Studiuesi Auron Tare ka hedhur akuza të forta ndaj ministres së Turizmit Mirela Kumbaro duke e cilësuar atë si një shkatërruese të identitetit kulturor të kryeqytetit gjatë kohës që mbante postin e ministres së Kulturës. Sipas tij, zonja Kumbaro shembi të gjithë vilat monument të Tiranës duke e shndërruar kryeqytetin në një vend pa pika reference.
“Me zotin Lame dhe me Zotin Shkreli në 2013-ën punuam dhe bëmë një listë të madhe të të gjithë vilave, që duheshin futur në mbrojtje në Tiranë dhe ja dhamë zonjës Kumbaro. Edhe na u thafshin duart sepse ngaqë i zbuluam ku ishin gjysma ikën, u palosën. E kam akoma atë dosjen që bëmë atëherë, punuam për qejfin tonë me kënaqësi duke menduar që do futeshin në mbrojtje. Ikën të gjitha. Tani Tirana nuk ka më pikë reference.” – deklaroi Tare në MCN.
Auron Tare ka kundërshtuar me forcë edhe nismën më të fundit të qeverisë për të ndërtuar restorante dhe hotele në zonën e Kalasë së Petrelës.
“Askush nuk i kthen kalatë në restorante, vetëm shqiptarët e kanë bërë. Kam frikë dhe jam i bindur se nuk është më çështje e Ministrisë së Kulturës, kjo është çështje e shoqërisë shqiptare e cila nuk ka më asnjë lloj ndjesie, përveç ndeshjes së kombëtares.” vijoi Auron Tare.
Sipas tij, indiferenca dhe mosreagimi i shoqërisë po ja bënë më të lehtë abuzuesve që të shkatërrojnë trashëgiminë kulturore të vendit.
Nuk kam më besim se do të vlerësohet trashëgimia kulturore. Nuk ka asnjë lloj interesi për çështje të tilla të trashëgimisë kulturore. Ti shiko Tushemishtin, do bëhen pallate atje. Petrela është një kryevepër, ka një histori të jashtëzakonshme nuk ka nevojë për projekte të tilla. Nuk është vetëm çështja e qeverisë dhe ndërtuesit, është dhe e atij që ka trashëgiminë që nuk ka ndjesinë të ruajë vilën e gjyshit dhe stërgjyshit,” tha Auron Tare.
Tag: kulturore
-

Gonxhja: Vizitoni sitet kulturore dhe përjetoni nga afër trashëgiminë që na bën krenarë
Sitet e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe muzetë e vendit tonë janë kthyer ndër më të vizituarit në vend.
Rritja e numrit të vizitorëve në këto site kulturore ka ardhur edhe si pasojë e vizitave falas në fundjavën e fundit të çdo muaji, .
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale ftoi sot vizitorët të vizitojnë falas këto site kulturore fundjavën e fundit të muajit shkurt.
“Këtë fundjavë lëreni rutinën mënjanë, vizitoni sitet tona kulturore dhe përjetoni nga afër trashëgiminë që na bën krenarë”, shkruan Gonxhja.
Gjatë 2024 sitet kulturore u vizituan nga 1 314 999 persona, 31% më shumë krahasuar me 2023. Pesë sitet më të vizituara në 2024 ishin Kalaja e Gjirokastrës, Parku Kombëtar i Butrintit, Muzeu Gjergj Kastrioti në Krujë, Parku Arkeologjik në Shkodër dhe Parku Arkeologjik në Apoloni.
Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.
Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj. -

IKTK në Butrint, inspekton veprimtarinë e fondacionit që menaxhon qytetin antik
Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) zhvilluan një inspektim në Parkun Kombëtar të Butrintit, në kuadër të grupit të monitorimit të veprimtarisë së Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (BMF), i ngritur me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky proces synon të sigurojë zbatimin e standardeve më të larta për ruajtjen dhe menaxhimin e këtij siti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është krijuar me qëllim menaxhimin e pasurisë kulturore brenda Parkut Kombëtar të Butrintit në bazë të Marrëveshjes së Administrimit lidhur me Ministrinë e Kulturës.
Përmes formës së administrimit indirekt, Fondacioni synon gjithashtu ruajtjen dhe mbrojtjen e Pasurisë Kulturore, sigurimin e aksesit dhe shërbimet për publikun në të, promovimin e saj dhe aktivitetet studimore e kërkimore, si dhe përdorimin, qarkullimin dhe veprimtaritë arkeologjike të Pasurisë Kulturore, duke e menaxhuar dhe zhvilluar atë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke siguruar mjetet e nevojshme financiare dhe stafin e specializuar, me qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e saj për të gjithë kohëzgjatjen e administrimit indirekt. -

Jazz muzika në Mitrovicë-Një urë Kulturore që bashkon komunitetet
Mitrovica, një qytet me histori të pasur kulturore, ka gjetur në muzikën jazz një mjet të fuqishëm për të bashkuar komunitetet dhe për të promovuar diversitetin kulturor. Përmes festivaleve dhe iniciativave të ndryshme, jazz-i ka luajtur një rol kyç në ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në këtë qytet të ndarë.
Një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Mitrovicë është festivali “Mitrovica International Jazz Days”, i cili mbahet çdo vit në muajin gusht. Ky festival mbledh artistë të njohur nga vendi, rajoni dhe bota, duke ofruar performanca të jashtëzakonshme që pasurojnë skenën muzikore të qytetit. Edicioni i fundit, i mbajtur nga 22 deri më 24 gusht 2024, solli emra të njohur të skenës jazz, si Gunhild Carling dhe Kinga Glyk, të cilët performuan për një audiencë të gjerë dhe entuziaste.
Roli i jazz-it në bashkimin e komuniteteveMuzika jazz ka shërbyer si një platformë për të bashkuar komunitetet e ndryshme në Mitrovicë. Nën moton “Muzika na bashkon”, festivali ka krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe përfshirëse, duke promovuar tolerancën dhe mirëkuptimin ndërmjet qytetarëve. Përmes muzikës, artistët dhe audienca kanë ndërtuar lidhje të reja, duke kontribuar në ndërtimin e një qyteti më të bashkuar dhe të hapur ndaj diversitetit kulturor.
Jazz-i në Mitrovicë është më shumë se një zhanër muzikor; është një simbol i bashkimit dhe shpresës për një të ardhme më të mirë. Përmes festivaleve si “Mitrovica International Jazz Days”, qyteti vazhdon të promovojë vlerat e paqes, tolerancës dhe diversitetit, duke dëshmuar se muzika ka fuqinë të kapërcejë barrierat dhe të ndërtojë ura ndërmjet njerëzve.
Pyetje për lexuesit tanë: A keni marrë pjesë ndonjëherë në “Mitrovica International Jazz Days”? Cili ishte momenti juaj i preferuar? Na tregoni përvojat tuaja në komentet më poshtë!
