Tag: kryetarit

  • Dy raporte për Peleshin: Këshilli i Legjislacionit hap debat të ri

    Dy raporte për Peleshin: Këshilli i Legjislacionit hap debat të ri

    Përfaqësuesit e shumicës dhe ata të opozitës në Këshillin e Legjislacionit kanë dalë me dy raporte të ndryshme lidhur me kërkesën e demokratëve për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.
    Socialistët nuk i shohin si shkelje që çojnë deri në shkarkim pretendimet e demokratëve. Këta të fundit, në dokumentin e hartuar nga relatori i tyre, Ivi Kaso, rreshtojnë 5 shkelje që Niko Peleshi ka bërë në dy seancat plenare, ekzaktësisht të 16 dhe 18 shtatorit, çka sipas demokratëve e bën legjitime kërkesën e tyre për shkarkimin e kryeparlamentarit.
    “Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi, ka thirrur mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 16 shtator 2025, pa respektuar afatin e parashikuar nga Rregullorja e Kuvendit, përkatësisht si rregull 7 ditë përpara. Për rrjedhojë, kjo mbledhje, ashtu si edhe çdo vendimmarrje e saj, është e pavlefshme.
    Kryetari i Kuvendit ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si dhe ka përfshirë për shqyrtim dhe miratim projektvendime për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, duke mos respektuar afatin e parashikuar nga neni 83, pika 2 e Kushtetutës dhe neni 28, pika 4 e Rregullores së Kuvendit.
    Kryetari i Kuvendit u ka hequr të drejtën deputetëve të Kuvendit për të diskutuar mbi përmbajtjen e projektvendimit, në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe me Rregulloren e Kuvendit.
    Kryetari i Kuvendit, në mënyrë të përsëritur, i ka mohuar Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të drejtën e fjalës për procedurë, në kundërshtim me Rregulloren.
    Kryetari i Kuvendit, në kundërshtim flagrant me nenin 97 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 110 të Rregullores së Kuvendit, nuk ka mundësuar paraqitjen e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave nga Kryeministri përpara procesit të votimit.
    Në këto kushte, Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi, është në kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit për shkarkimin nga kjo detyrë.“
    Por socialistët nuk i shohin si shkelje që çojnë në shkarkimin e kryetarit të Kuvendit ato të relatuara nga demokratët. Në raportin e tij, relatori Damian Gjiknuri i referohet edhe vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Strasburgut për të hedhur poshtë pretendimet e opozitës.
    Deputetët e shumicës parlamentare vlerësojnë se Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi, në drejtimin e seancave plenare të datave 16 dhe 18 shtatorit, nuk ka kryer asnjë shkelje të parashikuar në ndonjë dispozitë të Kushtetutës apo të Rregullores së Kuvendit.
    Seanca plenare e datës 16 shtator është thirrur në përputhje me Kushtetutën. Në seancën e datës 18 shtator nuk është Kryetari i Kuvendit që pengoi zhvillimin e debatit, por është situata në sallë që e bëri objektivisht të pamundur zhvillimin e tij.Zënia me dhunë e foltores së Kuvendit apo pengimi i marrjes së fjalës nga ana e deputetëve janë metoda që çojnë pikërisht në bllokimin e punës së Kuvendit.
    Anëtarët e mazhorancës në Këshillin për Legjislacionin i propozojnë seancës plenare rrëzimin e kërkesës për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi.
    Këshilli i Legjislacionit ka vetëm rol këshillues, ndaj është seanca plenare e të enjtes që do të vendosë se për kë nga raportet do të votohet me shumicë votash. Mocioni për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit kërkon shumicë të thjeshtë prej 71 votash, por demokratët, të vetëdijshëm për fatin e kërkesës së tyre, e ndërmorën procedurën si një akt politik.

  • PS përjashton Bardhin, Korreshi: Duan të dëmtojnë rolin e opozitës në Kuvend

    PS përjashton Bardhin, Korreshi: Duan të dëmtojnë rolin e opozitës në Kuvend

    Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka dhënë detaje nga mbledhja e Komisionit të Etikës, ku u vendos përjashtimi me 15 ditë nga punimet parlamentare të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Vendimi erdhi si pasojë e përplasjeve mes Bardhit dhe kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi në seancën e fundit plenare.
    “Kjo është një goditje që i bëhet njërës nga figurat kryesore të PD-së siç është kryetari i grupit parlamentar, si e si që ta dëmtojnë sa më shumë rolin e opozitës në Kuvend”, u shpreh ndër të tjera ligjvënësi demokrat Saimir Korreshi.
    Pjesë nga deklarata:
    Na bënë ulje çmimi, duke qenë se brenda 15 ditësh mbaron raportimi i organeve të drejtësisë, dhe kjo nuk ka qenë asgjë tjetër veçse për të ulur zërin kritik të Kryetarit të Grupit Parlamentar. Ju e keni ndjekur seancën, ku u ngrit pretendimi që: “Ju nuk keni pse të provokoheni”. Jo, ne nuk kemi rënë pre e Kryetarit të Grupit të tyre Parlamentar, Roland Balla, pavarësisht se ai filloi me gjuhë denigruese, dhe ju i keni parë fjalimet e tij çdo 10 minuta – se çfarë mendimi ka dhe çfarë vreri ka hedhur ndaj opozitës. Por ne e kemi pasur qëndrimin tonë për shkak të shkeljes së rregullores nga vendimmarrja e Kryetarit të Parlamentit, z. Niko Me Llesh.
    Nuk mund të ketë një gjë që nuk është në rregulloren e Republikës së Shqipërisë. Është viti i pestë që raportojnë organet kushtetuese, dhe sa herë u kemi drejtuar pyetje, sepse edhe ne duhet ta lexojmë. Qëllimi i vetëm është t’i mbyllin zërin opozitës, që organet ligjzbatuese t’i japin përgjigjet sipas qejfit vet, dhe i kemi ndjekur edhe në komisione. Asnjëherë, asnjë organ ligjzbatues, kur ndihet keq nga një pyetje, nuk i është përgjigjur si duhet, por i ka rënë “nga Kina”, sipas mënyrës së vet.
    Patjetër që fjala e deputetit prevalon. Ne nuk kemi as rregullore se si drejtohen pyetjet, veçse është bërë si praktikë që 5 minutat e fundit t’i bëjmë pyetjet me shkrim. Ne nuk kemi rënë pre e një provokimi, por ka qenë një reagim për një vendimmarrje që ka qenë e ndryshme nga ajo që duhet të kishin ndjekur kolegët e mazhorancës. Kjo është haptazi për të goditur një nga figurat më të forta – Kryetarin e Grupit Parlamentar – i cili ka denoncuar jo pak herë me pyetje konkrete organet ligjzbatuese përse nuk janë prezent kur ato raportojnë.
    Ironia më e madhe që ndodh është se, po të shikoni hyrjet e reja në Parlament, kërkojnë që të mos mbyllet Parlamenti dhe thonë: “Wa, çfarë na bën ne opozita! S’po na jep qetësi të flasim për hallet e popullit!”

  • Hapet procedura për përzgjedhjen e kryetarit të Komitetit për Pakicat Kombëtare

    Hapet procedura për përzgjedhjen e kryetarit të Komitetit për Pakicat Kombëtare

    Kryeministria ka shpallur procedurën e hapur për përzgjedhjen dhe emërimin e kryetarit të Komitetit për Pakicat Kombëtare, në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e procedurave të përzgjedhjes së drejtuesve të këtij institucioni. Procesi i aplikimit do të jetë i hapur për një periudhë 30-ditore.
    Kandidatët që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë konkurrim duhet të jenë persona që u përkasin pakicave kombëtare, të kenë kontribute të spikatura në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe të kenë një përvojë pune jo më pak se 10 vjet në këtë fushë.

    Aplikuesit duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh që përfshijnë kërkesën për aplikim, dëshmitë e eksperiencës profesionale, rekomandime nga shoqata të regjistruara që kanë në objekt të veprimtarisë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicës përkatëse, kopje të dokumenteve të identifikimit dhe diplomimit, si dhe dëshminë e penalitetit.

    Përveç këtyre dokumenteve, kërkohet edhe dëshmi për njohjen e gjuhës së pakicës që përfaqësohet, për ato pakica kombëtare që kanë gjuhën e tyre. Kandidatët, individualisht mbështetje, me rekomandim, nga të paktën 5 individë, që janë personalitete me kontribute të pakicës kombëtare përkatëse në Republikën e Shqipërisë, si dhe formularët e vetëdeklarimit në përputhje me legjislacionin për integritetin e zyrtarëve publikë dhe ligjin për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

    Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 17 nëntor 2025. Dokumentet duhet të depozitohen pranë Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Kryeministri.

  • “Shkarkimi i Veliajt, akt administrativ”, Qeveria i dërgon relacionin Gjykatës Kushtetuese

    “Shkarkimi i Veliajt, akt administrativ”, Qeveria i dërgon relacionin Gjykatës Kushtetuese

    Këshilli i Ministrave ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese relacionin zyrtar që mbështet vendimin për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
    Në dokumentet qe disponon Vizion Plus, Qeveria mbron qëndrimin se vendimi i marrë është një akt individual administrativ, dhe për këtë arsye, duhet të shqyrtohet nga Gjykata Administrative, jo nga ajo Kushtetuese.
    Sipas pretendimeve të Këshillit të Ministrave, Veliaj është shkarkuar në përputhje me ligjin për vetëqeverisjen vendore, pasi ka munguar në detyrë për më shumë se tre muaj dhe per këtë arsye nuk ka pasur të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta kundërshtuar vendimin.

    “Këshilli Bashkiak Tiranë ka konstatuar se mosparaqitja në detyrë, për një periudhë më të gjatë se tre muaj, përbën shkak ligjor për të propozuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë. Fakti juridik i pamundësisë së paraqitjes në detyrë është fakt publik dhe vërtetësia e tij nuk mund të vihet në dyshim. Po kështu nuk mund të vihet në dyshim shqetësimi këshilltarëve bashkiakë për dëmin e rëndë që i shkakton nevojave te qeverisjes së kryeqytetit dhe interesit të qytetarëve të Tiranës, mungesa e zgjatur në detyrë Kryetarit të Bashkisë”, thuhet në njoftim.
    Ne relacion thuhet se Veliaj nuk është shkarkuar për shkelje të rënda në detyrë, sepse në atë rast ai do të kishte pasur të drejtën ligjore për të kërkuar pezullimin e vendimit në Kushtetuese.
    “Jo rastësisht, Kushtetuta, e cila nuk lejon vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese për akte me karakter individual, në rastin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë, që është gjithashtu akt me karakter individual, ka përcaktuar shprehimisht jo vetëm të drejtën për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, por ka përcaktuar edhe pezullimin automatik të aktit, në rastin kur bëhet ankimi”, thuhet më tej.
    Me 31 tetor, Gjykata Kushtetuese do të shprehet me vendim lidhur me kërkesën e Erion Veliajt për anulimin e vendimit të shkarkimit.
    Ndërkohë Kushtetuesja pezulloi dekretin e Presidentit Begaj për datën e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës./vizionplus.tv

  • VIDEO/ Bardhi: Na mjaftojnë përgjimet e SkyECC për të kuptuar cilësinë e letrave të bakallit që na servir Balla

    VIDEO/ Bardhi: Na mjaftojnë përgjimet e SkyECC për të kuptuar cilësinë e letrave të bakallit që na servir Balla

    Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të rregullores gjatë seancave parlamentare. Gjatë fjalës së tij, Bardhi theksoi se mazhoranca nuk respekton të drejtën e opozitës për të dhënë mendim mbi propozimet që paraqiten, duke i cilësuar vendimet e kryetarit si urdhra të njëanshëm.

    “Është e disata herë që duhet t’ju kujtojmë rregulloren. Sa herë ka një propozim, ka të drejtë pala tjetër të japë mendimin e vet, por ju e konsideroni sikur është urdhër ndaj kryetarit të Kuvendit”, u shpreh Bardhi.

    Ai akuzoi gjithashtu Taulant Ballën për ndërhyrje në punët e Kuvendit, duke e cilësuar atë si personin që dikton vendimet. “Nuk kemi nevojë të dëgjojmë letra bakalli që na vijnë nga Taulant Balla. Na mjaftojnë përgjigjet e SkyECC për të kuptuar cilësinë e letrave që dëshiron të na servirë”, shtoi ai.

    Bardhi paralajmëroi se mosrespektimi i procedurave parlamentare rrezikon të shndërrojë Kuvendin në “listë dëshirash të Taulant Ballës”. Ai i bëri thirrje Peleshit të respektojë rolin institucional ose të lëshojë detyrën. “Ose luani rolin e kryetarit të Kuvendit, ose jepjani zotërisë të ketë edhe funksionin e kryetarit të grupit, edhe atë të kryetarit të Kuvendit”, përfundoi Bardhi.

    Bardhi: 

    Është e disata herë që do të duhet t’ju kujtojmë rregulloren, sa herë ka një propozim, ka të drejtë pala tjetër të japë mendimin e vet mbi propozimin. Ju merrni propozimin e e konsideroni sikur është urdhër ndaj kryetarit të Kuvendit, e hidhni në votim, pa dëgjuar nëse ky propozim është apo jo në përputhje me rregulloren.

    E para, nuk kemi nevojë të dëgjojmë letra bakalli që na vijnë nga Taulant Balla, kemi dëgjuar mjaftueshëm përgjigje të SkyECC dhe na mjaftojnë ato për të kuptuar cilësinë e letrave që dëshiron të na servirë Taulant Balla.

    E dyta, rregullorja të detyron një procedurë të caktuar. Pasi flitet 10 minuta pro dhe 10 minuta kundër mocionit, kalohet në votim për mocionin. Ai mund të ngrihet siç u ngrit herës tjetër të thotë s’ka debat, do votojmë. Sot mund të thotë s’do votojë fare, nesër mund të ngrihet edhe të thotë do mbyllim Parlamentin, por kjo nuk do të thotë që Kuvendi të kthehet në listë dëshirash të Taulant Ballës.

    E thashë edhe dje në konferencën e kryetarëve: ose luani rolin e kryetarit të Kuvendit, ose lëshoni karrigen, jepjani zotërisë, të ketë edhe funksionin e kryetarit të grupit, edhe atë të kryetarit të Kuvendit, sepse ju nuk mund ta çoni autoritetin tuaj si numri 2 i shtetit në këmbët e Taulant Ballës.

  • PD kërkon shkarkimin e kreut të Kuvendit Niko Peleshi, Gjiknuri e hedh poshtë

    PD kërkon shkarkimin e kreut të Kuvendit Niko Peleshi, Gjiknuri e hedh poshtë

    Këshilli i Legjislacionit zhvilloi mbledhjen e radhës, ku në rend të ditës ishte vijimi i shqyrtimit të kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.
    Dy relatorët, Ivi Kaso dhe Damian Gjiknuri paraqitën qëndrimet e tyre mbi çështjen.
    Si përfaqësues i PD, Kaso tha se opozita kërkon shkarkimin e kryetarit të Kuvendit për shkelje të rënda të Kushtetutës të Rregullores së Kuvendit, veçanërisht veprimet dhe mënyra e drejtimit të seancës të cilat i ka konsumuar në datën 16 dhe 18 shtator.
    “Konkretisht shkeljet janë të rënda që përfshijnë edhe shkeljen e Kushtetutës dhe shkeljen e Rregullores së Kuvendit, veçanërisht në thirrjen e mbledhjes së seancës plenare, shkelje që kanë të bëjnë me futjen në rendin e ditës, shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, të cilat kanë qenë propozim i grupit parlamentar të PS-së, sikundër edhe miratimi që është bërë po në të njëjtën seancë”, u shpreh Kaso.
     
     
    Sipas tij, të gjitha këto shkelje të rënda, i kanë pamundësuar, jo vetëm opozitës parlamentare, por edhe qytetarëve shqiptarët, i kanë mohuar një njohje substanciale të ndryshimeve të propozuara, por mbi të gjitha dhe një debat të qenësishëm, në seancën ku do të prezantoheshin prioritetet e qeverisë.
    Kaso shtoi se kryetari i Kuvendit në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Rregullores, për drejtimin e kësaj seance, zgjodhi të vinte interesin partiak të mazhorancës, përkundër interesit të qytetarëve. “Dhunoi të drejtat e opozitës parlamentare”, tha ai ndër të tjera.
    Gjiknuri u shpreh se kërkesa e opozitës nuk ka thelb dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese e mbështesin këtë.
    “Aspekti shtatëditor nuk është fare shkelje e karakterit kushtetuese që të motivojë këtë kërkesë për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit. Pretendimi nuk qëndron dhe duhet rrëzuar. Ne do t’u bëjmë thirrje deputetëve që ta rrëzojnë”, tha Gjiknuri.
    Në përfundim u vendos që palët të marrin kohën e nevojshme dhe në mbledhjen e radhës të vijohet me paraqitjen e raporteve.

  • U dënua me 6 muaj burg/ Gjykata e Lartë prish vendimin ndaj Bashkim Dedjas, çështja rikthehet në Apel

    U dënua me 6 muaj burg/ Gjykata e Lartë prish vendimin ndaj Bashkim Dedjas, çështja rikthehet në Apel

    Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e GJKKO-së ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Mësohet se GJL-ja ditën e sotme pasi ka rrëzuar vendimin, ka caktuar rigjykim për Dedjan në Apelin e GJKKO-së.
    Apeli i GJKKO-së vendosi më 13 shkurt 2024 të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për deklarimin fajtor të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim, masë e cila u pezullua në këmbim të vendosjes në shërbim prove për një vit.
    Dedja e kaloi shkallën e parë të vetting-ut, por u rrëzua nga një vendim i Kolegjit të Posaçëm i Apelimit që e lidhi këtë subjekt rivlerësimi përmes një kontrate me OSHEE me një apartament në Golem, që pretendohej se ishte i vëllait. Hetimet ndaj tij nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se kishte në pronësi pasuri të paluajtshme që nuk i justifikonte me burime të ligjshme.
    Në atë kohë, SPAK siguroi në Gjykatën e Posaçme një urdhër sekuestroje për një shtëpi me sipërfaqe 60 m2 në Golem, në zotërim të Dedjas. Ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese u deklarua dhe u dënua në Shkallën e Parë më 26 qershor 2023, për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

  • Kryebashkiaku i Rrogozhionës fut gjithë fisin në bashki, disa nuk shkojnë fare në punë

    Kryebashkiaku i Rrogozhionës fut gjithë fisin në bashki, disa nuk shkojnë fare në punë

    Mbjellja e pemëve është një investim i rëndësishëm për mjedisin dhe për cilësinë e jetës. Nisur nga kjo, shumë bashki të vendit e kthyen në PR efikas, shpesh duke përdorur edhe figurat publike. Por në Bashkinë Rrogozhinë duket sikur ky koncept është marrë pak ndryshe, sepse brenda zyrave të saj është rritur një lloj tjetër peme, tepër e veçantë: pema familjare e kryetarit Edison Memolla, i cili ka vendosur në pozicionet kyçe të bashkisë të gjithë familjarët dhe miqtë e afërt të tij.
    Thënë shkurt, në Bashkinë Rrogozhinë, në vend të konkursit, mjafton mbiemri dhe miqësia. Por më mirë le t’i listojmë këta personazhe të “pemës Memolla”.
    Në postin e këshilltares është emëruar vajza e xhaxhait, Erinda Memolla. E kush më mirë se ajo do ta këshillonte të parin e qytetit?
    Por, përtej raportit nepotik, Erinda duket se nuk e ka shumë qejf këtë pozicion, pasi sipas punonjësve ajo nuk shfaqet asnjëherë në këtë bashki — qoftë edhe për një kafe të shkurtër. Por Erinda ka edhe një bashkëshort që quhet Andi Proshka.
    Meqë gruaja këshillon, burri çfarë mund të bëjë? Nënkryetar, mendoi kryetari. Ndërkohë, postin e besueshëm të sekretares dhe përgjegjëses së protokollit e zotëron Xhulia Kalemi, e cila është kushërira e kryetarit. Ndërsa vëllait të saj, Renato Kalemi, i është besuar pozicioni i punonjësit të shërbimeve. Në fakt, Renato ka vetëm emrin në listë, pasi as ai nuk paraqitet kurrë në punë. Në postin e magazinierit të Drejtorisë së Shërbimeve është Mariglen Memolla, djali i xhaxhait të kryetarit. Ndërsa kushëririt të dytë, Gëzim Memolla, i është besuar pozicioni i skrepistit.
    Postin e drejtorit të Arsimit, Sportit dhe Kulturës ia ka dhuruar Orges Toskut, kunatit të xhaxhait. Në pozicionin e drejtorit të Financës është vendosur Rezart Vogli, i cili bie kushëri me kryetarin. Ndërsa bashkëshortja e tij, Raimonda Vogli, është përgjegjëse në qendrën kulturore të bashkisë. Blerina Methasani Memolla, bashkëshortja e djalit të xhaxhait të kryetarit, është caktuar në pozicionin e përgjegjëses së financës.
    Fadil Halitin, djalin e hallës, e ka bërë shofer.
    Tani, pas Renatos dhe Erindës, kalojmë tek një tjetër fenomen që nuk paraqitet asnjë ditë të vetme në punë, pavarësisht se paguhet rregullisht nga taksat e qytetarëve të Rrogozhinës.Ky zotëri quhet Harun Murrani, pensionist dhe njëkohësisht “specialist i shërbimit social” — në letra, pasi Harunin e gjen në një tjetër detyrë, më të rëndësishme se punët e bashkisë: në treg duke shitur fruta e perime.
    Lidhur me këtë akuzë, Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, mohoi kushërinjtë e tij, duke thënë se nuk ishte e vërtetë që i kishte të afërm.
    Është e qartë: të gjitha postet që përmendëm janë qoka të kryetarit, në rastin më të mirë me konkurse fiktive kur bëhet fjalë për nëpunës civilë, ose aspak në bazë të aftësive individuale për stafin e ngushtë të Memollës./Emisioni “Piranjat”

  • Ku hyn partia, nuk hyn ligji!/ Ish-nënkryetari i Roskovecit me biznes në qendër të fshatit, pa dokumente, nuk paguan taksa

    Ku hyn partia, nuk hyn ligji!/ Ish-nënkryetari i Roskovecit me biznes në qendër të fshatit, pa dokumente, nuk paguan taksa

    Në mes të fshatit Suk 1 në Roskovec ndodhet një biznes furnizimi me gaz për pakicë, të cilin e disponon me dokumente z. Hamza Agaçi, vëllai i ish-nën/kryetarit të Bashkisë Roskovec, z. Hysen Agaçi. Ky i fundit është personi që e menaxhon dhe kujdeset që ky biznes të funksionojë ndryshe në letra dhe ndryshe në realitet, pasi në QKB biznesi rezulton të jetë për shitjen me pakicë të bombulave të gazit, ndërsa në realitet funksionon për shpërndarjen dhe furnizimin me pakicë të gazit të lëngshëm.

    Për të operuar në biznesin e tregtimit të lëndëve djegëse, duhen një sërë dokumentesh dhe licencash përkatëse, për të cilat z. Agaçi, kur u ballafaqua me gazetarin e emisionit “Piranjat”, Freard Rista, u shpreh i bindur se dispononte çdo dokument, por në realitet gjërat ishin ndryshe.

    Përgjigjen e parë e morëm nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, e cila më datë 10 shtator 2025 na informoi se biznesi në fjalë nuk e disponon lejen e duhur mjedisore për ushtrimin e aktivitetit të tregtimit të gazit të lëngshëm. Përgjigjen e dytë e morëm nga Bashkia e Roskovecit. Në shkresën zyrtare që mban datën 19 shtator, institucioni na bën me dije se subjekti në fjalë ushtronte aktivitetin pa licencën përkatëse për tregtimin e gazit të lëngshëm, madje nuk rezulton i regjistruar pranë zyrës së tatim-taksave si biznes aktiv. Dhe këtë shkelje të rëndë ligjore, kryetarja Majlinda Bufi e justifikon me mosidentifikimin e subjektit nga inspektorët e tatim-taksave, si dhe nga Inspektori i Parandalimit në sektorin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.

    Të mos dish për biznesin e kryetarit të fshatit dhe nën-kryetarit të Bashkisë, nuk duket shumë bindëse. Megjithatë, kryetarja Majlinda Bufi na bën me dije se pas evidentimit të rastit, janë marrë masa për ndërprerjen e aktivitetit dhe vijimin e procedurave të mëtejshme. Gjithashtu, kryetarja sqaron se ka vepruar me dorë të hekurt, duke marrë masa disiplinore ndaj punonjësve përkatës për neglizhencë dhe mospërmbushje të detyrës.

    Megjithatë, disa pyetje 1 milionë dollarëshe ja vlen të bëhen:

    Në një vend aq të vogël ku çdokush di çdo gjë, si ka mundësi vetëm inspektorët nuk e dinë?

    Apo mos ndoshta, miqësia e nën/kryetarit me kryetaren ka qenë më e fortë se ajo kafja e inspektorëve?

    Me gjithë këto zjarre që kapluan vendin tonë këtë vit dhe me gjithë këto biznese që po operojnë me miq e me kafe, duke iu shmangur detyrimeve ligjore, shpresojmë që kësaj here kryetarja Bufi ta ketë marrë seriozisht situatën.