Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bëri dje një reagim publik, pas disa lajmeve të publikuara për ndërpreje të shërbimit laboratorik. Në reagimin e QSUT-së thuhet se “ky lajm është i pavërtetë dhe i pabazuar. Shërbimi laboratorik në QSUT vijon pa asnjë ndërprerje, duke garantuar çdo ditë kryerjen e analizave për pacientët sipas nevojave të tyre mjekësore”. Sipas QSUT-së, “email-et e brendshme të komunikimit me stafin, të cilat janë interpretuar në mënyrë jokorrekte, nuk kanë lidhje me ndërprerjen e shërbimit”. QSUT thekson se këto emaile lidhen me respektimin korrekt të protokolleve klinike dhe algoritmeve të frekuencës së kryerjes së testeve laboratorike sipas patologjive, si dhe menaxhimin me eficiencë të kostove dhe buxheteve të alokuara, në përputhje me praktikat e administrimit spitalor.
“Theksojmë se volumi ditor i analizave dhe shpenzimet e përditshme të kryera janë të dhëna të aksesueshme nga kushdo ka interes në funksion të transparencës, ndaj ftojmë këdo të drejtohet në rrugë zyrtare QSUNT”, thuhet në reagim. “Përhapja e lajmeve të rreme dhe interpretimi i gabuar i komunikimeve zyrtare krijon panik të panevojshëm në popullatë dhe dëmton besimin ndaj shërbimeve tona. Prandaj, kërkojmë që çdo informacion të interpretohet dhe transmetohet me korrektësi”, theksohet në reagimin publik të QSUT-së.
Tag: laboratorik
-

QSUT: Shërbimi laboratorik vijon pa ndërprerje