Tag: kursyera

  • Taksat e mjeteve tani mund të paguhen online në e-Albania

    Taksat e mjeteve tani mund të paguhen online në e-Albania

    Qytetarët shqiptarë kanë tashmë mundësinë të kryejnë pagesën e taksave të mjeteve online, përmes portalit qeveritar e-Albania, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht pranë sporteleve. Lajmi u bë i ditur këtë të martë, më 30 shtator, nga kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.
    “MIRËMËNGJES dhe me një tjetër shërbim të ri, që nis nga sot, pagesa e taksave të mjeteve ONLINE në e-Albania, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama, duke shoqëruar postimin me një video informuese.

    Ky shërbim i ri është rezultat i bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe Bankës Kombëtare Tregtare (BKT). Për herë të parë, qytetarët mund të paguajnë taksat e mjeteve me disa klikime, duke eliminuar kostot shtesë të kohës dhe udhëtimit. Sipas të dhënave të paraqitura në viden e publikuar nga kryeministri, implementimi i kësaj risie sjell përfitime konkrete:
    57 milionë e 965 mijë e 408 lekë të kursyera nga qytetarët
    11 mijë e 501 ditë pune të kursyera në total
    4 milionë e 731 mijë e 870 kilometra udhëtime të shmangura
    331 mijë e 231 litra karburant të kursyera
    Ky zhvillim është pjesë e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të zgjeruar qasjen ndaj shërbimeve publike online dhe për të reduktuar ndërveprimet fizike mes qytetarëve dhe sporteleve, një objektiv i rëndësishëm në kuadër të reformës së digjitalizimit të administratës publike.

  • Shqipëria me dy realitete, depozita rekord në banka nga disa, varfëri në xhepa për shumë të tjerë

    Shqipëria me dy realitete, depozita rekord në banka nga disa, varfëri në xhepa për shumë të tjerë

    Të varfër, por me kursime në banka. Në një kohë që gati gjysma e popullsisë kanë në xhepa më pak se 550 lekë për të shpenzuar në ditë, depozitat në banka kanë arritur në nivelet më të larta që prej viteve ‘90.
    Në fund të majit, paratë e kursyera arritën në gati 1.4 trilionë lekë, 8.5 miliardë lekë më tepër se në prill,.
    Leons Hasani, ekspert për ekonominë, shprehet: “Vitet e fundit kemi një rritje të pagave, por edhe remitancave. Kjo ka sjellë këtë situatë. Ndërkohë, kemi edhe inflacionin. Kryesisht po zhvlerësohen të ardhurat e familjeve në veri të vendit, që presin më shumë dërgesa emigrantësh. Ndryshe ndodh në Korçë apo Durrës”.
    Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se me gjithë zhvlerësimin, euro është valuta kryesore në të cilën shqiptarët mbajnë kursimet e tyre. Në 11 bankat e nivelit të dytë në fund të majit pati mbi 7.5 miliardë euro të kursyera.
    Xhonsila Hoxha, eksperte e ekonomisë, thotë për A2: “Kjo pasi ka shumë të rinj veçanërisht që të ardhurat e tyre i kanë në euro. Janë ata që kanë aftësinë më të madhe për të kursyer që punojnë në kompani të huaja”.
    Por, situata nuk përputhet tërësisht me atë që shqiptarët thonë.
    “Unë punoj dhe ha, nuk kam kursime. Nuk na del për të kursyer. Kurse sot e kurse nesër, nuk kemi çfarë bëjmë… Në këtë vend jemi. Nuk del dot jashtë kornizës. Nuk kemi ndonjë buxhet për të kursyer. Nuk na del”, thonë disa qytetarë.
    Shqiptarët patën gati 1.3 trilionë lekë të kursyera në banka në fund të vitit, por pjesa më e madhe e këtyre parave iu përkasin vetëm pak individëve. Të dhënat nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave tregojnë se më shumë se gjysma, gati 739 miliardë lekë, zotëroheshin nga vetëm 5% e qytetarëve.
    Agjencia nxjerr në pah gjithashtu se pak më shumë se 1.7 milionë llogari kanë deri në 2.5 milionë lekë, ndërsa gati 950 mijë prej këtyre depozitave janë bosh, pra kanë më pak se 100 lekë në gjendje.

  • “11 maji” kap gushtin, Celibashi: 3 milionë euro kursim nga vota diasporës

    “11 maji” kap gushtin, Celibashi: 3 milionë euro kursim nga vota diasporës

    Ilirjan Celibashi zbuloi se si do të vijojë saga e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Procesi i ankimimeve me vendimet për rinumërime kishte krijuar disa të panjohura, që kërkonin informacion nga KQZ.
    “E gjithë procedura do të marri të paktën për qarkun e Tiranës dhe të Fierit, do të marrë ndërmjet 18-20ditë dhe duket që të paktën edhe gjysma e parë e muajt gusht do të na gjejë të angazhuar me procesin zgjedhor të 11 majit”, tha Celibashi.
    Rinumërimit nuk do të ndodhë pa kosto, pasi krahas stafit të KQZ, do të ketë edhe kontraktime të përkohshme, por Celibashi tha se në finale ka arritur të kursejë shuma të konsiderueshme nga taksat e qytetarëve.
    “KQZ nuk do të kërkoj fonde shtesë për këtë proces. kemi kursyer mjaftueshëm fonde nga kontrata që kemi me operatorin e shërbimit postar”, tha Celibashi.
    Paratë e kursyera për shkak të moszbatimittë kontratës nga operatori postar për votimin nga jashtë, sipas Celibashit nuk do të thotë se nuk janë respektuar standardet për votën e diasporës, shkruan A2 CNN.
    “Sa para keni kursyer nga kontrata me DHL dhe këto para të kursyera do të thonë se procesi nuk ka shkuar mirë, ka shkuar keq?  Procesi i votimit nga jashtë ka shkuar shumë mirë. I kuptoj pretendimet e kujtdo subjekti zgjedhor në lidhje me këtë proces, pa patur problematika. Por duke i kalkuluar edhe efektin e këtyre problematikave, procesi i votimi nga jashtë është zhvilluar në mënyrë model. Nëse nuk gaboj janë tek rreth 3 milion euro të kursyera”, u shpreh kreu i KQZ.
    Problematikat me procesin e votimit nga jashtë, veçanërisht Greqisë, janë pjesë e argumenteve me të cilat opozita kërkon pavlefshmëri zgjedhore, por numerikisht, fletët e mbërritura nga fqinji ynë jugor, nuk prodhuan asnjë ndryshim mandati.