Nga ALFRED LLESHI
Në një moment kur kombëtarja shqiptare po përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme dhe të zjarrta të këtij viti, ndaj Serbisë, në kuadrin e fushatës eliminatore të Botërorit 2026, përzgjedhjet e fundit të trajnerit Sylvinho kanë lënë edhe shije të hidhura tek ata që e ndjek futbollin me sy kritik dhe dashuri të sinqertë për fanellën kuqezi. Dy emra spikasin për mungesën e tyre në listën e kuqezinjve për dy kualifikueset e qrshorit: Lindon Selahi dhe Etrit Berisha.
Të mos thërrasësh Lindon Selahin, një mesfushor që sapo ka fituar dy trofe në pak ditë me Rijekën në Kroaci, përfshirë edhe kampionatin kombëtar në një sezon të jashtëzakonshëm, është më shumë sesa harresë, është një neglizhencë e pashpjegueshme profesionale. Jo vetëm që është pjesë kyçe e një skuadre kampione, por është edhe në formë të shkëlqyer, fizikisht dhe psikologjikisht. Në një repart mesfushe ku Shqipëria ka nevojë për intensitet dhe kreativitet, injorimi i Selahit është i pashpjegueshëm, nëse nuk merren parasysh faktorë që lidhen me politika brenda grupit, jo me formën sportive.
Po aq, nëse jo më tepër, shqetësuese është mungesa e Etrit Berishës, portierit legjendar që jo vetëm ka qenë themel në ngritjen e skuadrës kombëtare gjatë dekadës së fundit, por që së fundi ka përjetuar rikthim spektakolar me ekipin suedez të Häcken. Në një finale dramatike të Kupës së Suedisë, Berisha jo vetëm priti dy penallti, por edhe shënoi vetë një gol, duke dhënë sinjal të fortë që jo vetëm është në formë, por është lider i lindur. Ta lësh jashtë një portier me këtë përvojë, në një moment kur prapavija kuqezi ka nevojë për stabilitet dhe siguri, është më shumë se gabim. Mbi të gjitha është mungesë respekti për historinë kuqezi dhe meritokracinë.
Më shqetësues është fakti se këto vendime nuk shpjegohen qartë nga stafi teknik. Nëse nuk flasim për lëndime apo arsye të rënda disiplinore (për të cilat nuk ka asnjë komunikim zyrtar), atëherë lind pyetja: A po bëhet përfaqësuesja e Shqipërisë pronë personale? Sepse duket sikur vendimet merren në një dhomë të mbyllur, jo mbi bazën e formës, meritës apo profesionalizmit, por mbi baza të padukshme dhe arbitrare.
Ky është një sinjal i rrezikshëm për të gjithë lojtarët shqiptarë që përpiqen, luftojnë dhe sakrifikojnë për të ndërtuar një karrierë të ndershme. Çfarë mesazhi iu jepet atyre? Se edhe po të fitosh kampionatin dhe të jesh hero në finale, sërish nuk mjafton? Sepse ndoshta nuk bën pjesë në rrethin e preferuar të atyre që kanë në dorë vendim-marrjet kuqezi?
Në fund të ditës, kombëtarja është më e madhe se çdo trajner, se çdo staf dhe se çdo interes personal. Ajo është pasqyrë e meritës, jo e miqësive. Dhe nëse ajo humb këtë parim, atëherë rrezikon të humbasë edhe tifozët, që e mbështesin verbërisht, edhe besimin e lojtarëve që sakrifikojnë gjithçka për një thirrje të ndershme.
Nëse ka një pyetje që po shtrohet gjithnjë e më shpesh mes tifozëve, analistëve dhe vetë lojtarëve shqiptarë që luftojnë çdo javë në fushat e Europës, është kjo: A vlen më meritokracia në kombëtaren kuqezi? Apo ftesat janë kthyer në një lojë pa rregulla, ku performanca dhe suksesi në klube nuk garantojnë më as minimumin, një vend në listën me 27 emra?
Dy raste të freskëta dhe goditëse si Lindon Selahi e Etrit Berisha e shtyjnë këtë pyetje drejt një alarmi të hapur. Sepse kur një mesfushor që fiton dy trofe në pak ditë me Rijekën, përfshirë kampionatin kroat, nuk merr as një ftesë prove, dhe kur një portier që fiton finalen me dy penallti të pritura dhe një gol të shënuar në Suedi nuk konsiderohet as për grumbullim, atëherë çfarë tjetër duhet të bëjë një lojtar për të veshur fanellën e Shqipërisë?
Në këtë realitet ku forma sportive, paraqitja në fushën e blertë dhe kontributi i drejtpërdrejtë në suksesin e skuadrës nuk janë më faktorë vendimtarë, lind dyshimi legjitim: A funksionon kombëtarja shqiptare mbi parime të qarta dhe të ndershme? Mos vallë kemi hyrë në një fazë ku marrëdhëniet personale, preferencat e brendshme, interesat menaxheriale apo grupimet e mbyllura kanë më shumë peshë se cilësia dhe merita?
Rasti i Selahit është simbolik. Në një kampionat të fortë dhe teknikisht të zhvilluar si ai kroat, Lindon Selahi ka qenë lojtar kyç për Rijekën, duke kontribuar në një sezon historik me fitimin e kampionatit dhe kupës. Kjo nuk është vetëm një arritje personale, por dëshmi objektive se ai është në formë optimale, fizikisht dhe mendërisht, për ta ndihmuar kombëtaren në një repart ku shpesh mungon balanca dhe dinamizmi. E megjithatë, injorohet.
Rasti i Berishës është edhe më dramatik. Një portier me përvojën dhe historinë e tij, që jo vetëm ka mbajtur peshën e kombëtares për vite, por ka përjetuar një rikthim të jashtëzakonshëm, duke dalë hero në finalen e Kupës së Suedisë, meriton më shumë se heshtjen. Të mos e ftosh as si një alternativë lidershipi në kampin kuqezi, është jo thjesht gabim taktik, por fyerje ndaj historisë së vetë kombëtares.
Në një klimë të tillë, lindin disa pyetje para të cilave nuk mund të heshtim: Kush vendos realisht për ftesat? Dhe mbi çfarë kriteresh? A ndikon ndonjë lloj lobi menaxherësh në grumbullimet e kombëtares? A po shndërrohet kombëtarja në një grup të mbyllur, ku hyrja është e mundur vetëm përmes “kanaleve” të caktuara? A ka vend për ata që punojnë në heshtje dhe prodhojnë rezultate, apo gjithçka është kthyer në një lojë pozicionimi, emrash dhe preferencash?
Këto nuk janë thjesht dy raste të izoluara. Këto janë simptoma të një problemi më të thellë që, nëse nuk adresohen, mund të çojnë drejt shkëputjes së plotë mes kombëtares dhe atyre që e ndërtojnë atë me vepra; lojtarët dhe tifozët.
Sepse në fund të ditës, fanella kuqezi nuk është pronë personale e askujt, as e trajnerit dhe as e federatës. Ajo iu përket atyre që e nderojnë në fushë, me djersë, trofe dhe krenari. Dhe nëse ky realitet injorohet, atëherë rrezikojmë të humbasim më shumë se një lojë futbolli; rrezikojmë të humbasim vetë besimin te kombëtarja.
Tag: kuqezi
-

OPINION / Berisha dhe Selahi, “heronjtë” e injoruar. Çmimi i lartë i meritokracisë së munguar në kombëtare
-

Italiano, Allegri dhe gabimet e vitit të kaluar… Milani rrezikon të mbetet jashtë “efektit domino” të pankinave
Nëse, siç tha Giorgio Furlani para ndeshjes me Monzën, “sezoni i ardhshëm nuk mund të jetë si ky”, përkthimi është i qartë: duhet të shmangen përsëritjet e të njëjtave gabime. Dhe gabime ka pasur, padyshim më shumë seç duhet, çka do të ishte e kufizuar ta lidhje vetëm me periudhën e vjeshtës së vonë, kur situata po merrte kthesë të keqe. Jo, gabimet nisën që verën e kaluar, në javët kur Milani po kërkonte pasuesin e Piolit.
Ka një prirje të përsëritur për vonesë në vendimmarrje nga ana e klubit kuqezi. Ky është dhe mbetet një “Djall” i ngadaltë në formësimin e ideve të sektorit sportiv, ndoshta për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, ose sepse zinxhiri vendimmarrës përfshin shumë hapa, deri në miratimin final nga “RedBird”.
Një ngadalësi që është parë, për shembull, edhe në çështjen “Tare”, i vetmi kandidat i lirë dhe që mund ta kishte nisur punën shumë më herët se fundi i majit. E njëjta gjë ka ndodhur me disa blerje lojtarësh, të cilët kanë përfunduar diku tjetër, sepse Milani nuk i mbylli dot në kohë si transferta. E njëjta skemë, së fundi, edhe me trajnerin.
Rrëmim në të kaluarën – Ta rikthesh kujtesën te vera e kaluar nuk është e vështirë. Pioli kishte arritur fundin e ciklit të tij, dhe kjo ishte mëse e ditur, pavarësisht deklaratave publike. E njëjta situatë sot me Conceiçãon. Kjo do të thotë se, duke qenë një ndarje e parashikuar, klubi mund dhe duhej ta kishte nisur punën me kohë.
Pas një parade emrash; nga Thiago Motta, Sarri, Conceiçao, Gallardo, Scaloni, me Conte që kurrë nuk ishte afër stolit kuqezi vërtet, Milani përfundoi te Lopetegui. Derisa ndodhi një tërheqje e papritur (edhe për shkak të revoltës së tifozëve) dhe më pas erdhi Fonseca. Sqarim: portugezi erdhi në mes të qershorit, me mjaft kohë për të ndërtuar sezonin, por kaosi që i parapriu ishte i konsiderueshëm.
Sot, situata është më keq – Një vit më vonë, situata është edhe më e ndërlikuar. Sepse atëherë drejtuesit ishin të njëjtët, këtë herë ende nuk ka drejtor sportiv zyrtar dhe për më tepër nuk do të ketë Europë sezonin tjetër. Kjo do të duhej të nënkuptonte qartësi që në fillim, por për momentin gjithçka është në pritje. Tifozët kërkojnë me ngulm Conte, i vetmi që shihet si në gjendje për ta rikonstruktuar Milanin nga rrënojat.
Në të vërtetë, ide ka. Finalja e Kupës së Italisë e ka nxjerrë në pah emrin e Italianos, që ndodhej prej kohësh në listën e kuqezinjve. Por sinjalet nga Bologna lënë të kuptohet që ai mund të qëndrojë. Kandidatë të tjerë? Allegri është emër që rikthehet shpesh në apel; e njeh ambientin kuqezi dhe është i mirë për rindërtim, por duket i destinuar për Napolin e De Laurentiis, çka do të çonte në largimin e Contes nga Napoli drejt Juventusit.
Në këtë efekt domino të pankinave, çka është gjithnjë e më e mundshme, Milani aktualisht nuk është pjesë. Klubi qëndron në pritje, duke parë kur dhe si mund të përfshihet, ndërsa tifozët, përtej ëndrrave me Conte, kërkojnë një trajner me personalitet të madh, që mund të sjellë kthesë të vërtetë. -

Legjionarët kuqezi po shkëlqejnë në Europë, a janë gati për sfidën me Serbinë?
Kampionatet europiane të futbollit janë në fazën përfundimtare dhe grumbullimi i Kombëtares shqiptare po afrohet. Kuqezinjtë kanë në kalendar dy sfidat e radhës kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Serbisë dhe Letonisë.
Forma e lojtarëve kuqezi është shumë pozitive. Mbrëmjen e djeshme Ylber Ramadani ishte heroi i Lecce-s. Mesfushori i Kombëtares, edhe pse u fut në lojë në pjesën e dytë, shënoi një eurogol ndaj Torinos dhe i dha skuadrës fitoren 1-0. Ai u shpall edhe lojtari i ndeshjes në fund të takimit. Ky rezultat mban gjallë shpresat e Lecce-s për mbijetesë, kur mbetet edhe një ndeshje nga fundi i sezonit.
Në Rusi, Mirlind Daku ishte protagonist absolut për Rubin Kazan. Sulmuesi shënoi dy gola në humbjen 3-2 ndaj Khimki-t, humbi një penallti dhe pati një gol të anuluar nga VAR për pozicion jashtë loje. Me këto realizime ai arrin në kuotën e 14-të golave dhe renditet i dyti në listën e golashënuesve të kampionatit rus.
Ernest Muçi la pas dëmtimin dhe u rikthye menjëherë vendimtar për Besiktas. I aktivizuar në pjesën e dytë, ai asistoi tek goli i barazimit 1-1 në fushën e Alanyasporit, duke i shërbyer saktë Rafa Silvës në minutën e 71-të.
Mario Mitaj kurorëzoi një sezon të shkëlqyer, pasi fitoi titullin kampion në Arabinë Saudite me Al Ittihad. Mbrojtësi ishte titullar në suksesin 3-1 në transfertë ndaj Al Raed në javën e fundit.
Këtë fundjavë ishin titullarë gjithashtu Ivan Balliu, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Qazim Laçi, Juljan Shehu dhe Myrto Uzuni. -

Milanit i rikthehet “makthi” Tonali nga Anglia, City kërkon t’i rrëmbej Reijnders
Dy vite pas shitjes së Sandro Tonalit te Newcastle, Milani rrezikon të përjetojë një tjetër episod të dhimbshëm me një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës: Tijjani Reijnders. Mesfushori holandez, ndër të paktët që ka lënë përshtypje pozitive në një sezon të errët për kuqezinjtë, është bërë objektivi i radhës për Manchester Cityn e Pep Guardiolës.
Sipas asaj që raporton ‘Tuttosport’, kampionët e Anglisë janë të gatshëm të ofrojnë plot 70 milionë euro për shërbimet e Reijnders, i cili u transferua verën e kaluar nga AZ Alkmaar dhe u bë shpejt një element i pazëvendësueshëm në mesin e fushës së Milanit.
Kjo ofertë vjen në një moment shumë të ndjeshëm për klubin kuqezi, i cili aktualisht gjendet në vendin e tetë në Serinë A dhe me shpresa minimale për të siguruar një vend në kompeticionet evropiane. Një shitje e mundshme e Reijnders, pavarësisht përfitimit financiar, do të mund të thellonte krizën e besimit mes tifozëve dhe klubit, që tashmë janë shumë të zhgënjyer nga drejtimi teknik dhe ai administrativ.Rreziku i një “Tonali-bis”
Në verën e vitit 2023, largimi i Sandro Tonalit u shoqërua me një merkato të bujshme që e zbuti disi goditjen. Por këtë herë situata është ndryshe: Reijnders përfaqëson sot një nga shumë pak pika të forta të një projekti që po dështon dhe largimi i tij pa një vizion të qartë për të ardhmen mund të ishte një goditje e rëndë për ambientin kuqezi.
Nëse Milani zgjedh ta shesë edhe këtë shtyllë të mesfushës, atëherë kriza nuk do të jetë vetëm sportive, por edhe identitare. Dhe pyetja që lind është: a ka ende një projekt të qartë në shtëpinë kuqezi, apo çdo verë do të jetë një tjetër fillim nga e para? -

‘Zhduket’ Sampdoria, skuadra për herë të parë në Serie C
Dikur bënte ligjin në Serie A, sot skuadra xhenoveze bie në nivelin e tretë të futbollit italian.
Pas Sampdoria bie në Serie C edhe Çitadela e portierit kuqezi Elhan Kastrati
U dhanë këtë mbrëmje verdiktet përfundimtare në raundin e fundit të Serie B: Pas Sampdoria bie në Serie C edhe Çitadela e portierit kuqezi Elhan Kastrati
Pas ngjitjeve direkte të Sasuolos dhe Pizës në Serie A, Specia zë vendin e tretë me një fitore 3-1 ndaj Kozencës. Kremoneze është e katërta, pavarësisht humbjes kundër Pizës.
Rrjeti i play-off plotësohet nga Juve Stabia, Katanxaro, Çezena dhe Palermo. Sampdoria bie në mënyrë sensacionale në Serie C pas një barazimi 0-0 me Juve Stabia, Çitadela e proterit kuqezi Elhan Kastrati gjithashtu bie në C. Breshia shpëton në minutat e fundit ndërsa, Salernitana dhe Frozinone në play-out./Sportiim.al/
Vazhdo leximin
-

Festë kuqezi në Maqedoninë e Veriut, Shkëndija shpallet fituese e titullit kampion
Sot do të ketë festë kuqezi në Maqedoninë e Veriut. Titulli kampion për edicionin 2024/35 shkon në duart e lojtarëve të Shkëndijës. Skuadra nga Tetova është shpallur kampione 2 javë përpara përfundimit të kampionatit.
Fitorja e sotme 2-1 kundër Rabotniçkit i ka siguruar kuqezinjve matematikisht vendin e parë në renditje. Kjo është hera e 5-të në historinë e klubit shqiptar që fiton titullin kampion në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë kampione në fuqi ishte një tjetër skuadër shqiptare, Struga Trim&Lum./Sport Ekspres/ -

EKSKLUZIVE | E ndjekin Austria dhe Kosova, cili është lojtari i cili po pret vetëm thirrjen e Shqipërisë! (VIDEO)
Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë të eliminatoreve të kampionatit Botëror 2026 ndaj Serbisë në “Arenën Kombëtare” në datën 7 qershor dhe më pas në datën 10 qershor kuqezinjtë do të kenë edhe ndeshjen e katërt të grupit, atë ndaj Letonisë në fushën e këtyre të fundit. Djemtë e Sylvinhos kanë një humbje në Angli dhe një fitore ndaj Andorrës në Tiranë.
Ka shumë kuriozitet mbi listën kuqezi për lojtarët që do të grumbullohen, kjo nisur edhe nga dy sfidat delikate kuqezi dhe që mund të ndikojnë në fatet e grupit. Shumë emra në listë, por edhe nga ata që presin me padurim një thirrje kuqezi dhe pse mund të jenë të tunduar nga ftesa të tjera. Sipas asaj që ka mësuar ekskluzivisht Telesport, një emër mbi të gjitha: Dardan Shabanhaxhaj.Duke parë emrin kuptohet qartë origjina e sulmuesit 24 vjeçar që aktivizohet në kampionatin rus të futbollit, me ekipin e Mirlind Dakut, Rubin Kazan. Dardani është shqiptar i Kosovës por që ka lindur në Austri dhe ka pasaportën e këtij vendi, përveç se kombësinë kosovare. i rritur profesionalisht në Austri te GAK dhe Sturm Graz, më pas kalimi në Slloveni te Mura i dha edhe mundësinë të konfirmohej deri sa erdhi trampolina në Rusi te Rubin Kazan, një transferim 1.2 mln euro.
Aktualisht sulmuesi shqiptar, që mund të bëjë disa pozicione në fushë, si qendër, i majtë por edhe si mesfushor sulmues, ka shënuar këtë sezon 5 gola dhe 2 asist, duke u aktivizuar në 28 ndeshje. Ai ka luajtur edhe dy ndeshje te Austria U-21, teksa më herët në moshë më të re u aktivizua nga Kosova U-16.
Dardani pret thirrjen e Shqipërisë dhe nuk ka marrë parasysh asnjë kombëtare tjetër, ku sytë e Kosovës gjithashtu janë te sulmuesi, ashtu sikurse edhe Austria ndjek me kujdes ecurinë e tij. -

Interi i falet Kristjan Asllanit, ylli kuqezi mban zikaltrit ende në lojë për titullin kampion
Kristjan Asllani i ka dhënë Interit tre pikë të arta mbrëmjen e sotme përballë Veronës.
Ishte mesfushori kuqezi i cili mori përsipër të ekzekutonte 11-metërshin në minutën e nëntë, duke e çuar topin në krahun tjetër të portierit kundërshtar.
Interi vijon të ndjekë Napolin kryesues me vetëm 3 pikë diferencë, ndërsa mbeten ende 3 javë nga fundi i Serie A.Për Asllanin ky ishte goli i parë sezonal. Ndërsa sot tregoi se e meritonte gjithë besimin e trajnerit Inzagi.
-

Kumbulla me ambicie të qarta, të drejtojë mbrojtjen kuqezi në fushë kundër Serbisë
Adriatik BALLA
Marash Kumbulla, që ka 23 paraqitje me “kuqezinjtë”, nuk e pati rastin të luante në fazën grupore të Kampionatit Europian. Por, te Shqipëria vlerësohet i rëndësishëm për qendrën e mbrojtjes, pavarësisht se nuk pati rast të luante në ndeshjet e Grupit B. Shqipëria pati dy humbje e një barazim. U mposht 2:1 nga Italia dhe 1:0 nga Spanja, ndërsa barazoi 2:2 me Kroacinë. Shqipëria asnjëherë nuk është paraqitur në Kupën e Botës. Një kualifikim në Botëror, Kumbulla e ëndërron me fanellën “kuqezi” në këtë cikël eliminator. Shqipëria ka tri pikë nga dy ndeshjet e para kualifikuese të Grupit K.
Shanset në grupin K
Siç dihet nga kalendari dhe shorti i hedhur nga FIFA, në grup me Shqipërinë janë edhe Letonia, Serbia dhe Andorra. “Ne asnjëherë nuk jemi kualifikuar në Botëror dhe e di se është e vështirë pasi ka ekipe të forta në grup. Mendoj se ndeshja kundër Serbisë në qershor do të jetë vendimtare. Është kundërshtare direkte për vendin e dytë, pasi mendoj se vendi i parë do t’i takojë Anglisë. Të shpresojmë e të besojmë në kualifikim”, ka deklaruar Kumbulla në një intervistë dhënë mediumit italian “Tuttomercatoëeb”. Ndaj Serbisë, Shqipëria luan më 7 qershor në Tiranë, ndërsa më 10 qershor udhëton te Letonia. Kumbulla me shumë sukses po paraqitet te skuadra e Espanjolit në La Liga të Spanjës. 25-vjeçari iu bashkua Espanjolit në formë huazimi nga Roma në gusht të vitit të kaluar. Ai ka luajtur në Itali për Veronën e Sasuolon, kurse në Spanjë është përshtatur shumë mirë. Qendërmbrojtësi i Shqipërisë ka zhvilluar 31 ndeshje dhe ka realizuar 3 gola në elitën spanjolle. Espanjoli është i 13-ti me 39 pikë.
Vlerësimet për Ismajlin dhe Asllanin
Mbrojtësi kuqezi, Marash Kumbulla, ka folur për edicionin aktual, por është ndalur në veçanti për dy lojtarët e Shqipërisë, qendërmbrojtësin Ardian Ismajli që luan tek Empoli dhe mesfushorin e Interit, Kristjan Asllanin. “A e kam pritur shpërthimin e Ismajlit? Po. Qëkur kemi luajtur me tre mbrojtës te Shqipëria, unë, ai dhe Gjimshiti, jam ndier mirë me të dy. Ismajli ka qenë gjithmonë shumë i fortë. Ndoshta nuk është shumë i gjatë, por ai ka fuqi dhe ka shkëputje të madhe. Ai është shumë i kujdesshëm në mbulimin e hapësirave, në pozicionim. Është e pamundur ta gjesh atë në pozitën e gabuar. Kam shumë respekt për të. Kur luaj me të te Shqipëria ndihem rehat dhe me vetëbesim. Po ashtu, ai i përkrah shumë bashkëlojtarët”, ka deklaruar Kumbulla për Ismajlin. Fjalë pozitive ka thënë edhe për Asllanin, por e ka pranuar se kur nuk luan vazhdimisht është e vështirë ta gjesh formën më të mirë. “Asllani teknikisht është shumë i fortë, por nuk e di, duhet ta kesh edhe dinamikën e brendshme të ekipit. Mund të jap një shembull. Kur unë nuk kam luajtur për kohë të gjatë dhe ka ardhur momenti për të luajtur, nuk jam ndier mirë. Është çështje personale, por vazhdimësia të jep vetëbesim. Kjo është e vërtetë për një djalosh të ri si ai, apo si unë para dy-tre vjetësh”, shtoi Kumbulla. Ai nënvizoi se dallimi mes Serie A dhe La Liga është shumë i madh. Në Itali, sipas Kumbullës, futbolli është më taktik se në Spanjë. Në elitën spanjolle ka më shumë kundërsulme dhe lojë ofensive.
