Erald Çarçiu
TIRANË-Erald Çarçiu, prind u dy vajzave binjake që frekuentonin kopshtin publik në Gramsh ka zbuluar detaje të reja mbi helmimin e fëmijëve duke u shprehur se ngjarja vijon e mbahet sekrete nga autoritetet. Çarçiu për ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, informoi se helmimi i fëmijëve ka nisur 10 ditë më parë pasi kanë konsumuar supë pule. Në ditët në vijim më pas fëmijët kanë shfaqur shenjat e helmimit.
“Akoma vazhdojnë ta mbajnë mbuluar, në mënyrë sekrete nëpër e-mail personale. Nuk arrij ta kuptoj pse është ky mbulim kur edhe ne kemi nevojë të na japin edhe këshilla, si të veprojmë me fëmijët. Ata fëmijët e prekur, si duhet të kurohen, ku duhet të kurohen. Nuk e kuptoj këtë heshjen, pse duhet ta mbulojnë, çfarë halli kanë që duan ta mbulojnë. Këtë nuk arrij ta kuptoj. Janë 14 raste fëmijë dhe staf, nuk janë 4. Është konfirmuar edhe tek të tjerët. Të premten e kaluar, fëmijët kanë konsumuar supë pule dhe pastaj kanë filluar shenjat. Një e nga një fëmijët. Përgjigjet e analizave këtu i vonuan, i kanë nxjerrë ditën e djeshme për 10 vetë. Me prindërit e fëmijëve që unë kam biseduar, ka një shqetësim. Me njërin prej tyre që unë kam qenë mbrëmë, fëmija kishte ende probleme. Shumica e fëmijëve e marrin mjekimin në shtëpi,” tha ai.




