Adriatik BALLA
Lojtarët shqiptarë janë të tejshtrirë në kampionatet e shumë vendeve europiane madje dhe në kampionatin aziatik dhe atë amerikan. Një pjesë e tyre që janë më cilësorë kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për përfaqësuese të vendeve të tjera si Zvicra, Gjermania etj, pa harruar se shumë shqiptarë luajnë po ashtu për përfaqësueset e vendeve fqinje si Malin e Zi, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Madje, shqiptarët në radhët e verimaqedonasve po ndihmojnë skuadrën drejt një kualifikimi historik në Kupën e Botës. Kështu, Enis Bardhi ka shënuar gol dhe ka bërë asistim në fitoren e Maqedonisë së Veriut. Të dielën mbrëma në Shkup, Maqedonia e Veriut fitoi 5:0 ndaj Lihtenshtajnit, në kualifikimet e Kupës së Botës 2026. Fitoren e ndihmoi edhe Liridon Qamili, që shënoi po ashtu gol. Bardhi, Isnik Alimi dhe Ezgjan Alioski startuan te Maqedonia e Veriut. Alioski asistoi për Qamilin. Në pjesën e dyte pos Qamilit u aktivizua edhe Reshat Ramadani. Për Maqedoninë e Veriut është fitorja e tretë në Grupin J. Ka edhe dy barazime. Me 11 pikë është fuqishëm në garë për kualifikim në Botëror.
Prezantim me “shpulla kokës” për Ernest Muçin tek Trabzonspori turk
Në kampionatin turk luan një kontigjent i madh dhe i rëndësishëm i futbollistëve shqiptarë, të cilët luajnë në të dy kategoritë elitare të futbollit turk. Ndërkohë, Ernest Muçi mungoi në grumbullimin me Kombëtaren për ndeshjet e shtatorit për shkak të një dëmtimi, siç raportohej nga FSHF. Por futbollisti ka lënë gjithçka pas krahëve në këto ditë teksa ka finalizuar transferimin te Trabzonspor. Lojtari jo vetëm ka kaluar pa probleme vizitat mjekësore, por edhe ka nisur menjëherë stërvitjen me grupin te skuadra e Trabzonspor. I pritur si zakonisht me “tunelin me shpulla”, që është kthyer në traditë për blerjet e reja, më pas në stërvitjen e parë gjithçka ka shkuar në rregull për Muçin. Edhe vetë klubi i Trabzonspor ka postuar një video të sulmuesit shqiptar teksa kryente ushtrime me pjesën tjetër të skuadrës, duke marrë rregullisht pjesë edhe në një ndeshje të vogël kontrolli.
Kumbulla shihet “i pa arritshëm” për xhepat e Majorkës
Marash Kumbulla zhvilloi një sezon mjaft të mirë në La Liga me skuadrën e Espanjolit, megjithatë në verë u rikthye te Roma pas përfundimit të huazimit. Verdhekuqtë, si duket nuk e kishin në planet e tyre dhe e transferuan sërish në Spanjë, por këtë herë te Majorka. Por, mesa duket në Spanjë kanë mbetur të kënaqur nga Kumbulla dhe është pikërisht drejtori sportiv i Espanjolit, ai i cili ka folur para mediave dhe u ndal te mbrojtësi i Kombëtares. Fran Garagarza u shpreh se klubi do të donte të kishte Kumbullën në skuadër, por ishte një kosto e madhe financiare dhe në këtë mënyrë, u mendua për të tjera lëvizje. Ai u shpreh se klubi po kërkon të ndërtojë një skuadër, e cila nuk e dëmton financiarisht klubin dhe se mund të ketë një projekt afatgjatë, prandaj edhe Kumbulla u konsiderua i pa arritshëm.