Në Gaza, kuzhinat komunitare janë një shpëtim për mijëra familje të shpërngulura, edhe pse armëpushimi ka filluar gjashtë javë më parë. Organizata amerikane Anera shërben çdo ditë një vakt të ngrohtë për mbi 20 mijë njerëz në kampet e braktisura të qytetit.
Nga tenxheret e mëdha ziejnë oriz, makarona dhe thjerrëza, të përforcuara me pak perime të disponueshme. Por mungesa e mishit, pulave të freskëta dhe perimeve të tjera ende kufizon ushqimin e familjeve. Që nga armëpushimi, Anera ka shërbyer vetëm një herë mish nga kanaçet, pasi produktet e freskëta lejohen vetëm për tregtarët privatë dhe janë shumë të shtrenjta.
Banorët e kampit varen nga këto kuzhina për bukë, ujë dhe ushqim.
“Bukë ka vetëm një herë në javë ose një herë çdo katër ditë. Nuk ka ndryshuar shumë që nga armëpushimi, ishim të lumtur vetëm që u ndal gjakderdhja”, tha Aida Salha.
Çmimet e ushqimeve bazë janë ende të larta dhe shumë familje mund të blejnë vetëm një vakt në ditë. Me ardhjen e dimrit, jeta bëhet edhe më e vështirë, ndërsa familjet shqetësohen si të ushqejnë dhe ngrohin fëmijët e tyre.
Megjithatë, punonjësit humanitarë bëjnë çmos për të ndihmuar.
“Shpresa e njerëzve është e thjeshtë: të jetojnë në një vend të sigurt dhe të mund të gatuajnë një vakt të ngrohtë për fëmijët e tyre me dashuri dhe dinjitet”, tha Sami Matar, shefi i kuzhinës.
Ndërkohë, OKB-ja dhe organizatat humanitare kërkojnë që Izraeli të hapë të gjitha pikat e kalimit dhe të lejojë më shumë ndihma humanitare, për të përmirësuar dietën dhe jetesën e banorëve të Gazës.
