Analisti Ilir Kalemaj, i ftuar në emisionin ‘A Shoë’ me Adi Krastën në SYRI TV, ka komentuar kërkesën e Kryeministrit Edi Rama drejtuar Presidencës për të shpallur datën e zgjedhjeve në Tiranë, pas vendimit për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kalemaj tha se kemi të bëjmë me një president që ka vepruar si ‘noter’ i qeverisë.
‘Kemi të bëjmë me një president noter, që thjesht ka noterizuar çdo letër që ka shkuar nga Këshilli i Ministrave dhe nga Edi Rama. Kujtojmë këtu Komisionet Hetimore, që më pas u shpallën antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, e shumë të tjera. Ai i ka shërbyer besnikërisht, sikur të ishte anëtar partie e jo president mbi palët.’
Duke iu referuar situatës aktuale me bashkitë pa kryetarë, Kalemaj u shpreh se, ‘në rastin konkret kemi të bëjmë me një gjë fare të qartë; kemi 6 bashki të cilat kanë mbetur pa kryetar bashkie. Tirana ka 7 muaj pa kryetar bashkie dhe vendosën ta shkarkojmë, megjithëse ishte opozita që kishte kërkuar me ngulm për muaj të tërë shkarkimin e Veliajt për çështje shumë më serioze, si inceneratorët. Në fund të ditës vendosën ta shkarkonin dhe kumti u dha në asamblenë e PS.’
Kalemaj përmendi edhe faktin që Veliaj e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
‘Erion Veliaj sikundër pritej e çoi në Gjykatën Kushtetuese dhe në momentin që kjo gjykatë është shprehur fare qartë, dhe ka dhënë një njoftim publik që e ka pranuar dosjen e Erion Veliajt, hyn në fuqi neni 115 i Kushtetutës dhe ky nen është taksativ.’
Duke komentuar për rolin e Presidentit të Republikës, Kalemaj u shpreh i prerë se, nëse shkel nenin 115, ai shkel Kushtetutën.
‘Nëse ai në kundërshtim me frymën dhe gërmën e nenit 115 të Kushtetutës, nxiton dhe e pranon kërkesën për shpalljen e zgjedhjeve edhe për bashkinë Tiranë krahas bashkive Mat, Cërrik, Berat, Tepelenë dhe Vlorë, aty ka shkelur kushtetutën fare qartë, nëse do guxonte të shkonte deri në ekstrem për të mbrojtur politikisht mazhorancën dhe për t’i bërë një shërbim deri në fund.’
Sipas Kalemajt, një vendim i tillë do të kërkonte zhvillimin e zgjedhjeve brenda një afati të shkurtër:
‘Natyrisht kjo pastaj do të kërkonte që zgjedhjet të zhvillohen brenda 45 ditësh, që i bie deri në mes të nëntorit.’, tha Ilir Kalemaj në SYRI TV.