Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se mijëra punonjës të administratës morën lejet vjetore për t’u angazhuar në fushatë zgjedhore gjatë muajve janar -prill 2025 për t’i dhënë Partisë Socialiste në pushtet avantazhin e fitores.
Mëngjesin e 20 janarit 2025, në telefonin e një zyrtari vendor të një bashkie në jug të vendit mbërriti një mesazh nga eprori i tij. “Duhet që të marrësh lejen vjetore, do angazohemi në fushatë,” udhëzonte ai.
Punonjësi, i cili zgjodhi të identifikohej me emrin Alban, kërkoi një ditë më vonë lejen vjetore, por në të vërtetë nuk pushoi.
Në vend të punës së tij të zakonshme në zyrë, Albani* zbriti në terren për të mbledhur të dhëna mbi votuesit dhe përkatësinë e tyre politike në ndihmë të shtabeve elektorale të Partisë Socialiste, që kishin ndezur tashmë motorrët e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai e përshkruan punën e tij në fushatë si “krehje të listës së zgjedhësve”.
“Puna jonë ishte shumë e qartë, në zyrat elektorale të PS filtronim të gjitha listat e zgjedhësve. Kemi analizuar çdo emër dhe kemi bërë ndarjet përkatëse, ku në 11 maj ishim të qetë për çdo qytetar që paraqitej në qendrën e votimit,” tha zyrtari lokal në kushtet e anonimatit.
Ai nuk ishte i vetmi.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se mijëra punonjës të administratës publike në pushtetin qendror dhe lokal morën lejet vjetore në periudhën janar – prill 2025; periudhë e cila përkon me fushatën elektorale në terren për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Krahasuar me vitin jozgjedhor 2024, numri i lejeve vjetore u rrit me gati 40% në shumicën e bashkive kryesore dhe institucioneve të tjera qendrore – shifra që, sipas ekspertëve, pasqyrojnë përdorimin e gjerë të nëpunësve publikë në mbledhjen e votave.
“Burimet shtetërore janë përdorur vazhdimisht, por tashmë ato janë kthyer në normalitet dhe kjo përbën shqetësim kryesor dhe ndryshim nga zgjedhjet e viteve përpara 2009,” thotë Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit të Studimeve Politike me qendër në Tiranë.
“Ndikimi është statistikor në vota dhe përmbajtësor në cilësinë e politikës dhe parlamentit,” shtoi ai.
Fluksi i lejeve vjetore
Përgjatë viteve zgjedhore, punonjësit e administratës publike në Shqipëri njëherazi pësojnë dhe ushtrojnë presion për të mbledhur vota në favor të partisë në pushtet. Sipas raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama përfitoi avantazhe të padrejta nga përdorimi i gjerë i burimeve publike si dhe nga presioni mbi votuesit, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike.
Misionet vëzhguese morën gjithashtu raporte të shumta që pretendonin presion mbi punonjësit bashkiakë nga eprorët e tyre për të mbështetur ose marrë pjesë në fushatën e Partisë Socialiste. Shqetësime u ngritën gjithashtu në lidhje me ndikimin e rrjeteve të patronazhit në të gjithë vendin, të përdorura si leva për të siguruar vota në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve.
Për të dokumentuar përfshirjen e administratës publike në periudhën parazgjedhore, BIRN kërkoi përmes ligjit për të drejtën e informimit të dhëna statistikore nga ministritë dhe bashkitë kryesore të vendit mbi numrin e lejeve vjetore të dhëna në periudhën janar- prill 2025 dhe e krahasoi atë me të njëjtën periudhë të viteve 2023 dhe 2024.
Nga 20 institucione qendrore dhe lokale që iu përgjigjën kërkesave, në periudhën janar-prill 2025 kishin përfituar lejen vjetore 5673 punonjës ose 40% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Bashkia e Tiranës kryeson më një rritje prej 30 për qind të lejeve vjetore krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e ndjekur nga Ministria e Inovacionit dhe Kulturës dhe ajo e Mjedisit.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë gjithashtu se brenda institucioneve, numri i lejeve vjetore të dhëna në periudhën janar- prill 2025 varion nga 5 për qind në 33 për qind të stafit për ministri të caktuara. Ndërkohë, në disa bashki të vendit, më shumë se gjysma e stafit ndodhej me leje vjetore në të njëjtën periudhë.
Institucioni më me pak leje vjetore rezulton të jetë Kuvendi i Shqipërisë, ndërkohë që Kryeministria refuzoi të vinte në dispozicion të dhënat duke pretenduar se nuk i disponon këto statistika.
Statistikat mbi lejet vjetore konfirmojnë angazhimin e Partisë Socialiste në zgjedhje disa muaj përpara fushatës zyrtare; ku trendi rritës fillon në janar dhe kulmon në muajt shkurt dhe mars 2025. Në të njëjtën linjë me statistikat, punonjës të administratës i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se u detyruan të merrnin lejet vjetore në këto periudha edhe për shkak të angazhimit me shqiptarët e diasporës.
Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta i tha BIRN se angazhimi i punonjësve të administratës publike ka potencialin që të ndikojë ndjeshëm në procesin zgjedhor.
“Përdorimi i administratës për fushatë deformon barazinë mes garuesve, krijon presion te punonjësit dhe te votuesit si dhe përdor burimet shtetërore për qëllime partiake,” tha Meta për BIRN.
“Ndikimi mund të ketë qenë i rëndësishëm, sidomos në zona ku administrata publike ka kënd të gjerë kontakti me komunitetin,” shtoi ajo.
Patronazhimi i diasporës
Në nisje të fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama shpalli si objektiv elektoral marrjen e 900 mijë votave brenda dhe jashtë vendit. Ndonëse dukej e vështirë, matematika u thjeshtua në ndarje qarku.
Për të realizuar këtë objektiv, drejtuesit politikë të qarqeve i hodhën sytë nga diaspora që në nisje të procesit të regjistrimit të tyre. Në mbështetje të tyre, punonjësit e administratës u organizuan me grupe pune, të cilët udhëtuan kryesisht drejt Greqisë dhe Italisë për të angazhuar emigrantët shqiptarë në votime.
Përmes intervistave të veçanta, zyrtarë të administratës i thanë BIRN se e shfrytëzuan lejen vjetore për takime me shqiptarët në Greqi dhe Itali. Për të mbuluar shpenzimet, ata deklaruan se morën tollona karburanti me tepri.
“Më thanë merre lejen dhe shko në Greqi. Duhet të takosh disa njerëz tanët atje,’ kujton Mandi*, një tjetër zyrtar i pushtetit vendor.
“Kemi shkuar 3-4 herë në Greqi, për çdo udhëtim merrnin nga 400 litra tollona,” shtoi ai, duke theksuar se tollonat e naftës i shisnin për të siguruar para për qëndrimin.
Një tjetër zyrtar i angazhuar me votën e diasporës i tha BIRN në kushtet e anonimatit se kishte udhëtuar drejt Athinës në Greqi me lista votuesish dhe kontaktet e tyre, të siguruara nga të afërmit në Shqipëri.
Ai shtoi se kishte qëndruar për gati 3 javë në Athinë në janar të këtij viti, ku kishte marrë pjesë në ngritjen e zyrave elektorale dhe takimet me votuesit potencialë.
“Ngritën zyra në disa zona dhe me kontaktet e dhëna nga familjarët e tyre në Shqipëri arritëm t’i gjenim. Shkonim edhe në banesa ku i ndihmonim për t’u regjistruar në platformën e KQZ,” tha zyrtari i identifikuar me emrin Genti*.
“Ka qenë një punë kolosale, kemi punuar nga mëngjesi deri në darkë,” theksoi ai.
Depolitizimi i administratës
Politizimi i administratës publike dhe angazhimi i saj në mbushjen e hambarit të votave në favor të partisë në pushtet konsiderohet nga ekspertët e zgjedhjeve si një problem kyç që kërkon zgjidhje të menjëhershme.
“Për këtë nevojiten mjete ligjore dhe praktike,”, sugjeron Rigels Xhemollari nga organizata “Qëndresa Qytetare”.
Sipas tij, nevojiten ndërhyrje në legjislacionin zgjedhor me qëllim rritjen e sanksioneve për keqpërdorimin e postit publik si dhe zgjatjen e kohës së ndalimeve për përdorimin e burimeve publike në zgjedhje.
“OSBE në rekomandimet e saj, por edhe Qëndresa Qytetare kanë qenë në sinkron që këto rekomandime janë dy masa të menjëhershme që duhen marrë, “ theksoi ai.
Gerta Meta bie gjithashtu dakord se nevoja për ndryshim është emergjente dhe propozon rritje të sanksioneve. Por në një panoramë më të gjerë, Meta vlerëson se vetëm depolitizimi real i administratës publike do të zhdukë fenomene të tilla të ndikimit mbi një proces të lirë dhe të drejtë elektoral.
“Depolitizim real i administratës publike përmes rekrutimit me meritë dhe jo me lidhje partiake; forcim i kontrollit institucional nga KQZ, Avokati i Popullit dhe organet e auditimit si dhe mbrojtje efektive për sinjalizuesit që denoncojnë presion politik ose abuzim me detyrën,” renditi Meta për BIRN.
Për politologun Afrim Krasniqi, tashmë nuk kemi të bëjmë vetëm me një problem të administrimit zgjedhor, por me një krizë politike që ndikon në demokracinë e vendit. Ai sugjeron se Shqipëria nuk ka nevojë që t’i hedhë sytë larg, por mjafton të ndjekë shembullin e Kosovës për të përmirësuar standardet e saj të zgjedhjeve.
“Për shembull në Kosovë, nëse një zyrtar publik i administratës përfshihet në shkelje ligjore, krahas masës financiare dhe penale humbet të drejtën e karrierës në profesion për disa vite, pra merr penalizim direkt, të matshëm dhe të menjëhershëm,” tha Krasniqi.
Ai sugjeron gjithashtu që për të minimizuar abuzimet, nevojitet që përgjegjësia ligjore të shtrihet deri te titullarët e institucioneve publike, pasi sipas Krasniqit, janë ata që udhëzojnë përdorimin e burimeve shtetërore, që kryejnë emërime apo shkarkime me natyrë elektorale apo fryjnë administratën në kohë zgjedhjesh.
“Titullarët as paguajnë, as penalizohen çka tregon se sistemi është i deformuar…,” përfundoi Krasniqi.
Tag: lejen
-

‘Morën lejen vjetore për fushatë’/ BIRN: Ja skema e përdorimit të administratës së shtetit për të bërë vota për partinë
-

Bushati: Duket sikur SPAK po vepron pa lejen e Ramës, mos ka ndonjë kaubojs amerikan…
Analisti Andi Bushati, ka folur për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut dhe ndalimin e saj për të dalë jashtë vendit, të dyja vendimet të GJKKO, pas kërkesës së SPAK.
Bushati tha se në pamje të parë, duket sikur SPAK po vepron pa lejen e Edi Ramës, pasi ky i fundit ka dhënë shenjat se jo vetëm nuk e ka “lëshuar” Ballukun, por po “konfrontohet” për herë të parë me SPAK.
Bushati foli edhe për hipotezën e hedhur se mbrapa këtij “trimërimi” të SPAK mund të jetë një faktor i huaj, si amerikanët.
Bushati: Duket sikur për herë të parë, SPAK ka dalë përtej lejes që i jep Edi Rama. Nuk ka shkuar deri te Rama, por sikur ka leje të veprojë edhe pa lejen e Ramës. Duket qartë që Rama nuk do ta dorëzojë Belinda Ballukun. Është pak më pozitive, se përpara, por jemi larg një drejtësie të pavarur.
Konkluzioni i dytë, jemi për herë të parë, që duket sikur Rama, konfrontohet ballë për ballë me drejtësinë. Nëse e mbajmë mend, pa u bërë reforma, që nga rasti i Shpëtim Gjikës, deviza e Ramës ka qenë “nuk do të bëhemi pengesë për drejtësinë” dhe strehë për njerëzit e familjes tonë me të cilën ka punë drejtësia. Sot ndejti shtatë orë me Ballukun pas vendimit të gjykatës, kur prisnim minimumin e pezullimit apo shkarkimit. Mediat e Ramës, thonë se pezullimi i Ballukut është anti-kushtetuese. Duket se ka konfrontim midis SPAK, GJKKO dhe Ramës.
E treta, ore çfarë i trimërojë këta njerëz? Me sa i njohim, këta nuk veprojnë pa patur ndonjë ombrellë. A kemi një lëvizje tektonike të ekuilibrave? Mos është futur ndonjë kaubojs amerikan? Kjo shpjegon edhe trimërimin e SPAK, GJKKO-së dhe faktin që Rama po e sheh që një faktor tjetër mund të luajë lojën që do luajë ai. Këtu pastaj, duket sikur hyn në një fazë të re të lojës. Këto janë për mua tre pikat.
Po t`i shtojmë, edhe faktin që është kapur Veliaj, por për brekët e Ajolës. Beqja për faturat e resotrantit. Ben Ahmetaj për vilat dhe jo vendimet. Te rasti Balluku, jemi për herë të parë, që po hetohen dy vepra madhore ku është Rama i përfshirë, Tuneli dhe Unaza. Nuk kemi më fabulën e njerëzve që hanë kumblla dhe dardha pas kurrizit të Ramës, por po tregohet se korrupsionin e bën Rama. Kjo mund të jetë edhe arsyeja e kundërvënies që po lind, që është në filizë mes Ramës dhe SPAK.
-

Kulla-mania/ Nga 18, në 56 kate, Rama trefishoi “pa asnjë shpjegim” lejen e Lefter Sotës tek ish-UET
Nga Boldnews
Në vitin 2022, ish-godina shumë-vjeçare e Universitetit Europian të Tiranës (UET), në bulevardin “Bajram Curri”, në zonën që tiranasit e njohin si “NSHRAK”, u shndërrua në një pirg gjigand inertesh. Në vend të institucionit arsimor, që u zhvendos diku në periferi të Tiranës, do të ngrihej një kompleks rezidencial, me lartësi maksimale 18-kate.
Në dhjetor të vitit 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi vendimin “Për miratimin e lejes së zhvillimit për projektin ‘Tirana Gjergj Fishta Residential Complex”.
Në foto: Leja e ndërtimit për godinën 18 kate “Tirana Gjergj Fishta Residential Complex”, 2020
Projekti i miratuar parashikonte ndërtimin e ambjenteve të reja me funksion residencial dhe shërbimesh, prej 2, 4, 5, 7, 9, 11, 12 dhe 18 katembi tokë dhe 4 kate nëntokësore, Tiranë.
Kompania investitore është “Forever Construction”, e cila aktualisht është në pronësi të sipërmarrësit Lefter Sota. Projekti ishte ideuar nga studio “Marco Casamonti &Partneres”, një prej zyrave më të parapëlqyera nga Edi Rama për përgatitjen e planeve për kulla të ndryshme në Tiranë.
Në foto: Projekti, sipas lejes së ndërtimit të vitit 2020
Në dokumentat e konsultuar nga “Boldnews.al”, rezultonte se kompleksi me lartësi totale 18 kate do të kishte një sipërfaqe të përgjithshme ndërtimore ishte 102.580 m2.
Por, pas tre vjetësh, gjithçka ndryshoi. Projekti i kullës “mbeti shtatëzanë” dhe, ende pa nisur, lartësia e saj u trefishua, ndërkohë që sipërfaqja totale e ndërtimit u shtua me mbi 50 mijë metra katrorë. Të gjitha këto, falë firmës së kryeministrit Edi Rama, i cili vendosi të miratojë lejen që shton ndjeshëm parametrat e godinës, duke e shndërruar në një kullë të vërtetë.
Kulla e Sotës, nga 18, në 56 kate
Në 25 Prill 2023, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), sërish nën drejtimin e Edi Ramës, miraton vendimin “Leje zhvillimi për objektin; kompleks hoteleri, rezidencial dhe shërbime ‘Lana Riverside Residences”, me adresë bulevardi “Gjergj Fishta”, Tiranë.
Në foto: Leja e ndërtimit për kullë 56 kate “Lana Riverside Residences”, 2023
Investitori është sërish “Forever Construction” e Lefter Sotës dhe projektues është sërish arkitekti Mario Casamonti.
Leja e ndërtimit u dha për kompleks “1, 2, 3, 5, 8, 56 kat mbi tokë dhe 6 kat nëntokë”. Në pamje të parë, duket se bëhet fjalë për një projekt të ri, me emërtim të panjohur më parë.
Por, në vendimin nr. 39, datë 25 Prill 2023, me të cilin është miratuar kulla 56 kate, ka edhe një shënim:
“Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit Nr. 19, datë 03.12.2020 “Për miratim e Lejes së Zhvillimit për objektin: “Zhvillim kompleks për ndërtimin e ambjenteve të reja me funksion rezidencial dhe shërbimesh me 2, 4, 5, 7, 9, 11, 12 dhe 18 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, me vendndodhje në bulevardin “Gjergj Fishta”, Bashkia Tiranë”, shfuqizohet”.
Në foto: Leja për kullën 56 kate shfuqizoi lejen për godinën 18 kate
Pra, duket qartë që KKT-ja e Edi Ramës ka hedhur “në kosh” projektin paraprak 18-katësh të Lefter Sotës dhe e zëvendësoi atë me një kullë plot 56 kate.
“Boldnews.al” konsultoi të gjithë dokumentacionin shoqërues të lejes së zhvillimit për kompleksin 56-kate “Lana Riverside Residences” dhe nuk u konstatua askund se përse ishte miratuar ky ndryshim. Nuk ka asnjë relacion se për çfarë arsye u vlerësua se duhej trefishuar numri i kateve të projektit të parë. Thjesht, një firmë, ku Godina 18 kate, shndërrohet në kullë gjigande 56 kate.
Dokumentacioni teknik i lejes për kullën 56-kate është thuajse identik me atë që gjendet në lejen për 18 kate. Dhe, në këtë pikë, duket se diçka nuk shkon.
Në foto: Projekti, sipas lejes së ndërtimit të vitit 2023
Për më tepër, projekti i dytë ka ndryshuar edhe emërtimin e projektit të parë, ndoshta në një tentativë për të mbuluar tjetërsuar tërësisht situatën e ndërtimit.
Natyrisht, rritja e ndjeshme e kateve do të shtonte në mënyrë eksponenciale edhe sipërfaqen ndërtimore.
Në foto: Projekti i kullës 56 kate
Projekti fillestar i Lefter Sotës, në vitin 2020, i emërtuar “Tirana Gjergj Fishta Residential Complex”, parashikonte sipërfaqe ndërtimore totale 102.580 metra katrorë. Por, pasi projekti, me firmën e Edi Ramës, ndryshoi emërtimin në “Lana Riverside Residences”, sipërfaqja ndërtimore shkoi në 155.900 m2, plot 53 mijë metra katrorë më shumë.
Investitori
Shoqëria investitore, “Forever Construction” është krijuar në vitin 2018. Aksioneri themelues është Asllan Fetiu, një bashkëpunëtor i ngushtë i biznesmenit të spitaleve, Klodian Allajbeu.
Në prill të vitit 2020, Allajbeu bëhet pronar “de jure” i kompanisë, duke ia blerë Fetiut aksionet për 100 mijë lekë të reja. Administrator i shoqërisë emërohet Arbër Teqja, një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë biznesi i Allajbeut.
Në foto: Sipërmarrësi Klodian Allajbeu
Gjatë kohës që “Forever Construction” ishte në pronësi të Klodian Allajbeut, kryeministri Edi Rama miratoi lejen e ndërtimit për godinën 18-katëshe Tirana Gjergj Fishta Residential Complex”.
Por, vetëm 6 muaj pasi merr këtë leje, Allajbeu vendos ta shesë të gjithë kompaninë. Blerësi është biznesmeni Lefter Sota dhe çmimi është fare minimal, vetëm 100 lekë të reja.
Nga ky moment, Lefter Sota është pronari i vetëm. Pasi mori në zotërim “Forever Construction”, ai aplikon pranë Këshillit Kombëtar të Territorit për të ndryshuar lejen, nga 18 kate, në plot 56 kate. Kërkesa e tij, gjeti tërësisht mirëkuptimin e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku.
Lefter Sota është një biznesmen prej vitesh në tregun financiar shqiptar. Ai është njohur më herët edhe si “Lefteri i çelikut”, për shkak të sipërmarrjeve të tij.
Më vonë, në treg hyri edhe i biri i tij, Orest Sota. Një sipërmarrës i ri, Orest Sota u bë një personazh shumë i njohur, për shkak të raporteve të tij të ngushta me Saimir Tahirin, në kohën kur ky i fundit ishte Ministër i Brendshëm.
Emri i Orest Sotës gjendej në një pjesë të konsiderueshme të fashikujve të ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila e hetoi Saimir Tahirin për përfshirje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Në foto (montazh): Orest Sota dhe patenta e lundrimit e Saimir Tahirit
Megjithatë, ndërkohë që Tahiri u dënua me 3 vjet burgim vetëm për “shpërdorim detyre”, Orest Sota i mbylli problemet e asaj kohe me drejtësinë. Ai u arrestua fillimisht nga Prokuroria e Elbasanit, pasi në automjetin e tij iu gjendën 853 mijë euro, si edhe patentat e lundrimit të ish-ministrit Tahiri.
Megjithatë, gjykata e Elbasanit vendosi në mars 2021 pushimin e çështjes penale ndaj tij për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. -

Tuneli i Llogarasë nën hetim/ Hoxhaj publikon dokument që vërteton ndërhyrjen e Ramës dhe Ballukut: Ndërtimin nisi…
Një dokument ekskluziv i bërë publik nga deputeti demokrat Belind Këlliçi ka hedhur dritë mbi parregullsi të rënda në projektin e tunelit të Llogarasë, duke sugjeruar se vepra me vlerë miliona euro është ndërtuar në mënyrë të paligjshme për vite me radhë.
Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar në një studio televizive,duke analizuar dokumentin e publikuar më herët nga ligjvënësi demokrat, shpjegon se bëhet fjalë për lejen e ndërtimit me kusht, e miratuar në prill 2022. Megjithatë, detaji tronditës është një firmë që mban datën 28 maj 2025. Kjo datë e ardhshme implikon se kompania turke duhej të plotësonte kushtet deri në atë vit për të marrë lejen përfundimtare.
Problemi qëndron sipas gazetarit Hoxhaj, në faktin se punimet në terren kanë nisur që në vitin 2021. Praktikisht, kjo do të thotë se për të paktën tre vite, tuneli është ndërtuar pa një leje ndërtimi të vlefshme, referuar të dhënave të dala nga dokumenti thekson gazetari.
Ajo që e bën më të rëndë këtë skandal, është fakti se dokumenti mban firmat e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, duke i implikuar drejtpërdrejt në këtë proces të dyshimtë.
Dokumenti që publikoi Belind Këlliçi pak minuta më parë në Syri Televizion, është një dokument shumë i rëndësishëm, është dokumenti në fakt i miratimit të lejes së ndërtimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Dokumenti është i periudhës së vitit 2022, prill 2022 dhe në fakt, ajo që është e rëndësishme nga ky dokument janë disa elementë. Së pari dokumenti, dokumenti bën fjalë për miratimin e lejes me kusht nga qeveria shqiptare për kompanitë, konsorciumin e kompanive turke që fituan tenderin për 170 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe ky dokument ka një element të rëndësishëm që është pikërisht firma në fund, që është e zonjës Adelajda Roko, që është drejtuesja e Agjencisë për zhvillimin e territorit që mban datën 28 maj 2025.
Ja firma në të djathtë të ekranit, e sheh dhe avokati Genci Gjokutaj besoj. Kjo datë supozohet që është data kur pikërisht kompania turke ka plotësuar kriteret për të marrë këtë zbardhur lejen e ndërtimit dhe kryeministrit Rama. Firma e parë dhe vula e parë është e kryeministrit Rama. Dhe kjo. Kryeministri Rama, ministrja dhe drejtuesja e AZHT. Dhe drejtuesja, supozohet që, sipas këtij dokumenti, që kompania turke që përfitoi lejen e ndërtimit për tunelin e Llogarasë do duhet të niste punimet në 28 maj 2029 dhe jo në nëntor të vitit 2021 sikundër ka ndodhur në të vërtetë.
Pra, dokumenti tregon që për të paktën tre vite është punuar, tuneli i Llogarasë është ndërtuar pa leje ndërtimi dhe kjo është një nga ato shkresa që besoj duhet të jetë shumë e rëndësishme dhe duhet, nëse nuk e ka ende Prokuroria e Posaçme, duhet ta disponojë për të verifikuar, po themi, edhe rolin e kryeministrit Rama.
Pra, është miratuar në 2022-shin, por për shkak se po themi, sipas dokumentit, kompania nuk i ka plotësuar kushtet për ta marrë lejen e ndërtimit, në momentin që i ka plotësuar kushtet është firmosur. Ndërkohë që punimet nuk duhet të ishin kryer fare në momentin që nuk ishte kjo leje. -

Laporta: “Camp Nou” është gati për ta pritur Barcelonën, na mungon vetëm kjo leje
23 Shtator 2025
11:59
Alfred Lleshi
Joan Laporta, pas kthimit nga gala-ja e “Topit të Artë”, njoftoi se Barcelona i ka të gjitha certifikimet përkatëse për t’u rikthyer të luajë në “Camp Nou”. Sipas tij, tani vetëm “Ajuntament” duhet të japë lejen e përdorimit të stadiumit: “Hapat e nevojshëm janë bërë; certifikata e zjarrfikësve, ajo e Kadra…, gjithçka. ‘Camp Nou’ është gati për të luajtur ndeshje aty. Këtë e ka thënë La Liga dhe UEFA”.
Laporta shtoi: “Nuk dua të bëj presion, por topi është në fushën e tyre. Sa më shpejt të na japin lejen e përdorimit, aq më shpejt do të kthehemi në stadium. Janë tri faza për rikthimin, faza e parë është gati. Mungon vetëm miratimi nga ‘Ajuntament’, gjithçka tjetër është gati”.
Ky leje do të mundësonte rikthimin e tifozëve katalanas në stadiumin e tyre mitik, me kapacitet të rritur gradualisht. Presidenti falenderoi durimin e tyre: “Tifozët e Barçës e meritojnë këtë stadium, kanë treguar shumë durim dhe mirëkuptim”. -

Sajmir Visha për betejën me kancerin: U ktheva në sallën e gjyqit pa lejen e mjekëve
Showbiz E Premte, 19 Shtator 2025 19:12
Avokati Sajmir Visha tregon betejën më të rëndësishme të jetës së tij, përballjen me kancerin. Visha pranoi se për shkak të neglizhencës ndaj shëndetit, nuk e diagnostikoi sëmundjen në kohë. Ai tha se ka rënë tre herë në komë, ndërsa kurimi në Itali dhe SHBA ‘e riktheu’ në jetë.
“Ne kemi mentalitetin të mos vizitohemi se mos na del ndonjë gjë. Po ti makinën e çon për ta rregulluar dhe nuk çon veten tënde. Unë isha në gradën e fundit. Pas operacionit, mjekët kishin frikën e dy vatrave tumorale që kishin depërtuar në mushkëri, dhe meqë mëlçia ka pasur probleme, nuk i merrnin përsipër, nuk garantonin jetëgjatësi. Duke hulumtuar, gjetën një spital në Amerikë, që ka prodhuar vaksina kundër kancerit. 80-90% e kancerit m’u largua nga ajo. Një 10% që më ka ngelur, do e bëj në tetor dhe garancia është 100%. Kjo ishte risi mjekësore. Me vaksinën dhe terapinë, më ngritën në këmbë. Bëra fizioterapi dhe sot fluturoj, se katër muaj kam qenë i ngrirë”.Avokati tregoi se është rikthyer në Shqipëri pa lejen e mjekëve, me mallin dhe dëshirën e madhe për të takuar miqtë dhe për t’u rikthyer në sallën e gjyqit. “Jam nisur pa lejen e doktorit, kam ardhur në Shqipëri të takoja miqtë dhe të shkoj dhe njëherë në sallë. Kam nisur gjyqet derisa të më vijë dita për në spital. Kam ardhur të punoj, tani kujdesem me ushqimin, lëvizjet. Nuk jam më ai Saimiri që nervozohesha, kam fituar një qetësi që ia uroj dhe kolegëve, sepse stresi është e keqja më e madhe”.
Visha jep një këshillë për kolegët dhe për të gjithë ndjekësit. “Nuk kam pasur njeri në fis, kam qenë në një stres të paparë, derisa kam rënë në koma. Nuk dija çfarë ndodhte. Kam qenë tre herë në koma. Aktualisht jam mirë, do të bëhem më mirë derisa të vrapoj. Mos u ngarkoni me stres, ngarkoni veten me dashuri”. /TCH/
-

Ndërtuan pa leje në zona të mbrojtura të Tropojës, nën hetim 5 persona, 2 në kërkim
Policia ka shpallur në kërkim 2 persona dhe ka vënë nën hetim 5 të tjerë pasi kanë ndërtuar dhe kryer punime pa leje në zona të mbrojtura e jo vetëm, në Tropojë.
Komunikata e policisë:
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve shpallën në kërkim shtetasit:
-S. B., 47 vjeç, banues në fshatin Gegaj, pasi në bjeshkën e “Ujzës” ka ndërtuar objekt pa lejen e organeve kompetente.
-A. D., banues në Tiranë, pasi në bjeshkët e lagjes “Malaj”, Valbonë (zonë e mbrojtur), po ndërtonte një objekt pa leje. Në gjendje të lirë u procedua edhe babai i tij, shtetasi S. D.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-G. K. dhe S. A., banues në Tropojë, pasi në bjeshkët e “Sylbicës” kanë ndërtuar objekte pa lejen e organeve kompetente.
-P. Gj., banues në Pukë, pasi në fshatin Breg Lumi ka kryer punime ndërtimi pa lejen e organeve kompetente.
-K. H., banues në fshatin Viçidol, pasi në vendin e quajtur bjeshkët “Rrëzë Shkëlzenit”, po ndërtonte një objekt pa lejen e organeve kompetente.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme. -

Ndërtuan pa leje në zonat e mbrojtura, Policia shpall në kërkim dy persona në Tropojë
Komisariati i Policisë Tropojë ka shpallur në kërkim dy persona dhe ka proceduar në gjendje të lirë pesë shtetas së tjerë pasi ndërtuan pa leje.
Sipas Policisë, këta shtetas ndërtuan pa leje, në zona të mbrojtura dhe në zona të ndryshme të Tropojës.Komisariati i Policisë Tropojë, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në terren, për dy ditë me radhë, ka evidentuar dhe goditur 7 raste të kësaj paligjshmërie.
Policia njofton se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve shpalli në kërkim shtetasit S. B., 47 vjeç, banues në fshatin Gegaj, pasi në bjeshkën e “Ujzës” ka ndërtuar objekt pa lejen e organeve kompetente.
“A. D., banues në Tiranë, pasi në bjeshkët e lagjes “Malaj”, Valbonë (zonë e mbrojtur), po ndërtonte një objekt pa leje. Në gjendje të lirë u procedua edhe babai i tij, shtetasi S. D”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. dhe S. A., banues në Tropojë, pasi në bjeshkët e “Sylbicës” kanë ndërtuar objekte pa lejen e organeve kompetente.
Policia cilëson se edhe shtatasi P. Gj., banues në Pukë, pasi në fshatin Breg Lumi ka kryer punime ndërtimi pa lejen e organeve kompetente, si edhe shtetasi K. H., banues në fshatin Viçidol, pasi në vendin e quajtur bjeshkët “Rrëzë Shkëlzenit”, po ndërtonte një objekt pa lejen e organeve kompetente.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

