Antonio Conte i rikthehet takimit me presidentin e Napoli, Aurelio de Laurentiis, takim që ndryshoi historinë e sezonit të ardhshëm. Lamtumira e trajnerit dukej praktikisht e sigurt pas fitores së titullit, por në fund Conte qëndroi.
“I sqaruam gjërat, ishte thelbësore të bisedonim. Ai i kuptoi gabimet ose në çdo rast situatat që duhen përmirësuar. Unë kam një kontratë, ndaj sqarimi mes nesh ishte pika kyçe“, u shpreh Antonio Conte.
Trajneri i kampionit italian mohon edhe një herë kontaktet me Juventus edhe pse pranon se dikush i ka trokitur në derë, ndonëse nëpërmjet ndërmjetësve: “Ishin thashetheme që lënduan, nuk morën parasysh se si jam”.
“Nuk kam pasur kontakte me askënd sepse i kam thënë kujtdo që ka tentuar të më kontaktojë përmes palëve të treta se do të flisja me Napol vetëm nëse do të hapja një situatë tjetër në fund të sezonit”, tha Conte
Duke iu rikthyer fitores së titullit, ai komentoi: “E kuptova që mund të fitonim kur rikuperuam disavantazhin. Unë e thashë publikisht: Nëse e duam, atëherë ne mundemi. Ishte një mesazh për lojtarët, dhe ata duhej ta bënin këtë“.
Tag: laurentiis
-

Conte: Qëndrova pasi u takova me De Laurentiis dhe ai i kuptoi gabimet e së shkuarës
-

Kontakte të vazhdueshme mes dy klubeve. Napoli synon me patjetër Lookman, por duhen 60 milionë euro
Napoli po shtyn fort për Ademola Lookman. Sulmuesi nigerian i Atalantës është objektiv konkret për napolitanët, me një lidhje të privilegjuar mes presidentëve Aurelio De Laurentiis dhe Antonio Percassi, dy figura që e vlerësojnë shumë njëri-tjetrin dhe që prej muajsh mbajnë kontakte të vazhdueshme.
Lookman i pëlqen jashtëzakonisht shumë në radhë të parë De Laurentiis, por edhe Giovanni Manna dhe Antonio Conte, të gjithë të bindur për cilësinë e tij, siç raporton “Radio Kiss Kiss”. Megjithatë, operacioni paraqitet i komplikuar.
Nëse me Gian Piero Gasperinin në stol, tratativa do të kishte qenë më e lehtë për shkak të përplasjes së thellë mes trajnerit dhe lojtarit, ardhja e Ivan Juric në pankinën e Atalantës e ka ngadalësuar disi gjithçka, duke e bërë shitjen më pak të sigurt.
Pengesa kryesore mbetet kërkesa ekonomike e Atalantës. Percassi është i palëkundur dhe kërkon jo më pak se 60 milionë euro për “xhevahirin” e tij. Një shifër e konsideruar e tepruar nga Napoli, sidomos duke pasur parasysh se Lookman po i afrohet moshës 28-vjeçare.
Për ta komplikuar edhe më shumë situatën për Napolin është edhe çështja e Kupës së Afrikës, një turne që De Laurentiis tradicionalisht nuk e sheh me sy të mirë për lojtarët e tij. Megjithatë, Napoli do të përpiqet të ulë pretendimet e Atalantës, duke kërkuar një marrëveshje që ta marrë anësorin e talentuar në hijen e Vezuvit. Tratativa është e hapur, por rruga e vështirë. -

De Laurentiis bën tifozët e Napoli të ëndërrojnë: Jo vetëm De Bruyne, do të vijnë disa kampionë
5 Qershor 2025
12:29
Telesport
Napoli arriti të shpallet kampion i Italisë, një rezultat që nuk ishte në objektivat e presidentit Aurelio de Laurentiis dhe trajnerit Antonio Conte në fillim të sezonit.
“Gjërat shkuan shumë mirë këtë vit dhe Antonio ishte i mirë në trajtimin e të gjitha incidenteve që mund të ndodhin dhe të cilat ishin të shumta. Është merita e tij për këtë titull”, tha presidenti i Napoli.
De Laurentiis u përpoq të shmangte pyetjet për tregun e transferimeve, ndërkohë që ardhja e Kevin De Bruyne vazhdon të vonohet: “Nuk dua të flas për transferime, do ta mendojmë brenda një muaji. Kur të lexoj të gjithë emrat që dalin, qesh”.
“Ideja për De Bruyne ka lindur tre muaj më parë, por nuk është më i rëndësishmi. Kevin është kampion, por është i një moshe të madhe. Ne do të ndërtojmë një skuadër që duhet të forcohet sepse do të përballemi me tri turne. Do të ketë disa blerje”, tha De Laurentiis. -

Pse Conte qëndroi te Napoli dhe refuzoi Juventusin? Para dhe ambicie për të vazhduar të fitojë
Divorci mes Antonio Conte dhe Napolit dukej i shkruar tashmë. Mungonte vetëm një takim pas festës së titullit për ta bërë zyrtare ndarjen. Trajneri i titullit të katërt kampion ishte gati të largohej nga pankina napolitane pas një sezoni të suksesshëm, por shterues, siç e kishte përshkruar vetë disa javë më parë.
Por më pas, Conte dhe De Laurentiis u takuan. Dhe folën gjatë. Në tavolinë ishin kërkesat e trajnerit nga njëra anë dhe ofertat e presidentit nga ana tjetër. Brenda pak ditësh, palët arritën një mirëkuptim dhe vendosën të vazhdojnë bashkëpunimin. Por çfarë e bindi vërtet Conten të qëndrojë te Napoli?GARANCI TEKNIKE DHE MERKATO SI NJË SKUADËR E MADHEÇfarë ndodhi në janar nuk i pëlqeu aspak Contes. Ai humbi lojtarin më të mirë, Kvaratskhelia, dhe nuk mori asnjë zëvendësues të denjë. E gjitha kjo ndërkohë që Napoli ishte në garë të plotë për titullin. Kjo është arsyeja pse kërkesa e parë e trajnerit për të respektuar kontratën ishte garancia teknike për sezonin e ardhshëm.
Conte kërkoi që De Laurentiis të bëjë investime të denja për një kampion italie, duke pasur parasysh edhe angazhimin në Champions League, që kërkon energji të mëdha. Presidenti e pranoi këtë. Ai ka premtuar afrimin e një ylli si Kevin De Bruyne dhe buxhet prej 150-200 milionë euro për përforcimin e skuadrës në çdo repart. “Do ta ndihmoj në gjithçka trajnerin”, – deklaroi publikisht De Laurentiis pas takimit të së enjtes mbrëma. Më qartë se kaq nuk bëhet.
FAKTORI EKONOMIK: E NJËJTA KONTRATË, POR MË SHUMË PARAKur flitet për kontrata dhe zgjedhje profesionale, është e kotë të mohohet roli i rëndësishëm i anës financiare. Në këtë drejtim, De Laurentiis bëri lëvizjen vendimtare duke i ofruar Contes rritje të ndjeshme rroge, pa ndryshuar afatin e kontratës.
Kontrata mbetet e vlefshme deri në vitin 2027, por Conte do të përfitojë më shumë para duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Një stimul për të qëndruar, që padyshim pati peshën e vet. De Laurentiis kuptoi se për të vazhduar ciklin fitues, mbajtja e trajnerit ishte e domosdoshme. Ndryshe nga çfarë ndodhi me Spallettin, këtë herë bëri gjithçka për ta mbajtur Conten.DASHURIA E NAPOLIT DHE PRESIONI I LOJTARËVENuk duhet harruar dashuria e qytetit të Napolit, i cili e ka përqafuar Conten si një nga të vetët, ndonëse dikur përfaqësonte klubin më të urryer për tifozët napolitanë (Juventusin). Ky afeksion për të dhe familjen e tij ka ndikuar gjithashtu në vendimin për të vazhduar.
Gjithashtu, presioni nga skuadra, sidomos nga Romelu Lukaku, ka qenë i fortë gjatë javëve të fundit për ta bindur që të qëndrojë. “Çfarë t’i them? Të qëndrojë. Duhet bërë gjithçka për ta bindur”, – kishte deklaruar sulmuesi belg pak ditë më parë. E thënë, e bërë… -

Zbulohen prapaskenat e takimit Conte-De Laurentiis, premtimet dhe gjithçka u tha mes tyre
Fillimisht takimi me Papën dhe më pas ai me trajnerin, vetëm pak hapa larg Presidentit të Republikës. Antonio Conte dhe Napoli janë afruar sërish në një ditë të jashtëzakonshme në Romë, e ndarë mes magjisë së Vatikanit dhe një dreke me bisedë pune që zgjati tri orë në shtëpinë e Aurelio De Laurentiis, në rrugën “Ventiquattro Maggio”, vetëm 200 metra nga “Quirinale”.
Forca më e madhe që ka hyrë në lojë, megjithatë, ishte ADL. Ai e hapi sërish tryezën e bisedimeve me trajnerin kampion të Italisë, pas krisjes së thellë të krijuar në janar për shkak të strategjive të ndjekura nga klubi në merkato. De Laurentiis dha çdo garanci të mundshme për ambicien e madhe të klubit dhe nivelin e lartë të investimeve. Janë gati 200 milionë euro për të ndërtuar një Napoli edhe më të fortë dhe sidomos për të qenë konkurrues në nivelin më të lartë në Itali e në Champions League.
Drejtori sportiv Manna, i rëndësishëm si një vit më parë për punën në prapaskenë, është vënë në lëvizje shumë më herët dhe është gati të finalizojë dy goditje të mëdha si Kevin De Bruyne dhe Jonathan David (sa për të nisur). Pa harruar infrastrukturën, që është gjithashtu element kyç për një skuadër fituese: nga qendra stërvitore te fushat.
Me pak fjalë: presidenti ka premtuar çdo përpjekje për ta përmirësuar gjithnjë e më shumë Napolin, duke mbuluar boshllëqet që dolën në pah gjatë një sezoni të përfunduar me fitimin e titullit, kryevepër e Contes dhe skuadrës, duke ngritur sërish një të ardhme që deri të hënën ishte e mbuluar nga mjegulla. Dhe jo ajo blu e festimeve në Lungomare.
Që Juventusi mendon për Conten, ashtu siç ka menduar Milani dhe, siç duket, Manchester United, është fakt i konfirmuar, por gjatë takimit të djeshëm u përjashtua kategorikisht çdo tratativë me këto klube.Mes trajnerit dhe presidentit ekziston një respekt dhe lidhje njerëzore e rrallë për futbollin, që shkon përtej mospajtimeve profesionale. Janari, me moszëvendësimin e Kvara dhe mospërforcimin e mbrojtjes, kur skuadra ishte në krye, por me një grup të ngushtë lojtarësh, la gjurmë që kulmuan me mendimin për t’u ndarë. Tani duket se diçka po ndryshon. Deri të hënën, mundësitë për ta parë Conten sërish në pankinën blu për vitin e dytë nga tre të kontratës ishin të pakta, por dje u shtuan. Mjaftueshëm për të barazpeshuar alternativat…
Përgjigjja përfundimtare e trajnerit Conte pritet të vijë deri në fundjavë, ndërkohë që pritet edhe një takim i fundit, i ndërtuar sipas nevojave të ndërsjella. Ekziston edhe një aspekt që nuk mund të kalojë pa u vënë re: fakti që takimi përfundoi me reflektim dhe jo me ndarjen e shumëpërfolur, tregon për hapje.
Edhe De Laurentiis, që doli nga shtëpia në orën 17:10 me shoferin e tij, 20 minuta pas Contes, drejtorit sportiv Manna, administratorit Chiavelli, nënkryetarit Edoardo De Laurentiis dhe zëvendës drejtorit sportiv Sinicropi, ishte i buzëqeshur. Ai përshëndeti gazetarët dhe ngriti gishtin e madh lart. Mund të mos thotë asgjë, por ndoshta do të thotë gjithçka…
Në çdo rast, edhe sot, si dje, ideja për t’ia besuar stolin Massimiliano Allegrit në rast ndarjeje me Conten, vazhdon të qëndrojë. Një tjetër profil i nivelit të lartë.
Në këtë moment, Conte është i rrethuar nga përpjekje për ta mbajtur. Klubi blu po bën gjithçka për ta bindur të qëndrojë. Njësoj si bashkëshortja e tij, zonja Elisabetta; Oriali, stafi dhe madje edhe Lukaku. Secili prej tyre, gjatë paradës në Lungomare, deklaroi hapur: “Do të bëj gjithçka për ta bindur”.
Napoli, qyteti, presin me padurim; janë të dashuruar me Conten. Ashtu si edhe De Laurentiis. Presidenti ka qenë diskret dhe i respektueshëm në publik, duke shmangur presionet apo batutat, por në prapaskenë ka qenë i vendosur dhe i qartë. E do atë në krye të Napolit, në Itali dhe në Europë. E do për të fituar sërish, bashkë. -

De Laurentiis dhe Conte i thonë “lamtumirë” njëri-tjetrit, në stolin e Napoli ulet Allegri
27 Maj 2025
10:47
Telesport
Festa, momenti i shenjtë dhe më pas lamtumira. Napoli po përjeton orë të tëra emocionesh të papërshkrueshme pas fitores së titullit të katërt kampion në Serie A. Pas paradës dje në qytet, sot ekipi ndodhet në Romë për një vitizë të Papa Leo XIV.
“Uroj që Conte të vazhdojë të korrë suksese në jetën e tij profesionale. Ai është një njeri që punon me përkushtim dhe meriton respekt. Faleminderit Antonio“, tha presidenti i “azzurri” në darkën për të festuar titullin.
Një mesazh lamtumire i presidentit të Napoli për trajnerin, që mund të largohet pas vetëm një sezoni. De Laurentiis do të bëjë gjithçka për të bindur Antonio Conte të përqafojë projektin e tij, ashtu siç do të donin lojtarët, të cilët deklaruan respektin e tyre për trajnerin.
Por Conte do të kërkojë të largohet. Të dy do të ndahen paqësisht, marrëdhëniet njerëzore janë të forta, ka një vlerësim të thellë, nuk do të jemi dëshmitarë të luftës së Spalleti dy vite më parë. Një shtrëngim duarsh do të jetë i mjaftueshëm. Sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë as kompensim financiar për Napoli.
De Laurentiis do të bisedojë me Massimiliano Allegri, të cilin ai e ka mbajtur prej kohësh me lëvdata. Ai nuk dëshiron të përsëritë gabimin që bëri kur iku Spalletti dhe mori Rudi Garcia. Për Allegri një kontratë dyvjeçare është gati: 6 milionë në vit plus bonuse. -

Flet mentori i Allegrit: Trajneri i duhur për këdo, mendoj se De Laurentiis e ka telefonuar
Giovanni Galeone, ish-trajner i Pescara, i njohur ndryshe si mentori i Massimiliano Allegrit, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. Në të ka folur për të ardhmen e teknikut të larguar nga Juventusi.
“Disa ditë më parë shkëmbyem disa mesazhe, – tregon Galeone. – Unë nuk pyes kurrë shumë, për të mos qenë i papërshtatshëm. Por ai, që është një gënjeshtar simpatik, më tha: Mister, nuk më ka telefonuar askush. Unë ia ktheva: Si është e mundur, Max, në fund të majit ende askush nuk të ka kontaktuar për të të pyetur për ndonjë mundësi? Sipas meje, De Laurentiis e ka bërë këtë”.
Çfarë do të bënte ai, po të ishte në vend të De Laurentiis: “Para disa vitesh, kur Allegri ishte te Milani, po darkonim në Milano. Erdhi De Laurentiis dhe e ‘rrëmbeu’ në tavolinën e tij. Simpatia dhe vlerësimi mes tyre ndjehet menjëherë.
Ai e di që Max është një garanci. edhe ideja e një ‘ndërrimi stafetash’, siç ndodhi te Juventusi pas Contes, do ishte shumë interesante. Atëherë nisi një cikël me 5 tituj kampioni dhe 2 finale të Champions League. Allegri është njeriu i duhur për këdo, do ishte edhe për Napolin, një skuadër që si grup atij i pëlqen”.
Çfarë nënkupton, sipas tij, ideja e Contes te Juventusi: “Që atje po kërkojnë një trajner me personalitet, dikë që nuk do pranonte kurrë të largohej në të njëjtën kohë nga Szczesny, Rabiot dhe Danilo. Është njësoj sikur Allegri, sapo mbërriti në Torino, të thoshte: Le t’i shesim Chiellinin, Barzaglin dhe Bonuccin, që kanë luajtur me Conten…” -

Napoli kampion i Italisë, Zola: De Laurentiis krijon debate, por shpesh bën zgjedhjet e duhura
Napoli fitoi titullin e katërt kampion në histori, të dytin në tri vitet e fundit. “Corriere della Sera” intervistoi Gianfranco Zola, i cili si lojtar ka fituar një titull me Napolin, të fundit në epokën e Maradonës: “Të triumfosh me atë fanellë është diçka e pashlyeshme. Edhe sot e kujtoj festën me tifozët, skena që të mbushin me krenari”.
A e prisnit në fillim të sezonit?Me Conten e prisja një Napoli konkurrues, por jo aq shumë sa për të luftuar deri në fund dhe për ta fituar titullin. E njoh vlerën e Antonios, por gjithsesi më ka befasuar. Ai vendos punën në fushë mbi gjithçka tjetër. Pastaj kujdeset në mënyrë maniakale për aspektin fizik dhe taktik. Me të do të isha përshtatur shumë mirë, jam i sigurt që do të më kishte përmirësuar.
Titull i fituar nga Napoli apo i humbur nga Interi?Nuk besoj se mund të flitet për sezon negativ të Interit, sepse ka qenë në garë në të gjitha kompeticionet, si dhe do të luajë finalen e Champions-it. Sidoqoftë, Conte dhe lojtarët e tij kanë bërë një sezon të jashtëzakonshëm.
De Laurentiis, i kritikuar shpesh, në fund kishte të drejtë?Është një president që gjithmonë ngjall diskutime, por shpesh bën zgjedhjet e duhura. Pas shitjes së Kvaratskhelias, për shembull, nuk mori një zëvendësues vetëm për numër, por iu dha besim atyre që kishte, si Raspadori, i cili ia shpërbleu me gola të rëndësishëm. Giacomo e meriton, ka qenë gjithmonë një lojtar ekipor, djalë me sjellje pozitive. Ka vuajtur dhe është ngritur sërish. -

Conte, po tani? Brenda pak ditësh takimi me De Laurentiis, por tundimi Juventusit është shumë i fortë
Të fitosh dhe të thuash lamtumirë? Hipoteza nuk është aq e largët nëse flitet për Antonio Conte. Gjatë festës së titullit, si ai, ashtu edhe De Laurentiis mbajtën një qëndrim pritës, me presidentin që e bëri mjaft të qartë se do ta mbante me kënaqësi, ndërsa trajneri konfirmoi marrëdhëniet e mira me gjithë ambientin, por pa u shprehur qartë për atë që do të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Javën që sapo nisi do të zhvillohet takimi sqarues, por shumëkush ka përshtypjen se tundimi për një rikthim te Juventusi është shumë i fortë. Ka ndodhur në Torino dhe në Milano, mund të ndodhë sërish në Napoli. Conte, me trengjyrëshin në gjoks, duket i gatshëm të përshëndetet me kampionët si fitues. Një gjë është e sigurt: të gjithë tashmë e kanë kuptuar se me të mundësitë për të arritur suksese, edhe të papritura, janë shumë të larta.
Ashtu siç është e qartë se, për arsye të lidhura me merkaton, me lodhjen në marrëdhënie që shkakton dikush që kërkon përkushtim të plotë fizik dhe mendor, apo për faktorë të tjerë, është e vështirë ta mendosh atë si trajner afatgjatë. Këtë e tregon edhe karriera e tij: një sezon e gjysmë te Bari, një te Siena, tre te Juventusi, dy me kombëtaren italiane, nga dy vite te Chelsea dhe Interi, dy gjysma te Tottenham.
Ndoshta nga takimi me De Laurentiis do të dalë një Conte entuziast për të vazhduar në një qytet që e adhuron për ëndrrën që iu ka dhuruar, ose për shkak të projekteve të një presidenti të gatshëm të investojë në lojtarë, që ai i pëlqen veçanërisht. Përshtypja është se thirrja e Juventusit duket shumë e fortë për t’u lënë mënjanë.
Largimi i vitit 2014 shënoi një ndarje me ambientin bardhezi dhe, mbi të gjitha, me presidentin e atëhershëm Andrea Agnelli. Nuk është sekret, megjithatë, që John Elkann dëshiron t’i japë një kthesë klubit, i cili nga viti 2020 nuk fiton kampionatin. Brenda klubit bardhezi është vlerësuar se vetëm me rikthimin e “birit plangprishës” mund të festohet sërish.
Conte, për më tepër, ka shumë interesa në Torino dhe gjithmonë e ka konsideruar si shtëpinë e tij qytetin atje, edhe Juventusin. Të menduarit për t’u kthyer atje ku ka qenë simbol si lojtar dhe ka ditur ta rikthejë klubin në lavditë e dikurshme nga pankina, ka një shije të papërballueshme për Antonio. Për këtë arsye, në pritje të takimit me De Laurentiis, nuk është e pamenduar të thuhet se e ardhmja e tij është tashmë e shkruar, me shumë gjasa bardhezi. -

De Laurentiis, batuta me Conten: Grande mister, mos më thuaj që po shkon te Juventusi…
25 Maj 2025
11:16
Alfred Lleshi
Gjatë darkës për ditëlindjen e tij të 76-të, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka lëshuar një batutë ndaj të ftuarit të veçantë, Antonio Conte, duke ndezur menjëherë zërat e merkatos.
“Grande mister, nuk do të shkosh te Juve, apo?” – ka thënë me ironi ADL. Conte ka reaguar vetëm me një buzëqeshje, pa dhënë përgjigje. Sipas “La Repubblica”, De Laurentiis i ka shtuar edhe: “Antonio, më tepër se të të duam kaq shumë, nuk dimë çfarë të bëjmë”.
Në ditët në vijim pritet një takim vendimtar mes tyre për të vendosur nëse projekti pas titullit do të vazhdojë. Conte kërkon garanci të qarta në merkato, ndërsa Juventusi vazhdon ta ketë në radar. Ndërkohë, presidenti i Napolit ka kontaktuar edhe me Massimiliano Allegrin për të qenë i mbuluar në çdo skenar.