Tag: kurse

  • Fundoset çifti shqiptar që drejtonte rrjetin e kokainës, në pranga 32-vjeçari, nën akuzë 24-vjeçarja! ‘Biznesi’ bëhej me mesazhe e foto

    Fundoset çifti shqiptar që drejtonte rrjetin e kokainës, në pranga 32-vjeçari, nën akuzë 24-vjeçarja! ‘Biznesi’ bëhej me mesazhe e foto

    Çmontohet grupi i shpërndarjes së kokainës në Fermo, mes të arrestuarve dhe akuzuarve edhe një çift shqiptarësh.
    Policia italiane ka finalizuar një aksion që kishte nisur muaj më herët me disa goditje radhazi të aktivitetit, me total mbi 1 kg kokainë të sekuestruar dhe disa të arrestuar. Së fundmi janë kapur një 32-vjeçar shqiptar dhe një italo-argjentinas 41-vjeçar. Kurse nën akuzë u mor edhe një 24-vjeçare shqiptare, anëtare e grupit të shpërndarësve.
    Nga hetimet e deritanishme rezulton se organizata bënte shpërndarjen tek klientët pasi komunikonte dhe dërgonte me mesazhe apo foto vendet e takimit, kurse dozat shkonin deri në 1 gram. Policia tha se tre të dyshuarit akuzohen si drejtuesit e rrjetit të shpërndarjes në zonën Lido Tre Archi dhe gjithashtu në Lido di Fermo.
    Pas vëzhgimit dhe përgjimit, agjentët arritën deri tek të arrestuarit duke i gjurmuar. Shume prej klientëve vinin nga jashtë rajonit të Fermos, në zonën e plazhuit, 2-3 herë në javë, për të blerë mallin.
    Së fundmi ishte kapur një shpërndarës me 30 doza kokainë pranë lulishtes së qytetit. Kurse në një rast tjetër hetuesit sekuestruan një shportë që po zbritej nga pallati në ballkonin e një apartamenti, ku gjendeshin një sasi valute dhe që u shkëmbye me një sasi droge.
    Në total është kapur të paktën 1 kg kokainë gjatë aksioneve dhe hetimet vijojnë.

  • Pabarazia në Shqipëri dhe rezistenca e “elitave”

    Pabarazia në Shqipëri dhe rezistenca e “elitave”

    Nga Ben Andoni
    Shqipëria është vendi ku pabarazia të godet në çdo moment dhe të prek ngado. Goditjet e viteve të fundit të SPAK-ut dhe sekuestrimet e shumave të mëdha të parave janë vetëm një dritare, ku ne shohim të materializuar pabarazinë skajore në vend. Pasuri të frikshme të krimit (pjesa më e madhe ardhur nga hiçi) dhe të zyrtarëve, të cilat nuk justifikohen dot as me moshën, rrogat, përfitimet e as me tagrin shtetëror dhe as me punët e nivelin intelektual, na përplasen para syve për çdo ditë. Të kërkosh barazinë e mundësive në Shqipëri është po kaq paradoksale saç ndodhi me pak individë nga klasat e të pasurve që kërkonin mirëkuptim nga regjimi komunist i pas Luftës së Dytë Botërore. Drejtorokracia që e goditi kryeministri me një hyrje alla Ramë ishte një aspekt se ku arrin sot papërgjegjshmëria por edhe të shtang papërgjegjshmëria dhe pasuria e ofiqarëve të administratës. Kësaj i shtohet luksi fals i vajzave dhe njerëzve të show dhe i çdo lloj turboje tjetër që na e përshfaq pabarazinë në një aspekt tjetër, ku krimi jeton me hilen, shfaqjen kallpe në media dhe kinse pasurinë e vajzave që na presin rrugën çdo ditë në kryeqytet me super makinat. Kjo e fundit është modeli më i ndyrë (fryrë dhe nga kolegë), kur mendon përkorja e shoqërisë shqiptare dhe sakrificën e madhe të brezave të tërë shqiptarësh për një lloj barazie dhe demokracie. Në fakt, studiuesi Piketty e pranon se është rrugë e gjatë për vendosjen e barazisë, por ndërsa në vende ku kapitali është zot kërkon aksione të mëdha emancipuese nga pushteti dhe përpjekje të vazhdueshme nga poshtë prej popullit, tek ne po triumfon anarkia dhe mungesa e çdo lloj morali dhe mungesa e angazhimeve. Padrejtësia është kudo. Barazia pakkund.
    “Kërkimi i demokracisë ideale, që nuk është gjë tjetër veçse prirje drejt barazisë politike, prirje drejt barazisë në të gjithë format e saj (sociale, ekonomike, arsimore, kulturore, politike) është një proces ende në vazhdim dhe i papërfunduar”, shkruan tek “Histori e shkurtër e Barazisë”, Thomas Piketty.
    Shqetësimi për vendin, ku po jetojmë, lidhet me mënyrën sesi po ndahet pasuria por edhe pse jeta e njerëzve të thjeshtë dhe e klasës së mesme po bëhet kaq e vështirë. Ndaj largimi në masë është vetëm një aspekt, kurse apatia e përgjithshme dhe humbja e shpresës e bëjnë një nga kombet më vitalë dhe ish-rinorë si Shqipëria tashmë të kërruset krejt nga dhimbja. Ekonomistët e vendosin thelbin te sistemi fiskal, politikanët te reformat ndaj informalitetit dhe ndihmës për turizmin dhe infrastrukturën, që çdo vit po zhgënjejnë. Për këtë të fundit të mjafton realiteti i shkuarjes në Shkodër të kuptosh paradokset, por Rama dhe të tijët vazhdojnë me ëndrrën evropiane të vitit 2030, kurse opozita është dorëzuar tashmë edhe në narrativë. Cinizmin e dorëzimit e gjen tek deputetët e saj në parlamentin e ri që e shprehin hapur, madje edhe me një sintaksë të mjerë rrugësh.
    Paradoksalisht, ekonomia rritet ndërsa pabarazia po ashtu. Statisticienët e dinë mirë se PBB-ja s’është tregues absolut për zhvillimin. Të dhënat e fundit nga Eurostat e ngrenë edhe më shumë alarmin: Shqipëria rreshtohet në vendin e parë në Evropë për përqindjen e popullsisë në rrezik varfërie dhe përjashtimin e thellë social. Rreth 42% e popullsisë shqiptare (referim i vitit 2023), “pothuaj mbi 1 milion qytetarë jetojnë në kushte të varfërisë së rëndë, të paaftë për të përballuar të paktën 7 nga 13 tregues të privimit ekonomik dhe social, si pagesat e qirasë apo kredive, pushimet minimale vjetore, ushqimi bazë, ngrohja, ose ndërrimi i mobilieve të vjetra”, referon Altax.al. Në të njëjtin vlerësim, situata është tejet e vështirë për ne krahasuar me vendet e tjera në Ballkan: Mali i Zi (34.1%), Maqedonia e Veriut (32.6%), Serbia (30%) – shifra që tregojnë se Shqipëria e ka imediate rikonceptimin rrënjësor të politikave ekonomike dhe fiskale. Po ashtu, vendi ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm dhe jo si më sot me pa barazi të theksuar, me mungesë reformash dhe me një sistem fiskal që shpërndan jo drejt, mendojnë specialistët. Këta të fundit theksojnë se: vendi ynë mbetet një shembull domethënës i një sistemi fiskal që, në vend t’i zbusë pabarazitë, shpesh i përforcon. Referuar raportit “Barra Tatimore në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor 2024”, vendi ynë ka një nga strukturat më regresive të taksimit në rajon, me një ndikim modest në uljen e pabarazisë dhe varfërisë. Kësaj i shtohet informaliteti në çdo gjë dhe pasiguria në tregun e punës. Të mendosh se edhe në institucione shtetërore, punonjësi nuk merr pagesat siç duhet (Referimet për Air Albania mes të tjerave) konform kontratave, atëherë kupton se pabarazia në Shqipëri është tashmë një normalitet. Dhe, kësaj i bashkohet kaosi sesi po menaxhohet vendi ynë ose mungesa e prioriteteve: Nuk merr fund problemi i ujit të pijshëm në vend që me ngrohjen globale do përcjellë edhe më shumë vështirësi për popullatën, veçanërisht atë të varfrën. Betonizimi i madh i kryeqytetit dhe i disa qyteteve kryesore po zhduk çdo individualitet të Tiranës & Co; kurse zvogëlimi i hapësirave të gjelbra po manifestohet në shëndetin e jetës së përditshme; kanalizimet dhe përpunimi biologjik i ujërave të zeza mbeten më shumë se shqetësim; ndotja e ajrit në Tiranë dhe qytetet kryesore ka kuota alarmante; kurse ndotja akustike në Tiranë ka kapur nivele të paimagjinueshme, madje edhe në orët e shenjta të prehjes biologjike (natën se dreka nuk llogaritet më); shtojmë mbrojtjen e lumenjve nga inertet dhe derdhjen e tyre në Adriatik; e shtuar edhe akset kryesore të vendit të amortizuara frikshëm…Të gjitha (ka edhe më) si faktorë peshojnë në këtë pabarazi të madhe.
    Pabarazia e të ardhurave në vendet e Evropës Lindore është kudo e dukshme, por ndryshon me vende si Shqipëria dhe Kosova që e përjetojnë këtë në nivele më të larta se të tjerat. Starti demokratik pas komunizmit nuk ishte i njëllojtë, kurse kudo u pa një rritje e pabarazisë së të ardhurave ndërsa ekonomitë e tregut u zhvilluan. Qeverisja e atëhershme e PD-së ka lënë ende pasoja që qeverisjet socialiste i shumëfishuan. Ndërkohë është e habitshme se vende me elita politike shoqërore, që kanë treguar probleme, siç është rasti i Bullgarisë dhe Rumanisë kanë pabarazi më të lartë, krahasuar me vende të tjera më të kujdesshme si Sllovakia dhe Çekia, të cilat ruajnë nivele relativisht më të ulëta pabarazie. Literatura rreshton një sërë faktorësh të tillë si: zhvillimi ekonomik, globalizimi dhe forca e shteteve të mirëqenies sociale që ndikojnë në këto trende.
    Në të gjithë qerthullin shqetësuese mbetet mënyra sesi po sillet elita jonë politiko-sociale, ku për 35 vite u soll shumë keq me rishpërndarjen e pronës, një proces kompleks i ndikuar dhe nga momenti historik, manovrimet politike, të cilat kanë lënë me gisht në gojë shumë nga pronarët realë. Pasojat mijëra të vrarë. Ndërkohë që një sërë nga kinse elitat tona shfrytëzuan paqartësitë dhe boshllëqet ligjore për të mbrojtur asetet e tyre ekzistuese ose për të fituar të reja gjatë privatizimit, shpesh në kurriz të përfitimeve më të gjera shoqërore. I kemi pasur para syve sesi, manovra strategjike dhe ndikimi politik shpesh çuan në korrupsion dhe nepotizëm, ku shumë nga “elitat” përfituan dukshëm në kurriz të publikut. Ndërkohë, Shqipëria vazhdon ende deri me problemet me regjistrimin e pronës, pretendimet e mbivendosjes të tokës dhe mospërputhjet midis bazave të të dhënave të tokës. Por zgjidhja shpesh komplikohet, kurse trashëgimia e kësaj rezistence të elitës së sotme vazhdon ta formësojë peizazhin socio-ekonomik të rajonit, në një trend që e gjen në literaturë edhe për vende të tjera të Ballkanit.
    Shqipëria politike (dhe prej më pak se 20 vitesh dhe Kosova) duhet ta lerë argumentimin bosh të politikanëve dhe të rrugëtojnë drejt barazisë, po për këtë i duhet shteti social dhe taksimi progresiv, bash gjëra që klasa politike “bën sikur nuk i di”. Ndërkohë, duhet të jetë pak më e kujdesshme me kinse pasunarët, të cilët po përfundojnë në SPAK dhe sidomos indiferencën ndaj barazisë. Atë që na shfaq një klasë të pamëshirë ndaj dy klasave të tjera dhe rezistencën e një kinse elite që ka mbërthyer gjithçka në vend. (Homo Albanicus)
     

  • Rexhep Qosja: Poetika e demagogjisë

    Rexhep Qosja: Poetika e demagogjisë

    Rexhep Qosja

    Demagogjia, si sëmurje shoqërore, gjithmonë zhvillohet në dëmin e shëndetit të shoqërisë; një ves, sikundër edhe një degë e ekonomisë, mund të përparojë më shumë vetëm në dëm të virtyteve, respektivisht të degëve të tjera ekonomike. Në qoftë se i besojmë kësaj logjike fiziologjike dhe ekonomike, atëherë duhet ta kemi pak a shumë më të qartë pse në mjediset e prapambetura (çfarë është, fjala vjen, Kosova) ka më shumë demagogë të shkathët se gojtarë të talentuar, më shumë fraza të thata, gjeste ekspresive, sjellje dhe të bëra demagogjike se sa mendime të thella, të rëndësishme,që i ngrisin dhe frymëzojnë pozitivisht qytetarët e tjerë. Përse demagogjia mund të përparojë ashtu shpejt në mjediset e prapambetura?

    Nga Rexhep Qosja

    Mësuesi dhe teoriku më i shquar i oratorisë, Mark Fabie Kuintiliani, ka vënë në dukje në librin e dymbëdhjetë të veprës së tij të njohur, Edukimi i oratorit, se prirja e gojtarisë është dhurata më e çmuar, me të cilën perënditë e pavdekshëm e kanë dhuruar njeriun. Ky pedagog dhe teorik i famshëm, që me veprën e vet për disa shekuj e ka drejtuar mendimin mbi gojtarinë, nuk është kujdesur të mirret edhe me studimin e një dhurate tjetër, por të padëshiruar, me të cilën perënditë e vdekshëm janë kujdesur ta dhurojnë një pjesë të mirë të gojtarëve dhe, madje, të gjinisë njerëzore: me demagogjinë. Megjithëse nëpër gjithë veprën e tij e ka theksuar me patos të vërtetë rëndësinë e sinqeritetit, të nderit dhe të karakterit të fortë të gojtarit, duke e pasur gjithnjë parasysh dëmin e madh që mund t’i sjellë shoqërisë gojtaria e njerëzve të pandershëm, ai sikur nuk e ka quajtur të nevojshme t’i studjojë vetitë, prirjet dhe shkathtësitë e demagogëve, e as fenomenin e demagogjisë në shoqëri.Sikundër është gojtaria prirje e rrallë e disa njerëzve të rrallë, po ashtu është edhe demagogjia prirje e shpeshtë e disa njerëzve të shpeshtë, që mund të jenë, zakonisht,edhe gojtarë të mrekullueshëm, por, në qoftë se prirja e gojtarisë kërkon aftësinë që të flitet bukur, argumentueshëm dhe bindshëm, prirja e demagogjisë kërkon edhe një sërëshkathtësishë të tjera, prej të cilave gojtari i ndershëm është doemos i çliruar. Në të vërtetë, për demagogun prirja e gojtarisë është vetëm një ventil nëpër të cilin manifestohen lirisht dhe efektivisht shkathtësitë, dredhitë dhe ambicjet e tij të errëta dhe në këtë pikëpamje duhet parë ndryshimin kryesor ndërmjet gojtarit të sinqertë dhe demagogut të rrezikshëm.Në historinë e popujve evropianë mund të gjenden mjaft shëmbëlla që dëshmojnë se disa individë nuk do të ja kishin dalë në krye të krijojnë kariera të larta politike, shoqërore dhe shtetërore sikur prirjen e tyre prej oratori mos ta kishin shoqëruar edhe një varg shkathtësishë të tjera, që i karakterizojnë vetëm demagogët.Ka njerëz që pandehin, dhe thonë se të gjithë popujt nuk janë njësoj elokuentë e gojtarë dhe këso mendimesh shfaqin ata që, si duket, nuk janë vetë gojtarë të mirë apo vuajnë prej disa paragjykimesh raciste. Nuk ka dyshim se këto pohime mbështeten në përgjithësimin e përvojës individuale, subjektive, prandaj edhe duhet të flaken si të pavërteta për shkak se mund të quhet e sigurtë se të gjithë popujt janë njësoj të aftë të japin gojtarë të shquar apo demagogë të shkathët. Atij që do të pohonte, për shembëll, se shqiptarët nuk janë gojtarë të mirë do të mund t’i thuhej se fjalimet politike që Fan Noli ka mbajtur qoftë para zgjedhësve ose anëtarëve të parlamentit shqiptar në vitin 1924, qoftë para Kombeve të Bashkuara janë të denja tëhyjnë në secilën antologji të fjalimeve të oratorëve më të mëdhenj të botës.Është e pamohueshme, ndërkaq, se popujt e vegjël gjatë shumë shekujsh nuk kanë pasur kushte të përshtatshme ta manifestojnë lirisht dhe plotësisht prirjen e tyre oratorike. Duke filluar prej Mesjetës e këndej, kulturat e disave prej këtyre popujve janë krijuar në kushte të veçanta sulmesh dhe robërie, që e kanë penguar zhvillimin normal dhe të pandërprerje edhe të gojtarisë së tyre. Sikundër është e njohur, gojtaria kultivohet dhe zhvillohet nëpër shkollat,universitetet, institucionet shtetërore, nëpër tribunat e ndryshme politike, juridike, shkencore, artistike e të tjera, që këta popuj nuk i kanë pasur gjer vonë për arësye se nuk kanë pasur lirinë, pavarësinë dhe shtetet e tyre kombëtare.Po kjo nuk do të thotë se në mungesë të kushteve që ta shfaqin lirisht elokuencën dhe prirjen e tyre të gojtarisë si dhe të nxjerrin ndonjë gojtar të dalluar, ata nuk kanë mundur të nxjerrin ndonjë demagog të dalluar dhe nuk janë ballafaquar me dukurinë e demagogjisë, që u ka sjellë të këqia poaq sa edhe vetë pushtuesit e huaj.Në qoftë se, megjithatë, demagogjia (dhe gojtaria) ndër këta popuj nuk ka lulëzuar në masën në të cilën ka lulëzuar ndër popujt e tjerë të lirë, nuk mund të thuhet se në pikëpamje të kësaj shkathtësie të vegjlit qëndrojnë edhe sot e gjithë ditën pas të mëdhenjve. Demagogjia nuk kërkon investime sikundër kërkojnë ekonomia, arësimi, kultura dhe shkenca; ajo zhvillohet vetë dhe, madje, me hov të madh teksa t’i krijohen kushtet e volitshme shoqërore, sociale dhe politike; ajo mund të financohet prej vetëvetes,ashtu sikundër e financojnë vetëveten të gjitha sëmurjet infektive dhe të ushqehet prej vetëvetes, ashtu sikundër ushqehet devja prej gungës së vet. Nuk është çudi, prandaj,pse përkundër ekonomisë, arësimit, kulturës dhe shkencës së vendeve të vogla, që janë shumë mbrapa ekonomisë, arësimit, kulturës dhe shkencës së vendeve të mëdha, demagogjia në mjediset e të parave, pa dyshim, e ka zënë ritmin e zhvillimit të demagogjisë në mjediset e të dytëve.Demagogjia, si sëmurje shoqërore, gjithmonë zhvillohet në dëmin e shëndetit të shoqërisë; një ves, sikundër edhe një degë e ekonomisë, mund të përparojë më shumë vetëm në dëm të virtyteve, respektivisht të degëve të tjera ekonomike. Në qoftë se i besojmë kësaj logjike fiziologjike dhe ekonomike, atëherë duhet ta kemi pak a shumë më të qartë pse në mjediset e prapambetura (çfarë është, fjala vjen, Kosova) ka më shumë demagogë të shkathët se gojtarë të talentuar, më shumë fraza të thata, gjeste ekspresive, sjellje dhe të bëra demagogjike se sa mendime të thella, të rëndësishme,që i ngrisin dhe frymëzojnë pozitivisht qytetarët e tjerë. Përse demagogjia mund të përparojë ashtu shpejt në mjediset e prapambetura?Me ndryshim prej mjediseve të përparuara, ku qytetarët janë më të ngritur, më të arësimuar, prandaj edhe më të pregatitur shpirtërisht që ta dallojnë gojtarin e ndershëmprej demagogut perfid, në mjediset e prapambetura demagogjia mund të lulëzojë më shpejt për shkak se qytetarët janë më të paemancipuar dhe u nënshtrohen lehtë kultevedhe autoriteteve të rrejshme.Fusha vepruese e demagogëve në këto mjedise është shumë më e gjerë, prandaj, duke iaktivizuar lirisht të gjitha shkathtësitë e tyre, i sendërtojnë më suksesshëm qëllimet e tyre të dëmshme. Armët kryesore të demagogut: fraza, sharmi artificial, vetëmohimi i rrejshëm, autoriteti i përkohshëm dhe, në fund, lidhjet e gjera në nivele të larta këtu tregohen shumë më efektive se tjetërkund.Mund të pohohet jo pa të drejtë se lulëzimi i demagogjisë në këto mjedise përputhet me lulëzimin e demagogjisë në botën e sotme përgjithsisht dhe është një stil universal në jetën shoqërore dhe politike të njerëzve ashtu sikundër është bërë një stil universal edhe ndërtimi në arkitekturë.Krahas përsosjes së sistemeve shtetërore, të pasurimit të formave të marrëdhënjeve shoqërore, të shtimit të mundësive të shprehjes së njerëzve, në njërën anë, kurse të zhdukjes së disa normave tradicionale e të mungesës së disa normave të reja themelore etike, në anën tjetër, janë shtuar shumë edhe mundësitë e përhapjes së vetë demagogjisë.Përhapjen e kësaj dukurie e favorizon njëkohësisht edhe vetë situata historike dhe shoqërore: përvoja ka treguar se demagogjia lulëzon posaçërisht suksesshëm në momentet e ngarkuara me probleme shoqërore, politike dhe sociale; në momentet e kthesave të parandjera, kur të gjithë njerëzit ndjejnë një pasiguri dhe përpiqen të grabisin sa më shumë për nesër; në momentet jostabile historike, kur shpërthejnëambicje dhe pasione të ndryshme. Konteksti shoqëror, social dhe politik, pra, është një prej faktorëve të dorës së parë që e stimulon lulëzimin e demagogjisë.Sot nuk mund të flitet më për një demagogji klasike as për demagogë të tipit klasik, megjithëse esenca e demagogjisë mbetet gjithmonë e njëjtë. Demagogjia është modernizuar sikundër letërsia, sikundër piktura, sikundër muzika, kurse demagogët u janë përshtatur kushteve të reja të jetës dhe hutimeve të reja të njerëzve.Me ndryshimin e formave të marrëdhënjeve ndërmjet njerëzve, kanë ndryshuar edhe format e jashtme të demagogjisë dhe strategjia e demagogëve. Njeriut të ndershëm sot i duhet një kujdes i veçantë vrojtimi, një njohje e mirë e situatës aktuale shoqërore, sociale dhe politike, një intuitë e njohjes së tipeve dhe karaktereve të njerëzve që të dallojë llafazanin e pafajshëm prej demagogut tëshkathët, idealistin naiv prej egoistit të pangopshëm, sharlatanin qesharak prej sadistit të vetëdijshëm, injorantin prej mendtarit, strategun prej oportunistit, njeriun e vendosur, të ndershëm prej poltronit, që hiqet zvarë si kobrat afrikane. Dhe është vështirë t’i dallojë për shkak se në këtë kohë të integrimeve të punës dhe të interesave të njerëzve të grupeve dhe shtresave të ndryshme si oratori i sinqertë ashtu edhe demagogu i rrezikshëm marrin pjesë nëpër të njëjtat mbledhje të organizatave shoqërore, të organizatave ekonomike, të kolektiveve shkencore, arësimore, kulturore, e të tjera. Ata, madje, mund t’i shfrytëzojnë me të njëjtën të drejtë dhe të njëjtin sukses mjetet e ndryshme të informimit sikundër janë shtypi, radioja, televizioni, e të tjera. Demagogjia, me një fjalë, ka zbritur edhe poshtë, në masën. Për këto arësye duhet ditur çka e dallon demagogjinë prej gojtarisë, gojtarin prej demagogut.Përkundër gojtarit, që gjithmonë është indiferent ndaj interesave të ngushta, vetiake, për arësye se aspiron të shprehë vullnetin dhe ndjenjat e përgjithshme, demagogu, po ashtu, aspiron të shprehë vullnetin dhe ndjenjat e përgjithshme, por duke menduar në radhë të parë për veten dhe interesat vetiake. Gojtari përpiqet të ngadhnjejnë idetë, bindjet e tij, që janë ide dhe bindje që prezentojnë interesat kolektive, kurse demagogu përpiqet të ngadhnjejnë idetë e zbrazta, që përfaqësojnë vetëm interesat e tij ose të grupit të njerëzve rreth tij.Gojtari mbron të vërtetën dhe të drejtën e përgjithshme sociale, shoqërore, kombëtare apo, më në fund, njerëzore, kurse demagogu mbron gënjeshtrën që shfaqet me etiketën e së vërtetës dhe të drejtës kolektive. Gojtari është i gatshëm të flijohet në emër të drejtës dhe të së vërtetës që mbron, ashtu sikundër janë flijuar, apo treguar të gatshëm të flijohen, Jan Husi, Xhordano Bruno, Luçilio Vanini e shumë të tjerë, kurse demagogutërhiqet teksa të gjendet në situatë të rrezikshme. Gojtari me oratori shtron platformën e perspektivës së popullit, kurse demagogu me fraza ndërton trambolinën e perspektivës së tij.Gojtari është një luftëtar që shkon në betejë, i vetëdijshëm se në fushën e luftës mund të vritet, kurse demagogu është një dasmor, që shkon në dasmë i bindur se do të dëfrehet mirë.Gojtari është ideolog i ndershëm, kurse demagogu është oportunist i gatshëm.Gojtari është moralist, që edukon popullin, kurse demagogu është kodosh social, që kobon popullin.Gojtari i mirë është mendar, kurse demagogu është sharlatan.Gojtari është altruist, kurse demagogu është mizantrop.Gojtari është demokrat, kurse demagogu është diktator në shpirt.Gojtari mendon për qëllimin poaq sa edhe për cilësinë e mjeteve me të cilat do ta sendërtojë atë qëllim, kurse demagogu interesohet vetëm për qëllimin duke mos menduar për çfarësinë e mjeteve që do të përdorë në realizimin e tij.Nuk ka demagog që nuk i përmbahet parimit të njohur makiavelist: qëllimi gjithmonë i arësyeton mjetet.Demagogu është i gatshëm që gjer tek majet e famës dhe të interesit të ngjitet duke shkelur nëpër shkallët e nderit, të interesit dhe të meritave të të tjerëve; shkallë të ngjitjes së demagogut mund të jenë, madje edhe kufomat e sivëllezërve të tij. Për demagogun njerëzit e tjerë janë grumbuj të thjeshtë termitesh, që mund t’i djegë me ujë të valë apo t’i shtypë me thembër sa herë i shfaqet nevoja. Në horizontin e tij të ngushtë demagogu sheh ose vetëm karrigën në të cilën do të ulet, ose vetëm aureolën e famës me të cilën do të jetë i mbështjellë, ose vetëm kuletën, të cilën do ta mbushë, ose vetëm fuqinë, të cilën do ta shfrytëzojë për manipulimin e të tjerëve, ose, sikundër ngjet jo rrallë, të gjitha këto bashkarisht. Kjo do të thotë se ashtu sikundër mund të kenë ambicje, aftësi dhe pasione të ndryshme, po ashtu demagogët mund të zbatojnë edhe strategji të ndryshme. Është e kuptueshme, prandaj, pse mund të flitet për demagogë të mëdhenj dhe të vegjël, shumë të rrezikshëm dhe më pak të rrezikshëm, e të tjera.Ja disa tipe demagogësh të kalibreve dhe të strategjive të ndryshme.Demagog, fjala vjen, është ai që në njërën anë predikon marksizëm-leninizmin, që predikon barazinë sociale, që betohet në Marksin dhe Leninin sikundër klerikët në librate shenjta, kurse në anën tjetër ndërton kështjellë të madhe për familjen e tij të vogël, ose blen dyqan në qendrën e qytetit të vendlindjes, ose ndërton vilë në bregdet. Duke mbrojtur gjoja të drejtën dhe mirëqenjen e shumicës, ai në të vërtetë krijon standardin dhe mirëqenjen vetiake.Demagog është ai që duke drejtuar ndërmarrjen, ose ndonjë repart të ndërmarrjes flet për të drejtat e punëtorëve, ndërsa po ata punëtorë i shfrytëzon në ndërtimin e shtëpisësë tij private.Demagog është ai që në rrugë, në kafene apo në dasmë flet në emër të popullit, tregohet patriot, kurse patriotizmin e tij nuk është i gatshëm ta tregojë me punë. Në këtë mënyrë shfrytëzon një prej monedhave më të eksploatuara të të gjithë demagogëve, të mëdhenj dhe të vegjël: dashurinë e njerëzve të ndershëm ndaj atdheut.Demagog është ai që bëhet martir kur nuk është martir për shkak se duke e treguar veten të martirizuar dëshiron të zgjojë mëshirën e të tjerëve.Demagog është ai që vazhdimisht i kritikon njerëzit e dalluar, në një fushë veprimtarie. Në këtë mënyrë ai zbaton një devizë, po ashtu, të njohur të demagogëve: duke e zvogëluar tjetrin mund të dukesh vetë më i madh.Demagog është ai që thotë se e ka braktisur punën shkencore për shkak se mund të jetë më i dobishëm në organizimin e punës shkencore të të tjerëve.Demagog është ai që thotë se e ka lënë punën letrare për shkak se është më i dobishëm si punëtor shoqëror dhe politik. Edhe në rastin e parë edhe në rastin e dytë demagogjia është preteskst nën të cilin fshihet steriliteti krijues.Demagog është ai që në mbledhje nuk diskuton në gjuhën e nënës, duke thënë se është më demokratike të diskutojë në gjuhën të cilën e kuptojnë të gjithë të pranishmit. Në këtë mënyrë ai dëshiron t’i bëjë lajka një auditori më të gjerë.Demagog është edhe ai që në momentin e duhur nuk diskuton fare, por i thotë tjetrit të diskutqjë. Me një taktikë të tillë ai kujdeset të ruajë pozitën e vet apo t’i shtojë gjasat edhe për një pozitë më të lartë.Demagog është ai që diskuton vetëm për të diskutuar, që flet vetëm për t’ju dëgjuar zëri. Me diskutimin e vet frazeologjik ai në të vërtetë vetëm sa dëshiron t’ju bjerë në sy atyre prej të cilëve varet kariera e tij.Të gjithë demagogët dhe të gjithë demagogët e të gjitha kohëve dhe të gjithë demagogët e të gjithë popujve i karakterizon ambicja që të flasin sa më shumë, sa më shpesh sa më bukur; që të flasin para një auditori sa më të gjerë dhe, madje, para një auditori sa më të rëndësishëm. Është e kuptueshme, prandaj, pse një pjesë e madhe e demagogëve janë njëkohësisht llafazanë të mëdhenj, ashtu sikundër është e kuptueshme pse demagogjia është hije përcjellëse e gojtarisë.Edhe demagogjia është një materie interesante dhe inspirative për shkrimatarët. që dëshirojnë të mirren me trajtimin e sëmundjeve shoqërore dhe të veseve moraletë individëve. Në kohën e sotme prototipet e demagogëve janë të shumta, prandaj janë të gjera dhe mundësitë e shkrim tarëve që të krijojnë tipe të llojllojshme të këtyre mashtruesve të demosit të pafajshëm. Shkrimtarët e shekujve të shkuar dhe të popujve të tjerë i janë vërsulur shpesh demagogjisë dhe kanë krijuar personazhe të paharrueshme demagogësh, që na shërbejnë si modele për zbulimin e disa cilësive themelore të demagogëve bashkëkohorë.Duke i demaskuar demagogët, ata kanë krijuar vepra të rëndësishme artistike, në njërën dhe e kanë ndihmuar popullin të ruhet prej strategjisë dhe gënjeshtrave të këtyrekobashëve, në anën tjetër. Kështu, për shembëll, komediografi më i shquar i Greqisë antike, Aristofani, gati gjithë krijimtarinë e vet të frytshme letrare ja ka kushtuar kompromitimit të demagogeve, që në kohën e tij ishin shtuar jashtëzakonisht shumë. Komedia e tij, Burrecët, ndofta, është një prej veprave më të mira që ndonjëherë është shkruar mbi temën e demagogjisë. Viljem Shekspiri, gjithashtu, e ka prekur demagogjinë, kurse Mark Antoni i tij, në tragjedinë Jul Qesari, është ekzemplar interesant i demagogut të shkathët dhe të rrezikshëm. Ndër shkrimtarët tanë, ndërkaq, prozatori i shquar, Shevqet Musaraj, është përpjekur në romanin Para agimit të zbulojë demagogjinë e disa intelektualëve shqiptarë në kohën e luftës së fundit, megjithëse vetë tema e demagogjisë nuk ishte frymëzimi i tij kryesor.Të gjithë shkrimtarët që janë frymëzuar prej demagogjisë dhe janë marrë me krijimin e tipeve të demagogëve na kanë lënë një porosi të rëndësishme: demagogëve duhet t’u ruhemi, por edhe të besojmë se të gjithë ata ja pregatisin varrin vetëvetes. Demagogët e çojnë jetën në mirëqenje, por të gjithë e përfundojnë në turp. Urdhëroni, prandaj, shokë shkrimtarë dhe shkruani për demagogjinë dhe demagogët e kësaj kohe edhe në qoftë se ndonjëri jush vuan ngapak prej disa veseve të vogla demagogjike. Urdhëroni, shkruani për demagogët dhe mos u tutni prej tyre për shkak se, edhe në qoftë se ndonjë demagog ju nxjerr në gjyq, të jeni të bindur se në atë mënyrë do ta shtojë famën tuaj para popullit dhe breznive të ardhshme.Besoj të jemi dakord se shkrimtarët, së paku në flakën e fjalës, duhet t’i djegin bartësit e sëmurjeve shoqërore, duke shpresuar se vetë shoqëria do t’i djegë ata një ditë edhe në flakën e barotit.1971

    *Shkëputur nga “Panteoni i rralluar”, Rilindja, 1973Përgatiti: ObserverKult

    ——————-

    Lexo edhe:

    REXHEP QOSJA: PSIKOLOGJIA E MEDIOKRITETEVE

    REXHEP QOSJA: ESTETIKA E SNOBIZMIT

  • Eduard Zaloshnja: Pjesëmarrja e ulët e dërrmoi PD-në në 6 qarqe

    Eduard Zaloshnja: Pjesëmarrja e ulët e dërrmoi PD-në në 6 qarqe

    Nga Eduard Zaloshnja
    Në zgjedhjet e 2021-shit, koalicioni PD-AN (ku përfshiheshin satelitët e vegjël të demokratëve, si PR, PDIU, PAA etj.) arriti të sigurojë plot 59 mandate parlamentare. Kurse sivjet, duke patur edhe ndihmën e votave të partisë së Metës dhe votave të diasporës, siguroi vetëm 50 mandate.

    Shkaku kryesor ishte pjesëmarrja e ulët në zgjedhje e “popullit opozitar”, si këtu edhe në diasporë. Sidoqoftë, në qarqet Kukës, Shkodër, Durrës, Berat, Korçë e Gjirokastër, edhe pse pjesëmarrja ishte e ulët, koalicioni i PD-së arriti t’i siguronte mandatet parlamentare të 2021-shit. Kurse në Qarkun Lezhë mezi i siguroi me fotofinish mandatet e atëhershme.
    Nga ana tjetër, pjesëmarrja e ulët e dërrmoi PD-në në gjashtë qarqe (ku PS-ja mori pak a shumë aq vota sa ç’kishte marrë më 2021). Kështu, PD-ja mori plot 9 mandate më pak se më 2021 në qarqet Dibër, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë, dhe Korçë (në këtë të fundit, përveç pjesëmarrjes së ulët, ndikoi edhe pakësimi i mandateve të qarkut për arsye demografike).
    Le të analizojmë pjesëmarrjen në secilin qark, fillimisht duke llogaritur se sa zgjedhës ishin këtu e sa në emigracion. Nga tabela përmbledhëse e mëposhtme, bie në sy se pothuaj 2/3 e zgjedhësve të listave të Qarkut Tiranë banojnë këtu, kurse në skajin tjetër, pothuaj 2/3 e zgjedhësve të listave të Qarkut Vlorë janë në emigracion.

    Po sa nga zgjedhësit e këtushëm nuk votuan? Tabela e mëposhtme jep përgjigje për secilin qark.

    Dhe sa nga zgjedhësit e diasporës nuk e morën mundimin ta dërgonin votën e tyre me postë falas? Plot 89%!

    Duke përmbledhur, plot 55% e shtetasve në listat e zgjedhësve (me banim këtu apo emigracion) nuk votuan më 11 maj. Vlora dhe Gjirokastra mbajnë rekordin, si qarqe me emigracionin më të lartë.

     
     

  • “Shtëpi bari” në Spanjë/ Arrestohet çifti shqiptar, era e drogës i tradhtoi

    “Shtëpi bari” në Spanjë/ Arrestohet çifti shqiptar, era e drogës i tradhtoi

    PAMJE NGA VENDNGJARJA

    SPANJË-Një çift shqiptar ka rënë në prangat e policisë në Spanjë, nën akuzë për ngritjen e një shtëpie bari. Mediat spanjolle njoftojnë se brenda “fermës” së kanabisit janë sekuestruar 809 bimë marihuane me peshë mbi 177 kilogramë, kurse të ndaluarit pasi dolën para gjykatës, u lanë në arrest me burg.
    Shtëpia ndodhej në Ador, ku jetonin bashkëshortët shqiptarë, përkatësisht 22 dhe 27 vjeç. Policia vendosi mbikëqyrje në afërsi të pronës, duke zbuluar një erë të fortë karakteristike të kësaj substance që vinte prej saj. Ata gjithashtu vunë re tregues të tjerë objektivë se marihuana po mbillej brenda shtëpisë. Oficerët identifikuan gjithashtu një çift si banorët e zakonshëm të shtëpisë. 
    Ndërhyrja operacionale zbuloi edhe provat, kurse në objekt ishin bërë instalime elektrike dhe hidraulike që i shërbenin kultivimit, llamba dhe rrjet aspirimi, informoi media spanjolle, teksa emrat e të dyshuarve nuk u publikuan. Personat e arrestuar nuk kishin precedentë penalë të mëparshëm, ndërsa ndaj tyre u urdhërua burgosja./ZËRI
     

  • “Berisha ra me mbi 200 mijë vota”, Shabani: Kishte numërues dhe qahet për humbjen

    “Berisha ra me mbi 200 mijë vota”, Shabani: Kishte numërues dhe qahet për humbjen

    Opozita ndodhet në ditët e saj më të vështira pas 11 majit dhe veçanërisht gjendja e Partisë Demokratike, e cila mori edhe një humbje historike.
    Endri Shabani, kreu i Nismës Thurrje dhe aleat politik i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, edhe pse vetëm me një mandat deputeti, tha se koalicioni opozitar i partive të reja mori 140 mijë vota, kurse Berisha dhe PD ra me mbi 200 mijë vota.
    “Po shohim mundësinë për ta shtrirë bashkëpunimin edhe për 4 vitet e ardhshme, sepse kemi përpara edhe zgjedhjet lokale. Mendoj se jemi pak dhe duhet të zgjerohemi dhe forcohemi. Berisha thoshte para zgjedhjeve se me Ramën nuk bëhen zgjedhje, i vjedh, e tani del prapë e shprehet se u vodhën. Por problemi është edhe te opozita.
    Këtu ka dy fajtorë, ai për keqqeverisjen është Edi Rama, me skandalet qeveritare, situatën ekonomike etj. Dhe gjendja e opozitës, me mosmbrojtjen e votës dhe të tjerat, ku fajtor për mua është Berisha. Ndërsa Berisha po bie me 140 mijë vota, ne po rritemi me mijëra vota.
    A ka shpresë se Shqipëria ndryshon? Unë them po. Krahasimi është me 2021, ku numri i njerëzve që dalin për të votuar për ne është rritur. Rama nuk është rritur, ka rënë në vota, mbi 30 mijë vota më pak, Rama nuk është mazhorancë”, tha Shabani në ‘5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv.
    Kreu i “Nisma Thurje” u shpreh se sistemi elektoral është i padrejtë, por marrëveshja Berisha-Rama i pengon, edhe pse ata kanë ndjekur të gjithë rrugën ligjore.
    “Analiza se kush i prish punë opozitës, ne PD apo PD neve, kjo është e dyanshme. Puna është se 200 mijë njerëz që besonin më 2021 te opozita nuk dolën të votonin, pra i kanë ikur Berishës dhe PD-së. Kurse për ne janë 140 mijë njerëz që na besojnë, janë rritur. Shqiptarët na dhanë neve 64 mijë vota.
    Për fat të keq PS mori 9 mandate me 64 mijë vota në Vlorë, kurse ne me kaq vota një mandat. Arsyeja është sistemi zgjedhor dhe shpërndarja e votës. Nuk kemi çfarë bëjmë më shumë se kaq, jemi ankuar, por është sistem i vendosur nga Rama e Berisha. Mund të bënim më shumë, bëmë sa mundeshim, ka vend edhe për kritikë.
    Po ankohet Berisha që kishte numërues në komisione dhe anëtarë, ka gjysmën e KAS-it dhe përsëri ankohet. Unë mendoj se zgjedhjet e ardhshme 65 mijë votat tona do bëhen 650 mijë dhe aty ku u afruam me mandate, do kemi deputetë zgjedhjet e ardhshme. E sigurt është që ata vodhën njëri-tjetrin gjatë procesit të numërimit”, u shpreh Shabani.
     

  • “Ky s’largohet edhe kur humb 20%,se ka hall të madh”,Mërtiri:Berisha si faraon, po merr PD-në me vete në varrin politik

    “Ky s’largohet edhe kur humb 20%,se ka hall të madh”,Mërtiri:Berisha si faraon, po merr PD-në me vete në varrin politik

    Ai nënvizoi se jo vetëm kreu i selisë blu nuk do largohet, por ai do vijojë betejën për hallet personale me drejtësinë, ndaj po mban afër edhe njerëzit më besnikë.
    Kurse betejën dhe pretendimet e Berishës për vjedhje votash e cilëson si një “farsë”, të pambështetur në prova konkrete, me qëllim për t’iu shmangur përgjegjësisë në parti për humbjen e thellë.
    Për Mërtirin edhe pse nuk mohohet se pati ndikim për votat në blerje dhe orientim, nuk ishte situatë e ngjashme me vitin 2021, teksa diferenca e rezultatit është me minus 20 pikë nga PD dhe për këtë Berisha duhet të japë llogari.
    “Dash Shehit që s’ia kërkon kush, po largohet, këtij tjetri që i thonë të gjithë largohu, nuk largohet, ky është ndryshimi. Që nga 1997 nuk ka humbur opozita shqiptare kaq thellë. Kuptohet se me këtë nuk fitohen më zgjedhjet kurrë, kur i ka humbur të gjitha ndaç me armë apo me votë. Duhet të ketë hall të madh, interesat duhet të jenë të mëdha, sepse nuk ka arsye tjetër. Unë mendoj se halli më i madh është SPAK. Në kushtet që SPAK po godet, grupet rreth tij do dobësohen, ndaj po përpiqen t’i qëndrojnë afër sa të munden duke i dhënë energji, edhe pse ai aktualisht ka edhe probleme fizike. Ndaj thotë edhe se zgjedhjet ishin farse, s’ka zgjedhje të lira etj., por është e kotë. Rama dihet se bën inxhinierimin e votës dhe ndërhyn te ajo. Ka të dhëna nga terreni për blerje vote, por përsëri nuk mund të themi se ishte në atë nivel si në 2021, kur u vranë edhe njerëz apo pati dhe prova flagrance. Pra këtë herë nuk ishte veprimtari e madhe. Më parë u janë dhënë njerëzve shtëpi në këmbim të votave. Vota e diasporës është edhe më e vështirë që të blihet apo influencohet, edhe pse ka probleme. Mendoj se vota e diasporës ka qenë e lirë dhe ndikoi organizimi. Berisha dështoi në organizimin në diasporë”, tha analisti.
    Ai e cilëson kreun e PD-së si të paaftë politikisht dhe madje fizikisht për të fituar zgjedhje. Madje sipas tij problemet për pamundësinë efitores gjenden brenda PD-së dhe jo te kundërshtari.
    “Berisha është i paaftë të fitojë, madje që nga 2011 e deri tani ka humbur, unë them se problemet janë të brendshme në PD. PD aktualisht nuk ka prova për manipulim të votave. Rezultati ka diferencë të madhe votash në krahasim me 2021, kur ishte vetëm 2%, kurse sot një hendek dhe Berisha duhet ta shpjegojë këtë diferencë që shkon deri në 20%. Edhe nëse ai ka të drejtë, njerëzit e konsiderojnë si humbës dhe pa kauzë. Beteja e Berishës për vjedhjen e votave është farsë. Berisha e di shumë mirë që nuk e fion këtë betejë, por po e bën për t’u mbrojtur brenda partisë së vet, për të shmangur llogaridhënien në parti, për të shmangur vëmendjen nga humbja dhe për ta zgjatur sa më shumë debatin, ndaj ka edhe këtë konfliktualitet dhe agresivitet nëpërmjet gjuhës”, analizoi ai.
    Por përse po ndjek këtë diskurs politik Berisha?
    “Ai po mban peng opozitën dhe PD-në për interesin e tij, po sillet si një faraon që po merr në varrin politik edhe gjithë të tjerët rreth tij, duke kërkuar të mbrohet nga SPAK dhe ndërkombëtarët, ku në fund do dëmtojë edhe opozitën në tërësi. Berisha nuk largohet sepse është në hall, ai do vazhdojë ta tërheqë zvarrë partinë e vet deri në fund”, shprehet Mërtiri.
    Kurse për partitë e reja thekson se ato patën një defekt të madh dhe ego që nuk u bashkuan, pasi mendonin të përfitonin ‘llokmën’ nga çarja e sistemit.
    “Unë mendoj se nuk janë partitë e reja fajtore që kanë vjedhur, korruptuar dhe dëmtuar sistemin apo institucionet. Kritika ime kryesore ishte se nuk u bënë bashkë, duhet të bashkoheshin. Unë mendoj se ata kanë një mision. Nëse ishin kundër sistemit, ata duhet të bëheshin bashkë, të tregoheshin të pjekur të futeshin në një listë. Ata nuk besuan tek njëri-tjetri, janë përçarë mes tyre dhe sulmuan njëri-tjetrin. Kjo i dëmtoi. Këta donin për vete ‘llokmën’ që mund të merrej nga dëshpërimi qytetar ndaj sistemit politik, por dështuan. Kjo tregoi papjekuri të tyre dhe u dha shpresë Ramës dhe Berishës në veçanti, që do ishte më i dëmtuari nga partitë e reja”, përfundoi analisti.
     

  • Gjermania nënkampione e Evropës për punën nga shtëpia

    Gjermania nënkampione e Evropës për punën nga shtëpia

    Gjermanët punojnë mbi mesataren nga shtëpia në një numër ditësh të javës.
    Në Evropë, vetëm finlandezët punojnë më shumë nga shtëpia. Por mesatarja gjermane është gjithashtu e lartë në krahasimin global.
    Puna nga shtëpia është mjaft e popullarizuar në Gjermani.
    Në këtë vend, njerëzit mesatarisht punojnë nga shtëpia veçanërisht shpesh krahasuat me vendet e tjera. Këtë e tregon një analizë e re e Institutit të Ekonomisë, ifo mes punonjësve që kanë përfunduar universitetin në 40 vende.
    Sipas saj, njerëzit në Gjermani punojnë nga shtëpia mesatarisht 1.6 ditë në javë. Kurse mesatarja globale është 1.2 ditë në javë e punës me kohë të plotë të paktën gjashtë orë në ditë.
    “Pavarësisht shembujve të spikatur të kompanive që rikthejnë punonjësit e tyre në zyrë, rezultatet tona tregojnë se ruajtja e trenidt të punës nga shtëpia ka qenë e qëndrueshme në botë që nga viti 2023,” thotë studiuesi i ifo, Mathias Dolls.
    Prindërit preferojnë punën nga shtëpia nëse munden
    Në Evropë,  vetëm Finlanda ka një përqindje më të lartë të akademikëve që punojnë nga shtëpia (mesatarisht 1.7 ditë në javë). Kurse në mbarë botën puna nga shtëpia ësht mjaft e përhapur në Kanada (1.9 ditë) dhe Mbretërinë e Bashkuar (1.8 ditë).
    Në SHBA dhe Indi, njerëzit gjithashtu punojnë nga shtëpia rreth 1.6 ditë në javë. Puna nga shtëpia është më pak e përhapur në Korenë e Jugut (0,5 ditë), Kinë dhe Greqi (0,6 ditë secila).
    Kurse nga kategoritë e punonjësve, ata me fëmijë të vegjël ka më shumë gjasa të ndajnë javën e tyre të punës midis “zyrës së shtëpisë” dhe vendit të punës tek punëdhënësi. Ata pa fëmijë kanë më shumë gjasa të punojnë ose plotësisht nga distanca ose plotësisht në vend.
    Pothuajse në të gjitha vendet tendena e punës shtëpiake është e ngjashme për burrat dhe gratë. Kurse dëshira për të punuar nga shtëpia është më e theksuar te gratë me fëmijë sesa tek gratë pa fëmijë./DW

  • Numërimi brenda dhe jashtë vendit/ PS forcë e parë me rreth 776 mijë vota, PD siguron 504 mijë vota

    Numërimi brenda dhe jashtë vendit/ PS forcë e parë me rreth 776 mijë vota, PD siguron 504 mijë vota

    Partia Socialiste deri më tani ka blinduar 83 mandate, ndërsa PD 50, kurse PSD del forcë e tretë.

    Gjatë votimit të qytetarëve brenda vendit, 733.149 vota ka siguruar PS, kurse PD 481.548 duke dalë forcë e dytë.
    Koalicioni Shqipëria Bëhet ka marrë 49.393, kurse Partia Social Demokrate del forcë e katërt me 47.498.
    Nga ana tjetër votat e diasporës vijojnë të numërohen. Deri më tani janë numëruar 79.409 zarfe nga 194.889.
    Partia Socialiste kryeson edhe në votat e diasporës ku deri më tani ka marrë 42.492, e pasuar nga PD me 22.481.
    Forcë e tretë është Koalicioni Shqipëria Bëhet me 6670, kurse forcë e katërt është Partia Mundësia me 2781.

    Top Channel

  • Përfundon numërimi në Korçë/ Partia Socialiste merr 6 mandate, PD 4

    Përfundon numërimi në Korçë/ Partia Socialiste merr 6 mandate, PD 4

    Në qarkun e Korçës ka përfunduar numërimi i votave.

    PS kryeson me 57213 vota, ndërsa PD ka siguruar 36405 vota.
    Shqipëria Bëhet ka marrë 4520 vota, kurse PSD 2518.
    PS ka arritur të sigurojë 6 mandate deri më tani, kurse PD 4.

    Top Channel