Tag: leximi

  • José Saramago: Ja si duhet të lexoni…

    José Saramago: Ja si duhet të lexoni…

    Nga José Saramago

    Domethënë që duhet të lexojmë në tjetër mënyrë…

    Si vallë?

    Aspak nuk nevojitet të lexojnë të gjithë në mënyrë të njëjtë. Ngaqë gjithkush mund të sajojë mënyrën e vet të leximit; ka nga ata njerëz që e kalojnë tërë jetën e tyre duke lexuar pa arritur kurrsesi të bëjnë diçka më qenësore se leximi mirëfilli, prandaj ngelen si të ngjitur pas faqes së librit, pa mundur dot të kuptojnë se fjalët janë porsi gurët që i vendosim për të kaluar nëpër rrjedhën e rrëmbyer të një lumi, meqë aty ndodhen vetëm për të na mundësuar të shkojmë gjer në bregun tjetër, sepse pikërisht bregu tjetër ka rëndësi jetike.

    Përveç… Përveçse?…

    Përveçse mund të rastisë që këta lumenj ndoshta nuk kanë vetëm dy brigje, por shumë brigje të panumërta, prandaj gjithkush që lexon me ëndje të shndërrohet në bregun e tij vetjak, ndërsa veç në bregun e tij secili lexues të duhet gjithmonë të arrijë përmes leximit.

    Përktheu nga portugalishtja:Elvi SidheriObserverKult

    Lexo edhe:

    10 PËFITIMET NGA LEXIMI I PËRDITSHËM

    Studimet kanë treguar se personat që lexojnë rregullisht çdo ditë dhe e mbajnë vëmendjen përditë aktive përmes leximit, kanë 2.5 herë më pak shanse për të zhvilluar sëmundjen nervore degjenerative të Alzhaimerit.

    Një studim i bërë në “University of Sussec” në vitin 2009 ka treguar se leximi i përditshëm me vetëm 6 minuta redukton stresin me 68%, sepse gjatë kohës që lexohet diçka, lexuesi bëhet pjesë e një bote larg realitetit të përditshëm.

    Shton njohuritë e përgjithshme

    Nuk është e thënë që duhet të lexoni materiale shkencore për të marrë informacione të shumta lidhur me tema të ndryshme. Edhe një roman tipik veror mund t’ju japë informacione për sjelljet e njerëzve, menaxhimin e situatave dhe të problemeve etj. Edhe këto janë njohuri.

    Në një studim me njerëz heteroseksualë që shpreheshin me urrejtje për homoseksualët, secili prej tyre do të paguhej, nëse do të përfundonte së lexuari një libër lidhur me jetën e një personi homoseksual.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult

  • Leximi zgjat jetën, rrjetet sociale dëmtojnë kujtesën

    Leximi zgjat jetën, rrjetet sociale dëmtojnë kujtesën

    Sipas një studimi të publikuar më herët në revistën “Social Science and Medicine” njerëzit që lexojnë libra jetojnë më gjatë se njerëzit që nuk lexojnë.

    Studiuesit në Universitetin Yale pyetën 3635 pjesëmarrës mbi 50 vjeç për zakonet e tyre të leximit.

    Nga këto të dhëna, ata e ndanë grupin në: jo-lexues, njerëz që lexojnë më pak se 3.5 orë në javë dhe njerëz që lexojnë më shumë se 3.5 orë në javë.

    Studiuesit ndoqën secilin grup për 12 vjet. Njerëzit që lexuan më shumë ishin gra të arsimuara në universitet në grupin me të ardhura më të larta.

    Ata që lexonin mbi 3.5 orë në javë jetuan plot 23 muaj më shumë se ata që nuk lexonin fare.

    Kjo e dhënë vlente për të gjithë pjesëmarrësit e leximit, pavarësisht nga faktorët “gjinia, pasuria, arsimi apo shëndeti”.

    Pra të lexosh sa më shumë është një mënyrë për të përmirësuar cilësinë e jetës për këdo mbi 50 vjeç, sepse nuk eshtë kurre vonë për të lexuar.

    Për rrjetet sociale

    Çdo ditë, miliona njerëz dokumentojnë dhe ndajnë përvojat e tyre në mediat sociale, nga festat e mbushura deri te momentet më intime familjare.

    Platformat sociale na lejojnë të qëndrojmë në kontakt me miqtë dhe të krijojmë marrëdhënie të reja si kurrë më parë, por këto rritje në komunikim dhe lidhje sociale mund të kenë një kosto.

    Sipas një botimi në Journal of Experimental Social Psychology, studiuesit treguan se sa më shumë kohë të kalosh në mediat sociale aq më shumë gjasa ka të kesh një kujtesë të dëmtuar.

    Në të gjitha eksperimentet rezulton se ata që kalojnë shumë orë në rrjetet sociale kanë një kujtesë rreth 10% më të dëmtuar.

    Një person shpenzon mesatarisht mbi 3-5 orë në telefonin e tij çdo ditë, duke përfshirë afërsisht 3-5 orë në rrjetet sociale.

    Edhe pse mund të duket si një kalim kohe i padëmshëm, hulumtimet tregojnë se të bësh diçka në mënyrë të përsëritur për një kohë të gjatë mund të shkaktojë ndryshime fiziologjike në tru.

    Hulumtimet tregojnë gjithashtu se përdorimi i tepërt i mediave sociale është i lidhur me deficitet e kujtesës, veçanërisht në kujtesën tuaj transaktive.

    Ky lloj memorie përfshin përcaktimin se çfarë informacioni është mjaft i rëndësishëm për t’u ruajtur në trurin tuaj dhe çfarë informacioni mund të nxirret jashtë.

    Sipas Qendrës Kërkimore Pew, 69% e të rriturve dhe 81% e adoleshentëve në SHBA përdorin mediat sociale.

    Kjo e vë një pjesë të madhe të popullsisë në një rrezik të shtuar për t’u ndjerë në ankth, depresion ose i sëmurë për shkak të përdorimit të mediave sociale.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    LEXIMI E MBAN TRURIN TUAJ TË RI NË MOSHË

    Leximi e “stërvitj” trurin tuaj ndryshe nga shikimi i televizorit ose dëgjimi i radios.

    Nëse jeni të zhytur në një libër, apo thjesht shfletoni një manual udhëzimi për makinën tuaj të kafesë truri reagon ndryshe.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult

  • Krizë apo transformim: metamorfoza e leximit

    Krizë apo transformim: metamorfoza e leximit

    Nga Albana Beqiri

    Në diskursin tonë të përditshëm termi “krizë e leximit” është bërë pjesë e fjalorit dhe narracionit të zakonshëm publik dhe atij akademik. Botuesit flasin dhe ankohen vazhdimisht për rënie të shitjeve, mësuesit nga ana e tyre ngrenë shqetësimin për nxënës që nuk e lexojnë dot qoftë edhe një libër deri në fund, ndërsa sociologët alarmojnë për humbjen e rolit emancipues të librit. Në dukje të parë, panorama e këtillë është pesimiste. Megjithatë, në të njëjtën kohë, tregu i librit (në Shqipëri dhe Kosovë) po përjeton një bum botimesh: çdo muaj dalin dhjetëra tituj të rinj, debutojnë plot autorë të rinj, përkthimet (që nga nobelistët deri te autorët më pak të njohur) po ashtu janë gjithnjë e më të pranishme dhe libraritë (ndonëse të pakta në numër) vazhdojnë të mbushen me libra të rinj. Kjo kontradiktë e dukshme që sillet mes mungesës së lexuesve dhe (mbi)prodhimit të librave, (nëse mund ta quajmë kështu), megjithatë kërkon një analizë më të thellë se ajo që e redukton fenomenin në atë që thjesht e emërtojmë dhe perceptojmë si “mungesë leximi”.

    Në këto kushte, “kriza e leximit” nuk duhet kuptuar thjesht si rënie e dëshirës për lexim, jo, ajo duhet kuptuar si ndryshim i mënyrës së të lexuarit. Sepse, leximi sot ndodh në kontekste të ndryshme teknologjike: në ekran, në formate audio, në platforma digjitale apo në rrjete sociale që ndërtojnë komunitete të reja leximi. Që ta kuptojmë deri në fund fenomenin, duhet të kuptojmë se para së gjithash këto forma nuk janë zëvendësuese, por plotësuese të librit tradicional. Duhet të kuptojmë e pranojmë gjithashtu se, ndryshimi i mediumit e shndërron edhe marrëdhënien me tekstin, ritmin e përthithjes, madje edhe mënyrën se si strukturohet mendimi. Dhe, në vetvete kjo është vërtet sfidë kulturore, por jo edhe domosdoshmërisht humbje.

    Për lexuesin tradicional, (një prej të cilëve jam edhe unë) që është rritur me besimin se “libri është shoku më i mirë”, leximi online mund të perceptohet si një lloj kërcënimi. Leximi në ekran shpesh (për të mos thënë gjithmonë) është fragmentar, i shpërqendruar dhe i ndërprerë nga njoftime jorelevante, reklama apo rrjete sociale. Ai nuk lejon të njëjtën përqendrim dhe thellësi si leximi në print. Megjithatë, duam apo nuk duam, e pranojmë ose jo, për brezat e rinj, ekrani nuk është armik i librit, por habitat i tij i ri. Ata lexojnë ndryshe: më shpejt, më interaktivisht, shpesh në formë të shpërndarë, por jo domosdoshmërisht më pak.

    Në fakt, ajo që na ka alarmuar me të drejtë si krizë evidente e leximit apo e librit është pjesë e një fenomeni të përbotshëm, por tek ne çështja ndërlikohet (nëse mund ta quajmë kështu) paksa pasi, problematika lidhet jo aq me mungesën e lexuesve, sa me mungesën e një kulture të mirëfilltë leximi. Sistemi arsimor, për shembull, shpesh e redukton librin në instrument testimi e jo në burim e akt përjetimi. Ndërkohë, institucionet publike të leximit (bibliotekat, klubet e leximit, qendrat kulturore) nuk e kanë rifituar ende rolin e tyre si hapësira të gjalla të formimit kulturor. Në këtë kuptim, kriza nuk është e leximit si akt, por e politikave që ndikojnë në të.

    Sipas Umberto Ecos “libri është si lugë, biçikletë, çekiç, thikë ose gërshërë: sapo është shpikur, nuk mund të përmirësohet më”. Metafora e tillë shpreh bindjen (së paku të shkrimtarit dhe euriditit italian) se libri, si formë, ka një qëndrueshmëri ontologjike, por nga ana tjetër kjo nuk përjashton transformimin e mënyrës së konsumimit të tij. Sepse siç e thamë më sipër, të rinjtë e sotëm nuk janë më “lexues të heshtur” në kuptimin klasik, por lexues të zëshëm, pjesëmarrës, të cilët komentojnë pa asnjë drojë, shpërndajnë lehtësisht, ndërhyjnë po aq lehtësisht, e madje të mbushur besim e vetëbesim kanë guximin edhe ta ribëjnë tekstin.

    Në këto kushte, në vend që të ankohemi për “vdekjen e librit (nënkupto fundin e tij)”, ndoshta duhet të mësojmë të lexojmë shenjat e një fillimi të ri. Duhet të kuptojmë se e ashtuquajtura krizë e leximit nuk çon detyrimisht në vdekjen e tij, sepse vërtet as libri e as leximi nuk kanë vdekur, por thjesht kanë ndërruar habitat. Dhe detyra e kulturës, e shkollës dhe e mediave është të ndërtojnë ura përbashkimi midis librit klasik (atij të shtypur në letër) dhe librit digjital si dhe midis lexuesit të djeshëm dhe atij të nesërm. Sepse në fund të fundit, leximi nuk është vetëm akt i përthithjes së kuptimit, por mbi të gjitha i rikrijimit të tij.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    ALBANA BEQIRI: UNË E DI, LAMTUMIRAT NUK JANË TË LEHTA

  • 20 thënie për dashurinë e përjetshme ndaj librit

    20 thënie për dashurinë e përjetshme ndaj librit

    Leximi tashmë është akt rezistence, mënyrë për ta ruajtur mendimin, ndjeshmërinë dhe kujtesën.Këto 20 thënie, nga autorë të ndryshëm të botës, janë një ftesë për t’u rikthyer te libri si përvojë intime dhe universale. Secila prej tyre është një kujtesë se leximi nuk ta ndryshon vetëm ditën, por jetën.

    1.“Librat janë magji e bartshme.” – Stephen King

    2.“Librat janë aeroplani, treni dhe rruga. Janë udhëtimi dhe destinacioni. Janë shtëpia.” – Anna Quindlen

    3.“Një libër i mirë është një dhuratë që mund ta hapësh sërish e sërish.” – Garrison Keillor

    4.“Njeriu që nuk lexon libra të mirë s’ka shumë përparësi ndaj atij që s’mund të lexojë fare.” – Mark Twain

    5.“Në një libër të mirë, më e mira fshihet mes rreshtash.” – Fjalë e urtë suedeze

    6.“Mendojmë se dhimbja jonë është unike, derisa lexojmë.” – James Baldwin

    7.“Të mësosh të lexosh është si të ndezësh zjarr; çdo rrokje është një shkëndijë.” – Victor Hugo

    8.“S’jetoj dot pa libra.” – Thomas Jefferson

    9.“Librat janë pasurim më i madh se të gjitha thesaret e piratëve.” – Walt Disney

    10.“Disa libra janë aq të njohur, sa t’i lexosh është si të kthehesh në shtëpi.” – Louisa May Alcott

    11.“Libri është një mik që të pret gjithmonë në të njëjtin vend.” – Autor anonim

    12.“Leximi është si të marrësh frymë brenda; shkrimi është si të nxjerrësh frymën jashtë.” – Pam Allyn

    13.“Librat tregojnë se mendimet ‘origjinale’ nuk janë aq të reja sa mendojmë.” – Abraham Lincoln

    14.“Kur kam një libër me vete, nuk ndihem kurrë vetëm.” – Charles Bukowski

    15.“Librat janë pasqyra e shpirtit.” – Virginia Woolf

    16.“Ti mendon se je vetëm, pastaj gjen veten në një faqe libri.” – Alberto Manguel

    17.“Librat janë dashnorët më besnikë: i lë, të presin; u kthehesh, të duan prapë.” – John Green

    18.“Në kohë errësire, kthehemi te librat për të gjetur fjalë për atë që veçse e ndiejmë.” – Alberto Manguel

    19. “Librat janë mënyra më e qetë për ta bërë botën të flasë.” – Carl Sagan

    20. “Leximi është mënyra më intime për të dëgjuar një njeri që s’është më.”– Paul Auster

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    ISMAIL SYLA: BIRI I HIJES, BIRI I FJALËS DHE BIRI I KODIT

  • Mediat sociale, kalbja e trurit dhe vdekja e ngadaltë e leximit

    Mediat sociale, kalbja e trurit dhe vdekja e ngadaltë e leximit

    Goditja e dopaminës nga qëndrimi gjithë kohës në smartfon e bën leximin e një libri të duket më i mundimshëm — por ia vlen ajo përpjekje shtesë

    Nga Mia Levitin

    Puna ime si kritike librash dikur shkaktonte zili në festa koktejlesh, me njerëz që fantazonin për një jetë të kaluar duke lexuar. Tani është më e zakonshme të nxisë rrëfime sikleti nga të pranishmit për faktin që nuk lexojnë aq sa do të donin — a thua unë do u bëja një test të papritur për “Moby-Dick”.

    Kohët kur Uliksi i James Joyce-it ishte një magnet për burrat kanë kaluar prej kohësh, siç më kujtoi shkrimtarja irlandeze Anne Enright në një panel për të shënuar 100-vjetorin e librit në vitin 2022. Për arsye të ngjashme, biblioteka ime universitare përmbante një kopje të “Infinite Jest” prej 1,000 faqesh të David Foster Wallace-it.

    Sot, as studentët e letërsisë nuk lexojnë më libra të gjatë. Studiuesi i Shekspirit, Sir Jonathan Bate, i cili jep mësim në universitete si në SHBA, ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, së fundmi shprehu keqardhje për këtë rënie të lexuesve. Ai i tha BBC Radio 4 se, 40 vjet më parë, “mund t’u thoshe studentëve: ‘Këtë javë është Dickens. Ju lutem lexoni Great Expectations, David Copperfield dhe Bleak House.’ Tani, në vend të tre romaneve në një javë, shumë studentë mezi e mbarojnë një roman në tri javë.”

    Një sondazh i fundit nga organizata bamirëse Reading Agency tregoi se vetëm gjysma e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar lexojnë rregullisht për qejf, një rënie nga 58 për qind në vitin 2015. Edhe më shqetësuese, 35 për qind janë lexues që dikur e shijonin këtë hobi. Ata që rrëfehen në festat e koktejleve — mes tyre edhe romancierë — më thonë se tani e gjejnë veten duke bërë scrolling në telefon në shtrat, në vend që të lexojnë. Dhe kush u vë faj? Mediat sociale janë krijuar për të kapur vëmendjen tonë me stimulim dhe miratim, në një mënyrë që teknologjia e faqes së librit e ka të vështirë ta konkurrojë.

    Sipas neuroshkencëtares Maryanne Wolf, autore e “Reader, Come Home: The Reading Brain In A Digital World”, ndërsa truri ynë është i prirur për të përvetësuar gjuhën, ai nuk është i programuar natyrshëm për të lexuar; leximi është një aftësi e mësuar. Por plasticiteti i trurit funksionon në të dyja drejtimet: e përdor, ose e humbet, dhe ne po zgjedhim gjithnjë e më shumë ta humbim atë. Fjala e vitit 2024 nga Oxford University Press ishte “kalbja (degradimi) e trurit” — që nënkupton si “përmbajtja me cilësi dhe vlerë të ulët” që gjendet online, ashtu edhe degradimi intelektual nga konsumimi i saj i tepruar. I regjistruar si term për herë të parë në librin “Walden” të Henry David Thoreau-s më 1854, rritja e përdorimit të tij këtë vit i atribuohet (ironikisht), përmendjes në videot e TikTok-ut.

    Rritja e lehtë e dopaminës nga mediat sociale mund ta bëjë leximin të duket më i mundimshëm në krahasim me to. Por ia vlen mundimi: lexuesit e rregullt raportojnë mirëqenie dhe kënaqësi më të lartë në jetë, duke përfituar nga gjumë i përmirësuar, fokus, lidhje dhe krijimtari. Ndërsa vetëm gjashtë minuta lexim është vërtetuar se reduktojnë nivelin e stresit me dy të tretat, leximi i thellë ofron dobi konjitive shtesë, si mendimi kritik, empatia dhe vetë-reflektimi.

    Ella Berthoud, një biblioterapiste që ofron “receta” të personalizuara librash dhe bashkëautore me Susan Elderkin e “The Novel Cure: An A to Z of Literary Remedies”, thotë se klientët gjithnjë e më shumë kërkojnë udhëzime se si të lexojnë më shumë. Për të ndërtuar një zakon leximor, ajo rekomandon të provoni audiolibrat, të krijoni një kënd leximi për librat fizikë dhe të mbani një ditar leximi, pasi mbajtja e shënimeve ndihmon në përforcimin e kujtesës. Për ata që duan të kombinojnë dy objektiva të reja këtë vit, Berthoud demonstron aftësinë mbresëlënëse të Hula-Hoop-it ndërsa lexon.

    Nëse muskujt tuaj të leximit janë atrofizuar, në vend që të zhyteni menjëherë tek, fjala vjen, Uliksi dhe të mbani shënime, mund të jetë më e lehtë të filloni me tregime të shkurtra ose novela, thotë Berthoud. Të preferuarat e saj për lexim të shkurtër përfshijnë koleksionin “Storybook” nga New Directions — projektuar për t’u lexuar në një seancë të vetme — dhe librat nga Peirene Press, një botues i pavarur i specializuar në novela.

    Ndërkohë që tregu i fiction-it përfiton nga zhanret si krimi, fantazia dhe romanca, që janë të popullarizuara në BookTok (komuniteti me ndikim i leximit brenda TikTok-ut), shitjet e librave nonfiction kanë rënë dukshëm nga viti në vit. Mendimi i përhapur është se nonfiction-i është më i lehtë për t’u skanuar, duke çuar në shfaqjen e aplikacioneve si Blinkist, Headway dhe StoryShots, të cilat ofrojnë përmbledhje librash që dyshohet se janë gjeneruar kryesisht nga inteligjenca artificiale. Por, edhe duke lënë mënjanë çështjet e të drejtës së autorit dhe saktësisë së IA, leximi nuk ka të bëjë thjesht me efikasitetin. Një nonfiction i mirë ofron jo vetëm informacion, por edhe një bisedë: ndjekja e procesit të mendimit të një autori na stërvit mendjet tona, për të menduar.

    Libri im i preferuar nonfiction këtë vit — dhe një antidot i shkëlqyer për degradimin e trurit — është “Stranger than Fiction: Lives of the Twentieth-Century” i Edwin Frank. Mbulimi i 33 librave me një bibliografi sugjerimesh për lexim të mëtejshëm, është një mënyrë për të ushtruar leximin e thellë dhe një portë për t’u lidhur sërish me disa nga veprat më të mëdha në histori.

    Maria Popova, autore dhe eseiste që themeloi faqen letrare The Marginalian, dikur e përshkroi letërsinë si “interneti origjinal”, ku çdo referencë dhe shënim është “një hiperlink drejt një teksti tjetër”. Përparësia është se mund të humbisni në këtë internet analog pa përmbajtje virale, që bërtet për vëmendjen tuaj.

    Edhe nëse ndalimi i TikTok-ut do të ndodhë në SHBA, platforma të tjera do të dalin për ta zëvendësuar. Kështu që në vitin 2025, pse të mos zëvendësoni telefonin në komodinë me një libër? Vetëm një orë në ditë të marrë nga koha e ekranit shton rreth një libër në javë, duke ju vendosur mes një përqindjeje të lartë lexuesish.

    Mia Levitin është kritike dhe autore e librit ‘The Future of Seduction’. / the new york times

    ObserverKult

    lexo edhe:

    Prej 25-29 janar ju mirëpresim në Festivalin Poetik të Prishtinës!

    Dita e parë e Festivalit Poetik të Prishtinës i kushtohet LETËRSISË SHQIPE NË MAQEDONI

    Dita e dytë e Festivalit Poetik të Prishtinës/ Promovim libri, debat tematik, takime poetike…

    Dita e tretë e Festivalit Poetik të Prishtinës/ Poezi, kritikë , debat e muzikë

  • “Izolimi më ka ndihmuar shumë të…”/ Meta nga qelia: Ju rrëfej se cila është kënaqësia ime më e madhe në burg

    “Izolimi më ka ndihmuar shumë të…”/ Meta nga qelia: Ju rrëfej se cila është kënaqësia ime më e madhe në burg

    Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndodhet në qeli që pas arrestimit të tij më 21 tetor të vitit 2024. Në një intervistë, Meta ka ndarë edhe disa përjetime personale, veç ideve politike që lidhen me situatën e opozitës pas 11 majit.
    Ndër të tjera, Meta rrëfen se leximi dhe ushtrimet fizike janë pjesë e pandarë e përditshmërisë së tij. Meta shprehet se burgu e ka ndihmuar të çlirohet nga shumë gënjeshtra dhe të ndryshojë pikëpamje për jetën.
    Pjesë nga intervista:
    Natyrisht që kënaqësia më e madhe është takimi njëherë në javë me motrën dhe fëmijët. Por kënaqësia e përditshme është leximi dhe ushtrimet fizike.
    Aktualisht po lexoj librin autobiografik të Nelson Mandelës “Long Walk to Freedom”.
    Jam aktualisht në momentin kur Mandela përpunoi platformën klandestine të ANC për t’i rezistuar regjimit të aparteidit. Kudo pakicat përmes dhunë e frikës shtypin shumicën, por përkohësisht.
    Edhe burgu më ka ndihmuar shumë të çlirohem nga shumë gënjeshtra dhe ta shoh jetën në mikro, ku ajo është më e vërtetë dhe e prekshme.

  • Alfred Uçi: Duhet të dish të lexosh, çfarë të lexosh, e si të lexosh

    Alfred Uçi: Duhet të dish të lexosh, çfarë të lexosh, e si të lexosh

    Nga Alfred Uçi

    Ka gjëra ose veprime kaq të rëndomta, të zakonshme, të përditshme, saqë shpesh jemi të bindur se ua njohim mirë thelbin, strukturën, funksionin, rolin dhe prandaj do të na dukej absurde, në mos qesharake të pyesnim se ç’ janë.

    Më duket se një veprim i këtij lloji është dhe leximi (lëçitja) si tillë, por po të pyesnim se ç’është ai jo vetëm njerëz fare të rëndomtë, por edhe intelektualë të regjur me lexime gjithëshfarëshe, ndodh të na japin përgjigje fare të cekëta, të njëanshme, madje edhe banale.

    Po ç’ka më nxit, të shpreh ca mendime për këtë problem, janë disa shqetësime të ditëve tona që shfaqen në shumë familje: Përse shumë fëmijë, por jo vetëm fëmijë nuk kanë dëshirë të lexojnë? Situata është shqetësuese kur mësojmë se nuk ka fonde për të blerë libra sipas profileve që kanë bibliotekat qendrore të universiteteve, fakulteteve, institucioneve shkencore e kulturore, pale fonde për botime të huaja.

    Siç është problem kriminaliteti, korrupsioni, trafiqet, varfëria etj. , është bërë problem i rëndësishëm social-kulturor dhe mosleximi, tatëpjeta e tij në përmasa frikësuese. Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me shije personale, por me një plagë sociale, që dëshmon për një prirje disi të padukshme, të fshehtë, që i kundërqëndron me forcë të madhe asaj perspektive, për të cilën flitet shumë, për të hyrë si komb qysh në fillim të shek. XXI drejt një qytetërimi modern, për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

    Shqetësim është se leximi është duke u rrudhur dhe është fatkeqësi kur libri ka fituar lirinë e plotë, madje të tepruar me disa botime që më mirë të mos ishin. Kur përpiqemi të përcaktojmë faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit të njerëzimit, të qytetërimeve, ne na shkon mendja lehtësisht te kultura, ekonomia, shkenca, teknika, feja, morali, filozofia, etj. Po kështu mund të përmendim disa nga shpikjet e zbulimet më të mëdha si zjarrin, rrotën, atomin, elektricitetin, artin, kompjuterin, etj.

    Por, çuditërisht nuk na shkon mendja ta përfshijmë në këtë rrjesht ose në krye të tij LEXIMIN. Shpesh kjo harresë ushqehet edhe nga ndonjë keqkuptim rreth zanafillës së vonuar, siç mendohet, të shfaqjes së leximit si veprimtari e rëndësishme njerëzore. Ne i kemi provokuar pak përpara grupe nxënësish e studentësh, por edhe mësuesish, me pyetjen ç’është LEXIMI?

    Me nënqeshje ironike, përsëriten këtë përgjigje: LEXIMI është zotërimi i një alfabeti dhe përdorimi i tij për të lexuar libra. Këtë përgjigje ne e quajtëm të cekët, gjysmë të vërtetë, në mos banale.

    Është e vërtetë se zbulimi, krijimi i alfabeteve ka qenë një nyjë e një ngjarje e rëndësishme në jetën dhe historinë e njerëzimit; me të filloi përdorimi i shkrimit dhe dorëshkrimit. Ata popuj që e patën më përpara në kohë këtë vegël, shkuan edhe më përpara në krahasim me ata që s’e patën e u vonuan në qytetërim. Por, leximi si i tillë, është më i lashtë se sa alfabetet; ai është aq i lashtë, sa homosapiensi, sa shoqëria njerëzore, të menduarit e të folurit.

    Sigurisht, nuk e kemi fjalën për leximin e alfabeteve, që kanë qenë produkte më te vona, por kemi parasysh leximin natyror, i cili ka qenë qysh në fillim një kusht i rëndësishëm i ekzistencës njerëzore, një premisë e domosdoshme për komunikim, i shkëmbimit të përvojës njohëse.

    Me të drejtë thuhet se sikur të ndërpritej qoftë edhe për një kohë të shkurtër prodhimi global, shoqëria do të ndodhej para një katastrofe të pariparueshme, por ne do të mund të pohonim po kështu se po t’i kishte munguar njeriut aftësia për të lexuar, shoqëria do të kish qenë e paaftë për të prodhuar, pra për të ekzistuar.

    Leximi e ka përcjellë njerëzimin jo vetëm në kohët parahistorike, por ky veprim vazhdon ta përcjellë atë në gjithë aventurën e ekzistencës së tij. Leximi është vegël e pazëvendësueshme me asgjë tjetër. Nuk është e rastit që në Bibël është thënë: “Në fillim qe Fjala”!

    Një rëndësi të jashtëzakonshme patën bibliotekat e para që u ngritën, që fituan prestigjin e faltoreve dhe të bankave të thesarit, të begata në vlera intelektuale dhe me fuqi të madhe tërheqëse. Pa shkrimin nuk do të kishim patur “Dhiatën e Vjetër”, ” Zurenik”, ”Kodikun e Purpët” apo “Kodikun e Artë”, apo gjithë veprat e shkrimtarëve të Antikitetit dhe Mesjetës.

    Leximi ka ushqyer fuqinë e dijes, e qytetërimit, progresit, prandaj ka patur ithtarë të përgjëruar të leximit e të shkrimit, martirë të vërtetë për Diturinë, por progresi ka patur dhe armiq të betuar që kanë ardhur nga stani i injorancës, siç pat ndodhur me Sokratin që piu helmin ose me Platonin skllav, me atë Mulla Omarin që dogji bibliotekën e madhe të Aleksandrisë, nisur nga mendimi se njerëzve u mjaftonte Kurani që demek kish të gjitha ç’i nevojitet jetës, ose si inkuizicioni që digjte gjatë Mesjetës librat dritëdhënëse se bashku me autorët e tyre, Xh. Brunon etj., që e detyroi mendjen e ndriçuar nga leximi të strukej për të lexuar në manastiret, në qelitë e tyre ku ruhej libri. Martirë të vërtetë të librit ka pasur edhe Shqipëria, si P. N. Luarasi, që përkthente në shqip dhe përhapte abetaren në shkollat e para rilindëse të vendit tonë

    Një revolucion i madh që ka ndodhur në historinë e librit qe shtypshkronja tipografike, mekanike e Gutenbergut, në të cilën me 1448 u shtyp për herë të parë “Bibla”. Me kohë në kuadër të Revolucionit industrial u realizua një progres i madh i industrisë tipografike, që e ka bërë të mundur prodhimin e librave në sasi kolosale dhe uljen e kostos së riprodhimit të tyre.

    Ky progres ka qenë shoqëruar dhe me rritjen e vazhdueshme të kërkesave për libra brenda sistemeve bashkëkohore arsimore e jashtëarsimore, si dhe me përsosjen e pasurimit kolosal të bibliotekave të profileve të ndryshme, duke përfshirë dhe ato personale, të sistemit të shpërndarjes, të tregtimit dhe të propogandimit të librit. Edhe brezi ynë ka patur fatin të shijoje dhe po shijon rritjen e botimeve tipografike dhe të tirazheve të tyre.

    Është kënaqësi që shikojmë në libraritë gjithë ato libra, madje dhe ato “të ndaluara “, ”të mallkuarat” që i shihnim në libraritë e vendeve të tjera dhe që ndërronim të kishim dhe në shtëpitë tona.

    Tema e leximit në jetën bashkëkohore është bërë një temë e parapëlqyer në çdo vend të botës. Ajo përcillet me diskutime e debate të shumta. Shqetësimet për problemet e leximit kanë filluar pas Luftës së Dytë Botërore, kurse jehona e diskutimeve të thella ka arritur vonë, megjithëkëte më mirë vonë se kurrë. Problemet që ngre E. Montale, shkrimtar nobelist i mirënjohur, në esenë me titull “Arti i leximit” janë bërë aktuale edhe për jetën kulturore e sociale të shoqërisë sonë. Montale i është referuar kryesisht leximit të letërsisë artistike dhe prandaj e çmon si atribut të pandarë të leximit kënaqësinë estetike, kurse ne duam ta trajtojmë leximin në kuptimin më të gjerë të fjalës, si akt specifik të leximit të çdo gjëje të shkruar e të botuar, të leximit në përgjithësi, të çfarëdollojshëm që njeriu e bën për arsye shumë të ndryshme.

    S’ ka dyshim se shumica e njerëzve që lexojnë sistematikisht përfitojnë kënaqësi, e cila është një stimul e një akt psikologjik emocional, që përcjell në mënyrë suksesive leximin. Po qe se libri të pëlqen, e lexon me një frymë deri në fund, por kur nuk të pëlqen e mbyll dhe e flak tutje. Ka shumë libra që të pëlqejnë, por ka dhe libra që s’ të pëlqejnë. Çdo njeri është i detyruar dhe lexon edhe libra që s’i pëlqejnë.

    Kështu, çdo nxënës ose student për të plotësuar programin mësimor është i detyruar pavarësisht nëse i pëlqen ose jo të bëjë lexime të detyrueshme. Dhe, s’ka besoj ndonjë nxënës apo student që të pëlqejë çdo tekst të çdo lënde mësimore që të kënaqet, ta shijojë si gjë të këndshme, jo vetëm kur teksti është i rëndë, i mërzitshëm, i pakuptueshëm, por edhe kur është i thjeshtë, i shkruar mirë, por i një lënde që s’pëlqehet. Ndodh që leximet e detyrueshme që s’pëlqehen bëhen faktorë që kultivon te lexuesit alergji ndaj leximit në përgjithësi. Por, kjo që pohuam tregon se leximi është diçka më e gjerë se sa leximi thjesht për kënaqësi.

    Nuk bën të mendohet sa kënaqësi i sjell njeriut vetëm leximi i letërsisë, poezisë, teksteve artistikë. S’ka dyshim se çdo tekst artistik pëlqehet ngaqë domosdoshmërisht ka një natyrë estetike d.m.th. hartohet që të krijojë lidhje emocionale me lexuesin, të pëlqehet, të dhurojë kënaqësi.

    Por, ka edhe shumë raste kur disa lexues parapëlqejnë tekste të vështira, matematike, fizike, biokimike, tekste të ngarkuara me sisteme shenjash simbolike të ndërlikuara dhe megjithkëtë përfitojnë kënaqësi më të madhe nga çka të dhurojnë tekstet artistike, që në krahasim me tekstet shkencore i quajnë “Përralla”, i quajnë fantazi së koti. Kjo tregon që në këto raste lexuesi njeh raportin midis tekstit e realitetit, sepse dhe leximi mund të jetë shkencor, i pëlqyeshëm dhe përfton kënaqësi, sepse i dhuron lexuesit dije të sakta shkencore, kurse po këtij lexuesi nuk i duket i mbushur me gjepura, me gënjeshtra, me trillime fantastike.

    Shembujt që përmendëm tregojnë se leximi nuk është thjesht kënaqësi. Leximi është një akt i ndërlikuar kulturor, shkencor, psikologjik dhe nuk reduktohet vetëm në rastet e leximit të këndshëm argëtues. Krijimi i veprave artistike, i teksteve letrare poetike është njëlloj pune sigurisht e një lloji të vecantë, por gjithsesi punë.

    Është një impenjim kryesisht mendor, intelektual, emocional, psikologjik, por edhe fizik, po të teprohet leximi bëhet i lodhshëm, i mundimshëm siç është çdo punë. Leximi nuk është angazhim thjesht për t’ u dëfryer, për të të zënë gjumi ose për të vrarë kohën. Ai është angazhim që e nënkupton lodhjen që mund të të pëlqejë po që dhe mund të të mos pëlqejë.

    Brezi i ri duhet te mësohet ta kuptojë se leximi është një investim drejt së ardhmes për një profesion të parapëlqyer, për një jetë më produktive, për të përballuar kërkesat e shkollës, të kulturës, shkencës, qytetërimit. Njeriu që s’ lexon në kohën tonë mbetet injorant, gjysmak, nuk e gëzon lirinë, zgjedhjen e veprimit.

    Nëse e pranojmë leximin si punë atëherë duhet të flasim edhe për mjeshtërinë e të lexuarit. Çdo lloj pune është art, mjeshtri më vete. Çdo mjeshtri ka sekretet e marifetet e veta. Secila dallohet për nga lloji i dijeve, i përvojës, nga mjeti që përdor dhe që e drejton drejt veprimtarisë së qëllimshme. Edhe leximi si njëlloj mjeshtrie ka specifikën e vet. Ai ka një qëllim drejt së cilit synon. Është një angazhim serioz i njeriut për të.

    Duhet të dish të lexosh, çfarë të lexosh, e si të lexosh.

    Ka njerëz që lexojnë, po kur mbarojnë së lexuari qoftë dhe një tekst minimal nuk janë në gjendje të tregojnë se çfarë lexuan e cili qe kuptimi i tij. Të LEXOSH do të thotë të përvetësosh informacionin e plotë që është depozituar në përmbajtjen e fjalëve, të shkrimit, të tekstit. Struktura e çdo teksti nuk është e njëjtë.

    Ka tekste të rënda që kërkojnë një impenjim më të forte intelektual e fizik të lexuesit. Duke u nisur nga tekstet e vështira shkencore e jo shkencore, për të deshifruar kuptimin e shumëkuptimin e tyre janë formuluar dhe këshilla e rekomandime praktike për mënyrat e leximit.

    Faguenti, studiuesi i mirënjohur i leximit në përgjithësi, ndaj pyetjes se si duhet lexuar, ka dhënë këtë përgjigje: së pari të lexohet shumë ngadalë, së dyti të lexohet shumë ngadalë dhe së treti të lexohet shumë ngadalë.

    Kjo këshillë që trefishohet, sigurisht është e dobishme në përgjithësi dhe vlen për ta mbrojtur lexuesin nga një lloj leximi i përshpejtuar e diagonal, që kryhet zakonisht nga cektësia kulturore e lexuesve, që priren për të mos e vrarë mendjen, kurse leximi i ngadalshëm, i vëmendshëm është mënyra më e frytshme duke nxjerrë gjithë informacionin nga çfarëdo lloj teksti sidomos nga tekstet e vështira e me densitet të madh informativ.

    Edhe tek ne ka marrë përpjetë botimi, shitja e leximi i një letërsie të atillë, që do ta quanim letërsi për të humbur kohën, letërsi për dembelë. Plot libra, sidomos revista të ilustruara që vetëquhen “moderne”, të cilat i ka nëpër duar një numër i madh lexuesish ndikojnë negativisht në aftësitë lexuese duke deformuar shijen e kulturuar të leximit, duke e vrarë dhe duke e bërë lexuesin të paaftë për të diferencuar një tekst që meriton të lexohet nga një tekst banal, vulgar, të ceket madje dhe nga ato që i përkasin antikulturës.

    Gjysma e dytë e shekullit XX ka qenë periudhë e një kthese të pabesueshme e të habitshme në shumë sfera të teknikës e shkencës, por mendoj se më e rëndësishme ka qenë e vazhdon të jetë krijimi i një sistemi krejt të ri, jo tradicional komunikimi, mjete moderne të transmetimit, të informacionit kompjuterik, internet, mjetet audiovizuale, riprodhimet artistike, botimet e filmat vizatimorë, kinematografia televizive, diskotekat, albumet e revistat e ilustruara etj. Të gjitha këto mbartin në vetvete një potencial kolosal akumulimi e transmetimi informacioni kulturor, artistik e shkencor të shumëllojtë.

    Ky progres po vazhdon me ritme të habitshme, aq sa qytetërimi i shek. XXI ka zënë të quhet “qytetërim i mjeteve digjitale”. Ne asistojmë në aktivizimin e një sistemi të ri, që po e quajmë lexim dixhital.

    Ka njerëz të informuar mirë për progresin bashkëkohor teknologjik, që e konsiderojnë shtrirjen e këtij sistemi si një të keqe të madhe, që kinse po e mënjanon mënyrën klasike të leximit të librit, që po e largon spektatorin nga leximi i librit.

    Këtë prirje e lidhin me rritjen e jashtëzakonshme të trysnisë së veprimtarive thjesht argëtuese, zbavitëse, audiovizuale, jo vetëm të varfra për nga vlerat e mirëfillta kulturore, shkencore, sociale e informative, madje edhe me fuqinë negative në planin moral (filmat më shumë që mbytin ekranet televizive dhe dukuri të tjera me karakter antikulturë).

    Në fakt, ky opinion nuk është plotësisht i saktë. Është e vërtetë se në kohën e sotme ekziston një kontradiktë midis mundësive të pakufizuara komunikuese e transmetuese informative të teknologjive moderne dhe një prapambetje relative të kulturës individuale të leximit të librit.

    Është e vërtetë se sot ekzistojnë masa të mëdha njerëzish që lexojnë përmes internetit, që përdorin aparatura digjitale për të lexuar fondet e bankave informative, të bibliotekave, që lexojnë gazeta, revista, libra të të gjithë bibliotekave të botës, të përfshira në internet e në rrugë të tjera informative, me ndihmën e kompjuterëve, që lexojnë filmat vizatimorë, albumet e revistat e ilustruara, që e marrin gazetën në shtëpi etj.

    Mirëpo, këto grupe lexuesish jo vetëm e shtojnë numrin e përgjithshëm të lexuesve, por përbëjnë një kontigjent për herë e më të madh, madje një kontingjent që i përket e ardhmja. Edhe te ne ka filluar të rritet interesimi për të përdorur mjetet digjitale të leximit.

    Por, frika lind nga keqpërdorimi i këtyre mjeteve moderne të komunikimit, sidomos të masmediave, të cilat nuk i ndërtojnë emisionet e programet e tyre në përputhje me nevojat e shumanshme të kulturës, arsimit, edukimit sidomos të brezit të ri dhe kërkesave të zhvillimit të teknologjive moderne dhe institucioneve të ndryshme, që mund të funksionojnë pa aktivizuar mjetet e komunikimit digjital, pa i mësuar njerëzit të lexojnë me kulturë dhe me mënyrat e reja të teknologjive moderne.

    Ndaj është me shume rëndësi të dimë si dhe çfarë të lexojmë.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    SHKRIMTARI I NJOHUR: Ç’PUNË KANË POLITIKANËT ME PANAIRIN E LIBRIT?!

    Panairi i librit ishte tema e bisedës në studion e emisionit “Open” në News24. Shkrimtari dhe dramaturgu Stefan Çapaliku deklaroi se problemi krucial i çdo panairi është mungesa e shifrave. Sipas tij, Shqipëria nuk ka shifra për botimet dhe leximin. Ai theksoi se institucionet në vend që të dalin për të bërë poza, duhet të monitorojnë situatën, duhet të publikojnë shifra, siç publikon shifra çdo vend i qytetëruar.

    Çapaliku u shpreh dhe kundër hapjes së panairit nga politikanët.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    CIKËL POETIK NGA FATMIR R. GJATA: FTUA MES LËNDINËS

    Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Fatmir R. Gjata:

    Prift

    Unë linda prift pa kryq ndër duar,në fushë të pambarimKu diell nuk kish të perënduar,por kish vetëm agim.

    Ku baltë në pluhur kthehej shpesh,kur vdiste mbrëmjes pranëNë grurë të mbirë bëja një meshë,nën yjë me temjan.

    Le të më thonë s’jam shënjtëruar,s’më bëhet vonë për fjalëMe Myzeqenë jam dashuruar,qëkurse isha djalë.

    Tashmë jam bërë burrë i thjeshtë,me flokë të bardhë e mjekërrNë stinë të moshës jam në vjeshtë,paçka s’dukem i vjetër.

    Por mbaj në dorë bibël të shkruar,e gjithë me poeziUnë linda prift pa kryq ndër duar,jam prift për dashuri.

    Një jetë

    Të zhveshur erdhëm në këtë botë,të zhveshur duke qarëNjë jetë harxhojmë kot më kot,duke kërkuar varr.

    Por varret qënkan kaq të shtrenjtë,kushtokan sa më s’kaSa kohë na u dashka Zot i shënjtë,ta blejmë me para.

    Dhe prapë të zhveshur e të shtrirë,do ikim pa u ndjerëDo mbesë diku ndonjë dëshirë,do mbesë diçka me vlerë.

    Kur vijmë qajmë dhe vetë s’e dimë,kur ikim qajnë përrethNdoshta dhe njerëzit janë bimë,dhe vjeshtës humb gjeth.

    Ftua mes lëndinës

    Nuk di çfarë ngjet kështu me mua,në ëndërr të pash mbrëmëNga degë e brishtë merrja një ftua,e ndukja pak me dhëmbë.

    Pastaj e hidhja prehrit tënd,kafshoje pak dhe tiNuk ishte mollë që t’erdh ndër mënd,ish frut për dashuri.

    Harroje bibël çfarë është shkruar,kjo nuk është pemë e lashtëMbi grurë shkoi diell i perënduarmbi brazdat plot me kashtë.

    Dhe frikë kam ende, nuk ish gjumë,as ëndërr parë në natëTë thoshja ohh të dua shumë,të prekja flokë të gjatë.

    Ndaj ende s’di çfarë ndodh mes nesh,është jetë a fantaziTek ftoi i madh do bëj një meshë,do ndez dhe një qiri.

    Pemë e vetmuar

    Tej larg një pemë kërkon hije,por hijet tundin kreshtë të mpirëNdoshta e bëjnë prej zilie,ndoshta braktisin me dëshirë.

    Tej larg një pemë humbet në mjegull,në mes lëndinës plotë me barDuket se qiell e mban pezull,e lë plagosur e pa vrarë.

    Tej larg një pemë më pret gjymtuar,se ç’frut do bëjë as vetë se diËshtë thjesht trung i përgjysmuar,pa qënë sëbashku unë e ti…

    Sa herë…

    Sa herë mendoj fytyrën tënde,sa herë e sa herë e sa herëNjë gjeth i lirë më vjen në mëndje,kur sillet vërtitshëm në erë.

    Dhe s’di pse vorbull e pashpresë,më çon ndër vise që s’kam parëMes qiellit dhe tokësë në mes,bëhem dhe vetë një gjeth e tharë.

    Kam frikë se shpirt më mbeti vluarmishi m’është tretur nëpër terrSa herë në jetë të kam dashuruar,sa herë e sa herë e sa herë.

    Bar në mbrëmje

    Në mbrëmje isha uluri vetëm në një barDikush këndonte zishëme lozte me kitarëNjë tjetër po lexontegazetën nëpër duarE tjetri kthente gotate dukej hidhëruar.

    Tej muzgu fërgëllontee dridhej gjithçka ishDiçka mbeste në shpirt,diçka mbeste në mishPërpara meje filxhanmbet gati gjysëm plotNdoshta ish mbush me helma ndoshta ish me lot.

    Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult

  • ‘Nëse një libër ju mërzit, lëreni, mos e lexoni nga që është i famshëm, modern, apo nga që është i vjetër’

    ‘Nëse një libër ju mërzit, lëreni, mos e lexoni nga që është i famshëm, modern, apo nga që është i vjetër’

    Jorge Luis Borges

    Mendoj se fraza “leximi i detyrueshëm” është një marrëzi; leximi nuk duhet të jetë i detyrueshëm. Është njësoj si të thuash kënaqësi e detyrueshme. Por a ka kënaqësi të detyrueshme? Kënaqësia është diçka që kërkohet. Apo lumturi e detyrueshme! Ne lumturinë gjithashtu e kërkojmë.

    Unë kam qenë profesor i letërsisë angleze për njëzet vjet në Fakultetin Filozofik dhe të Letrave të Universitetit të Buenos Aires dhe gjithmonë i kam këshilluar studentët e mi: nëse një libër ju mërzit, lëreni; një libër mos e lexoni nga që është i famshëm, nga që është modern, apo nga që është i vjetër. Nëse një libër është i mërzitshëm për ju, lëreni së lexuari; qoftë ai libër Parajsa e Humbur – për mua nuk është i mërzitshëm – ose Don Kishoti – për mua gjithashtu nuk është i mërzitshëm.

    Por nëse ka një libër të mërzitshëm për ju, mos e lexoni; ai libër nuk është shkruar për ju. Leximi duhet të jetë një nga format e lumturisë, prandaj dua t’ua lë lexuesve si një amanet të mundshëm – amanet që nuk kam ndërmend ta shkruaj: lexoni shumë, pa u trembur nga reputacioni i autorëve, vazhdoni të kërkoni një lumturi personale, një kënaqësi personale. Është e vetmja mënyrë për të lexuar. / KultPlus.com

  • Shtatë arsye/ Përse leximi na bën njerëz më të mirë?

    Shtatë arsye/ Përse leximi na bën njerëz më të mirë?

    Thuhet shpesh se të lexuarit është i rëndësishëm, por cilat janë përfitimet e vërteta të leximit? Ja disa nga arsyet përse nuk duhet të shkëputeni kurrë nga faqet e librave…

    Që në fëmijëri na thuhej se të lexuarit është i rëndësishëm, sepse të mëson të shprehesh më mirë, sepse të ndriçon mendjen, sepse të kultivon inteligjencën. Në të vërtetë, për të mbështetur këtë sens të përbashkët janë zhvilluar studime të shumta shkencore, që dëshmojnë përfitimet që sjell të lexuarit për mendjen e njeriut.

    Më poshtë po ju propozojmë një listë me 7 arsye, për të cilat ndoshta s’u kishte shkuar mendja, por shpjegojnë se përse leximi është një veprimtari kaq e rëndësishme për zhvillimin e personalitetit të individit.

    Zhvillon ndjeshmërinë

    Të lexuarit e rrëfimeve nënkupton domosdoshmërisht aktivizimin e proceseve të ndjeshmërisë. Duke lexuar një libër, ne zhytemi në jetën e një personi tjetër dhe, në të gjitha këndvështrimet, e shohim botën nëpërmjet syve të tij. Ky proces konfirmohet gjerësisht nga studime të shumta shkencore, në veçanti nga studimi i kryer nga Universiteti Emory, i cili fokusohet tek efektet njohëse të leximit në një grup lexuesish heterogjen. Rezultatet e studimit janë të qarta: pas leximit, ndjesia emocionale e personave përforcohej, në gjendje, për shembull, të “ndjente” lëvizjet e personazheve në seksionet e përcaktuara të trurit për lëvizjen. Përmirësimi lidhet me aftësinë e zbulimit dhe konceptimit të emocioneve të të tjerëve: një aftësi e rëndësishme për t’u mirë menaxhuar në brendësi të sistemeve komplekse të marrëdhënieve shoqërore.

    U jep kuptim gjërave

    Umberto Eco ka shkruar një përmbledhje me ese të titulluar “Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë”, në të cilat heton kuptimin dhe rëndësinë e leximit për zhvillimin njerëzor. Eco shprehet: “Shëtitja në botën imagjinare të jep të njëjtat efekte si loja për një fëmijë. Fëmijët luajnë me kukulla, kuaj ose balona, për t’u familjarizuar me ligjet fizike ose me veprimet që një ditë do t’u duhet t’i përmbushin realisht. Po kështu, leximi i tregimeve nënkupton të luash një lojë, përmes së cilës mëson se si t’i japësh kuptim pafundësisë së gjërave që kanë ndodhur, po ndodhin dhe do të ndodhin në botën reale”. Pra, leximi, është si një palestër për jetën tonë: mësojmë të kuptojmë realitetin dhe mekanizmat e saj, si dhe ushtrohemi për t’u përballur me të.

    Na hap perspektiva të reja

    Shkrimtari spanjoll Javier Marias shkruan: “Njeriu duhet të njohë të mundshmen, përveç të vërtetës, supozimet, hipotezat dhe dështimet, përveç fakteve, çfarë është lënë pas dore dhe çfarë mund të ishte bërë, përveç asaj çfarë është e qenësishme”. Kur zhytesh në tregimtari, ndjen njëlloj lehtësimi, çka na zgjon kërshëri dhe shpresë krahasuar me atë që po lexojmë. Çdo qenie njerëzore ndjen nevojën e arratisjes dhe strukjen në një “botë të mundshme”, i ndryshëm nga realiteti i përditshëm, tek leximi ndjehet i plotësuar.

    Mësojmë se jo çdo gjë shkon vaj

    Kur e identifikojmë veten me një roman, gjithmonë duhet të kujtojmë se, fatkeqësisht, nuk i kemi ne në dorë frerët e historisë. Nganjëherë kjo mund të jetë e dhimbshme ose frustruese: ndoshta personazhi ynë i preferuar vdes, ose ndodh diçka që nuk e kishim parashikuar, apo diçka me të cilën nuk pajtohemi dot. Megjithatë, siç shprehet dhe Umberto Eco, ky është një tjetër mësim i madh që na ofrojnë librat. Të marrim si shembull kryeveprën e Melville Moby Dick, thotë Eco: “Nëse mund të vendosnim për personazhet, do të ishte njëlloj si të shkonim në një agjenci udhëtimi: “Pra, ku doni të gjeni balena, në Samoa apo në Aleutine? Dhe kur? Doni ta vrisni ju, apo t’ia lini në dorë Quiqueg-ut?” Mësimi i vërtetë i Moby Dick është se balena shkon atje ku ajo dëshiron”.

    Njohuri të shpejta

    Edhe në epokën e digjitalizimit, të lexuarit është një nga mjetet më të shpejta dhe më efikase për t’u pajisur me dije. Falë leximit, veçohemi nga një shumëllojshmëri e pafund ekzistencash, vendesh, epokash të ndryshme dhe mund të zgjerojmë bagazhin e njohurive përmes identifikimit me jetën e të tjerëve, thjesht duke qëndruar ulur në divanin tonë.

    Hulumtojmë vetveten

    Leximi është një mënyrë për të njohur botën, por gjithashtu është një mënyrë efikase për ta njohur më mirë vetveten. Fjalët e të tjerëve, që gjenden në librat që lexojmë, sjellin emocione, reflektime, mendime që na lejojnë të eksplorojmë unin tonë të brendshëm. Italo Calvino thoshte: “Të lexosh nuk është vetëm një marrëdhënie me librin, por edhe me vetveten, me botën tonë të brendshme nëpërmjet botës që na ofron libri”.

    Të lexuarit na bën më të shoqërueshëm

    Stereotipi më i zakonshëm që lidhet me leximin është se i sheh të dashuruarit e librit si subjekte asociale, të cilët gjejnë strehë në librat imagjinarë, sepse e kanë të vështirë të përshtaten në shoqëri. Nëse, nga njëra anë, në pikat e mëparshme shohim se si të lexuarit na ndihmon në përmirësimin e jetës, të jemi më të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm, nga ana tjetër, studimi i profesor Keith Oatley të Universitetit të Torontos dëshmon se edhe leximi na bën më social. Sipas Oatley-it, të lexuarit na ndihmon të zhvillojmë atë që psikologët e quajnë “sjellje proaktive”, domethënë sjelljet që përfitojnë të tjerët, si ndarja, bashkëpunimi dhe në përgjithësi ndihma në komunitet. Me fjalë të tjera, ky studim dëshmon se leximi na ndihmon të trajtojmë më mirë si veten, ashtu edhe të tjerët./ Libreriamo.it

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    PËRFITIMET E JASHTËZAKONSHME QË MARRIM NGA LEXIMI ME ZË

  • Përfitimet e jashtëzakonshme që marrim nga leximi me zë

    Përfitimet e jashtëzakonshme që marrim nga leximi me zë

    Nga Sophie Hardach

    Për pjesën më të madhe të historisë, leximi ka qenë një aktivitet shumë i zhurmshëm. Në pllakat prej balte të shkruara në Irakun dhe Sirinë antike rreth 4.000 vjet më parë, fjalët e përdorura zakonisht “për të lexuar” do të thoshin fjalë për fjalë “të bërtasësh” ose “të dëgjosh”.

    “Unë jam duke dërguar një mesazh shumë urgjent. Dëgjojeni këtë tabelë. Nëse është e përshtatshme, le ta dëgjojë edhe mbreti”- thuhet në një letër nga ajo periudhë. Vetëm herë pas here, përmendet një teknikë tjetër: të “shohësh” një tabelë – ta lexosh atë në heshtje.

    Sot, leximi i heshtur është një normë. Shumica prej nesh i përvetësojnë fjalët në kokë si të ishim në sallën e një biblioteke. Leximi me zë të lartë i rezervohet kryesisht leximit të përrallave para se fëmijët të flenë.

    Por një studim sugjeron që ne mund të humbasim shumë duke lexuar vetëm me zërat brenda mendjeve tona. Arti antik i të lexuarit me zë të lartë, ka një numër përfitimesh për të rriturit. Ai ndihmon në përmirësimin e kujtimeve tona dhe kuptimin e teksteve komplekse, deri në forcimin e lidhjeve emocionale midis njerëzve.

    Dhe larg nga të qenit një aktivitet i rrallë ose i dikurshëm, ai është ende çuditërisht i zakonshëm në jetën moderne. Shumë prej nesh e përdorin atë në mënyrë intuitive si një mjet të përshtatshëm për të kuptuar fjalën e shkruar, edhe pse thjesht janë të vetëdijshëm për këtë gjë.

    Kolin Mekleod, psikolog në Universitetin e Vaterlosë në Kanada, ka hulumtuar gjerësisht ndikimin që ka leximi me zë të lartë mbi kujtesën e njeriut. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë treguar që njerëzit i kujtojnë vazhdimisht fjalët dhe më mirë tekstet, nëse i lexojnë ato me zë të lartë sesa kur i lexojnë në heshtje.

    Ky efekt i forcimit së kujtesës nga leximi me zë, është veçanërisht i fortë tek fëmijët, por funksionon edhe tek njerëzit e moshuar. “Përfitimet janë të dobishme në çdo lloj moshe”- thotë ai. Mekleod e ka quajtur këtë dukuri si “efekti i prodhimit”.

    Pra prodhimi i fjalëve të shkruara –domethënë leximi i tyre zë të lartë – përmirëson kujtesën tonë mbi to. Efekti i prodhimit, është vërtetuar në shumë studime që kanë zgjatur më shumë se sa një dekadë. Në një studim të bërë në Australi, një grupi fëmijësh 7 deri në 10 vjeç iu prezantua një listë fjalësh dhe ju kërkua të lexonin disa prej tyre në heshtje, dhe të tjerat me zë të lartë.

    Më pas, ata njohën saktë 87 për qind të fjalëve që kishin lexuar me zë të lartë, por vetëm 70  për qind të fjalëve që kishin lexuar në heshtje. Në një studim tjetër, të rriturve të moshës 67-88 vjeç iu ngarkua e njëjta detyrë – pra të lexonin fjalë në heshtje ose me zë të lartë – përpara se të shkruanin të gjithë fjalët që mund të mbanin mend.

    Ata ishin në gjendje të kujtonin 27 për qind të fjalëve që kishin lexuar me zë të lartë, por vetëm 10 për qind të atyre që kishin lexuar në heshtje. Kur u pyetën se cilat nga fjalët njohën, ata ishin në gjendje të identifikonin saktë 80 për qind të fjalëve që kishin lexuar me zë të lartë, por vetëm 60 për qind të fjalëve të lexuara në heshtje.

    Mekleod dhe ekipi i tij kanë zbuluar se ky efekt mund të zgjasë deri në 1 javë pas eksperimentit. Edhe vetëm duke i përsëritur ato me zë shumë të ulët i bën ato më të paharrueshme, edhe pse në një masë më të vogël. Studiuesit në Universitetin Ariel në Izrael, zbuluan se efekti i forcimit të kujtesës funksionon nëse lexuesit kanë vështirësi në të folur dhe nuk mund të artikulojnë plotësisht fjalët që lexojnë me zë të lartë.

    Mekleod thotë se një nga arsyet se përse njerëzit i mbajnë mend fjalët e lexuara me zë të lartë, është se “ato dallohen”, pasi janë lexuar me zë të lartë, dhe kjo të jep një bazë shtesë mbështetje për kujtesën”. Në përgjithësi njerëzit janë më të aftë në kujtimin e ngjarjeve të dallueshme, të pazakonta, dhe gjithashtu edhe të ngjarjeve që kërkojnë përfshirje aktive.

    Për shembull, gjenerimi i një fjale në përgjigje të një pyetje, e bën atë më të paharrueshme, një dukuri e njohur si efekti i gjenerimit. Një mënyrë tjetër për t’i kujtuar më mirë fjalët është t’i vësh ato në zbatim, për shembull duke e përplasur një top përtokë (ose duke e imagjinuar këtë gjë) ndërsa të thuash “kërcimi i një topi”. Ky quhet efekti i dekretimit.

    Të dyja këto efekte, janë të lidhura ngushtë me efektin e prodhimit: ato lejojnë që kujtesa jonë ta shoqërojë fjalën me një ngjarje të veçantë, dhe në këtë mënyrë e bëjnë më të lehtë rikujtimin e saj më vonë.

    Efekti i prodhimit është më i fortë nëse lexojmë vetë me zë të lartë. Por dëgjimi i dikujt tjetër që lexon me zë, mund të sjellë përfitime në kujtesën tonë. Në një studim të udhëhequr nga studiuesit në Universitetin e Peruxhias në Itali, studentët lexuan ekstrakte romanesh para një grup njerëzish të moshuar të sëmurë nga demenca në gjithsej 60 seanca.

    Dëgjuesit performuan më mirë në testet e kujtesës pas seancave sesa më parë, ndoshta sepse historitë i bënë ata të zhyteshin në kujtimet dhe imagjinatën e tyre, dhe i ndihmuan të renditnin përvojat e tyre të kaluara në sekuenca të veçanta. “Duket se dëgjimi aktiv i një historie, sjell një përpunim më intensiv dhe më të thellë të informacionit”- theksuan studiuesit.

    Leximi me zë, mund të bëjë gjithashtu më të dukshme problemet të caktuara të kujtesës, dhe mund të jetë i dobishme në zbulimin e tyre më herët. Në një studim, u zbulua se njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit në fazat e tij të hershme, kishin më shumë të ngjarë se të tjerët që të bënin gabime të caktuara kur lexonin me zë të lartë.

    Ka disa prova që shumë prej nesh janë intuitivisht të vetëdijshëm për përfitimet e leximit me zë të lartë, dhe e përdorin këtë teknikë më shumë sesa mund ta kuptojmë. Sem Dankan, një studiues i shkrim-leximit për të rritur në Universitin e Londrës, kreu një studim 2-vjeçar me më shumë se 500 njerëz në të gjithë Britaninë gjatë viteve 2017-2019 për të zbuluar nëse, kur dhe si ata lexojnë me zë të lartë.

    Shpesh, pjesëmarrësit në studim pohonin në fillim se nuk lexonin me zë të lartë. Por më pas e kuptuan se në fakt e bënin këtë gjë. “Leximi i të rriturve me zë të lartë është shumë i përhapur. Nuk është diçka që e bëjmë vetëm me fëmijët, apo diçka që ka ndodhur vetëm në të kaluarën”- thotë Dankan.

    Disa thanë se lexonin e-maile ose mesazhe qesharake për të argëtuar të tjerët. Të tjerët lexonin lutje dhe bekime me zë të lartë për arsye shpirtërore. Shkrimtarët dhe përkthyesit lexojnë punët e tyre me zë të lartë për të dëgjuar ritmin dhe rrjedhën e mendimit.

    Njerëzit lexojnë me zë të lartë për t’u dhënë kuptim recetave, kontratave dhe teksteve të shkruara shumë ngushtë.

    Për shumë të anketuar, leximi me zë të lartë u sillte gëzim, rehati dhe ndjenjën e përkatësisë. Disa u lexonin miqve të sëmurë ose që po vdisnin si “një mënyrë për t`u arratisur së bashku diku, thotë Dan. Një grua kujtoi nënën e saj që i lexonte poezi dhe i fliste në uellsisht.

    Kur e ëma vdiq, gruaja filloi të lexonte me zë të lartë poezinë në uellsisht për t’i risjellë në kujtesë ato momente të përbashkëta. Por nëse leximi me zë të lartë sjell përfitime të tilla, atëherë përse njerëzit kaluan tek leximi në heshtje?

    Një e dhënë mund të gjendet tek pllaka e argjilës nga Lindjen e Mesme, e shkruar nga skribë profesionistë, me një stil shkrimi të quajtur kuneiform. Me kalimin e kohës, skribët zhvilluan një mënyrë gjithnjë e më të shpejtë dhe më efikase për të shkruar.

    Shkrimi i shpejtë ka një avantazh thelbësor, sipas Karenleig Overman, arkeologe në Universitetin e Bergenit në Norvegji, që studion se si shkrimi ka ndikua në trurin dhe sjelljen e njeriut në të kaluarën. “Ai përputhet shumë më mirë me shpejtësinë e mendimit”- thotë ajo.

    Nga ana tjetër Leximi me zë të lartë, është relativisht i ngadaltë për shkak të hapit shtesë të prodhimit të një tingulli. “Aftësia për të lexuar në heshtje, edhe pse ishte e kufizuar tek skribët shumë të aftë, kishte një përparësi të dukshme, veçanërisht shpejtësinë”- thotë Overman.“Leximi me zë të lartë, është një sjellje që e ngadalëson aftësinë tuaj për të lexuar shpejt”- shton ajo.

    Në librin e tij mbi shkrim-leximin antik, “Leximi dhe shkrimi në Babiloni”, asirologu francez Dominik Sharpin citon një letër të një skribi të quajtur Hulalum, që lë të kuptohet se lexon me shpejtësi në heshtje.

    Në letrën e tij, ai shkruan se hapi një zarf prej balte – pllakat mesopotamiane ishin të mbyllura brenda një mbështjellësi të hollë prej balte për të parandaluar leximin e tyre nga sytë kureshtarë – duke menduar se ajo përmbante një mesazh për mbretin.“Unë e pashë që ajo ishte shkruar për dikë tjetër, dhe për këtë arsye nuk e lashë mbretin ta dëgjonte atë” – shkruan Hulalum.

    Ndoshta skribët e lashtë, ashtu si ne sot, kënaqeshin që kishin në dispozicion dy mënyra leximi: një të shpejtë, të përshtatshëm, të heshtur dhe personal; tjetrin më të ngadaltë, më të zhurmshëm dhe hera-herës më të paharrueshëm.

    Në një kohë kur ndërveprimet tona me të tjerët dhe breshëria e informacionit që marrim janë shumë kalimtare, ndoshta ia vlen të shpenzosh pak më shumë kohë për të lexuar me zë të lartë. Mbase e provuat me këtë artikull, dhe ju pëlqeu ta dëgjonit me zërin tuaj? / “BBC Future”

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    REKOMANDIME LEXIMI NGA SALAJDIN SALIHU