Tag: kulturore

  • Biletat për muzetë dhe kalatë tani online në e-Albania, por Butrinti dhe Finiqi mbeten jashtë sistemit

    Biletat për muzetë dhe kalatë tani online në e-Albania, por Butrinti dhe Finiqi mbeten jashtë sistemit

    Biletat për muzetë dhe kalatë tani online në e-Albania, por Butrinti dhe Finiqi mbeten jashtë sistemit
     
    Nga sot, vizitat në shumë prej muzeve dhe kalave më të njohura të Shqipërisë mund të planifikohen më lehtë se kurrë, pasi biletat mund të blihen drejtpërdrejt online përmes platformës shtetërore e-Albania. Por në mënyrë të çuditshme, parqet arkeologjike të Butrintit dhe Finiqit, dy nga thesaret më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, janë përjashtuar nga sistemi.
     

     
    Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili tha se qytetarët dhe turistët do të kenë tashmë mundësinë të blejnë biletat e tyre pa pritur në radhë, thjesht përmes telefonit apo kompjuterit.
     
    “Nga sot, qytetarët dhe turistët mund të blejnë biletat e tyre pa radhë, duke përfituar një eksperiencë më moderne për vizitat kulturore në vend”, deklaroi ministri Gonxhja.
     
    Përmes këtij shërbimi, vizitorët duhet të zgjedhin opsionin “Biletaria online për sitet kulturore” në portalin e-Albania, të përzgjedhin destinacionin, llojin e biletës dhe të kryejnë pagesën online. Bileta u dërgohet menjëherë në e-mail dhe është e vlefshme për një periudhë njëmujore.
     
    Aktualisht, sistemi përfshin vetëm disa site kulturore të njohura si:
     

    Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë
    Muzeu Kombëtar Etnografik, Krujë
    Muzeu Ikonografik “Onufri”, Berat
    Muzeu i Fotografisë “Marubi”, Shkodër
    Kalaja e Shkodrës
    Kalaja e Gjirokastrës
    Parku Arkeologjik Apollonia, Fier

     
     
    Megjithatë, mungesa e Butrintit dhe Finiqit në këtë listë ka ngjallur habi, pasi bëhet fjalë për dy prej destinacioneve më të vizituara dhe më të rëndësishme të vendit.
    Deri më tani, ministri Gonxhja nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet e përjashtimit të tyre, ndonëse pritet që ky shërbim të zgjerohet në të ardhmen edhe për këto parqe të rëndësishme.
     
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb

  • Art, muzikë dhe traditë ulqinake për dy ditë në Prishtinë

    Art, muzikë dhe traditë ulqinake për dy ditë në Prishtinë

    Prishtina do të mirëpresë sonte dhe nesër ngjarjen kulturore “Ditët e Kulturës së Ulqinit”, të organizuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi, një aktivitet që synon të ndërthurë artin, traditën dhe lidhjet kulturore mes qyteteve të dy vendeve.

    Programi hapet sonte, më 5 nëntor, nga ora 18:00, me ekspozitën e piktorëve akademikë nga Ulqini: Naser Hasa, Bilal Nikezi dhe Edin Kapllani, në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Ekspozita sjell një përzgjedhje veprash që pasqyrojnë frymën e detit, dritën mesdhetare dhe kujtesën e vendlindjes së autorëve.

    Ndërkaq, nesër, më 6 nëntor, në ora 19:00, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë), publiku do të mund të shijojë “Koncertin folklorik muzikor të traditës ulqinake”, me pjesëmarrjen e grupeve artistike që ruajnë dhe përcjellin ritmet, këngët e vallet e Ulqinit.

    Kjo ngjarje dyditore pritet të sjellë në zemër të Prishtinës aromën e brigjeve të Adriatikut , një takim artistik që kujton se kultura, më shumë se çdo gjë tjetër, i bashkon njerëzit.

    ObserverKult

  • “Një mbrëmje në kopshtet e Spanjës”, Denis Bizhga: Do të jetë një dialog muzikor në kohë dhe vendndodhje

    “Një mbrëmje në kopshtet e Spanjës”, Denis Bizhga: Do të jetë një dialog muzikor në kohë dhe vendndodhje

    Nga Julia Vrapi
    Tingujt e kitarës vijnë me një koncert këtë nëntor në qytetin e Gjirokastrës. Koncerti “Një mbrëmje në kopshtet e Spanjës” zhvillohet në qytetin e gurtë, si pjesë e aktiviteteve të Javës Kulturore Spanjolle. Koncerti sjell vepra të kompozitorëve  spanjoll, ndërsa ato do të luhen nga një prej artistëve të njohur shqiptarë, i cili është prezantuar me sukses dhe në skenat e huaja. Koncerti “Një mbrëmje në kopshtet e Spanjës” mbrëmjen e datës 7 nëntor, një udhëtim muzikor unik me virtuozin Denis Bizhga, themelues dhe drejtor artistik i Albania International Guitar Festival. Kitaristi Denis Bizhga shprehet se këtë herë do të jetë me një koncert në një qytet, që dhe i origjinës së tij. “Prej kohësh e kam dashur një koncert në qytetin e gurtë të shkrimtarit tonë të dashur, Ismail Kadare, qytet dhe i origjinës time. Ky koncert sjell interpretime të veprave më të njohura të kompozitorëve spanjoll, duke krijuar një përvojë estetike dhe shpirtërore”, shprehet kitaristi i njohur.
    Nga meloditë evokuese dhe delikate të Francisco Tárrega, që të çojnë në një botë të mbushur me emocione, deri te pasioni dhe lirizmi i Isaac Albéniz, çdo tingull sjell emocion, finesë dhe traditë të thellë muzikore. “Do të jetë një dialog muzikor në kohë dhe vendndodhje, ku historia dhe tradita e kitarës klasike rilindin në një mënyrë moderne. Një pikëtakimi muzikor ndërmjet miqësisë shqiptaro-spanjolle”, vijon më tej Bizhga. Ky koncert organizohet nën kujdesin e Ambasadës e Spanjës, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkisë Gjirokastër, UNED Albania, Javët Kulturore Ndërkombëtare. Koncerti do të zhvillohet te salla e qendrës UNED në Gjirokastër, por pjesë e tij do të jenë dhe vepra shqiptare. Në këtë koncert kitaristi Denis Bizhga do të luajë një kompozim të tij kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Vepra muzikore quhet Vita et Gestis dhe mbështetet në tingujt e folklorit tonë. Koncerti këtë nëntor pritet të jetë edhe një aktivitet i veçantë në jetën artistike në këtë qytet.
     Koncerti në aktivitetet kulturore
    Java Kulturore e Spanjës nisi më 3 nëntor në vendin tonë dhe vijon me aktivitete deri më datë 7 këtë muaj. Prezantime librash, filma, valle tradicionale, etj, si pjesë e aktiviteteve këtë javë kulturore. Më 3 nëntor valltarja e flamenco-s, Lucia La Bronce solli shpirtin spanjoll në shfaqjen “Recóndito” në Katedralen Ortodokse në Tiranë. Balerina andaluziane, anëtare e Ballet Flamenco de Andalucía me mjeshtërinë dhe pasionin e saj solli një performancë të paharrueshme për publikun.  Java e Kulturës Spanjolle do të mbyllet më 7 nëntor në qytetin e Gjirokastrës, me koncertin e kitaristit të njohur Denis Bizhga, themelues dhe drejtor artistik i “Albania International Guitar Festival”, i cili do të përcjellë pasionin, lirizmin dhe elegancën e kitarës klasike, që do të lidhin publikun me traditën dhe emocionet e Spanjës. Java Kulturore e Spanjës është në vijim të Javëve Kulturore Ndërkombëtare në vendin tonë, që po vijojnë me aktivitete të ndryshme. Njëzet shtete janë pjesëmarrëse në Javët Kulturore Ndërkombëtare, që këtë vit shënojnë edicionin e katërt në vendin tonë.
     

  • Flamenko spanjolle në “Recóndito”, muzika dhe vallëzimi takohen në një performancë nga Lucía “La Bronce”

    Flamenko spanjolle në “Recóndito”, muzika dhe vallëzimi takohen në një performancë nga Lucía “La Bronce”

    Flamenko spanjolle  këtë mbrëmje në Tiranë në “Recóndito”, ku muzika dhe vallëzimi takohen në një performancë nga Lucía “La Bronce”. Java Kulturore Spanjolle sjell në skenë balerina andaluziane, anëtare e përhershme e Ballet Flamenco de Andalucía . Koncerti do të zhvillohet në Katedralen Ortodokse. Një udhëtim artistik ku pasioni, muzika dhe vallëzimi takohen në një performancë që nuk duhet humbur. “Lucía La Bronce sjell në skenë flakën dhe shpirtin e vërtetë të flamenkos me shfaqjen “Recóndito”! Një performancë e ndjeshme dhe plot forcë, ku kërcimi, këndimi, kitara dhe perkusioni ndërthuren në mënyrë të përsosur për të rikthyer thelbin e emocioneve të flamengos”, thuhet rreth koncertit në Tiranë këtë mbrëmje të datës 3 nëntor.
    Balerina andaluziane, anëtare e përhershme e Ballet Flamenco de Andalucía, është vlerësuar në Spanjë me çmime prestigjioze, përfshirë Konkursin Kombëtar të Artit të Flamenkos në Kordoba (2023), Konkursin e Vallëzimit Manolo Soler (2020) dhe Alegrías de Cádiz (2023). “Recóndito” është një përjetim intim, autentik dhe elegant, një udhëtim emocional që e çon publikun drejt zemrës së flamengos. Java Kulturore e Spanjës hapet sot për të vijuar dhe me aktivitete të tjera deri më datën 7 nëntor. Kjo javë kulturore është në vijim të Javëve Kulturore Ndërkombëtare në vendin tonë, që po vijojnë me aktivitete të ndryshme, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit.

  • Parandalimi i trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore, specialistë e ekspertë mblidhen në takim në Apoloni   

    Parandalimi i trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore, specialistë e ekspertë mblidhen në takim në Apoloni   

    Parandalimi i trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore ishte në qendër të takimi që mblodhi specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore përfaqësues të institucioneve e më gjerë.
    Këto ditë në parkun arkeologjik të Apolonisë u zhvillua tryeza e dytë e rrumbullakët me temë “Nga sfidat te rekomandimet – Forcimi i bashkëpunimit dhe angazhimit për të parandaluar trafikimin e paligjshëm të objekteve kulturore”. CHwB Albania shprehet se kjo tryezë ofroi hapësirë për diskutim dhe shkëmbim mendimesh ndërmjet aktorëve kyç lokalë dhe kombëtarë, me fokus në identifikimin e sfidave dhe përcaktimin e rekomandimeve konkrete për përmirësimin e bashkëpunimit institucional në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.  “Pjesëmarrësit e vlerësuan nismën si një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe si një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër trafikimit të objekteve kulturore”, thuhet ndër të tjera për këtë takim.
    Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimi i strukturave ligjzbatuese për të luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore shqiptare”, që zbatohet nga Cultural Heritage without Borders – Albania (CHwB Albania), me mbështetjen e Programit të Granteve për Zbatimin e Marrëveshjes për Pronën Kulturore (CPAIG) të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, përmes Ambasadës së SHBA në Shqipëri. Pas tryezave të mbajtura në Gjirokastër dhe Apoloni, dy aktivitete të tjera do të zhvillohen së shpejti në Shkodër dhe Korçë.

  • SYRI TV/ Protestë para bashkisë kundër ‘TID Durrës’, banorët kundërshtojnë prishjen e banesave

    SYRI TV/ Protestë para bashkisë kundër ‘TID Durrës’, banorët kundërshtojnë prishjen e banesave

    Dhjetra banorë që preken nga projekti “TID Durrës” si dhe disa qytetarë, kanë protestuar këtë të enjte përpara bashkisë Durrës, për të kundërshtuar këtë projekt. Ata kanë theksuar se projekti dëmton trashëgiminë kulturore, ndërsa e konsiderojnë si qesharake vlerën e kompenisimit të pronave të tyre, të cilat do të shemben për ti hapur rrugë këtij projekti.   

    Syri TV

    Dhjetëra banorë, qytetarë, profesionistë dhe mbrojtësit e trashëgimisë kulturore u bashkuan në një tubim paqësor kundër projektit “TID Durrës”, i cili po shpronëson dhe shkatërron shumë prona familjare brenda zonës historike të qytetit. Sipas organizatorëve, ky tubim është një akt solidariteti dhe reagimi qytetar ndaj një projekti që po zbatohet pa transparencë, pa konsultim publik dhe në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ata e cilësuan si spastrim etnik, vendimin për prishjen e banesave dhe bizneseve në zonën historike të qytetit, përgjatë bulevardit “Epidamn”.

    Banorët të cilët preken nga ky projekt, kërkojnë anulimin e tij, ndërsa gjatë tubimit të kësaj të enjteje, ata mblodhën firmat për peticionin kundër shpronësimeve të padrejta.

  • Lini shpallet Ansambël Arkitektonik, arkeologët: Dëshmi se fshati buzë liqenit ruan vlera unikale

    Lini shpallet Ansambël Arkitektonik, arkeologët: Dëshmi se fshati buzë liqenit ruan vlera unikale

    Fshati Lin ne Pogradec është shpallur Ansambël Arkitektonik Urban, duke i dhënë një tjetër shtysë zhvillimit turistik në këtë zone. Sipas Amanda Cicit, drejtoreshë e trashëgimisë kulturore në qarkun e Korçës ky status i ri ndërthur trashëgiminë kulturore, natyrore dhe bashkëjetesën komunitare.
    “Ansambël Arkitektonik Urban është statusi me I fundit për fshatin Lin, një dëshmi e rrallë me vlerat unikale që përfaqëson ky fshat. Përfitimin për fshatin Lin në ruajtjen e trashëgimisë së ndërtuar, promovimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm për vlerat që ai mban, vlerat kulturore. Ka qenë një nga kërkesat e UNESCO për ta ruajtur trashëgimine e fshatit, shprehine e ndërtimeve të gurit. Normalisht kriteret e ndërtimit janë më të kufizuara në ruajtjen e gurit, kompozimit të ndërtesës. Në rastin e investimeve të mëdha do kërkohet shprehje e mendimit nga UNESCO “, tha Amanda Cici, drejtoreshë e Trashëgimisë Kulturore.
    Froseda Tole, një nga arkeologet që e njeh më së miri këtë fshat tregon se ky status çon në një hap me tej Linin, duke përfshirë dhe gjetjet arkeologjike të zonës

    ” E gjithë zona e fshatit Lin, siç u shpall Ansambël Arkitektonik, do e quaja Ansambël arkeologjik pasi ka site arkeologjike nga prehistoria deri në mesjete, ku xhevahiri kryesor është Bazilika e Linit. Është një nga monumentet me të mirë mbajtura me mozaiket e veta. Duhet thënë se palafitet janë shpallur zonë arkeologjike a, pra mbrojtje ligjore e zonës, kanë shtuar numrin e turistëve jo vetëm atje por e ne muzeun e Pogradecit, ka një pjesë të vogël ku paraqiten palafitet”, tha arkeologia Froseda Tole.
    Statusi Ansambël Arkitektonik Urban ka qenë një nga kërkesat kryesore të UNESCO për palën shqiptare, pas debateve se liqeni i Ohrit rrezikonte të dilte nga zona e mbrojtur. Me këtë ndryshim, përmirësimi ligjor për ndërtesat por e ai promovues për sajtet kulturore pritet të rritë ndjeshëm numrin e turistëve vendas e të huaj në këtë fshat./vizionplus.tv

  • Media e huaj: Zbuloni Kalanë e Borshit, një nga monumentet më ikonike të epokës bizantine

    Media e huaj: Zbuloni Kalanë e Borshit, një nga monumentet më ikonike të epokës bizantine

    Kalaja e Borshit, një nga vendet historike më të bukura në Shqipëri, i ka rezistuar sprovave të kohës dhe natyrës, duke u bërë një monument i Perandorisë Bizantine, sipas “Travel and Tour World” (TTW).
    Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Turizmit dhe Bashkia lokale do të punojnë së bashku për të përmirësuar infrastrukturën për vizitorët.

    Qëllimi i rinovimit është të përmirësohen vlerat kulturore duke ruajtur të paprekur thelbin historik.

    Kalaja e Borshit është një nga vendet më ikonike, me vlera të pasura kulturore.

    Fatkeqësisht, shumë struktura nga epoka bizantine janë lënë pas dore dhe janë dëmtuar për shkak të mungesës së kujdesit, duke i bërë projektet e restaurimit te rendesishme.
    Restaurimi synon të mbrojë dhe stabilizojë strukturat e kalasë, duke përfshirë muret e fortesës, kullat dhe xhaminë historike të vendosur brenda territorit të Kalasë.
    Xhamia, një nga vendet historike, do të restaurohet si pjesë e projektit, dhe do t’i kushtohet kujdes të veçantë ruajtjes së vlerave të saj historike dhe arkitekturore.
    Projekti synon një mbrojtje më të gjerë të trashëgimisë kulturore, si dhe promovimin e Shqipërisë si një qendër turizmi kulturor.
    Përmirësimi i përvojave të vizitorëve në Kalanë e Borshit
    Projekti do të shtojë elementë të rinj digjitalë që synojnë të përmirësojnë përvojën e përdoruesit së bashku me restaurimin e strukturave fizike të Kalasë.
    Ndërtimi i shtigjeve të reja do t’u lejojë vizitorëve të kenë akses më të mirë në territorin e kalasë.
    Përgjatë shtigjeve, do të instalohen materiale interpretuese për kontekstin historik dhe rëndësinë e këtij monumenti.
    Një pjesë, veçanërisht interesante e projektit është ndërtimi i një platforme nga e cila vizitorët do të jenë në gjendje të shohin dhe shijojnë peizazhin mahnitës të Rivierës Shqiptare dhe detit Jon aty pranë, së bashku me tokat përreth Kalasë.
    Kjo do t’u mundësojë turistëve të vlerësojnë peizazhin e rajonit së bashku me informacionin rreth historisë së Kalasë.
    Së bashku me përmirësimet në strukturë, instalimi i ndriçimit artistik do ta zbukurojë Kalanë natën, duke krijuar një ambient të veçantë për vizitorët.
    Përdorimi i teknologjisë moderne të ndriçimit do ta ndriçojë Kalanë pa kompromentuar tiparet historike të strukturës.
    Banka Botërore, si financuesja kryesore e restaurimit të Kalasë së Borshit, ka mbështetur gjithmonë projekte për të ruajtur trashëgiminë e vendit – në partneritet me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
    Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia e Himarës dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Rinisë dhe Sporteve në vend tregojnë angazhimin e qeverisë për të zgjeruar përdorimin e tipareve kulturore të vendit për turizëm dhe për të ruajtur vendet si për vizitorët e huaj ashtu edhe për vendasit.
    Kjo do të rezultojë në rritje të turizmit në rajonin e Himarës, duke rritur interesin për vizita historike, kulturore dhe të përgjithshme drejt pasurisë së historive që Shqipëria ka për të ofruar.
    Kalaja e Borshit ndodhet në rajonin e Himarës në Shqipëri, i cili është i njohur për plazhet e tij të bukura, qytetet e vjetra dhe kulturën e veçantë.
    Përveç Kalasë së Borshit, e cila është një atraksion i madh, rajoni ka disa nga plazhet më të mira në Shqipëri – që turistët mund të vizitojnë, të tilla si Borshi, Jala dhe Livadhi.
    Kalaja Bizantine e Himarës, Kisha e Shën Nikollës që ndodhet në Livadh, i shtohen turizmit kulturor dhe historik në rajonin e Himarës.
    Ecjet malore dhe turet në natyrë janë një atraksion edhe në Qafën e Llogorasë aty pranë, duke u ofruar vizitorëve një sërë opsionesh.
    Parashikohet që restaurimi i Kalasë së Borshit të rrisë turizmin në rajonin e Himarës në Shqipëri.
    Vija bregdetare jugore e Shqipërisë është gjithashtu një faktor për rritjen e turizmit.
    Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e njohur si një destinacion udhëtimi për turistët që kërkojnë të eksplorojnë perlat e fshehura dhe vendet më pak të njohura në Evropë.
    Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri
    Qeveria shqiptare po i fokuson përpjekjet e saj në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në një rajon me trashëgimi kulturore si Kalaja e Boshit.
    Strategjia e qeverisë për këto dekada të fundit është përqendruar në restaurimin dhe investimet në qendrat historike – me qëllim arritjen e përfitimeve maksimale ekonomike të turizmit, duke ruajtur njëkohësisht pasurinë natyrore dhe kulturore të vendit për të ardhmen.
    Restaurimi i Kalasë së Borshit synon, brenda një strategjie më të gjerë, të ndërtojë infrastrukturën për një turizëm të qëndrueshëm në rajon, për të siguruar që zhvillimi i turizmit nuk do të ndikojë negativisht në mjedis dhe kulturën lokale.
    Shqipëria planifikon të promovojë në mënyrë aktive veten si një destinacion turistik i përgjegjshëm për ata që duan të përjetojnë kulturën e vërtetë dhe bukurinë natyrore të paprekur të vendit.
    Kontributi i Kalasë së Borshit në zhvillimin e turizmit në Shqipëri
    Hapi i parë i restaurimit të Kalasë së Borshit, i kombinuar me pamjet e bukura të kalasë, bregdetin jonian dhe historinë e fshehur, do ta transformojë atë në një destinacion turistik të njohur në zonën e Himarës.
    Në këtë këndvështrim, hapi i parë i restaurimit të Kalasë do të vërë në dispozicion një nga thesaret historike dhe kulturore të paçmuara të Shqipërisë dhe do të hapë rrugën për një valë të re turizmi në zonën jugore të Shqipërisë.

  • Travel and Tours: Tirana, destinacioni që bashkon trashëgiminë dhe modernitetin

    Travel and Tours: Tirana, destinacioni që bashkon trashëgiminë dhe modernitetin

    Revista ndërkombëtare e udhëtimeve Travel and Tours i ka dedikuar një artikull kryeqytetit shqiptar, duke e cilësuar Tiranën si një nga destinacionet më tërheqëse dhe më premtuese të Ballkanit. Në shkrimin e saj, revista vlerëson transformimin modern të qytetit, energjinë e tij dhe aftësinë për të ndërthurur historinë, kulturën, mikpritjen dhe inovacionin.

    Me peizazhe që ndryshojnë sipas stinëve, një trashëgimi të pasur historike dhe një jetë urbane gjithnjë e më moderne, Tirana po shndërrohet në një qendër të rëndësishme turistike për vizitorët nga e gjithë bota. Artikulli i Travel and Tours e paraqet kryeqytetin shqiptar si një shembull të suksesit në zhvillimin e turizmit kulturor dhe urban, duke e renditur ndër destinacionet më të spikatura në rajon.

    Artikulli i Travel and Tours

    Tirana është bërë kryeqyteti i Shqipërisë dhe një pikë qendrore për një numër të madh turistësh, që gëzojnë pamje që variojnë nga peizazhet e bukura dhe pikat historike të kryeqytetit shqiptar, te risitë dhe kultura e përzier që buron nga shumë rajone të vendit dhe përtej tij. Kryeqyteti shqiptar ka arritur të diversifikojë turizmin për turistë me shije dhe dëshira të ndryshme. Tirana ndërthur modernitetin me trashëgiminë e pasur kulturore dhe bukurinë natyrore që ndryshon me stinët gjatë gjithë vitit.

    Një qytet i pasur me oferta kulturore dhe historike

    Joshja e Tiranës qëndron në përzierjen e saj magjepsëse të historisë dhe modernitetit. Si qyteti më i madh i Shqipërisë, mburret me një numër të madh vendesh kulturore dhe historike që theksojnë trashëgiminë e pasur të vendit dhe u ofrojnë vizitorëve një kuptim më të thellë të së kaluarës. Qyteti është shtëpia e rreth 56 monumenteve të trashëgimisë kulturore, secili duke treguar historinë e tij komplekse, që nga periudha osmane e deri te ajo komuniste e më tej.

    Një nga monumentet më ikonike të Tiranës është Sheshi “Skënderbej”, një qendër aktivitetesh dhe zemra e qytetit. Sheshi, i quajtur sipas heroit kombëtar të Shqipërisë, ka pësuar rinovime të mëdha vitet e fundit, duke u shndërruar në një hapësirë të bukur dhe të aksesueshme për turistët. Kulla e Sahatit, që ndodhet pranë sheshit, është një tjetër perlë historike, e rihapur në vitin 2016 pas restaurimeve të gjera. Vizitorët mund të ngjiten në kullë për të shijuar një pamje panoramike të qytetit, një mënyrë e mrekullueshme për të kuptuar strukturën dhe atmosferën e gjallë të Tiranës.

    Muzeu “Shtëpia me Gjethe” dhe “Bunk’Art 1 & 2″ janë destinacione që duhet patjetër të vizitohen nga ata që janë të interesuar për historinë komuniste të Shqipërisë. “Shtëpia me Gjethe”, dikur një qendër survejimi, sot është muze që tregon historinë e spiunazhit gjatë regjimit komunist. Ndërkohë, “Bunk’Art 1” dhe “Bunk’Art 2“, ish-bunkerë nëntokësorë, janë shndërruar në muze që ofrojnë një vështrim të thellë mbi të kaluarën totalitare të vendit.

    Transformimi modern i Tiranës: Inovacion dhe kulturë te Piramida

    Një nga shembujt më të spikatur të transformimit modern të Tiranës është Piramida e Tiranës. Dikur një muze kushtuar ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, Piramida është ripërdorur dhe rigjallëruar si një qendër inovative kulturore. Tani e pajisur me struktura shumëngjyrëshe, rrëshqitëse dhe shkallë, ajo është bërë një atraksion i njohur për vendasit dhe turistët.

    Kryeministri Edi Rama ka vënë në dukje suksesin e këtij transformimi, duke ndarë imazhe të turmave të mëdha të turistëve që vizitojnë Piramidën dhe e ka quajtur këtë periudhë “vjeshtë turistike”. Piramida nuk është më vetëm një monument historik, por një qendër aktive e krijimtarisë, artit dhe teknologjisë, që pasqyron kthesën e Shqipërisë drejt inovacionit dhe progresit. Sot, ajo është një nga qendrat më të rëndësishme të inovacionit në rajon, që tërheq vizitorë të interesuar për përzierjen unike të historisë, kulturës moderne dhe krijimtarisë.

    Një gamë e larmishme përvojash turistike në Tiranë

    Rritja e popullaritetit të Tiranës si destinacion turistik nuk kufizohet vetëm në vendet historike dhe kulturore. Qyteti ofron gjithashtu një gamë të gjerë aktivitetesh për dashamirësit e natyrës, aventurës dhe për ata që kërkojnë përvoja më relaksuese.

    Vetëm pak jashtë qytetit, vizitorët mund të eksplorojnë peizazhet mahnitëse përreth Tiranës, përfshirë malet dhe parqet kombëtare. Ecja në natyrë, çiklizmi dhe turnet ekologjike u japin mundësi turistëve të zbulojnë biodiversitetin dhe bukurinë e pasur natyrore të Shqipërisë.

    Për ata që preferojnë përvoja më të qeta, gastronomia tiranase është një tjetër atraksion kryesor. Restorantet, kafenetë dhe tregjet e qytetit ofrojnë mundësinë për të shijuar më të mirën e kuzhinës shqiptare, nga gatimet tradicionale të pasura e deri te kuzhina moderne ndërkombëtare. Zona e Pazarit të Ri është e domosdoshme për dashamirësit e ushqimit, aty produktet e freskëta, delikatesat vendase dhe ushqimi shumëngjyrësh në rrugë ofrojnë një shije autentike të kulturës dhe stilit të jetesës tiranase.

    Rritja e numrit të turistëve dhe ngjarjet që e nxisin atë

    Rritja e numrit të vizitorëve në Tiranë tregon qartë popullaritetin në rritje të qytetit si destinacion udhëtimi. Numri i turistëve po rritet vazhdimisht, me ngjarje dhe festivale që luajnë rol kyç në tërheqjen e tyre.

    Ngjarje sportive, ekspozita arti dhe koncerte mbahen rregullisht, duke ofruar përvoja të ndryshme për çdo lloj udhëtari. Këto evente nuk tërheqin vetëm vizitorë ndërkombëtarë, por edhe njerëz nga rajonet shqipfolëse, duke e bërë Tiranën një qendër rajonale të turizmit.

    Evente kulturore si Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Tiranës (TIFF) dhe Festivali i Xhazit të Tiranës i japin qytetit një profil ndërkombëtar dhe e prezantojnë si një qendër krijimtarie dhe arti.

    Aksesueshmëria dhe infrastruktura moderne e Tiranës

    Një nga avantazhet e Tiranës është aksesueshmëria e saj e lartë. Qyteti është i lidhur mirë me pjesë të tjera të Shqipërisë dhe Evropës, gjë që e bën të lehtë për turistët të mbërrijnë. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” pret një numër gjithnjë në rritje fluturimesh nga qytete kryesore evropiane.

    Gjithashtu, infrastruktura e transportit në qytet është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, me transport publik më efikas, rrugë moderne dhe programe biçikletash me qira, që e bëjnë më të lehtë eksplorimin e qytetit.

    Qeveria shqiptare ka vënë theks të madh në përmirësimin e infrastrukturës turistike, gjë që reflektohet në cilësinë e shërbimeve dhe hapësirave të reja, hotele, restorante dhe qendra kulturore, që janë ngritur për të përballuar rritjen e vizitorëve.

    Ndikimi ekonomik i turizmit në Tiranë dhe në Shqipëri

    Turizmi po bëhet një shtyllë gjithnjë e më e rëndësishme e ekonomisë së Tiranës. Me rritjen e numrit të vizitorëve, qyteti po përjeton zhvillim në sektorë të ndryshëm si hoteleria, tregtia dhe transporti. Kjo po krijon vende të reja pune dhe mundësi biznesi, duke gjallëruar ekonominë e gjerë shqiptare.

    Investimet e qeverisë në turizëm po japin frytet e tyre. Duke u fokusuar si në atraksionet kulturore e natyrore, ashtu edhe në hapësira moderne dhe inovative si Piramida e Tiranës, qeveria po e pozicionon kryeqytetin si një destinacion të gjithanshëm që i përshtatet interesave të ndryshme të turistëve.

    E ardhmja e ndritur e Tiranës si qendër turistike

    Tirana është një nga destinacionet në zhvillim më të shpejtë në Ballkan. Ajo ndërthur historinë kulturore dhe trashëgiminë me modernitetin dhe natyrën. Transformimet e mëdha urbane, si rindezja e Piramidës, tregojnë dëshirën për të zgjeruar gamën e aktiviteteve turistike që fokusohet në qytet.

    Ky “qytet hotel” mbështetet nga rritja e tregut global të turizmit dhe ofron një kombinim të përvojave mahnitëse, mikpritjeje tradicionale, infrastrukture të zhvilluar dhe transporti të përballueshëm. Këto elemente e vendosin Tiranën në një pozicion të favorshëm si qendër turistike ndërkombëtare.

    Përzierja e jashtëzakonshme e historisë, kulturës, inovacionit dhe bukurisë natyrore garanton që Tirana të mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë.

  • Etnor Canaj: Nuk janë ndjekur politika menaxhimi serioze për sitet arkeologjike, probleme në mirëmbajtje e restaurim

    Etnor Canaj: Nuk janë ndjekur politika menaxhimi serioze për sitet arkeologjike, probleme në mirëmbajtje e restaurim

    Problemet në trashëgiminë kulturore kanë bërë që institucionet në vend të përballen herë pas here me kritika të specialistëve të fushës. Në vendin tonë nuk i është dhënë kurrë përparësi aspektit kulturor apo të jenë ndjekur politika menaxhimi serioze, që kanë të bëjnë me sitet arkeologjike, kalatë apo monumentet e kulturës në përgjithësi, shprehet arkeologu Etnor Canaj. Në intervistën për gazetën “SOT” dr. Etnor Canaj arkeolog rendit një sërë problemesh, që sipas tij janë shkak dhe i politikave që janë ndjekur ndër vite. Sipas tij gjendja në sitet tona kulturore vazhdon të ngelet problematike, si në aspektin e mirëmbajtjes dhe restaurimit, ashtu edhe në nivelin e infrastrukturës. Me riorganizimin që u bë ASA-s nga janari 2024 Instituti i Arkeologjisë bëhet sërish si pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por arkeologu Etnor Canaj ashtu sikurse ka shprehur kur u krye kjo reformë, ngelet ende kritik, pasi sipas tij shkenca nuk kryhet me direktiva apo centralizim. Dr. Etnor Canaj ka folur dhe më parë për gjendjen e trashëgimisë kulturore, problemet apo dhe çfarë duhet bërë më shumë nga institucionet dhe ndër të tjera këtë herë ai shprehet edhe për ekspeditat arkeologjike në vend, që ende vazhdojnë në pjesën më të madhe të financohen prej të huajve.
    -Një sezon veror që ka përfunduar, ku dhe këtë vit është pohuar nga institucionet për rritje të numrit të vizitorëve, duke sjellë në vëmendje dhe numrin e tyre në sitet tona kulturore. Ju keni qenë dhe vetë i keni vizituar parqet arkeologjike, por përveç vlerave që kanë si pjesë e trashëgimisë tonë kulturore, ku ju dhe të tjerë specialistë i keni shprehur herë pas here, çfarë mund të na thoni mbi gjendjen e tyre sot, problematikat që kanë?
    Shumë e vërtetë që kemi një rritje të vizitorëve, qofshin këta të huaj apo vendas, por do isha i kujdesshëm në këtë aspekt pasi shifrat që jep MTKS i krahason ato në këtë dhjetëvjeçar të fundit, pra duke nisur nga viti 2013 e këtej. Këto shifra, sigurisht të rëndësishme, duhet ti shohim brenda rritjes së turizmit që ka interesuar vendin tonë, sidomos në këto 2-3 vitet e fundit, interes ky i cili në të shumtën e rasteve ka pasur kuriozitetin, sidomos tek vizitorët e huaj. Dua të shtoj në këtë pikë që jemi ende larg një turizmi kulturor të mirëfilltë. Thënë kjo, gjendja e tyre vazhdon të ngelet problematike si në aspektin e mirëmbajtjes dhe restaurimit, ashtu edhe në nivelin e infrastrukturës ku në këtë pjesë të fundit hyjnë gjithë ato shërbime për të cilat ka nevojë vizitori. Vizitorin apo vizitorët, nuk duhet ti shohim thjesht si individë të cilët lidhen thjesht me një biletë hyrje në një sit arkeologjik, në një muze, apo ta konsiderojmë thjesht si një konsumator.
    Nëse më lejoni t’ju paraqes një shembull që hasa në një vizitën time të fundit para pak kohësh. Në një qendër të rëndësishme kulturore tonën, gati gjithë grupet e vizitorëve ishin të organizuara prej vetë agjencive të udhëtimit (të huaja), që prej guidës/ciceronit ashtu edhe itinerarin që duhet të ndiqnin. Jo se diçka e tillë është e gabuar, por në një vend të huaj, nëse do shkoja, do më pëlqente që të paktën guida apo guidat të ishin të atij vendi. Kjo pasi guida ka rolin e një profesionisti dhe duke qenë vendas, pikërisht njeh më mirë jo vetëm dinamikat, por do e bënte më interesante, pra më me interes, këtë eksperiencë. Në një monument mund të gjejmë të shtresëzuara disa periudha dhe një udhërrëfyes përmbledhës (tabelë paraqitje) nuk mund të jetë kurrë shterues nëse do kërkoja informacione më të detajuara. Që të merremi seriozisht, figura e një guide kulturore duhet të jetë ajo e një figure profesionale dhe të mirëpërgatitur profesionalisht.
    Aspekti tjetër, ku tashmë është kthyer në një rutinë sidomos në rrjetet sociale, shpërndahen informacione lidhur “pastrimit dhe mirëmbajtjes”, operacione këto që kryhet sidomos prej muajit maj e deri në muajin shtator. Pyetja ime është: po muajt e tjerë të vitit, a kryhen këto operacione? Jo se dua të jem provokues duke menduar se kemi të bëjmë me një aspekt propaganistik, pasi jam më se i bindur që sitet dhe monumentet në Shqipëri ndiqen prej figurash profesionistësh të përkushtuar, por mirëmbajtja është e rëndësishme gjatë gjithë vitit dhe në gjithë vitet në vijim.
    -Në një aktivitet më parë ministri i Kulturës u shpreh ndër të tjera se kalatë dhe parqet arkeologjike do të përfshihen në një skemë të re menaxhimi, që synon sipas tij jo vetëm restaurimin, por dhe konservimin, përmirësimin e infrastrukturës turistike. Çfarë mund të na thoni, si e shikoni këtë?
    Dalje të tilla prej institucioneve, kanë vite që i dëgjojmë ku përdoret e ardhmja e afërt apo e largët. Pra, me këtë dalje ministri i Kulturës, në një mënyrë apo tjetrën, pranon që në gjithë këto vite menaxhimi i siteve dhe kalave, në përgjithësi ka lënë dhe lë për të dëshiruar. Duke nisur që nga investimet, të cilat janë në një masë teje modeste e deri tek përgatitja profesionale e asaj që njihet si piramidë organigrame. Por gjithsesi shpresojmë që diçka e tillë të marri drejtimin e duhur.
    – Me riorganizimin që u bë ASA-s nga janari 2024  Instituti i Arkeologjisë bëhet sërish si pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Si e shikoni këtë institut, çfarë ka sjellë ndryshe ky administrim?
    Lidhur kësaj pike, sikurse jam shprehur edhe kur u krye kjo reformë, ngelem ende kritik dhe skpetik. Kjo pasi shkenca nuk kryhet me direktiva apo centralizim dhe figura e një profesionisti, qoftë ky në fushën e arkeologjisë apo të kërkuesit shkencor në fushat e tjera, duhet të ketë liritë, që i garantohen një studiuesi. Shkenca nuk centralizohet kurrë dhe si ishte organizuar qoftë Instituti i Arkeologjisë apo edhe institutet e tjera, pikërisht përpara kësaj reforme, ndoshta nuk ishte ndër më të përkryerat, por kishin njëfarë autonomie ku sot kam përshtypjen mungon.
    Nëse kjo reformë synonte të kontrollonte apo të menaxhonte aspektin financiar, pra në investime, kjo është çështje më vete, por që ka rëndësinë e vet dhe nuk kam njohuritë në këtë aspekt të mund të shprehem. Investimet, sikurse u shpreha edhe më lart, janë të një niveli modest dhe ekspeditat arkeologjike vazhdojnë ende që në pjesën më të madhe të financohen prej të huajve, pra nuk shoh ndonjë ndryshim kualitativ apo hapa të rëndësishëm që solli kjo reformë.
    Në arkeologji kemi gjetje të rëndësishme në vitet e fundit si dhe publikime të tyre në aspektin shkencor, por gjithë këto publikime duhet të bëhen të njohura jo vetëm në nivel lokal, por mbi të gjitha atë ndërkombëtar dhe në këtë pikë të fundit duhet të synojmë të jemi sa më të pavarur dhe të lirë, që të mund të merremi seriozisht.
    -Flitet për ekspedita arkeologjike, por dhe për probleme me fondet. Në fushën e arkeologjisë si ka ndikuar kjo?
    Pa kërkuar të jem ripërsëritës, problemi me fondet është një problem i tipit politik, pasi politika është ajo që vendos përparësitë gjatë një mandati legjislativ. Pra nuk është se ka zanafillën sot, por është një problem, i cili ka dekada që trashëgohet. Shikoni, një ekspeditë arkeologjike nuk kap kurrë shifra, të cilat janë të një niveli marramendës, apo që do i sillnin probleme ekonomisë. Këto shifra, shumë herë modeste, janë përherë jo vetëm të kontrollueshme dhe të verifikueshme, pasi organizatorët e një ekspedite kurrsesi nuk do mund të abuzonin me to, pikërisht sepse profesionisti është më tepër i dedikuar misionit të vet, por nëse ky aspekt do merrej seriozisht prej institucionit përkatës, nuk do kishim gjithë këto probleme që hasim sot.
    -Më parë ishte dhe Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, por përveç disa aktiviteteve, nga institucionet nuk pati ndonjë prezantim mbi gjendjen e monumenteve të kulturës, problematikat, ndërhyrjet, etj, gjë e cila ka ndodhur edhe më parë. Ju si arkeolog si e shihni këtë?
    Në vendin tonë nuk i është dhënë kurrë përparësi aspektit kulturor apo të jenë ndjekur politika menaxhimi serioze, që kanë të bëjnë me sitet arkeologjike, kalatë apo monumentet e kulturës në përgjithësi. Evente të tilla, apo aktivitete të tilla, ku paraqitja është disi jo e kompletuar, pra nuk bëhet ndonjë prezantim substancial për gjendjen e tyre, e pra ky aspekt nxjerr vetvetiu në dritë gjithë këto shqetësime. Nuk dua të përdor fjalën fasadë lidhur organizatorëve, por shoh një mungesë të theksuar dëshire në aspektin politik. Nuk di arsyet e vërteta, por kam përshtypjen se përparësitë në ato që njihen si politika investimi fokusohen gjetkë dhe në rastin konkret nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Sigurisht që shteti funksionon mbi shifra dhe llogjikon me shifra, por sikurse thashë, do mjaftonte dëshira e mirë politike si dhe investime serioze, ku këto të fundit kurrsesi nuk do shkonin të dëmtonin në mënyrë të rëndësishme buxhetin e shtetit, pasi flasim përherë për shifra jo marramendëse.
    -Ju jeni shprehur dhe më parë si arkeolog mbi politikat që kanë ndjekur institucionet në vend për trashëgiminë kulturore. Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në politikat e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit ( MTKS), që merret me trashëgiminë kulturore?
    Dua të hap një parantezë lidhur kësaj pyetje. Nëse do shkonim të vizitonim një kantier gërmimi, pra kur kryhen gërmime arkeologjike, në një ekspeditë të përbashkët shqiptare dhe e huaj, operatorët të cilët kryejnë këtë aktivitet nga pala jonë, gati në përqindjen më të madhe janë të moshës së mesme apo edhe më të vjetër. Pra nuk kemi një prezencë të konsiderueshme të të rinjve në këto gërmime. Shumë herë drejtuesit e një ekspedite arkeologjike të palës shqiptare, janë të detyruar që në ekipin e tyre të marrin për shembull banorë të zonës. E kundërta ndodh me palën e huaj, ku gati tërësisht ekipi gërmues përbëhet prej studentëve. Pa kërkuar të ndalem gjatë në teknicizma në këtë pikë, por studenti jo vetëm mëson dhe vë në praktikë anën teorike të një gërmimi, por me eksperiencën që përfiton është në gjendje të dallojë shtresat apo atratigrafine, të mbledhë të dhënat e duhura në mënyrë profesionale lidhur gjetjeve, etj.
    Pra ky është një ndër problemet kryesore dhe në këndvështrimin tim ka lidhje me motivimin e të rinjve shqiptar kur zgjedhin degët universitare, pasi shumë pak zgjedhin arkeologjinë. Mos të harrojmë në këtë pikë edhe një problem të madh që po has shoqëria jonë, pra atë demografik dhe ikjen e të rinjve, problem ky që duhet marrë seriozisht. Nëse do krijoheshin fonde të posaçme për mirëmbajtjen dhe restaurimin e çdo objekti, siti, kalaje apo monumenti në përgjithësi do ishte një hap tjetër serioz në rolin që do kishte politika. Sikurse krijimi i një task force për menaxhimin e këtyre fondeve në mënyrë transparente. Nuk duhet të presim përherë prej të huajve apo fondesh, të cilat shumë herë ngjallin debate. Nëse një sit arkeologjik, nëpërmjet vizitueshmërisë krijon të ardhura të kënaqshme, e pra ai sit ka kapacitetin financiar jo vetëm të burimeve njerëzore që e mirëmbajnë dhe kujdesen, por edhe të financojë gërmime periodike dhe të vazhdueshme. Pra në një farë mënyre mirëmban dhe ripërtërin vetveten.
    Sikurse theksova shteti është përherë pragmatik, por shteti nuk duhet të shohi trashëgiminë kulturore si një sportel bankomati apo të investojë nëse ka një përfitim financiar. Politikat afatgjatë janë përherë ato më të zgjuara dhe më efektive dhe politikat serioze në një investim po aq serioz si në burime njerëzore dhe ato financiare, bëjnë përherë të mundur që atë që kemi sot të mund t’ua lëmë edhe brezave në vijim.
    Intervistoi: Julia Vrapi