I penduari i drejtësisë, Artan Tafani në rrëfimin e tij të dytë për Gjykatën e Posaçme rrëfeu tre episode kriminale, që sipas tij ishin porositur nga kreu i bandës, Laert Haxhiu.
Për vrasjen e 35-vjeçarit, Albi Bashaliu në 27 dhjetor të 2021 në fshatin Gjonçaj të Peqinit, bashkëpunëtori Tafani tha se u bë për nder të shokut të Laert Haxhiut, Lorenc Lala që thirret Lili.
“Laerti më tha që duhet ta bëjmë këtë punë për Lorenc Lalën. Lili është krahu i djathtë i Saimir Taullaut. Lili mbante lekët e këtyre, Laertit, Saimirit. Ka qenë ora 4 e mëngjesit, na kishte thënë Laerti ta bënim vrasjen në fshat. Kishim armë me silenciator, ma dha Bledar Berberi. Kishim dy armë, njëra TT, njëra me fisheke të veçkël fare, por njëra u përdor se tjetra nuk punoi. Me sa mbaj mend e kam shkrehur katër herë, dy herë në gjoks, dy herë në shpatull. U qëllua me 6 fishekë, me sa mbaj mend. Pasi mbaruam punën nuk na ndizej makina. E dogjëm makinën te vendi ku kishim lënë makinën tjetër për të ikur. Kemi marrë një pjesë të lekëve të vrasjes së Albi Bashaliut fillimisht 30 mijë euro, mos gaboj m’i dha lekët babai i Laertit, Qamili. Në total morëm 50 mijë”, deklaroi Tafani.
Për plagosjen e 44 vjeçarit, Kujtim Meta në Lushnje, ngjarje e prillit të tre viteve më parë, ai tha: E kishte hapur si muhabet babai i Laertit, Qamili. Edhe tha ta vrisnim. E kishte rrahur me grushte Kujtimi. Kërkonte ta vriste me thikë se po të ishte me plumb, do kuptohej që e kishte bërë Laerti. Kujtimi ishte ulur në një lokal, ngjitur me banakun përballë. Qëllova me armë drejt tij. Sapo godas unë, ky hidhet nga karrigia. Pastaj e qëllova prapë. 8 fishekë që kisha, i qëllova. Ky duke ikur nëpër çimento, unë e qëlloja, sa më mbaruan fishekët. E gjuajta dhe nga mbrapa. U mundova ta shënjestroj. Mesa dëgjova në lajme e kishte kapur në bark.
I mbrojturi i drejtësisë tregon se të dyja këto krime i ka kryer me të njëjtën armë dhe më të njëjtën makinë. Tronditëse është edhe sesi Tafani me anëtarët e grupit të Laert Haxhiut ia grabitën një çifti të rinjsh automjetin Benz nën kërcënimin e armëve, duke qenë të maskuar si policë.








