Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 12:55 në fshatin Nabergjan të komunës së Pejës.
Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, aksidenti ka ndodhur kur drejtuesi i një veture të tipit Peugeot, gjatë tentativës për të tejkaluar, ka kaluar në shiritin e kundërt të rrugës dhe është përplasur me një veturë që po vinte në drejtim të kundërt.
Përplasja ka rezultuar fatale për një person, i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor. Ndërkohë, katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës. Njëri prej të lënduarve, për shkak të natyrës së rëndë të plagëve, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Ndërkohë, drejtuesi i veturës Peugeot, i dyshuari për shkaktimin e aksidentit, është ndaluar për 48 orë.
Njësitet e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Pejë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po vazhdojnë hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e aksidentit.









