Tag: kulturore

  • “Travel and Tour World”: Transformimi i Tiranës, nga trashëgimia historike te inovacioni modern në Shqipëri

    “Travel and Tour World”: Transformimi i Tiranës, nga trashëgimia historike te inovacioni modern në Shqipëri

    Nga një qytet i mbushur me histori dhe kontraste, Tirana po shndërrohet me ritme të shpejta në një prej destinacioneve më tërheqëse të Ballkanit. 

    Kryeqyteti i Shqipërisë nuk është më thjesht qendra administrative e vendit, por një mozaik ngjyrash, kulturash dhe përvojash që tërheq mijëra vizitorë çdo vit. Me një ndërthurje mbresëlënëse të arkitekturës historike, energjisë urbane dhe frymës moderne, Tirana ofron më shumë se sa pritet një qytet që jeton gjatë gjithë vitit, me një atmosferë që të fton ta zbulosh çdo cep të tij. 

    Që nga monumentet historike e deri te sheshet plot jetë, nga muzetë që rrëfejnë të kaluarën tek qendrat inovative të teknologjisë dhe kulturës, Tirana po rikonfirmon veten si një qendër e re magnetike për turizmin rajonal dhe më gjerë. 

    Qytet i pasur me trashëgimi kulturore dhe historike 

    Ajo që e bën Tiranën unike është ndërthurja harmonike mes së vjetrës dhe së resë. Si qyteti më i madh në vend, Tirana ofron mbi 50 objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat dëshmojnë për historinë komplekse të vendit nga periudha osmane e deri te koha e komunizmit dhe transformimet pas viteve ’90. 

    Një nga simbolet më të njohura të qytetit është Sheshi Skënderbej, qendra nevralgjike e jetës urbane, i cili ka pësuar rikualifikime të rëndësishme, duke u shndërruar në një hapësirë të aksesueshme për qytetarët dhe turistët. Pranë tij ndodhet Kulla e Sahatit, një monument historik i restauruar që nga viti 2016, nga ku vizitorët mund të shijojnë pamje panoramike të qytetit. 

    Për ata që janë të interesuar për të kaluarën komuniste të Shqipërisë, Muzeu “Shtëpia me Gjethe” dhe objektet Bunk’Art 1 dhe 2 janë ndalesa të domosdoshme. E para, një ish-qendër survejimi, është kthyer në muze të spiunazhit, ndërsa dy bunkerët e mëdhenj janë transformuar në hapësira ekspozimi që dokumentojnë jetën gjatë regjimit totalitar. 

    Piramida e Tiranës: Nga simbol i së shkuarës, në qendër inovacioni 

    Një nga transformimet më simbolike të kryeqytetit është ai i Piramidës së Tiranës. Dikur muze dedikuar diktatorit Enver Hoxha, sot ajo është një qendër moderne kulturore dhe teknologjike, e pajisur me struktura të reja shumëngjyrëshe, rrëshqitëse dhe hapësira për aktivitete kreative. 

    Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë periudhë si një “vjeshtë turistike”, duke publikuar pamje të vizitorëve të shumtë që frekuentojnë Piramidën. Ky objekt tashmë nuk është vetëm një monument i së kaluarës, por një hapësirë aktive për artin, inovacionin dhe kulturën. 

    Aktivitetet dhe bukuritë natyrore përtej qytetit 

    Përtej pasurive urbane, Tirana ofron gjithashtu alternativa për dashamirësit e natyrës dhe aventurës. Rrethinat e qytetit, përfshirë malet dhe parqet kombëtare, janë ideale për ecje, çiklizëm apo udhëtime në natyrë, duke nxjerrë në pah biodiversitetin dhe peizazhet mahnitëse të Shqipërisë. 

    Po ashtu, skena kulinarie e Tiranës është një tjetër pikë e fortë. Restorantet, kafenetë dhe tregjet ofrojnë mundësi për të shijuar kuzhinën tradicionale shqiptare, por edhe recetat moderne dhe ndërkombëtare. Zona e Pazarit të Ri është kthyer në një pikë referimi për gastronominë dhe jetën urbane. 

    Rritja e vizitorëve dhe ndikimi i eventeve kulturore 

    Numri i turistëve që vizitojnë Tiranën është në rritje të vazhdueshme. Evente të shumta, si festivale, ekspozita artistike dhe aktivitete sportive, luajnë një rol kyç në tërheqjen e vizitorëve nga vendi dhe jashtë tij. Festivale të njohura si Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë apo Tirana Jazz Festival janë kthyer në ngjarje ndërkombëtare që promovojnë qytetin si një qendër të artit dhe kulturës bashkëkohore. 

    Infrastruktura moderne dhe lehtësitë për turistët 

    Tirana është bërë gjithashtu më e aksesueshme për vizitorët, falë Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, i cili ka zgjeruar numrin e linjave dhe frekuencave nga qytetet kryesore europiane. Rrjeti rrugor dhe transporti publik janë përmirësuar ndjeshëm, ndërsa programet për biçikleta me qira dhe investimet në infrastrukturë moderne lehtësojnë lëvizjen brenda qytetit. 

    Rritja e kapaciteteve akomoduese dhe hapja e hoteleve dhe restoranteve të reja janë sinjal i qartë i orientimit të Tiranës drejt zhvillimit turistik. 

    Turizmi si motor ekonomik për Tiranën dhe Shqipërinë 

    Turizmi po shndërrohet në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të kryeqytetit. Rritja e vizitorëve ka gjeneruar mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi në sektorë si mikpritja, tregtia dhe transporti. 

    Investimet publike në infrastrukturën turistike dhe promovimi i destinacioneve kulturore dhe natyrore po japin rezultate konkrete, duke e bërë Tiranën një qytet që nuk i përket më vetëm të shkuarës, por edhe së ardhmes. 

    E ardhmja e ndritur e Tiranës si destinacion turistik 

    Tirana është tashmë një nga destinacionet turistike më premtuese në Ballkan. Ajo kombinon me sukses trashëgiminë kulturore dhe historike me modernitetin dhe zhvillimin urban. Projekte si transformimi i Piramidës janë dëshmi e një vizioni të ri që synon të zgjerojë ofertën turistike dhe të bëjë qytetin më tërheqës për një gamë të gjerë vizitorësh. 

    Me një infrastrukturë në zhvillim, mikpritje karakteristike dhe një larmi përvojash nga historia dhe kultura, te natyra dhe gastronomia Tirana po afirmohet si një qendër turistike rajonale dhe ndërkombëtare, me potencial të madh për të ardhmen. 

  • Adrian Devolli: Nuk ka më Institut të Monumenteve si dikur, sot në IKTK numri i specialistëve është reduktuar dhe…

    Adrian Devolli: Nuk ka më Institut të Monumenteve si dikur, sot në IKTK numri i specialistëve është reduktuar dhe…

    Nga Julia Vrapi
    Kanë kaluar 60 vite që nga themelimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore që nuk është më si dikur. Por përballë problemeve me të cilat përballet trashëgimia kulturore në vend, specialistët herë pas here kanë shprehur kritika në drejtim të IKTK-së. Piktori Adrian Devolli, i cili nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë IMK-së, më pas deri në 1991 ka qenë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ku është marrë me shumë vepra shpreh kritika për institutin. Sipas tij ky institut ka humbur shumë nga puna, që bëhej dikur për dokumentimin, mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës. “Sa restauratorë ka Instituti i Monumenteve sot IKTK? Kush është plani i IKTK për një vit? Ku janë ndërhyrjet e tyre? Këto janë me shifra, po ku janë? Nëse me thonë që bëhet një kishë në Voskopojë, që japin para dhe francezët, kështu po mund të bëhet ndonjë gjë e vogël, por unë po pyes në plan kombëtar, që ta mendosh kombëtarisht këtë punë. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po të kishte dashur do të kishte thirrur ata restauratorë që janë dhe ti kërkonte mendimin për të shpëtuar objekte”, shprehet Devolli.  Piktori dhe restauratori Adrian Devolli thotë se dikur Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” kishte një përgjegjësi të madhe në fushën e trashëgimisë kulturore. Por për IKTK, ai thotë se nuk ka më njerëz për të bërë punën si dikur. “Dikur kishim Institutin e Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” me specialistë, por tani është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore një institucion që ekziston tani vetëm de juro, de facto nuk bën asgjë. IKTK u reduktua në pak veta. Çfarë mund të bëjë sot? Këtu ka vlera të jashtëzakonshme kulturore, ka kisha objekte monument kulture. Nuk kanë bërë një album për ato vepra. Kanë bërë njerëz privatisht albume, por në nivel institucional përshembull për afresket nuk di? IKTK sot nuk ka atë predispozitë punë që ka pasur dikur, sepse nuk ka më njerëz për këtë punë. Dikur kur merrej një objekt, këtë se merrte një njeri që sapo kishte ardhur, sepse kërkon përgatitje. Dikur IMK ishte me përgjegjësi të madhe”, shprehet piktori dhe restauratori Devolli.
    Puna për projektet
    Trashëgimia Kulturore në vendin tonë ndeshet me probleme të ndryshme, e përballë kësaj situate zëri kritikë i specialistëve në këtë fushë nuk mungon, duke sjellë në vëmendje dhe punën që duhet bërë për hartimin e projekteve në monumentet e kulturës. Piktori Adrian Devolli ka qenë restaurator pranë Instituti të Monumenteve të Kulturës nga viti 1979 deri në vitin 1987 dhe thotë, se projektet e ndërhyrjes në monumentet e kulturës kërkojnë vetëm specialistët që të gjykojnë. “Instituti dikur kishte dhe degët e veta në rrethe, që mbulonin zonat përkatëse. Në institut bëheshin shumë punonjës. Nëse unë do shkoja në objekt mblidhej materiali fotografik, bëhej studimi, rilevimi i gjithë ndërtesës, me këto të dhëna shkohej në qendër në institut dhe bëheshin analizat në aspektin gjeologjik, puna për të parë nga vjen dëmtimi i afreskut, etj, më pas bëhej projekti që do vijonte në disa faza dhe dilje përpara një oponence të njerëzve që ishin të mençur dhe shpjegoje gjithçka rreth situatës së afreskut, çfarë ndërhyrjesh duheshin për të shpëtuar afreskun. Nëse kishte ndonjë mendim të kundërt normal merrej në konsideratë dhe shihej, kur arrihej konkluzioni se kush do të ishte rruga e ndërhyrjes fillonte puna. Por dhe tek puna vinin e shikonin se si po shkon procesi restaurimit. Sot kush janë specialistë, që e gjykojnë nëse bën apo jo një projekt?”, shprehet Devolli. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, u formua nga bashkimi i dy institucioneve të mëparshme në varësi të Ministrisë së Kulturës, përkatësisht nga Instituti Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Por reagimi i restauratorit Devolli për çfarë ndodh me IKTK është në vijim dhe të specialistëve të tjerë më parë, sipas të cilëve duhet bërë më shumë në fushën e trashëgimisë kulturore  vend. Me insistimin e Gani Strazimirit u bë e mundur që mbi bazën e sektorit të Mbrojtjes dhe Restaurimit të Monumenteve të Grupit të Kulturës Materiale të formohet në vitin 1965 Instituti i Monumenteve të Kulturës, drejtor i të cilit nga themelimi deri sa doli në pension ishte themeluesi i institutit Gani Strazimiri. Gani Strazimiri (1915-1993) ishte një arkitekt dhe urbanist shqiptar, i njohur për kontributin e tij të rëndësishëm në zhvillimin urbanistik dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

  • “Sistem i ri biletash në kala”/ Gonxhe në 60-vjetorin e IKTK: Zgjerojmë hartën e zonave të mbrojtura, agjenci e re për menaxhimin e pasurive kulturore

    “Sistem i ri biletash në kala”/ Gonxhe në 60-vjetorin e IKTK: Zgjerojmë hartën e zonave të mbrojtura, agjenci e re për menaxhimin e pasurive kulturore

    Harta e zonave të mbrojtura do të zgjerohet më tej, duke përfshirë më shumë qendrat historike, arkitekturore dhe urbane.

    Pas qendrave historike të Rabdishtit, Peshkopisë, Konispolit dhe zonës arkeologjike të Linit, listës do t’i shtohet edhe Delvina, u shpreh ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe.
    Në një konferencë që u mbajt një ditë më parë në 60-vjetorin e themelimit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Gonxhe tregoi planin për krijimin e një agjencie të re për menaxhimin e pasurive kulturore.
    “Agjencia e re që po konceptojmë për menaxhimin e pasurive kulturore do të jetë një tjetër instrument, që do të jetë më atkive në erritory për të bërë të mundur që ne të monetizojmë sa më drejtë të gjithë këtë pasuri, që të na kthehet pastaj si një vlerë që të investohet në trashëgimi”.
    Ndërkohë, sipas ministrit, 25 vila historike do t’i kalojnë nën administrim institucioneve të ndryshme të kulturës në vendin tonë.
    “Një listë prej 25 vilash historike do të jenë në tryezën e qeverisë brenda këtij viti për të bërë një paketë shpronësimesh në disa prej qyteteve kryesore të vendit, në qendër të kryeqytetit dhe në qendrat e qyteteve të tjera, të cilat do të jenë në administrim nga institucione të ndryshme. Sepse kemi institucione pa zyra”.
    Nga ana tjetër, në konferencë u diskutua edhe plani për një sistem të ri për biletat në kala dhe rritjen e pagesave për bizneset që kryejnë aktivitet tregtar brenda këtyre objekteve historike.
    “Për herë të parë, kemi tarifa të pesëfishuara në kala, për shkak të rijetëzimit që ne bëjmë me këto projekte. Do të kemi dhe një sistem integral të biletimit në të gjitha sitet, pasi sistemi që është përdorur deri tani ka pasur një kosto shumë të lartë”.

    Top Channel

  • 60-vjetori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore, ministri Gonxhja: Zgjerojmë zonat e mbrojtura

    60-vjetori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore, ministri Gonxhja: Zgjerojmë zonat e mbrojtura

    Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shënon 60-vjetorin e tij. I themeluar në vitin 1965 si Instituti i Monumenteve të Kulturës, institucioni qendror për mbrojtjen, konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, ai vijon të zerë një vend të veçantë në kulturën shqiptare.
    Në një aktivitet të veçantë u përkujtuan emrat që kontribuan në këtë institucion dhe përcaktuan bazat e metodologjisë shkencore për ndërhyrjet në trashëgimi, siç ishte prof. Gani Strazimiri.
    “Në fillesat e veta, Prof. Gani Strazimiri e konceptoi këtë Institut si një pikë takimi mes dijes shkencore dhe veprimit të matur në terren: “Të studiojmë përpara se të prekim, të dokumentojmë me saktësi dhe të vendosim mbi bazën e provës”. Ky ishte parimi që u kthye në kulturë institucionale, dhe që ka siguruar besueshmëri dhe qëndrueshmëri për 60 vite. Në këtë përvjetor, nuk mund të mos nderojmë figurat e shquara që e kanë formuar mendimin profesional shqiptar në fushën e trashëgimisë. Një falënderim i posaçëm shkon për Prof. Emin Rizën, i cili i dha formë metodës së studimit të banesës vernakulare dhe e ktheu dokumentimin e detajit në akt kulturor”, tha ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja.
    Ceremonia u zhvillua në prani të profesionistëve të fushës, partnerëve vendas e ndërkombëtarë, si dhe studiuesve e akademikëve të njohur.Në fokus të veçantë ishte kontributi i figurave të shquara të fushës, ndër të cilët Prof. Emin Riza, studiuesi që hodhi themelet e metodës shkencore për dokumentimin dhe ruajtjen e banesës vernakulare shqiptare.
    Në këtë 60-vjetor, u prezantuan rezultatet e dy viteve të fundit, ku sipas ministrit Gonxhja vihet re një rritje historike e ndërhyrjeve dhe investimeve: 309% më shumë projekte restaurimi dhe konservimi, 363% më shumë investime direkte në monumente, si dhe rritje me 36% të vizitorëve në sitet kulturore në krahasim me 2023, me mbi 1.3 milionë turistë deri në shtator 2025.
    Gonxhja vërejti se ka zgjerim të hartës së zonave të mbrojtura, duke përfshirë qendrat historike dhe ansamblet arkitektonike urbane në Rabdisht, Peshkopi, Konispol, si dhe zonën arkeologjike të Linit, ndërsa së shpejti do t’i shtohet edhe Delvina, ndërsa foli edhe për nisjen e projekteve madhore, si: ndërtimi i qendrës moderne të vizitorëve në Butrint nga arkitekti i njohur Kengo Kuma dhe plane për qendra të ngjashme edhe në Apoloni dhe Bylis.
    “Pak ditë më parë, prezentuam projektin e qendrës së vizitorëve në Butrint, të hartuar nga arkitekti i mirënjohur ndërkombëtarisht, Kengo Kuma — një hap i rëndësishëm drejt krijimit të porte moderne interpretimi dhe përjetimi të qytetërimeve antike. Në Apoloni dhe Bylis do të ngrihen gjithashtu qendra vizitorësh bashkëkohore, ndërsa për TID dhe Amfiteatrin e Durrësit së shpejti do të hapet një kapitull i ri”, tha Gonxhja.
    Ai bëri me dije se po nis programi i rijetëzimit të 100 kullave historike në 14 bashki dhe po zbatohen projekte të shumta në zona me potencial turistik dhe muzealizime të reja. Nga ana tjetër është ngritur edhe Qendra Rajonale për Konservim dhe Restaurim, që do të ofrojë trajnim profesional për restauratorët dhe ekspertët e rinj.

  • Vjedhja si në filma e Luvrit “kushton” 88 milionë euro, arrestohet në Barcelonë një prej grabitëseve të dyshuara

    Vjedhja si në filma e Luvrit “kushton” 88 milionë euro, arrestohet në Barcelonë një prej grabitëseve të dyshuara

    Vjedhja spektakolare që tronditi Luvrin në Paris ka një faturë marramendëse edhe financiarisht.

    Bizhuteritë e grabitura të Napoleonit dhe Perandoreshës sipas llogarive kanë një vlerë totale prej 88 milionë euro. Ngjarja është një goditje për trashëgiminë kulturore të Francës, e cila tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare.
    Prokurorja Laura Beccuau (Beko) konfirmoi se vlera e objekteve të vjedhura është shumë më e madhe se sa çmimi i thjeshtë i materialeve, duke pasur një rëndësi të jashtëzakonshme historike.
    Si pjesë e hetimeve, një grua kineze u arrestua në Barcelonë dhe u dorëzua autoriteteve franceze. Ajo dyshohet të ketë lidhje me vjedhjen e bizhuterive dhe një tjetër incident në Muzeun e Historisë Natyrore, ku u vodhën copëza ari të vlerës 1.5 milion euro në shtator të vitit të kaluar. Sipas ekspertëve, dëmi ndaj trashëgimisë kulturore është i paçmueshëm, përtej thjesht çmimit të arit.
    Vjedhja u zbulua nga një punonjës i kompanisë së pastrimit, i cili e gjeti galerinë mineralogjike në rrëmujë, sipas informacionit nga BFM. Hajdutët kishin hyrë në seksionin e Gjeologjisë dhe Mineralogjisë, duke përfituar nga fakti që sistemi i alarmit ishte çaktivizuar prej disa javësh për shkak të një sulmi kibernetik. Galeria e Historisë Natyrore dhe Mineralogjisë kishte qenë e mbyllur prej disa ditësh.

    Top Channel

  • Gjysmë miliardë lekë të ardhura, shtohet interesi i turistëve në sitet kulturore dhe historike

    Gjysmë miliardë lekë të ardhura, shtohet interesi i turistëve në sitet kulturore dhe historike

    Turizmi kulturor në Shqipëri po përjeton një rritje të qëndrueshme, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.
    Gjatë periudhës janar–shtator 2025, 1,2 milionë persona kanë zgjedhur të vizitojnë sitet e trashëgimisë kulturore në vend. Ky interes në rritje tregon se publiku po e vlerëson gjithnjë e më shumë historinë, arkeologjinë dhe identitetin kulturor të Shqipërisë.

    Në total, 538,508 vizitorë kanë frekuentuar parqet arkeologjike, 364,504 kanë vizituar muzetë, ndërsa 356,762 kanë zgjedhur kalatë dhe monumentet historike.

    Përveç rritjes së numrit të turistëve, është shtuar ndjeshëm edhe përfitimi ekonomik nga ky sektor.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, gjatë nëntëmujorit të parë të vitit, të ardhurat e përfituara nga vizitat në sitet kulturore kanë arritur në 517 milionë lekë.
    Parqet arkeologjike kanë gjeneruar pjesën më të madhe të fitimeve, me 291 milionë lekë, pasuar nga muzetë me 120.5 milionë lekë dhe kalatë e monumentet me 106 milionë lekë.
    Kryesisht në fillimvit janë muajt me numrin më të ulët të fitimeve nga këto kategori, ndërsa piku i verës dhe vjeshta kanë tërhequr më shumë turistë në sitet kulturore.
    Këto rezultate dëshmojnë se trashëgimia kulturore po kthehet në një burim të rëndësishëm ekonomik dhe një element kyç të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri. Parqet arkeologjike, muzetë dhe kalatë po e ruajnë interesin e vizitorëve përgjatë gjithë vitit, duke forcuar lidhjen mes kulturës dhe ekonomisë vendase.

  • Tare: Qeveria pa strategji, trashëgiminë kulturore e kanë lënë në mëshirë të fatit

    Tare: Qeveria pa strategji, trashëgiminë kulturore e kanë lënë në mëshirë të fatit

    Auron Tare, specialist i trashëgimisë kulturore foli mbi braktisjen totale të trashëgimisë nga institucionet shtetërore, ku u shpreh se ajo po shkatërrohet përditë nga neglizhenca, paaftësia dhe mungesa e vizionit të qeverisë.
    Tare theksoi se trashëgimia dhe turizmi janë çështje kombëtare, por në Shqipëri trajtohen pa asnjë prioritet. Ai denoncoi mungesën e reformave serioze, shkatërrimin e ekipeve të specializuara, si dhe fakton se në vend nuk ka më restauratorë apo administratorë profesionistë të trashëgimisë.
    Sipas tij, qeveria shqiptare po dështon të mbrojë një nga pasuritë më të mëdha kombëtare, ndërkohë që vendet si Greqia dhe Italia fqinjët tanë  janë shembuj të suksesshëm se si trashëgimia kthehet në vlerë ekonomike dhe identitare.
    Pjesë nga deklarata:
    Unë mendoj që çështja e trashëgimisë ka kohë që është në drejtim të paditur dhe që nuk po riformatohet, pavarësisht se në përgjithësi mundohemi ta kanalizojmë.Trashëgimia dhe turizmi janë çështje kombëtare. Një sërë reformash janë nisur, por ose janë lënë përgjysmë, ose nuk janë mundësuar për të formatuar siç duhet çështjen e trashëgimisë.
    Trashëgimia është çështje dashurie dhe angazhimi. Ngelet vetëm tek kaq, ndërkohë që ne kemi fatin të jemi mes Greqisë dhe Italisë shembuj globalë që mund t’i sjellim në vendin tonë.
    Në qendrat kryesore si Apollonia, Bylisi, Butrinti, dikur kanë ekzistuar ateli të famshme grupe specialistësh restauratorësh. Në Gjirokastër, për shembull, ato nuk ekzistojnë më: ose kanë humbur jetën, ose janë larguar jashtë vendit. Kujdestari dhe restauratori që mirëmbajnë monumentet nuk janë më. Mungon atdhedashuria dhe menaxhimi.
    Ne nuk kemi një shkollë për menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Me një arkeolog e bëjnë drejtor dhe e çojnë te futbolli.Bota ka administratorë të trashëgimisë ne kemi zero. Nuk kemi, nuk e bëjnë, nuk dinë ta bëjnë.
    Para pak ditësh isha në kalanë e Beratit. Një numër i lartë turistësh aty futeshin taksi, makina, makinat e banorëve, përmes dyerve të ngushta. Kamionë me akullore, kamionë me rraqe ndërkohë që turistët mezi hynin. Kur hyje brenda, të dilte përpara një zotëri që të ofronte udhëtim me kuaj e karrocë. Muret me tantella… ishte një pamje banale, kur mjafton vetëm ta administrosh.
    Administrimi është çështja më e thjeshtë që neve na mungon.

  • 60 vite nga themelimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, një konferencë ndërkombëtare në Tiranë

    60 vite nga themelimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, një konferencë ndërkombëtare në Tiranë

    Trashëgimia kulturore dhe puna ndër vite e Institutit të Monumenteve të Kulturës do të mbledhë   profesionistë, ekspertë dhe më gjerë. Konferenca ndërkombëtare, sipas IKTK-së do të zhvillohet përgjatë dy ditëve në Tiranë.
    “Kanë kaluar 60 vite nga themelimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ku sipas IKTK këto ditë do të përkujtojnë dhe reflektojnë mbi punën ndër vite, por mbi të gjitha do flitet për të ardhmen dhe vizionin. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka kënaqësinë të organizojë një konferencë ndërkombëtare, ku profesionistë, ekspertë, profesorë dhe personalitete të nderuara nga vendi dhe jashtë tij do të ndajnë me ne dijen dhe përvojën e tyre të çmuar”, thuhet një njoftimin e IKTK për konferencën që do të zhvillohet në datat 21 dhe 22 tetor salla “Aula Magna”- Universiteti Politeknik, Tiranë.
    Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, u formua nga bashkimi i dy institucioneve të mëparshme në varësi të Ministrisë së Kulturës, përkatësisht nga Instituti Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore është institucion kombëtar, në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, i krijuar nga ligji nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”. Por IKTK përgjatë aktivitetit herë pas here është përballur edhe me kritika nga specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore për çfarë ka ndodhur me dëmtimet në monumentet e kulturës në vend.

  • Nga Butrinti te Berati, vizitorët ‘dynden’ në sitet kulturore shqiptare

    Nga Butrinti te Berati, vizitorët ‘dynden’ në sitet kulturore shqiptare

    Turizmi kulturor në Shqipëri vijon të njohë rritje të ndjeshme si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në interesin e publikut vendas dhe të huaj. Gjatë periudhës janar–shtator 2025, të ardhurat e përfituara nga vizitat në sitet kulturore kanë kapur shifrën e 517.5 milionë lekëve, ndërsa numri i vizitorëve ka arritur në plot 1,259,774 persona. Ky rezultat vjen si dëshmi e rritjes së vëmendjes ndaj trashëgimisë historike dhe kulturore të vendit, duke e kthyer atë në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit shqiptar.
    Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, parqet arkeologjike kanë sjellë të ardhurat më të larta, me një total prej 291 milionë lekësh. Më pas vijnë muzetë, të cilat kanë arkëtuar 120.5 milionë lekë, ndërsa kalatë dhe monumentet historike kanë gjeneruar 106 milionë lekë. Muaji më i suksesshëm për nga të ardhurat ka qenë shtatori, me 110 milionë lekë, ndërkohë që muaji janar është shënuar si më i dobëti financiarisht, me vetëm 6.8 milionë lekë.
    Në të njëjtën periudhë, numri i vizitorëve që kanë frekuentuar sitet kulturore ka arritur në 1,259,774, një shifër që tregon për një interes të qëndrueshëm dhe në rritje ndaj vlerave historike dhe kulturore të Shqipërisë. Vizitorët janë shpërndarë në tre kategoritë kryesore, 538,508 persona kanë vizituar parqet arkeologjike, 356,762 persona kanë frekuentuar kalatë dhe monumentet, ndërsa 364,504 vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë muzetë. Edhe sa i përket numrit të vizitorëve, muaji shtator ka qenë më aktiv, me një total prej 244,460 vizitorësh, ndërkohë që muaji janar ka regjistruar shifrën më të ulët, me 21,727 persona.
    Rritja e ndjeshme e të ardhurave dhe e numrit të vizitorëve konfirmon rëndësinë e trashëgimisë kulturore, jo vetëm si pasuri kombëtare, por edhe si një burim konkret të ardhurash për ekonominë. Parqet arkeologjike, muzetë dhe kalatë po shndërrohen gjithnjë e më shumë në destinacione të vizituara jo vetëm gjatë sezonit turistik, por përgjatë gjithë vitit.

  • Butrinti sipas japonezit Kuma, Rama: Projekt i shkëlqyer me standard të ri menaxhimi

    Butrinti sipas japonezit Kuma, Rama: Projekt i shkëlqyer me standard të ri menaxhimi

    Projekti për qendrën e vizitorëve në qytetin antik të Butrintit, është dizajnuar me një ndërthurje mes pranimit të vizitorëve dhe integrimit me peizazhin natyror dhe trashëgiminë arkeologjike të zonës.
    Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga projekti më i ri për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit, një projekt model që i shtohet kolonës së objekteve kulturore.
    I konceptuar nga mjeshtri i njohur japonez i arkitekturës, Kengo Kuma, ky projekt po realizohet nën kujdesin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) dhe synon transformimin rrënjësor të mënyrës së menaxhimit të parkut arkeologjik të Butrintit.
    Kryeministri vlerësoi kontributin e AADF në kthimin e Butrintit nga një problem menaxherial, në një shembull rrezatues për të gjitha institucionet kulturore të vendit, si edhe po ve në jetë hap pas hapi një plan strategjik promovimi global të këtij xhevahiri të Trashëgimisë sonë Kulturore
    “Një projekt i shkëlqyer që i jep jetë një standardi të ri në menaxhimin dhe promovimin e pasurive tona kulturore”, u shpreh Kryeministri Rama.
    “Është radha tashmë e Martinit dhe Aleksandrit ta ndërtojnë. Nuk është e lehtë, është një prekje japoneze që kërkon cilësi, përsosmëri. Është e jashtëzakonshme dhe besoj që mund të shndërrohet a të bëhet një prej qendrave më të mira, në mos më e mira, për vizitorët në botë”, shkruan Rama.
    Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në krahun tjetër, u shpreh se “qendra e re do të shërbejë si porta hyrëse e Butrintit, duke i orientuar vizitorët drejt një përvoje më të thellë të këtij thesari botëror të mbrojtur në UNESCO”.
    “Kjo qendër është një mënyrë e re për të përjetuar historinë me kujdes, respekt dhe ndjeshmëri për çdo shtresë të këtij siti unik. Arkitektura e saj ndërthur natyrën, kulturën dhe bashkëkohoren, pa mbizotëruar peizazhin, por duke u bërë pjesë organike e tij.
    Druri, drita natyrale, hapësirat e qeta dhe ndërtimi mbi themele të cekëta mbrojnë shtresat arkeologjike nën tokë, duke ndjekur standardet më të avancuara ndërkombëtare të ruajtjes. Një projekt që i flet historisë me gjuhën e së sotmes dhe brezave të ardhshëm”, shkruan Gonxhja në një postim të tij.
    Qendra është në një vend strategjik, që lidh shtigjet malore, zonat me lagunë, liqenin e Butrintit dhe Kanalin e Vivarit. Kjo mundëson përvoja të ndryshme për vizitorin: natyrë, arkeologji, pamje panoramike.
    Qendra e re në hyrjen kryesore të zonës arkeologjike ndihmon në menaxhimin më të mirë të fluksit të vizitorëve, ndërsa përfshin rimodelimin e zonës së biletave, ankorimet dhe shërbimet për mbështetjen e vizitorëve.
    Studioja e arkitektit japonez me famë botërore “Kengo Kuma” u shpall fituese e Konkursit Ndërkombëtar për projektin e Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.
    Studioja fituese u përzgjodh për qasjen unike arkitekturore në krijimin jo thjesht të një objekti, por të një porte hyrëse në pasurinë e Butrintit, me një pamje të mrekullueshme dhe krijimin e një hapësire publike takimi për komunitetin lokal dhe turistët.
    Kjo qendër, e denjë për të mikpritur vizitorët, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të tyre do të respektojë së pari vlerat e jashtëzakonshme universale jo vetëm të zemrës arkeologjike, por të të gjithë Parkut Kombëtar.