Tag: leninit

  • “Urdhri i Leninit”, Putin i jep medalje djalit të zv.drejtoreshës së CIA-s që vdiq në Ukrainë

    “Urdhri i Leninit”, Putin i jep medalje djalit të zv.drejtoreshës së CIA-s që vdiq në Ukrainë

    Vladimir Putin ka nderuar me dekoratën më të lartë civile të Rusisë djalin e një agjenteje të rëndësishme të CIA-s, i cili humbi jetën në betejë në Ukrainë, ndërsa luftonte në krah të trupave ruse.
    Një histori që duket e pabesueshme, por lidhet më shumë me një dramë personale dhe ankthin e një familjeje sesa me shërbime sekrete apo operacione të fshehta.
    La Repubblica shkruan se ngjarja doli në dritë vetëm pak ditë para samitit në Alaska mes Putin-it dhe Trump-it dhe duket si një gjest i presidentit rus për të zbutur qëndrimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Javën e kaluar, Rusia i dha “Urdhrin e Leninit”, një medalje pas vdekjes për trimëri, Michael Gloss-it, një amerikan 21-vjeçar i cili vdiq në vitin 2024 duke luftuar në frontin ukrainas përkrah forcave të Moskës, me të cilat ishte bashkuar si vullnetar.
    Siç raporton BBC, i riu ishte djali i Juliane Gallina, zëvendësdrejtore e CIA-s për inovacionin dixhital, departamenti që merret me spiunazh elektronik.
    Dekorata iu dorëzua personalisht nga Putin përfaqësuesit të posaçëm të Trump-it për negociatat në Ukrainë dhe Gaza, Steve Witkoff, gjatë takimit të fundit në Kremlin. Takim që çoi në lajmërimin mbi mbajtjen e samitit më 15 gusht mes dy presidentëve në Alaska.
    As Ministria e Jashtme ruse, as Shtëpia e Bardhë dhe as CIA nuk e kanë konfirmuar ose komentuar lajmin e dekoratës, që është publikuar në media pas rrjedhjes së informacionit në Uashington. Vdekja e Gloss-it u raportua për herë të parë në mediat ruse në prill të këtij viti. Më vonë, një deklaratë nga CIA njoftoi se i riu kishte probleme të shëndetit mendor dhe se humbja e tij nuk kishte lidhje me çështje të sigurisë kombëtare. Një burim anonim nga shërbimet e inteligjencës amerikane tha për rrjetin CBS se Gloss nuk ishte agjent i CIA-s.
    I riu ishte bashkuar me ushtrinë ruse në vitin 2023, pak pas fillimit të pushtimit të Ukrainës. Më pas, ai kishte postuar në rrjetet sociale foto nga Sheshi i Kuq në Moskë, duke shprehur mbështetje për Rusinë dhe duke i quajtur kritikat ndaj pushtimit si “propagandë perëndimore”.
    Babai i tij, Larry Gloss, një veteran i luftës në Irak, konfirmoi për Ëashington Post se i biri kishte luftuar gjatë gjithë jetës nga çrregullimet mendore. Ai tha se trupi i të birit është kthyer në SHBA, por familja kishte frikë se Moska, pasi të zbulonte se kush ishte e ëma, mund ta përdorte rastin për shantazh.
    Në vend të kësaj, Putin e përdori ndryshe: duke i dhënë “Urdhrin e Leninit” djalit të zëvendësdrejtoreshës së CIA-s, një “dhuratë për Amerikën”, për të kontribuar në zbutjen e marrëdhënieve me Trumpin dhe për të siguruar samitin në Alaska.

  • “Mumja” e Leninit ndan Putinin dhe Kishën Ortodokse, revoltohet politika ruse

    “Mumja” e Leninit ndan Putinin dhe Kishën Ortodokse, revoltohet politika ruse

    Një dokumentar i ri me titullin “Mumja” po krijon polemika të forta në Rusi. Filmi, i mbështetur nga Kisha Ortodokse Ruse dhe patriarku Kirill, propozon mbylljen e mausoleumit të Leninit në Sheshin e Kuq dhe varrosjen e trupit të tij balsamosur, një simbol i rëndësishëm i periudhës sovjetike.
    Kisha Ortodokse e quan Leninin “shkatërrues të Rusisë së mëparshme” dhe një “fanatik”, duke kërkuar largimin e tij nga sheshi, duke e krahasuar mausoleumin me simbole pagane dhe praktikave okulte. Ky dokumentar po shfaqet në shumë qytete ruse dhe po përhapet gjerësisht në rrjetet sociale.
    Por kjo ide ka nxitur kundërshtime të ashpra politike. Partia Komuniste dhe figura të njohura si deputetja Nina Ostanina e konsiderojnë këtë si një sulm ideologjik dhe një përpjekje për të ndarë patriotët rusë. Shkrimtari dhe deputeti Zakhar Prilepin paralajmëron se pas Leninit, do të sulmohet edhe trashëgimia sovjetike dhe konceptet e drejtësisë sociale.
    Presidenti Vladimir Putin ka shprehur se varrosja e Leninit është një çështje shumë sensitive dhe se nuk duhet të ndërmerren hapa që ndajnë shoqërinë ruse, por Kisha Ortodokse duket se e ka marrë drejtimin e fushatës për mbylljen e mausoleumit.
    Ky debat reflekton tensionet mes të kaluarës sovjetike dhe ideologjisë aktuale në Rusi, ndërsa lufta në Ukrainë dhe nacionalizmi po formësojnë edhe pozicionet e institucioneve më të fuqishme në vend.