Tag: kulturën

  • Shuhet Dhimitër Anagnosti, ministri i Kulturës: La pas një trashëgimi të vyer për kulturën kombëtare

    Shuhet Dhimitër Anagnosti, ministri i Kulturës: La pas një trashëgimi të vyer për kulturën kombëtare

    Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të regjisorit të shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti.

    Ai thekson se Anagnosti la pas një trashëgimi të vyer për kulturën kombëtare.
    “I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, “Nderi i Kombit” Dhimitër Anagnosti!
    Një jetë e tërë e përkushtuar artit, ku në karrierën e tij mbi 40-vjeçare ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer për kulturën kombëtare. Mes tyre spikasin filma që kanë hyrë në kujtesën kolektive si “Lulëkuqet mbi mure”, “Komisari i dritës”, “Plagë të vjetra”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “Nëntori i dytë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Duel i Heshtur”, “Në shtëpinë tonë” e të tjera vepra që i dhanë kinemasë shqiptare identitet dhe madhështi.
    Lamtumirë Mjeshtër! “, shkruan Gonxhe.

    Top Channel

  • Kalaja e Bashtovës rihap dyert për vizitorët, Rama: Ka rilindur si një hapësirë moderne për kulturën e turizmin

    Kalaja e Bashtovës rihap dyert për vizitorët, Rama: Ka rilindur si një hapësirë moderne për kulturën e turizmin

    Kalaja e Bashtovës është rikthyer sërish në vëmendjen e vizitorëve, pasi ajo ka rihapur dyert nga restaurimet e bëra.
    Kreu i qeverisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale, ka ndarë pamje nga ky monument kulturor i rëndësishëm, ku shfaqen vizitorët apo evente të ndryshme të ndodhura aty. Krahas fotove, Rama shkruan se kjo kala është kthyer tashmë në një hapësirë moderne për kulturën, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.
    “Kalaja e Bashtovës, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë sonë historike, ka rilindur duke hapur dyet për vizitorët, tashmë si një hapësirë moderne për kulturën, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit”, shkruan Rama.

    Restaurimi i Kalasë së Bashtovës është pjesë e programit të BE-së për kulturën, i cili ka për qëllim rijetëzimin e 21 siteve historike në të gjithë Shqipërinë, duke i kthyer në burime zhvillimi ekonomik dhe social.
    Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Bashkimit Europian, UNOPS-it dhe institucioneve shqiptare, Kalaja e Bashtovës jo vetëm që është shpëtuar nga degradimi, por është transformuar në një qendër të re kulturore dhe turistike për rajonin.

  • U hap edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë

    U hap edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë

    Në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, më 18 gusht 2025, u hap solemnisht edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, një nga ngjarjet më të rëndësishme akademike në fushën e albanologjisë. Ky seminar, që do të zhvillojë punimet deri më 29 gusht në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, pritet të mbledhë rreth 200 studiues vendorë dhe ndërkombëtarë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të botës.

    Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete të larta të jetës akademike e politike në Kosovë, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Kurti theksoi rëndësinë themelore të gjuhës shqipe për identitetin kombëtar shqiptar, duke e quajtur atë një “organizm i gjallë që ruan kujtesën dhe subjektivitetin njerëzor”.

    Duke folur për traditën e gjatë të seminarit, Kurti tha se në kalendarin e jetës kulturore të Kosovës, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën është ngjarja më jetëgjatë, jo rastësisht.

    Kurti theksoi se entuziazmi për gjuhën, artin dhe kulturën shqiptare duhet të rritet, duke shprehur përkushtimin e tij për të mbështetur të gjitha institucionet që kanë në mision ruajtjen dhe promovimin e tyre.

    “Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i subjektivitetit, i kujtesës dhe imagjinatës dhe i kulturës, pra është komunikim qenësor. Në kushtet e zhvillimit të shpejt të Inteligjencës Artificiale gjuha është themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës dhe imagjinatës njerëzore e natyrore…Sido që të jetë pasuria jonë shoqërore dhe shtetërore entuziazmi ynë për gjuhën shqipe në kulturën, artin dhe shkencat tona duhet vetëm të rritet e si kryeministër shpreh gatitshmërinë time të mbështetjes së institucioneve që janë drejtpërdrejtë të lidhura me këtë qëllim fisnik e detyrë historike”, theksoi Kurti.

    Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, potencoi rëndësinë e seminarit si platformë për shkëmbim të dijes dhe për afirmimin e trashëgimisë shqiptare.

    “Është gjuha ajo çka na bashkon. Në vitet e ’90-ta e dimë që gjuha shqipe në Kosovë ishte e ndaluar. Ne si universitet jemi krenarë që jemi nikoqirë të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. 200 studiues pritet të marrin pjesë në këtë seminar. Kur e shohim seminarin, e shohim se ka pasur prurje të reja shkencore”, tha ai.

    Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, uroi fillim të mbarë për këtë edicion të seminarit, duke theksuar se Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është ngjarja kulturore më jetëgjatë në të gjitha trojet shqiptare.

    “Ngjarja kryesore dhe kulturore me jetëgjatësinë më të madhe jo vetëm në Kosovë, por në mbarë hapësirën shqiptare. Ka këtu akoma dëshmitarë siç jam unë dhe të tjerë si unë të atij fillimi të lartë të vitit 1974 kur Qendra e Studimeve për të huaj e mori emrin e seminarit, emër që e ka edhe sot…ne jemi të vetëdijshëm që edhe në punë të organizimit të seminarit, të mësimdhënies, dhe ligjërimit do të jetë e nevojshme të bëhen ndryshime strukturore siç do të jetë e nevojshme që dijet albanologjike përfshirë studimet gjuhësore dhe letrare të braktisin pozitivizmin dhe të zhvillojnë mendimin kritik, por në anën tjetër kam besim se edhe kësaj radhe si çdo herë tjetër deri tani do të merrni me vete përshtypjet më të mira për mikpritjen dhe miqësinë“, shtoi ai.

    Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se ky seminar nuk është vetëm një aktivitet akademik, por një platformë e rëndësishme ku mësohet gjuha shqipe, e cila konsiderohet si një nga gjuhët më të vjetra në Evropë.

    “Një traditë e vyer akademike e cila prej viti 1974 e ka shndërruar Prishtinën në një qendër ndërkombëtare për ekspertizën dhe bashkëpunimin shkencor në fushën e albanologjisë. Historia e këtij seminari është në vetvete një rrëfim mbi qëndrueshëmërinë e dijes përballë sfidave. Në vitet e izolimit të Shqipërisë ky seminar në Prishtinë ishte dritarja nga e cila studiues të huaj mund të njiheshin nga afër me gjuhën dhe kulturën tonë“, u shpreh ambasadori Malaj.

    Në përmbyllje të punimeve të seminarit, më 29 gusht, do të mbahet një sesion shkencor me temat bosht: zhvillime aktuale lidhur me leksikun e shqipes, shqipja në rrjetet sociale dhe postmodernizmi në letërsinë shqipe.

    Programi i Seminarit përfshin gjithashtu kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe në tri nivele, ligjërata të specializuara për gjuhësinë dhe letërsinë, referime shkencore nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe një program kulturor për pjesëmarrësit – që përfshin vizita në vende historike dhe aktivitete kulturore që lidhen me trashëgiminë shqiptare.

    Ceremonia e hapjes së Seminarit të 43-të u mbyll me dy pika muzikore në piano nga profesoresha e Fakultetit të Arteve, dega e Artit Muzikor, Lule Elezi, dhe punimet i shpalli të hapura drejtoresha e Seminarit të 43-të, prof. Lindita Sejdiu./KultPlus.com

  • TEORITË RRETH ORIGJINËS ILIRE

    TEORITË RRETH ORIGJINËS ILIRE

    Problemi i prejardhjes dhe i rrugës së formimit të trungut etnik ilir me veçoritë e tij gjuhësore e kulturore, ka përbërë një nga synimet më kryesore të ilirologjisë. Rreth tij janë shfaqur pikëpamje të ndryshme, të cilat ndriçojnë në mënyrë të mjaftueshme gjithë këtë proces të ndërlikuar etnogjenetik. Kërkimet komplekse arkeologjike, gjuhësore dhe historike të kohëve të fundit e kanë vendosur atë mbi një bazë më të shëndoshë dhe e kanë futur në një rrugë më të drejtë zgjidhjeje.Sado të ndryshme që mund të paraqiten nga forma teoritë mbi prejardhjen e ilirëve, në përmbajtje ato shprehin vetëm dy pikëpamje, njëra nga të cilat i quan ilirët si të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ndërsa tjetra si popullsi autoktone të formuar në truallin historik të Ilirisë.Midis teorive që i quajnë ilirët të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ka mospërputhje si përsa i takon vendit nga vijnë, ashtu edhe kohës së ardhjes së tyre. Disa e lidhin përhapjen e tyre me kulturën e Halshtatit, të tjerë me kulturën e Fushave me Urna, apo me kulturën Luzhice. Sipas tyre, në kapërcyell të mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë ilirët morën pjesë në lëvizjet e popujve që njihen me emrin dyndja dorike, egjeane apo panono-ballkanike dhe duke zbritur nga Evropa Qendrore, në fillim të epokës së hekurit, u ngulën në Gadishullin Ballkanik në trojet e tyre historike.Pikëpamje më e re është ajo që e konsideron kulturën ilire si një dukuri të formuar historikisht në vetë truallin ilir në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë të saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit.Kjo tezë e zhvillimit të pandërprerë të kulturës, që jep mundësi të flitet edhe për një zhvillim të pandërprerë etnik, gjen prova të shumta në territorin historik të ilirëve, sidomos me zbulimet e bëra në truallin e Shqipërisë në vendbanimin e Maliqit dhe në varrezat tumulare të Pazhokut, të Vajzës, të Matit etj., kurse jashtë vendit tonë në varrezat tumulare të pllajës së Glasinacit (Bosnjë) e gjetkë. Përballë këtyre zbulimeve bëhet fare e paqëndrueshme teza që e lidh etnogjenezën e ilirëve me kulturën e Halshtatit apo me bartësit e kulturës së fushave me urna. Trualli i kësaj kulture të fundit nuk mund të lidhet kurrsesi etnikisht me ilirët. Duke krahasuar truallin e kulturës së fushave me urna me atë të kulturës së mirëfilltë ilire Mat-Glasinac në rajonin qendror të Ilirisë, vihen re ndryshime thelbësore si në kulturën materiale në qeramikë, në objektet metalike etj., ashtu edhe në atë shpirtërore, që ka një rëndësi të veçantë në përcaktimin etnik të një popullsie. Trualli i Panonisë ndjek mënyrën e varrimit me djegie duke vendosur mbeturinat e saj në vazo të veçanta (urna), ndërsa ai i Matit dhe i Glasinacit, varrimin në tuma e kryesisht me vendosje kufome. Këto ndryshime në kulturë i veçojnë panonët edhe si një grup etnik më vete që dallohet nga ai i ilirëve. Përveç kësaj të dhënat arkeologjike kanë treguar se dyndjet panono-ballkanike, dorike a egjeane nuk e përfshinë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe si pasojë nuk shpunë në ndryshime dhe zhvendosje të theksuara të ilirëve. Kjo shihet qartë sidomos në territorin e vendit tonë, ku materialet arkeologjike të kësaj kohe, flasin jo për ndërprerje në zhvillimin autokton të kulturës, por për një vazhdimësi të saj që nga epoka e hershme e bronzit, pavarësisht se disa shfaqje të reja në prodhimin metalurgjik, të shek. XI-IX p.e.sonë, mund të lidhen me ndikimet kulturore të ardhura përmes dyndjeve nga veriu. Ky zhvillim i pandërprerë kulturor në vendin tonë shfaqet akoma më mirë në qeramikë, e cila është një tregues i rëndësishëm në përcaktimin etnik dhe kulturor të bartësve të saj. Qeramika e kësaj kohe zhvillohet në tërë truallin ilir mbi bazën e poçerisë më të hershme të epokës së bronzit, pa pasur ndonjë ndryshim në kohën e kalimit nga epoka e bronzit në atë të hekurit, dhe duke e ruajtur këtë traditë autoktone të paktën deri në shek. VI p.e.sonë, kur historikisht dihet se këto krahina banoheshin nga bashkësi të qëndrueshme fisnore ilire.Të gjitha këto të dhëna arkeologjike të grumbulluara në pesëdhjetë vjetët e fundit, në territorin e Shqipërisë së bashku tregojnë se etnogjeneza ilire nuk duhet parë kurrsesi në lidhje me ardhjen e një popullsie nga veriu i Ballkanit, por si një proces historik shumë i gjatë dhe i ndërlikuar autokton. Ky proces fillon shumë kohë përpara këtyre dyndjeve (dorike, egjeane a panono-ballkanike) dhe konkretisht me dyndjen e madhe të periudhës kalimtare nga neoliti në epokën e bronzit, që përfshin treva të gjera të Evropës dhe të Azisë, duke sjellë me vete ndryshime të dukshme etnike në Evropën neolitike.Kjo dyndje e cilësuar indo-evropiane, që ndodhi në kapërcyell të mijëvjeçarit të tretë, u krye nga grupe të ndryshme popullsish baritore të ardhura nga stepat e Lindjes. Është provuar arkeologjikisht se ajo nuk u bë menjëherë, por valë-valë dhe se krahinat perëndimore të Ballkanit, midis tyre dhe territori i Shqipërisë u prekën prej saj më vonë se sa ato lindore.Gjatë kësaj dyndjeje grupe të ndryshme kulturore të Evropës u zhdukën pa lënë gjurmë, të tjera u përzien me popullsitë migratore, të cilat u imponuan me këtë rast vendasve gjuhën, kulturën, në një farë mase edhe zakonet e veta. Kështu ndodhi, p.sh. me kulturat neolitike të Vinçes, të Butmirit, të Lisiçi-Hvarit në territorin e Jugosllavisë, të cilat qenë zëvendësuar me kulturat e reja Kostalace, Vuçedole etj.; e njëjta gjë ndodhi edhe me kulturën neolitike të Maliqit, e cila qe zëvendësuar nga një kulturë më e ulët e karakterizuar me qeramikën e saj trashanike, që i atribuohet pikërisht kësaj dyndjeje.Në procesin e shtjellimit të këtyre ngjarjeve dhe të përzierjeve etnike dhe kulturore të popullsive neolitike vendase, paraindoevropiane ose sipas disa studiuesve, indoevropiane të hershme, me ardhësit e rinj indoevropianë të stepave u formua edhe baza mbi të cilën nisën të zhvillohen në kushte të veçanta edhe proceset etnogjenetike të popullsive të vjetra historike të Ballkanit Perëndimor, rrjedhimisht dhe procesi i formimit historik të trungut etnik ilir me tipare të përbashkëta kulturore, të dallueshme prej bashkësive të tjera fqinje jo ilire. Në këtë proces, i cili u zhvillua gjatë gjithë mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë, diferencimi dhe asimilimi i popullsive, ashtu sikurse dhe lidhjet ekonomike e kulturore, luajtën një rol të rëndësishëm. Në qoftë se në periudhën e hershme të epokës së bronzit, kultura e krahinave ballkano-perëndimore, ishte shumë larg për t’i dhënë asaj karakter të përcaktuar ilir, të dallueshëm prej atyre të territoreve të tjera, ky diferencim i tipareve kulturore vjen e bëhet gjithnjë më i theksuar në periudhën e mesme e sidomos në atë të fundit të epokës së bronzit. Në rrugën e këtij zhvillimi të brendshëm krahinat jugore të kësaj treve ishin të kthyera më tepër me fytyrë drejt jugut, nga bota e përparuar e Egjeut, me të cilën qenë në marrëdhënie të ngushta ekonomike e kulturore. Veriu, përkundrazi, shfaq prirje drejt Evropës Qendrore, por me lidhje më të dobëta me të. Këto lidhje ndikuan sadopak në formimin dhe në diferencimin në fund të bronzit e në fillim të hekurit të dy grupeve të mëdha kulturore ilire, atij jugor dhe verior.Kështu duke zënë fill në kapërcyell të epokës së bronzit, procesi i formimit të etnosit ilir përshkon në mijëvjeçarin e dytë rrugën e gjatë të diferencimit nga masa e pasigurt etnike që u formua pas shkatërrimit të botës neolitike dhe përfundon nga fundi i këtij mijëvjeçari. Si e tillë, kjo epokë krijon në pjesën perëndimore të Ballkanit atë substrat etno-kulturor, mbi bazën e të cilit formohet më vonë etnosi dhe kultura ilire. Bartësit e këtij substrati mund të identifikohen me atë popullsi parailire, që në burimet historike njihet si pellazge.Pavarësisht nga kjo hipotezë për parailirët, thelbësor është fakti se në fund të epokës së bronzit, në pjesën perëndimore të Ballkanit ishte formuar një bashkësi e gjerë kulturore dhe etnike, e cila në epokën e hekurit në bazë të zhvillimit të brendshëm ekonomiko-shoqëror, do të vazhdonte të zhvillonte më tej kulturën e vet duke i dhënë asaj një fytyrë gjithnjë më të përcaktuar etnike. Kjo është dhe periudha e formimit të plotë të bashkësisë së madhe ilire dhe të grupeve të veçanta etnokulturore, ashtu siç përmenden tek autorët më të hershëm antikë.

  • Kronikë nga pjesa veriore e Pelagonisë: A KEMI TË BËJMË ME “KULTURËN MEGALITE” EDHE NË KËTË ANË?!

    Kronikë nga pjesa veriore e Pelagonisë: A KEMI TË BËJMË ME “KULTURËN MEGALITE” EDHE NË KËTË ANË?!

    Mustafa Ibrahimi

    Kronikë nga pjesa veriore e Pelagonisë (2)

    A KEMI TË BËJMË ME “KULTURËN MEGALITE” EDHE NË KËTË ANË?!

    Cërnilishtë (Dollnen), Prilep: 03.01.2023

    Në fshatin Cërnilishtë, 25 km larg Prilepit, gjenden disa struktura gurësh të larta të papërpunuara dhe disa struktura të bëra me gurë të vegjël. Ky lokalitet gjendet në pjesën lindore, ngjitur me varret e fshatit. Ka shumë të ngjarë që kemi të bëjmë me Kulturën megalite, sepse siç shihet në fotot, gurët me strukturat e tyre interesante, me lartësi edhe në 2 e më shumë metra, na bëjnë me dije se kemi të bëjmë me gurë megalite. Këto gurë janë shumë të ngjashme me strukturën megalitike për shembull me kompleksin me më shumë se 3000 gurë në Carnac (Brittany), Francë. Atje megalitet janë deri në katër metra të larta dhe janë të rregulluar në rrugica të holla, rreshtat ecin paralelisht me njëri -tjetrin ose nxirren jashtë, në disa vende ato formojnë rrathë. Kompleksi daton në mijëvjeçarin V – IV para Krishtit. (shihni foton e fundit).

    Përndryshe “Megalitet” (nga greqishtja – guri i madh) janë struktura të blloqeve të mëdha prej guri, karakteristike për neolitin e vonë. Në të gjithë botën, ju mund të shihni gurë të jashtëzakonshëm që kanë qenë në Tokë për mijëra vjet, të njohura si megalite, që janë më misteriozet në botë. Ato u instaluan shumë kohë para se njerëzit të fillonin të bënin të paktën disa regjistrime historike, dhe për këtë arsye kush i ndërtoi ato dhe pse mbetet e panjohur. Besohet se disa u përdorën si vende varrimi, të tjerë për shikimin e yjeve.

    Të gjitha megalitet mund të ndahen në dy kategori… E para përfshin strukturat arkitekturore më të lashta të shoqërive parahistorike (të parafytyruara): menhirs, cromlechs, dolmens, tempuj të ishullit të Maltës,). Për ta, gurët ose nuk u përpunuan fare, ose me përpunim minimal. Kulturat që lanë këto monumente quhen megalitike. Kultura megalitike gjithashtu përfshin labirinte (struktura të bëra me gurë të vegjël), dhe gurë individualë me petroglifë (gjurmues). Gjithashtu, arkitektura megalitike konsiderohet të jetë struktura e shoqërive më të përparuara (varret e perandorëve japonezë dhe dolmenët e fisnikërisë koreane).

    Kategoria e dytë përfaqësohet nga ndërtesa me arkitekturë më të përparuar. Këto janë kryesisht struktura prej gurësh shumë të mëdhenj, të cilëve u jepet një formë e saktë gjeometrike. Një arkitekturë e tillë megalitike është karakteristike për shtetet e hershme, por është ndërtuar në kohët e mëvonshme. Këto janë monumentet e Mesdheut – piramidat egjiptiane, strukturat e qytetërimit mikenas, Mali i Tempullit në Jeruzalem etj.

    Për gurët megalite që gjenden në fshatin Cërnilishtë të Prilepit, deri më tani nuk është bërë ndonjë studim. Vetëm para disa vitesh ishin rreth njëqind gurë të tillë, tani kanë ngelur me dhjetra, sepse disa u shkatërruan me rastin e zgjerimit të varreve të fshatit. Ndoshta një studim më të thellë, do të jepte përgjigje të saktë se a kemi të bëjmë për kulturën megalite edhe në këtë anë të Pelagonisë, dhe mbrojtje eventuale nga shteti, duke i shpallur si trashëgimi kulturore!

  • Zhvillimet lidhur me leksikun e shqipes dhe postmodernizmi në letërsi, në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën

    Zhvillimet lidhur me leksikun e shqipes dhe postmodernizmi në letërsi, në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën

    Nga Julia Vrapi
    Zhvillimet aktuale lidhur me leksikun e shqipes apo dhe postmodernizmi në letërsinë shqipe janë ndër temat e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare , që këtë vit shënon edicionin e 43-të të tij. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (SNGJLKSH) do të mbajë edicionin e 43-të nga data 18 deri më 29 gusht këtë vit në  Prishtinë. Seminari do të zhvillohet nën organizimin e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i njohur në fillim si Seminari i Kulturës Shqiptare për të Huaj, është një takim i përvitshëm dhe i rëndësishëm shkencor e profesional nga fusha e shkencave albanologjike, i cili tradicionalisht organizohet në Prishtinë.
    Drejtoreshë e seminarit këtë edicion  është prof. dr. Lindita Sejdiu – Rugova, bashkëdrejtor prof. dr. Shezai Rrokaj, sekretar prof. asoc. dr. Muhamed Çitaku, bashkësekretare prof. dr. Laura Smaqi. Në faqen e Universitetit të Prishtinës thuhet se Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do t’i zhvillojë punimet në datat 18-29 gusht 2025, në Prishtinë, ku hapja e tij bëhet ditën e parë në orën 11:00. “Temat bosht për sesionet shkencore janë: Zhvillime aktuale lidhur me leksikun e shqipes, shqipja në rrjetet sociale, postmodernizmi në letërsinë shqipe”, thuhet në njoftim.
    Programi bazë i seminarit këtë vit
    Programi bazë i Seminarit 43 përfshin kurse intensive të mësimit të shqipes (tri shkallë); ligjërata të veçanta të gjuhësisë; ligjërata për letërsinë shqiptare; referime shkencore; ligjërata të përgjithshme; program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në ambiente shqiptare; sesionin shkencor në ditët e fundit të tij. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studente/ë e studiues/e që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet serbe.
    Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari vepron sërish në Prishtinë. SNGJLKSH nis edicionin e 43-të të tij pas disa ditësh, ndërsa edhe këtë vit po pritet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme akademike në fushën e albanologjisë, që bashkon studiues, gjuhëtarë, letrarë, pedagogë dhe studentë nga mbarë bota. Materialet botohen rregullisht në vëllime të veçanta.

  • A e shkatërron puna nga shtëpia kulturën e një kompanie?

    A e shkatërron puna nga shtëpia kulturën e një kompanie?

    Analiza sugjeron se kjo varet nga lloji i kulturës që drejtuesit duan të ndërtojnë “Nuk ka të bëjë vetëm me treguesit e produktivitetit”, – tha së fundmi për punonjësit drejtuesi ekzekutiv i Uber, Dara Khosrowshahi, pasi kompania e transportit kërkoi që të gjithë të kthehen në zyrë të paktën tri ditë në javë.“Ka të bëjë me ndërtimin e kulturës, që do të çojë Uber në fazën tjetër të rritjes…

  • Kuriozitet: Ky vend ndaloi selfiet për të ruajtur traditat dhe kulturën

    Kuriozitet: Ky vend ndaloi selfiet për të ruajtur traditat dhe kulturën

    Në kombin më të madh të Afrikës, banorët e pesë qyteteve të lashta po bëjnë përpjekje të mëdha për të mbrojtur mënyrën e tyre tradicionale të jetesës. Ata po mundohen të ruajnë me çdo kusht kulturën vendase nga ndikimet e huaja që mund të sjellin turistët, duke iu ndaluar atyre madje edhe selfiet.

    E shtrirë midis Marokut dhe Tunizisë dhe përballë Evropës, Algjeria është kombi më i madh i Afrikës dhe i 10-ti më i madh në botë. Peizazhet e larmishme të vargmaleve të larta malore, shkretëtirave dhe rrënojave të lashta romake e bëjnë këtë vend mbresëlënës. Rreth katër e pesta e vendit mbulohet nga shkretëtira e Saharasë dhe duna të tëra rëre.

    Pak algjerianë jetojnë në një terren të tillë armiqësor, pasi pjesa më e madhe e popullsisë është e vendosur në pesë qytete të fortifikuara, të ngritura në skajet e Saharasë. Të njohura si Pentapolis, këto qytete u ndërtuan përgjatë Wadi M’zab, një shtrat lumi pjesërisht i thatë. Që në shekullin e VIII, mozabitët – një popull gjysmënomad – arritën të përshtateshin në një terren shumë të vështirë, duke i dhënë jetë një pjese të shkretëtirës. Kjo është arsyeja pse njerëzit e vlerësojnë kulturën e tyre.

    Jeta nuk ka ndryshuar që nga shekulli XI

    Përveç energjisë elektrike që erdhi në fund të viteve 1950, jeta e përditshme në qendrat historike ka ndryshuar pak që nga themelimi i qyteteve dhe kjo është zgjedhje e vet banorëve. Gratë ashtu si dikur kalojnë pjesën më të madhe të kohës në shtëpi brenda oborreve me mure të larta, ndaj të huajt duhet të vijnë gjithmonë pas namazit të pasdites, kur gratë nuk dalin më jashtë.

    Tregtia lejohet brenda sheshit qendror të qytetit, por reklamat moderne janë të ndaluara në mënyrë që qyteti të ruajë pamjen e tij origjinale të shekullit të 11-të. Shumë banorë ende zgjedhin veshjet tradicionale. Ndër të tjera, diçka që ka mbetur e pandryshuar, edhe për shkak të rrethanave, është ndëshkimi i çdokujt që merr më shumë sasi uji nga pjesa që i takon.

    Vizitorët duhet të zbatojnë rregulla strikte

    Sipas një rregulloreje të përgjithshme, të gjithë vizitorët, përfshirë algjerianët, mund të hyjnë në pesë qytetet e fortifikuara vetëm të shoqëruar nga një udhërrëfyes vendas. Duhani ka qenë prej kohësh i ndaluar në qendrat historike për arsye fetare. Gjithashtu, në vende të tilla konsiderohen të ndaluara, edhe selfie-t, veshjet e pahijshme dhe përdorimi i celularëve.

    “Ne jemi njerëz shumë miqësorë dhe vizitorët janë shumë të mirëpritur, por ne kërkojmë me mirësi që ata të respektojnë mënyrën tonë të jetesës. Në fund të fundit, këtu është shtëpia jonë, jo një postim në Instagram. Ne nuk duam që M’Zab të kthehet në një lloj Disneyland të Saharasë”, pohojnë vendasit.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    LEGJENDA E DHIMBSHME E DAVID LANG/ ISHTE DUKE ECUR NË ARË PAPRITMAS “E PËRPIU TOKA”

  • Azem Shkreli: Për kulturën e një populli, koha më e ligë është koha e mediokërve…

    Azem Shkreli: Për kulturën e një populli, koha më e ligë është koha e mediokërve…

    Një ndër shkrimtarët më përfaqësues të letërsisë shqipe, pa dyshim është Azem Shkrelí.

    Ai shquhet për stilin e tij të veçantë të shkrimit, që la shenja të pashlyeshme në historinë e letërsisë sonë.

    Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai e konsolidoi emrin e tij nga njëra vepër poetike në tjetrën.Cilësohet si poet i mendimit, fanatik i latimit të vargut, i muzikalitetit tekstor, i ironisë së kthyer shpesh në sarkazmë.Shkreli brenda poezive por edhe shkrimeve eseistike ka edhe fraza që përdoren tashmë si thënie proverbiale.

    ObserverKult ua sjell disa prej tyre:

    “Për kulturën e një populli, e jo vetëm për kulturën, koha më e ligë është koha e mediokërve.”

    “Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.”

    “N’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë, jo në sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.”

    “Liria thinjët bukur, nuk plaket!”

    “Ruaju, moj se vashat më të bukura i vret bukuria e vet!”.

    Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.

    Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

    Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997).

    Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

    Azem Shkreli vdiq në pranverën e vitit 1997.

    E përgatiti: A. S.- ObserverKult

    Lexo edhe:

    ME NJË PLAGË NË SYRIN E DJATHTË, HISTORIA E PORTRETIT TË VETËM ORIGJINAL TË SKËNDERBEUT (FOTO)

  • Arti shqiptar në zi, shuhet Piro Milkani

    Arti shqiptar në zi, shuhet Piro Milkani

    Është ndarë nga jeta mbrëmjen e sotme regjisori i mirënjohur Piro Milkani!
    Lajmin për ndarjen nga jeta në moshën 86-vjeçare të tij e ka bërë me dije i biri Eno, në një njoftim në rrjetet sociale, me një dedikim të ndjerë.
    “Iku babai, shoku dhe kolegu im”, shkruan ai.

    Piro Milkani ishte një figurë emblematike që la gjurmë të pashlyeshme në artin dhe kulturën tonë kombëtare.
    I lindur më 5 janar 1939 në Drenovë, Korçë, Milkani ishte një nga kineastët e parë të kinematografisë shqiptare, duke realizuar filma që mbetën në kujtesën dhe zemrat tona.
    Veprat e tij si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti” u bënë pjesë e identitetit tonë kulturor dhe janë dëshmi e talentit dhe përkushtimit të tij ndaj artit.
    Përveç kontributit të tij si regjisor, Milkani ishte edhe një edukator i përkushtuar, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të kineastëve shqiptarë.
    Humbja e tij është një plagë e madhe për kulturën shqiptare.