Këngëtarit të njohur Shpat Kasapi do t’i jepet sot lamtumira e fundit. Homazhet për artistin do të zhvillohen në orën 11:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00, në varrezat e qytetit.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Kasapit u bë i ditur përmes një njoftimi në profilin e tij zyrtar, ku familjarët shprehen: “Me dhimbje të thellë njoftojmë largimin nga jeta të birit, babait, bashkëshortit, vëllait dhe shokut tonë të dashur, SHPAT KASAPI”.
Në njoftim theksohet se vdekja e papritur e artistit ka tronditur familjen: “Ikja e tij ka thyer zemrat tona. Do të na mungojë zëri i butë, buzëqeshja e sinqertë dhe prania e tij qetësuese. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm.”
Familja bën të ditur se të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin nderimet e fundit janë të mirëpritur të marrin pjesë në ceremonitë mortore.
Shpat Kasapi ndërroi jetë më 26 nëntor në Itali, ku ndodhej me partneren, Selvije Jaon, dhe djalin e tyre. Dyshohet se këngëtari ka pësuar arrest kardiak.
/vizionplus.tv









