Tag: kulturore

  • Pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale, lahuta shpallet zyrtarisht në UNESCO

    Pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale, lahuta shpallet zyrtarisht në UNESCO

    Një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s në listën për nevojë urgjente mbrojtje.
    Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësore të identitetit në hapësirën shqiptare rurale të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe përtej që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia.
    Eposi i Kreshnikëve dhe balada të traditës shqiptare veriore, në duart e lahutarit kanë shprehur në shekuj virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.
     

  • Gjuetia për sendet me vlerë/ DASH dhe ambasada e SHBA-së asistencë për të ndalur trafikimin e objekteve kulturore

    Gjuetia për sendet me vlerë/ DASH dhe ambasada e SHBA-së asistencë për të ndalur trafikimin e objekteve kulturore

    Rajoni i Korçës ashtu si gjithë vendi përballet me sfida që lidhen me gërmimet e paligjshme në kërkim të objekteve dhe sendeve me vlerë të trashëgimisë kulturore të cilat në formën aktuale të ligjit nuk klasifikohen si vepër penale çka ngre nevojën për ndryshime ligjore e po ashtu nevojitet një koordinim më i mirë ndërmjet aktorëve lokalë për të parandaluar trafikimin e paligjshëm të objekteve kulturore.

    Në këtë drejtim, mbështetja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri po luan një rol të rëndësishëm, duke fuqizuar institucionet dhe aktorët lokalë në përpjekjet e tyre për parandalimin e gërmimeve të paligjshme dhe trafikimit të objekteve kulturore.
    Vitet e fundit, në qarkun e Korçës janë konstatuar disa raste të gërmimeve të paligjshme dhe tentativave për trafikim të objekteve të trashëgimisë kulturore, çka tregon se problematika vijon të jetë e pranishme dhe kërkon veprim të koordinuar.
    Gjatë një tryeze të rrumbullakët që u zhvillua në Korçë ku ishin të pranishëm aktorët lokalë, ekspertët theksuan se ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk mund të jetë efektive pa ndërgjegjësimin dhe angazhimin e komunitetit lokal. Banorët, veçanërisht ata që jetojnë pranë zonave të mbrojtura, luajnë një rol kyç në raportimin e rasteve të dyshimta dhe në mbrojtjen e vlerave kulturore që i përkasin të gjithë shoqërisë.

    Top Channel

  • 2.1 milionë euro për restaurimet e dy xhamive në Prishtinë e Ferizaj

    2.1 milionë euro për restaurimet e dy xhamive në Prishtinë e Ferizaj

    Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka inspektuar punimet restauruese në dy objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore islame: Xhaminë e Sudi Efendisë në Prishtinë dhe Xhaminë e Mulla Vesel Gutës në Ferizaj.

    Vizita u zhvillua bashkë me Kryeimamin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Vedat ef. Sahiti, dhe zyrtarë të tjerë të institucionit.

    Sipas Çekut, restaurimi i këtyre objekteve po zhvillohet me kujdes të shtuar për të ruajtur vlerat e tyre historike, arkitekturore dhe shpirtërore, ndërsa theksoi se rikthimi i tyre në funksion do t’i shërbejë komunitetit dhe trashëgimisë kulturore të vendit.

    Për Xhaminë e Mulla Vesel Gutës në Ferizaj, Ministria ka ndarë 1.5 milion euro, ndërsa 600 mijë euro janë alokuar për restaurimin e Xhamisë së Sudi Efendisë në Prishtinë.

    “Të dy projektet po realizohen në bashkëpunim të ngushtë me Bashkësinë Islame të Kosovës, si pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore islame në gjithë vendin”, deklaroi Çeku.

    Punimet në të dy objektet pritet të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të restaurimit, ndërsa Ministria e Kulturës ka paralajmëruar se projekte të tjera të ngjashme do të mbështeten edhe në komuna të tjera në muajt në vijim.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    MISTERI I PLLAKËS SË BASHPLEMIT! A FSHEH GJURMËT E NJË GJUHE TË HUMBUR TË KAUKAZIT

  • Turistët numër rekord në Shqipëri këtë vit…por me xhepat bosh!

    Turistët numër rekord në Shqipëri këtë vit…por me xhepat bosh!

    Turet kulturore të vjeshtës arritën të kompensonin rënien e ritmit turistik veror, duke e mbajtur këtë vit sërish në krye për numrin e vizitorëve të huaj. Deri në tetor, Shqipëria ka pritur 11.1 milionë turistë, një shifër që tregon rritje, edhe pse të moderuar. Pavarësisht numrave, bizneset e sektorit nuk janë të kënaqura.
    Të ardhurat rezultojnë më të ulëta nga sa pritej dhe operatorët turistikë e lidhin këtë me një ndryshim të qartë në profilin e turistit: sot mbizotërojnë të rinjtë që vijnë të frymëzuar nga rrjetet sociale, të cilët synojnë të shpenzojnë minimalisht.
    Operatorët turistikë nuk presin surpriza për vitin 2026. Ai shihet si një vijim i natyrshëm i këtij viti. Ajo që vihet në dyshim është qëndrueshmëria. Për të garantuar këtë duhet të merren masa konkrete në përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike, garantimin e furnizimit me ujë dhe energji, si dhe në përmirësimin e shërbimit.
    Thuajse në mbyllje të vitit, bizneset në sektorin e turizmit nuk e thonë dot qartësisht nëse 2025-a ishte një vit suksesi apo zbehjeje.
    Operatorët turistikë pohojnë se në shifër vizitorësh, ky vit mbetet i mirë, me një rritje të moderuar që ka ardhur si rrjedhojë e tureve kulturore të pranverës dhe vjeshtës.
    Në raport me të ardhurat e gjeneruara, bizneset e sektorit janë skeptikë. Tipologjia e turistit, kryesisht e re, në kërkim të eksperiencave por pa shpenzuar shumë, ka sjellë më pak të ardhura për ta. Ky rezultat vjen si efekt i një “marketingu” që s’mund ta kontrollosh.
    Është viraliteti i videove në rrjete sociale që ka bindur një pjesë të mirë të turistëve se Shqipëria është një përvojë për t’u provuar dhe mbi të gjitha, shumë e lirë dhe pikërisht ata kanë kërkuar opsionet më të lira të mundshme.
    Në akomodim kanë mbizotëruar apartamentet apo hostel, kurse në konsum blerjet në supermarket apo dyqanet e ushqimit të shpejtë. Sigurisht kjo nuk vlen për të gjithë turistët, por tipologjia mbizotëruese ka qenë kjo.
    Balancimin e kanë bërë turistët që vijnë në ture kulturore dhe ata të moshës së tretë nga Europa Perëndimore, të cilët eksperiencën e Shqipërisë nuk e shohin si një “check in” por si një periudhë çlodhjeje me më shumë zgjedhje nga oferta turistike.
    Turistë ka, por janë kursimtarë, ecuria e vitit 2025
    Deri në fund të tetorit, Shqipërinë e vizituan 11.1 milionë të huaj. Të paktën kjo ishte shifra që raportoi Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit me një rritje 7% në raport me janar – tetor 2024.
    Gjasat janë që ky vit të regjistrojë një rritje disi më të ulët se ajo e një viti më parë, por në total të tejkalojë rezultatin 11.7 milionë vizitorë që u regjistrua deri në fund të 2024-s.
    Pavarësisht një numri më të lartë të hyrjeve të të huajve, konsumi ka qenë më i zbehtë duke lënë kështu më pak para në ekonomi.
    Si numër vizitorësh jemi te pritshmëritë që kishim, pra që ky vit do të ishte njësoj si viti 2024. Ndoshta mund të cilësohet pak më i zbehtë sezoni veror. Kanë qenë turistë me kosto të ulët, të cilët kanë zgjedhur Tiranën, vendet rurale, agroturizmet.
    Karakteristikë e këtij sezoni veror ishte rënia e turistëve cilësorë, pra atyre që paguajnë më shumë dhe kërkojnë më shumë shërbime. Kishte rënie të këtij grupi në raport me vitin 2024”, shprehet Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa.
    Ndryshimi i tipologjisë së turistit duket se lidhet drejtpërdrejt me formën që ka ndikuar zgjedhjen e këtyre të huajve për të ardhur në Shqipëri dhe pjesa më e madhe u janë referuar rrjeteve sociale.
    Viraliteti që mori vendi ynë në rrjete sociale, që fillimisht lidhej me bukuritë natyrore, ushqimin e mirë dhe koston e lirë duket se u kthye në një bumerang që ka tërhequr gjithmonë e më shumë “kursimtarë” në një lloj “gare” për eksperiencën sa më të lirë.
    “Nuk është se nuk patëm turistë këtë verë. Ndoshta patëm njësoj ose më shumë por ajo që bëri diferencën është tipologjia e turistit.
    Kjo është një tipologji e re ku dominojnë kryesisht moshat e reja që parapëlqejnë të shpenzojnë pak dhe të krijojnë eksperienca. Kërkojnë alternativat më të lira. Kjo moshë kështu sillet kudo jo vetëm në Shqipëri”, – pohon Arben Çipa, nga “Sipa Tours”.
    Vjeshta korrigjon verën, turet kulturore gjithmonë e më shumë interes
    Teksa vera shfaqi një situatë të zbehtë për turizmin, pranvera dhe tani edhe vjeshta përmirësuan bilancin turistik të vitit.
    Operatorët turistikë shprehen se kjo periudhë ka qenë me një ecuri pozitive dhe të huajt po parapëlqejnë gjithmonë e më shumë që në formë të organizuar në periudha kryesisht njëjavore të vizitojnë qytetet më të rëndësishme në aspektin kulturor.
    “Vjeshta është shumë mirë. Ka një rritje të qëndrueshme dhe grupe të shumta që vijnë me ture kulturore në formë të organizuar. Po kështu, ka edhe shumë turistë individualë që shpenzojnë pak dhe zgjedhin të qëndrojnë nëpër AirBNB. Turet kulturore kanë qenë më të qëndrueshëm. Janë turistë që edhe shpenzojnë pak më shumë dhe zgjedhin të qëndrojnë deri në shtatë net duke lëvizur dhe duke eksploruar vende të ndryshme. Vizitojnë veriun, pra Valbonën dhe Thethin, vizitojnë vendet historike siç është Berati dhe Gjirokastra dhe ndalen edhe në Sarandë. Deri më tani mund të themi që numrat janë të kënaqshëm”, nënvizon z. Kasa.
    Të njëjtën tendencë konfirmon edhe z. Çipa, i cili nga muajt e vjeshtës veçon shtatorin i cili bëri diferencën edhe për atë bilancin e turizmit të rërës dhe detit.
    Turet kulturore të përqendruara sidomos në tetor dhe nëntor mbeten në nivele të kënaqshme.
    “Është vënë re një miks i turistit të pavarur, pra që vjen individualisht dhe operatorëve turistikë që sjellin në mënyrë të organizuar vizitorë për ture kulturore.
    Këto të fundit kanë pasur ritëm të kënaqshëm dhe akoma edhe sot që jemi në nëntor, shifrat e tureve kulturore mbeten në nivele të mira”, pohon ai.
    Nga shërbimi te mungesa e ujit dhe infrastruktura, pikat ku duhet të reflektojmë
    Gjatë këtij viti, shërbimi në sektorin e turizmit ka vijuar të shfaqë presionin që sjell mungesa e fuqisë punëtore të thjeshtë, por sidomos asaj të kualifikuar.
    Z. Çipa shprehet se shërbimi te ne mbetet ende elementar.
    Ai gjykon se ndoshta viti tjetër do ta gjejë më të përgatitur sektorin sepse po rekrutohen vazhdimisht punonjës të huaj.
    “Ndoshta mund të evoluojmë pak në shërbim, pasi pjesën më të madhe të stafit po e marrim nga jashtë dhe kjo do të na bëjë të mundur që të përmirësohemi disi, por duhet të vihet theksi te profesionistët e sektorit që janë pika kyçe”, nënvizon z. Çipa.
    Gjatë këtij viti, për rajone të ndryshme në vend, problemet ishin të theksuara dhe në shërbime bazë, të cilat për zonat turistike janë të pakonceptueshme.
    Ndër to renditet mungesa e ujit në zonën e Golemit, mungesa e energjisë në disa zona, djegia e mbetjeve në Vlorë. Për z. Kasa këto janë elemente që përkeqësojnë vlerësimin e përgjithshëm turistik të Shqipërisë.
    “Problem kryesor ka qenë mungesa e shërbimit. Turistët kanë pasur rezerva për këtë dhe nuk kanë nguruar ta shprehin si ankesë qoftë tek agjencitë e tyre, qoftë në biseda. Kur ti paguan një dhomë me çmimin 300-400 euro është e pakonceptueshme që të të duhet të presësh 20 minuta për një kafe që është gjëja më e thjeshtë. Problemeve të tjera ne u kemi dhënë zë vazhdimisht. Kryesisht ankesat janë për kantieret e ndërtimit që mbeten hapur gjatë sezonit. Pra subjektet ndërtojnë fare pranë strukturave akomoduese dhe kjo e kthen pushimin në një stres për turistët. Zhurmat që shkakton ndërtimi orar pa orar, inertet por edhe pamja që kanë objektet e papërfunduara nuk është aspak mikpritëse për syrin e një turisti dhe nuk të jep përshtypjen që je në një zonë turistike”, nënvizon z. Kasa.
    Viti 2026 pa surpriza, pritet të ketë të njëjtën ecuri si viti aktual
    Viti 2025 pritet të mbyllet me një bilanc pozitiv për hyrjen e të huajve në Shqipëri, ku rritja pritet të jetë më e zbehtë se ajo e vitit paraardhës.
    Operatorët turistikë shprehen se edhe për vitin tjetër nuk presin ndonjë surprizë, çka do të thotë se ecuria e sektorit pritet të mbetet pozitive, por ritmet e rritjes më të ngadalta.
    Edhe tipologjia e turistit pritet që të mbetet e njëjtë me atë të këtij viti duke qenë se kryesimin e marketimit po e mbajnë rrjetet sociale.
    Turizmi i organizuar do të dominohet sërish nga polakët teksa ai individual nga Kosova dhe Italia, edhe pse këto dy grupe po tregojnë luhatje herë pas here.
    Duhet të shohim me kujdes këto tendenca, sepse shqiptarët e Kosovës dhe italianët janë dy grupet më të mëdha të turizmit të paorganizuar, kurse polakët më të mëdhenjtë në turizmin e organizuar dhe gjasat janë që kështu të mbetet tendenca edhe vitin tjetër.
    Franca, nga ana tjetër, edhe pse me tendencë në rritje ka numër të vogël turistësh. Izraeli është një tjetër treg që ka pasur rritje. Janë të paktën 100 mijë turistë që kanë ardhur nga ky vend nga prilli e deri në tetor.
    Ideja është që për Shqipërinë vijon të ketë interes, por ne duhet të reflektojmë dhe të bëjmë korrigjimet tona për të mos humbur terren. Gjasat janë që viti 2026 të jetë i njëjtë si 2025-a”, – shprehet z. Kasa.
    Edhe për Arben Çipën, pritshmëritë janë të njëjta për vitin e ardhshëm si në të ardhura, edhe në tipologjinë e turistit.
    /Marrë nga Monitor

  • Zbulime arkeologjike në Kthellën e Epërme, puna nga arkeologët do të vijojë në Mirditë

    Zbulime arkeologjike në Kthellën e Epërme, puna nga arkeologët do të vijojë në Mirditë

    Zbulimet arkeologjike në Kthellën e Epërme në Mirditë gjatë muajit nëntor janë tepër interesante. Gërmimi arkeologjik i shpëtimit në zonën e Kthellës së Epërme, në Mirditë gjatë muajit nëntor u realizua nga arkeologët e Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, me mbështetjen e Bashkisë Mirditë. Sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, të dhënat arkeologjike nga kjo zonë janë tepër interesante, të shoqëruara edhe me një toponimi të pasur dhe domethënëse, e cila dëshmon për aktivitet njerëzor, duke filluar nga periudha e Hekurit të Hershëm e deri në atë të Antikitetit të Vonë. “Hulumtimi dhe gjurmimi arkeologjik do të vijojë dhe priten rezultate të rëndësishme për njohjen dhe zbulimin e thesareve të trashëgimisë kulturore të zonës së Mirditës dhe më gjerë”, thuhet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).
    Gërmimi arkeologjik që ka vijuar gjatë muajit nëntor në Kthellën e Epërme në Mirditë është në vijim dhe të projekteve të tjerë më parë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, u formua nga bashkimi i dy institucioneve të mëparshme në varësi të Ministrisë së Kulturës, përkatësisht nga  Instituti Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. IKTK-ja ushtron veprimtarinë  edhe në fushën e arkeologjisë parandaluese e të shpëtimit dhe studimit të trashëgimisë arkeologjike, si rrjedhojë e planifikimit urban e territorial në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, harton kriteret e hulumtimeve arkeologjike, shqyrton dokumentacionin teknik në lidhje me to, si dhe kryen mbikëqyrjen e proceseve arkeologjike dhe ecurisë së projekteve.
     

  • Edi Rama: Java e Kulturës Shqipëri-Kosovë e ktheu qytetin në laborator krijimtarie

    Edi Rama: Java e Kulturës Shqipëri-Kosovë e ktheu qytetin në laborator krijimtarie

    Java Kombëtare e Kulturës Shqipëri–Kosovë nisi nga Tropoja me “Next Generation”, duke e kthyer qytetin në një laborator krijimtarie, dialogu dhe diplomacie kulturore me mbi 200 të rinj pjesëmarrës.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndau një fotoalbum nga nisja e Javës Kombëtare të Kulturës Shqipëri–Kosovë në rrjetet e tij sociale.

    “Java Kombëtare e Kulturës Shqipëri–Kosovë nisi nga Tropoja me “Next Generation”, duke e kthyer qytetin në një laborator krijimtarie, dialogu dhe diplomacie kulturore me mbi 200 të rinj pjesëmarrësForume, panele, ekspozita dhe performanca bashkuan artistë, profesionistë dhe organizata nga të dy vendet, duke ndërtuar ura bashkëpunimi në kinematografi, trashëgimi kulturore, artet bashkëkohore, muzikë dhe gastronomi kreative”- shkruan Rama.

    Edicioni i parë i Next Generation u mbajt në datat 21 dhe 22 nëntor dhe është një projekt që synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për artistët dhe të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova.

    Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe sipas organizatorëve u zgjodh Tropoja, sepse është një nga vendet ku marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë gjithmonë organike, ku kulturat nuk takohen për herë të parë, por rikthehen tek njëra-tjetra.

    Tropoja ofron terrenin e duhur për të ndërtuar një model të ri diplomacie kulturore, të bazuar në kreativitet, bashkëpunim dhe art që buron nga brezi i ri.Programi i dy ditëve përfshiu forume, performanca, punëtori, ekspozita dhe aktivitete interaktive, të cilat bashkojnë disiplinat kryesore kreative kinematografi, debate, rrëfime dhe bashkëpunime të reja mes krijuesve filmikë.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

     “FEST 64” MBAHET MË 17 DERI 20 DHJETOR/ MARRIN PJESË 28  KËNGËTARË, FITUESI SHKON NË EUROVIZION

  • “Travel and Tour World”: Turistët ndërkombëtarë “pushtojnë” qytetin historik të Beratit

    “Travel and Tour World”: Turistët ndërkombëtarë “pushtojnë” qytetin historik të Beratit

    Me peizazhet e bukura dhe pamjet piktoreske, Berati, i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, është shndërruar shpejt në një nga destinacionet më të njohura në Shqipëri, falë historisë së tij të pasur dhe ndërtesave karakteristike osmane, sipas “Travel and Tour World” (TTW).
    Në një periudhë prej 10 muajsh, qyteti i Beratit është vizituar nga 750,000 turistë ndërkombëtarë dhe vendas, duke rritur ndjeshëm aktivitetin ekonomik të qytetit dhe zonës përreth, pasi shumë biznese lokale si hotele, restorante dhe kompani turistike po përfitojnë nga fluksi i turistëve.

    Pse e vizitojnë Beratin turistët?

    Vizitorët tërhiqen nga historia dhe arkitektura e pasur e qytetit. Kalaja mesjetare që dominon qytetin është një pjesë e mrekullueshme e historisë dhe arkitekturës.

    Kalaja u ofron vizitorëve një pamje të mrekullueshme të arkitekturës historike më të fundit të qytetit dhe peizazhit të bukur të rajonit. Kalaja e Beratit përbëhet nga pjesë arkitekturore dytësore, të cilat përfshijnë një faltore dhe një xhami, dhe pasqyrojnë disa nga diversitetet kulturore dhe fetare i rajonit.
    Vizitorët gjithashtu vlerësojnë rajonet e Mangalemit dhe Goricës me rëndësinë e tyre historike dhe rrugët e ngushta me kalldrëm.
    Këtu, turistët mund të gjejnë monumente të bukura të arkitekturës nga epoka osmane.
    Një nga atraksionet në qytet janë monumentet dhe arkitektura e Beratit.
    Trashëgimia kulturore e qytetit, muzetë dhe historia e tij gjithashtu tërheqin vizitorët.
    Muzeu Etnologjik, i vendosur në ish-shtëpinë e guvernatorit, ka një koleksion të pasur objektesh historike që portretizojnë traditat nga Berati, ndërsa Muzeu i Ikonografisë strehon vepra arti bizantine dhe fetare.
    Ekonomia turistike në zgjerim e Beratit po ndihmon në rritjen dhe diversifikimin e sektorit të shërbimeve të qytetit.
    Vëllimi në rritje i rezervimeve ka nxitur hotelet dhe akomodimet butike të zgjerojnë ofertat e tyre të shërbimeve.
    Qyteti i vjetër i Beratit ka regjistruar një fluks të larmishëm të turistëve ndërkombëtarë.
    Disa pika turistike u shërbejnë turistëve të huaj gatime shqiptare si byrek, tavë qengji dhe verëra lokale.
    Rritja e numrit të turistëve në qytet u vjen në ndihmë edhe dyqaneve të artizanatit, shitësve të suvenireve dhe bizneseve të vogla që shesin artizanate tradicionale.
    Tekstilet e endura me dorë, produktet prej bakri dhe qeramika janë shpesh blerje të kërkuara nga turistët.
    Gjithashtu, me rritjen e numrit të vizitorëve të huaj dhe vendas në Berat, bizneset janë zgjeruar, duke rritur mundësitë e punësimit dhe duke forcuar ekonominë lokale.
    Operatorët turistikë që ofrojnë udhëtime, guidë dhe aktivitete kulturore janë zgjeruar gjithashtu.
    Vizitorët mund të zhvillojnë udhëtime të organizuara për të vlerësuar dhe kuptuar trashëgiminë kulturore të Beratit – me guida vendase që tregojnë historitë e arkitekturës dhe traditave të qytetit.
    Turistët e huaj janë të interesuar për historinë e monumenteve të famshme të Beratit.
    Trashëgimia e UNESCO-s dhe roli i saj në turizëm
    Fakti që Berati është një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ka kontribuar shumë në popullaritetin e tij në rritje si një destinacion turistik.
    Historia, arkitektura dhe kultura e qytetit janë të jashtëzakonshme dhe i kanë mundësuar qytetit të bëhet një nga vendet e trashëgimisë më të mbrojtura në të gjithë globin.
    UNESCO jo vetëm që e mbrojti qytetin dhe e solli atë në skenën ndërkombëtare, por e nxiti atë të praktikonte turizmin e qëndrueshëm.
    Kjo i lejon qytetit të ruajë si monumentet natyrore ashtu edhe ato kulturore të qytetit.
    Shpallja e Beratit si Trashëgimi Botërore ndihmon në zgjerimin e potencialit të tij në promovimin e turizmit – si një nga qytetet e vlerësuara të Shqipërisë.
    Gjirokastra, një tjetër qytet i vlerësuar, është i njohur për arkitekturën e tij osmane të ruajtur mirë dhe është i vendosur në një vendndodhje të përshtatshme për vizitorët ditorë.
    Ofertat e kombinuara të qytetit të UNESCO-s nxisin turizmin në rajon, duke i dhënë Beratit një pozicion të spikatur në hartën e turizmit kulturor të Shqipërisë.
    Berati, një atraksion ndërkombëtar i Shqipërisë
    Midis turistëve ndërkombëtarë, Shqipëria po bëhet një destinacion popullor udhëtimi me Beratin si një nga atraksionet e saj.
    Popullariteti në rritje i Shqipërisë për ofertat e saj, dhe më konkretisht qyteti i Beratit, i atribuohet historisë së pasur, peizazheve të bukura dhe infrastrukturës turistike në rritje.
    Ndërthurja e jashtëzakonshme e sharmit historik dhe turizmit modern të Beratit është një faktor tërheqës për vizitorët në kërkim të përvojave autentike kulturore.
    Midis turistëve ndërkombëtarë që vizitojnë Beratin, vizitorëve nga Evropa dhe kryesisht Italia, Greqia dhe Gjermania fqinje janë më të shpeshtët.
    Megjithatë, qyteti po fiton një reputacion të mirë dhe po tërheq turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Australia.

  • Antropologjia dhe trashëgimia kulturore mbledh studiuesit, dëmtimi fizik, humbja e kolektiviteteve dhe…

    Antropologjia dhe trashëgimia kulturore mbledh studiuesit, dëmtimi fizik, humbja e kolektiviteteve dhe…

    Nga Julia Vrapi
    Trashëgimia kulturore  materiale dhe jomateriale, u vlerësua si burim i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kolektiv shqiptar dhe lidhjen e tij me rajonin në konferencën shkencore që u zhvillua këto ditë. Instituti i Antropologjisë (IAn) është një nga institutet kërkimore, pjesë përbërëse e Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, që përbëhet Departamenti i Etnologjisë dhe Departamenti i Folklorit, i cili organizoi konferencën me temën “Antropologjia dhe trashëgimia kulturore – identitet, traditë dhe transformim”, që mblodhi në Tiranë studiues, kërkues shkencorë, ekspertë të fushës dhe profesionistë nga institucione të ndryshme kulturore, ku ndër të tjera dëmtimi fizik, humbja e kolektiviteteve, keqinterpretimet u evidentuan nga të pranishmit si probleme për të tashmen e trashëgimisë kulturore.  IAn ka zhvilluar konferenca me tematika të ndryshme, ku këtë herë në fokus ishte antropologjia dhe problemet në trashëgiminë kulturore.
    Drejtori i Institutit të Antropologjisë, prof. asoc. dr. Olsi Lelaj solli në vëmendje se konferenca zhvillohet në një moment të rëndësishëm për institucionin, pasi tema e saj “nuk artikulon” vetëm një kërkesë për të kuptuar, analizuar dhe reflektuar mbi marrëdhëniet e shumëfishta mes antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore, por mbi të gjitha, antropologjia dhe trashëgimia shfaqen si një hap i ri në riorganizimin institucional të kërkimeve në Institutin e Antropologjisë si pjesë e instituteve albanologjike brenda ASH. Në vijim ai nënvizoi se konferenca “Antropologjia dhe trashëgimia kulturore” është një moment i rëndësishëm bashkëpunimesh dhe riartikulimi për partneritetet institucionale me kolegët e Departamentit të Etnologjisë dhe të Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si dhe me Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, me kolegët e Departamentit të Historisë dhe Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë-Filologjisë.
     Antropologjia dhe trashëgimia kulturore dy fusha të pandara
    Në këtë konferencë kumtesat nga pjesëmarrësit nënvizuan se antropologjia dhe trashëgimia kulturore janë dy fusha të pandara. Referuar materialit të ASH-së, në konferencë u bënë dhe diskutime për sfidat e mëdha me të cilat përballet sot trashëgimia kulturore, sidomos në kushtet e zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe globalizimit. “Dëmtimi fizik, humbja e kolektiviteteve, keqinterpretimet apo ndryshimi i vlerave shoqërore u evidentuan si probleme konkrete për të tashmen e trashëgimisë kulturore. Një vëmendje e veçantë iu kushtua fenomenit të turistifikimit masiv, sidomos në vitet e fundit në Shqipëri, i cili ka shtuar presionin ndaj mënyrës së klasifikimit, shfrytëzimit dhe ruajtjes së aseteve kulturore. Po ashtu, procesi i regjistrimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në listat ndërkombëtare, si ajo e UNESCO-s, u cilësua si domosdoshmëri, por njëkohësisht si proces që ngre debate të reja dhe kërkon analiza të thelluara antropologjike”, thuhet nga ASH.
    Punimet e konferencës u zhvilluan në praninë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe nënkryetarit të ASHSH-së akad. Vasil Tole. Konferenca që u zhvillua në 20 dhe 21 nëntor solli në vëmendje nga të pranishmit edhe bashkëpunim ndërdisiplinor dhe institucional, për të siguruar që trashëgimia kulturore shqiptare të ruhet, promovohet dhe të mbetet bartëse e identitetit kombëtar. Zanafilla e IAn-së është në vitin 1947, kohë kur themelohet Sektori i Etnografisë, si pjesë përbërëse e Institutit të Shkencave. Instituti i Antropologjisë ka si shtyllë kryesore veprimtarie kërkimin shkencor në lëmin e etnologjisë dhe folklorit. Në fokus të punës kërkimore të studiuesve të IAn-së janë dukuritë sociale dhe kulturore të shfaqura e të zhvilluara në shoqërinë shqiptare, të cilat analizohen, së paku, në dy dimensione: së pari, në rrafshin e dijeve albanologjike dhe, së dyti, si lëndë empirike për analiza teorike dhe përgjithësuese. Pjesë e Institutit të Antropologjisë janë edhe arkivat shkencorë me një lëndë të pasur etnografike dhe folklorike.

  • Java Kulturore Shqipëri-Kosovë, ekspozita, dokumentarë e koncerte deri më 5 dhjetor

    Java Kulturore Shqipëri-Kosovë, ekspozita, dokumentarë e koncerte deri më 5 dhjetor

    Java Kulturore Kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës ka nisur javën e kaluar në Tiranë, duke sjellë një sërë aktivitetesh artistike, historike dhe folklorike.

    Programi, që zgjat nga data 21 deri më 5 dhjetor, përfshin ekspozita, koncerte, diskutime dhe prezantime dokumentare që tregojnë trashëgiminë kulturore të dy vendeve.

    Këto aktivitete e shndërrojnë Shqipërinë në qendrën e artit, kulturës dhe traditës.

    Koncerte, ekspozita frymëzuese, dokumentarë, valle popullore dhe performanca që ndërthurin traditën me modernitetin vjen si një festë e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve tona.

    Java Kulturore Kombëtare do të gjallërojë jetën artistiko-kulturore në disa nga qytetet e vendit, me shfaqje teatrore, koncerte, ekspozita, forume, performanca dhe iniciativa që synojnë të nxjerrin në pah lidhjet e forta mes Shqipërisë dhe Kosovës.

    Me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Java Kulturore Kombëtare nisi me edicionin e parë të projektit Next Generation, më 21-22 nëntor në Bajram Curri në Tropojë, ku qyteti kthehet në një skenë të gjallë arti, krijimtarie dhe diplomacie kulturore.

    Next Generation synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për artistët dhe të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova. Programi dyditor solli forume, performanca, punëtori, ekspozita dhe aktivitete interaktive nga fusha e kinematografisë, muzikës, artit vizual, food design dhe trashëgimisë kulturore, me emra si Oda Haliti dhe Shpat Deda.

    Në Teatrin “Metropol” në Tiranë, në datat 21, 22 dhe 23, u dha shfaqja “Komisar Daltoniko në Teatër”, një vepër në nder të Naun Shundit, me tekst të Giuseppe Della Misericordia dhe interpretim të aktorit Bujar Asqeriu.

    Ndërsa në Qendrën “Sotir Kolea”, hapet ekspozita dokumentare “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”, e cila përmbledh materiale historike, artikuj, libra, kujtime, fotografi, artefakte dhe një dokumentar kronologjik, si dhe parashikon nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes bibliotekave kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës.

    Ndërkohë nga data 21–28 nëntor, në Kalanë e Gjirokastrës hapet ekspozita “Prezantimi i Restaurimit të Aseteve të Trashëgimisë Kulturore në Rajonin e Prizrenit dhe Gjilanit”, e cila shfaq ndërhyrjet dhe arritjet e Ministrisë së Kulturës së Kosovës në restaurimin e monumenteve të këtyre zonave.

    Paralelisht, më 22 nëntor, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbajt koncerti, “Zëri i Shpirtit Tim”, nën drejtimin e Sonila Babocit.

    Më 26 nëntor, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë shfaqet dokumentari “117” (1976), me regji të Besim Sahatçiut dhe fotografi të Afrim Spahiut, një vepër që paraqet jetën e një familjeje me 117 anëtarë në një kullë në Nivokaz. Po në këtë ditë do të festohet edhe 63-vjetori i Teatrit “Petro Marko”.

    Më 27 nëntor, në TKOBAP zhvillohet koncerti simfonik “Nëntori i dytë – Muzika e filmave shqiptar”, nën drejtimin e Gridi Krajës, me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së dhe Korin e TKOBAP.

    Nga 27 deri më 30 nëntor mbahet edicioni i dytë i Tirana Art Weekend, me pjesëmarrjen e artistëve dhe kolektiveve që vazhdojnë të formësojnë skenën e artit bashkëkohor shqiptar.

    Më 28 nëntor, teatri “Petro Marko” në Vlorë sjell shfaqjen “Shqipëri nëna ime”, në një program me këngë dhe valle popullore për nder të Festës së Pavarësisë. Po atë ditë, në sheshin “Tri Racat”, mbahet koncerti “Rinia në zemër të Vlorës”, me muzikë patriotike, valle tradicionale, polifoni, aktivitete rinore dhe konkurse artistike nga shkollat profesionale, ndërsa Teatri “Petro Marko” pret një performancë festive nga Cirku Kombëtar. Aktiviteti “Shqiptaria feston në Vlorë” është një tjetër aktivitet që do të zhvillohet më 28 nëntor tek sheshi para stadiumit.

    Më 30 nëntor do të zhvillohet koncerti festiv që bashkon Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, në një program të përzgjedhur me këngë dhe valle tradicionale. Paralelisht Khrais Tërshana prezanton edicionin e parë të Crit Club në Tiranë, një format performancë-debate i krijuar nga artisti Cem A.

    Më 1 dhjetor, në TKOBAP jepet shfaqja “Martesa” me regji të Norbert Rakowskit dhe me aktorët Armend Smajli, Shkëlzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buçaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi.

    Më 2 dhjetor, në Qendrën Kulturore të Korçës prezantohet fotodokumentari “Kosovarja” i artistit Afrim Hajrullahu, një cikël fotografish nga vitet ’90 që dokumenton rolin thelbësor të grave të Kosovës gjatë periudhës së dhunës dhe rezistencës, me foto të realizuara në Has, Pejë dhe Prishtinë.

    Më 4 dhjetor, në Akademinë e Shkencave, salla “Aleks Buda”, promovohet libri i Rafet Rudit.

    Java Kulturore Kombëtare mbyllet mbrëmjen e 5 dhjetorit, në hollin e TKOBAP, me koncertin e grupit vokal “Zanat”, me interpretimet e Elonë Sadikut (soprano), Elida Kryeziut (soprano), Diellza Sylejmanit (mexosoprano), Albana Piperkut (alto) dhe Arstina Kelmendit (alto), të shoqëruara nga Pranvera Hoxha në piano dhe Patris Berisha në perkusion.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    19 FILMA IKONË TË ISH-KINOSTUDIOS “SHQIPËRIA E RE” TË RESTAURUARA NË 4K (VIDEO)

  • Shkupi nuk mund të jetë kryeqytet evropian me manire ballkanike!

    Shkupi nuk mund të jetë kryeqytet evropian me manire ballkanike!

    Në prag të vitit 2028, Shkupi përballet me një zgjedhje historike: të mbetet peng i fasadave të vjetra që e kanë izoluar, apo të ecë drejt vlerave universale që mishëron Nënë Tereza solidaritet, humanizëm, bashkëjetesë dhe dinjitet i përbashkët. Kjo zgjedhje nuk është thjesht kulturore; ajo është historike, politike dhe morale, dhe përcakton fytyrën që Shkupi do t’i paraqesë Evropës për dekadat e ardhshme.

    Nga Prof.dr Skender Asani

    Shpallja e Shkupit si “Kryeqytet Evropian i Kulturës 2028” nuk është thjesht një titull simbolik që shërben për një vit festiv apo protokollar. Ajo përbën një barrë historike, një privilegj që kërkon përgjegjësi, përkushtim dhe një vizion të ndershëm për të paraqitur identitetin autentik të qytetit përpara Evropës. Shkupi nuk është një hapësirë e thjeshtë urbane; ai është një mozaik i gjallë i shtresave kulturore që fillojnë me lashtësinë ilire dhe vijojnë përmes periudhave të krishterizmit mesjetar, katolik dhe ortodoks, trashëgimisë osmane (muslimane) dhe të komuniteteve shqiptare, maqedonase, hebraike dhe rome. Kjo shumësi, ky mozaik historik, është esenca e karakterit të tij evropian dhe çdo përpjekje për ta reduktuar atë në një vizion njëdimensional ose në skema të vjetruara do të ishte mohim i vetë historisë dhe identitetit qytetar.

    Takimi i javës së kaluar në Bruksel, ku Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, z. Timço Mucunki, Ministri i Kulturës, z. Zoran Ljutkov dhe Kryetari i Qytetit të Shkupit, z. Orce Gjorgjievski raportuan para Komisionerit Evropian për Drejtësi Ndërbreza, Rini, Kulturë dhe Sport, z. Glenn Mikalef mbi projektin “Shkupi Kryeqytet Evropian i Kulturës 2028”, u zhvillua pa asnjë përfaqësues shqiptar në ekipin vendimmarrës. Ky boshllëk nuk është një detaj teknik apo formal; ai sinjalizon një rrezik të drejtpërdrejtë për integritetin e projektit, besueshmërinë ndërkombëtare dhe historinë e qytetit. Kur komunitetet që e kanë ruajtur dhe mishëruar këtë trashëgimi që nga themelimi i qytetit përjashtohen nga vendimmarrja, vizioni fragmentohet, deformohet dhe reduktohet në një narrativ selektiv. Përjashtimi i përfaqësimit të plotë etnik dhe kulturor kërcënon realizimin e një vizioni evropian të integruar dhe rrezikon të shndërrojë një mundësi historike të jashtëzakonshme në precedent problematik. Çdo heshtje, vonesë apo përjashtim i qëllimshëm ka pasoja të drejtpërdrejta për të ardhmen e qytetit dhe koha për veprim është tani, për të garantuar një vizion të drejtë, të plotë dhe të besueshëm, që pasqyron të gjithë pasurinë kulturore dhe historike të Shkupit.

    Çdo tentativë për të zhvilluar projektin pa përfaqësim të barabartë të të gjitha komuniteteve, veçanërisht të shqiptarëve, zbeh legjitimitetin e tij në vetë themelet. Përfshirja e tyre nuk mund të jetë simbolike, ceremoniale apo e shtyrë për më vonë; ajo duhet të jetë e menjëhershme, e pakushtëzuar dhe reale. Delegacionet që nuk pasqyrojnë strukturën sociokulturore të qytetit nuk mund të artikulojnë zërin autentik të tij. Barazia në përfaqësim nuk është vetëm kërkesë politike; ajo është standard moral, kriter profesional dhe kusht për besueshmëri ndërkombëtare. Për të ndërtuar një narrativ të denjë, vizioni kulturor duhet të rishkruhet në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë të gjitha shtresat historike dhe komunitetet që e kanë ndërtuar Shkupin: kultura ilire, trashëgimia osmane, kultura shqiptare, kultura maqedonase, rrënjët hebraike dhe komunitetet rome. Çdo përpjekje për të shtrembëruar apo minimizuar këto shtylla e shndërron projektin në një  konstrukt të fabrikuar politik që nuk mund të qëndrojë përballë standardeve të Bashkimit Evropian.

    Figura e Nënë Terezës nuk mund të trajtohet si simbol protokollar apo imazh marketingu festiv; ajo është boshti moral i qytetit, një pikë referimi e pazëvendësueshme për çdo vizion që synon Evropën. Humanizmi dhe mesazhi universal që ajo mishëron duhet të jetë shtylla etike e çdo narrativë, dhe çdo narrativë që e shmang këtë bosht humb një nga elementët themelorë që e bëjnë Shkupin të denjë për prezantim ndërkombëtar.

    Për të realizuar një projekt të besueshëm, Shkupi kërkon dialog ndërkomunitar të mirëfilltë, të vazhdueshëm dhe të strukturuar, duke mos u kufizuar vetëm në fjalime. Nevojiten politika konkrete, mekanizma bashkëpunimi, procese vendimmarrjeje të përbashkëta dhe programe kulturore që pasqyrojnë realitetin diversitar të qytetit. Secili komunitet duhet të ketë hapësirën për të artikuluar veten dhe për të kontribuar në formësimin e narrativës së përbashkët. Ky proces duhet të shkëputet qartë nga praktikat e projektit 2014, të cilat deformuan identitetin e Shkupit përmes projekteve etnocentrike që nuk reflektonin realitetin e qytetit. Rikthimi i kësaj fryme do të ishte gabim i rëndë kulturor dhe politik, duke diskredituar projektin përpara institucioneve dhe partnerëve evropianë. Shkupi nuk duhet të ndjekë rrugën e imazheve artificiale dhe përjashtuese, por të ndërtojë një model bashkëjetese moderne, transparence dhe integriteti historik.

    Në prag të vitit 2028, qyteti përballet me një zgjedhje historike: të mbetet peng i fasadave të vjetra që e kanë izoluar, apo të ecë drejt vlerave universale që mishëron Nënë Tereza solidaritet, humanizëm, bashkëjetesë dhe dinjitet i përbashkët. Kjo zgjedhje nuk është thjesht kulturore; ajo është historike, politike dhe morale, dhe përcakton fytyrën që Shkupi do t’i paraqesë Evropës për dekadat e ardhshme. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij procesi, rekomandohet fuqimisht që institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë të mbështesin një rikonfigurim të menjëhershëm të projektit, që siguron përfaqësim të barabartë të të gjitha komuniteteve, nxit hartimin e një vizioni kulturor gjithëpërfshirës dhe autentik, vendos Nënë Terezën si bosht moral të narrativës së qytetit dhe garanton transparencë të plotë në të gjitha fazat e procesit. Vetëm kështu Shkupi mund të prezantohet denjësisht para Evropës si qytet i së vërtetës, harmonisë dhe trashëgimisë së shumëfishtë, duke merituar plotësisht titullin e Kryeqytetit Evropian të Kulturës për vitin 2028. Fundja, Shkupi nuk mund të jetë kryeqytet evropian me manire ballkanike.

    Shkup, 24 nëntor 2025

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    PROPOZIMI I SAMI FRASHËRIT: KRYEQYTETI I SHQIPËRISË TË BËHET BELSHI I ELBASANIT