Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me shqiptarët në Londër, ku ka kritikuar premtimet e kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si të pambajtura. Basha përmendi premtimin e Ramës për një pasaportë europiane, duke theksuar se kjo është një gënjeshtër e ngjashme me atë të aeroportit të Kukësit, i cili, sipas tij, nuk ka shërbyer për asgjë pas premtimeve të vitit 2021.
Ai theksoi se integrimi europian i Shqipërisë është i pamundur derisa vendi të udhëhiqet nga një qeveri të korruptuar, duke sjellë shembuj nga vendet e tjera që janë ndëshkuar për korrupsionin qeveritar përpara se të pranoheshin në Bashkimin Europian, siç ishte rasti i Kroacisë. Basha theksoi se Bashkimi Europian nuk mund të pranojë shtete që udhëhiqen nga individë që shërbejnë për interesat e tyre personale dhe jo për ata të qytetarëve.
“Ju thash isha në Dibër e në Kukës. Normalisht nga Dibra për në Kukës, ata që janë nga zona i bie nga rruga e rinisë. E kur del për të zbritur në qytet, sheh aeroportin e Kukësit. A e mbani mend se si në zgjedhjet e kaluara në 2021-in, rahu gjoksin dhe ju tha çunat e Londrës, do vini këtu në shtëpinë tuaj në Kukës për dy orë. Më shpejt se nga Tirana, do vini nga Londra në Kukës.
Do vini nga Londra në Kukës e do ju pres unë të vini këtu. Do vini një herë, dy herë, pesë herë në javë sa herë të doni, ja ku e keni aeroportin e Kukësit. Sa kanë shkuar nga Londra në Kukës. As kuksian, as hasjanë, as gjakovarë, fare, fare, fare. Por u del boja atyre stikerave që janë të ngjitme në autostradë, tek trau që thonë për kaq euro, Londër-Luton-Kukës. Pse? Sepse Eurocontrol, Agjensia Europiane, hyn dhe Kontinentale pasi bën pjesë dhe Britania nuk i dha çertifikatën. Dhe i vetmi fluturim ishte një që u ngjit nga Londra, shkoi në Tiranë, zbritën në Tiranë pastaj hipën dhe shkuan në Kukës. I njëjti fat që pati premtimi për Aeroportin e Kukësit. Të njëjtin fat ka dhe premtimi i Edi Ramës për pasaportë europiane me Edi Ramën kryeministër.
Nuk ka pasaportë europiane me Edi Ramën kryeministër, sepse integrimi europian dhe korrupsioni i qeverisë së tij, janë në konflikt interesi me njëri-tjetrin. Kaq është e qartë. Historia e vendeve të tjera në integrimin europian, tregon që pa u ndëshkuar autorët e korrupsionit qeveritar ato vende nuk bëjnë përpara. Kujtojeni Kroacinë. E mbani mend kryeministrin e Kroacisë për një orë dore i filloi hetimi penal. Pse? Bashkimi Europian nuk mund të pranojë vende që qeverisen nga njerëz që janë aty për t’i shërbyer vetes së tyre dhe jo qytetarëve të tyre. Ky është realitet sot në Shqipëri” – tha Basha.