Çarja e argjinaturës ne Lagunën e Vainit, që shkaktoi përmbytje në njësitë administrative Shënkoll, Zejmen dhe Kolsh, ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të kanalit natyror që lidh detin me lagunën.
Sipas ekspertit të mjedisit dhe pyjeve, Zef Imeraj, bllokimi i këtij kanali rriti presionin e ujërave lagunore, duke çuar në dëmtimin e argjinaturës.
“Laguna e Kote Vainit dhe e Vajnit ka natyralisht dhe të organizuar sistemin e komunikimit me detin me një kanal prej 1 metër e gjysmë natyror dhe të gjerë 20-30 metër. Nëse nuk funksionon ky kanal natyror dhe i mirëmbajtur, gjithmonë është agresuar.
Do të tërheqim vëmendjen e gjithë specialistëve se ujërat lagunorë nuk kanë presion. Presioni erdhi nga Drini. Mosbllokimi i komunikimit të lagunës me Drinin bëri ë mundur që të rritet presioni mbi digë dhe e ka dëmtuar. Kjo nuk quhet tragjedi, kjo quhet një pakujdesi e menaxhimit të lagunës. Strukturat që e janë në menaxhim lagunën janë treguar të pakujdesshme, të paafta dhe jo vigjilente”, tha Zef Imeraj.
Ai thekson se zgjidhja afatgjatë për shmangien e përmbytjeve është mirëmbajtja e kanaleve të ujërave të larta, atyre që komunikojnë detin me lagunën, si dhe mbrojtja e pyjeve që stabilizojnë ekosistemin.
“Sistemi i kanaleve të ujërave të larta, mbrojtja e pyjeve dhe rregullimi i kanalee të komunikimit të kompleksin lagunor me detin” tha Zef Imeraj.
Administrata e Zonave të Mbrojtura bën me dije se problematika ishte konstatuar që në verë, kur grykëderdhja natyrore ishte bllokuar nga sedimentet, duke rrezikuar ekosistemin dhe banorët. Për këtë arsye, ata i janë drejtuar dy herë zyrtarisht Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit për të kërkuar një eskavator për hapjen e kanalit, por kërkesa është refuzuar me argumentin se lëvizja e makinerive të rënda kërkon miratim nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Për këtë çështje Report Tv ju drejtua dhe Drejtësisë se Ujitjes dhe Kullimit, ku në përgjigje u mbajt i njëjti Qëndrim, ku theksohet se procedurat mbeten pezull për shkak se nuk dha autorizim Ministria.
Me dyshimet për shpërdorim detyre, Policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Lezhës, e cila po heton shkaqet e përmbytjes dhe përgjegjësitë e secilit institucion.
Kujtojmë se më 19 nëntor si pasojë e çarjes së argjinaturës, uji i detit vërshoi nëpër fshatra, duke përmbytur 800 hektarë tokë dhe 5 shtëpi. Ndërsa 100 banesa të tjera u rrethuan nga uji. Fermerët pësuan dëme të mëdha në bujqësi dhe blegtori për të cilat kërkojnë dëmshpërblim nga shteti.
Tag: kullimit
-

Përmbytja në Lezhë nga papërgjegjësia e institucioneve, ‘ping-pong’ mes bordit të kullimit dhe zonave të mbrojtura
-

Çarja e argjinaturës dhe përmbytja në Lezhë, policia dërgon dosjen në Prokurori
Qetësia e mbrëmjes së 19 nëntorit në fshatin Rrilë të Lezhës u thye në orën 21:00, kur një banor vendas që po peshkonte vuri re se niveli i ujit në kanalin Spiten–Hidrovor po rritej me shpejtësi. Alarmi i tij zbuloi atë që banorët i trembeshin prej kohësh; argjinatura e lagunës kishte çeduar, duke krijuar një çarje prej rreth 40 metrash në një distancë prej 1,9 kilometrash nga Hidrovori i Tales.
“Unë isha duke peshkuar me grep pranë kanalit, në afërsi të hidrovorit të Tales. Brenda një kohe të shpejtë pashë shtim të prurjeve të ujit në këtë kanal dhe menjëherë lajmërova policinë. Ata, bashkë me strukturat e tjera vendore, konstatuan çarjen e argjinaturës së lagunës”, tha peshkatari.
Megjithë alarmin dhe ndërhyrjen në mesnatë të ushtrisë dhe forcave të emergjencave civile, mbi 800 hektarë tokë u gdhinë nën ujë mëngjesin e 20 nëntorit, së bashku me 5 banesa. Rreth 100 shtëpi të tjera u rrethuan gjithashtu nga uji, ndërkohë që uji vërshoi drejt zonave të banuara të Njësisë Administrative Shënkoll, Kolsh dhe Zejmen.
Ajo që duket si një fatkeqësi natyrore, në fakt rezulton të jetë pasojë e një “ping-pongu” të gjatë institucional dhe e dështimit të koordinimit mes Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) dhe Bordit të Kullimit.
Dëshmitë e banorëve dhe qëndrimet zyrtare të dy institucioneve zbulojnë se përmbytja e qindra hektarëve tokë dhe rrethimi i banesave nga uji i kripur nuk erdhi nga reshjet, por nga bllokimi i kanalit që lidh lagunën me detin. Situata ishte paralajmëruar prej korrikut të këtij viti, por institucionet dështuan të merrnin masa për ta hapur atë në kohë.
Përmbytje e paralajmëruarDrejtuesja e AdZM Lezhë, Luiza Marku, i tha BIRN në një përgjigje me email se zyra e saj e kishte zbuluar problemin që në verë. Ajo shpjegon se grykëderdhja natyrore ishte bllokuar nga sedimentet, duke rrezikuar ekosistemin dhe banorët.
“Kjo situatë ka qenë që në muajin korrik, ku gryka e Matkeqes nuk ka qenë funksionale, ku niveli i ujit në lagunë ka pasur rënë ndjeshëm, çka ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në cilësinë e ujit, në shtimin e algave dhe në lagunë është shfaqur erë e rëndë dhe e pakëndshme, veçanërisht gjatë orëve të nxehta të ditës,” tha Marku.
AdZM thotë se pasi vuri re problemin, iu drejtua Bordit të Kullimit me dy shkresa zyrtare, pasi vetë kishte mungesë të mjeteve. E para më 17 korrik 2025 dhe e dyta me urgjencë vetëm disa javë para përmbytjes, më 28.10.2025, duke kërkuar eskavator për hapjen e kanalit, pasi “ujërat e shkarkimit të Hidrovorit të Tales derdhen përkohësisht drejt lagunës së Vainit”, duke paralajmëruar edhe rrezikun e përmbytjes.
Bordi i Kullimit, nga ana tjetër, refuzoi ndërhyrjen fillestare duke cituar burokracitë. Sipas AdZM, në përgjigjen e tyre të korrikut, Bordi i Kullimit tha se “lëvizja e makinerisë së rëndë bëhej vetëm me miratim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”.
Edhe pas ngjarjes, drejtori i Bordit të Kullimit, Nikolin Prendi, mbajti qëndrimin se zona nuk është në kompetencën e tyre. “Kanali Spiten–Hidrovor është në varësinë tonë dhe nuk ka shumë kohë që kemi ndërhyrë në pastrimin e tij. Ndërsa pjesa tjetër është zonë e mbrojtur dhe nuk është në kompetencat tona,” tha Prendi për BIRN.
I pyetur për kërkesat nga AdZM, ai mbajti të njëjtin qëndrim.
“Është e vërtetë se na kanë dërguar shkresa dhe kemi pasur letërkëmbime, por ajo pjesë administratohet nga zonat e mbrojtura dhe nuk është në varësinë tonë,” theksoi ai. Prendi tha se makineritë e Bordit u vunë në lëvizje vetëm si pasojë e emergjencës.
Fakti që institucionet ishin në dijeni të rrezikut të përmbytjes dhe nuk u morën masa, ka shtyrë policinë të referojë çështjen si vepër penale. Policia e Lezhës konfirmoi se, në datën 23 nëntor 2025, materialet mbi përmbytjen i janë referuar Prokurorisë për vlerësim. Hetimet, sipas policisë, janë përqendruar në zbardhjen e shkakut që çoi në çarjen e argjinaturës prej dheu dhe rëre.
Banorët vuajnë pasojatPërplasja e kompetencave dhe neglizhimi i ndërhyrjes për shkak të burokracive ka sjellë dëme katastrofike për banorët.
Ardian Mlika, banor i vjetër i Vainit, thotë se burokracia vonoi edhe ndërhyrjen, ndërsa akuzon se mbyllja e kanalit natyror është bërë me qëllim.
“Unë kam qenë në orën 6 të mëngjesit të 20 nëntorit pranë kanalit natyror që komunikon detin me lagunën. Ai ka qenë i mbyllur dhe vetëm kur ka plasur argjinatura, ka ardhur një eskavator, në mënyrë emergjente për ta hapur,” tregoi Mlika.
Sipas tij, një eskavator ishte në zonë prej një jave, sepse kishte plane të hapej një kanal diku tjetër, por kjo nuk u realizua. “Kjo ndodh sepse zona e mbrojtur është kthyer në tokë private dhe për interesa të ngushta, është mbyllur kanali natyror, duke sjellë pasoja të rënda,” shtoi më tej Mlika.
Dëmet në bujqësi dhe blegtori janë gjithashtu të pallogaritshme për shkak të përmbytjes nga uji i kripur.
“Uji erdhi në mënyrë të menjëhershme dhe niveli arriti deri në 1 metër. Dëmet më të mëdha i kam në bujqësi dhe blegtori. Prej një jave jemi të rrethuar nga uji; pulat më kanë ngordhur, baza ushqimore për bagëtinë është shkatërruar dhe të mbjellat janë nën ujë,” i tha BIRN Gëzim Prenga nga Barbulloja.
“Kjo nuk ka ardhur nga reshjet, por vetëm nga faktori njeri, pasi është ujë deti dhe kënetë që na ka përmbytur,” shtoi ai.
Banorët druajnë se pasojat do të jenë afatgjata.
“Është i gjithi ujë i kripur. Përveç dëmeve aktuale, toka nuk do të japë prodhim për një kohë të gjatë. E njëjta gjë ndodhi edhe në përmbytjet e vitit 2002, kur na u deshën 10 vite që të rikuperoheshim,” ankohet një tjetër banor i zonës, duke kujtuar se situata është e ngjashme me vitet ’60, kur “nuk kishte hidrovor”.
Eksperti i mjedisit, Jak Gjini, mbështet versionin se dora e njeriut ka përshpejtuar katastrofën përmes mbishfrytëzimit dhe mungesës së investimeve.
“Kune–Vaini është mbishfrytëzuar maksimalisht gjatë viteve të fundit, duke sjellë dëme të rënda në ekosistem. Ujërat brenda lagunës janë fryrë dhe aty ku gjeti pikën e dobët, solli çarjen e argjinaturës. Laguna vetëm është shfrytëzuar dhe nuk është investuar, e këto janë pasojat,” tha Gjini.
Edhe Luiza Marku pranoi se ndërhyrjet njerëzore kanë luajtur rol në mosfunksionimin e kanalit komunikues det–lagunë.
“Është pasojë e një kombinimi faktorësh natyrorë dhe antropogjenë”, tha Marku. Por, sipas saj, rol ka luajtur grumbullimi i vazhdueshëm i sedimenteve detare në hyrje të kanalit, i shkaktuar nga ciklet e baticave dhe zbaticave. /BIRN -

Fajtor për përmbytjen e Vlorës në 2024, KLSH I jep “shuplakë” Dredhës së Ramës
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit hedh dritë mbi përmbytjet masive që goditën qytetin e Vlorës më 4 tetor 2024, duke zbuluar mangësi të thella në menaxhimin e infrastrukturës së kullimit, mungesë koordinimi institucional dhe probleme serioze teknike në funksionimin e hidrovorëve.
Sipas gjetjeve, Bashkisë Vlorë i janë transferuar disa kanale kulluese që ndodhen jashtë territorit të vet administrativ, ndërsa vetëm godina e hidrovorit i është dhënë në administrim, jo kanali kryesor që çon ujin drejt hidrovorit.
Më tej, shumë prej kanaleve kryesore, si KK2 Akërni, KK3 Akërni dhe KUL Orikum, rezultojnë të papastruara prej më shumë se 15 vitesh, ndërsa disa segmente brenda qytetit nuk janë pastruar për mbi 30 vite, duke u mbushur me aluvione, inerte dhe mbetje të ndryshme.
Problemet nuk ndalen këtu. Hidrovori Akërni, një prej pikave kyçe të mbrojtjes së qytetit, punon pa pompa rezervë, pa gjenerator emergjence dhe me një linjë elektrike të amortizuar, nga e cila furnizohen edhe subjekte private, duke ulur tensionin dhe duke reduktuar aftësinë e pompimit.
Në ditën e përmbytjes, hidrovori ka punuar vetëm me 45% të kapacitetit, ndërkohë që tensioni elektrik nga ora 07:00 deri në 23:00 regjistrohej në nivele problematike prej 360V.
Po ashtu, nuk janë kryer investime nga UKV SHA dhe SHRUKV SHA për përmirësimin e sistemit të kullimit gjatë viteve 2023–2024, ndërsa kanalet e planifikuara të pastroheshin nuk janë realizuar, si në Bunavi, Armen dhe Selenicë.
Një tjetër pikë e rëndësishme të raportit lidhet me mosfunksionimin e ndarë të kanaleve të ujërave të ndotura dhe kanalet e ujërave të bardha: në reshje të dendura, punonjësit e Ujësjellës–Kanalizimeve hapin pusetat për të futur ujërat sipërfaqësorë në rrjetin e ujërave të ndotura, duke rritur në mënyrë të shumëfishtë volumin e ujit që duhet të shkarkojnë pompat.
Pjesa dërmuese e pusetave të KUB është jashtë funksionit, e mbushur me mbeturina dhe me dimensione që nuk përballojnë reshjet intensive. Situata është rënduar edhe nga punimet e ujësjellësit të ri, të cilat kanë lënë pas sasi të konsiderueshme inertesh në rrjet.
Përtej problemeve teknike, raporti evidenton mungesë reagimi të duhur institucional. Këshilli i Qarkut Vlorë nuk shpalli gjendjen e emergjencës civile, ndonëse përmbytjet ishin të përmasave të mëdha, ndërsa Kryetari i Bashkisë nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për vlerësimin e dëmeve në banesa, përveç dëmeve në orenditë shtëpiake.
Gjithashtu, nuk është akorduar asnjë fond nga qeveria për këtë situatë. Bashkëpunimi midis institucioneve kyçe: bashkisë, ndërmarrjes së e shërbimeve publike dhe strukturat e ujitjes e kullimit, vlerësohet i dobët dhe joefektiv.
As infrastruktura rrugore nuk u shpëtoi dëmeve: në ByPass-in e Vlorës, reshjet shkaktuan rrëshqitje dherash, ndërsa në rrethrrotullimin hyrës të qytetit, një element projektimi është ndryshuar nga ai fillestar. Në vend të tre tombinove me diametër 1000 mm është ndërtuar një tombino box 2.5 × 1 m, i cili derdhet në një kanal të papastruar, fakt që e bën praktikisht jofunksional në situata reshjesh të dendura.
Raporti i KLSH-së është i qartë: përmbytja e 4 tetorit ishte e parandalueshme. Mosfunksionimi i kolektorëve dhe kanaleve, mospastrimi shumëvjeçar i segmenteve kritike të kullimit, dhe puna me kapacitet të reduktuar e hidrovorëve për shkak të tensionit të ulët dhe mungesës së infrastrukturës mbështetëse, përbëjnë arsyet kryesore të vërshimit të ujërave në qytet.
Gjatë auditimit, KLSH thekson se mospastrimi i kanaleve të hapura është “shkaku kryesor” i përmbytjes, ndërsa mungesa e mirëmbajtjes periodike të kunetave dhe pusetave të shiut krijon bllokime të menjëhershme gjatë reshjeve.
Sipas përfundimit të auditimit, nëse infrastrukura kulluese do të ishte funksionale dhe hidrovorët do të punonin me kapacitet të plotë, rreziku i përmbytjes do të ishte minimal. Për këtë arsye, KLSH e konsideron pastrimin dhe rehabilitimin e sistemit të kullimit si një detyrë urgjente dhe të pazëvendësueshme për sigurimin e qytetit nga ngjarje të ngjashme në të ardhmen./ekofin.al -

Fiks Fare/ Uji i Lagunës kthehet në truall, vijojnë tentativat për të ndërtuar në Kune Vain
Fiks Fare ka denoncuar disa herë tentativat e firmave dhe individëve private për të kthyer kanalet ujore në Lagunën e Kune Vainit në Lezhë në troje për ndërtim.
Megjithëse është zonë e mbrojtur, individë private janë pajisur në mënyrë të dyshimtë me certifikata pronësie me ligjin 7501 në atë zonë. Certifikatat parashikojnë që edhe sipërfaqja ujore, kanali kryesor që shërben për hyrje dalën e ujit të detit në Lagunë, të kenë dokumente pronësie.
Prokuroria e Lezhës ka filluar një hetim kohë më parë, ku janë gjetur shkelje, teksa sipërfaqet e pronës janë sekuestruar. Çështja është ende në gjykatë. Ndërkohë, në terren situata vijon të jetë e njëjtë, ku herë pas here, ka pasur tentativa nga firma private dhe nga individë që të mbushin këto kanale. Në dy raste, Fiksi ka evidentuar tentativa për mbushjen e kanalit.
Në maj të vitit 2022, kamera e emisionit investigativ filmoi dhjetëra kamionë me inerte që mbushnin kanalet e Lagunës së Kune Vainit. Një person iu afrua grupit të Fiksit duke i kërcënuar se do t’u thyejë kamerën dhe të largohen. Ai tha se kanali ka certifikatë pronësie. Në atë kohë, disa zyrtare të zonave të mbrojtura dhe të IMT-së së Bashkisë Lezhë u arrestuan për këto ndërhyrje. Ndërkohë, pavarësisht hetimeve të prokurorisë dhe arrestimeve, personat nuk u ndalën.
Fiksi faktoi në prill të vitit 2023 se grumbuj të mëdha inertesh, beton, gurë, tulla etj, ishin hedhur brenda në kanal, duke zënë kështu më shumë se gjysmën e hapësirës së tij, për të bërë të mundur kalimin nga njëra anë e lagunës në tjetrën. Banorët e zonës thanë se është i njëjti grup që vepron në atë zonë dhe s’është ndalur asnjëherë. Fiksi shkoi edhe në muajin shtator 2023, ku megjithëse kanali ishte hapur, institucionet shtetërore neglizhuan në mirëmbajtje, duke e kthyer ujin e Lagunës në të ndotur.
Ndërkohë, ditët e fundit në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën të tjera informacione se disa persona po tentonin që të hapnin kanalin e Lagunës në një vend tjetër, jo në atë natyral, pasi kanali natyror ishte i bllokuar. Duke u hapur në vend tjetër, kanali komunikues me detin u jep mundësinë atyre që kanë certifikata pronësie të zonës ujore, t’a mbushin e t’a kthejnë në truall. Pra, nga pronarë të ujit, bëhen pronarë trualli!
Këto ndërhyrje, bllokimi i herë pas hershëm i kanalit natyror të lagunës, ka sjellë çarjen e argjinaturës në Tale dhe përmbytjen e fundit në zonë! Fiksi faktoi se në zonë kishte shkuar një mjet i Bordit të Kullimit. Bordi i Kullimit vonoi me disa ditë hapjen e kanalit, pasi kishte ndërhyrje për mos t’a hapur në atë rrjedhë, pasi zona “ishte private”. Kjo vonesë dyshohet se shkaktoi edhe përmbytjen e zonës së Tales në Lezhë.
Ditën që Fiksi shkoi në atë vend, ishte një mjet ekskavator i Bordit të Kullimit, i cili po hapte kanalin në rrjedhën natyrale. Gazetarët biseduan me inspektorin e Zonave të Mbrojtura, Zef Gjeçi, i cili tha se situata është problematike pas çarjes së një argjinature. Ai tha se mjeti është kërkuar nga Zonat e Mbrojtura dhe tani po hapet kanali ekzistues, natyral.
Fiksi e pyeti se çfarë punimesh janë bërë në atë zonë. “Një apo dy ditë më parë kanë ardhur disa persona, privatë, me mjete dhe kanë bërë punime. Ne kemi parë vetëm punimet dhe s’kemi identifikuar ndonjë person. Ata po tentonin që të hapnin kanalin e ri, jo atë natyral” thotë Gjeçi. Sipas tij, Zonat e Mbrojtura kanë reaguar dhe po e hapin kanalin te i njëjti vend!
Gazetarët telefonojnë Nikolin Prendin, drejtor i Bordit të Kullimit në Lezhë. Fiksi e pyet nëse mjeti i Bordit të Kullimit ka tentuar që t’a hapë kanalin jo te rrjedha natyrale, por metra më larg.
Ai tha fillimisht se zona menaxhohet nga Zonat e Mbrojtura dhe s’kishte dijeni. Fiksi i bën me dije se në atë vend ka shkuar një ekskavator i Bordit, teksa thotë se është bërë me kërkesë të zonave të Mbrojtura. Fiksi e pyet nëse Bordi i Kullimit donte të hapte kanalin në një vend tjetër, pas informacioneve se Bordi i Kullimit do t’a hapte jo në rrjedhën natyrale. Ai thotë se “jo, pasi Laguna administrohet nga një firmë private”.Top Channel
-

Përmbytjet në vend nga moti i keq, Ministri Salla: Infrastruktura e kullimit po kthehet në normalitet
foto ilustruese
TIRANË- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, përmes një njoftimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se infrastruktura e kullimit po rikthehet në normalitet dhe se niveli i ujit në shumë zona po bie, kryesisht në ultërsirën perendimore. Gjithashtu është shprehur se reshjet e natës kanë qenë më të dobëta, duke krijuar kushte më të mira për ndërhyrjet në zonat e prekura nga përmbytjet.
Ministri theksoi se ekipet e drejtorive të ujitjes dhe kullimit në Fier, Korçë, Durrës dhe Lezhë po punojnë intensivisht në terren, duke u fokusuar tek zonat më të goditura nga situata e ditëve të fundit.
“Shirat gjatë natës kanë qenë me intensitet më të ulët, çka ka krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrjet në terren. Si rezultat, situata në infrastrukturën e kullimit po normalizohet, me ulje graduale të niveleve të ujit. Në ultësirën perëndimore, infrastruktura e kullimit po kthehet gradualisht në normalitet dhe uji po tërhiqet nga sipërfaqet e përmbytura. Paralelisht, nivelet në lumenj kanë pësuar rënie dhe rrjedhat po stabilizohen brenda shtratit natyral dhe argjinaturave ekzistuese. Ekipet e drejtorive të ujitje-kullimit në Fier, Korçë, Durrës dhe Lezhë vijojnë pa ndërprerje në terren për stabilizimin e situatës, kryesisht në zonat më problematike.”- shkruan Salla.Aktualisht qarqet më problematike mbeten Lezha, Korça, Vlora dhe Fier, ku raportohen rreth 520 ha tokë nën ujë, 220 ha në Lezhë dhe 300 ha në Mamurras. Ndërsa në Fier raportohen 25 banesa që janë nën ujë./ZËRI
-

Reshjet intensive vënë në rrezik argjinaturën e lumit Drojë
Strukturat e ujitje-kullimit në qarkun Durrës po ndjekin nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive të orëve të fundit, të cilat kanë sjellë vështirësi në argjinaturën e lumit Drojë, në Bashkinë Krujë.Nënprefekti i qarkut Durrës, Xhek Xheka, nënkryetarja e Bashkisë Krujë, Yllka Kukalaj, drejtori i Drejtorisë së Ujitje-Kullimit Durrës, Shpëtim Hidri, si dhe inspektorët e terrenit, kanë kryer inspektime të vazhdueshme në zonë për të vlerësuar situatën dhe për të garantuar ndërhyrjen e duhur.Drejtoria e Ujitje-Kullimit Durrës ka vendosur menjëherë në punë dy ekskavatorë me krah të gjatë, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për stabilizimin e argjinaturës dhe për mbrojtjen e sipërfaqeve bujqësore përreth.Ekipet mbeten në gatishmëri të plotë dhe në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet vendore, deri në rikthimin e plotë të situatës nën kontroll dhe garantimin e sigurisë së zonës.
-

U kap duke vjedhur tubat e kullimit në një shkollë, arrestohet 20-vjeçari në Itali, tentoi të arratisej
Autoritetet italiane kanë vënë në pranga një 20-vjeçar shqiptar. Arrestimi i tij ka ndodhur më 15 korrik. Ai u kap në flagrancë duke vjedhur rreth orës 10:45 në shkollën fillore Cianferini në Via Narni. Patrullat u dërguan menjëherë në zonë. Gjatë operacionit oficerët vunë re një të ri me biçikletë i cili, sapo i pa iku me vrap.
Ai fillimisht u largua me biçikletë e më pas u përpoq të arratisej në këmbë në rrugët anësore të Fshatit Campomaggio. Pas arrestimit oficerët gjetën pjesë të tubave të kullimit të bakrit të përkulur, me peshë afërsisht 12 kg në total, një rrahëse dore, pinca dhe një çelës brenda çantës së tij të shpinës. 20-vjeçari u arrestua për vjedhje të rëndë dhe u vu në arrest shtëpiak me urdhër të gjyqtarit hetues.