Tag: kushtetues

  • Spiropali: Do të krijohet drejtori e posaçme për komunikimin mes Kuvendit e KLSH-së

    Spiropali: Do të krijohet drejtori e posaçme për komunikimin mes Kuvendit e KLSH-së

    Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit Arben Shehu ka folur sot nga foltorja e Kuvendit, në 100-vjetorin e institucionit që drejton. “KLSH do qëndrojë besnik ndaj misionit kushtetues, në thelb me interesin e çdo shqiptari. Me përkushtim, parimin e shtetit të së drejtës dhe mirëqeverisjes”, u shpreh ai.
    Pas fjalës së tij, kryeparlamentarja Elisa Spiropali theksoi mbështetjen e plotë të Kuvendit ndaj këtij institucioni.
    “Sot KLSH mbush një shekull jetë. Menjëherë pas themelimit, shteti i pavarur shqiptar bëri përpjekje për institucionin që do merrej me kontrollin e financave të tij. Qeveritë e para nuk ia dolën ta ndërtonin me formatin e një institucioni kushtetues. Vetëm në Republikën e vitit 1925, Këshilli i Financave u krijua. Në sistemin demokratik, u bë organi më i lartë i kontrollit ekonomik. Kuvendi do vazhdojë të mbështesë KLSH-në si institucion kushtetues, një partner për zhvillimin dhe rritjen ekonomike, për mbështetjen e sundimit të ligjit dhe për të përshpejtuar ritmet e integrimit në BE”, deklaroi Spiropali.
    Ajo bëri me dije se në funksion të një bashkëpunimi më të ngushtë mes Kuvendit e KLSH-së, do të krijohet një drejtori e posaçme, shtuar këtu edhe platformën ndërinstitucionale online.
    “Partneriteti ynë do të fuqizohet nëpërmjet një drejtorie të posaçme të dedikuar për komunikim me Kuvendin dhe nënkomisionin, në mënyrë që shkëmbimi i informacionit, trajtimi i raporteve dhe ndjekia e rekomandimeve të bëhen në mënyrën më efikase e të strukturuar. Ky është një zhvillim që duhet përshëndetur pasi po rrit fuqinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, forcon kontrollin demokratik mbi administratën publike dhe përmirëson kulturën e llogaridhënies në të gjitha nivelet e qeverisjes, në funksion të institucioneve më të forta, transparente e më të përgjegjshme ndaj qytetarëve”, theksoi Spiropali.

  • Sinjali ‘Ahmetaj’, a do të ketë guximin Gjykata Kushtetuese të fitojë ‘dinjitetin’ përballë SPAK?

    Sinjali ‘Ahmetaj’, a do të ketë guximin Gjykata Kushtetuese të fitojë ‘dinjitetin’ përballë SPAK?

    Fundjavën e kaluar, Gjykata Kushtetuese rrëzoi për herë të parë një çështje të Prokurorisë së Posaçme, atë që lidhej me sekuestrimin e pronave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, një zhvillim që u pa me çudi nga ekspertë të ligjit, duke mbajtur parasysh se trupa gjyqësore ka dëshmuar në çdo rast përulësi dhe bindje absolute përballë Prokurorisë së Posaçme.

    Të premten 11 Prillit 2025, Gjykata Kushtetuese njoftoi se kishte vendosur shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si edhe asaj të Apelit të Posaçëm, për sekuestrimin e një apartamenti dhe dy llogarive bankare të ish-numrit 2 të qeverisë, në hetim për korrupsion.

    Ndërkohë që vendimi nuk është zbardhur ende, burime mediatike deklarojnë se ai është marrë me një shumicë thuajse absolute të trupës prej 8 gjyqtarësh kushtetues.

    Në një situatë normale, një vendimmarrje e tillë nuk do të përbënte ndonjë habi për opinionin publik, pasi sistemi i drejtësisë në Shqipëri i ka krijuar gjykatat, përfshirë edhe atë Kushtetuese, pikërisht për shqyrtimin në disa shkallë të ankimeve të personave të interesuar.

    Pra, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar parregullsi në procesin e drejtë gjyqësor, një çështje me natyrë kushtetuese, dhe e ka kthyer atë për rishqyrtim në shkallën e parë.

    Por, për një trupë gjyqësore, e cila deri më tani ka treguar një përulësi deri në paturpërsi ndaj qeverisë së Edi Ramës dhe SPAK-ut, vendimi për shfuqizimin e pjesshëm të sekuestrimit të pasurive të Ahmetajt përbën një “lajm”, një gjë të re, të pandodhur më parë.

    Gjykata Kushtetuese është treguar “e bindur” para SPAK-ut, kur rrëzoi kërkesat e Sali Berishës, Fredi Belerit, apo në të tjera raste të ngjashme, nëpërmjet sofizmave juridikë e ligjorë.

    Në raste të tilla, mbrojtësit ligjorë nuk e mbajnë më aspak sekret se ankesat në Gjykatën Kushtetuese i shohin vetëm si një hap të detyrueshëm procedurial që duhet kaluar, para se t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.

    Pikërisht, për këtë qasje të rëndomtë të një shëmice dërrmuese të gjyqtarëve kushtetues, rasti i shfuqizimit të pjesshëm të sekuestrove të Ahmetajt, ka nevojë për një analizë mbi arsyen e “përse-së”.

    Varianti i parë, që vjen më shpejt në logjikë, është që gjykatat më të ulta realisht kanë kryer shkelje proceduriale që nuk kapërdihen. Por, ajo që mund të duket më e logjikshmja, nuk qëndron, referuar shumë rasteve të ngjashme, ku shkeljet mund të kenë qenë flagrante e të dukshme edhe për sy të pasprovuar, dhe Gjykata Kushtetuese ka gjetur gjithnjë forma për të mos cënuar veprimtarinë hetimore të SPAK-ut.

    Variant i dytë mund të shihet si një formë reagimi e Gjykatës Kushtetuese, përballë një vendimmarrjeje absurde të Prokurorisë së Posaçme për të vendosur nën vëzhgim një anëtar të trupës, Gent Ibrahimin.

    Në shkurt të këtij viti, Prokuroria e Posaçme vendosi nën vëzhgim gjyqtarin kushtetues, Gent Ibrahimi, pas dyshimeve se mund të kishte ndërhyrje në zbardhjen e një vendimi, për komunikimet SKY/ECC, ku SPAK-u ishte vetë palë.

    Në një letër të zbuluar nga “Boldnews.al”, Prokuroria e Posaçme mohonte që të kishte vendosur nën hetim gjyqtarë kushtetuese, megjithëse në media u publikua më vonë një dokument i prokurorit Klodian Braho, në të cilën kishte urdhëruar vëzhgimin e gjyqtarit kushtetues.

    Për shumë ekspertë të ligjit, ky rast u konsiderua si veprim abuziv i Prokurorisë së Posaçme, sidomos duke mbajtur parasysh faktin se në atë kohë, Gjykata Kushtetuese e kishte marrë vendimin e saj dhe ndërhyrjet e mundshme nuk përbënin as interes, as nuk ndryshonin gjë.

    Por, ai veprim i SPAK-ut duket se ka bërë që gjyqtarët kushtetues t’i thërrasin mendjes. Ata kanë përkëdhelur, shpesh pa të drejtë dhe me përulësi flagrante, një krijesë, e cila tashmë i ka lejuar veten që të vendosë nën hetim, përgjim apo vëzhgim, këdo gjyqtar, për të cilin mund të kenë një minimum dyshimi, të arsyeshëm ose jo, se nuk ndan të njëjtin qëndrim me SPAK-un.

    Edhe nëse vendimi për sekuestrot e pasurive të Arben Ahmetajt është një veprim instiktiv, reagues dhe vetëmbrojtës, përsëri nuk është se nderon trupën e Gjykatës Kushtetuese.

    Ata 8 njerëz në detyrë, të cilët, në shumicë absolute, kanë dëshmuar vetëm vasalitetin e tyre, kanë shansin që të kthehen në normalitetin juridik. Por, në radhë të parë duhet të tregojnë se kanë guximin që të fitojnë dinjitetin e tyre para atyre kërkesave të SPAK-ut, por edhe të Edi Ramës, të cilat shkojnë në të kundërt me logjikën ligjore dhe kushtetuese./Boldnews.al

  • Hungaria miraton amendament kushtetues që ndalon ngjarjet LGBTQ+ dhe kufizon të drejtat në emër të mbrojtjes së fëmijëve

    Hungaria miraton amendament kushtetues që ndalon ngjarjet LGBTQ+ dhe kufizon të drejtat në emër të mbrojtjes së fëmijëve

    Parlamenti i Hungarisë ka miratuar një amendament të ri kushtetues që u jep përparësi të drejtave të fëmijëve për zhvillim moral, fizik dhe shpirtëror ndaj çdo të drejte tjetër, përveç të drejtës për jetën. Në praktikë, kjo nismë i jep qeverisë kompetencë të ndalojë ngjarje publike si ato të organizuara nga komuniteti LGBTQ+, përfshirë dhe paradën tradicionale Pride në Budapest, e cila tërheq mijëra vizitorë çdo vit.

    Amendamenti u propozua nga koalicioni qeverisës Fidesz-KDNP i udhëhequr nga kryeministri Viktor Orbán dhe kaloi në parlament me 140 vota pro dhe 21 kundër. Ai kodifikon një ligj të miratuar më herët këtë vit, i cili ndalon ngjarjet publike të komuniteteve LGBTQ+ dhe autorizon përdorimin e teknologjisë për njohjen e fytyrës për të identifikuar pjesëmarrësit, duke i gjobitur deri në 200,000 forinta hungareze (rreth 481 euro).

    Përpara votimit, deputetët e opozitës dhe protestues të ndryshëm u përpoqën të bllokonin hyrjen në parlament, ndërsa përdorën edhe boritë e ajrit për të penguar zhvillimin e votimit. Policia ndërhyri duke larguar demonstruesit me forcë, ndërkohë që disa ligjvënës opozitarë, si Dávid Bedő i partisë Momentum, e quajtën këtë ndryshim një hap tjetër drejt autoritarizmit. Sipas tij, Orbán po përshpejton çmontimin e demokracisë ndërsa afrohen zgjedhjet e vitit 2026.

    Amendamenti përcakton gjithashtu se kushtetuta e Hungarisë njeh vetëm dy gjini — mashkull dhe femër — një zgjerim i rregullave ekzistuese që ndalojnë birësimin nga çiftet e të njëjtit seks. Ky përkufizim kushtetues përjashton identitetet gjinore të personave transgjinorë dhe interseks, duke i lënë ata jashtë mbrojtjes ligjore dhe njohjes institucionale.

    Gjithashtu, ndryshimi kushtetues parashikon pezullimin e shtetësisë për qytetarët me shtetësi të dyfishtë nëse konsiderohen kërcënim për rendin publik apo sigurinë kombëtare. Qeveria e Hungarisë e ka arsyetuar këtë si një përpjekje për të mbrojtur sovranitetin kombëtar nga ndikimet e huaja. Kritikët, nga ana tjetër, e kanë cilësuar si një përpjekje për të frikësuar kritikët dhe për të përforcuar pushtetin autoritar të Orbánit përmes propagandës dhe përjashtimit të grupeve vulnerabël nga jeta publike.