Projekti për qendrën e vizitorëve në qytetin antik të Butrintit, është dizajnuar me një ndërthurje mes pranimit të vizitorëve dhe integrimit me peizazhin natyror dhe trashëgiminë arkeologjike të zonës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga projekti më i ri për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit, një projekt model që i shtohet kolonës së objekteve kulturore.
I konceptuar nga mjeshtri i njohur japonez i arkitekturës, Kengo Kuma, ky projekt po realizohet nën kujdesin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) dhe synon transformimin rrënjësor të mënyrës së menaxhimit të parkut arkeologjik të Butrintit.
Kryeministri vlerësoi kontributin e AADF në kthimin e Butrintit nga një problem menaxherial, në një shembull rrezatues për të gjitha institucionet kulturore të vendit, si edhe po ve në jetë hap pas hapi një plan strategjik promovimi global të këtij xhevahiri të Trashëgimisë sonë Kulturore
“Një projekt i shkëlqyer që i jep jetë një standardi të ri në menaxhimin dhe promovimin e pasurive tona kulturore”, u shpreh Kryeministri Rama.
“Është radha tashmë e Martinit dhe Aleksandrit ta ndërtojnë. Nuk është e lehtë, është një prekje japoneze që kërkon cilësi, përsosmëri. Është e jashtëzakonshme dhe besoj që mund të shndërrohet a të bëhet një prej qendrave më të mira, në mos më e mira, për vizitorët në botë”, shkruan Rama.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në krahun tjetër, u shpreh se “qendra e re do të shërbejë si porta hyrëse e Butrintit, duke i orientuar vizitorët drejt një përvoje më të thellë të këtij thesari botëror të mbrojtur në UNESCO”.
“Kjo qendër është një mënyrë e re për të përjetuar historinë me kujdes, respekt dhe ndjeshmëri për çdo shtresë të këtij siti unik. Arkitektura e saj ndërthur natyrën, kulturën dhe bashkëkohoren, pa mbizotëruar peizazhin, por duke u bërë pjesë organike e tij.Druri, drita natyrale, hapësirat e qeta dhe ndërtimi mbi themele të cekëta mbrojnë shtresat arkeologjike nën tokë, duke ndjekur standardet më të avancuara ndërkombëtare të ruajtjes. Një projekt që i flet historisë me gjuhën e së sotmes dhe brezave të ardhshëm”, shkruan Gonxhja në një postim të tij.
Qendra është në një vend strategjik, që lidh shtigjet malore, zonat me lagunë, liqenin e Butrintit dhe Kanalin e Vivarit. Kjo mundëson përvoja të ndryshme për vizitorin: natyrë, arkeologji, pamje panoramike.
Qendra e re në hyrjen kryesore të zonës arkeologjike ndihmon në menaxhimin më të mirë të fluksit të vizitorëve, ndërsa përfshin rimodelimin e zonës së biletave, ankorimet dhe shërbimet për mbështetjen e vizitorëve.
Studioja e arkitektit japonez me famë botërore “Kengo Kuma” u shpall fituese e Konkursit Ndërkombëtar për projektin e Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Studioja fituese u përzgjodh për qasjen unike arkitekturore në krijimin jo thjesht të një objekti, por të një porte hyrëse në pasurinë e Butrintit, me një pamje të mrekullueshme dhe krijimin e një hapësire publike takimi për komunitetin lokal dhe turistët.
Kjo qendër, e denjë për të mikpritur vizitorët, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të tyre do të respektojë së pari vlerat e jashtëzakonshme universale jo vetëm të zemrës arkeologjike, por të të gjithë Parkut Kombëtar.
Tag: kulturore
-

Projekti i qendrës së vizitorëve, Rama: Butrinti nga problem, në shembull për institucionet e kulturës
-

Specialistët: IKTK larg detyrave dhe perspektivës së mbrojtjes së monumenteve, këshillat nuk mund të krijohen me…
Nga Julia Vrapi
Ruajtja, dokumentimi, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore ka vënë herë pas here institucionet përgjegjëse përballë kritikave. Specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore, që kërkojnë mbrojtje institucionale , restaurim dhe jo ndërhyrjeje të paligjshme shprehen me kritika për Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), që është në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Por problem për specialistë e studiues është dhe përbërja e këshillave, që krijohen për trashëgiminë kulturore. Piktori Adrian Devolli, i cili që nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës shpreh kritika për mënyrën se si zhvillon aktivitetin sot IKTK, që sipas tij nuk ka as specialistë si dikur. “Dikur kishim Institutin e Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” me specialistë, por tani është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore një institucion që ekziston tani vetëm de juro, de facto nuk bën asgjë.
Nuk ka specialistë dhe as studiues si dikur”, shprehet Devolli. Piktori Adrian Devolli, i cili nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë IMK-së, më pas deri më 1991 ka qenë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ku është marrë me shumë vepra, shprehet se këshillat që krijohen për trashëgiminë kulturore nuk duhet të jenë me nëpunës të Ministrisë së Kulturës. Sipas tij projektet e ndërhyrjes në monumentet e kulturës kërkojnë vetëm specialistët, që të gjykojnë. “Kush i miraton projektet? Sepse që të bëhet një projekt duhet të shkojë që të marrë aprovimin ose jo. Kur bëheshin dikur projekte u shpjegonin arsyet dhe pasi ishin mbledhur të gjitha dokumentacionet, se si duhet të ndërhyhet, fazat e ndërhyrjes, etj, ku dhe aty ku prezantohej projekti bëheshin edhe vërejte dhe në fund fare arrihej në një rregullim të projektit. Sot kush do ta bëjë? Kush i aprovon këto projekte atje? Kush janë specialistë, që e gjykojnë nëse bën apo jo ky projekt? Këshillat për trashëgiminë kulturore nuk mund të bëhen me nëpunës ministrie”, thotë Adrian Devolli.
Gjendja e IKTK shkak i politikës
Studiuesi Jaho Brahaj, i cili herë pas here ka folur për problemet në trashëgiminë kulturore shpreh gjithashtu kritika ndaj IKTK-në apo dhe Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale. Sipas studiuesit Brahaj, IKTK nuk ka plan studimi se cilat do të jenë objektet që do vendosen e vlerësohen si monument kulture, ndërsa shpreh dhe vërejtje për përbërjet e këshillave për trashëgiminë kulturore në institucione. “IKTK larg detyrave dhe perspektivës së mbrojtjes së monumenteve. Gati është inekzistent dhe është kthyer hipotekues i prishjes dhe i heqjes së monumenteve të kulturës nga lista. Nuk di të ketë plan studimi cilat do jenë objekte trashëgimi kulturore, që do vendosen dhe vlerësohen me këtë status në territorin e Shqipërisë. Por këtu është dhe faji i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, që kryesisht kanë mbledhur punonjës të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve që varen nga ministria, që në fakt duhej të ishin specialistët më të mirë qoftë nga institucionet jashtë saj Pothuaj është bërë një qark i mbyllur brenda Ministrisë së Kulturës, që edhe në diskutimet ato mbrojnë interesat meskine të vogla nganjëherë edhe në shërbim të bizneseve të ndërtimit ose të bizneseve të tjera që hapen në monumentet e kulturës”, shprehet Brahaj.
Studiuesi Brahaj edhe më parë ka shprehur kritika në drejtim të Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për problemet e ndryshme me të cilat përballet trashëgimia kulturore në vend, ku një ndër to dhe ndërhyrjet pa kriter. Por edhe pse IKTK-në e sheh larg detyrave, Brahaj thotë se shkak për çfarë ndodh është i politikës. “Instituti ka specialistë edhe me diapazon për detyrimet, sipas kërkesave që ka ky institucion, por vetë qerthulli politik në të cilin neve po kalojmë në këto periudha e ka degraduar institutin në një qark të mbyllur, i cili mund të bëjë çdo gjë edhe në prishjen e në heqjen nga lista të monumenteve të kulturës, nuk ka hapur një perspektivë për monumentet e kulturës, që të jenë në shërbim qoftë të mbrojtjes dhe atyre vlerave që ne i kemi të veçanta, qoftë të mbrojtjes së monumenteve të kulturës edhe fizikisht”, thotë Brahaj. Reagimi i piktorit dhe restauratorit Adrian Devolli dhe i studiuesit Jaho Brahaj për çfarë ndodh me trashëgiminë kulturore dhe rolin e institucioneve është në vijim të atyre më parë edhe nga specialistë të tjerë. -

Destinacionet kulturore dhe historike, Rama ndan shifrat: Rekord, mbi 1.2 mln vizitorë për periudhën janar-shtator
Destinacionet kulturore dhe historike kanë pasur rekord vizitorësh nga muaji janar deri në shtator.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama thotë se gjatë kësaj periudhe kohore janë numëruar 1,259,774 vizitorë, një rritje me 57% krahasuar me një vit më parë.
Më tej ai rendit destinacionet më të vizituar, ku në krye është Parku Arkeologjik i Butrinit, që ndiqet nga Kalaja e Gjirokastrës.
“Rekord vizitorësh në destinacionet tona kulturore dhe historike, ku nga janari deri në shtator janë numëruar gjithsej 1,259,774 vizitorë, një rritje me 57% krahasuar me një vit më parë.
Sitet më të vizituara:
Parku Arkeologjik Butrint – 257,670 vizitorë
Kalaja e Gjirokastrës – 253,407 vizitorë
Parku Arkeologjik Shkodër – 150,927 vizitorë
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – 147,178 vizitorë
Parku Arkeologjik i Apolonisë – 109,669 vizitorë”, shkruan Rama.Top Channel
-

Trashëgimia kulturore në Komisionin për Kulturën, ndërhyrjet në zonat arkeologjike rikthejnë debatet
Problemet në trashëgiminë kulture në vend rikthyen edhe debatet në Kuvend. Në Komisionin Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, u zhvillua një seancë dëgjimore me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore me informacion mbi ruajtjen, studimin, dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në vend. Por raporti vjetor i IKTK-së në parlament riktheu dhe debatet për ndërhyrjet në zona të mbrojtura në vendin tonë. Drejtuesit e IKTK-së kundërshtuan qëndrimet e përfaqësuesve të opozitës, të cilët thanë se i referohen vlerësimeve të UNESCO-s për situatën e krijuar veçanërisht në parkun e Butrintit. Çështja e rishikimit të kufijve të parkut të Butrintit dhe miratimi më pas i ndërtimit të një resorti turistik, u rihap në komisionin parlamentar nga kryetarja e tij dhe deputetja e PD-së, Ina Zhupa. Përfaqësuesi i IKTK-së arkeologu Maringlen Meshini, duke iu referuar zonës tha se nuk ka asnjë objekt arkeologjik.
“Zona ku është objekti resort nuk ka status pasuri kulturore. Jam unë që e kam zbuluar kullën rrethore. Mediat më pas manipuluan çdo lloj informacioni. Është rrënojë poste kufitare e vitit 1930. U mendua se ishte objekt arkeologjik, për shkak të objekteve të qeramikës. Në atë hapësirë nuk ka asnjë objekt arkeologjik. Kjo gjurmë ndërtimi nuk prek asnjë objekt arkeologjik apo objekt me status monument kulture. Struktura e re që po ndërtohet nuk ka dëmtuar asnjë lloj pasurie kulturore”, tha ai. Një projekt i Bashkisë së Peqinit me asfalt te Via Egnatia një nga rrugët më të mëdha e më të rëndësishme të botës antike ka qenë më parë objekt kritikash. Drejtoresha e IKTK-Joli Mitrojorgji tha se nga gjithë verifikimet, bëhet fjalë për trasenë ku ka kaluar Via Egnatia dhe jo kalldrëmi origjinal.
“Bashkia ka dashur të shtojë pikë turistike në zonë. Ajo trase që ka qenë pjesë e këtij projekti, ka qenë një rrugë e kalueshme nga makinat”, vijoi ajo. Ndër të tjera duke iu përgjigjur pyetjeve, drejtoresha e përgjithshme e IKTK-së Joli Mitrojorgji sa i përket projekteve kërkimore shkencore tha se IKTK i administron të gjitha aplikimet që i vijnë, si dhe i monitoron në terren. Sipas saj në vitin 2024 ishin 22 projekte të tilla të realizuara. Ndërsa në vitin 2025, për periudhën janar-shtator, janë 20 projekte. Në lidhje me investimet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për vitin 2024-2025, ku shumica janë në proces, Mitrojorgji vijoi se rezultojnë rreth 40 pasuri kulturore të shpërndara në të gjithë territorin.
-

Janar – shtator 2025, mbi një milion turistë në sitet kulturore
Parku arkeologjik i Butrintit dhe kalaja e Gjirokastrës nga janari deri në muajin shtator kanë pasur dhe numrin më të madh të vizitorëve. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja publikoi një ditë më parë statistikat, ku rreth 1.259.774 vizitorë kanë vizituar sitet kulturore nga muaji janar deri në shtator të këtij viti.
“Një rritje me 57 për qind krahasuar me vitin 2023. Falë mirëardministrimit, të ardhurat nga biletat janë rritur me 84 për qind, krahasuar me vitin 2023!”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale. Në materialin e publikuar nga ministri Blendi Gonxhja sitet më të vizituara për këto muaj janë: parku arkeologjik Butrint – 257.670 vizitorë; kalaja e Gjirokastrës- 253.407 vizitorë; parku arkeologjik Shkodër – 150.927 vizitorë; muzeu kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – 147,178 vizitorë dhe parku arkeologjik i Apolonisë – 109,669 vizitorë. Herë pas here edhe më parë institucionet kanë bërë me dije numrin vizitorëve në kala, muze e parqe arkeologjike në vend, ku ka pasur një rritje të tyre. Nga statistikat për numrin e vizitorëve të publikuar së fundmi parku kombëtar i Butrintit ka edhe numrin më të madh të vizitorëve, që gjithashtu është edhe një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit.
Zemra e parkut kombëtar është qyteti antik i Butrintit. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si Monument Kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. -

Zhvillimi modern mund të arrijë harmoninë duke respektuar natyrën dhe duke ruajtur historinë
Me temën “Një Simfoni Qytetërimesh, Rezonancë në Harmoni”, u hap në Dunhuang Dialogu Global i Kryetarëve të Bashkive i cili përqendrohet në çështjet praktike të qeverisjes, duke përfshirë shfrytëzimin e burimeve kulturore, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e gjelbër dhe ndërtimin e qyteteve inteligjente.Forumi synon të diskutojë mundësitë dhe sfidat në qeverisjen kulturore urbane.
Në sfondin e urbanizimit të shpejtë global, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë në rritje të balancimit të ruajtjes së trashëgimisë kulturore me rritjen urbane. Veçanërisht, forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar theksohet si një përgjigje kyçe ndaj këtyre sfidave të përbashkëta.
Si qyteti pritës, Dunhuang – shtëpia e tre vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe mbi 260 vendeve të relikeve kulturore – po tregon qasjen e tij të integruar në vitet e fundit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke rritur njëkohësisht cilësinë urbane. Peizazhi unik natyror i Dunhuang-ut, trashëgimia e thellë kulturore dhe historia e gjatë, janë tipare shumë mbresëlënëse të këtij qyteti.
Dunhuang nuk është vetëm një simbol i Kinës, por gjithashtu i demonstron botës se si zhvillimi modern mund të arrijë harmoninë duke respektuar natyrën dhe duke ruajtur historinë, tha Tigran Poghosyan, kreu i komunitetit Garni në rajonin Kotayk të Armenisë.
Yu Chenghui, zëvendësdrejtor i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor të Provincës Gansu, tha në ceremoninë e hapjes se përmes dialogut, pjesëmarrësit do të ndajnë përvojat, do të zgjerojnë bashkëpunimin dhe do të ndihmojnë qytetet të gjejnë zgjidhje të reja për çështje të tilla si mbrojtja e trashëgimisë kulturore, qeverisja urbane dhe zhvillimi i qëndrueshëm. -

Andi Tepelena: Arti dhe kultura janë ende shumë larg një vullneti politik për ti bërë ato sektorë prioritarë
Puna për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Kulturën 2026-2030 rikthen në vëmendje problemet me të cilat përballet edhe Skena e Pavarur Kulturore në vend. Andi Tepelena bashkëthemelues dhe aktivist i Skenës së Pavarur Kulturore thotë se arti dhe kultura janë ende shumë larg një vullneti politik për ti bërë ato sektorë prioritarë, ndërsa si përfaqësues të SPK-së ishin në takimin pak ditë më parë për Strategjinë e re Kombëtare të Kulturës edhe për të kërkuar çfarë ishte bërë me kërkesat e tyre. Në intervistën për gazetën “SOT” Andi Tepelena flet për vështirësitë që karakterizon sektorin e profesionistëve të kulturës, që prodhojnë jashtë sistemit shtetëror, por sipas tij duhet dhe rishikim i ligjit nr. 10 352, datë 18.11.2010 “Për Artin dhe Kulturën”, pasi është tejet i rënduar burokratikisht dhe jo funksional në praktikë. Andi Tepelena sjell sërish në vëmendje dhe çështjen e rikthimit të QKAK ( Qendra Kombëtare e Arteve dhe Kulturës), që sipas tij duhej të funksionojë sipas modelit anglez të Këshillit Britanik të Arteve. Skena e Pavarur Kulturore në vend përballë problemeve në fushën e artit dhe kulturës ka shprehur edhe më parë vërejtje për ligjin e artit. Në vitin 2018 erdhi dhe marrëveshja që u nënshkrua mes përfaqësuesve të SPK-së dhe atyre të Ministrisë së Kulturës, që synonte një bashkëpunim dhe përfshirjen jo vetëm për ligjin e ri të artit dhe kulturës, por edhe iniciativa të tjera, që preknin fushën e zbatimit ku operon skena e pavarur, e cila mbeti në letër.
-Hartimi i Strategjisë Kombëtare të Kulturës 2026-2030 ishte në qendër të forumit të mbajtur këto ditë në mjediset e ish-Kinostudios dhe që bëri bashkë aktorë të fushës së artit dhe kulturës nga skena e pavarur, institucionet publike dhe partnerët ndërkombëtarë. Ju si bashkëthemelues dhe aktivist i Skenës së Pavarur Kulturore dhe të tjerë nga SPK ishit të pranishëm në këtë takim për punën me hartimin e Strategjisë së re Kombëtare të Kulturës 2026-2030. Çfarë mund na thoni mbi vështirësitë, që përballet sot skena e pavarur?
Të ftuar në Forumin për Strategjinë Kombëtare të Kulturës, si aktivistë të Skenës së Pavarur Kulturore ngritëm shqetësimin për sfidat dhe vështirësitë, që karakterizon sektorin e profesionistëve të kulturës, që prodhojnë jashtë sistemit shtetëror, por që përpiqet ti japë publikut një ofertë artistike kulturore të ndryshme dhe inovative nga ajo çka prodhon sektori shtetëror i artit dhe kulturës në Shqipëri. Një ofertë që synon të nxisë dhe plotësojë nevoja të konsumit kulturor alternative nga oferta shtetërore, por në të njëjtën kohë synon t’a bëjë artin dhe kulturën asetin më të rëndësishëm për ruajtjen dhe konsolidimin e identitetit kombëtar, forcimin e vlerave të demokracisë, nxitjen e aktivizmit, punësimin në sektorin e ekonomisë krijuese dhe bërjen e artit dhe kulturës faktor zhvillimi ekonomik, rritjen e kapaciteve dhe punësimin në industrinë krijuese dhe turizmin kulturor. E natyrisht në këto kohë sfidash të natyrës strukturore dhe financiare që përballet Skena e Pavarur Kulturore, ku arti dhe kultura janë ende shumë larg një vullneti politik për ti bërë ato sektorë prioritarë, ishim aty për të kërkuar çfarë ishte bërë me kërkesat tona për një paketë masash në gjendje të incentivojnë start upe dhe sipërmarrjen kulturore dhe të ulin barrën fiskale. Janë pak a shumë kërkesat, që i kemi parashtruar në Manifestin e Skenës së Pavarur Kulturore i konsultuar me grupe interesi, artistë, profesionistë e aktivistë të Skenës.
-Në reagimet tuaja herë pas here si bashkëthemelues i Skenës së Pavarur Kulturore dhe aktivist, ju jeni shprehur dhe për Qendrën Kombëtare të Arteve dhe Kulturës. Sipas jush mbi çfarë modeli duhet të funksionojë kjo qendër?
Në Forumin për Strategjinë Kombëtare të Kulturës krahas shqetësimeve që shpreha ne ngritëm sërish çështjen e rikthimit të QKAK ( Qendra Kombëtare e Arteve dhe Kulturës) që do të funksiononte sipas modelit anglez të Këshillit Britanik të Arteve, dhe në thelb konsiston në një pavarësi të vlerësimit të projekteve artistike nga politikbërja, por që u mbyll në mënyrë arbitrare dhe anti kushtetuese nga ish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
-Një nga kritikat tuaja më parë ka qenë dhe mungesa e konsultimeve me përfaqësues të Skenës së Pavarur Kulturore sa i takon hartimit të paketave fiskale që shoqërojnë buxhetet vjetore, ndërsa statusi i artistit vijon një kërkesë prej vitesh në drejtim të Ministrisë së Kulturës, çka kërkon dhe rishikim të ligjit aktual të artit. Ku i shikoni problematikat në ligj?
Në kërkuam në bazë të ligjit mbi konsultimin publik, konsultime me Skenën e Pavarur në lidhje me prioritet dhe propozimet tona kur hartohen paketat fiskale, që shoqërojnë buxhetet vjetore. Gjithashtu në këtë forum ngritëm sërish si shqetësim çështjen e “statusit të artistit”, që nuk ka tjetër si qëllim formalizmin e kategorive të artistëve të pavarur dhe profesionistëve freelance, që vazhdon të mbetet kaotik dhe i parregulluar me ligj. Dhe në këtë aspekt ka nevojë të rishikohet i gjithë ligji nr. 10 352, datë 18.11.2010 “Për Artin dhe Kulturën”, i ndryshuar, i cili është tejet i rënduar burokratikisht dhe jo funksional në praktikë.
-Ndërkohë që përballë asaj çfarë reklamojnë institucionet për muzetë në vend, për ju vijon të jetë ende një sektor i prapambetur. Kur shpreheni për reformim në këtë sektor, çfarë keni parasysh?
Një reformim të plotë sektorit muzeal në Shqipëri, një sektor i prapambetur si në formë, dhe në përmbajtje, që nuk po përshtatet me metodologjinë e menaxhimit bashkëkohor të muzeve në rajon dhe Europë. E natyrisht mbështesim dhe shqetësimet e administratave të muzeumeve, që me të drejtë kërkojnë pavarësi të plotë financiare në përfitimin e të ardhurave nga biletat dhe aktivitete dytësore. Sot muzeumet janë një nga sektorët më të rëndësishëm të edukimit të brezave, por dhe turizmit, ndërkohë mbi toka dhe nëntoka në Shqipëri ndonëse ka një histori të jashtëzakonshme për nga vlerat autentike, muzetë tona, në shumicë dërrmuese, vijnë ende era myk komunizmi për nga infrastruktura dhe atraktiviteti dhe aftësia për të nxjerrë në pah këto vlera.
-Financimi i artit dhe kulturës ka qenë një prej çështjeve, që si përfaqësues të Skenës Pavarur Kulturore apo dhe artistë të tjerë në institucionet e artit kanë shprehur vërejtje për kufizimet që vijnë nga mosfinancimi i duhur. Në këtë takim për Strategjinë Kombëtare për Kulturën 2026-2030, ku ishte i pranishëm dhe ministri i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ju u shprehët se vendi jonë renditet i fundit në rajon sa i takon financimit të kulturës. Çfarë mund të thoni më shumë rreth financimit?
Mbi të gjitha kërkuam atë që kemi kërkuar, që kur një grup profesionistësh dhe artistësh të pavarur krijoi Skenën e Pavarur Kulturore (SPK) në vitin 2013, financimin e kulturës në nivelin jo më pak 1 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërkohë sot diku tek 0,5-0.6 për qind i PBB-s, buxhet që e rendit Shqipërinë të fundit në rajon dhe Europë. Por kjo natyrisht kërkon vizion dhe vullnet politik. Ne si profesionistë të Skenës do të bëjmë më të mirën tonë për përafrimin me standarted e Bashkimit Europian të parashikuar në kapitullin 26 që lidhet drejtpërdrejtë me artet dhe kulturën.
Intervistoi: Julia Vrapi -

Neil Postman: Kur një popull i tërë vëmendjen e ka tek banaliteti…
Nga: Neil Postman
“Kur një popull i tërë vëmendjen e ka tek banaliteti, kur jeta e tij kulturore përcaktohet nga një rreth i qëllimshëm shpërqendrimi, kur serioziteti i debatimit publik shndërrohet në një bisedë kafexhinjësh, për ta thënë shkurt, kur ky popull vlen më shumë si audiencë ku të zhvatësh pagesa, dhe interesi biznesor shndërrohet në një tragjikomedi kombëtare, atëherë mund të themi se një komb i tërë është në rrezik; sepse vdekja kulturore e tij bëhet e mundshme.”Neil Postman (mësues, sociolog, teoricist i mass mediave dhe kritik i kulturës bashkëkohore), marrë nga libri i tij: “Duke e dëfryer vetveten tonë deri në vdekje”
ObserverKult
Neil Postman
Lexo edhe:
HERVIN ÇULI: BIG BROTHER, PO PËRDHUNOHET BARBARISHT ÇDO VLERË QYTETARE…
Tmerr!!! Kurrë nuk e kisha imagjinuar që një ditë rrugaçëria, alabakria, malavita, do të pushtonin televizionet tona dhe do poshtëronin një popull të tërë!
Nuk e di se si ndjehen njerezit e mendjes, intelektualët, njerëzit e artit dhe kulturës, kur shohin degjenerimin e plotë të televizioneve tona kombëtare?!
Tekstin e plotë e gjeni KËTU
-

Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 mbledh artistë e drejtues institucionesh, kritikë ligjeve që krijojnë pengesa
Nga Julia Vrapi
Hartimi i Strategjisë së re Kombëtare të Kulturës do të jetë një proces, ku pjesëmarrësit të ndajnë ide dhe vizione për zhvillimin e kulturës në vendin tonë. Artistë, profesionistë dhe drejtues institucionesh një ditë më parë u mblodhën në takimin, që u zhvillua për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Kulturën 2026-2030. I pranishëm në këtë takim ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, kërkoi një qasje të re, më pak burokraci dhe që kultura të jetë dhe një gjenerues real ekonomik. Ndër të tjera ai u shpreh dhe për pengesat që krijon ligji për trashëgiminë kulturore. “Ligji jonë është aq i komplikuara sa eksperti i UNESCO-s tha që ligji juaj i trashëgimisë superon çdo fantazi dhe çdo imagjinatë tonën për të mos lënë që gjërat të bëhen, domethënë ideja ishte që ia kishim kaluar dhe atyre. 120 faqe ligj.
Pa korpus aktesh dhe vendimesh, i cili do ja dhjetë vjet të bësh 250 VKM. Nuk e di se pse zyrtarët tanë, njerëzit tanë, sektorët tanë, se janë po ata që i shkruajnë, janë po ata që i bëjnë, janë po ata që i konceptojnë dhe pastaj janë po ata që ne kur shkojmë, sot, thonë jo, jo, se është ai komisioni, është ai grupi, është ajo kështu. Jemi në një pikë që nuk shprehim dot lirshëm atë që kemi, atë që jemi për shkak të vështirësisë së madhe që kemi me ligjin”, tha Gonxhja . Në HangArt – Kinostudio, Tiranë, ku u zhvillua forumi i hapur për të ardhmen e kulturës në Shqipëri ishin të pranishëm artistë, profesionistë dhe drejtues institucionesh, ku ministri Blendi Gonxhja u shpreh dhe për të tjera çështje, sipas tij është e nevojshme edhe riformatimi i ngjarjeve, që konsumojnë buxhete të mëdha, por kanë ndikim të kufizuar afatgjatë. Sa i takon problemeve me infrastrukturën ligjore ato janë vënë në dukje edhe nga artistë të ndryshëm më parë, por dhe sa i takon ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë gjithashtu profesionistë e ekspertë kanë shprehur vërejtje më parë.
Fillimi i një rruge për politikën kulturore
Hartimi për Strategjinë e re Kombëtare të Kulturës pritet të jetë një proces gjithëpërfshirës që synon të ndërtojë një strategji moderne, bashkëkohore dhe të qëndrueshme për kulturën shqiptare. Në reagimin e tij kreu i MTKS thekson se dje u shënua fillimi i një rruge të re për politikën kulturore të vendit, nisja zyrtare të punës për Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030. “Një proces gjithëpërfshirës që do të ndërtojë vizionin e përbashkët për kulturën shqiptare të së ardhmes, bazuar në trasenë e fortë që kemi nisur të ndërtojmë në MEKI, sot në MTKS. Kultura është fuqi krijuese, ekonomike dhe diplomatike, që lartëson identitetin tonë dhe e pozicionon Shqipërinë si qendër të krijimtarisë në rajon”, vijoi ministri Gonxhja në reagimin e tij dhe në rrjete sociale. Në bashkëpunim me Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe Fondacionin “Santagata”, strategjia e re synon: të fuqizojë institucionet kulturore; të mbështesë artistët dhe skenën e pavarur; të investojë në infrastrukturën kulturore dhe trashëgiminë kombëtare; të krijojë kushte dinjitoze për artin si profesion e burim të qëndrueshëm jetese.
“Nga muzetë e rinj te qendrat krijuese, nga reformat për artin te programet kombëtare të granteve, kjo është një ftesë për çdo zë të artit dhe kulturës shqiptare, por dhe njohës e ekspertë, komunitet e grupim, të bëhet pjesë e procesit!”, shprehet ministri Gonxhja. Hartimi i Strategjisë së re Kombëtare të Kulturës 2026-2030 vjen në një kohë kur edhe pse janë bërë investime në disa institucione në vend, arti dhe kultura vijon të përballet me probleme nga më të ndryshmet. Hartimi i Strategjisë së re pëë Kulturën në vend vjen pas asaj 2019-2025 me vizion: Artet dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë, si forcë shtytëse për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit. Ndërsa misioni i saj siç thuhej në dokument për strategjinë në kulturë 2019-2025 ishte krijimi i mjedisit të favorshëm për rritjen dhe zhvillimin e shërbimeve dhe produkteve kulturore dhe krijuese në sektorin publik dhe privat. -

“CulturAlb” në qendër industrinë e suvenireve kulturore dhe ringjalljen e mjeshtërisë tradicionale shqiptare
Nga Julia Vrapi
Industria e suvenireve kulturore dhe ringjallja e mjeshtërisë tradicionale shqiptare është pohuar herë pas here nga artizanë e prodhues vendas. Herë pas here pjesë e diskutimeve ka qenë prodhimi, ekspozimi dhe promovimi i produkteve shqiptare. Me vendim të Këshillit të Ministrave, ka nisur puna për krijimin e fondacionit “CulturAlb”. Ministri Blendi Gonxhja shprehet se “CulturAlb” do të zhvillojë industrinë e suvenireve kulturore dhe do të ringjallë mjeshtërinë tradicionale shqiptar. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, ndërsa shprehet për funksionin e “CulturAlb” thotë se ministria, që ai drejton po vijon dhe procesin e miratimit të regjistrimit pranë gjykatës të fondacionit.
“Me vendim të Këshillit të Ministrave, ka nisur puna për krijimin e fondacionit “CulturAlb”, nismë kombëtare që do të zhvillojë industrinë e suvenireve kulturore dhe do të ringjallë mjeshtërinë tradicionale shqiptare. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si themeluese, po vijon procesin e miratimit dhe regjistrimit në gjykatë, që fondacioni të nisë së shpejti veprimtarinë e tij”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale. Në mbledhjen e datës 8 tetor, qeveria vendosi autorizimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si themeluese e fondacionit “CulturAlb”, me objekt ruajtjen, prodhimin, ekspozimin, promovimin, marketimin, shitjen e suvenireve e të produkteve të tjera artistike, promovimin e trashëgimisë kulturore materiale, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe çdo veprimtari tjetër të parashikuar në statut dhe në aktin e themelimit. “Akti i krijimit dhe statuti i fondacionit miratohen në gjykatë sipas legjislacionit në fuqi për themelimin, regjistrimin, funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse, të cilat ndjekin qëllime në të mirë dhe në interes të publikut”, thuhet në vendim.
Ekspozim dhe promovim brenda dhe jashtë vendit
“CulturAlb” vendos në qendër artizanët, krijuesit, dizajnerët dhe prodhuesit vendas, duke u hapur rrugë për prodhim, ekspozim, promovim dhe tregtim brenda dhe jashtë vendit. Ministri Blendi Gonxhja shprehet më tej se produktet me motive autentike shqiptare do të marrin formë të re në pazaret historike, destinacionet turistike, ekspozita dhe dyqanet e suvenireve. “Duke bashkuar traditën me dizajnin bashkëkohor, fondacioni synon të krijojë një markë të dallueshme shqiptare dhe të rrisë praninë tonë kulturore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, shprehet ministri Gonxhja. Ndërsa sa i takon artizanati shqiptar, vendi ynë është i njohur për një traditë tepër të pasur të artizanatit, të krijuar prej shekujsh nga mjeshtrat popullorë, në çdo krahinë të saj, sipas karakteristikave dhe specifikave të zonave të ndryshme gjeografike, duke u spikatur me shumllojshmërinë e saj. Këto vlera, tashmë të kaluara brez pas brezi, ngjallin gjithnjë interes të madh tek vizitorët dhe studiuesit vendas dhe të huaj, në ekspozita të hapura si brenda dhe jashtë vendit.