Tag: letrare

  • Nisma “Çmimi Pashko Gjeçi për Përkthimin Letrar Italian”, një urë e re kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë

    Nisma “Çmimi Pashko Gjeçi për Përkthimin Letrar Italian”, një urë e re kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë

    Një moment i ri domethënës në bashkëpunimin kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë është shënuar me nisjlmën zyrtare të “Çmimit Pashko Gjeçi për Përkthimin Letrar Italian ne Shqip”, një iniciativë e përbashkët e Institutit Italian të Kulturës (IIC) në Tiranë dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QLLK).

    Ky çmim i ri vjen si një dëshmi e qartë e angazhimit të përbashkët për të thelluar ndërlidhjet letrare dhe kulturore midis dy vendeve, përmes një vlerësimi të veçantë për rolin thelbësor të përkthyesve letrarë – ata që përbëjnë nyjen lidhëse të pandashme midis gjuhëve, kulturave dhe lexuesve.
    Në nder të një figure të pavdekshme letrare – Pashko Gjeçi, çmimit i vendoset emri i tij. Duke mbajtur emrin e Pashko Gjeçit, përkthyesit të madh dhe një prej figurave më të ndritura të kulturës shqiptare, i cili realizoi përkthimin e parë të plotë në gjuhën shqipe të “Komedisë Hyjnore” të Dante Alighierit, ky çmim bart në vetvete një simbolikë të fuqishme.
    Vepra e Gjeçit nuk është vetëm një arritje gjuhësore dhe letrare, por një akt i thellë i ndërkomunikimit kulturor që e vendosi përkthimin në qendër të identitetit tonë letrar.
    Objektivat dhe vlerat e çmimit:
    Çmimi “Pashko Gjeçi” është konceptuar si një platformë vlerësimi dhe mbështetjeje për përkthyesit shqiptarë dhe kosovarë, të cilët angazhohen për të sjellë në shqip vepra të reja letrare nga gjuha italiane – vepra ende të pabotuara në shqip.
    Kjo nismë synon të:
    Nxisë përkthimin profesional të letërsisë bashkëkohore dhe klasike italiane;
    Rrisë qasjen e lexuesit shqipfolës ndaj një korpusi të gjerë dhe të pasur letrar nga kultura letrare e Italise;
    Të forcojë lidhjet kulturore përmes një dialogu të qëndrueshëm ndërgjuhësor;
    Të njohë dhe mbështesë përkthyesit si aktorë të rëndësishëm të sistemit letrar dhe kulturor shqiptar dhe europian.
    Përkthyes do të përzgjidhen çdo vit për të përfituar nga mbështetja e plotë financiare për përkthimin, që do të mbulohet nga IIC Tirana, ndërsa procesi i botimit do të përkrahet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
    Zëra nga institucionet bashkë-organizuese e mbeshtesin kete nismë.
    Në ceremoninë e nisjes, Alessandro Ruggera, Drejtor i IIC Tirana, theksoi:
    “Kjo iniciativë jo vetëm që promovon letërsinë italiane në botën shqipfolëse, por gjithashtu krijon një platformë kuptimplote për të mbështetur dhe njohur punën e përkthyesve të talentuar. Duke ia dedikuar Çmimin Pashko Gjeçit përkthimit më të arrirë, ne i bëjmë homazh njërit prej figurave më të mëdha letrare të Shqipërisë, përkthimi i të cilit, vecanerisht i Dantes, qëndron si një pishtar i përsosmërisë ndërkulturore.
    Nga ana tjetër, Drejtore e QLLK-së, shpreh se:
    “Ne jemi krenarë që bashkojmë forcat me IIC Tiranë për të mbështetur artin e përkthimit, i cili hap horizonte të reja për lexuesit dhe forcon lidhjet kulturore midis Shqipërisë dhe Italisë. Ky çmim është një hap konkret në rrugën tonë drejt përkrahjes së përkthyesve si shtyllë kyçe e qarkullimit të ideve dhe vlerave.”
    Përtej një çmimi – drejt një tradite të re mund të themi se:
    Ky projekt shënon jo vetëm një edicion të parë të një çmimi, por edhe fillimin e një tradite të re bashkëpunimi ndërinstitucional, ku përkthimi trajtohet si një akt me rëndësi të barabartë me krijimtarinë origjinale. Me një qasje të balancuar ndërmjet përzgjedhjes cilësore dhe mbështetjes konkrete, “Çmimi Pashko Gjeçi” pritet të luajë një rol të qëndrueshëm në skenën letrare shqiptare, duke krijuar ura të reja leximi dhe njohjeje mes dy kombeve.
    Kjo nismë bazohet në një marrëdhënie kulturore me rrënjë të thella historike:
    Marrëdhëniet kulturore midis Shqipërisë dhe Italisë kanë një histori shumë shekullore, të ndërtuar mbi afërsinë gjeografike, kontaktet tregtare dhe ndikimet reciproke letrare e artistike. Që nga periudha e humanizmit dhe Rilindjes, shumë figura shqiptare, si Marin Barleti apo arbëreshët e Italisë Jugore, kanë qenë pjesë e jetës kulturore italiane.
    Italia ka shërbyer ndër shekuj si një dritare e rëndësishme për shqiptarët drejt Europës, ndërsa kultura italiane është përthithur gjerësisht në hapësirën shqiptare – në gjuhë, art, muzikë dhe mbi të gjitha në letërsi. Përkthimi i veprave italiane në shqip ka qenë një urë e qëndrueshme shkëmbimi kulturor, dhe çmimi i ri i dedikuar për përkthimin letrar vjen si një vazhdimësi e natyrshme e kësaj lidhjeje të pasur.
    Përkthimit, i cili hap horizonte të reja për lexuesit dhe forcon lidhjet kulturore midis Shqipërisë dhe Italisë do të vlersohet si të qe vepër. Ky çmim është një hap konkret në rrugën tonë drejt përkrahjes së përkthyesve si shtyllë kyçe e qarkullimit të ideve dhe vlerave.”
    Përtej një çmimi – drejt një tradite të re:
    Ky projekt shënon jo vetëm një edicion të parë të një çmimi, por edhe fillimin e një tradite të re bashkëpunimi ndërinstitucional ne kete nivel, ku përkthimi trajtohet si një akt me rëndësi të barabartë me krijimtarinë origjinale.
    Me një qasje të balancuar ndërmjet përzgjedhjes cilësore dhe mbështetjes konkrete, “Çmimi Pashko Gjeçi” pritet të luajë një rol të qëndrueshëm në skenën letrare shqiptare, duke krijuar ura të reja leximi dhe njohjeje mes dy kombeve.

    Top Channel

  • Nismat e socrealizmit asgjësues në Shqipëri: Shkrimtarët e pushkës kundër shkrimtarëve të mendjes

    Nismat e socrealizmit asgjësues në Shqipëri: Shkrimtarët e pushkës kundër shkrimtarëve të mendjes

    Nga: Albert Gjoka

    Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri konflikti për mbështetjen ose jo të rezistencës së armatosur kundër nazi-fashizmit u shtri jo vetëm në qarqet politike, por edhe në mjediset intelektuale dhe kulturore të kohës.

    Shkrimtarët që kishin marrë pjesë me armë në luftë, të mbështetur edhe nga strukturat politike, e vazhduan luftën e tyre për të realizuar edhe përmbysjen e sistemit letrar, me parimin e qartë se “letërsi është vetëm letërsia e Partisë”.

    Fillimisht, përplasja shfaqej si një konflikt mes të resë dhe të vjetrës; mes përparimit dhe regresit.

    Këto debate zunë vend në media, në forume të ndryshme, por u bënë edhe pjesë e vetë artit. Ja se çfarë shkruhej në poezinë “Ku ishe ti” “neutralëve poetë” të autorit Dhimitër Shuteriqin:

    “Ku ishe tikur unë kërkoja t’çilej qielli?Ku ishe tikur unë kërkoja drit’n e diellit?-Isha mbi re,isha në qiell dhe kërkojaqi të gris retëe bashkë me diellin të ndirçojapër ty të shkretë”dhe në strofën e fundit:

    “Ku ishe tikur dheu sërish u ri në mot?Ku ishe tikur thanë se dita e par asht sot?Ku ishe ti,kur leu ndadhnimi qi s’ka mort?Ku ishe ti,ku ishe ti,Poet?/

    – Isha nën dhetë!

    (Revista “Literatura”, 1947, nr. 1)

    Teksa zhvillohej ky debat, ishte krijuar edhe Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë më 25 nëntor 1945, një organizatë e cila u lansua si përfaqësuese e vlerave letraro-kulturore të momentit. Ajo u ndërmor nga një “komisjon iniciator: Imzot Vinçenz Prendushi, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani, Prof. Skënder Luarasi, Dr. Lazgush Poradeci, Dr. Dhimitër Pasko, Selim Shpuza, Sterjo Spasse, Dhimitër S. Shuteriqi, Shevqet Musaraj” (Arkiva personale e Dhimitër Shuteriqit).

    Në momentet e lansimit, në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte vendosur vetëm një kusht për praninë në organizatë, i përcaktuar në nenin 4, ku thuhet: “Nuk pranohen në këtë LIDHJE ata shkrimtarë, publicistë dhe gazetarë që i kanë shërbyer me veprat e tyre okupatorit, në mënyrë direkte dhe deri në fund tue u ba armiq të popullit”(Revista “Bota e Re”, nr. 1, 1945).

    Përplasja ideore nisi organet e sapo krijuara, të cilat u shndërruan shumë shpejt jo thjeshtë në një “media” për përcjelljen dhe promovimin e arritjeve letrare, por në një arenë dhe më pas në një armë ideologjike.

    Revista e parë “Bota e re” doli në korrik të vitit 1945, si vijim i “Bota e re”, e Korçës, për të mbështetur “traditat pozitiviste dhe progresive të Rilindjes kombëtare” (Bota e Re, nr. 1); “me u ba pasqyrë e zhvillimit kultural”, me përkrahur të “gjitha energjive mendore që e duan lirinë dhe përparimin”, dhe për të “mbështetur talentet e reja”(Bota e Re, nr. 1).

    Drejtuesit e revistës, të cilët ishin njëherësh edhe drejtues të Lidhjes, e paralajmëruan misionin e vështirë për të qenë një shesh për zhvillimin lirisht të mendimit shqiptar si forcë reale e përparimit. Në të gjithë numrat e saj, por edhe në shkrimin hapës të Lame Kodrës, “Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”, shihet qartë se misioni i kësaj reviste i tejkalonte pasqyrimin e aktivitetit letrar në vend, por ishte një “shesh” kulturologjik dhe politik, dhe për rrjedhojë do ta mbyllte aktivitetin e saj shumë shpejt duke ia lënë vendin revistës tjetër, “Literatura jonë”, e cila e nxori numrin e parë në mars të vitit 1947, me staf të rinovuar, e fokusuar kryesisht te letërsia dhe me mision të ri, i cili do të “tribuna ku do të shtrohen problemet e literaturës s’onë, kritika letrare dhe sidomos nxitja për një prodhim letrar sa më të gjerë dhe sa më të mirë. Por sa i madh është problemi i të prodhuarit në fushën letrare aq ësht edhe ay i drejtimit letrar, i një drejtimi të ri i cili do të japë asaturën literaturës s’onë të nesërme”. Në këtë numër të revistës u botua jo rastësisht fjala e A. Fadejev “Fjala e Shokut A. A. Zhdanov dhe detyrat t’ona më urgjente” mbajtur më 2 tetor 1946 në Moskë përpara mbledhjes së shkrimtarëve sovjetikë. Edhe në numrin pasardhës u botua shkrimi “Realizma Socialiste” e L. Timofejev-it. Edhe në numrat në vijim vijnë artikuj të Maksim Gorkit dhe autorëve të tjerë rusë, duke botuar gjithnjë e më pak nga autorë perëndimorë.

    Një pjesë e mirë e autorëve shqiptarë që bashkëpunuan me “Bota e re” nuk shihen tek “Literatura jonë” me krijime apo artikuj kritikë. Kronikat për ngjarjet letrare flasin për një përafrim të madh me letërsinë dhe autorët rusë dhe instalimit gradual të letërsisë së realizimit socialist sipas praktikës ruse. Ky diskurs kulturologjik është sjellë i plotë edhe në librin “Semiopragmatika e realizimit socialist”, me autor Ilir Yzeirin.

    Viti 1947 shënoi momentin kritik të konfliktit mes “shkrimtarëve të pushkës” dhe “shkrimtarëve të mendjes”, para se të finalizohej projekti që u aprovua në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve që u mbajt më 9-12 tetor 1948. Këtë e dëshmon më së miri dokumenti që po paraqitet në këtë punim, me titull “Literatura shqiptare në periudhën e Luftës Naçional-Çlirimtare”(F. “Dhimitër Shuteriqi”, Nr. 826, AQSH, Dosja Nr. 185).

    Ky dokument është ruajtur në arkivin personal të Dhimitër Shuteriqit, ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, një nga drejtuesit kryesor të grupit për kodifikimin e metodës së realizimit socialist në Shqipëri. Në vitin 2009, ky dokument bashkë me materiale të tjera janë dorëzuar në Arkivin Qendror të Shtetit. Dokumenti ka 13 faqe të shtypura me makinë shkrimi, me dialekt të theksuar toskë, dhe mban datën 13 korrik. Me shkrim dore është shënuar viti “1947”. Po me shkrim dore është shkruar edhe autori i pretenduar i materialit, Behar Shtylla (Arkiva e PPSH, Dosja nr. 356), i diplomuar në Itali për letërsi, cili asokohe ka qenë zyrtar i lartë i Partisë Komuniste dhe më vonë ka punuar në fushën e diplomacisë.

    Në Arkivën Qendrore të Shtetit ky dokument është regjistruar pa datë të saktë. Behar Shtylla ka përfunduar tre vjet studimet për letërsi në Itali dhe ka punuar gjatë vitit 1941 në revistën “Shkëndija”. Ky punim nuk synon të merret me autorësinë e materialit, por konstatohet lehtësisht se për përgatitjen e tij, bashkë me autorin e shfaqur, pra Behar Shtyllën, kanë bashkëpunuar edhe shkrimtarë, të cilët ishin pjesë e grupit nismëtar për instalimin e metodës socrealiste në Shqipëri.

    Materiali bën një skanim të plotë të gjendjes letrare në Shqipërinë së vitit 1947 dhe bën një klasifikim të grupeve, parë në një këndvështrim të fortë ideologjik. Këtu shfaqet koncepti i ri ideologjik për letërsinë: “Edhe procesi letrar shkon paralel me procesin e përgjithshëm, është pjesë e tij e pandarë; edhe trathtarët kanë literaturën e tyre profashiste, populli në luftën kundër tyre krijon literaturën e tij të luftës antifashiste” (F. “Dhimitër Shuteriqi”, AQSH., Nr. 826, Dosja Nr. 185). Pra, këtu theksohet se “literatura ësht literature klase” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).

    Në këtë dokument bëhet klasifikim në shkrimtarë antifashistë dhe fashistë.

    Grupi i dytë ndahet në: Shkrimtarët kriminelë lufte dhe Shkrimtarët e kompromisit.(shih tabelën). Ky klasifikim bëhet duke i konsideruar grupimet kulturore si organizime të cilët kanë një drejtues, kanë anëtarët dhe mbështetësit e tyre. Referuar dokumentit, shkrimtarët e pasluftës u klasifikuan si më poshtë:

    Siç shihet edhe nga tabela, për klasifikimin e shkrimtarëve është ndjekur një kriter ideologjik, ku në grupin “shkrimtarët fashistë” janë përfshirë shkrimtarët e konsideruar nacionalistët, ata që morën pjesë në qeverisjen fashiste dhe grupimi i intelektualëve të “neoshqiptarizmës”. Në grupimin e tyre, tek “shkrimtarët e kompromisit”, janë përfshirë ata që ishin afër kreut të Ballit Kombëtar, Lumo Skëndo dhe, në grupin e tretë, te shkrimtarët antifashistë janë përfshirë të gjithë shkrimtarët që mbështetën luftën.

    Sipas dokumentit, “shkrimtarët që bien në prehrin e fashizmit, bëhen kasnecët e shërbëtorët e tij ose pajtohen me situatën e okupacionit dhe shkruajnë në këtë situatë, janë të gjithë njerës të lidhur në një mënyrë ose në tjetrën me klasën e bejlerëvert, të bajraktarëve, të tregtarëve e të priftërinjvet, në klasën që sonte në kohën e Turqisë, që sundonte në kohën e Zogut, që sondonte nën fashizmin, janë shkrimtarë të kapitalit e të pronës private, të fryrë me ndienja shoviniste për Shqipërinë e madhe kundër shkjaut, kundër grekut, me konceptin e hierarkisë së klasave e të elitës, së parisë që gëzon të gjitha privilegjet dhe sundon mi masat….” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185). Ndaj tyre dhe krijimtarisë letrare paralajmërohet qartë masa ekstreme,- zhdukja e tyre, – ashtu siç ndodhi në të vërtetë:

    “Vepra e tyre. Prodhimi letrar i ketyre njerezve ne pjesen me te madhe ka pare drin perpara okupacionit dhe vlen te studjohet ne ate periudhe. Ne kohen e luftes Nacional Çlirimtare keta miren qe te gjithe aktivisht me politik ne favor te okupatorit, kunder popullit. Shkrimet e tyre te kohes kan karakter publicitar – demagogji e nxitje per lufte vella-vrasese, per lufte grabitqare kunder vendeve fqinje, glorifikojne okupacionin, meren me literature dhe politike fashiste, me literaturen italiane per te ngulur kulturen fashiste e italiane ne Shqiperi. Vepra e tyre duhet shdukur?” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).

    Për grupin e “shkrimtarëve të kompromisit” thuhet: “këta dallohen nga të parët për një aktivitet politik më pak të dukshëm. Vetëm kjo i ndan pse shtresa e tyre, shpirti dhe edukata e tyre i lidh me të parët” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).

    Kundër grupit të shkrimtarëve profashistë vihen shkrimtarët antifashistë, si letërsia e re kundër së vjetrës, një letërsi që lindi dhe u zhvillua tok me luftën ndërsa vepra e tyre përfshinte “fjalime, trakte dhe artikuj politik, gazeta, revista, broshura, vjersha, novella, drama” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).

    Në fund të këtij dokumenti thuhet: “Literatura e re ka t’ardhmen përpara. Ajo është e huaj kjo ësht e jona. Në periudhën e re të luftës për ndërtimin e socializmit shkrimtarët t’anë të mësojnë mi literaturën e luftës Nacional Çlirimtare e të perfeksionojnë artin e të shkruarit për popullint’onë në konditat e reja të luftës, në problemet dhe aspiratat e tij aktuale, mbi marrëdhëniet e reja politike, ekononomike e shoqërore të krijuara në Shqipëri” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).

    Ja sesi e argumentonte Dhimitër Shuteriqi qëdrimin e disa shkrimtarëve që u klasifikuan në të ashtuquajturin grupi i “shkrimtarëve fashistë”: “Fishtën etj. i kemi goditur si fashist e kolaboracionist më 1950 kur në tërë botën kishte raste të tilla (Erza Paundin e shëtitën në një kafaz hekuri, nëse e di saktë; Brazijakun e pushkatuan, dhe Celini nuk hyri dot në Francë për 2-3 dekada, por jetoi i mërguar, që di saktë); tek ne vepruan ndryshe, nuk i futën në tekstet shkollore, nuk i ribotuan …”( F. “Dhimitër Shuteriqi”, Nr. 826, AQSH, Dosja Nr. 9). Ndërsa për Mitrush Kutelin shprehej: “Në Maj 1944, – gjente dhe ditën! Se me 1 maj!, – te ‘Gazeta Letrare’ që botonte në Tiranë, Kuteli merrte nëpër gojë ‘shkrimtarët me kobure’ që kishin vënë kokën në torbë kundër nazistëve. Ja budallëqe mbi budallëqe! Përse? Si guxonte? Shevqet Musaraj sapo botonte ‘Epopeja e Ballit Kombëtar’. Tani jo K. (Kuteli, – shën. red.), po dhe kalamanjtë e shihnin se si po precipitonte falimenti nazist: si po guxonte K. të delte e të përgojonte ‘shkrimtarët me kobure’ që luftonin nazizmin? K. duhej të besonte si dhe disa bashkëpunëtorë të gazetës në fjalë, se Lufta nuk do të mbaronte me fitoren e partizaneve, po me fitoren e Ballit që aleatët ‘pseudo’ të komunistëve do t’i sillte në fuqi!” ( F. “Dhimitër Shuteriqi”, Nr. 826, AQSH, Dosja Nr. 9).

    Duke iu referuar të gjithë burimeve të historisë së letërsisë shqipe të pasluftës, duket qartë se ky dokument vjen në një moment kritik të debateve mes grupeve të shkrimtarëve dhe artistëve për fatin e letërsisë dhe kulturës shqiptare pas çlirimit. Pikërisht në kohën kur nuk ishte vendosur ende kahja në të cilën do të zhvillohej kultura kombëtare shqiptare asokohe, dokumenti parapriu atë që do të ndodhte me gjithë procesin letrar dhe me fatin e shkrimtarëve në vitet në vijim.

    Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipnisë, e zhvilluar më 9-12 tetor 1949, u shoqërua me debate të ashpra gjatë tre ditëve të zhvillimit të saj. Në të u përvijuan dy grupimeve: Mbështetësit e metodës realizimit socialist, të përfaqësuar nga Shefqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Mark Ndoja, Kol Jakova, dhe grupimi që kishte rezerva: Sejfulla Malëshova, Skënder Luarasi dhe Ymer Dishnica: Në diskutimet treditore PPSH kishte përfaqësuesin e saj, Bedri Spahiu, i cili hapi dhe mbylli debatet e kësaj konference.

    Në finalizimin e konferenca sanksionoi drejtimin që do të merrte letërsia shqipe, metodën e re të realizimit socialist sipas modelit sovjetik, riorganizoi Lidhjen dhe ndryshoi e statutit që ishte miratuar në vitin 1945,“pastroi” e radhëve të saj, teksa u pozicionua ndaj traditës letrare dhe bërë seleksionimin e saj, përcaktoi rolin e ideologjisë në letërsi, përzgjodhi rreptësisht temat që duhet të trajtonte letërsia, përzgjodhi formën nacionale dhe përmbajtjen socialiste të letërsisë, mënyrën e formimit të talenteve të reja letrare, rolin që duhet të ketë kritika dhe autokritika dhe çështjen e përkthimit të letërsisë së huaj, ku u vendos që të vinte në shqip kryesisht letërsi sovjetike” (“Konferenca e III-të e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë 9-12 tetor 1949, Botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Tiranë, 1950).

    Në botimin e bërë enkas për Konferencën e Tretë vetëm diskutimet e Sejfulla Maleshovës jepen të përmbledhura, ku ai del kundër “linjës së demarkacionit” në letërsinë shqipe.

    Pas këtij momenti, letërsia që u zhvillua në Republikën e Shqipërisë u zhvendos jashtë shtratit të saj të natyrshëm historik, duke instaluar metodën e re të realizmit socialist, të importuar nga Bashkimi Sovjetik. Përgjatë viteve të mëtejshme, letërsia socrealiste formësoi morfologjinë e saj, si një tërësi rregullash të cilat duhet të zbatoheshin nga shkrimtarët, të cilat përfshinin të gjithë elementet që kishin të bënin me autorin, veprën dhe lexuesin.

    Ky fakt që po sjellim për lexuesin dëshmon një bashkëpunim të strukturave politike dhe grupimeve të shkrimtarëve që morën pjesë në luftë, për të ndërhyrë mbi sistemin letrar, me synimin për të asgjësuar një pjese të mirë të prodhimtarisë artistike dhe ndëshkimin e disa prej shkrimtarëve kryesor modernist të asaj kohe. Vendosja e metodës së realizimit socialist në Shqipëri nuk u bë e mundur përmes një procesi të mirëfilltë debatesh teorike apo ideologjike për një letërsi të angazhuar, – siç kishte ndodhur në shumë vende të Lindjes, apo siç kishte nisur në vitet ’30; apo siç vijoi në vitet 1945-45 (përmes qëndrimeve të Sejfulla Malëshovës), – por përmes mekanizmave të imponimit ekstraletrar, përmes politikës së regjimit të ri. Këtë e dëshmon fakti se në krye të grupit të shkrimtarëve antifashistë u vendos Enver Hoxha, Nako Spiro dhe Qemal Stafa. Duke e konsideruar edhe letërsinë si “letërsi klase”, të ashtuquajturit shkrimtarët e luftës antifashiste asgjësuan shkrimtarët e tjerë dhe një pjesë të atyre që konsideroheshin si “shkrimtarët e kompromisit” i imponuan gradualisht që të përqafonin “letërsinë e re”, pra të përqafonin metodën e realizimit socialist.

    Në këtë mënyrë nisi rrugëtimin e vet asgjësues letërsia e realizimit socialist, e cila shënoi një prej eksperimenteve më të rënda, me kosto të jashtëzakonshme jo vetëm mbi energjitë krijuese të shkrimtarëve por edhe në atrofizimin e vlerave të mirëfillta letrare dhe në bjerrjen e shijeve letrare të lexuesit deri në rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. /Revista “Palimpsest”/

  • Koha e Gjenive: Lord Byron, Ali Pasha dhe Bonaparti

    Koha e Gjenive: Lord Byron, Ali Pasha dhe Bonaparti

    Koha e Gjenive: Lord Byron, Ali Pasha dhe Bonaparti – Nga Dorian Koçi

    Fillimi i shekullit të XIX ishte shekulli i Romanizmit në kulturën botërore. Romantizmi ishte kohë revolucionesh dhe klithmash për liri njerëzore,vetjake dhe të përbotshme. Për herë të parë liria njerëzore fitoi dimensione të përbotshme dhe inspiroi gjenerata të tëra njerëzish nga Amerika Latine me revoltat kundër spanjollëve nën udhëheqjen e Simon Bolivarit, në Evropë me lëvizjen karbonare në Itali, revolucionin grek dhe lëvizjet për pavarësi të Armenisë dhe popujve të Ballkanit. Poeti britanik Lord Byron (1788-1824) është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të romantizmit evropian. Ai -thotë Johan Volfang Goethe-i krijonte veprat si gratë që krijojnë fëmijët e bukur: pa menduar dhe pa ditur qysh. Ai është talent i madh i lindur, dhe nuk di njeri tjetër me fuqi poetike më të madhe. Për perceptimin e së jashtmes dhe për aftësinë e depërtimit në të kaluarën ai është po aq i madh sa edhe Shekspiri. Lord Byron ishte një dishepull i shpallur i ndryshimit dhe i së bukurës sublime. Ai krijoi nëpërmjet krijimtarisë së vet një model të veçantë krijimtarie të njohur si Bajronizëm. Bajronizmi përmbante pikëllimin e shekullit, pikëllimin që mbartnin vetë poetët, krijesat e tyre, heronjtë e veprave letrare, pikëllimin e mbartnin me mijëra lexues, që aq shpejt e bënë pikëllimin modelin e jetesës së tyre. Ata ishin të pakënaqur sidomos me padrejtësitë shoqërore. Jetonin të vetmuar në melankoli për çka kishin humbur, të deziluzionuar për çka nuk kishin arritur në jetë. Por ata shpesh kishin një shpirt rebel, kryengritës, kishin respekt e dinjitet për veten po vuanin se ndesheshin e po humbnin në kotësi. Heronjtë e tyre zakonisht ishin figura të mëdha që kishin ndryshuar rrjedhën e historisë së botës duke nisur që nga Prometeu i Shellit e deri te Napoleoni i Bajronit që nëpërmjet një epigrami të thjeshtë përshkroi gjithë shpirtin e gjenisë dhe epokës Napoloniane. Më datën 27 mars 1815 u shpërnda lajmi i arratisjes së Napoelonit nga ishulli Elba dhe rikthimi i tij në pushtet. Rikthimi i Napoleonit në Pallatin Tuiliry duket se ishte më shumë si një shëtitje kënaqësie sesa përparimi i një pushtuesi nëpër një vend që duhet ta pushtonte. Me këtë rast Bajroni shkroi poezinë “Ikja e Napolonit nga ishulli Elbë”, ku përshkruan gjithë sharm poetik figurën e Napolonit, gjeniut të politikës, artit ushtarak por dhe të drejtësisë. Kodi i tij juridik është në themel të së drejtës civile të ditëve tona dhe disa nga liritë që Romantizmi predikonte u sanksionuan që atëherë në kushtetutat e Evropës.

    Ikja e Napolonit nga ishulli Elbë

    Nga Elba ikën, drejt në Lion

    dhe në Paris afrohet dal’ nga dalë

    Kapelën heq dhe damat i nderon

    Dhe me kapele vret kaq kundërshtarë.

    27 mars 1815.

    Më herët Lord Byroni para se të bëhej i famshëm në botën letrare ishte frymëzuar edhe nga udhëtimet, kultura klasike dhe orientalizmi. Fundi i shekullit të XVIII do të përmbante një ngjarje të madhe në aspektin kulturor, për afrimet midis Perëndimit dhe Lindjes. Ekspedita e Egjiptit, e ndërmarrë nga gjenerali i ri ambicioz Napoelon Bonaparti më 1798, përveç ekspansionit ushtarako-ekonomik, do të zgjonte dhe interesimin e madh për Lindjen dhe kulturat e saj. Në të njëjtën kohë në Evropë si rezultat i ndikimit të shkëlqyer të Rilindjes dhe Iluminizmit u shtua interesi për trashëgiminë greko-romake, dhe influencat e saj në kulturën evropiane. Këta dy faktorë do të kontribuonin në lindjen e Filohelenizmit dhe Orientalizmit dy rrymave të fuqishme në mendimin evropian të shekujve në vazhdim. Orientalizmi në Evropë shkon deri në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romanticismit sepse Orienti ishte formë sublime e tij. Lord Bajron si një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër,i gjendur në Maltë në fillimet e Grand Tour-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik. Kjo pleksje e veçantë e dëshirës për të eksploruar të shkuarën antike greke me orientalizmin e atëhershëm të Ballkanit do jepte një impuls të ri jo vetëm në jetën e Bajronit por do të kontribuonte fuqishëm dhe në krijimtarinë e tij të mëvonshme letrare duke e shndërruar veprën e tij në një nga kryeveprat e Romantizmit që posa kish lindur. Emocionet, mbresat dhe përshtypjet e kësaj vizite, tashmë janë të njohura botërisht nëpërmjet poemës “Child Harold”-një nga kryeveprat e letërsisë angleze. Si mund të vihet re me një vështrim të parë, në poemë përveçse motiveve romantike, ndjen dhe afinitetin e veçantë të poetit me Ballkanin. Mund të themi pa hezitim se ky udhëtim pati një efekt të dyfishtë, jo vetëm në krijimtarinë e Bajronit që pas botimit të poemës do të shkruante “u zgjova në mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm” por dhe në mjediset intelektuale në Greqi dhe Shqipëri. Përshkrimin e parë sesi ishte në pamje Ali Pashë Tepelena e gjejmë tek letra e Bajronit dërguar së ëmës në 12 nëntor 1809 nga Preveza. Mes përshtypjeve dhe konsideratave që për mikpritjen Bajroni përshkruan Ali Pashën dhe fizikisht. Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Më andej ai vazhdon me konsideratat e tij rreth figurës së Ali Pashës duke shkruar se  karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mire, sa e quajnë Bonoparti muhamedan. Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë,sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar,sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell. Bonoparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij. Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë, as për origjinalin. Idetë e tij për të kuptuar fisin e njeriut prej veshëve, duarve e të tjera, të çudisin mjaft. Përshtypja e Bajronit rreth karakterit të Ali Pashës është përjetësuar dhe në vargjet e stanzës 62-63 të Kantos II të Udhëtimeve dhe shtegtimeve të Childe Harold (1812).

    Në qoshk të shtruar me mermer, ku kroi

    Me ujë rrjedhës që nga mez i trodhit

    Gurgullon freski plot andë, dhe divani

    I butë epshor fton mysafirët t’ulen

    Rri pshtet’ Aliu, burrë luftërash mizor;

    Po tash kur ëmbëlsia rrezet hedh

    Në ballin e nderuar t’ë atij plaku

    Nëpër tiparet nuk i duken gjurmat

    E kobit që fsheh brenda dhe e njollos me turp.

    Jo se kjo mjekër e bardhë e gjatë e tij

    S’përkon me ndjenjat e rinisë së zjarrtë;

    Moshën e mundi sevdaja-kështu thonë

    Hafizi dhe Tejani me të drejtë-

    Po kobet q’heshtin zërin e mëshirës,

    Dhe si kanë hijet kujt, sidomos plakut,

    I kanë vënë damkën e egërsirës,

    Gjaku do gjak, e kush me gjak e nis

    Do ta mbarojë jetën ca më keq me gjak.

    Galeria e personasheve që krijoi Lord Byroni nuk mund të kuptohen pa ndjesitë personale që ai përftoi nga udhëtimi i tij në Lindjen e Afërt-Shqipëri, Greqi, Turqi dhe padyshim si është pranuar tashmë prej kohësh nga kritika letrare një pjesë e madhe e personazheve fiktivë të tij tek “Oriental Tales”( 1816) janë frymëzuar nga historitë urbane që qarkullonin rreth Ali Pashë Tepelenës. Kësisoj në mënyrë të pashmangshme Bajroni e lidhte gjeninë e Ali Pashës me atë të Napoelonit, dhe vetë ai kthehej në një pikë përbashkimi mes Lindjes dhe Perëndimit dhe dy personaliteteve të rëndësishëm të epokës. Në një farë mënyre Bajroni ndiente dhe perceptonte atë që do shprehte më vonë Viktor Hygo në parathënien e “Orientaleve” se Ali-Pasha,… është për Napoleonin çka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën”.

  • Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

    Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

    Sot bëhen 50 vite kur hapi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

    Në Kongresin e Drejtshkrimit të 20 nëntorit 1972 në Tiranë të pranishëm ishin albanologë nga mbarë trevat shqiptare.

    Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, si dhe nga arbëreshët e Italisë.

    Qëllimi i Kongresit ishte të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar. Gjuha letrare u krijua që shqiptarët të kuptoheshin më lehtë me njeri-tjetrin dhe të vihej një standard i përhershëm drejtshkrimor.

    Në unifikimin e standardeve të gjuhësh shqipe, rol të rëndësishëm ka luajtur delegacioni nga Prishtina.

    Kongresi u pasua pas një takimi me rëndësi që ishte mbajtur në Prishtinë, ku ishte vendosur për shumë standarde gjuhësore.

  • Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni (1911 – 1938)

    Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni (1911 – 1938)

    Një jetë e shkurtër e një poeti e prozatori që la një emër të madh në letrat shqipe!

    Migjeni iku nga kjo botë shumë i ri, megjithatë ai na la një vepër të pasur e shumë përmbajtjesore në fushën e krijimtarisë letrare ku kritikët e shumtë edhe sot e kësaj dite thonë dhe padyshim se kanë edhe shumë për të thënë për krijimtarinë e Migjenit tonë të madh.

    I lindur në Shkodër, pas mbarimit të shkollimit fillor në vendlindje dhe atij të mesëm në Manastir, filloi punën si mësues në fshatin Vrrakë. Për aq sa kemi të dhëna, Migjeni aty edhe i filloi shkrimet e para të krijimtarisë së tij letrare. Saktësisht nuk dihet së kur filloi të krijojë, por që dihet se me 1935 e transferuan në Shkodër ku poeti bëri gati për shtyp “Vargjet e lira” të cilat censura e Mbretit Zog nuk i lejoi të qarkullonin?! Në pranverën e vitit 1936 Migjenin e transferuan në pjesën veriore të Shqipërisë, në qytetin e vogël të Pukës, si kryemësues. Atje Migjeni njohu jetën e vështirë të malësorit që zuri vend në prozën e tij. Po në këtë kohë në Korçë, filloi të botohej revista përparimtare “Bota e re” me të cilën Migjeni filloi bashkëpunimin, i cili do të zgjaste për një kohë bukur të gjatë. Veprimtaria letrare e Migjenit përmblidhet kryesisht në mes viteve 1934- 1937. Në kohën kur Migjeni ishte në kulmin e krijimtarisë së tij, atë e rëndon sëmundja e rëndë e tuberkulozit, nga kthetrat e së cilës nuk shpëtoi dot. Ai vdiq në Tore Peliçe, në një spital të Italisë, në një moshë fare të re duke iu ndërprerë rruga e jetës, por edhe rruga e krijimtarisë në mes. Migjeni shkroi „Vargjet e lira“ të papërsëritshme deri më sot për nga thellësia e mendimit filozofik dhe shpirtëror, gjithnjë i solidarizuar me shtresën e vuajtur të popullit tonë, prej nga edhe buronin vargjet e dhimbjeve të mëdha të asaj kohe. Veç poezisë, Migjeni shkroi edhe në prozë, krijime këto të cilat në letërsinë shqipe zënë një vend meritor të veçantë dhe të padiskutueshëm.

    Me vdekjen e Migjenit letërsia jonë pësoi një humbje të pazëvendësueshme, por që në gjirin e saj mbanë me krenari emrin e madh të krijuesit të shkëlqyer siç ishte ai.

    Krijimtaria e Migjenit është bërë objekt i rëndësishëm i kritikës, shkencës dhe studimit letrar. Ai ka hyrë në kulturën dhe mendimin shoqëror si një ndër më të shquarit krijues së fjalës dhe mendimit të shkruar në letrat shqipe. Kjo krijimtari, përfshinë një gamë të madhe me ndikim në kulturën, arsimin dhe ngritjen tonë kombëtare në përgjithësi në raport me kohën kur Migjeni krijoi. Ai ishte dhe mbeti, prijës dhe pishtar i kulturës dhe krijimtarisë letrare që një ditë do të prezantohej në konkurrencën e fortë të krijimtarisë letrare, madje edhe përtej kufijve rajonalë të cilët shumë rrallë i njeh arti dhe kultura e mirëfilltë.

    Krijimtaria letrare e Migjenit, nuk ka nevojë as për spekulime filozofike e estetizante, as për tejvlerësimet sociologjike vulgare, që pretendonin të mbulonin kufizimet subjektive në art. Ai nuk qasi denigrimet e idolatorinë e qëllimtë, e cila pretendonte krejt njëanshëm që atë ta radhittë në mesin e krijuesve të rëndomtë e të papërfillshëm. Prapa kësaj dinakërie fshihej kurthi i politikës së asaj kohe me qëllimin e vetëm që Migjenin ta zhvlerësonin nga vlerat ideoestetike, por edhe realiste e të guximshme lidhur fortë me shpirtin e tij kryengritës e atdhedashës, për të luftuar me çdo kusht dobësitë e një shoqërie mbretërore që Shqipërinë e kishte katandisur aq keq në shumë sfera të jetës, pra edhe në atë të krijimtarisë.

    Noli i madh, për Migjenin kishte thënë: “ Nuk duam që ta mbiçmojmë në një piedestal të paqenë, duke e mënjanuar kështu nga tabani ynë historik e kombëtar”. Shpirti i tij luftarak e human, kurrë nuk u pajtua me gjendjen e rëndë që po zotëronte në Shqipëri nën sundimin e Mbretërisë zogolliane”. Kështu që ai me “ Poemën e Mjerimit “ godet rëndë mbretërinë dhe çifligarët, duke ngritur një aktakuzë të fuqishme përmes kësaj poeme mbi gjendjen e mjerueshme politike, ekonomike dhe shoqërore të kohës në Shqipëri e gjithë andej! Migjeni ndau dhimbjet dhe vuajtjet së bashku me malësorin e uritur, u fut nëpër kasollet e tyre të ftohta me plotë lagështi, hapi magjet e tyre të zbraza pa kokrrën e misrit, mbathi në shpirtin e tij tullumbat e Lulit, në shpirtin e tij ndjeu vrasjen e shpirtit të malësores dhe me këtë shpirt të vrarë e të trazuar, zbriti në qytet duke e ngritur zërin e protestës deri në kulm kundër këtyre ndrydhjeve dhe shfrytëzimeve me këngët e tija, si një shpërthim lulesh në pranverë me një aromë të re në kopshtin e krijimtarisë së tij letrare të papërsëritshme ndonjë herë më parë!

    Krijimtaria letrare artistike e Migjenit është përkthyer në disa gjuhë të botës; si në gjuhën angleze, franceze, italiane, ruse, rumune, bullgare, serbe, kroate etj. Kritikë dhe studiues të huaj, vlerësojnë më nota shumë të larta krijimtarinë e Migjenit.

    Nikolaj Moraur, shkrimtar rumun, thotë: “ Kam qarë kur kam lexuar Migjenin. Nuk më vjen turp kur them se qava, por më vjen turp të them që kaq vonë e njoha këtë poet të mrekullueshëm !”…

    Alen Boske, shkrimtar dhe kritik frëng thotë: ”Migjeni ishte poeti më i madh i viteve të tridhjeta, kur kemi para sysh një jetë krijimtarie kaq të shkurtër!”…

    Migjeni në krijimtarinë e vet me tërë qenien e tij shpirtërore, pasqyroi në mënyrën më realiste kushtet e pabarazisë shoqërore të kohës, katandisur me një gjendje të mjerueshme të masave popullore të zhytura në mjerim e pa dituri, prandaj Migjenin e quajtën edhe “poet i mjerimit”! Jeta e tij e shkurtër që filloi më 30 shtator 1911 dhe përfundoi më 26 gusht 1938, ishte jetë e një poeti e prozatori të papërsëritshëm në historinë e letërsisë sonë shqiptare, duke na lënë pas veprat e tij shumë të bujshme për kohën e si të tilla mbesin edhe në ditët e sotme me tërë peshën dhe filozofinë e tyre të fuqishme.

    Mehmet Bislimi

  • Mitrush Kuteli, pse s’arriti ta shihte nënën para se të vdiste ajo?

    Mitrush Kuteli, pse s’arriti ta shihte nënën para se të vdiste ajo?

    Mitrush Kuteli

    Shkrimtar e përkthyes, ekonomist i specializuar në profesion, Dhimitër Pasko ose Mitrush Kuteli, lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967, në Tiranë.

    Pa dyshim njëri prej shkrimtarëve, intelektualëve dhe mendimtarëve më të ndritur të Shqipërisë. Kuteli dha kontribut në çdo lëmi letrare, ai ka lënë mbi të gjitha një “ligjërim mbi etikën”. Në përmbledhjen pak të njohur “Shënime letrare”, kritika e tij ngriti një problem të madh shqiptar.

    “Është fort e rëndë të thuash se në këtë kuadër shqiptar kaq të vrazhdët, qoftë edhe në botën e shkrimtarëve (dhe veçanërisht në këtë bote!) ku autori vë dorën në kobure ose të ndjek “administrativisht”, ose, të paktën, të rri me kokë me nj’anë, sepse nuk e lavdërove sa desh ay vetë. Në këtë kuadër të vrazhdët, them, ku je i detyruar të pranosh – duke heshtur! – që një thes me kashte të quhet poet klasik ose filozof e një bostan-tavasi, poet, sociolog a s’di ç’tjetër batërdi”

    Familja e Mitrush Kutelit, rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, i shpërngulur në Mokër e pastaj në Pogradec nga qyteti i Artës, në fillim të shek. 19-të, për shkak të mizorive të Ali pashë Tepelenës.

    I ati, Pandi, i biri i Pasko Kutelit, ishte rrobaqepës që kish jetuar 24 vjet në mërgim, në Rumani, duke punuar si murator e bojaxhi. Atje kish mësuar shkrimin e shqipes dhe ish njohur me disa nga patriotët e kohës, mes të cilëve me Nikolla Naçon.

    Pas kthimit në Shqipëri, vazhdoi zanatin e rrobaqepësit dhe të bojaxhiut e në të njëjtën kohë bënte dhe punën e ndërlidhësit për të futur dhe shpërndarë në vend librat shqip të shtypura në kolonitë e mërgimtarëve. I burgosur shpesh herë në kohë të osmanëve, gjatë pushtimit serb e atij bullgar.

    Pas shpalljes së Hyrrijetit hapi një librari, e para librari shqipe në Pogradec. Mitrushi – trajta përkëdhelës e emrit Dhimitër – lindi më 13 shtator 1907 dhe ishte i vetmi djalë mes dy motrash: Agllaisë dhe Liries. Në shtëpinë e tyre, që bastisej dendur për libra shqip, vinin luftëtarët e kohës: Dervish Hima, Abdyl Ypi, Mihal Gramenua, Telemak Gërmenji, Memduh Zavalani, Themistokli Germenji, Pasa Pema, Vasil Tromara, etj. Në një mjedis të tillë, të mpleksur dhe me përrallat e Nënës, Kuteli jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit.

    Mitrush Kuteli shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919. Po këtë vit botoi vjershat e tij të para “Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu” – në kalendarin “Pogradeci”. Pasi priti dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike të familjes, më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike.

    Më 1926, 19-vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri.

    Nga viti 1924 Mitrush Kuteli kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Shkrimet e tij flisnin për Atdheun, për ngjarjet e vitit 1924, vajtonin vrasjen e Gurakuqit e të Bajram Currit. Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra.

    Por pjesa më e madhe e shkrimeve i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Studjoi ngjarjet e së kaluarës në fushën e financave dhe kritikoi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekullimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit. Ndër këto shkrime Kuteli përmend më pas “Kriza e koronës dhe Banka Kombëtare”, që u botua si kryeartikull më 1928 në gazetën “Telegraf”.

    Po atë vit, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar.

    Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte antar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”.

    Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë, Kuteli shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, Lasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, Ali Asllanin, etj. Me pseudonime të ndryshme botoi artikuj mbi çështjen e Bjeshkës së Velipojës të Vermoshit dhe mbi Manastirin e Shën Naumit.

    Në fushën ekonomike – shkruan rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative si dhe kundër disa koncensioneve që i ishin dhënë kapitalit italian – Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”.

    Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur pas më se gjashtëdhjet vjetësh:

    «Dh. Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qendrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vemendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe guvernator i Bankës Kombëtare. Duke e marrë doktoratën në financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, Dhimitër Paskut iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer. I angazhuar më së pari si funksionar, ai arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Kombëtare, duke iu përkushtuar ekskluzivisht ekzigjencave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike”.

    Gjatë qëndrimit në Rumani, punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çernëucit. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kuteli rrëfen kështu mbi presionet që i vinin:

    “Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë `popuj mbi popuj` ose `të mëdhenj mbi të vegjël`, por `popuj përkrah popujsh`… Një nga pasojat e para ka qënë një `skedë e zezë` ardhi e më foli dikush në bankë: – Ç’po bën kështu? Nuk e di ç’të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut, ta zërë kapitali mik gjerman?”

    Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Megjithatë, veshur me uniformë, në qëndrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrahinase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse.

    Sidoqoftë, pati fatin të mos i afrohej kurrë Stalingradit, madje as arriti të hyjë në Rusi: një telegram urgjent nga Pogradeci i thosh se nëna e tij ishte shumë e sëmurë e se duhej të nisej sa më shpejt për në vendlindje. E ndihmuan miqtë që kish në Bukuresht, të cilët i rregulluan një leje për t’u larguar nga vargu i ushtarëve dhe më pas e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi t’arrijë në Pogradec në shtator 1942. Nëna kish ndërruar jetë më 28 gusht.

    ——————————

    Lexo edhe:

    Mitrush Kuteli: Ngrihem si i çmendur të të shkruaj…

    ObserverKult

  • Panairi i Librit në Prizren/ U mbajt takim me shkrimtarin, Muharrem Kurti

    Panairi i Librit në Prizren/ U mbajt takim me shkrimtarin, Muharrem Kurti

    Nga Blerim Valla

    Të jesh mysafir nderi si shkrimtar i njohur në Prizren, në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarve, dhe atë në një ngjarje tashmë të njohur, në Panairin e Librit “Prizreni 2025” festë kjo tradicionale e librit që këtë vit mbahet edicioni i 17-të dhe i organizuar nga OJQ IKS (Insituti për Kulturë dhe Kërkime Shkencore) nga Prizreni, nën udhëheqjen dhe kordinimin e dy personaliteteve të njohura, Osman Goranci, dhe Ditar Kabashi dhe me pjesëmarrjen e 25 Shtëpive Botuese, nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, është nder e privilegj.

    Këtë nder e pati poeti e prozatori i njohur gjakovar, Muharrem Kurti, krijues me përmasa kombëtare. Në këtë takim (bashkëbisedim) të ngrohtë dhe shumë dinjitoz letrar të moderuar me shumë invencion dhe me plotë shije dhe elegancë nga shkrimtari e gazetari i njohur Osman Goranci, që u mbajt në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit, tek Biblioteka e Prizrenit, u shpalos portreti krijues i krijimtarisë letrare të M. Kurtit.

    Në prani të shumë adhuruesve të librit e veprës të autorit Kurti (në ndërkohë që shumë qytetar nga mbarë Kosova dhe turistë të huaj po vizitonin Panairin e Librit), në këtë takim letrar me shkrimtarin Kurti, autor i 17 veprave letrare (10 me poezi 5 romane dhe 2 me tregime) u debatua për krijimtarinë e tij të pasur letrare tashmë të përkthyer në nëntë gjuhë të huaja, pastaj për aktivizmin e tij palodhur më se 13 vjeçar si kryetar i klubit të njohur letrar  “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës dhe si njëri nga organizatorët e Mitingut të Poezisë. Po ashtu u fol edhe për pjesën e jetës të burgosjes së z. Kurti si ish- i burgosur politik në vitet e ‘80 – ta, pastaj për gjendjen e kulturës, të letërsisë dhe të shkrimtarit në Kosovë, për procesin krijues të Kurtit etj, e që të gjitha këto u ndoqën me shumë kërshëri e duartrokitje nga publiku.

    Pyetjet e parashtruara nga Osman Goranci, kishin të bënin me veprat e shkrimtarit të mirënjohur Muharrem Kurti si psh: 

    – Sa përkrahen krijuesit tanë nga institucionet tona lokale e qendrore.

    – Letërsia shqipe sot

    – Si t’ia afrojmë librin lexuesit

    – Libri si ushqim shpirtëror e kulturor.

    – si mund të mbijetoj një krijues i vlerave

    – Pse sot na mungon kritika letrare e shumë pyetje të tjera me vlerë e të cilave Z. Kurti ju përgjigjë me shumë njohuri prej një shkrimtari tashmë me përvojë dhe i njohur por edhe si njohës i mirë i rrethanave kulturore e letrare në Kosovë.  

    Nga  ky  takim letrar shkrimtari Muharrem Kurti, mes shumë mendimeve e këshillave të tij shumë vyeshme dhe profesionale (nga përvoja e tij jetësore dhe letrare),  e  dha  mesazhin ectij kryesor duke potencuar se “Në një shtëpi ( edhe në një qytet) ku nuk ka libra, aty mos hynë (mos shko) sepse libri është ndriqim (dritë) i shtëpisë (edhe i qytetit) por edhe i njerëzimit” ! 

    Përndryshe shkrimtari Muharrem Kurti, tani është një emër i njohur në letrat shqipe, një poet i prozator i dalluar pasi ai shkruan me një stil të veçant dhe që ka një shpirt të ndjeshëm prej shkrimtari. 

    Ai dallohet për ka gama e temave që trajton në krijimtarinë e tij si dhimbja njerëzore, dashuria, motivet sociale, marrëdhëniet mes njerëzve por edhe të kolektivitetit tonë, por shpesh shkruan edhe për tema aktule të politikës shqiptare.

    Muharrem Kurti me librat e tij po vazhdon traditën e shkrimtarëve të njohur të Gjakovës prej nga kanë dalë emra të mëdhenj, jo vetëm në nivel të Kosovës e atë kombëtar,por edhe në nivel evropian, si Ali Podrimja,Teki Dërvishi, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Besim Bokshi, Agim Gjakova, Jusuf Buxhovi, Blerina Rogova – Gaxha etj.

    Kurti, pos që është i  përkthyer në shumë gjuhë të huaja ai është  i prezantuar edhe në disa antologji brenda e jashtë vendit tonë dhe ka fituar disa mirënjohje e çmime letrare.

    Në vitin 2017 dhe 2018, atij ju ndanë dy çmime letrare prestigjioze  me karakter  ndërkombëtar: si Medalja e Artë  “Aleksandëri i Madh”, dhe “Medalja e artë e Uneskos”. 

    ***

    Disa nga veçoritë e poezisë së Muharrem Kurtit janë:

    Muharrem Kurti, si poet dhe veprimtar letrar, njihet për kontributin e tij në poezinë shqipe, veçanërisht në kontekstin e letërsisë gjakovare dhe shqiptare në përgjithësi. 

    Janë disa veçori të përgjithshme si :

    1.Angazhim kulturor dhe kombëtar: 

    Poezia e Kurtit reflekton një ndjenjë të fortë të identitetit kombëtar dhe promovimit të vlerave shqiptare.

    2. Lidhja me traditën dhe modernitetin: 

    Si kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë, Kurti ka treguar interes për ruajtjen e traditës letrare shqiptare, por edhe për përfshirjen e elementeve moderne në poezi, siç shihet te poezitë e tij.

    3. Theksimi i ndjeshmërisë dhe historisë: 

    Poezitë e tij shpesh trajtojnë tema si dashuria, malli, historia dhe vuajtjet kolektive, çka mund të sugjerojë se edhe poezia e tij mund të ketë një ton lirik dhe reflektues, të lidhur me përvojat njerëzore dhe historike.

    4. Stil i thjeshtë dhe i prekshëm: 

    Kurti vlerëson një gjuhë poetike të qartë, të drejtpërdrejtë, por të pasur me figura stilistike dhe imazhe që lidhen me jetën dhe ndjenjat e përditshme.

    ***

    Kurse disa nga elementet dalluese të prozës së Muharrem Kurtit në romanet dhe në tregimet e tij janë:

    Muharrem Kurti është një autor i njohur shqiptar, i cili ka kontribuar në letërsinë shqiptare me romanet dhe tregimet e tij. Disa nga tiparet dalluese të prozës së tij përfshijnë:

    1. Temat sociale dhe politike: 

    Proza e Kurtit shpesh e shqyrton realitetin shoqëror, historik dhe politik të Kosovës dhe Shqipërisë. Ai eksploron ndikimin e këtyre faktorëve mbi individët dhe shoqërinë.

    2. Përvoja personale dhe autobiografike: 

    Shumë nga veprat e tij janë ndikuar nga përvoja personale, duke reflektuar jetën dhe sfidat që ka kaluar si individ dhe si qytetar në një kontekst të trazuar.

    3. Stili barrativ: 

    Kurti përdor një stil narrativ që është i thjeshtë, por emocional, duke e bërë leximin e tij të aksesueshëm për një audiencë të gjerë. Ai shpesh ndërthur elemente të prozës poetike me narrativë të drejtpërdrejtë.

    4. Personazhe të gjallë:

    Romanet dhe tregimet e tij karakterizohen nga personazhe shumëdimensionale, që janë shpesh të ndikuar nga konteksti shoqëror dhe që përfaqësojnë një gamë të gjerë emocionesh dhe përjetimesh.

    5. Pasqyrimi i realitetit: 

    Ai ka një aftësi të veçantë për të pasqyruar realitetin në mënyrë kuptimplote, duke përdorur detaje që ndihmojnë në krijimin e një atmosfere të fortë dhe bindëse.

    6. Kritika e shoqërisë: Shumica e veprave të tij ofrojnë një kritikë të qartë dhe të thellë të shoqërisë, duke e bërë prozën e tij një reflektim të rëndësishëm mbi vlerat dhe normat sociale.

    Të gjitha këto tipare e bëjnë poezinë dhe prozën e Muharrem Kurtit të veçantë dhe të rëndësishme për letërsinë shqiptare dhe për lexuesit që kërkojnë një thellim në realitetin e jetës dhe historisë shqiptare.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    JORGE LUIS BORGES DHE HISTORIA E PERANDORIT QË DOGJI LIBRAT PËR T’U BËRË “I PAVDEKSHËM”

  • Kongresi i Drejtshkrimit, një ngjarje gjuhësore e shndërruar në instrument politik

    Kongresi i Drejtshkrimit, një ngjarje gjuhësore e shndërruar në instrument politik

    Një konferencë që nisi me qëllim shkencor për të diskutuar mbi gjuhën shqipe, standardin, gjuhën letrare dhe drejtshkrimin, përfundoi si një kongres partie, i ndikuar fort nga klima ideologjike e kohës. Kështu e përshkruan gjuhëtari Bahri Beci, një nga pjesëmarrësit dhe dëshmitarët e Kongresit të Drejtshkrimit, këtë ngjarje që shënjoi historinë gjuhësore dhe kulturore të Shqipërisë, në librin e tij.

    Në librin e tij “Përjetime 1936–2021”, Beci ndan kujtime që nga fëmijëria në Shkodër e deri te reflektimet për tri periudha historike të Shqipërisë: periudha e sistemit kapitalist (1936–1944), ajo e sistemit komunist (1944–1990) dhe tranzicioni postkomunist (1990–2021). Ai vëren se “Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre tri epokave janë përpëlitur si një anije pa vela në mes dallgëve të detit”.

    Përmes një stili publicistik dhe reflektues, Beci përshkruan ngjarje kyçe kulturore, nga Kongresi i Manastirit deri tek Kongresi i Drejtshkrimit, duke e vendosur veten në rrëfimin e një shkencëtari të gjuhës që operonte nën presionin e doktrinës politike. Ai flet për ndërtimin e figurës së “Homo ideologicus”, si një produkt i drejtpërdrejtë i regjimit:

    “Ishte krijuar njeriu ideologjik, që është e keqja më e madhe e këtij vendi në të dyja kohët”, thotë Beci, teksa përshkruan mënyrën se si ndërtohej “elita e re” me bekim politik.

    Duke iu rikthyer ngjarjes që do të ngulitej thellë në historinë gjuhësore shqiptare, Kongresit të Drejtshkrimit, Beci tregon se për të “ka qenë e rëndësishme e vërteta”:

    “Unë nuk kam bërë ndonjëherë, refuzim apo mohim të gjuhës letrare. Unë jam marrë me argumentet shkencore. Gjuha e vendosur si standard, ka qenë më shumë një gjuhë gazetash, një gjuhë burokratike, më shumë se një gjuhë letrare e mirëfilltë; këtu përjashtoj shkrimtarin e madh Ismail Kadare, i cili diti ta lëvrojë gjuhën, ta shpëtojë nga ngurtësimi.”

    Në kujtimet e tij, Beci ndalet edhe në përjetimet personale brenda Institutit ku punonte. Ai tregon se si, me propozimin e Jorgos, u zgjodh sekretar shkencor i Institutit – një lëvizje që ai e sheh jo si rastësi, por si pjesë e politikës së “kulaçit” pas asaj të “kërbaçit”.

    “Tani sikur kërkonin të më merrnin me të mirë. Me sa duket, drejtori donte të jepte prova se ai nuk kishte pasur dhe nuk kishte gjë me mua, se ai më donte e më respektonte, madje edhe më vlerësonte… tani nuk isha më naiv, madje mund të them se isha bërë shumë vigjilent e kërkoja si i thonë, qimen në qull.”

    Gjatë viteve 1972–1975, Beci kujton se punoi me përkushtim të veçantë, duke e vlerësuar këtë periudhë si një ndër më të frytshmet në jetën e tij shkencore. Megjithatë, ai thekson se “bashkëjetesa me drejtuesit kërkonte si peng personalitetin”.

    Kujtimet e tij rikthejnë atmosferën e tensionuar të kohës, ku “etja për lavdi dhe mania për t’u imponuar me gjëra të mëdha” ishte shndërruar në mënyrë të menduari dhe vepruari.

    “Shoqëria shqiptare ishte si një tullumbace tepër e fryrë që vërtitej sa andej-këndej, po pa e ditur se ku po shkonte… Pra, tullumbace shteti, tullumbace shoqëria, tullumbace institucionet.”

    Një nga ngjarjet më të rëndësishme që ai përshkruan është konferenca ndërkombëtare e organizuar nga Instituti i Historisë, e cila u bë “bisedë e ditës” në gjithë vendin. Por, shumë shpejt pas saj, Kongresi i Drejtshkrimit do të merrte vëmendjen kombëtare:

    “E ky do të ishte Kongresi i Drejtshkrimit që është vlerësuar si ‘një fitore e vijës marksiste të PPSH-së për zgjidhjen e problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare’.”

    Këto rrëfime dhe analiza nga Bahri Beci, të ndërtuara mbi përjetime personale dhe njohuri të thella shkencore, edhe pasi ai ka vdekur, ofrojnë një dritare të vyer për të kuptuar se si politika ndikoi formësimin e gjuhës shqipe standarde, jo vetëm si proces gjuhësor, por edhe si instrument ideologjik./KultPlus.com

  • Kujtimet e gjuhëtarit Bahri Beci: Si u shndërrua konferenca e drejtshkrimit në një kongres partie

    Kujtimet e gjuhëtarit Bahri Beci: Si u shndërrua konferenca e drejtshkrimit në një kongres partie

    Nga një konferencë për gjuhën shqipe, standardin, gjuhën letrare e drejtshkrimin, u kthye në një kongres partie. Një nga dëshmitarët dhe pjesëmarrësit e Kongresit të Drejtshkrimit, gjuhëtari Bahri Beci na tregon se çfarë ndodhi në këtë ngjarje, që do të shënjonte gjuhën shqipe.

    Kjo dëshmi vjen si pjesë integrale e librit të tij “Përjetime 1936 -2021”, botim i UET Press.

    Beci ndan me lexuesin kujtime e përsiatje që nga fëmijëria e tij e hershme rrugicave të Shkodrës, e deri tek argumentimet për debatin kulturor e sociologjik në vend, ravijëzon tri kohë historike të Shqipërisë: gjatë viteve 1936-1944, kur në Shqipëri ishte vendosur sistemi kapitalist dhe ekonomia e tregut; gjatë viteve 1944-1990, kur në Shqipëri u vendos sistemi komunist dhe ekonomia e centralizuar; gjatë viteve 1990-2021, kur në Shqipëri u rivendos sistemi kapitalist dhe ekonomia e tregut.

    “Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre tri epokave janë përpëlitur si një anije pa vela në mes dallgëve të detit”, thotë akademiku.

    Përmes publicistikës, ai sjell ngjarjet vendimtare të kulturës: nga Kongresi i Manastirit deri tek ai i Drejtshkrimit; rrugëtimin e vështirë të një shkencëtari të gjuhës në korridoret e ngushta të doktrinës politike; skicën e formimit të atij që profesor Besi e quan “Homo ideologicus”, sipas tij, dëmi më i madh që i ka bërë shoqërisë shqiptare diktatura komuniste.

    “Ishte krijuar njeriu ideologjik, që është e keqja më e madhe e këtij vendi në të dyja kohët”, thotë profesori, ndërsa përshkruan kulisat e ndërtimit të “elitës së re” me urdhër dhe bekim politik.

    “Për mua ka qenë e rëndësishme e vërteta dhe do ta lexoni këtë të vërtetë aty, që ta dini se ka edhe një variant të tillë shpjegimi. Unë nuk kam bërë ndonjëherë, refuzim apo mohim të gjuhës letrare. Unë jam marrë me argumentet shkencore. Gjuha e vendosur si standard, ka qenë më shumë një gjuhë gazetash, një gjuhë burokratike, më shumë se një gjuhë letrare e mirëfilltë; këtu përjashtoj shkrimtarin e madh Ismail Kadare, i cili diti ta lëvrojë gjuhën, ta shpëtojë nga ngurtësimi”, thotë ai në lidhje me standardin e gjuhës shqipe.

    Nga libri i tij “Përjetime 1936 -2021”, shkëpusim pikërisht këtë ngjarje të madhe për gjuhën shqipe, Kongresin e Drejtshkrimit.

    BAHRI BECI

    NË POSTIN E SEKRETARIT SHKENCOR

    Në një mbledhje të Institutit, me “propozimin” e Jorgos, u zgjodha sekretar shkencor i Institutit.

    Për mua, sigurisht, kjo ishte diçka e papritur, po kuptohej që ajo nuk qe aspak një rastësi, po shprehje e një qëndrimi të caktuar. Pra, pas politikës së kërbaçit, po ndiqnin politikën e kulaçit.

    Tani sikur kërkonin të më merrnin me të mirë. Me sa duket, drejtori donte të jepte prova se ai nuk kishte pasur dhe nuk kishte gjë me mua, se ai më donte e më respektonte, madje edhe më vlerësonte. Sigurisht, tani për mua çdo gjë ishte e qartë, tani nuk isha më naiv, madje mund të them se isha bërë shumë vigjilent e kërkoja si i thonë, qimen në qull.

    Detyrën e sekretarit shkencor e kryeja me përkushtim të veçantë, po nuk harroja për asnjë moment që detyra ime kryesore ishte puna shkencore. Ato vite (1972-1975) kam punuar si asnjëherë tjetër. Luante rol që kisha një dhomë pune më vete, po edhe mundësia për të më goditur në ato momente ishte pothuajse minimale, në njëfarë mënyre ishte nënshkruar një pakt i përkohshëm mossulmimi, të cilin, me hir ose pa hir, ishte i detyruar ta pranonte, të paktën formalisht, edhe shoku Jorgji, ndonëse isha i sigurt që në ndërgjegjen e tij, po jo vetëm të tij, nuk kishte depërtuar as edhe një rreze e dobët drite. Për atë dhe shokët e sojit të tij, unë nuk isha veçse një konkurrent që nuk duhej lejuar të kapërcente pragun e vendosur prej tyre, pra, bashkekzistenca me Jorgjin, po jo vetëm me Jorgjin, kërkonte si peng personalitetin. Që të bashkëjetoje me ta, duhej të mendoje si ata, të veproje si ata, t’u shërbeje atyre etj., etj.

    KONGRESI I DREJTSHKRIMIT

    Ka kaluar shumë kohë dhe shumë gjëra kanë filluar të fashiten nga kujtesa, megjithatë disa gjëra kanë mbetur si dëshmi e asaj kohe, po edhe e asaj mënyre të menduari e të jetuari. Etja për lavdi dhe mania për t’u imponuar me gjëra “të mëdha” ishte bërë një mënyrë të menduari e të jetuari në Shqipëri.

    Shoqëria shqiptare ishte si një tullumbace tepër e fryrë që vërtitej sa andej-këndej, po pa e ditur se ku po shkonte. Po, gjithsesi, tullumbacja tërhiqte vëmendjen dhe dikë edhe e befasonte me ngjyrën dhe bukurinë e saj, me lëvizjet e saj jo uniforme. Pra, tullumbace shteti, tullumbace shoqëria, tullumbace institucionet, tullumbace drejtuesit e tyre. Të gjithë kërkonin të bënin gjëra të mëdha, të gjithë kërkonin t’i imponoheshin shoqërisë me bëmat e tyre. Partia bënte Kongrese, shteti mitingje madhështore dhe mbledhje solemne, institucionet shkencore konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

    Një konferencë e tillë ndërkombëtare u organizua nga Instituti i Historisë. Jehona e saj u ndie anembanë vendit. Ishte një ngjarje. Vështirë që pas asaj konference do të mund të organizohej një tjetër si ajo. Dhe organizatorët e saj ishin heronjtë e ditës. Për ta flitej kudo, edhe në zyrat e larta të shtetit, edhe në kafene, edhe nëpër shtëpi, po edhe në rrugë, ishte, pra, bisedë e ditës. Dhe askujt nuk i shkonte në mend në atë kohë se, shumë shpejt pas saj, do të organizohej një tjetër veprimtari shkencore që do të bënte të harrohej konferenca e organizuar nga Instituti i Historisë. E ky do të ishte Kongresi i Drejtshkrimit që është vlerësuar si “një fitore e vijës marksiste të PPSH-së për zgjidhjen e problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare”.

    Pra, fitore e PPSH-së dhe jo e popullit shqiptar.

    E vërteta është se edhe sot nuk e kam shumë të qartë se kush ishte nismëtari i vërtetë i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Megjithatë, duke qenë në pozitën e sekretarit shkencor të Institutit dhe, dashur pa dashur, shumë pranë drejtorit të këtij institucioni, kam pasur rastin të jem relativisht i informuar për këtë veprimtari. E vërteta është se diskutimet për Rregullat e drejtshkrimit të shqipes, Projekt që ishin botuar më 1967, kishin hyrë në fazën e fundit të tyre. Pra, kishte dalë nevoja e organizimit të një veprimtarie që do të finalizonte diskutimet e bëra dhe t’i jepte një formë përfundimtare drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Kjo ide, me sa duket, u përcoll në organet e larta të shtetit dhe të partisë. Kuptohet që në atë kohë pa aprovim nga lart nuk mund të bëje asgjë. Aso kohe, në Komitetin Qendror me problemet e kulturës dhe të shkencës merrej Kahreman Ylli.

    -Ka një mendim që ta kthejmë në Kongres, Konferencën për drejtshkrimin,- më tha drejtori në një moment dhe iu referua një bisede telefonike me Kahremanin.

    -Fola me të në telefon dhe më tha pse nuk e bëni Kongres, si atë të Manastirit?

    Kostallari duket se nuk ishte i përgatitur për këtë dhe ndihej sa i gëzuar, aq edhe i shqetësuar, po nuk kaloi shumë dhe pyetja nga lart mori formën e vendimit, pra, jo konferencë, po kongres, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha trevat shqiptare. Dhe kaq mjaftoi dhe Kostallari u hodh në sulm me gjithë potencialin e tij për të organizuar një veprimtari më të bujshme se ai i organizuar nga Instituti i Historisë. Ndihej qartë se po përvijohej në kokën e drejtorit ngjarja që do t’i jepte atij lavdinë e kërkuar.

    U hartua platforma, u përcaktuan njerëzit që do të ftoheshin dhe kumtuesit. Këto bëheshin si fshehurazi, nuk ishte shumë e qartë se si bëheshin, po një gjë dukej qartë, njerëzit e partisë ishin të gjithë në lëvizje, dukej sikur po organizohej një Kongres partie, e jo një konferencë shkencore. Megjithëse sekretar shkencor i Institutit, ndihesha disi si i mënjanur nga njerëzit e partisë që nuk linin njeri t’u hynte në mes. Gjithsesi, pozita që kisha nuk më linte të rrija indiferent, po edhe shumë aktiv nuk tregohesha, se do të nxisja reagimin e tyre. Një gjë më kishte rënë në sy që, Kostallari nuk kishte shumë besim te kolegët e tij të organizatës dhe, herë pas here, kur nuk ndodhej në Institut, më drejtohej mua për të marrë informacione mbi mbarëvajtjen e punës. Kuptohej se pas atyre që kishin ngjarë në vitet e revolucionit kulturor të tipit kinez (1966-1969), ndërmjet tyre ishin krijuar probleme; e vërteta ishte se flisnin pa konsideratë për njeri-tjetrin. Midis tyre kish ndodhur çarja e parë e madhe.

    Kumtesat dhe kumtuesit

    Një gjë ishte e qartë: në kongres do të merrnin pjesë dhe do të mbanin kumtesa njerëz që kishin dhënë “prova” të aprovimit pa rezervë të projektit ose, siç thuhej atëherë, “njerëz të devotshëm”

    Dhe, me të vërtetë, asnjë gabim për sa i përket zgjedhjes së njerëzve që do të ftoheshin për të marrë pjesë, ose për të kumtuar. Dhe më vjen në mend pyetja e A. Klosit drejtuar J. Bulos, “si mund ta quajë shpirt të kombit dr. Bulo një Kuvend, i cili nuk thërriti asnjë nga përfaqësuesit e qarqeve kulturore të sipërpërmendura? Përse nuk u ftuan as Ernest Koliqi, as Zef Valentini, as Martin Camaj, as Arshi Pipa, as Gjon Sinishta, as Sami Repishti, as Anton Logoreci e sa të tjerë që vazhdonin të shkruanin në mërgim variantin letrar gegë?” .

    Asnjë “gabim” edhe për sa u përket kumtuesve dhe kumtesave që do të mbaheshin. Ku ishte parë që temat e kumtesave të një kongresi shkencor të përcaktoheshin nga drejtori i Institutit dhe sekretari i partisë, në bashkëpunim edhe me ndonjë vegël tjetër të tyre? Të gjitha këto fshiheshin prapa emrit të të ashtuquajturit komision organizues i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku figuronin edhe emrat e të ftuarve nga Kosova dhe nga arbëreshët e Italisë, po që nuk dihej ende nëse do të vinin apo jo në Kongres.

    Mbaj mend që, kur po flitej se të ftuarit nga Kosova nuk do të vinin, e pyeta Kostallarin:

    – A do të mbahet kongresi po të mos vijnë kolegët nga Kosova?

    – Patjetër që do të mbahet, -më tha.

    Pra, kongresi do të mbahej edhe sikur përfaqësuesit nga Kosova të mos vinin.

    Në një takim në drejtorinë e Institutit u diskutua edhe për kumtesat e punonjësve të tij. Më pyetën edhe mua se çfarë kumtese do të mbaja. Do të flas për parimet e drejtshkrimit të shqipes, u thashë. Me të mbaruar takimi, Kostallari më thirri në zyrë dhe më kërkoi hollësira lidhur me kumtesën që do të mbaja. Ishte i shqetësuar, ndoshta edhe kishte të drejtë, se në një mbledhje për diskutimin e projektit në Institut, unë kisha deklaruar se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes nuk është parimi fonetik. Ka qenë i jashtëzakonshëm presioni që të ndryshoja temën e kumtesës. Në pamundësi për të rezistuar para presioneve të një natyre jashtëshkencore, kam kërkuar të flas për parimin tradicional të drejtshkrimit, që nuk përbënte sipas Kostallarit një fushë me mina për të. Ishte një kompromis që, gjithsesi, më linte një dritare të vogël hapur për të thënë diçka nga vetja ime.

    Pra, arkitektura e zbatuar nuk linte shteg për devijime, të papritura ose befasi. Çdo gjë në rregull. Një komision organizues prej 19 vetash, 87 delegatë, ndër të cilët edhe unë, një presidium prej 21 vetash, presidiumet e seksioneve A dhe B, sekretaritë e kongresit, komisionet e hartimit të parashtresave rreth punimeve të seksioneve A dhe B.

    Shqyrtimi i këtyre listave, pra, i pjesëmarrësve në këto komisione, është i mjaftueshëm për të kuptuar logjikën që udhëhiqte organizatorët e këtij Kongresi. Emrat më të përsëritur në këto lista, përveç të autoriteteve shkencore të kohës si M. Domi, E. Çabej, I. Ajeti, Dh. Shuteriqi, Sh. Demiraj etj., ishin ato të A. Dodit, J. Gjinarit, J. Thomajt, E. Lafes etj., të cilët ju tanimë i njihni përmes atyre që kam shkruar deri tani, po mungonte emri i njërit prej gjuhëtarëve më në zë të kohës, Selman Rizës.

    Në Kongresin e Drejtshkrimit, Selman Riza merrte pjesë si dëgjues, pa të drejtë fjale.

    E vërteta është se pas të gjitha këtyre, Kongresi u karakterizua nga “një unitet i plotë mendimi e veprimi”. Ndonjë “i pabindur” që guxoi të ngrinte kokën, “u mënjanua” pa u marrë vesh. Dhe ne kemi shkruar se “Kongresi i Drejtshkrimit ishte përfundimi i politikës gjuhësore të ndjekur nga Partia-shtet që nga 1945, për të vendosur në bazë të gjuhës letrare standarde toskërishten letrare dhe për të mënjanuar gegërishten letrare. Dhe qëllimi u arrit. Pa dashur të vëmë në dyshim vlerën e Kongresit të Drejtshkrimit, duhet pranuar se ai qe i parapërgatitur dhe nuk pati tolerancën e nevojshme. Nuk ishte rastësi që ai u quajt Kongresi i Drejtshkrimit dhe jo i gjuhës letrare apo standarde; nuk ishte rastësi që nuk u diskutua fare për formimin e gjuhës letrare a standarde, edhe pse referati i kushtohej historisë së formimit të gjuhës sonë letrare dhe drejtshkrimit të saj. Nuk ishte, pra, një Kongres i lirë e demokratik. Ishte rasti të diskutohej të paktën për rrugën që u ndoq e shpjegimet që u dhanë për formimin e gjuhës letrare standarde, por as kjo nuk u bë.

    Nga kjo pikëpamje, Kongresi i Drejtshkrimit kërkon një rivlerësim”./panorama.com.al

    Lexo edhe:

    ZHAK PREVER: BARBARA…

    ObserverKult

  • Arshi Pipa, disident në jetë dhe në vepër, kurajozi i zëshëm i demokracisë, arketip i jokonformistit

    Arshi Pipa, disident në jetë dhe në vepër, kurajozi i zëshëm i demokracisë, arketip i jokonformistit

    Nga Albert Vataj

    Asht pak me than, se Arshi Pipa mbetet nji prej figurave ma t’njimendta të vetëdijes dhe veprimit demokratik. Ai ishte shumë e shumë më shumë se kaq. Ai ishte dhe mbeti nji za i kurajshëm i vlerave. Ndoshta do ta kishit t’pamujtun për me e gjet nji personifikim të të përsosunes së disidentit në jetë dhe në vepër. Tue e kërkua e tue dasht me nxjerr prej kohet e sprovave, shtjellave përpirëse dhe zemëratave të diktaturës komuniste e mbas, e tash ja ku mundet pa droje me e gjithëpranu, ai asht Arshi Pipa. Punoi me mish e me shpirt, lufto me thonj e me dhëmbë për me mujt me dishmi njat univers t’përsosun t’ngadhnjimtarit, dishepullit të dijes e nxanjes, kreshtës së kushtrimeve e kumtimit, kungimit dhe krijimit. Tançka në të e me të kishte mujt me u ngjiz e me marr hov me u jetësu si një Ante antik, në çdo puls, në çdo mendim, në çdo dashtuni e veçanti shprehëse.

    Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920- Washington, 20 korrik 1997), ç’nuk ishte, çmos bani e gjithqysh diti dhe mujti, ai u rrek e i’a doli për me ken nji poet kushtrues e nji lirik i tamëlt; nji gjuhëtar i zoti dhe gladiator i paepun i arenave t’gegnishtes; kritik, ndoshta me pak shokë mbas vedi, për nga thellësia dhe larmi e trajtesës; përkthyes dhe pedagog gjithëpoaq gjurmlans në trashigiminë tonë kombëtare. E tan jeta e tij ishte e mbushun me përpjekje, me vuajtje e me sfida, me gjithëçmos qi mujti me marr prej tij ma t’mirën vepër, ma t’vyemën vlerës, t’përgjithmonshmen dëshmi të shpirtit triumfues.

    Nga jeta

    Leu në Shkodër, i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhe Lloshit. Arshiu qe me prejardhje libohovite nga i ati dhe nga e ëma shkodrane me origjinë dibrane. I ati qe jurist i shkolluar në Stamboll, në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, administratë shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe, e krijuar nga austro-hungarezët. Më vonë, në vitet ‘23-‘26, do t’u emëronte anëtar i Gjyqit të Diktimit. E ëma, Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye.

    Kishte vëlla nga i ati Muzaferin, dhe katër motra të një barku: Nedreti, Fehimja, Bedrija dhe Bedi.

    Vitet e para të arsimimit i mori tek Kolegji Ksaverian e më tej në liceun shtetëror të Shkodrës në ndarjen me profil klasik më 1938. Me përkujdesjen e të atit për formimin në traditën fetare të familjes tyre, ndiqte mësime edhe në medrese gjatë mbasditeve. Më 1936 me poezinë “Në lamën e luftës” fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja “Cirka”. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u laureua më 1942 me dizertacionin “Morali dhe feja tek Bergson”.

    Kthehet në Shqipëri dhe nga viti 1941 deri më 1946 jep mësim ndër shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit. Kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Merr pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, ku punimet i drejtoi S. Luarasi. Më vonë i kërkohet të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në një takim letrar në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë lexon “Këngën e Pleshtit” të Goethes duke thumbuar kështu Sh. Totozanin, i cili u bë shkak që Pipën ta zhvendosnin me punë në Durrës. Atje lexon një tjetër poezi të titulluar “Bushtra”, dhe pas një tjetër mbrëmjeje poetike në Tiranë ku në krah kishte N. Spirun që nuk e njihte arrestohet me 27 prill 1946 dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Ridënohet – dhe gjatë marrjes së dënimit merr vesh vdekjet e të vëllait – më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i një grupi social-demokrat bashkë me P. Kaçinarin, H. Ballhysën dhe P. Gjeçin. Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.

    Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë gjer më 1959.

    Gjatë asaj periudhe përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe, me përkthime, dhe kapituj mbi elemente metrikë dhe shënime.

    Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, meqenëse ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..

    Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar (Profesor i asociuar i përkohshëm në vitet 1963-64) në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, (1965), si edhe filozofi Romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës (gjithashtu në Anglisht) dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes.

    Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

    Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.

    Veprat

    Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikë s, gjuhësisë, politikës, publicistikës.

    Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).

    Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, qi trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.

    Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush.

    Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.

    Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.

    Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukunive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue.

    “Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).

    Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri qi duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale të Arshiut, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.

    Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”.

    Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

    Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).

    Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj.Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën).

    Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).

    Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikë s dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

    Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.

    Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.

    Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

    Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.

    Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe , në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).

    Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

    Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.

    Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.

    Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.

    Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

    Arshi Pipa vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

    Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

    Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyne, e ka të zorshme me pranue nji personalitet të tillë si Pipa, qi i ka demaskue nji jetë të tanë. Aty-këtu, individë të veçantë dhe institucione kulturore demokratike kanë fillue me ba hapat e parë për të nxjerrë në dritë veprën shkencore e letrare të tij. Po diaspora jonë? Asnji veprimtari promovuese për punën e madhe atdhetare, shkencore, artistike, botuese. Përveç ndonji artikulli me shumë vlerë si ai i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, dhe 2-3 shkrimeve kritike tendencioze, nuk më ka xanë syni tjeter. Borxh i papaguem i “Vatrës”, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe, në përgjithësi, i inteligjencës së këtushme. /KultPlus.com