Ministri Vengu kërkoi vijimin e gatishmërisë së plotë të të gjitha strukturave, pasi reshjet pritet të vazhdojnë.

    Top Channel

  • Gjin Gjoni: Veriu po diskriminohet totalisht nga buxheti

    Gjin Gjoni: Veriu po diskriminohet totalisht nga buxheti

    Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm është i përqendruar në Shqipërinë e mesme dhe jugore, duke lënë në harresë të plotë dhe duke diskriminuar veriun e vendit. Kjo ka qenë akuza e fortë e bërë gjatë një diskutimi në komisionin parlamentar nga deputeti i PD Gjin Gjoni i cili theksoi se qarku i Lezhës është një pasqyrë e qartë e kësaj qasjeje.

    Sipas ligjvënësit, në të gjithë qarkun janë parashikuar vetëm dy investime në ujësjellës, ndërsa probleme madhore që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe ekonominë lokale janë injoruar plotësisht.

    Një prej çështjeve më flagrante të ngritura ishte ajo e aksit rrugor Milot-Lezhë, i cilësuar si një “gangrenë” për banorët dhe vizitorët. Gjatë sezonit veror, për të përshkuar një distancë prej vetëm 22 kilometrash, nga kryqëzimi i Milotit deri në Shëngjin, qytetarëve u është dashur të kalojnë deri në shtatë orë në trafik. Kjo situatë ka dëmtuar rëndë jo vetëm banorët e Lezhës, por edhe pushuesit nga Kosova, si dhe dhjetëra biznese në zonat turistike si Tale, Shëngjin, Kune, Vain dhe Velipojë. Deputeti akuzoi se procesi i tenderimit për këtë rrugë është manipuluar vazhdimisht, duke u futur dhe anuluar pa një zgjidhje konkrete.

    Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Burimet Natyrore Gjoni tha se, “një tjetër pikë kritike është siguria në aksin Lezhë-Shkodër”. “Që prej ndërtimit të tij, vetëm në katër kryqëzime (Gjadër, Kallmet, Dajç dhe Mab) kanë ndodhur 150 aksidente për shkak të hyrje-daljeve jashtë standardeve”. “U shtrua pyetja se përse ndërhyrje me kosto të ulët, si ato të aplikuara në kryqëzime të tjera si Blinishti, nuk po zbatohen edhe këtu për të shmangur humbjen e jetëve dhe kostot e mëdha financiare e shëndetësore për komunitetin”.

    Problemi i tretë madhor i denoncuar ishte gjendja e rrjetit elektrik. Sipas deputetit, qarku i Lezhës, përfshirë Kurbinin dhe Mirditën, ka infrastrukturën më problematike në të gjithë Shqipërinë. Rrjeti daton që prej vitit 1970, është plotësisht i amortizuar dhe shkakton ndërprerje masive të energjisë edhe me rënien e shiut më të paktë. Kjo situatë tregon një mungesë totale të vëmendjes dhe investimeve në një nga sektorët më jetikë për banorët e zonës.

    Gjin Gjoni: Unë kam lexuar me shumë seriozitet buxhetin të cilën keni sjellë përpara parlamentit dhe njëkohësisht edhe zëra të cilët keni përfshirë dhe unë me bindje e them që i gjithë buxheti i shtetit është i përqendruar në Shqipërinë e mesme dhe në jug. Dhe në veri ka një diskriminim total në rast se do shohësh zërat të cilët janë të paraqitur në buxhet. Dhe marr qarkun e Lezhës, në qarkun e Lezhës vetëm dy ujësjellësa janë parashikuar deri në momentin aktual, të cilët kanë filluar punën, të them të drejtën, dhe as edhe një investim tjetër nuk del të paktën nga pasqyra të cilat janë pasqyruar.

    Atëherë, pyetjet e mia konsistojnë në, në, në disa gjëra konkrete. Ashtu siç jeni në dijeni, ministria që juve sot keni ardhur për të përfaqësuar, çështja e rrugës Milot-Lezhë është një gangrenë dhe qytetarët e qarkut të Lezhës, por njëkohësisht edhe banorët e Kosovës, e kanë përjetuar në një masë të theksuar gjatë vitit të fundit dhe pushimeve të verës.

    Të bësh nga ura e Milotit, kryqëzimi që shkon për, Kosovë dhe deri në Shëngjin shtatë orë, një 22 km, kjo është e paimagjinueshme. Aq më tepër që po në periudhën e verës, ura dhe rruga paralele që ka qenë rrugë dikur nacionale, u bllokua për shkak të mosndërhyrjes së shtetit dhe krijoi një trafik akoma më të shtuar në lidhje me situatën e cila ka qenë problematike dhe ka ndikuar çdo ditë jo vetëm në jetën e qytetarëve, por edhe të bizneseve të zonës dhe sidomos të zonës së Tales, Shëngjin, Kune, Vain e deri në Velipojë.

    Dhe unë shoh se, të paktën edhe nga kontaktet që kam, që e keni futur në tendera, e anuloni, e fusni, e nxirrni edhe për shkak të këtyre makinacioneve që juve tani janë bërë më se të ditura, jo vetëm nga media, por edhe nga denoncimet e Partisë Demokratike.

    Momenti tjetër shumë i rëndësishëm dhe është një shqetësim kryesor në lidhje me banorët e rrugës Lezhë-Shkodër. Që nga momenti i ndërtimit të këtij aksi, rezulton që vetëm në kryqëzimet e Gjadrit, Dajç dhe Mab, ka ndodhur 150 aksidente për shkak të hyrjeve dhe daljeve të cilët nuk janë në standarde. Duke qenë se autoriteti rrugor është në vartësi të ministrisë që juve drejtoni, ju lutem, të njëjtën gjë që keni bërë në kryqëzimin e Blinishtit që shkon për Fishtë, në Kallmet, pse nuk realizohet në këto kryqëzime që përveç dëmeve të cilat duhet të paguajë shteti për shkak të vdekjeve, po sjellin një kosto jashtëzakonisht shumë të madhe për qytetarët dhe për shëndetin e banorëve të kësaj zone. Dhe këto ndërhyrje janë ndërhyrje të cilat mund të bëhen me një kosto shumë të vogël. Sepse kërkohet hyrje dhe dalje, rrugë për të dalë një 30 metër, 40 metër, për të për të hyrë për të për t’u shmangur.

    Çështja e tretë është rrjeti elektrik. Dhe sot qarku i Lezhës është qarku më problematik që mund të ketë sot Shqipëria. Çdo ditë që shkoj, çdo ditë që vij në parlament, më bien rreth 100, 150 telefonata. Sot rrjeti elektrik në Lezhë, në Kurbin dhe në Mirditë është i vitit 1970. Pra, rrjeti i transmetimit rezulton që është i amortizuar. Dhe me një rënie të vogël të shiut, sot në Lezhë, në Kurbin dhe në Mirditë mund të ikin…

  • Ekzekutimi i Danit! Policia e Lezhës në makinën e djegur gjen tre kall*shnikovë dhe një pis*oletë

    Ekzekutimi i Danit! Policia e Lezhës në makinën e djegur gjen tre kall*shnikovë dhe një pis*oletë

    Kronikë E Martë, 11 Nëntor 2025 17:06
    Atentati ndaj Gilmando Danit ka vënë në lëvizje edhe Policinë e Lezhës. Strukturat e rendit në këtë qark kanë ngritur pika kontrolli në disa akse kryesore rrugore, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm. Po verifikohet çdo automjet i dyshimtë që qarkullon në zonë, ndërsa janë përfshirë edhe shërbime të forcave operacionale.
    Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas.

    Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje, 3 prej tyre kallashnikov dhe një pistoletë. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.

  • Reshjet e shiut përfshijnë Qarkun e Lezhës, rrezik për përmbytje nga lumi Gjadër

    Reshjet e shiut përfshijnë Qarkun e Lezhës, rrezik për përmbytje nga lumi Gjadër

    Qarku i Lezhës është përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe herë pas here të dendura, kryesisht në zonën e Zadrimës, ndërsa në pjesën tjetër të territorit reshjet kanë qenë më të lehta. Autoritetet vendore ndodhen në gatishmëri për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur përkeqësimin e mundshëm të kushteve.
    Sipas raportimeve nga strukturat e Mbrojtjes Civile, në bashkitë Kurbin dhe Mirditë nuk janë evidentuar problematika deri në orët e mesditës. Ndërkohë, në bashkinë Lezhë, si pasojë e reshjeve të dendura, është raportuar rrezik daljeje nga shtrati i lumit Gjadër, i cili bashkohet me lumin Drin në fshatin me të njëjtin emër. Po ashtu, kanali i parë në fshatin Kodhel ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të disa sipërfaqeve të tokave bujqësore aty pranë.
    Furnizimi me ujë të pijshëm vijon normalisht në të gjitha zonat e qarkut. Në fshatin Krajnë, njësi administrative Blinisht, është raportuar ndërprerje e energjisë elektrike, ku ekipet e OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve.
    Hidrovorët janë në gatishmëri dhe vihen në punë sipas prurjeve të ujit në kanale, ndërsa niveli i lumit Drin ka pësuar një rritje të lehtë, por mbetet brenda parametrave normalë. Ndërkohë, lumi Mat ndodhet në kuota minimale.
    Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe mbeten në kontakt të vazhdueshëm për çdo zhvillim të mundshëm.