Tag: lasgush

  • Kështu tha Lasgush Poradeci: Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir!

    Kështu tha Lasgush Poradeci: Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir!

    Lasgush Poradeci

    Lasgushi Poradeci ka lënë mes krijimtarisë unike, këshillat vetjake për poetët e rinj. Ai kishte këto fjalë, për poezinë dhe poetët:

    “Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?

    Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.”

    ObserverKult

    ____________

    Lexo edhe:

    LASGUSH PORADECI: NË ZEMËR T’ËNDE VETËM UNË…

  • Lasgushi dhe Tirona

    Lasgushi dhe Tirona

    Nga Bedri Alimehmeti

    Kisha disa ditë që puna nuk po më ecte. Ulesha në tryezë i vendosur që nuk do të ngrihesha pa i dhënë fund edhe një tregimi.

    Por, qe e pamundur, më kot mundohesha, gjithçka hidhja jo nuk më pëlqente, por nuk më ngjiste fare.

    Shkurt ndihesha i shqetësuar ei mërzitur ngaqë po vononte përfundimi i ciklit “Tregimet e Tironës”, të cilëve ua kisha taks numrin nëntë. Kaq kishte qenë dëshira ime e kahershme.

    Ndërkohë kisha përfunduar tetë prej tyre, disa nga të cilët i kisha botuar në shtypin letrar, dhe kisha ngecur.

    Jo se më mungonin subjektet, përkundrazi në shënimet e mia kisha disa projekte të cilët, edhe pse i nisja, e kisha të pamundur t’i çoja deri në fund.

    Ndaj në shtjellën e këtij shqetësimi, sidomos ngaqë nuk po arrija ta bëja librin gati në kohën e duhur, u sorollata atë ditë nga njëra kafene në tjetrën. Derisa tek po shëtisja bregut të Lanës u përballa me një shokun tim të fëmijrisë.

    Kishim vite pa u takuar, ndaj e patëm të pamundur të shkëputeshim nga njëri tjetri, pa ndenjur e biseduar gjatë. Zumë vend në një kafene aty pranë dhe nisëm bisedën.

    Ai kishte kohë që më ndiqte në shtyp, në radio e në televizor, madje i kishte lexuar të gjithë librat e mi, dhe në fund të ligjëratës më pyeti se, ç’farë kisha në dorë?

    I tregova, madje i shpreha edhe shqetësimin, që jo pak po më mundonte ato ditë, teksa ende nuk po e çoja deri në fund atë çka i kisha vënë detyrë vetes. Kur i thashë për titullin e librit të ardhshëm, atij i bëri përshtypje ndaj më pyeti: “Përse ju tiransit i thoni Tirona dhe jo Tirana qytetit tuaj?” Atëherë u detyrova t’i rrëfeja këtë histori.

    Të njejtën pyetje thuajse si kjo e jotja, i thashë ia kishte bërë një ditë Lasgush Poradecit edhe miku i tij, arkitekti Petraq Kolevica, që nuk harronte ta vizitonte shpesh në atë banesën e thjeshtë në atë lagje periferike të Tiranës, ku banonte poeti ynë i madh.

    Për mua Lasgushi është padyshim një nga mendjet më të ndritura, që ka nxjerrë ky komb. Ai shkroi pak, por na la shumë.

    Lasgushi vërtet nuk ishte nga Tirana. Por fakti që ai kaloi në këtë qytet një pjesë të mirë, ndoshta më shumë se gjysmën e viteve të jetës, pa thënë se gjatë gjithë kësaj kohe jetoj mes tiransve, në një shtëpi të familjes së nderuar Mumajesi, në lagjen “Xhamia Sherif” (sot lagja nr.1), ku bashkë me ta përballoi halle e vështirësi të panumërta.

    Teksa përkulur ditë natë mbi makinën e shkrimit, për të siguruar bukën e gojës duke na sjellë në shqip poetët më të mëdhenj të botës.

    “Ky hamall i përkthimit” siç e quante ai veten, bëri të mundur krijimin e shumë fijeve të padukshme, që e lidhën përjetësisht me banorët e kësaj treve të begatë e të pafund në vlera njerëzore.

    Madje, ai i deshi shumë, por edhe ata ama e nderuan dhe e respektuan pamasë.

    Kudo që ta shihnin e përshëndetnin, qëllonte të ishte me një trastë në dorë, sigurisht pasi kishte psonisur diçka, ia merrnin nga dora dhe ashtu duke biseduar me të e përcillnin deri te porta e shtëpisë.

    Kur ia ndjenin trokitjen e bastunit nëpër pllakat e trotuarit ndaleshin dhe i hapnin udhën, teksa ai u dhuronte pambarimisht buzëqeshje të këndshme.

    Mahniteshin sidomos nga pamja e tij ngazëllyese në ditët e para të pranverës, kur pemët çelnin lule, zogjtë cicëronin gazmorë dhe mimozat të dehnin me kundërmimin e tyre.

    E Dajti dukej sikur i afrohej edhe ca më shumë qytetit, tek e shihnin të ecte i rinuar brigjeve të Lanës me kapelën karakteristike dhe pardesyn e hirtë shtrënguar në mes.

    Në raste të tilla nuk i afroheshin, e linin ashtu të qetë në përjetimin e atij meditimi poetik.

    Sigurisht e ndjenin që poetin tashmë se ndalte kush nga shuarja e atij përvëlimi të pakrahasueshëm malli për liqenin dhe qytetin buzë tij.

    Madje, e dinin që edhe pak ditë, ja sa të ngrohej ca moti, ai do të merrte rrugën për të mbërritur sa më parë atje.

    Dihet nga të gjithë, Lasgushi gjashtë muajt e dimrit i kalonte në kryeqytet, kurse gjashtë muajt e verës buzë “gjolit” në Poradecin e tij të dashur, të cilit i tha gjithnjë kështu dhe kurrë Pogradec.

    Gjatë kohës kur ishte në Tiranë e vizitonin herë pas here shokët e miqtë e tij të pendës. Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Eqerem Çabej, Andrea Varfi, Petro Marko. Pastaj Mustafa Greblleshi, Sterjo Spasse dhe Petraq Kolevica.

    Këta ishin miqt e ngushtë të Lasgushit, të tjerë nuk qaste në shtëpi.

    Kur puqeshin të gjithë tok dhe biseda ngrihej në nivele të atillë, që do t’ia kishin zili edhe profesorë të shquar universitetesh, tiransi Mustafa Greblleshi, të cilin poeti e donte aq shumë thoshte gjithnjë: “Kjo është Akademia Lasgush Poradeci”.

    Vetëm pak pasi ishte kthyer nga një shëtitje e tillë, kishte mbërritur atë ditë Petraq Kolevica. Pasi i tregoi disa poezi të përkthyera nga gjermanishtja në bisedë e sipër i tha:

    – Ama dhe këta tiransit, nuk ia thanë një herë tamam emrin Tiranës, qytetit të tyre, por gjithnjë Tirona, Tirona!Lasgushi e kishte parë gjatë në sy dhe më pas i kishte dhënë këtë përgjigje:

    – Që duhet ta kenë një arsye që i thonë Tirona e jo Tirana qytetit të tyre, unë nuk e diskutoj.

    Them kështu sepse, e di mirë që ky popull bujar ka qindra vite, më saktë shekuj që e quan kështu qytetin e tij. Dhe arsyeja kam mendimin se vjen pikërisht nga thellësia e shekujve.

    Arkitekti qe stepur për një çast, aq më tepër kur kishte vën re që nga sytë e poetit kishte nisur të fekste vezullimi i një drite të paparë.

    Gjithçka ishte e qartë, “masati” mendjes së tij pritej të shkëndijonte sërish, madje edhe më fuqishëm.

    – Ty të shqetëson shumë mbaresa ‘ona’, por duhet të dish që Perëndesha e lashtë e ilirëve, pra e të parëve tanë ishte Dodona.

    Madje, enkas për të ata ndërtuan tempullin e Dodonës, ku vinin ei faleshin për ditë. Në jug të Shqipërisë kemi një qytet shumë të bukur buzë detit, m’u aty ku ndahen dy detet e mrekullueshëm Joni dhe Adriatiku.

    Ai qytet sot quhet Vlora, por emri i tij i lashtë është Aulona. Po të shkojmë në veri dhe të ngjitemi në alpe, atje mes Bjeshkëve të Namuna kemi një lumë me bukuri përrallore, që quhet Valbona. Pra, edhe këto emra me ‘ona’ mbarojnë.

    Dhe ne na pëlqen dhe i duam shumë. Por nuk mbaron këtu llafi im. Po të kalosh detin Adriatik dhe të zbresësh në brigjet italiane ke një qytet mjaft të bukur, që mban emrin Ankona.

    Kurse në veri të Italisë gjëndet një qytet tjetër me emrin Verona, qyteti i Romeos dhe i Zhuljetës.

    Dhe italianët me sa di deri më sot, nuk janë jo shqetësuar por, as ankuar që emri i qytetit të tyre të mrekullueshëm mbaron me ‘ona’.

    Pas kësaj Lasgushi e ndali fjalën dhe mori frymë thellë. Kundërmimi i aromës së selfijonit ose borzilokut të sapoçelur, siç i thoshte ai nëpër vazot e radhitura me kujdes anës murit, ia zgjeroj edhe më shumë kraharorin. Arkitekti i zënë disi ngushtë pandehu se poeti kishte mbaruar dhe desh të shtonte diçka, por ai ia bëri me dorë të priste.

    – Nuk kam mbaruar, kam edhe më.- shtoi poeti – Po të përmend edhe dy emra qytetesh nga më të bukurit në Europë. Madje, njëri prej tyre është kryeqytet, Lisbona dhe tjetri Barcelona.

    Po gjithsesi këtë herë do të jemi sërish në Shqipëri në dheun e Arbërit, ku plot vajza të bukura quhen Elona, Bleona, Jona, Edona, Emona, Ermiona etj.

    Gjithë këta emra bukurish të rralla vijnë nga lashtësia dhe mbarojnë me ‘ona’. Dhe neve na vjen mirë, dhe i gëzohemi pamasë yllësisë së tyre.

    Ndaj dhe ky popull i urtë e punëtor, mikpritës në kulm, dashamirës e bujar, që nuk di të përgojojë askënd e ka një arsye të fortë që nuk i thotë kurrë Tirana. Por Tirona qytetit të tij, të cilin sigurisht e dashuron më shumë se sa ne.

    Unë kaq di të them, të tjerat kanë për detyrë t’i bëjnë historianët, arkeologët e gjuhëtarët, të cilët duhet të hulumtojnë, të kërkojnë e të gjejnë arsyen e vërtetë.

    Kaq kishte nxjerrë nga “masati” Lasgush Poradeci dhe kishte heshtur.

    Brenda pak çastesh, në mënyrë të habitshme perceptimi i tij qe zhytur në thellësi të paimagjinueshme e të mistershme të shekujve.

    Duke vërtetuar kësisoj edhe një herë potencën e pakrahasueshme që karakterizonte analizën e tij zhbiriluese prej gjeniu.

    – Tregim i bukur shumë! – foli bashkëbiseduesi im.

    – Cili!? – i thashë i habitur.

    – Ky që sapo më tregove. Dhe kot e vret mëndjen për të shkruar tregim tjetër. Ja tek e ke.

    Siç ma tregove, shko e hidhe në letër. Madje, me të do të parandalosh kundërvëniet, me që ke përdorur në vend të Tirana, Tirona.

    Shoku kishte plotësisht të drejtë. Ndaj dhe unë, merreni si të doni e vendosa këtë histori si në vend të një “parathënie”, në krye të këtyre tregimeve për Tironën.

    Por, pa harruar kurrsesi t’i përulem në këtë rast me respekt madhështisë së fjalës lasgushiane.

    Faleminderit poet i liqenit. Nderim për ty Lasgush Poradeci “shterg i fundit” i poezisë së vërtetë shqipe, që aq shumë i deshe tiransit e mi.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    CILAT ISHIN AMANETET E POETIT, LASGUSH PORADECI- FLET E BIJA E TIJ

    Ai është një emblemë e poezisë tonë, një personalitet që i dha aq shumë letrave shqipe, por nuk mori sa duhej në këmbim.

    Lasgush Poradeci është pa dyshim një prej emrave që ka ngjallur debat ndër vite, për poetin brilant por edhe për faktin që krijimtaria e tij nuk u pozicionua si duhej.

    Sot, figura e tij komplekse kujtohet me admirimin e munguar ndër vite. Por edhe me krenarinë për një emër që dha aq shumë me përulësi të madhe.

    E bija e tij, Marie Gusho erdhi në “Esencë’ për një rrëfim të veçantë për gjërat që kanë mbetur ende pa thënë dhe për figurën e babait të saj. Me të cilin ajo ishte shumë e lidhur.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult

  • Poeti i dashurisë, shpirtit e liqenit/ Eventi në Galerinë e Artit Digjital në Korçë për nder të Lasgush Poradecit

    Poeti i dashurisë, shpirtit e liqenit/ Eventi në Galerinë e Artit Digjital në Korçë për nder të Lasgush Poradecit

    Në galerinë e artit digjital në Korçë, është organizuar një aktivitet i veçantë kushtuar poetit të madh Lasgush Poradeci, nën titullin “Lasgush Poradeci poeti i shpirtit, dashurisë dhe liqenit”.

    E veçanta e këtij aktiviteti ishte sjellja e poetit në një formë ndryshe për publikun përmes ndërthurjes së teknologjisë së inteligjencës artificiale me interpretime artistike të nxënësve të shkollës “Sevasti Qirjazi”
    Ajo që ishte unike ishte përdorimi i inteligjencës artificiale tek imazhi i Lasgushit përmes së cilës poeti u soll në formën e një hologrami, ide dhe realizim i 12-vjeçarit Deon Gjoka për të cilin  kjo eksperiencë e veçantë ka në fokus ndërthurjen e artit me teknologjinë moderne.
    Vajza e Lasgushit, Marie Gusho, mes emocionesh tregoi vlerësim për të rinjtë që kujtojnë veprën e të atit me kaq dashuri dhe kreativitet.
    I gjithë aktiviteti u konceptua dhe realizua nga nxënës të shkollës Sevasti Qirjazi ku nuk munguan as interpretimet e poezive të Lasgushit, këtij gjeniu të letërsisë shqipe.
     

    Top Channel

  • “Kam 32 vite gjyqeve”, vajza e Lasgush Poradecit probleme me pronat: Si duhet të sillem unë!?

    “Kam 32 vite gjyqeve”, vajza e Lasgush Poradecit probleme me pronat: Si duhet të sillem unë!?

    Vajza e poetit të njohur Lasgush Poradeci, Maria, ka reaguar ashpër ndaj institucioneve të drejtësisë, duke denoncuar atë që e quan “32 vite vuajtje, gjyqe dhe korrupsion” për një pronë familjare në Pogradecit.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo shprehet se nuk po gjen të drejtën e saj, ndërsa shton pyetjen ‘Si duhet të sillem unë?’.

    Çështja e pronave është një nga temat më të zjarrta ditët e fundit, për shkak se gjyqtari Astrit Kalaja u vra në mes të sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit.

    Për një copë tokë për të ndërtuar “1 Maji” në Pogradec, që ndodhet 3 metra larg lokalit (është kopsht për lokalin), me dokumente të kohës së Zogut, me fitim gjyqi në 3 shkallë për të drejtën e parablerjes së pistës së vallëzimit që është në këtë tokë, me fitim gjyqi në 3 shkallë për kontratë të pavlefshme…

    Kam 32 vjet gjyqe, zyrave dhe nuk e gjej dot drejtën sepse paraja i ka bërë bllok. Unë, gjyqeve, AI “pronarit” të lokalit vazhdoj biznesin dhe me paret që fitoj mbi pronën time paguaj çdo shtetar. Korrupsioni i shtetit vazhdon… Tridhjetedy vite —- një jetë. Si duhet të sillem unë?!“, shkruan ajo në Facebook.

  • “K*rvëria e shtetit vazhdon”, vajza e Lasgush Poradecit: Kam 32 vite gjyqeve, si duhet të sillem unë???

    “K*rvëria e shtetit vazhdon”, vajza e Lasgush Poradecit: Kam 32 vite gjyqeve, si duhet të sillem unë???

    vajza e lasgush poradecit

    POGRADEC- Vajza e shkrimtarit të madh Lasgush Poradeci, Maria, në një postim në rrjetet sociale, ka zbuluar peripecitë e saj me sistemin e drejtësisë, për përfitimin e një prone të familjes në lagjen 1 Maji të qytetit të Pogradecit. Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit, e vrasjes së gjyqtarit, Poradeci shkruan se prej 32 vitesh endet në dyert e gjykatave, ndërsa prona e saj është shfrytëzuar nga një lokal për qëllime fitime. Sipas Marie Poradecit, mbi truallin e familjes së saj, është ngritur kopshti i një lokali, si dhe një pistë vallëzimi, të cilën ajo e ka blerë në ankand, duke qenë se gëzonte të drejtën e parablerjes. E megjithatë ende sot nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare nga ana e sistemit të drejtësisë.
    Postimi i Poradecit
    Per nje cope toke te lulishte “1 Maji” ne Pogradec, qe eshte 3 metra larg lokalit (eshte kopesht per lokalin), me dokumenta te kohes se Zogut, me Fitim gjyqi ne 3 shkalle per te drejten e parablerjes se pistes se vallzimit qe eshte ne kete toke, me Fitim gjyqi ne 3 shkalle per kontrate te pavlefshme…. kam 32 vjet gjyqeve, zyrave dhe nuk e gjej te drejten sepse paraja i ka bere bllok. Une gjyqeve AI “pronari” i lokalit vazhdon bisnesin dhe me paret qe fiton mbi pronen time paguan cdo shtetar. Kurveria e shtetit vazhdon…. Tridhjetedyvjet —- nje jete. Si duhet te sillem une????????!!!!!!!!!!
    Ditën e hënë, Elvis Shkambi qëlloi për vdekjen gjyqtarin e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, pasi ky i fundit dha një vendim kundër familjes së tij, që vijon të jetë një mollë sherri për dhjetra familje në qytetin e Shkodrës./ZËRI 

  • Me zjarr ju flas… me zjarr, poezi nga Lasgush Poradeci

    Me zjarr ju flas… me zjarr, poezi nga Lasgush Poradeci

    Me zjarr ju flas… me zjarrNë gjirin tim kam hapur varr…Që t’i jap shpresë- edhe t’ja marr…

    Un’ ik liqerit zemërakFatlum dh’ i pastër si zëmbak,Po zemra ime kullon gjak:

    Se vijnë- urtuar zogjtë-e mi,Dh’u jap ushqim me dashuri-Një dashuri për llaftari:

    Pa nis ah! Gjirin ta godas…Dh’e hap ah! gjirin për një ças…Dh’i nginj ah! zogjtë- e vdes me gas!…

    Ahere – helmohet e buçetPas mallit tim liqer-i shkret,E rrit tallazin posi det.

    Ay e tund, ay e shkund,Ay e hap sa me të mund,Gjer mun në gjit, gjer mu në fund.

    E shpirtin dyke ma përcjellëMë thotë ah! shih sesa ‘sht’i fellë…Ky gjir’i em që të pat pjellë…

    Me zjarr ju flas…Me zjarr…

    *Titulli i origjinalit: Vdekja e nositit

    ObserverKult

    Lexo më shumë nga poeti Lasgush Poradeci:

    Lasgush Poradeci: Përse të duaLasgush Poradeci: Erë trëndeline

    Lexo edhe:

    Kujtimet e panjohura të ish-ministres së Arsimit e Kulturës; “Kur Lasgushi hapi derën e më pa me kryetarin e Komitetit dhe sekretarin e parë tha…”

    Plot 42 vite më parë, kryeministri, Mehmet Shehu më ngarkoi si detyrë, që të shkoja në Pogradec e të takoja poetin e madh, Lasgush Poradecin. “Më tha, që ta prisja në “Turizëm”, sepse ai nuk vjen në zyrat e partisë e të shtetit. Pyete, se ç’ probleme ka dhe t’ia zgjidhësh!”

    Shkova në Pogradec dhe e njoftuan, se të nesërmen në orën 10-të paradite të pret ministrja tek Turizmi. E prita në një nga sallat e pritjes. Lazgushi erdhi në orën e caktuar. Kishte veshur një kostum të zi, me borsalinë  në kokë dhe me bastunin e tij në dorë. U përshëndetëm me një takim duarsh dhe u ul në kolltukun përball meje.

    Tekstin e plotë të këtij reportazhi e gjeni duke klikuar KETU

    ObserverKult

  • Letra e Lasgush Poradecit për Kristo Konon: Kam qenë i sëmurë… mbeta në shtëpi…

    Letra e Lasgush Poradecit për Kristo Konon: Kam qenë i sëmurë… mbeta në shtëpi…

    Një letër e mrekullueshme që Lasgush Poradeci i dërgon kompozitorit Kristo Kono në vitin 1948, pasi ky i fundit kishte kompozuar për poezitë e tij. Poeti është befasues për njohuritë e thella dhe të gjera në fushën e muzikës.

    Letra e çmuar, që duhet të jetë pjesë e letërkëmbimeve më të çmuara mes personaliteteve të kulturës dhe artit shqiptar të të gjitha kohërave, fillimisht është publikuar nga Maria, e bija e Lasgushit!

    Mjeshtrit Kristo Kono, Korçë

    Tiranë, 18 Shkurt 1948.

    I dashur Kono,

    Mezi sot kam kënaqësinë të të përgjigjem në letrën tënde të dashur të 11 janarit. Të falem nderit për dhuratën e çmuar të kompozimit që i ke bërë këngës s’ime “E mora shoqezën përkrah”. Kam qënë i sëmurë në shtëpi nga një e ftohur e keqe, kur më 13 Janar ardhi m’i dorëzoj notat me letër një miku im, i cili më kish kërkuar në Institutin e Studimeve dhe s’më kish gjetur.

    Edhe sot ajo e ftohur s’më ka shkuar fare, vazhdoj të jem gjithnjë në shtëpi, pa temperaturë, më la prej dy ditësh dhe me t’u ndrequr koha do të dal. Këtë letër mund të t’a shkruanja përnjëherësh para një muaji, e vonova gjer më sot dyke shpresuar të shërohem dhe të dal dita me ditën, të vete t’i-a jap muzikën për ekzekutim tenorit Kristaq Antoniu, siç më shënon ti, që të kem fatin kësisoj t’i dëgjoj notat dhe unë për herën e parë dyke u kënduar.

    Është një dëshirë imja që në ekzekutimin më të parë të këngës – në “premierën” e saj -, valët përkëdhelëse të zërave të krijuara prej teje të tingëllojnë për herën e parë në zemrën t’ime, ku ato përqafohen në akord intim me harmoninë e vargëzuar që ka dalë prej saj.

    Meqënëqë ajo dëshirë s’u mbush, dyke ndenjur unë me pahir i mbyllur në shtëpi gjer më sot, s’po duroj dot më dhe mendova prej vonesës që edhe kështu mund të të shkruaj tashi së-paku disa fjalë, të cilat të lutem t’i nëmërosh si një mirënjohje përzemërsije nga ana ime. Sepse ti më ke gëzuar fellë dyke vënë në nota atë këngë t’imen, e cila mua më është e dashur përmi të tjerat, unë atë e dua veçanërisht, ajo është për mua “e ëmbla mi shoqe shumë”.

    I ke dhënë Kono muzikës shumë fond poetik dhe një stil të kulluar, të drejtuar me serenitet përmes kadencave të ndryshme dhe modulacioneve të variuara të saj. E kuptoj mendimin t’ënd, temën e përgjithëshme të ndarë trimëzaj, të përbërë prej tri idesh muzikale që konkordojnë me njëratjetrën drejt efektit kryesor: melodija e përmallëshme me taktet e mbëdha të pjesës së parë – hovi i intesifikuar me shpejtimin ritmik të së dytës – ekspansioni i pasionit në të tretën që kulminon me atë akord largo të masës finale – pastaj rishtas, për mbylljen dhe karakterizimin e gjithë kompozicionit, murmurimat melodike të motivit të fillimit, të preludit dashuror që është kujtimi dashuror, esenca dhe subiekti vetë i poezisë.

    Dhe në mbarimin e sicilës pjesë të kësaj drame muzikale në miniaturë, ti bën nga një stacion si për të vërrejtur që larg ekstazat intermitente të dashurisë, vendos nga një kurorë suspensioni për të lejuar dehjen e ndjenjës së buçitur ashtu: Mirë, perfekt, në këtë kuptim, akcidenti me diezin e notes finale të pjesës së dytë, të cilin unë po e quaj “diezi i përqafimit”, që amplifikon dyke e ngritur ekstazën e duo-s dashuror në përqafim e sipër (…Ashtu me të vërtetë pushtohen vashat… ashtu shtrëngohen dhe ngjiten për-gjiri vashat…kullohet dhe lartësohet dhe purifikohet shpirti jonë dashuronjës në përqafimin e ëmbël të vashës shqiptare…, të virgjëreshës timide dhe të kuximshme…të heshtur dhe të zjarrshme shqiptare…

    Veç se ky pushtimi i përvëluar imi…mua më ka ëmbëlsuar me njëmijë nektare të ëmbla fort…dhe më ka therrur me njëmijë thika të mprehta fort…). Si i ke hyrë ti Kono këngës kaq me delikatesë përbrënda dyke e interpretuar! Ti s’ke bërë një vijë melodike, po një interpretim. Një interpretim elokuent pa folur gjë. Ke muzikuar një mister që ngjall së fellash dashurinë, që tund prej fundesh universin e zemrës s’ime dyke kënduar. E ke mbushur poemin me një parfum muzikal të pambaruar.

    Kështu Kono, muzikant hije-rëndë, me tonet valonjëse dhe fluturonjëse nër qiej harmonish të pasosura. Kur se unë vargëtar fat-plumb, i lidhur prej materjes së fjalës, prej fjalës fizike, lëndore, së dheshme – lëndë e rëndë kjo, e shkrumbtë, e plumbtë o Kono – i lidhur unë kështu prej kësaj martirizonjëse për të shprehur atë përmjet saj, harmoninë e padëgjuarshme sepse vetëm të ndjerë të zemrës – luftoj me fjalën e lëndtë luftë mizore, mundohem, digjem, ndizem, piqem edhe përpiqem, zjej dhe brej, flas e buças, mëndem e çmëndem, vdes po prapë nuk vdes fare dyke rrojtur i vdekur i gjallë – gjer sa me kaq luftë dhe kaq kotësirë mund të nxjerr më në fund një harmoni të pakët: të cilën lavdi Zotit, ja se ku vjen muzikanti sepse ndryshe ajo mbetet e dergjur dhe e cekët, ja ku vjen muzikanti për t’a shumuar dhe fuqizuar, për t’a ngritur dhe vërsulur lart qiejve si me kraha të leta me fuqinë dhe magjinë e toneve fluturimtare.

    I dashur Kono, nuk di çfarë ke folur me Kristaq Antoniun për këngën, me Kristaqnë u poqa më 30 Dhjetor 1947 në Shtëpinë e Kulturës, si më pa atje ardhi, folmë gjysmë ore, folmë më shumë mi muzikën dhe me këtë rast ay më tha se Konua ka kompozuar “E mora shoqëzën për krah”, u shpreh me terma entuziaste për muzikën e këngës. Unë nuk dinja që ti e ke vënë në nota, këtë e mësova prej Kristaqit dhe shumë u gëzua zemra ime për lajmin që më dha. Kur më ardhi pastaj dorëshkrimi më 13 Janar 1948, gëzimi im hariu kulmin.

    Po të bëj të njohur me keqardhje se “Fantazija shqiptare” dhe “Në bredhat e Drenovës” unë nuk munda t’i dëgjoj, pikërisht atëhere kam qënë sëmurë. Më dhëmb veçanërisht për “Bredhat” që e kam peronë dhe pres rastin më të parë të ndonjë çfaqjeje tjetër. Them: kushedi, do kem fat.

    Sa për “Fantazinë”, duhet të mjaftohem nga nevoja veç me atë dëgjim prove nënë drejtimin t’ënd kur ishim bashkë në Radio-Tirana midis orkestrës ekzekutonjëse. Për sukcesin, mua nuk më kënaq ay pak shënim i gazetës “Bashkimi” më 12 dhjetor 1947. Me aq nuk mjafton. Meriton më shumë. Ti ke punuar më shumë, shumë më shumë. Larg teje qëndrojnë ata nga veprat, jo nga fjalët. Po prapë them kushedi.

    Sa mirë më vjen që më kishe kërkuar në Institut, aq dhe idhërohem që s’më gjete nga shkaku i të ftohtit t’im. Po pse s’ardhe, o dashur Kono, drejt e në shtëpi në dhomën t’ënde.

    A mund të m’i dërgosh me postë notat që prej kohësh i ke bërë këngës s’ime “Kur m’u rite vogëloshe”?Të falem nderit që përpara dhe dyke të përqafuar mbetem yti me dashuri,

    Lasgushi

    Rruga Hodo Beg Nr 5 Tiranë

    ObserverKult

    ——————–

    Lexo edhe:

    LASGUSH PORADECI, POETI QË MBANTE NË XHEP NJË PILULLË CIANURI NGA FRIKA SE DO…

  • Lasgush Poradeci, poeti që mbante në xhep një pilullë cianuri nga frika se do arrestohet nga komunistët

    Lasgush Poradeci, poeti që mbante në xhep një pilullë cianuri nga frika se do arrestohet nga komunistët

    Shekullin e shkuar ne shqiptarët kemi pasur një poet që nuk e kemi kuptuar si duhet, sidomos vlerën e artit të tij.

    Ishte Lasgush Poradeci, i cili shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shqiptrin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”

    Lasgush Poradeci e pati kulmin e krijimtarisë në mesin e viteve ‘30, të shekullit të shkuar, duke firmosur poezi nga ato që shkruhen vetëm njëherë.

    Poezitë e tij “Vdekja e Nositit”, “Poradeci” apo “Trashëgimi” e ndonjë tjetër, për nga vlerat e mesazhi, i kapërcejnë lehtësisht kufijtë e Shqipërisë duke u renditur në nivele dinjitoze të letërsisë më të mirë Europiane apo qoftë Botërore.

    Por Lasgush Poradeci shkroi poezi deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe më tej u tërhoq. Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri kishte sjellë një klimë krejtësisht të papërshtatshme për poetin e madh.

    Lasgush Poradeci, edhe pse shumëkush, nisur nga gjimnazistët që studjonin poezinë e tij, e dinin të vdekur, jetoi deri në vitin 1987, duke u përballur me jetën e vështirë dhe sidomos me çuditë e letërsisë së realizimit socialist, të cilat nuk linte asnjë rast pa i qesëndisur.

    Por në jetën e tij kishte edhe një tjetër anë të medaljes.

    Lasgush Poradeci, thellë në qënien e vet jetonte me një frikë e ankth i pazakontë.

    Duke e lëvizur veten në drejtim të kundërt të rrymës, duke fshikulluar lart e poshtë çuditë e regjimit komunist, duke parë se si të njohur e miq përfundonin burgjeve nën akuzën e agjitacion – propagandës, duket edhe atë kishte nisur ta mundonte frika, një situatë së cilës ai i ishte përgjigjur me një zgjidhje eventuale dramatike.

    Vaso Samsuri, një nga miqtë e tij të ngushtë rrëfen sesi poeti i madh mbante me vete një pilulë cianuri që ta përdorte për çdo rast për të helmuar veten, nëse policia politike e kohës do e arrestonte…/abcnews

    Lexo edhe:

    LASGUSHI PORADECI: ISHIM ME EQREM ÇABEJN…

    ObserverKult

  • “Ku vemi shpesh”, poezi nga Lasgush Poradeci

    “Ku vemi shpesh”, poezi nga Lasgush Poradeci

    Në zemër t’ënde vetëm unë,Në zemër t’ime vetëm ti,Dhe jashtë bota fjalëtare,Dhe jashtë syri plot zili.Dh’ ashtu filluam përngaheraNjë vetësi plot ëmbëlsi,Të mos na shohë syr’ i botës,Mos na zemrosh, moj njerëzi.Dhe ikm’ e ikmë gjith-më-largë,Dyke kërkuar pak liri,Që me t’u ndezur flak’ e ditës,Gjer më të mugëtit të zi;Gjer në mesnatë-e pasmesnatë,Oh! e pangopur arrati!Un’ hijerënd’ e mvrerësuar,Ti buzëndritur në stoli.Nër ato male shtat-mëdhaja,Nër ata pyj me fshehtësi,N’ ato mburima lozonjare,N’ ata shkëmbënj plot llaftari;Ku fryn një erë pastërtije,E vetëtin një bukuri,E ritet malli posi deti,E ndizet zemëra në gji;Ku nuku duket asnjeri,Ku vemi shpesh veç un’ e tiKu djeg si zjarr, moj dashuri!Ku ndrin si yll, moj perëndi!

    ObserverKult

    ————————-

    Lexo edhe:

    LASGUSH PORADECI: DIMËR

  • Kjo është poezia që Lasgush Poradeci e shkroi kur vuante nga sëmundja e rëndë

    Kjo është poezia që Lasgush Poradeci e shkroi kur vuante nga sëmundja e rëndë

    Nga Kristaq Jorgo

    Para disa ditësh znj. Marie Lasgush Poradeci publikoi autografin e një poezie të Lasgush Poradecit shkruar në frëngjisht në moshën 17-vjeçare. 

    Atë mot – është fjala për vitin e largët 1916 poeti ndodhej në Athinë, ku ndiqte mësimet në Liceun Francez. I mbërthyer për javë e muaj nga një formë e rëndë e tuberkulozit pulmonar, shtrohet disa herë në sanatorium e përjeton gjendje ekstreme mes jetës e vdekjes.

    Në këtë kohë ka lindur poezia në fjalë, të cilën po marrim guximin ta cilësojmë kryepoezi të tij.

    Jo për faktin se mund të jetë krijimi i parë i mjeshtrit. Ka dëshmi se edhe më të hershme janë fillimet poetike lasgushiane. As për faktin se përfaqëson një krijim të ndonjë vlere fort të posaçme, krahasuar me mrekullitë e vërteta që ai do të na sjellë më pas. Kemi të bëjmë, përkundrazi, me një poezi të përkorë dhe fare të shkurtër, elementare mund të thuhej, me vetëm 5 vargje, ndonëse formalisht 8, pasi tre prej tyre dalin dy herë.

    E megjithatë…

    Poezia me titull “Quand je t’ai vu, O reve immenese”, që  e sollëm shqip në trajtën “Kur të kam parë, O ëndërr’ qiellore” është, sipas nesh, dëshmuese e një momenti të jashtëzakonshëm në shpirtin, në jetën e në veprën e djaloshit.

    Poeti duhet të ketë përjetuar në atë zgrip të jetë-vdekjes një çast vizioni hyjnor, një epifaní, një ndriçim a një zbulesë, ngjashëm me çka përjetojnë shenjtorët a gjenitë. Ka parë një “ëndërr të pamatë” dhe i është zbuluar/ia ka dredhur shpirtin “Misteri i madh”.

    Ky është çasti – poezia na lejon të hamendësojmë kështu – i inicimit të Lasgush Poradecit me Sublimen, të Shenjtën, Bukurinë, Dashurinë, Sekretin, i takimit me qenien supreme, çasti në të cilin atij i ka rënë – me një sintagmë të krishterë – “balta e syrit” dhe ka nisur përnjëheri të shohë, të ndiejë, të kuptojë çka vetëm të shenjuarve tepër të rrallë u bëhet e mundur.

    Për këtë arsye edhe cilësimi i kësaj vepërze në dukje  fare të vogël e fare të thjeshtë, si kryepoezie tij, pse dëshmitare e çastit lindës të gjeniut.                                                                             

    Është çasti i Big Bang-ut, prej të cilit do të marrë jetë universi madhështor lasgushian.

    ————

    Vijon një shqipërim – me jo pak lëshime e të meta – ndjekur nga origjinali frëngjisht.

    ————

    Kur të kam parë, o ëndërr’ qielloreKur të kam parë, o ëndrr’ qiellore,U drodh në mua i madh mister:Unë qeshë në lulen djaloshoreKur të kam parë, o ëndrr’ qiellore.Amór me buzët çmenduroreM’shtrëngói zemrën time-vrer;Kur të kam parë, o Ëndrr’ qiellore,U drodh në mua i madh mister.

    Athinë, 1916     

    ————————

    QUAND JE T’AI VU, Ô RÊVE IMMENSEQuand je t’ai vu, ô Rêve immense,Frémit en moi le grand mystère:Ce fut en pleine adolescenceQuand je t’ai vu, ô Rêve immense.L’amour aux lévres de garancePressa mon coeur de solitaire;Quand je t’ai vu, ô Rêve immense,Frémit en moi le grand mystère.

    Athènes, 1916                    

    Lasgush Poradeci

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    SI E PËRJETOI LASGUSH PORADECI VDEKJEN E GRUAS: MË FAL NAFIJA IME, MË FAL…

     “Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, Lasgush Poradeci i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë.

    Ne e dinim, e ndjenim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult