Tag: kullës

  • Kulla Eifel, në prag shembjeje? E vërteta pas lajmit që pushtoi rrjetet sociale

    Kulla Eifel, në prag shembjeje? E vërteta pas lajmit që pushtoi rrjetet sociale

    Kulla Eifel, me lartësi 330 metra, është një nga strukturat më të njohura në botë dhe simboli më i madh i Francës. Vetëm në vitin 2023, ajo gjeneroi 117.87 milionë euro të ardhura, pa marrë asnjë subvencion shtetëror, dhe punëson mbi 300 persona në Paris.

    Në fillim të tetorit, monumenti u mbyll përkohësisht për publikun për arsye sigurie, pasi mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit francez gjatë grevave kombëtare kundër politikave të qeverisë.

    “Në lidhje me një grevë, Kulla Eifel është e mbyllur. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin,” – thuhej në njoftimin zyrtar në hyrje të kullës.

    Pak javë para grevave, një faqe humoristike franceze botoi një artikull satirik ku thuhej se Kulla Eifel do të rrënohej për t’u kthyer në një “rrëshqitëse gjigante” apo “sallë koncertesh”.
    Fillimisht i shkruar me ton komik, ky artikull u nxor nga konteksti dhe u shpërnda si lajm i vërtetë në disa rrjete sociale.
    Në X, llogari me qindra mijëra ndjekës publikuan postime ku shkruhej:

    “Sipas raporteve, Kulla e famshme Eifel, simbol i Francës për më shumë se 135 vjet, do të shembet në vitin 2026 pas përfundimit të kontratës së operimit.”
    Postimet shtonin se “lodhja strukturore, kostot e mirëmbajtjes dhe ankesat publike” ishin arsyet për këtë “vendim tronditës”.

    Kjo mjaftoi që shumë përdorues të rrjeteve sociale të shpreheshin të tronditur, me komente si “Jo, Paris! Mos më prish vendin e ëndrrave për propozim!”, ndërsa të tjerë paralajmëruan se lajmi ishte “fake news”.

    Kompania që operon monumentin, “Société d’Exploitation de la Tour Eiffel” (SETE), nuk ka bërë asnjë koment zyrtar për pretendimet virale, por faqja zyrtare e kullës vazhdon të funksionojë normalisht, dhe biletat për vizitorët shiten çdo ditë.
    Në asnjë dokument publik apo plan restaurimi nuk ekziston asnjë projekt për shembjen e Kullës Eifel.

    Ekspertët paralajmërojnë se përhapja e lajmeve të rreme mund të dëmtojë industrinë e turizmit. Shembulli i fundit nga Franca tregon sa lehtë mund të krijohet panik apo konfuzion në publik, edhe për monumente të famshme.

    Në Itali, për shembull, qeveria ka miratuar masa të reja kundër komenteve të rreme në hotele dhe restorante, pasi sipas Ministrisë së Ndërmarrjeve, përmbajtjet mashtruese mund të ndikojnë nga 6 deri në 30 për qind të të ardhurave të bizneseve turistike.

    “Ky është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e bizneseve tona”,- tha ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanché. “Vlerësimet e verifikueshme janë thelbësore për besimin e turistëve.”

    Në kohën e “fake news”, edhe monumentet më të famshme nuk shpëtojnë nga keqinformimi. Kulla Eifel nuk do të shembet, dhe mbyllja e saj e përkohshme nuk ka lidhje me ndonjë rrezik struktural.
    Megjithatë, ky episod është një kujtesë e qartë se verifikimi i burimeve mbetet thelbësor, veçanërisht në epokën ku një postim në rrjete sociale mund të shndërrohet në “lajm botëror” për pak orë.

  • SYRI TV/ Shkodër, Myftinia e Kisha Ortodokse kundër kullës: Jemi në gjyqe për pronësinë e tokës

    SYRI TV/ Shkodër, Myftinia e Kisha Ortodokse kundër kullës: Jemi në gjyqe për pronësinë e tokës

    Myftinia Shkodër dhe Kisha Ortodokse janë kundër ndërtimit të kullës në zemër të Shkodrës, pasi këto dy institucione fetare janë dhe palë në çështje gjyqësore me një familje për pronësinë e tokës ku do ndërtohet kulla. Sipas Myftiut të Shkodrës Muhamed Sytari dhe klerikut At Aleksandër Petani  jemi përball rastit po ndodh një grabitje prone më bekimin e shtetit

    Syri tv

    Veç urbanistëve dhe shoqërisë Civile edhe klerikët kanë dalë kundër ndërtimit të Kullës në zemër të Shkodrës, teksa arsyet i kanë edhe më konkrete, pasi janë palë në gjyq për pronësinë e tokës ku po ngrihet kulla. Debati për pronësinë e tokës ku ngrihet kulla  vjen në një kohë ku vetëm një javë më parë një gjyqtar u ekzekutua lidhur me një vendim gjyqësor lidhur me pretendimet për pronësinë e një objekti në Shkodër.

  • Myftinia dhe Kisha Ortodokse në Shkodër akuza shtetit për ndërtimin e kullës “Rozafa Tower”: Grabitje flagrante

    Myftinia dhe Kisha Ortodokse në Shkodër akuza shtetit për ndërtimin e kullës “Rozafa Tower”: Grabitje flagrante

    Ndërtimi i kullës në qendër të qytetit të Shkodrës, ka bërë bashkë në një takim drejtuesit e Myftinisë Shkodër dhe Kishës Ortodokse Shkodër, të cilët e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke hedhur akuza të rënda në drejtim të shtetit.
    Në reagimin e tyre për mediat, myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, thekson se nuk kanë dijeni për ndërtimin e kullës, pasi janë të angazhuar në gjyqe të cilat i kanë fituar.
    “Thërrasim drejt respektimit të pronës. Nuk tërhiqemi pa fituar të drejtën tonë. Jemi në pozitën e atij që lufton me atë që ka në dorë. Kemi të bëjmë me rigrabitje të pronës tonë dhe këtë e lejon shteti”- theksoi Sytari.
    Ndërkohë At Aleksandër Petani ka hedhur akuza të rënda në drejtim të shtetit, që sipas tij feja dhe prona po grabiten, ndërkohë që janë në gjyqe prej 35 vitesh.
    “Jemi 35 vitë në gjyqe, jemi lodhur aq shumë. Feja dhe prona po grabiten nga njerëz që nuk i njohim. Gjykata kushtetuese na ka dhënë të drejtë”, u shpreh Petani.
    Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari deklaroi se “Dekadat e fundit kemi një problem të madh, të cilin e ndjekim sesi zhvillohet. Institucionet nuk i japin zgjidhje problemit të pronës tek hotel “Rozafa”. Nuk kemi dijeni për ndërtimin e kullës. Kjo është e papranueshme. Jemi të angazhuar në gjyqe dhe shkresa të ndryshme. Kemi fituar gjyqet.
    Më vjen keq që elementë të caktuar të qytetit e përdorin këtë situatë për të mbjellë urrejtje fetare.Thërrasim drejt respektimit të pronës. Nuk tërhiqemi pa fituar të drejtën tonë.
    Jemi në pozitën e atij që lufton me atë që ka në dorë. Kemi të bëjmë me rigrabitje të pronës tonë dhe këtë e lejon shteti. Sot në zemër të Shkodrës po ndodh grabitje flagrante. 35 vite pas rënies së komunizmit dhe shihni çfarë flasim sot. Protestë? Çdo gjë në kohën e vetë, ka më shumë se protesta, brenda kuadrit ligjor.
    Gjithashtu, At Aleksandër Petani u shpreh se “Në qytetin tonë po ndodhin gjëra që na vrasin shumë.Jemi 35 vitë në gjyqe, jemi lodhur aq shumë. Feja dhe prona po grabiten nga njerëz që nuk i njohim. Gjykata kushtetuese na ka dhënë të drejtë.”

  • Mashtruesi “më i madh” në histori, shiti “dy herë” kullën Eiffel

    Mashtruesi “më i madh” në histori, shiti “dy herë” kullën Eiffel

    Në vitin e largët 1925, Viktor Lustig u ul në dhomën e tij të hotelit në Paris. Ndërsa pinte kafen e mëngjesit dhe lexonte shtypin e përditshëm, vëmendjen ia tërhoqi një artikull i pazakontë në lidhje me kullën e Eiffel.

    Konstruksioni i i metalit të kullës së famshme shumë shpejt ishte ndryshkur, dhe si e vetmja zgjidhje, mbetej restaurimi që kushtonte shtrenjtë e që qeveria nuk mund ta përballonte shumën.

    Artikulli përfundoi me propozimin për të shitur kullën si opsionin e vetëm të arsyeshëm.

    “Unë do të shesë atë!” tha ai.

    Natyrisht, Kulla Eifel nuk i përkiste atij, por duke marrë parasysh faktin se po lexoni një artikull për një nga mashtruesit më të mëdhenj në botë, nevoja për “dokumente” ishte diçka e vogël.

    Victor kultivoi një marrëdhënie të veçantë me biznesin e tij. Arratisja ishte pasioni i tij.Duke përdorur aftësitë e tij të bindjes, ai u specializua në mashtrimet e amerikanëve të pasur dhe naivë që udhëtonin nga Amerika në Francë. Ai i mashtroi ata me të ashtuquajturat “kuti që shtypnin para.”

    Sipas tij, kutia mund të kopjonte dhe të shtypte çeçe prej 100 dollarë duke përdorur radiumin. Çmimi me të cilin ishte shitur kutia shkonte nga 20,000 dollarë deri në 30,000.

    Ai do të mbushte makinën me disa çeçe prej 100 dollarë që ngadalë dilnin nga makina që i “shtypte” ato.Koha e “shtypjes” ishte rreth orës gjashtë, kohë e mjaftueshme për Viktor Lustig të ishte larg nga vendi i mashtrimit.

    Megjithatë, mashtrimet e tilla ishin tepër të lehta për të dhe shpejt iu bë monotoni. Në kërkim të adrenalinës, ai filloi të kërkonte diçka më emocionuese.

    Shitja e Kullës së Ajfelit është bërë stili i jetës së Viktor Lustig.

    Ai së pari krijoi një identitet të rremë, pastaj bëri një legjitimitet të rremë me emblemën e departamentit qeveritar përgjegjës për ndërtesat publike. Nuk harxhoi kohë! Hoteli me bazë në Paris, Crilon, i cili ishte një vend i njohur për tubime biznesi, ftoi pesë kompanitë hekurudhore më të mëdha në Paris.

    Ai bëri një shfaqje për përfaqësuesit e këtyre kompanive të cilëve u plasoi historinë e Kullës Ajfel. Natyrisht, kjo ishte një blerje e diskutueshme që kërkonte liri veprimi.

    Nga pesë përfaqësuesit Lusting zgjodhi “viktimën” e tij , Andre Poison, një njeri me pak vetëbesim që donte të linte gjurmë në shoqërinë e atëhershme pariziane.

    Kur u takuan më vonë, Andrea Poison pranoi se kishte dyshime serioze për tërë punën. Lustig i ishte paraqitur atij si një nëpunës civil i varfër, i cili, në shkëmbim të një shumë më të lartë parash, ra dakord të “instalonte” biznesin e jetës së tij për kompaninë e tij. Poison gëlltiti historinë dhe hyri në biznes.

    Së shpejti Lustig ishte në tren për Vjenë. Pak ditë më vonë, kur Poison u përball me naivitetin e tij, Lustig ishte larg. Për të ruajtur reputacionin e tij, sipërmarrësi i pafat nuk e raportoi rastin në polici.

    Pasi nuk kishin qarkulluar lajme për mashtrimin e tij, Lustig shumë shpejt e kuptoi se ky në fakt ishte një lajm i mirë, kështu që ai u kthye në Paris dhe u përpoq të përsëriste “shitjen” e Kullës Eiffel. Megjithatë, viktima e re ishte më pak krenare dhe menjëherë raportoi mashtrimin në polici. Lustig tashmë kishte ikur në Amerikë.

    Përmes Atlantikut, Lustig shiti me sukses “kutitë për para”. Ai përdorte deri në 47 identitete dhe arriti të shpëtojë nga burgu dosa herë.

    Parave të Lustigit u erdhi fundi kur e dashura e tij xheloze e denoncoi tek agjensia federale si një akt hakmarrjeje.

    Viktor Lustig u kap më 1935 dhe u dënua me 20 vjet burg në Alkatraz. Dymbëdhjetë vjet më vonë ai u sëmur nga pneumonia. Vdiq dy ditë më vonë.

    LEXO EDHE:

    FJALIMI EMOCIONUES I MORGAN FREEMAN: KAM JETUAR GABIMISHT…

    ObserverKult

  • “Elbasani në 100 vjet”/ Ekspozita pranë kullës së sahatit në qytetin e Elbasanit

    “Elbasani në 100 vjet”/ Ekspozita pranë kullës së sahatit në qytetin e Elbasanit

    Përgjatë mureve historike të kalasë, pranë kullës së sahatit, Qendra e Artit çeli ekspozitën “Elbasani në 100 vjet”.

    Një udhëtim vizual që sjell historinë e qytetit gjatë një shekulli, duke u ndalur në momente kyçe, figura të rëndësishme dhe transformimet që Elbasani ka pësuar ndër vite. Të shumtë ishin qytetarët që ndaluan për ta vizituar nga afër.
    Shumë prej tyre u shprehën me nostalgji për fotot e ekspozuara, duke vlerësuar rëndësinë e aktiviteteve që rikthejnë në vëmendje historinë dhe identitetin e qytetit.
    Ekspozita ngjalli interes edhe tek turistët e huaj që ndodheshin në shesh.
    “Vij nga Gjermania. Po shihja këto piktura interesante. I adhuroj fotot dhe dua të shoh ndryshimin e qyteteve. Faleminderit që na jepni mundësinë të mësojmë për kulturën tuaj përmes kësaj ekspozite.”
    Sipas drejtorit të Qendrës së Artit, aktivitete të tilla përcjellin një ndjesi pozitive te qytetarët, duke lajmëruar një sezon të nxehtë artistik.
    I gjithë muaji gusht pritet të pasohet nga aktivitete të larmishme në Elbasan të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

    Top Channel

  • Rrethimi i kullës së Oso Kukës

    Rrethimi i kullës së Oso Kukës

    Rrethimi i kullës së Oso Kukës (qershor 1862)

    Oso Kuka, i lindur në vitet 1812 ose 1820 në Shkodër, ishte i biri i Bejtullah agë Kukës i njohur si flamurtari i pashait shqiptar të Shkodrës, Mustafa Pashës, pjesëtar i familjes së fuqishme të Bushatllinjëve. Në vitin 1859, nën propozimin e komandantit shqiptar Hodë Sokolit, Oso Kuka u zgjodh kapiten i rojeve të kufirit malazezo-shqiptar në Vraninë, në veri të liqenit të Shkodrës.

    Gjatë asaj periudhe, Oso Kuka formoi një çetë të vogël shqiptare prej 24 burrash, e cila vepronte në zonat shqiptare rreth Vraninës. Në qershor të vitit 1862, një ushtri malazeze prej 8,000 ushtarësh rrethoi kullën e Vraninës ku ishte i pozicionuar Oso Kuka bashkë me 24 luftëtarët e tij.

    Në luftimet e përgjakura që u zhvilluan, forcat e shumta malazeze, nën humbje të mëdha, arritën që të rrethonin gjithë kullën e Oso Kukës. Me të parë që fati i betejës ishte vulosur, Oso Kuka bashkë me luftëtarët e tij u tërhoqën në depon e armëve të kullës dhe vendosën të prisnin forcat malazeze të afroheshin më afër kullës. Me afrimin e forcave sulmuese malazeze, Oso Kuka bashkë me luftëtarët e tij, në vend që të dorëzoheshin, vendosën eksploziv dhe hodhën në erë kullën e rrethuar. Oso Kuka bashkë me 24 luftëtarët e tij u sakrifikuan heroikisht. Në shpërthimin e madh që ndodhi u vranë dhe rreth 100 pushtues malazez.

    Lufta e tij heroike bëri të mundur që Vranina të vazhdonte të ishte nën kontrollin e shqiptarëve deri në vitin 1879, kur Kongresi i Berlinit ia dha Malit të Zi edhe pas protestave të shumta të Lidhjes shqiptare të Prizrenit (1878-1881), ndërsa trimëria e tij la gjurmë të mëdha në historinë shqiptare. Ndër portretizimet më të rëndësishme të tij është bërë nga At Gjergj Fishta në “Lahutën e Malcis” (“cikli i Oso Kukës”) me 5 këngë.

    📸 Vizatim që paraqet Rrethimin e kullës së Oso Kukës në Gazetën “Albania” të Faik Konicës (qershor 1901) /old.albanian.history

  • Rezistenca e Tahir dhe Nebih Mehës: ”T’i shembet kulla me mjete të rënda ushtarake!”

    Rezistenca e Tahir dhe Nebih Mehës: ”T’i shembet kulla me mjete të rënda ushtarake!”

    Blerim Latifi

    Kur pas tetë orë luftimesh njësitë speciale të policisë jugosllave nuk po arrinin të thyenin rezistencën e Tahir dhe Nebih Mehës, atyre u erdhi urdhëri nga Ministria e Punëve të Brendshme në Beograd: T’i shembet kulla me mjete të rënda ushtarake!

    Muzgu kishte rënë. Të shtënat tanimë ishin rralluar. Tahiri kishte mbetur pa babën që tanimë ishte i plagosur rëndë, ndërsa heshtjen mortore e prishte vetëm e qara e Salës gjashtëmuajshe, e cila kishte mbetur në djep brenda kullës.

    Pastaj u dëgjua një zhurmë e madhe, e cila e mbushi Luginën e Prekazit. Ishte zhurma e dy blindave të tipit “TAB”, të cilat kishin arritur nga kazerma ushtarake “Marshali Tito” në Prishtinë. Ato e futën në mes kullën dhe më pas u dëgjua megafoni i komandantit të njësive speciale. I kërkonte Tahirit, për herë të fundit, që të dorëzohej, në të kundërtën do t’ia shembnin shtëpinë. Dy të shtëna pushke erdhën nga kulla. Ato e përçuan përgjegjen e Tahirit: Kurrë! Atëherë njëra nga blindat e goditi murin ballor të kullës. Muret e saj të trasha nuk lëvizën nga goditja e parë. Pastaj erdhi goditja e dytë, pastaj e treta. Një e çarë e madhe u hap dhe një pjesë e murit ra për tokë. Po ashtu kulmi i kullës filloi të binte. Një tra i madh u shemb mbi djepin e Salës foshnje, por fatmirësisht nuk e shtypi. Thuajse donte ta merrte nën mbrojtje. Si në ato legjendat e moçme. Gjithçka u mbulua nga pluhuri.

    Kishte mbetur të luhej edhe akti i fundit i asaj skene tragjike. Me forcat e fundit që i kishin mbetur, Tahiri u nis drejt vdekjes së sigurtë që e priste në oborrin e rrethuar nga qindra policë. Një e shtënë automatiku e ndërpreu vrapin e tij. Pushka i ra nga duart dhe gjaku i rrodhi në barin e sapogufuar të majit. Ai u përzi me pikat e shiut që kishte riguar herë pas here atë ditë. Pastaj gjithçka ra në heshtje. Policët kishin frikë t’i afroheshin. Ende dyshonin se nuk ka vdekur dhe mund t’ua bënte gjamën, nëse i afroheshin. Pas gjysmë ore pritjeje më fund iu afruan dhe e panë se Tahiri kishte vdekur përnjëmend. Vrapuan brenda kullës tanimë të rrënuar për të gjetur plakun Nebih. Dheu e gurët pothuajse e kishin mbuluar krejt dhe ende jepte shenja jete. Një breshëri automatiku u shkrep mbi të. Nebihu kishte luftuar përkrah të birit për orë të tëra, edhe pse pleqëria prej kohësh e kishte rrënuar fizikisht. Qëndresa e tij na e kujton atë që e thoshte Rusoi : Nuk është forca fizike ajo që e bën një hero, por forca e shpirtit.

    Sala gjashtëmuajshe, e ngulfatur nga era e gazit lotësjellës dhe nga pluhuri, nuk nxirrte më zë. Dukej se edhe ajo kishte marrë fund. E nxorrën nga rrënojat dhe e nisën drejt Skënderajt. Ajo mbijetoi dhe vetëm kur do të rritej do të kuptonte se çfarë kishte përjetuar si foshnje, në 13 majin e vitit 1981.

    Para disa vitesh më pat ra në dorë dosja e plotë e organeve jugosllave të sigurisë për “Rastin Meha”. Aty shkruante se arsyet pse u mor vendimi për ta shembur kullën me mjete të rënda ushtarake ishte për të shmangur humbjen e jetëve të tjera të policëve dhe se aksioni duhej përfunduar para se të binte nata, ngase, sipas informatave që dispononte UDB- ja, policia po vepronte në një ambient armiqësor ndaj shtetit, në Prekaz kishte armë të tjera ilegale, që njerëzit i mbanin të fshehura, dhe ato mund të përdoreshin kundër policisë në kushtet e errësirës.

    UDB- ja do të kujdesej që të përhapej gjithandej një propagandë e madhe njollosëse mbi Tahir Mehën, duke e paraqitur atë si një kriminel ordiner, por kjo, siç treguan vitet në vazhdim, nuk do të funksiononte. Rezistenca e tij u ofroi modelin e veprimit të gjithë atyre që kishin vendosur të mos rrinin duarkryq përballë shtypjes jugosllave. Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Hasan Ramadani e Besim Ndreca, ishin ndër të parët që e ndoqën këtë model. Njëjtë vepruan edhe grupet e para që hodhën themelet e UÇK- së.

    Tim Judah, në librin e tij për Luftën e Kosovës, shkruan se burrat e parë që rrokën armët kundër regjimit të Millosheviqit në Kosovë, nuk kishin as njohuri ushtarake e as ndonjë strategji të mirfilltë për kryengritjen e tyre; ata thjesht ishin ngritur duke e marrë frymëzimin nga shembujt e betejave të të parëve të tyre dhe njëri ndër më të dalluarit mes atyre shembujve ishte ai i Tahir Mehës.

  • “Nata Kulturore Epidamn”, performancë artistike në Kullën Veneciane

    “Nata Kulturore Epidamn”, performancë artistike në Kullën Veneciane

    Aktiviteti “Nata Kulturore Epidamn” e shndërroi Kullën (Torra) Veneciane të Durrësit në një hapësirë ku historia dhe arti u bënë bashkë.

    “Nata Kulturore Epidamn” i ftoi vizitorët, përfshirë përfaqësues nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, UNOPS, Bashkia Durrës dhe Qendra Muzeore e Durrësit, të përjetonin trashëgiminë e qytetit në një mënyrë unike dhe kreative.

    Rreth 50 qytetarë ndoqën nga afër projeksionet historike në muret e kullës, artin quilling që rindërtoi Kullën fije pas fije, “Kronikat e Kullës” që i dhanë zë legjendave të qytetit nën tingujt e violonçelit dhe një performancë muzikore që vuri në dialog këngën tradicionale isopolifonike me instrumentet bashkëkohore.

    Gjatë aktivitetit performuan: Emily Spahiu – solo violonçeli; Donald Llaperi – quilling live; Erdit Asllanaj – Equilibrium”; “Kronikat e Kullës” nga Alesio Hysenaj, Gjergj Doçi, Marsel Rupi, Romir Llukaçi.

    Performanca “Kronikat e Kullës” ishte ajo që mbylli natën me një udhëtim teatror që lidh zërat e së kaluarës me të tashmen.

    Ky aktivitet, i organizuar nga organizata Durrësi Aktiv, u mbështet përmes programit të granteve të EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

  • “Nata Kulturore Epidamn” nën muret e Kullës Veneciane

    “Nata Kulturore Epidamn” nën muret e Kullës Veneciane

    “Nata Kulturore Epidamn” rikthehet këtë herë nën muret e Kullës Veneciane në qyteti e Durrësit. Këtë mbrëmje do të ketë projeksione historike mbi muret e kullës Veneciane; performancë live “Ekuilibër” me Hang, didgerido & isopolifoni; solo violonçeli; Quilling art – Kulla Veneciane në letër; “Kronikat e Kullës”- tregime që sjellin në jetë legjendat e Durrësit. “Mos e humb mundësinë të shohësh Kullën Veneciane të shndërrohet në skenë arti!”, thuhet në njoftimin për këtë natë kulturore. Ky aktivitet realizohet nga Durrësi Aktiv në bashkëpunim me MuZEH Lab dhe Qendra Muzeore Durrës në kuadër të programit “EU4Culture Albania”, financuar nga European Union in Albania dhe zbatuar nga UNOPS Albania në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).
    Kulla Veneciane në Durrës u restaurua pas dëmtimeve, që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019. Tashmë ky monument kulture është shndërruar në një qendër informuese për historinë e qytetit. Vizitorët shqiptarë e të huaj, e mbi të gjitha të rinjtë mund të marrin aty informacion për të gjitha objektet me rëndësi historike e kulturore të Durrësit. Kulla është pjesë e kalasë Bizantine të Durrësit, e cila në mesjetë konsiderohet si një nga fortesat më të fuqishme të bregut perëndimor të Adriatikut. Në gjysmën e parë të shekullit XV kur Durrësi ishte nën pushtimin e Venedikut, kulla u rindërtua dhe mori pamjen e sotme. Kulla ka formë rrethore me diametër të jashtëm 9 metra dhe lartësi 9.6 metra.