7 Shtator 2025
21:15
Telesport
Tirana është shpallur të dielën fituese e Kupës së Federatës në volejboll për femra për vitin 2025. Në finalen e luajtur në sallën sportive në Farkë, skuadra kryeqytetase mundi 3-1 Pogradecin (25-20, 25-19, 23-25, 25-21).
Një ndeshje që zgjati mbi dy orë, me bardheblutë që ishin një “marsh” më shumë se rivalet liqenore. Pogradeci, që këtë sezon ka bërë mjaft përforcime e investime, synonte trofeun e parë në histori, por pa sukses.
Duket qartë se te pogradecaret ka ende punë për të bërë, ndërkohë që Tirana u duk një ekip më solid, sidomos në lojën mbrojtëse. Kapitenia Enkelenda Braho ishte lidere në fushë për Tiranën, që e meritoi fitoren.
Epërsia e skuadrës kryeqytetase ishte e ndjeshme, duke bërë diferencën në momentet vendimtare. Gjithsesi, ky sezon premton shumë spektakël në volejbollin e femrave, pasi disa skuadra pretendojnë titullin.
