Adriatik BALLA
Lojtarët e përfaqësueses kuqezi patën një performancë cilësore në fundjavën që lamë pas, duke bërë paraqitje cilësore me klubet e tyre e një pjesë patën edhe statistika spektakolare, me asiste e gola. Por padyshim dje ishte ditë e rëndësishme, me fitore dhe plot triumf për lojtarët shqiptarë që luajnë për Leçen, si Medon Berisha dhe Ylber Ramadani. Dy mesfushorët bënë paraqitje vërtet mbresëlënëse. Nga ana tjetër, Rubin Hebaj në Uzbekstan duket i abonuar me dygolëshat, pasi shënoi sërish dje.
Shqiptarët e Leçes dominues në fushë
Leçe fitoi me rezultatin 0-1 ndaj Fiorentinës. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Medon Berisha, ndërsa bashkë me Ylber Ramadanin luajtën nga minuta e parë. Pas ndeshjes, Berisha u vlerësua nga Seria A si lojtari më i mirë. “Sofacore” po ashtu, me vlerësimin 7.9, i dha notën më të lartë për ndeshjen. Ramadani pati gjithashtu një vlerësim pozitiv, pikërisht 7.2. “Përshëndetje tifozët e Leçes, këtë fitore dua t’ua dedikoj juve. Poo! Forca Leçe”, u shpreh Berisha pasi tërhoqi çmimin e Seria A. Berisha pati tri goditje ku një prej tyre përfundoi në portë. Ramadani po ashtu e goditi një herë portën. Berisha pati tre pasime kyç, dhe dy duele të fituara nga katër. Ramadani spikati me tetë duelet e tij të fituara, nga 13 ku u përfshi. Më tej pati edhe tri ndërhyrje në top dhe pastrime. Topa të gjatë prej tij u konkretizuan 6 nga 12. Siç duket, shqiptarët e Leçes janë baza e kësaj skuadre dhe kanë performancë të lartë, gjë që i vlerëson edhe media sportive italiane.
Hebaj dygolësh në Uzbekistan
Shkodrani Rubin Hebaj vazhdon të shkëlqeje në kampionatin e Uzbekistanit, ku është bërë pjesë e Sogdiana pas merkatos së verës. Sulmuesi shqiptar ka gjetur sot edhe dy herë të tjera rrjetën, duke çuar në 5 bilancin e tij me këtë klub në 10 ndeshje të luajtura. Në sfidën e sotme ndaj Qizilçum, Hebaj ishte ai i cili çoi shifrat ne 2-0 në minutë e 34-t, duke finalizuar një kundërsulm të shpejtë. Më pas, sulmuesi i vendosi vulën rezultatit 3-0, duke shënuar ne minutën e 53-të një tjetër gol me një gjuajtje në kufijtë e zonës. Sulmuesi shkodran, kampion në Superiore me Partizanin e Teutën, ka çuar kësisoj në 7 numrin e golave të shënuar në kampionatin e Uzbekistanit në këtë edicion, ku pjesën e parë e kaloi si pjesë e Nasaf Qarshi.
Bajrami gjen golin e parë në Zvicër
Ndërkohë që Ramadani e Berisha bëjnë punë cilësore me Leçen dhe Shqipërinë, duket se një tjetër shqiptar bëri paraqitje të mirë por e ka “tradhtuar” Shqipërinë. Adrian Bajrami i befasoi të gjithë, pasi mori ftesë nga Kombëtarja për ndeshjet e shtatorit dhe vendosi të mos e pranonte. 23-vjeçari komunikoi vendimin për t’u larguar, pasi kishte zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën. Këtë sezon është i huazuar nga Benfika te Lucern. Dje, ndërkohë, ka shënuar golin e tij të parë me klubin zviceran. Lucerna po përballet me Grasshopers, ndërsa goli i Bajramit erdhi në minutën e 27-të. Vetëm pak më vonë u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa pjesa e parë u mbyll me avantazhin 3-0 të vendësve.
Tag: leçes
-

Medon Berisha shkëlqen dhe i jep fitoren Leçes, Hebaj dygolësh në Uzbekistan
-

Berisha i jep tri pikë Leçes, supersfida Milan- Roma në mbrëmje
Medon Berisha i jep tri pikë Leçes në “Artemio Franchi” ndaj Fiorentinës vendase për javën e 10-të në Serie A. Goli i mesfushorit kuqezi erdhi pas një harkimi nga e djathta me lojtarin që goditi shpejt për 0-1. Në këtë takim ndërsa shkëlqeu edhe Ylber Ramadani (7.2 nota) Berisha luajti për 76′ duke figuruar lojtari i ndeshjes me notën 8.2.
Ndërkohë Verona u thye nga Inter në minutat shtesë (90+2′) me një autogol të Freze për 1-2. Sakaq Torino me Ismajlin në fushë dhe Asllanin në stol barazoi 2-2 në shtëpi me Pizën. Parma dhe Bolonja janë duke barazuar 1-1 (kohë reale) teksa supersfida Milan- Roma zhvillohet në orën 20:45./Sportiim.al/
Vazhdo leximin
-

Po trafikonin 17 kg kokainë, çifti shqiptar kapet ‘mat’ në Itali
Një çift shqiptar është kapur teksa po trafikonte një sasi të konsiderueshme, me mbi 17 kg kokainë të pastër me vlerë mbi 2 mln euro në treg.
Ndalimi erdhi pas një operacioni në shkallë të gjerë kundër grupeve kriminale në rajonin e Puljas. Policia e Barit njoftoi se bashkë me Prokurorinë nisën më 1 tetor pranë Leçes, aksionin që çoi gjithashtu edhe në sekuestrimin e armëve dhe pajisjeve të paketimit të drogës.
Të arrestuarit janë një shtetas shqiptar 40-vjeçar dhe një grua 52-vjeçare, të dy banues në Altamura.
Hetimi filloi falë vëzhgimit dhe ndjekjes së kujdesshme nga hetuesit e Skuadrës së Leçes. Oficerët identifikuan një automjet të dyshimtë, që besohet se ishte i përfshirë në transportimin e drogës së destinuar për tregun vendas.
Automjeti u ndalua përgjatë autostradës SS 613, pranë Leçes , ku u krye një kontroll i plotë.
Gjatë inspektimit, oficerët zbuluan se makina ishte modifikuar me funde të dyfishta të prodhuara në mënyrë artizanale, me hapje mekanike, të fshehura nën sediljet e përparme.
-

Itali, goditen 4 grupe të trafikut të drogës mes Spanjës dhe Shqipërisë, 29 persona në hetim (EMRAT)
Një operacion i madh i Policisë Financiare Provinciale të Leçes ka përfunduar hetimet paraprake ndaj 29 personave të dyshuar për pjesëmarrje në një rrjet kriminal ndërkombëtar të trafikut të drogës, me bazë operative në Salento dhe lidhje në Shqipëri e Spanjë.
Gjatë periudhës ndërmjet 2018 dhe 2020, në kuadër të operacionit të koduar “Gioele”, u kapën dhe u arrestuan disa dhjetëra persona në flagrancë, ndërsa gjithsej u sekuestruan 2,677 kg lëndë narkotike (kokainë, heroinë, hashash, marihuanë) dhe 4,975 litra vaj hashashi.
U konfiskuan gjithashtu 192,640 euro në para të gatshme, 16 makina dhe 4 anije – mjete që dyshohet se ishin përdorur për trafikimin.
Sipas hetuesve, vlera tregtare e drogës të kapura mund të gjeneronte rreth 6 milionë euro fitime të paligjshme për organizatat kriminale.
Hetimet zbuluan ekzistencën e disa grupeve kriminale, përbërë kryesisht nga shtetas italianë dhe shqiptarë — përfshirë edhe të dyshuar me lidhje në Spanjë.
Qendra operative ishte e vendosur në provincën e Leçes, por rrjeti operonte në provinca të ndryshme italiane. Kontaktet ndërkombëtare me Shqipërinë dhe Spanjën ishin thelbësore për furnizim, transport dhe shpërndarje.
Mes të dyshuarve identifikohen figura kyçe, të tilla si Lulezim Kule (49 vjeç, shqiptar, me bazë në Monteprandone) dhe Carlo Serio (italian me bazë në Ibiza dhe Lecce).
Kule dyshohet të ketë menaxhuar komponentën logjistike – furnizimin, transportin dhe ruajtjen e lëndëve – me ndihmën e bashkëpunëtorëve në Leçe. Serio, me përvojë dhe burime financiare, dyshohet të ketë ndërmjetësuar përpunimin dhe organizimin e trafikut në pjesë të Italisë dhe jashtë saj.
Në rrjet figurojnë edhe grupe që trajtonin tranzitin nga Shqipëria, kryesisht për marihuanë/kanabis, me figura si Alfred Feta, Arjan Komini, Shkelqim Sinani dhe Kujtim Zeqe, dhe një bashkëpunëtor italian, Luigi Buttazzo, që thuhet se siguronin pikë zbarkimi dhe transport lokal në Leçe.
Ndër të dyshuarit figurojnë:
Xhuljano Ajazay, Claron Bajrusi, Julian Beqiraj, Laura Borioni, Stefano Brocca, Luigi Buttazzo, Mauro Centonze, Cristian De Giorgi, Alfred Feta, Jeta Feta, Matteo Fracarolli, Erion Kaloshi, Arjan Komini, Lulezim Kule, Eltion Majkaj, Alessandro Marchello, Lusjan Mbole, Xhjusild Osmenaj, Francesco Prato, Nelm Sacaj, Shkelqim Sinani, Marco Scalise, Carlo Serio, Joan Herrera Sotorres, Endri Xhumbaraj, Ervis Xhumbaraj, Shpëtim Xhepa, Anila Zeqe dhe Kujtim Zeqe.
Disa ndër akuzat mbulojnë komplot për trafik droge, ndërsa të tjera janë për veprime individuale të trafikimit.
Sfida ligjore dhe roli i Antimafias
Struktura e hetimeve ka qenë e koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Qarkut të Leçes, pa kaluar më parë përmes masave paraprake, duke vepruar direkt me njoftimet. Ky fakt tregon për seriozitetin e akuzave dhe përfshirjen e rolit të lartë të grupit kriminal.
Në disa media italiane është raportuar se operacione të mëparshme anti-droga në Salento kanë përfshirë dhjetëra masa parandaluese të kryera nga Guardia di Finanza dhe Karabinierët.
-

Berisha synon të jetë lider i Leçes, Kumbulla në pritje të mësojë sa do të mungojë
Adriatik BALLA
Kategoria Superiore në Shqipëri mbylli të dielën javën e katërt ku spikati fitorja e Vorës dhe e Egnatias respektivisht kundër Flamurtarit dhe Tiranës. Për këtë ecuri të xhiros trajnerët e ekipeve kombëtare kanë zgjedhur formacionin më të mirë dhe trajnerin më të mirë të javës. Ndërkohë, vëmendja nga legjionarët është përqendruar tek dëmtimi i mbrojtësit Marash Kumbulla, i cili mund të mungojë në ndeshjen që Shqipëria do të luajë kundër Serbisë më 11 tetor. Nga ana tjetër, mesfushori kuqezi Medon Berisha duket se kërkon të marrë rol lideri me Leçen në prag të sfidës me Milanin. Përgjithësisht kuqezinjtë që luajnë në Itali konsiderohen edhe si bërthamë e Kombëtares.
Medon Berisha synon të marrë rol lideri te mesfusha e Leçes
Skuadra e Leçes po noton në ujëra të turbullta në kampionat dhe shumëkush pret që gjatë mesjavës, në Kupën e Italisë, trajneri Eusebio Di Françesko, të mendojë më shumë për të përgatitur ndeshjet e Serisë A. Shorti e ka vënë Leçen përballë një misioni të vështirë, pasi si kundërshtar në këtë pikë të turneut ka Milanin i cili ka gjetur një shtysë të re nën drejtimin e Masimiliano Alegrit. Dhe sipas mediave italiane, për këtë ndeshje planifikohet një rotacion me disa futbollistë, të cilët duhet t’i tregojnë teknikut sa vlejnë për të rifituar vend në kampionat. I pasi është Medon Berisha, të cilit pritet t’i besohet pozicioni i regjisorit në fushë, në një detyrë mjaft të vështirë përballë emrave të njohur ku padyshim spikat ai i Luka Modriç. Ndërkohë, në sulm trajneri pritet të hedhë në fushë nga fillimi një emër që i është bashkuar Leçes pikërisht nga Milani, Françesko Kamarda, për të cilin minutazhi ka qenë i reduktuar në këto javë të para.
Kumbulla do t’i nënshtrohet testeve mjekësore, në dyshim ndeshja e Shqipërisë me Serbinë
Trajneri i Majorkës, Arrasate, duket se nuk mund të bëjë pa Marash Kumbullën dhe e hodhi në fushë në ndeshjen tepër të rëndësishme në La Ligë ndaj Atletiko Madridit. Gjithsesi, qëndrimi në terren i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare nuk vazhdoi më shumë se 36 minuta pasi ai ndjeu shqetësime fizike dhe u zëvendësua. Nuk dihet se për çfarë lëndimi bëhet fjalë dhe sesa do të jetë koha e riaftësimit. Majorka e tij arriti barazimin 1-1 në fund pas golit të shënuar nga sulmuesi kryesor i Kosovës, Vedat Muriqi. Natyrisht, për Kumbullën do të ketë vizita mjekësore gjatë kësaj jave. Shpresa është që futbollisti i kombëtares të mos ketë dëmtim të rëndësishëm, ndërsa afron ndeshja ndaj Serbisë në eliminatoret e Kupës së Botës. Lojtari 25-vjeçar ka qenë në fushë në 67 për qind të minutave në kampionat dhe po ashtu ka qenë titullar për Majorkën në 75 për qind të ndeshjeve, pra në tre nga katër. Ai vendosi ta vazhdonte karrierën në Spanjë pasi u paraqit mjaft mirë sezonin e kaluar tek Espanioli, gjithashtu në elitën e futbollit të këtij vendi. Luajti plot 35 ndeshje nga 38 gjithsej për skuadrën katalanase, duke shënuar 3 gola e duke qenë ndër më të mirët, por klubi nuk mundi ta mbante për shkak të rrogës së lartë që merrte te Roma, e cila e kishte huazuar, dhe tani e ka huazuar për herë të dytë. Mbetet të shihet a do të rikuperohet për duelin me Serbinë. -

Ylber Ramadani nuk është më në planet e Leçes, e presion milionat e sheikëve arabë
Adriatik BALLA
Lojtarët e Kombëtares po kalojnë momentet e tyre të shqyrtimit të ofertave verore dhe janë në pritje të mësojnë destinacionin e tyre të ri. Disa lojtarë i kanë marrë vendimet për të ardhmen, por ka ende shumë që presin të mësojnë emrin e skuadrës për sezonin e ri. Në këtë listë ka madje lojtarë titullarë të Kombëtares si Asani, Asllani, Broja, Ismajli, Kumbulla, Ramadani, Manaj e ndonjë tjetër. Gjithçka duket e hapur për ta, por nuk përjashtohet mundësia që pjesa dërrmuese të vijojnë punën në klubet ku ndodhen aktualisht.
Ramadani larg Leçes
Në Itali luan një kontigjent shumë i madh dhe i rëndësishëm i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, kontigjent ku është bazuar trajneri Silvinjo në projektin e tij në krye të përfaqësueses. Ndërkohë, dje, gjatë prezantimit të trajnerit të ri të Leçes në Salento, drejtori sportiv Pantaleo Korvino ka dhënë sinjale të qarta se klubi është gati të ndjekë një fazë të re ndërtimi, duke mos i penguar disa prej futbollistëve më të rëndësishëm nëse ata vendosin të largohen. “Kur flas për merkaton, dua të jem i qartë: analizojmë çdo situatë në funksion të cikleve të përfunduara. Mendoj se ky sezon shënoi fundin e një cikli për disa lojtarë që kanë dhënë shumë për këtë klub. Jam duke iu referuar emrave si FalKone, Baskiroto, Ramadani, Krstoviç dhe Galo. Nëse ata shprehin dëshirën për të ndjekur një rrugë të re, nuk do t’i ndalojmë.
Kemi vendosur të respektojmë vullnetin e tyre”, deklaroi Korvino. Njëri nga emrat më të lakuar për një largim të mundshëm është Ylber Ramadani, i cili ka zgjuar interesin e klubit Al-Ain nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas raportimeve, Al-Ain ka kontaktuar drejtpërdrejt me menaxherin e mesfushorit shqiptar, duke i prezantuar një ofertë joshëse: kontratë 3-vjeçare dhe pagë vjetore që kap vlerën e mbi 1 milion eurove për sezon. Leçe, nga ana tjetër, pritet të kërkojë një shumë pak të lartë për ta lënë të lirë Ramadanin. Dëshira e futbollistit është e qartë, një ofertë e tillë nuk vjen shpesh dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm financiar në karrierën e tij. Me një kalim në Emirate, pozitat e Ramadanit në ekipin kombëtar do të lëkundeshin ndjeshëm. Kjo edhe për faktin se në tri ndeshjet e fundit, Silvinjo ka preferuar titullar Juljan Shehun, ndërsa Ylberi është aktivizuar vetëm pak minuta. Megjithatë, pritet të shihet se çfarë zgjedhje do të bëjë mesfushori, pasi edhe sezonin e fundit te Leçe nuk ishte alternativë e parë.
Kombëtarja
Ramadani ka qenë vitet e fundit një nga zgjedhjet kryesore të trajnerit Silvinjo në ekipin përfaqësues. Kulmin e vet futbollisti e pati gjatë kualifikueseve të Europianit të Gjermanisë si dhe në fazën finale të atij Europiani, ku luajti titullar, regjistroi disa rekorde personale për minutazhin në fushë dhe natyrisht ishte nga më të angazhuarit për përfaqësuesen tonë. Por në Ligën e Kombeve e sidomos tani në kualifikueset e Botërorit, Ramadani sikur e ka humbur disi peshën e tij në skuadër, duke mos qenë gjithnjë preferencë e parë e Silvinjos. Kjo edhe për faktin se trajneri ka patur alternativa në mesfushë. -

Media italiane shkruan për Ramadanin që erdhi nga stoli dhe shënoi golin e karrierës
Adriatik BALLA
Kishte që nga 27 prilli që nuk luante, por Ylber Ramadani shënoi supergol në një moment vendimtar për karrierën e tij, por edhe të Leçes. Falë golit të mahnitshëm të mesfushorit kosovar, Leçe fitoi 1:0 ndaj Torinos, në xhiron e parafundit të Serie A. Leçe po zhvillon luftë të ashpër për mbetje në elitën italiane. Goli i Ramadanit, përkatësisht fitorja ndaj Torinos, i mundësoi që të jetë në vendin e 17-të në tabelë me 31 pikë. Kjo pozitë siguron mbetjen në Serie A. 31 pikë i ka edhe Empoli në vendin e 18-të, ndërsa Venecia është e 19-a me 29 pikë. Monza tashmë është përshëndetur. Se cilat skuadra do t’i bashkohen Monzës në rrugën drejt Serie B do të përcaktohet vetëm në xhiron e fundit.
Por për Leçen fitorja e së dielës ishte me shumë peshë. Në xhiron e fundit luan në udhëtim ndaj Lacios. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për skuadrën e Ramadanit. Lacio po ashtu kërkon fitoren që të mbetet në zonën që dërgon në Evropë, përkatësisht që të shpresojë për kualifikim në Champions. Ylber Ramadani ka shpërthyer në lot pas golit. Për 29-vjeçarin Ramadani goli i bukur erdhi në fund të një edicioni shumë sfidues. Ai kishte telashe me formë dhe nuk ia doli të stabilizohej në formacionin startues të ekipit italian. Ka luajtur 28 ndeshje, ndërsa goli i së dielës ishte i pari që nga 16 dhjetori i vitit 2023. Nuk njihet si shënues i golave, por si punëtor i mesfushës.
Këtë edicion e ka edhe një asistim. Për dallim nga edicioni i kaluar, që ishte i pari për të në kampionatin italian, Ramadani në këtë edicion nuk ishte prej lojtarëve kryesorë të Leçes. Ramadani u shpall më i miri i ndeshjes, ndërsa trofeu deklaroi se ishte për tifozët e Leçes. “Do të shkojmë në Romë që të fitojmë dhe të mbetemi në Serie A. Faleminderit të gjithëve për përkrahjen dhe të lëvizim para”, u shpreh mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë.
Momenti i mirë dhe fjalët e trajnerit
Ai ka pranuar se nuk ka pasur periudhën më të mirë së fundmi. “Trajneri më tha që të ofroja në fushë personalitetin që më nevojitej për këtë. Shënova gol, por tri pikët janë më të rëndësishme. Goli është për njerëzit e Leçes e më pas për familjen time. Kohët e fundit kam vuajtur shumë”, tha Ramadani për “DAZN”. Ramadani është parë shumë i emocionuar dhe i përlotur derisa ka festuar golin me tifozët pasionantë të Leçes. Trajneri i Leçes, Marko Giampaolo, ka folur për Ramadanin në konferencë për shtyp. “Me Ramadanin kemi raport të veçantë. Nuk e kam lënë gjithmonë të luajë. Ndonjëherë edhe kemi debatuar. Por gjithmonë me shumë besnikëri. Kur e sheh besnikërinë e ndërsjellë edhe në debate ka respekt”, ka thënë Giampaolo. Ai ka treguar pse Ramadani nuk ka luajtur shumë. Ka thënë se gjithnjë kanë luajtur më të mirët dhe se për tri vende në mesfushë konkurrojnë shtatë lojtarë. “E di që Ramadani e ka atë temperament. Gjithnjë e kam ditur. Nuk ka rëndësi numri i paraqitjeve, por cilësia me të cilën luan. Sot i kërkova Ramadanit të rriste nivelin e ekipit dhe ai ishte i mirë”, ka shtuar trajneri i Leçes. Te kjo skuadër shpresojnë në një tjetër paraqitje pozitive në fundjavën e ardhshme në Romë, që të jenë në elitën e Italisë edhe për një edicion. -

Ndërron jetë fizioterapisti i skuadës me shqiptarë
Tragjedi e madhe në qendrën e grumbullimit të Leçes: në Coccaglio, në provincën e Breshias, Graciano Fiorita, fizioterapisti historik i klubit verdhekuq, vdiq papritur në gjumë në moshën 38 vjeç.
Personi, i cili i ka shërbyer ekipit për më shumë se njëzet vjet, ishte me grupin duke u përgatitur për ndeshjen kundër Atalantës, e planifikuar për nesër në mbrëmje në stadiumin Gewiss.
Leçe, thellësisht e tronditur, njoftoi shtyrjen e ndeshjes dhe kthimin e menjëhershëm të ekipit në qytet. Në këtë moment, liga e Serie A po vendos nëse do ta zhvillojë ndeshjen të dielën apo të hënën. Fiorita kishte filluar të punonte për ekipin e shqiptarëve Ylber Ramadani dhe Medon Berisha në një moshë shumë të re, duke ndjekur gjurmët e babait të tij, Fernando-s, i cili ishte gjithashtu masazhator për klubin leçez për 10 sezone.
Komunikatë e Leçes:“US Lecce, thellësisht i tronditur, njofton se Graziano Fiorita ka ndërruar jetë papritur. Fizioterapisti ishte me ekipin në retrievin në Coccaglio.Ekipi do të kthehet menjëherë në Lecce, pasi ndeshja e nesërme kundër Atalantës do të shtyhet.
Në këtë moment dhimbjeje të thellë dhe mosbesimi total, ku çdo fjalë do të ishte e tepërt, klubi mund të mblidhet vetëm rreth gruas së tij Azzurra dhe fëmijëve të tij Carolina, Davide, Nicolò dhe Riccardo, nënës së tij Francesca dhe të gjithë anëtarëve të familjes së tij.
Vazhdo leximin
-

Ramadani humbet pozicionin me Berishën, Uzuni u tregon amerikanëve se suksesi i tij s’është rastësor
Adriatik BALLA
Përfaqësuesja ka një kontigjent cilësor që ka pretendime të paktën për vend të dytë në grupin K të eliminatoreve të Botërorit. Por gjeografia e aktivizimit të lojtarëve tanë është shumë e gjerë. Kuptohet, në Itali luan shumica. E mes tyre spikasin edhe dy mesfushorët kuqezi të Leçes, Ylber Ramadani dhe Medon Berisha, ku peshorja kohët e fundit ka anuar në favor të të dytit. Kurse për Myrto Uzunin mund të thuhet se po kalon momente të mira me Austin në SHBA, e në një intervistë të fundit shqiptari u ka treguar amerikanëve se suksesi i tij nuk është aspak rastësor.
Ramadani ka humbur pikë krahasuar me Berishën, trajneri i Leçes ka dy fjalë për secilin
Marko Xhampaolo ka ide të qarta rreth lojës që kërkon nga mesfushorët e tij dhe në mënyrë indirekte ka shpjeguar se pse preferon Medon Berishën para Ylber Ramadanit. Ndërsa nuk ka kursyer komplimentet për djaloshin e ri të Leçes, ai ka lënë të kuptohet se Ramadani ka humbur vende në hierarki për shkak se nuk ka qasje ofensive. “Berisha është një lojtar i fortë dhe ka të gjithë vlerësimin tim. Duhet të bëjë hapin e tij, të sigurojë vazhdimësi në ndeshje. Zgjedhja e lojtarëve nuk është kurrë absolute, është e ndikuar edhe nga lloji i kundërshtarit. Zgjedhjet i bëj sipas ndeshjes në bazë të opsioneve që kam. Berisha është një lojtar që mua më pëlqen. Ramadani? Nuk mendoj se është një problem personaliteti, duhen respektuar karakteristikat e lojtarëve. Helgason mund të gjuajë, Ramadani më pak. Ka mesfushorë me prirje ofensive dhe mbrojtëse. Pastaj duhet të gjejmë golin edhe nga goditjet standarte. Ata para pak a shumë punën e tyre po ë bëjnë. Sipas meje flasin karakteristikat. Ndoshta do të flitet në qershor, kjo nuk na çon askund”, tha Xhampaolo i pyetur për dy futbollistët shqiptarë gjatë konferencës së sotme për mediat.
Uzuni: S’ka asgjë rastësore, suksesin e kam ndërtuar me mund
Sulmuesi kuqezi, Myrto Uzuni, u largua nga Spanja dhe në merkaton e janarit, për t’u bërë pjesë e skuadrës së Austin në SHBA. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për “Austin Chronicle”, ku ka folur për karrierën e tij. “Kam nisur të luaj që kur isha i vogël dhe sigurisht që jam rritur duke u stërvitur. Kjo ishte zgjidhja ime e vetme në shtëpinë time. Kështu që nuk ka pasur një fëmijëri të lumtur. Dhe e vetmja zgjidhje ishte të isha futbollist, sepse nuk ishim të pasur, ishim një familje normale. Po punoja shumë, i kushtova kohën time futbollit. Po jepja gjithçka. Prandaj jam sot këtu. Nuk është fat, është punë”, tha ai. Uzuni ka arsye të jetë krenar për arritjet e tij ku në tre sezone me Granadën, një klub me mbi 90 vjet histori, ai u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të klubit me 49 gola në 106 paraqitje. “Unë shënoj shumë gola. Kam thyer rekorde. Megjithatë, ai gjithashtu e bëri të qartë se nuk ka interes të ndalet në arritjet e së kaluarës, duke thënë: “Qëllimet e mia janë të qarta dhe unë dua të shkruaj histori. E kaluara ime më mësoi të vlerësoja atë që kam tani. Prandaj po jap dyfish në fushë dhe nuk jam kurrë i lumtur dhe gjithmonë jam i zemëruar. Nuk bëhet fjalë që unë të jem egoist apo të sjell këtë mentalitet. Kjo nuk është një mënyrë e mirë për të ndihmuar ekipin. Dua që skuadra të më shohë mua si shembull”, përfundoi Uzuni.