Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi hakerimin e një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, SPAK-ut, duke e cilësuar një akt të rëndë. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha ngriti disa pikëpyetje për këtë sulm ndaj SPAK-ut, pa përjashtuar nga ky sulm edhe vetë prokurorët e posaçëm.
“U kthye koha që dosja para se të shkojë në gjykatë shkon në PS. A është hakerim apo vetëhakerim, unë nuk e di, por është shumë e rëndë. Duan t’ia faturojnë Xhafës, por unë nuk di të të them, por këto po përdoren, edhe Fatmirit po i vijnë rrotull dhe po e akuzojnë se ka hakeruar kompjuterat e SKAP-ut, për të më revoltuar mua edhe dosjen time, atë u them publikojeni sa ta keni.”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe raportin vjetor të SPAK-ut dhe shqetësimin e Prokurorisë së Posaçme për rënien e referimeve të veprave penale nga policia në organin e akuzës.
“Pse ka ndodhur kjo, ta them unë ty. Proda është ‘Matrix’. Ky Ilir Matrixi shkoi aty për të bërë pikërisht për të bërë këtë gjë, pikërisht për të mbrojtur krimin, për të fshehur dosjet e krimit dhe për të mos i dorëzuar. E dinë të gjithë aty, se ai është ‘Matrix’. Ministri vetë është një ushtar i Pojës, ky Hoxha apo Hoxhaj, se nuk merret vesh si e ka, se njëherë thotë jam kështu, e jam ashtu.”
Por nga ana tjetër, kryetari i PD, Sali Berisha, i cili është një prej politikanëve që ka kritikuar më shumë SPAK-un, shmangu komentet për atë pjesë të raportit vjetor të SPAK-ut ku reflektohej shqetësimi për presionin politik mbi Prokurorinë e Posaçme.






