Studimet albanologjike mblodhën studiuesit, ku në qendër të konferencës në Akademinë e Shkencave ishte kontributi i prof. dr. Isak Shemës. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), organizoi konferencën shkencore mbarëkombëtare “Kontributi i Prof.dr. Isak Shemës në lëmin e studimeve albanologjike, arbëreshe dhe arbëneshe”, që u çel nga prof. as. Diana Kastrati, drejtore ekzekutive e QSPA-së, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ). Prof. Kastrati theksoi në fjalën e saj, se sot do shterohet kontributi i pamatë i prof. dr Isak Shemës, duke i shprehur mirënjohjen për kontributin e tij në fushën e studimeve albanologjike, prurje me rëndësi për arbëreshët dhe arbëreshët. Skënder Durmishi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, ndau me të pranishmit njohjet dhe konsideratat për Prof. dr. Isak Shemën, ndërsa fjalë përshëndetëse pati dhe akademik Stefan Çapaliku.
Nën moderimin e Agim Vincës, Rami Memushaj dhe Vebi Bexhetit u çel sesioni i parë i kësaj konference. Prof. Agim Vinca me kumtesën “Portreti i Isak Shemës”. Prof. Emil Lafe mbajti kumtesën “Shqetësimet gjuhësore të Prof. Isak Shemës”. Prof. Klara Kodra kishte përgatitur kumtesën me titull “De Rada në këndvështrimin e prof. Isak Shemës”. Prof. Rami Memushaj mbajti kumtesën “Ndihmesa të prof. Isak Shemës në studimin e të folmeve dhe të letërsisë arbëreshe dhe arbëneshe”. Prof. Kastriot Gjika mbajti kumtesën “Letërsia shqipe e gjysmës së parë të shek. XX në optikën e studiuesit Isak Shema”. Studiuesja Ornela Radovicka nga Frasnita e Kalabrisë mbajti kumtesën “Studimet e prof. Isak Shemës për letërsinë arbëreshe.
Fatos Kryeziu mbajti kumtesën “Veprimtaria shkencore albanologjike e Prof. Isak Shemës në Institutin Albanologjik të Graz-it”. Murat Ajvazi nga Baden i Zvicrës mbajti kumtesën “Studimet e prof. Isak Shemës për jetën dhe veprën e Faik Konicës sipas dokumenteve të gjetura prej tij në Arkivin Mbretëror të Brukselit (1897-1902)”. Nën moderimin e Kastriot Gjikës dhe Vilma Prokos u mbajt sesioni i dytë i konferencës shkencore mbarëkombëtare për kontributin e prof. Isak Shemës. Mbajtën kumtesa Vilma Proko, Xhafer Cakolli, Sarë Gjergji. Besa Shema-Luzha e bija e Prof. Shemës mbajti kumtesën “Kontributi i prof. Isak Shemës në aspektin e edukimit për letërsinë, artin dhe kulturën për ne, fëmijët e tij”. Në këtë konferencë kumtesa mbajtën edhe Gani Pllana, But Jaku e Xhemaledin Salihu nga Presheva që përmbylli sesionin e dytë të saj. Në këtë larmi kumtesash të sjella me origjinalitetin vetjak të secilit folës, u shpërfaq figura dhe kontributi i pashlyeshëm i prof. dr. Isak Shemës në lëmin e albanologjisë, me një fokus të veçantë në këtë konferencë te kontributi i tij për diasporat historike arbëreshe dhe arbëneshe.
Tag: kumtesën
-

Studimet në albanologji dhe kontributi i prof. dr. Isak Shemës, studiuesit në konferencë shkencore në Akademi