Tag: lahaj

  • Fondacioni Rame Lahaj sjell Grupin PasParTouT nga Gjermania: Një shfaqje muzikore që i çon fëmijët në një udhëtim ritmik e plot energji

    Fondacioni Rame Lahaj sjell Grupin PasParTouT nga Gjermania: Një shfaqje muzikore që i çon fëmijët në një udhëtim ritmik e plot energji

    Fondacioni Rame Lahaj sjell grupin gjerman PasParTouT, me programin muzikor për fëmijë “Gjelat në Pentagram”, një teatër muzikor edukativ, që do t’i bëjë fëmijët jo vetëm të dëgjojnë dhe të shohin, por të përjetojnë nga afër fuqinë dhe bukurinë e muzikës klasike në një mënyrë krejtësisht të re.

    PasParTouT, me përvojë në skena ndërkombëtare, ka ndërtuar një shfaqje që kombinon tregimin artistik, performancën skenike interaktive dhe tingujt magjikë të instrumenteve klasike, transmeton KultPlus.

    Fëmijët nuk do të jenë vetëm spektatorë, por do të përfshihen drejtpërdrejt në shfaqje, duke mësuar për emocionet që përcjellë muzika, instrumentet që e krijojnë atë dhe historitë që ajo tregon.

    Kjo është shumë më tepër se argëtim, është edukim përmes artit, ku më të vegjlit e sotëm bëhen publiku i vetëdijshëm dhe i apasionuar i së nesërmes./KultPlus.com

  • “Gjelat në Pentagram” – Fondacioni Rame Lahaj sjell muzikën klasike në 10 qytete të Kosovës

    “Gjelat në Pentagram” – Fondacioni Rame Lahaj sjell muzikën klasike në 10 qytete të Kosovës

    Fondacioni Rame Lahaj sjell projektin më të ri “Gjelat në Pentagram”, një udhëtim muzikor që do të zhvillohet nga data 2 deri më 11 shtator në 10 lokacione të ndryshme të Kosovës. Qëllimi i këtij projekti është t’i afrojë fëmijët dhe të rinjtë me muzikën klasike dhe operistike, veçanërisht në komunitete rurale dhe më pak të privilegjuara, që kanë përjetuar pasojat e luftës.

    Gjatë këtij turneu, tre muzikantë profesionistë nga Gjermania do të mbajnë koncerte interaktive, duke sjellë përvoja të veçanta për publikun e vogël dhe duke ndërtuar një lidhje të re me artin dhe kulturën.

    “Me ‘Gjelat në Pentagram’, ne besojmë se po mbjellim farat e një audience të re që nesër do të rritet me dashurinë për artin, kulturën dhe vlerat artistike,” thuhet në njoftimin e Fondacionit.

    Turneu do të ndalet në këto qytete:

    Vrellë – 2 shtator

    Drenas – 3 shtator

    Vushtrri – 4 shtator

    Dragash – 5 shtator

    Deçan – 6 shtator

    Viti – 7 shtator

    Ferizaj – 8 shtator

    Fushë Kosovë – 9 shtator

    Prishtinë – 10 dhe 11 shtator

    Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Fondacionit Rame Lahaj për të ndërtuar një skenë të qëndrueshme artistike në vend dhe për të krijuar hapësira të reja për edukim dhe zhvillim artistik për brezat e rinj.

    Publiku ftohet të ndjekë rrjetet sociale të Fondacionit për më shumë informacione rreth lokacioneve dhe orareve të koncerteve./KultPlus.com

  • Një takim, një foto e përzemërt, shumë kujtime dhe një histori e përbashkët arti dhe atdhedashurie

    Një takim, një foto e përzemërt, shumë kujtime dhe një histori e përbashkët arti dhe atdhedashurie

    Nga Albert Vataj
    Petrit Malaj, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, aktori dhe pedagogu i arteve ka ndarë në rrjetin social Facebook një foto nga takimi shumë i përzemërt i tij dhe bashkëshortes, me tenorin me famë botërore, Ramë Lahaj.“Me Anetën, bashkëshorten time, patëm kënaqësinë të takonim sot tenorin e madh Rame Lahaj, ish-studentin e kantos në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku Aneta ka qenë edhe pedagoge e tij. Rame e ruan ende atë respekt e mirënjohje të veçantë për pedagogët e tij e në veçanti për Netën.

    Ishte ftesa e tij e përzemërt që të vizitonim së bashku Fondacionin “Rame Lahaj”, të cilën e pranuam me kënaqësi.Një bisedë e ngrohtë, plot kujtime e emocione, ku arti dhe dashuria për vendin u ndërthurën bukur.Suksese, i dashur Rame, në rrugëtimin tënd si tenor që mishëron profesionalizmin dhe dashurinë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë”Në një ambient të ngrohtë e të mbushur me kujtime artistike, ku muret flasin për skena, emocione dhe triumfe, është fiksuar një çast i veçantë: Petrit Malaj, ambasador i Shqipërisë në Prishtinë, aktor i shquar dhe pedagog i arteve, së bashku me bashkëshorten e tij, Aneta Malaj, takojnë tenorin me famë botërore Ramë Lahaj. Një takim që nuk është thjesht miqësor, por një rikthim në rrënjët e përbashkëta të pasionit për artin dhe përkushtimit ndaj vendit.Petrit Malaj është një emër i njohur në skenën shqiptare, jo vetëm si aktor me një karrierë të pasur në teatër dhe film, por edhe si pedagog që ka formuar breza artistësh. Si ambasador në Prishtinë, ai ka sjellë një frymë kulturore në diplomaci, duke e bërë artin një urë lidhëse mes Kosovës dhe Shqipërisë. Prania e tij në këtë takim është simbol i një bashkimi të natyrshëm mes përfaqësimit institucional dhe ndjenjës së thellë për kulturën.Aneta, bashkëshortja e Petritit, ka qenë pedagoge e kantos në Universitetin e Arteve në Tiranë. Aty, ndër të tjerët, ka pasur student Ramë Lahajn, të cilin e ka udhëhequr me përkushtim në hapat e parë të formimit artistik. Respekti që Ramë Lahaj ruan për të është dëshmi e ndikimit të saj si mësuese dhe mentore, një figurë që ka lënë gjurmë në rrugëtimin e një artisti që sot ngjitet në skenat më prestigjioze të botës.Ramë Lahaj është një nga ambasadorët më të ndritur të kulturës shqiptare në botë. I lindur në Istog, Kosovë, ai ka kapërcyer sfida të shumta për të arritur majat e suksesit në operën ndërkombëtare. Nga skenat e Berlinit, Parisit e Milanos, deri te themelimi i Fondacionit “Ramë Lahaj” në Prishtinë, ai ka dëshmuar se arti mund të jetë një formë e fuqishme e diplomacisë kulturore dhe një mjet për zhvillimin e talenteve të rinj.Ky takim mes tre personazheve është më shumë se një vizitë miqësore. Është një rikthim në rrënjët e përbashkëta, një kujtesë e rrugëtimit që nis në auditorët e Tiranës dhe vazhdon në skenat botërore. Vizita në Fondacionin “Ramë Lahaj” është një akt simbolik, ku përvoja e mësuesit, mirënjohja e nxënësit dhe dashuria për vendin ndërthuren në një bisedë të ngrohtë, plot emocione.Në këtë foto, përtej buzëqeshjeve dhe përqafimeve, ndjehet një ndjenjë e thellë për vendin. Është dashuria për Kosovën dhe Shqipërinë që i bashkon, që i frymëzon dhe që i bën të punojnë për një të ardhme ku arti dhe kultura janë shtylla të identitetit kombëtar.

  • Kryetari Rama për Gala Mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’: Prishtina u shndërrua në një skenë të hapur ku arti pushtoi zemrat e mijëra qytetarëve

    Kryetari Rama për Gala Mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’: Prishtina u shndërrua në një skenë të hapur ku arti pushtoi zemrat e mijëra qytetarëve

    Këto ditë, Rame Lahaj International Opera Festival- RLIOF ka përmbyllur edicionin e pestë me radhë me Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends”, pas një sërë koncertesh dhe aktivitetesh kulturore me artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët i dhanë Prishtinës imazhin e një qyteti me traditë të muzikës klasike.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se këto aktivitete të mbajtura në kuadër të festivalit RLIOF e kanë shndërruar kryeqytetin në një skenë të hapur, ku arti ka pushtuar zemrat e mijëra qytetarëve.

    “Gala “Rame Lahaj & Friends” solli emra të mëdhenj të skenës botërore dhe një emocion të papërshkrueshëm për të gjithë të pranishmit.

    Kryeqyteti do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm artistët tanë dhe çdo iniciativë që ndërton ura mes kulturave, sjell artin më të mirë në vendin tonë dhe e vendos kryeqytetin në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore ndërkombëtare.

    Ky është vizioni ynë, një Kryeqytet që jeton me artin dhe kulturën”, ka thënë Kryetari Rama në Facebook./ KultPlus.com

  • Ministri Çeku: “RLIOF rikthen Prishtinën në qendër të muzikës operistike” pas edicionit të pestë me sukses

    Ministri Çeku: “RLIOF rikthen Prishtinën në qendër të muzikës operistike” pas edicionit të pestë me sukses

    Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj (RLIOF) përmbylli me sukses edicionin e tij të pestë, duke kthyer Prishtinën në qendër të muzikës operistike për dhjetë net me radhë. Ky eveniment prestigjioz u zhvillua në ambiente të ndryshme të kryeqytetit dhe solli në skenë emra të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët ofruan koncerte dhe performanca të shkëlqyera artistike.

    RLIOF tashmë është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke shërbyer si një platformë ku artistët e operës nga vende të ndryshme bashkohen me publikun kosovar për të përjetuar së bashku magjinë e këtij zhanri muzikor.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një postim në rrjetet sociale, shprehu kënaqësinë për suksesin e festivalit dhe falenderoi artistin Rame Lahaj dhe gjithë ekipin e tij për punën e palodhur dhe pasionin që kanë vënë në organizimin e këtij eventi. Ai theksoi rëndësinë e këtij festivali në promovimin e kulturës dhe muzikës klasike në Kosovë dhe për vendosjen e Prishtinës si një destinacion të rëndësishëm artistik.

    “RLIOF është një hapësirë ku zërat më të mirë të operës bashkohen me publikun tonë në një përjetim të rrallë kulturor. Faleminderit Rame Lahaj dhe ekipit që po e bëjnë këtë festival një ngjarje të veçantë në kalendarin artistik të vendit,” shkroi Çeku.

    Festivali përfshiu një gamë të gjerë koncertesh, recitalesh dhe eventesh kulturore që patën jehonë të madhe në media dhe mes publikut, duke tërhequr dashamirës të muzikës nga e gjithë Kosova dhe më gjerë.

    RLIOF pritet të vazhdojë të rritet e fuqizohet në vitet në vijim, duke ofruar mundësi për artistët e rinj dhe duke promovuar trashëgiminë kulturore në skenën ndërkombëtare/KultPlus.com

  • Edicioni i pestë i RLIOF kulmon me Gala Mbrëmjen Rame Lahaj & Friends, nën përcjelljen e Orkestrës Simfonike të RTSH-së

    Edicioni i pestë i RLIOF kulmon me Gala Mbrëmjen Rame Lahaj & Friends, nën përcjelljen e Orkestrës Simfonike të RTSH-së

    Vjollca Duraku

    Nën qiell të hapur, publiku i Prishtinës mbrëmë pati rastin të përjetoj çaste të paharrueshme në mbrëmjen GALA të festivalit Rame Lahaj International Opera Festival, përmes zërit kristal të solistëve Nino Machaidze, Drio Russo dhe nikoqirit Ramë Lahaj. Ky koncert i cili shënoi përmbylljen e edicionit të pestë të festivalit RLIOF erdh në bashkëpunim me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Roberto Rizzi Brignoli.

    “Ëndrra pa kufi, Opera pa Mure” ka qenë motoja e këtij edicioni, që vjen si thirrje për të ndjekur ëndrrat dhe për t’i tejkaluar sfidat. Brenda 10 ditësh sheshet e Prishtinës u shndërruan në teatro operistikë, ku adhuruesit e muzikës klasike patën mundësi të shijojnë madhështinë e veprave më të njohura vendore dhe botërore nga artistë të shquar të skenave prestigjioze.

    Mbrëmja e shumëpritur GALA filloi me interpretimin e “Overture”-I vespri siciliani të Giuseppe Verdit nga Orkestra Simfonike e RTSH, e cila përmes tingujve të veçantë të ftonte në përgatitje dhe përqendrim për pjesën ku solistët do të shkriheshin së bashku me shpirtin e tyre, duke jehuar në çdo cep si notë e tingull. Gjatë kësaj kohe, të gjithë ata që ende nuk kishin zënë ulëset e tyre, iu dha mundësia që të rehatoheshin përfundimisht, dhe të shijonin koncertin plotë mrekulli.

    Skenës së improvizuar me shkëlqim fishekzjarrësh iu shtua ndriçimi kur instrumenistëve iu bashkangjit edhe sopranoja Nino Machaidze me veprën “Odieu! Que do bioux”- Faust nga Charles Gounod. Kjo vepër nxirrte në pah zërin e kumbues të solistes që përhapej si dritë në tërë hapësirën e sheshit “Skënderbeu”, ku të ulur gjendeshin mijëra shikues. Timbri i saj i ngrohtë të ftonte në një përjetim të ndjerë duke prekur thellë shpirtin njerëzor.

    Dinamika e koncertit ndryshoi kur në skenë u shfaq bass-i Dario Russo me veprën “Madamina, il catalogo e questo”- Don Giovani nga më i zëshmi kompozitor i muzikës klasike Wolfgang Amadeus Mozart. Me një zë që peshonte rëndë, si metal i çmuar, tokëzonte atë prani hyjnore të një kompozimi brilant të realizuar shekuj më parë. Një kontroll i kujdesshëm i teknikës vokale, i mundësonte atij një interpretim të jashtëzakonshëm edhe përkundër ngritjeve dhe uljeve të tonit që shpërndahej lehtësisht brenda hapësirës së përcaktuar për një koncert të tillë.

    Ndërkaq emocioni i nikoqirit të mbrëmjes, Ramë Lahaj, me veprën “Questa o quella” i dha natës një ëmbëlsi që pushtoi skenën në tërësi. Të kënduarit e tij plotë jetë, u jepte jetë ëndërrave të shumë artistëve të rinj që me sy plotë ëndje ndiqnin performancën e tenorit që e ka jetuar ëndërrën e tij në skena të ndryshme botërore. “Besame mucho” erdh si një himn me elegancë të theksuar që prekte lehtësisht zemrat e publikut.

    Veprat “Shiu i verës”, “O moj bukuroshe”, “Po më shkon si zog n’hava” dhanë një shkarkim energjik gëzimi dhe nostaligje për këto perla të cilat ndër vite kanë qenë pjesë e pandashme e shpirtit të popullit. Kënga e preferuar e tenorit Lahaj, “Bishtalecat palë-palë”, e cila vazhdon të jehojë gjithandej nga shkel këmba e solistit shënoi kulmin e edicionit të pestë të RLIOF, edicion ky që u nderua nga një emision i pullave postare për tenorin Lahaj- si një nga zërat më të dalluar të operës moderne ndërkombëtare.

    Ramë Lahaj tha se ndihet i privilegjuar për këtë moment sipas tij të veçantë, duke theksuar se  përpjekjet e tij ndër vite kanë qenë të përqendruara në promovimin e imazhit të Kosovës përmes muzikës.

    “Ndjej privilegj, janë këto momente që realisht më frymëzojnë, më inspirojnë, më japin përgjegjësi për të bërë atë që kam provuar të bëj viteve fundit, duke menduar që po kontribuoj të promovojë imazhin e Kosovës duke sjellë këngën shqipe nëpër katër kontinente e globin në botë pesë vjetët e fundit. Është moment inspirimi sepse unë sapo kam ardhur nga sezoni i fundit operistik…”, ka thënë Lahaj.

    Pjesë e koncertit ishte edhe vepra “Moj e bukura more” e interpretuar me mallëngjim nga arbëreshja 83- vjeçare Angela Dell Aquila, dhe publiku i cili ishte thellësish i prekur nga kjo performancë. Kurse “Për ty atdhe” që u soll nga Dario Russo ishte një moment tejet i veçantë po ashtu. Vepra “Lippen Schweigen”- Die lusige Witwe nga Franz Lehar dha një skenë jashtëzakonisht të bukur romace të luajtur mrekullisht nga Ramë Lahaj dhe sopranoja Nino Machaidze.

    Veprat tjera që u interpretuan në këtë mbrëmje plotë magji ishin: “Mesicku na nebi hlubokem”- Rusalka- Antonin Dvorak, “La calunnia  e un venticello”- ll barbiere di Siviglia- Giochino Rossini, “Recondita amonia”-Tosca- Giamo Puccini, “Pleurez! Pleurez mes yeux!- Le Cid- Jules Massenet, “Di due figli… Abbietta zingara”- ll Trovatore- Guiseppe Verdi, “Quanto amore ed io spietata”- L’elisir d’amore- Gaetano Dinozetti, “Fandango”- Dona Francisquita”- Amadeo Vives, “Les filles de Cadix”- Leo Delibes.

    Pjesë e mbrëmjes ishte edhe ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit Lorik Cana, i cili ka shpalosur një material promovues për Dokumentarët e realizuar për Arbëreshët.

    “Këtë vit, duke qenë përvjetori i pestë doja të bashkoheshim me Ramën në një projekt që po e bëj me fondacionin Lorik Cana. Është fjala për botën arbëreshe. Bota në mes të dy arbërive: Arbërisë Italiane dhe Arbërisë Shqiptare. Pas të gjithë këtyre Dokumentarëve që janë bërë në Tiranë, Milano, Cyrih, New York e pyeta Ramën nëse do të kem mundësi që të sjell një shije arbëreshe në këtë mbrëmje madhështore. Me shumë kënaqësi pranoi. Dokumentarët do të dalin tani. Kanë bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm”, ka thënë Cana.

    Pas koncertit plot ndjesi të bukura, solistja Nino Machaidze në një prononcim për media ka thënë se interpretimi në mbrëmjen Gala të RLIOF ka qenë një përvojë e mrekullueshme.

    “Absolutisht është e mahnitshme energjia që ndjemë që nga minuta e parë që mbërritëm këtu, për të qenë pjesë e provave dhe gjithçkaje në të gjithë ekipin e këtij Festivali. Ata janë të gjithë kaq të mrekullueshëm dhe e bëjnë këtë punë me shumë dashuri. Dhe rezultati është ky, sepse kur bën diçka me dashuri dhe me zemër rezulton në diçka në një nivel të lartë. Ishte një energji e mrekullueshme, dhe një kënaqësi e madhe të këndoja këtu”, ka thënë sopranoja, duke e theksuar edhe miqësinë me tenorin Lahaj dhe rendësin që ka ky aspekt për të dhuruar një koncert fantastik.

    “Para së gjithash ne jemi miq dhe, siç e dini, kur miqësia ekziston, ndodhin gjithmonë gjëra magjike. Ishte e mrekullueshme për mua të performoja herën e parë së bashku në këtë skenë”, ka thënë ajo.

    Ndërkaq, solisti Dario Russo i cili para një viti kishte realizuar një master class në Kosovë, tha se gjatë tërë procesit për realizimin e këtij koncerti është ndier “si në shtëpi”.

    “Dhe u ndjeva vërtet si në shtëpi dhe ndjeva një energji të jashtëzakonshme që nuk di si ta shpjegoj me fjalë, por është diçka që e percepton në nivelin e lëkurës dhe është diçka që më emocionoi vërtet dhe më pëlqen shumë. Kjo përvojë e përjetuar në Prishtinë është diçka që nuk ka çmim”, ka thënë Russo.

    Dirigjenti Roberto Rizzi Brignoli tha se ndihej shumë i lumur që kishte arritur të realizonte këtë eksperiencë të veçantë para publikut në sheshin e Prishtinës.

    “Koncerti ishte shumë, shumë emocionues, plot dashuri, me të vërtetë plot emocione kur e shikon këtë, ky është një shesh plot me njerëz, është një moment vërtet i mrekullueshëm. Reagimi i publikut ishte shumë i bukur, shumë i fuqishëm dhe shumë i rëndësishëm për ne. Unë jam shumë i lumtur sepse orkestra e RTSH-së ishte e mrekullueshme dhe programi ishte shumë interesant sepse ne i ndryshuam këngët nga opera në opereta. Ne bëmë gjithçka për këtë koncert”, ka përfunduar dirigjenti Brignoli.

    Me Gala Mbrëmjen Rame Lahaj & Friends ka përfunduar edhe edicioni i pestë i festivalit Rame Lahaj Internationa Opera Festival, i cili këtë vit është realizuar me moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa Mure” nga data 23 korrik deri më 2 gusht 2025./ KultPlus.com

  • Posta e Kosovës prezanton pullën postare me emrin e Rame Lahaj

    Posta e Kosovës prezanton pullën postare me emrin e Rame Lahaj

    Posta e Kosovës, emetoi emisionin e ri të pullave postare në nderim të tenorit të shquar shqiptar, Rame Lahaj – një nga zërat më të dalluar të operës moderne ndërkombëtare.

    I lindur në Istog, Rame Lahaj ka ngjitur me dinjitet dhe talent skenat më prestigjioze të botës, duke përfaqësuar me krenari kulturën shqiptare në qendra të tilla si ‘Royal Opera House” në Londër, “Teatro Real” në Madrid, “Opera de Paris” dhe shumë të tjera. Zëri i tij është bërë simbol i klasit, shpirtit dhe përkushtimit artistik.

    Përveç karrierës së jashtëzakonshme ndërkombëtare, Lahaj është i njohur edhe për kontributin e tij në jetën kulturore të vendit, përmes themelimit të Rame Lahaj International Opera Festival, duke sjellë artin operistik më afër publikut kosovar, por edhe duke përkrahur brezat e rinj të artistëve.

    Kjo pullë përjetëson figurën e një artisti që me zërin e tij ka tejkaluar kufijtë, duke u bërë ambasador i kulturës sonë në mbarë botën.

    Emisioni i pullës postare është realizuar në bashkëpunim me Fondacionin Rame Lahaj. Pulla postare nga ky emision mbart në motiv fotografinë e realizuar nga Z. Fahredin Spahija, ndërkaq bashkë me Zarfin e Ditës së Parë do të jenë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë./KultPlus.com

  • Rame Lahaj & Friends përmbyllin plot emocione koncertin madhështor në Prishtinë

    Rame Lahaj & Friends përmbyllin plot emocione koncertin madhështor në Prishtinë

    Ka përfunduar edicioni i pestë i festivalit të operës Rame Lahaj and Friends, ku ndër emocione të veçanta do të mbahet sërish gjatë mend tenori ynë i shquar, i cili po e sjellë këngën e bukur shqipe në mbarë botën, raporton KosovaPress.

    Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj me temën “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!” ul siparin sonte pas 10 ditëve plot aktivitete e mbrëmje artistike.

  • “Rame Lahaj & Friends”: Një Natë Gala për të kuruar shpirtin në zemër të Prishtinës

    “Rame Lahaj & Friends”: Një Natë Gala për të kuruar shpirtin në zemër të Prishtinës

    Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj International Opera Festival” (RLIOF) po mbyllet me një natë gala madhështore, sot, më 2 gusht, në sheshin qendror të Prishtinës. “Rame Lahaj & Friends”, një mbrëmje muzikore e konceptuar si kulmi i gjithë festivalit, sjell një përjetim unik nën qiellin e hapur, ku muzika operistike takohet me emocionin kolektiv të një publiku të etur për art të vërtetë.

    Krah tenorit Rame Lahaj, do të ngjiten në skenë sopranoja e famshme gjeorgjiane Nino Machaidze, një yll i skenave si La Scala dhe Metropolitan Opera, si dhe bas-baritoni italian Dario Russo, i njohur për mjeshtërinë e tij në interpretimin e repertorit klasik italian. Nën drejtimin e dirigjentit të shquar Roberto Rizzi Brignoli dhe të shoqëruar nga Orkestra e Operës së Kosovës, nata gala premton një repertor të fuqishëm, emocional dhe frymëzues.

    Kjo mbrëmje e veçantë mban të gjallë moton e festivalit: “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” – një mesazh për përbashkim përmes artit, ku zëri bëhet urë mbi dallime, ndarje dhe paragjykime, si dhe kjo natë gala jo vetëm e demokratizon përvojën operistike, por edhe e shndërron qytetin në një teatër të hapur për të gjithë, ku opera nuk është privilegj, por pasuri e përbashkët.

    Kjo natë përmbyllëse nuk është vetëm një koncert, është një deklaratë kulturore. Është dëshmi e mundësisë që Kosova jo vetëm të konsumojë artin botëror, por edhe ta krijojë atë, ta eksportojë dhe ta kthejë në identitet të vetin. Prandaj, “Rame Lahaj & Friends” është shumë më tepër se një natë e bukur operistike, është një akt krenarie, një gjest mirënjohjeje dhe një ftesë e hapur për të ëndërruar pa kufi.

    Në një kohë kur arti shpesh sfidohet nga realitetet e ditës, RLIOF dhe nata e tij gala mbeten dëshmi se kultura është forca më e butë, dhe më e fuqishme, që kemi për t’u bashkuar si shoqëri. Në këtë frymë, Prishtina më 2 gusht nuk do të jetë vetëm kryeqyteti i Kosovës, por për një natë, kryeqyteti i operës./KultPlus.com

  • Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj drejt finales madhështore në Prishtinë

    Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj drejt finales madhështore në Prishtinë

    Pas një jave të mbushur me muzikë të mrekullueshme, emocione të thella dhe përvoja kulturore unike, Rame Lahaj International Opera Festival (RLIOF) po i afrohet finales së tij madhështore me koncertin “Rame Lahaj & Friends”, që do të mbahet nesër më 2 gusht, në Sheshin Skënderbeu, nga ora 20:30.

    Në konferencën përmbyllëse për shtyp të mbajtur sot, u prezantuan sukseset e edicionit jubilar, i cili tashmë është kthyer në një ngjarje të rëndësishme për skenën artistike në Kosovë. Të pranishëm në konferencë ishin figura të njohura si tenori Rame Lahaj, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, sopranoja me famë botërore Nino Machaidze, basi Dario Russo, dirigjenti italian Roberto Rizzi Brignoli, si dhe Blerta Ristani, drejtoreshë artistike e Orkestrës Simfonike të RTSH. Në mesin e të ftuarve ishin gjithashtu Lorik Cana dhe Besmir Vokopola, transmeton KultPlus.

    Gjatë këtij edicioni, RLIOF udhëtoi në tri qytete me koncertin “Nexhmije Pagarusha”, solli masterclass-in unik të Ramón Vargas me artistë të rinj, zhvilloi programin edukativ për fëmijë “Educating the Audience of the Future” dhe dhuroi dy netë të jashtëzakonshme operistike: “Opera Night” me Marigona Qerkezin dhe “Ensemble Evening” me Anita Rachvelishvili.

    Finalja e nesërme do të jetë kulmi i këtij rrugëtimi artistik, një gala ndërkombëtare ku opera do të shndërrojë zemrën e Prishtinës në një skenë botërore./KultPlus.com